Një numër i konsiderueshëm ndërhyrjesh po ndikojnë në rrjedhën natyrore të lumit Vjosa, shpallur Park Kombëtar për veçantinë dhe rëndësinë që ka në ekosistemet përreth.
Sipas një studimi të realizuar nga organizatat mjedisore ndërkombëtare “Riverwatch” dhe “EuroNatur,” në kuadër të fushatës “Shpëtoni zemrën blu të Evropës” (Save the Blue Heart of Europe), përgjatë sistemit lumor të Vjosës janë identifikuar devijime të shumta të ujit, të cilat përdoren kryesisht për vaditje, por edhe për aktivitete të tjera ekonomike.
“Në total u identifikuan 20 stacione në dhe përgjatë lumit Vjosa dhe në degët kryesore si Shushica dhe Kardhiqi”, thuhet në studim, i cili thekson se sasia e dokumentuar e ujit të marrë arrin në të paktën 12.012 m³/s.
“Megjithatë, ky numër është padyshim më i lartë, pasi për shtatë vende nuk kishte të dhëna mbi sasinë e ujit të lejuar për nxjerrje”, argumentohet më tej.
Nxjerrja e ujit përmes kanaleve të vaditjes në pjesën e poshtme është dokumentuar si një faktor me ndikim të fortë në zonat e lagështa dhe habitatet brenda sistemit lumor. Gjatë periudhave të thatësirës, një pjesë e konsiderueshme e rrjedhës – gati gjysma e lumit – devijohet për qëllime bujqësore.
“Gjatë gushtit 2025, në kushtet e rrjedhjes së ulët në zonën e Poçemit, prurja e lumit ishte rreth 20 m³/s. Dy kanale kryesore vaditjeje, (p.sh: kanali Levan-Fier), morën rreth 9 m³/s”, thuhet në raport.
Sipas autorëve të studimit, kjo do të thotë se gjatë periudhave të verës ku lumi ka dhe rrjedhën më të ulët, midis një të tretës dhe gjysmës së prurjeve të Vjosës është devijuar për vaditje.
Gjatë punës në terren janë identifikuar pesë kanale vaditëse, 10 stacione të përdorimit të ujit nëntokësor – përfshirë burime dhe puse nxjerrjeje – si dhe tre stacione pompimi që nxjerrin ujë nga nëntoka dhe nga lumi për furnizim ose vaditje. Po ashtu janë identifikuar dy hidrocentrale që prodhojnë energji.
“Këto stacione përkojnë me pikat kryesore të nxjerrjes dhe devijimit të ujit për vaditje, duke dokumentuar përdorimin e tij për qëllime bujqësore përmes sistemeve të kanaleve me gravitet dhe atyre të projektuara inxhinierikisht”, thekson raporti.
Sipas studimit, për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme burimet ujore të Parkut Kombëtar të Vjosës duhet të zbatohet plotësisht procesi ligjor për nxjerrjen e ujit në Shqipëri nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin e ujërave, kryesisht Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU). Gjithashtu kërkohet monitorim i vazhdueshëm dhe me kosto të ulët i nxjerrjes së ujit brenda parkut.
Në një reagim publik, organizata Eco Albania theksoi se në një kohë kur ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e thatësirave dhe presionin mbi burimet ujore, “menaxhimi i qëndrueshëm i ujit bëhet edhe më i rëndësishëm për ruajtjen e ekosistemeve natyrore.”
Prej tre vitesh, Vjosa është shpallur Park Kombëtar i Lumit të Egër, duke u bërë parku i parë kombëtar i një lumi të tillë në Evropë. Ky status u miratua më 15 mars 2023.
Sipas Eco Albania, gjetjet e studimit tregojnë nevojën për forcim të monitorimit të marrjes së ujit, rritje të transparencës në përdorimin e burimeve ujore dhe zbatim të plotë të kuadrit ligjor për menaxhimin e ujërave, në mënyrë që të garantohet mbrojtja afatgjatë e Vjosës dhe ekosistemeve të saj.
