Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Xheladini emëron Arijeta Qafleshi Skerajn dhe Veton Halilin pjesë të kabinetit të tij

22 December 2025 at 15:48


Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë sot dy emërime të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të komunës.

Arijeta Qafleshi Skeraj është emëruar shefe e Kabinetit të Kryetarit, pas tërheqjes së saj nga pozita e asambleistes së Kuvendit të Komunës.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Qafleshi Skeraj është zgjedhur për herë të pestë si asambleiste, ndërsa gjatë legjislaturës së kaluar ka shërbyer si Kryesuese e Kuvendit, duke shënuar një performancë të lartë në funksionimin e organit më të lartë vendimmarrës të komunës. Kryetari Xheladini e ka uruar për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese të metejshme në profesion dhe karrierë.



Gjithashtu, kryetari Xheladini ka emëruar Veton Halilin drejtor të Administratës Komunale.

Gjatë mandatit të kaluar, Halili ka shërbyer si shef i Kabinetit të Kryetarit, duke ushtruar këtë detyrë me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.

Kryetari Xheladini ka uruar Halilin për pozitën e re, duke shprehur besimin se me përvojën dhe profesionalizmin e tij, ai do të kontribuojë në forcimin e administratës komunale dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët e Dragashit. /Telegrafi/


Inspektohen kushtet mësimore në shkollat e komunës së Obiliqit

22 December 2025 at 15:40


Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sevdije Berisha Krasniqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit, Arif Pllana, kanë realizuar vizita inspektuese në disa shkolla të territorit të kësaj komune.

Gjatë vizitave, drejtuesit komunalë kanë parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor, duke identifikuar nevojat për ndërhyrje me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore dhe krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit.

Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se këto vizita janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit dhe adresimin e problematikave që ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. /Telegrafi/


Hamza nga ICK: Qeveria ime do të mbështesë fuqishëm ekonominë digjitale dhe inovatorët

22 December 2025 at 15:34


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot Innovation Centre Kosovo (ICK), duke theksuar rolin kyç që teknologjia dhe inovacioni po luajnë në ndërtimin e ekonomisë së re të vendit.

Gjatë vizitës, Hamza u njoh nga afër me punën e vajzave dhe djemve të sektorit të teknologjisë, të cilët po zhvillojnë zgjidhje inovative në fusha si Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe printimi 3D.

Ai bëri të ditur se edhe vetë fushata e tij zgjedhore po përdor teknologji të avancuara, si dëshmi konkrete e orientimit drejt së ardhmes.

“Një pjesë e fushatës sime është duke u gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si dëshmi e vizionit dhe përkushtimit tonë për inovacionin dhe të ardhmen”, theksoi Hamza.

Kandidati për Kryeministër nënvizoi se mbështetja për sektorin e dijes dhe inovacionit do të jetë prioritet i qeverisjes së tij.

“Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë”, u shpreh Hamza.

Sipas tij, investimi në teknologji, inovacion dhe të rinjtë kreativë është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar për Kosovën.


Përfundon operacioni policor në Pejë, arrestohet një i dyshuar për krim të organizuar dhe rrëmbim

22 December 2025 at 14:46


Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit R.H., në bazë të urdhrit për kontroll dhe nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas autoriteteve, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe është rezultat i një procesi hetimor që lidhet me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021.

Nga Prokuroria është bërë e ditur se lidhur me këtë rast, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, janë sekuestruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H. /Telegrafi/


Hyseni dhe Durmishi diskutojnë për realizimin e projekteve infrastrukturore në Gjilan

22 December 2025 at 14:40


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishin, me të cilin ka diskutuar për projektet e realizuara dhe ato që janë në proces në këtë komunë.

Pas takimit, Hyseni dhe Durmishi kanë vizituar disa nga projektet infrastrukturore në terren, përfshirë rrugën “Hamdi Kurteshi”, ku po realizohet një investim në vlerë prej 2.4 milionë euro, si dhe segmentet e auto-udhës Bresalc–Banullë, pjesë e autostradës Prishtinë–Gjilan.

Kryetari Hyseni e ka falënderuar ministrin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të ministrisë, duke theksuar se gjatë viteve të fundit janë realizuar dhjetëra projekte në dobi të qytetarëve të Gjilanit. Ai ka shprehur shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Hyseni ka bërë të ditur se aktualisht Komuna e Gjilanit po funksionon në një objekt tjetër, pasi ndërtesa e vjetër është rrënuar për t’i hapur rrugë realizimit të projektit “Bulevardi i Qytetit”, i cili konsiderohet investimi më i madh kapital ndonjëherë në Gjilan, me vlerë 18 milionë euro.

Gjatë vizitës në rrugën “Hamdi Kurteshi”, kryetari e ka informuar ministrin se kjo zonë më herët kishte qenë në gjendje të rëndë infrastrukturore, ndërsa tani po merr pamje të re me infrastrukturë të plotë përcjellëse.

Sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, Hyseni ka njoftuar se katër kontrata për katër segmentet e kësaj rruge janë shkëputur, duke shtuar se me nënshkrimin e kontratave të reja pritet të përfundojë ky projekt i rëndësishëm për rajonin.

Nga ana e tij, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se vizita në Gjilan kishte për qëllim vlerësimin e projekteve në terren dhe urimin e kryetarit Hyseni për mandatin e tij të dytë. Ai theksoi se gjatë mandatit të kaluar janë ndërtuar dhe rehabilituar dhjetëra rrugë në këtë komunë, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën.

Durmishi bëri të ditur se punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, ai konfirmoi se janë shkëputur katër kontrata për katër segmentet.

“Sapo të nënshkruhen kontratat e reja, brenda një viti do të përfundojë autostrada e Gjilanit”, tha ministri Durmishi, duke shtuar se në të ardhmen mbështetja për Gjilanin do të rritet me projekte të reja zhvillimore. /Telegrafi/


Nga Trepça njoftojnë se kanë arritur ta rikthejnë në posedim pronë publike mbi 1.35 milion euro

22 December 2025 at 14:23


Ndërmarrja Trepça ka shënuar një fitore të plotë ligjore në mbrojtje të pronës publike, pas një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Me Aktgjykimin C.nr.91/2023, gjykata ka konfirmuar në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të drejtën e pronësisë së Trepça, duke urdhëruar njëkohësisht lirimin e menjëhershëm dhe kthimin e pronës në posedim të ligjshëm të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, prona në fjalë kishte qenë e uzurpuar për më shumë se 20 vjet, periudhë gjatë së cilës ishin ndërmarrë edhe veprime për tjetërsimin e saj, në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.

Si rezultat i këtij vendimi gjyqësor, Trepça ka rikthyer në posedim pasuri publike me vlerë mbi 1.35 milion euro.

Nga ndërmarrja vlerësohet se ky aktgjykim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e uzurpimeve të kundërligjshme.

Në njoftim është theksuar gjithashtu se ky sukses pasqyron angazhimin profesional dhe të vazhdueshëm të Zyrës Ligjore të Trepça në mbrojtje të interesave të ndërmarrjes dhe pasurisë publike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/


Hamza: Kosova duhet të ecë përpara, jo kriza të reja – kapitull i ri tani

22 December 2025 at 14:09


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar sot një video-mesazh drejtuar qytetarëve, ku thekson se zgjedhjet e 28 dhjetorit paraqesin një moment vendimtar për drejtimin e vendit.

“Në këtë datë, ne, qytetarët e këtij vendi, jemi përballë një vendimi të qartë: ta vazhdojmë rrugën mbrapa, me kaos, pasiguri dhe ndarje; apo ta ndryshojmë kahjen dhe të ecim përpara, me stabilitet, zhvillim dhe shpresë”, shprehet Hamza në video.

Ai nënvizon se zgjedhja e tij është e qartë dhe e lidhur drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit:

“Unë zgjedh të ecim përpara. Për familjet tona. Për fëmijët tanë. Për Kosovën”.