Zona e ish-Gardës së Republikës në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës po shndërrohet gradualisht në një “park kullash.” Zhvillimi më i fundit duket se po rëndon edhe një problem urbanistik të mbetur pezull prej vitesh: rrugën.
Në këtë hapësirë, që fillimisht u premtua se do të ishte park për qytetarët, prej vitit 2020 ishte parashikuar hapja e një lidhjeje rrugore mes rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”. Kjo ndërhyrje do të krijonte një korridor qarkullimi dhe do të lehtësonte trafikun në një nga hyrjet më të ngarkuara të parkut.
Por, në vend të rrugës, sot gjashtë vite më vonë, po hapet një tjetër kantier ndërtimi për një kullë të re.
Projekti quhet “Garda Tower” dhe parashikon ndërtimin e një godine 33 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me lartësi rreth 120 metra. Ai po zhvillohet nga Artech Group në bashkëpunim me kompaninë El-Prom, e cila së fundmi ka ndryshuar emrin në Hasalami.
Koncepti arkitektonik është realizuar në bashkëpunim me studion gjermane Kuehn Malvezzi, ndërsa maketi i projektit u prezantua publikisht në festivalin e arkitekturës “Bread & Heart” në qershor 2025 (foto).
Projekti 3D i “Garda Tower”/Facebook.
Por për banorët e zonës, zhvillimi i ri ka ndikim të menjëhershëm: hapësira për të kaluar në rrugën “Adem Jashari” po u ngushtohet.
Rrethimi i kantierit ka lënë vetëm një anë trotuari, edhe ai tepër i ngushtë – rreth 40 deri në 50 centimetra – duke e bërë kalimin e këmbësorëve thuajse simbolik. Hapësira në krahun ku po ndërtohet, përdorej kryesisht për parkim makinash, por sidoqoftë linte vend për të kaluar.
Si u krijua parcela për kullën
Sipas planvendosjes së miratuar, projekti ndërtohet mbi bashkimin e nëntë parcelave të ndryshme, të siguruara përmes marrëveshjeve me pronarët e ndërtesave ekzistuese 1-3 kate në zonë – pjesa ku parashikohet të bashkohet rruga “Ibrahim Rugova” me “Dora d’Istria”.
Por zhvillimi nuk përfshin pesë parcela të tjera, ku ndodhen tre ndërtesa 2-6 kate (foto: harta topografike dhe planvendosja). Këto prona mbeten jashtë projektit dhe do të vazhdojnë të bllokojnë realizimin e korridorit rrugor që ishte parashikuar nga plani urbanistik (PDV) TR/169.
Kjo krijon një situatë paradoksale: një kullë mund të ndërtohet menjëherë, ndërsa rruga që justifikonte hapjen dhe zhvillimin e zonës mbetet pezull.
Kur Bashkia e Tiranës hartoi PDV-në TR/169, zona e ish-Gardës së Republikës u prezantua si një hapësirë që do t’i kthehej qytetit. Ideja ishte që kjo zonë të shërbente si zgjatim i Parkut të Liqenit Artificial.
Për këtë arsye, disa nga parcelat që ndodheshin mbi gjurmën e rrugës u klasifikuan si “nën-njësi për transferim”.
Në praktikën e planifikimit urban kjo do të thotë se pronarët mund të kompensohen duke zhvilluar një pronë tjetër në një zonë tjetër të qytetit.
Ndërtesat që pengojnë bashkimin e rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”/Citizens.al
Ky mekanizëm përdoret shpesh për të shmangur kostot e larta të shpronësimit nga shteti.
Në shumë raste, autoritetet publike presin që zhvilluesit privatë të përfshijnë këto parcela në projektet e tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e infrastrukturës publike – si rrugë apo hapësira publike – në këmbim të rritjes së intensitetit të ndërtimit.
Pra, më shumë kate, në këmbim të një hapësire për qytetin. Por në rastin në fjalë, intensiteti nuk po sjell infrastrukturë të re publike.
Për “Garda Tower” – por jo vetëm – mekanizmi duket se funksionon vetëm në një drejtim.