Në përmbyllje të mesazhit, kandidati për Kryeministër fton qytetarët në bashkim rreth vizionit të tij politik: “Të gjithë bashkë. Përpara!”.

Videoja është pjesë e komunikimit zgjedhor të PDK-së në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Hamza synon të paraqesë një alternativë të bazuar në stabilitet, zhvillim dhe shpresë për Kosovën.


Komuna e Prishtinës mbështet të moshuarit përmes donacioneve në bashkëpunim me BIK-un dhe shoqatën “Bereqeti”

22 December 2025 at 13:44


Kryetari i Kryeqytetit ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës po vazhdon bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Prishtinës dhe Shoqatën Bamirëse “Bereqeti”, në kuadër të përkujdesjes sociale për qytetarët, veçanërisht për të moshuarit.

Sipas tij, përmes një donacioni që përfshin mbështetje materiale për personat e moshuar, institucionet dhe organizatat partnere po dëshmojnë rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës reciproke, sidomos gjatë kësaj periudhe.

Kryetari ka falënderuar edhe Shtëpinë e të Moshuarve për bashkëpunimin dhe energjinë pozitive, duke theksuar se angazhimi i përbashkët e bën këtë partneritet edhe më të fuqishëm në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


Kolona të gjata automjetesh në Veternik, qarkullimi i rënduar që nga mëngjesi

22 December 2025 at 13:31


Qarkullimi i automjeteve në zonën e Veternikut është rënduar ndjeshëm gjatë ditës së hënë, ku janë krijuar kolona të gjata dhe bllokime të mëdha në trafik.

Bazuar në pamjet e siguruara, rruga shihet pothuajse e bllokuar plotësisht nga automjetet, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve, shkruan Telegrafi.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe gjatë orëve të mëngjesit, çka tregon për një ngarkesë të vazhdueshme të trafikut në këtë segment rrugor.

Ende nuk ka njoftim zyrtar nga autoritetet për shkaqet e sakta të bllokimit, ndërsa drejtuesit e automjeteve janë këshilluar të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e qarkullimit. /Telegrafi/


Krim i organizuar, rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje - Prokuroria Speciale me operacion policor në Pejë

22 December 2025 at 11:52


Një operacion policor i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke u zhvilluar në qytetin e Pejës.

Operacioni po realizohet në bazë të urdhrit për kontroll, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale si: krim i organizuar, rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje.

Autoritetet bëjnë me dije se për detaje të tjera që mund të bëhen publike, ndërsa Telegrafi do t'iu mbajë të informuar. /Telegrafi/


Qendra e Biznesit në Suharekë organizoi mbrëmje për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar

22 December 2025 at 11:45


Qendra e Biznesit në Suharekë organizoi një mbrëmje të veçantë që bashkoi përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, bizneseve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në nivel lokal.

Gjatë këtij aktiviteti, fjalime mbajtën: Kryetari i QBS-së, Refki Zogaj; Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj; Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; Zëvendës Ambasadore e Sllovenisë në Kosovë, Milena Radenkoviq; Drejtori i Odës së Bizneseve Sllovene në Kosovë, Bajram Fusha; ish-Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj; Kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala dhe Deputeti i VV-së, Salih Zyba.



Të gjithë folësit theksuan rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore, zhvillimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare.

Ata vlerësuan rolin kyç të QBS-së në zhvillimin ekonomik të komunës së Suharekës dhe theksuan nevojën për investime dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Qendra e Biznesit në Suharekë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe kontributin, duke konfirmuar përkushtimin e saj për të qenë një urë lidhëse mes bizneseve, institucioneve dhe partnerëve strategjikë.

QBS do të vazhdojë të ofrojë mbështetje, hapësirë për bashkëpunim, trajnime dhe lidhje me institucione vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim zhvillimin e një ekonomie më të fortë, më konkurruese dhe më të qëndrueshme në Suharekë./Telegrafi/

Komuna e Podujevës ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit

22 December 2025 at 11:36


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka lëshuar një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike dhe eksplozive në sheshe, rrugë, tregje dhe hapësira të tjera publike në të gjithë territorin e komunës.