Duke përfshirë në zhvillim disa nga parcelat që ndodheshin mbi rrugën e projektuar, zhvilluesit kanë arritur të përfitojnë intensitet të lartë ndërtimi.
Gjurma e ndërtesës parashikohet të zërë një sipërfaqe prej 487.6 m2 – nga 1,220.71 m2 të shpërndarë në disa parcela – projekti parashikon një volum ndërtimi prej rreth 20,300 m2.
Por 5 parcelat e tjera që janë gjithashtu mbi gjurmën e rrugës kanë mbetur jashtë marrëveshjeve me zhvilluesit. Kjo do të thotë se korridori rrugor nuk mund të realizohet pa shpronësime publike ose negociata të reja zhvillimi.
Megjithatë, mënyra si po zhvillohet projekti nuk lidhet vetëm me zgjedhjet e zhvilluesit privat.
Leja e ndërtimit për “Garda Tower” është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pra qeveria, duke lejuar zhvillimin vetëm mbi parcelat e bashkuara nga investitori dhe duke anashkaluar logjikën e PDV-së së hartuar nga Bashkia e Tiranës, i cili parashikonte mekanizma transferimi për parcelat që binin mbi projekt-rrugën.
Në këtë mënyrë, instrumentet e planifikimit që synonin hapjen e korridorit rrugor u lanë në letër, ndërsa zhvillimi u lejua të ecë përpara edhe pa zgjidhur problemin urbanistik të zonës.
Me fjalë të tjera, një pjesë e kostos që do të duhej të zgjidhej në kuadër të zhvillimit privat mund të përfundojë duke u paguar nga buxheti publik dhe kjo nënkupton edhe më shumë kohë për t’u materializuar.
Planifikimi urban po i përshtatet projekteve
Organizimi i kantierit sugjeron se për një periudhë të gjatë, pjesa e rrugës që do të duhej të hapej për t’u bashkuar me “Dora d’Istrian,” do të mbetet e bllokuar.
Kompania ka shtrirë zonën e rrethimit deri pranë mesit të rrugës ekzistuese – që përkon dhe me kufinjtë e pronave të marra për zhvillim, por – duke e ngushtuar më tej hapësirën e qarkullimit. Nga zyra e saj, na u tha se kjo shtrirje do të jetë provizore “sa të bëhen shembjet” dhe më pas “kantieri do të tërhiqet deri në pjesën ku do të bëhen punimet e ndërtesës duke liruar dhe hapësirën për ndërtimin e rrugës”.
Kantieri i “Garda Tower” që zë ish-parkingun krah rrugës “Adem Jashari’/Citizens.al
Në planvendosje shihet gjithashtu se kulla e re ndërtohet shumë pranë një pallati ekzistues pesëkatësh, ndërsa korridori rrugor mbetet i paplotë.
Kjo do të thotë se edhe pas përfundimit të ndërtesës, realizimi i rrugës mbetet një çështje e hapur për të ardhmen.
Por, “Garda Tower” nuk është një projekt i izoluar. Zona e ish-Gardës së Republikës është kthyer tashmë në një nga nyjet më intensive të zhvillimit vertikal në Tiranë.
Aktualisht aty po ndërtohet “Platinum Tower”, një kullë rreth 35 kate, si dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë.
Në të njëjtën zonë është planifikuar edhe një ndërtesë e re për Bibliotekën Kombëtare, rreth 18 kate.
Procesi për gjetjen e investitorëve për këtë projekt është shpallur dy herë nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe ka dështuar, ndërsa zhvillimi i tij mbetet i paqartë – është thënë se ai do të ndërtohet nga kompania X-One.
Në krah të këtyre projekteve është propozuar edhe kompleksi “Grand Park Skyline”, një zhvillim me tre kulla që arrijnë deri në 71 kate, një nga projektet më të larta të planifikuara në kryeqytet, që pritet të ndërtohet mbi disa prej pallateve ekzistuese nga e njëjta kompani: X-One.