Sipas urdhëresës, ndalesa hyn në fuqi nga data 22 dhjetor 2025 dhe do të vlejë deri më 3 janar 2026.

Personat që nuk respektojnë këtë vendim do të përballen me gjoba sipas rregullativës ligjore në fuqi.

Zbatimi i urdhëresës do të monitorohet nga Drejtoria e Inspekcionit, ndërsa qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat për të parandaluar aksidentet gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/


Peci priti ambasadorin britanik, diskutojnë investimet strategjike për Mitrovicën

22 December 2025 at 09:52


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dhe projektet zhvillimore me interes për qytetin.

Gjatë takimit, palët u fokusuan në projekte konkrete zhvillimore, me theks të veçantë në investime strategjike që synojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve të Mitrovicës.

“Kemi synim që Mitrovica të jetë në fokus të komunitetit të donatorëve për investime strategjike si asnjëherë më parë”, ka theksuar kryetari Peci, duke ritheksuar angazhimin e tij që qyteti të jetë pjesë aktive e projekteve dhe iniciativave ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, me qëllim nxitjen e zhvillimit lokal dhe realizimin e projekteve në interes të përgjithshëm publik. /Telegrafi/


Mbi 2,800 vizita specialistike dhe 27 lindje në Spitalin e Pejës

22 December 2025 at 09:47


Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar në këtë institucion shëndetësor kanë ardhur në jetë gjithsej 27 foshnje, prej tyre 14 djem dhe 13 vajza.

Gjatë së njëjtës periudhë, spitali ka ofruar një numër të konsiderueshëm shërbimesh shëndetësore për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar 2 mijë e 880 vizita specialistike, ndërsa janë regjistruar 255 pranime të reja të pacientëve.

Mesatarisht, 171 pacientë kanë qenë të shtrirë çdo ditë në repartet e spitalit. Po ashtu, 1 mijë e 656 pacientë kanë kryer gjithsej 19 mijë e 236 analiza laboratorike.

Në sallat operative janë realizuar 75 operacione të suksesshme, ndërsa janë kryer edhe 221 seanca të dializës. Në kuadër të shërbimeve diagnostikuese janë bërë 511 incizime me rëntgen, 256 ekzaminime eho, 71 rezonanca magnetike (MRI) dhe 8 mamografi.

Po ashtu, janë kryer 24 teste ergometrike, 49 ehokardiografi, 9 kolonoskopi dhe 22 gastroskopi, si dhe 285 shërbime fiziatrike.

Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës është theksuar se stafi shëndetësor vazhdon të ofrojë shërbime cilësore dhe të pandërprera për pacientët, duke u përkushtuar ndaj kujdesit shëndetësor të qytetarëve të rajonit. /Telegrafi/


Vazhdojnë punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Bresanë të Dragashit

22 December 2025 at 08:42


Punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë vazhduan edhe gjatë fundjavës, në kuadër të angazhimeve të Komunës së Dragashit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe kujdesit ndaj fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka vizituar nga afër ecurinë e punimeve, duke theksuar rëndësinë që ky projekt ka për komunitetin lokal dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Nuk ka pushim kur punohet për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe sot, në ditë vikendi, vizitova punimet në ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë”, ka shkruar Xheladini.

Sipas tij, ndërtimi i çerdhes do të krijojë kushte më të mira për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, si dhe do t’u lehtësojë familjeve qasjen në shërbime cilësore të kujdesit parashkollor.

Komuna e Dragashit ka theksuar se investimet në arsim dhe në kujdesin ndaj fëmijëve mbeten prioritet, me synim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre. /Telegrafi/


Rruga Unazore në Junik po finalizohet

22 December 2025 at 08:06


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar punimet që po zhvillohen në rrugët “Shyt Idrizi” dhe “Ali Salihu”, në lagjen Berishë, duke theksuar se këto segmente janë pjesë kyçe e projektit për ndërtimin e Rrugës Unazore.