Së bashku, këto ndërtime po krijojnë një korridor vertikal përgjatë një prej hyrjeve kryesore të parkut të liqenit.
Projektet e kullave dhe QKKF-së në zonën e ish-Gardës/Citizens.al
Në planifikimet urbane, infrastruktura duhet të paraprijë zhvillimin. Rrugët, transporti, hapësirat publike dhe rrjetet e kanaleve të ujërave, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit krijojnë bazën funksionale të qytetit, mbi të cilin më pas zhvillohet dhe densiteti urban.
Ky parim garanton që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe të mos prodhojë probleme. Por në Tiranë ka ndodhur gjithmonë e kundërta.
Densiteti ndërtohet i pari, ndërsa infrastruktura lihet të zgjidhet më vonë dhe në disa raste, intensiteti i ndërtimit përdoret si mjet negocimi për të zhvilluar edhe infrastrukturën publike.
Rasti i “Garda Tower” dhe projekteve të tjera te ish-Garda e ilustron këtë logjikë. Projektet shtojnë volume të mëdha ndërtimi në një nyje urbane tashmë të ngarkuar, pa zgjidhur një nga problemet kryesore të zonës: lidhjen rrugore.
Në vend që të krijojë hapësira të reja publike apo të përmirësojë qarkullimin, projektet e shtojnë presionin mbi infrastrukturën ekzistuese. Në këtë mënyrë, zhvillimi që po i ofrohet zonës nuk jep zgjidhje urbane, por përthellon problemin kryesor të saj: mungesën e hapësirave.
*Informacioni për pjesën e gjurmës së projektit dhe shtrirjes së kantierit u saktësua pas komunikimit me kompaninë.
Shqipëria shënoi një përmirësim të dukshëm në renditjen globale për lirinë e medias gjatë vitit 2025, duke ngjitur 19 vende në Indeksin Botëror dhe duke u pozicionuar e 80-ta nga 180 shtete.
Megjithatë, sipas një raporti vjetor për vitin 2025, të realizuar nga organizata BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendrën Faktoje, ky përmirësim nuk reflekton një ndryshim të thellë në realitetin e përditshëm të medias në vend.
Perceptimi i gazetarëve për lirinë e medias
Sipas një sondazhi të realizuar me 106 gazetarë, shumica e tyre mendojnë se situata për lirinë e shprehjes është përkeqësuar gjatë vitit 2025. Rreth 64.2% e të anketuarve deklarojnë se liria e shprehjes ka pësuar rënie, ndërsa vetëm 17% raportojnë një përmirësim.
Edhe aksesi në informacion vijon të jetë problematik. Gjysma e gazetarëve të anketuar (50%) thonë se qasja e informacionit në institucione është bërë më i vështirë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, 36.8% raportojnë përkeqësim të kushteve të punës në redaksi.
Të dhënat tregojnë gjithashtu dallime sipas rolit në profesion. Redaktorët raportojnë nivelet më të larta të përkeqësimit të lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion, çka sugjeron se gazetarët në pozicione vendimmarrëse përballen më drejtpërdrejt me kufizime që lidhen me pavarësinë editoriale dhe marrëdhënien me institucionet.
Po ashtu, 36.8% e të anketuarve raportuan se siguria e gazetarëve është përkeqësuar, ndërsa 44.3% u shprehën se nuk kishte pasur asnjë ndryshim, kundrejt 17% që thanë se ka pasur përmirësim.
“Edhe pse kemi një përqindje më të ulët që raportojnë përkeqësim krahasuar me vitin 2024 (54.7%),” thuhet në raport, “më shumë se një e treta e të anketuarve vazhdojnë të perceptojnë përkeqësim të kushteve të sigurisë.”
Kjo sugjeron se, ndonëse perceptimet për sigurinë mund të jenë stabilizuar disi në krahasim me vitin e kaluar, një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve vazhdojnë të përjetojnë ose perceptojnë dobësi në mjedisin e tyre profesional.