“Nuk ka vikend kur bëhet fjalë për transformimin e Junikut tonë. Sot isha në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rrugët ‘Shyt Idrizi’ dhe ‘Ali Salihu’, të cilat janë hallka të rëndësishme që po na çojnë drejt finalizimit të projektit madhor – ndërtimit të Rrugës Unazore”, ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se institucionet komunale janë të vendosura që punimet të vazhdojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Jemi të vendosur që të mos ndalemi asnjë ditë derisa të përfundojmë çdo detaj. Unaza e qytetit po bëhet realitet”, ka shtuar kryetari i Junikut.

Sipas Komunës së Junikut, realizimi i Rrugës Unazore do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të qytetit, ndërsa punimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

19 December 2025 at 15:57


Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe eknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Kamioni ndot asfaltin në Prizren, kompania gjobitet me 1,000 euro

19 December 2025 at 15:51


Pas ankesave të qytetarëve për ndotje të asfaltit në rrugën “Besim Shala”, patrulla e Stacionit Policor në Prizren ka ndërhyrë menjëherë dhe ka shqiptuar gjobë ndaj kompanisë përgjegjëse.

Sipas Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, kompania u penalizua me 1,000 euro për shkak të ndotjes së ambientit gjatë punimeve ndërtimore.

Policia rikujton të gjitha kompanitë ndërtimore dhe qytetarët se gjatë kryerjes së punimeve duhet të kujdesen që të mos shkaktojnë ndotje, dhe në rast të kundërt, të marrin masa të menjëhershme për pastrimin e zonës. /Telegrafi/


Drenasi standardizon shërbimet shëndetësore për fëmijët 0–3 vjeç

19 December 2025 at 15:47


Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas ka arritur edhe këtë vit targetin e planifikuar të vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë (0–3 vjeç), duke u renditur në krye të listës në nivel vendi.

Ky sukses vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt standardizimit dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në komunë.

“Fokusi ynë mbetet nëna dhe fëmija, si shtyllë kryesore e shëndetit publik dhe e një shoqërie të shëndetshme. Arritja e këtij suksesi për dy vite me radhë tregon qartë se investimi në shëndetësi dhe puna e organizuar japin rezultate konkrete për qytetarët”, theksoi Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Sipas drejtorisë, ky rezultat është produkt i përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit shëndetësor, i cili ofron kujdes cilësor, këshillim dhe mbështetje direkte për nënat dhe fëmijët, veçanërisht në zonat rurale.

Drejtoria premton që të vazhdojë përpjekjet për ngritjen e cilësisë, standardizimin e shërbimeve dhe vendosjen e pacientit në qendër të vëmendjes, si pjesë e vizionit për një shëndetësi më funksionale dhe më të afërt me qytetarët. /Telegrafi/


Shkolla “Bajram Curri” në Mollopolc të Shtimes po rinovohet me mbështetje të KFOR-it Turk

19 December 2025 at 15:40


Shkolla “Bajram Curri” në Mollopolc po kalon një proces të rinovimit të plotë, falë bashkëpunimit mes komunës së Shtimes dhe LMT-KFOR-it Turk.

Kryetari i komunës, Qemjal Aliu, vizitoi dje punimet së bashku me ekipin e KFOR-it, duke vlerësuar përkushtimin dhe mbështetjen për këtë investim.

Projektin përbëjnë rregullimi i nyjeve sanitare, renovimi i sallës së arsimtarëve, përmirësimi i banjove, lyerja e mureve dhe vendosja e dyerve të reja.

Sipas kryetarit Aliu, ky investim synon përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor, duke krijuar një ambient më të sigurt dhe të përshtatshëm për mësim.

“Vlerësojmë mbështetjen e KFOR-it Turk për këtë investim që përmirëson kushtet për nxënësit dhe stafin arsimor. Vazhdojmë me punë të mira”, shkroi kryetari Aliu./Telegrafi/


❌
❌