Censura dhe kufizimet në raportim
Kufizimet në raportim mbeten realitet i përhapur për gazetarët në Shqipëri. Vetëm 9.4% e të anketuarve deklarojnë se kanë qenë gjithmonë në gjendje të raportojnë lirshëm, pa frikë nga censura apo hakmarrja.
“Në krahun tjetër, 40.6% raportojnë se me raste ndihen të kufizuar, 16% raportojnë shqetësime të shpeshta dhe 11.3% deklarojnë se nuk kanë qenë asnjëherë në gjendje të raportojnë lirisht. Në total, rreth 68% e të anketuarve kanë përjetuar një farë kufizimi gjatë vitit të kaluar”, thuhet në raport.
Raportimi për korrupsionin e madh konsiderohet tema më e ndjeshme. Rreth 61.3% e gazetarëve e identifikojnë këtë temë si të kufizuar, e ndjekur nga raportimi për krimin e organizuar dhe për praktikat e këqija të korporatave të mëdha.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se kufizimet kanë ndikim konkret në përmbajtjen e raportimeve. Vetëm 19.8% e gazetarëve thonë se nuk kanë braktisur kurrë një histori për shkak të presionit apo vetë-censurës, ndërsa rreth 80% e tyre kanë hequr dorë të paktën një herë nga publikimi i një materiali.
“Këto gjetje tregojnë se kufizimet e perceptuara nuk janë thjesht përshtypje subjektive, por kanë një ndikim të matshëm në raportimet e gazetarëve dhe në informacionin që i vihet në dispozicion publikut”, thuhet në raport.
Kërcënimet dhe siguria e gazetarëve
Sipas sondazhit, 40.6% e gazetarëve raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose kanosje gjatë ushtrimit të profesionit.
Ndërkohë, 12.3% e të anketuarve deklarojnë se janë sulmuar fizikisht të paktën një herë gjatë punës si gazetarë. Gazetarët që punojnë në televizione raportojnë më shumë raste kërcënimesh dhe sulmesh krahasuar me kolegët e tyre në mediat online.
“Burrat raportojnë numër më të madh të sulmeve fizike (18.8%) krahasuar me gratë (6.9%)”, thekson raporti, ndërsa reporterët duken më të prekur nga këto sulme.
Po ashtu, gazetarët e televizionit raportojnë se përballen më shpesh me sulme fizike dhe kërcënime krahasuar me gazetarët online.
Kërcënimet verbale janë forma më e zakonshme e presionit, të raportuara nga mbi 70% e gazetarëve që kanë përjetuar kanosje. Ngacmimi online është forma e dytë më e përhapur, ndërsa një pjesë e gazetarëve raportojnë edhe kërcënime me padi ligjore, telefonata ngacmuese dhe gjuhë fyese.
Sipas të dhënave, zyrtarët e qeverisë identifikohen si burimi kryesor i kërcënimeve, të ndjekur nga grupet politike, organizatat kriminale dhe pronarët e mediave.
Gazetaret dhe rreziqet me bazë gjinore
Gazetaret përballen gjithashtu me forma specifike të kërcënimeve që lidhen me gjininë. Rreth 17.2% e gazetareve të anketuara raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose ngacmime me bazë gjinore gjatë ushtrimit të profesionit.
Forma më e zakonshme është ngacmimi verbal, i ndjekur nga ngacmimi seksual dhe abuzimi online. Në disa raste janë raportuar edhe kërcënime fizike.
“Është e rëndësishme të theksohet se 60% e të anketuarave të kërcënuara raportuan se kanosje të tilla ndikuan në raportimin e tyre të paktën në një masë të moderuar”, analizohet në raport.
Raporti thekson gjithashtu se një pjesë e gazetareve ndihen të pambrojtura nga institucionet apo nga vetë mediat ku punojnë.
“19% e grave gazetare raportuan se shqetësimet e tyre për sigurinë nuk u trajtuan fare nga media për të cilën punonin dhe 31% raportuan se shqetësimet nuk u trajtuan në mënyrë të mjaftueshme”, thekson raporti.
Denoncimi dhe mungesa e besimit tek institucionet
Një nga problemet kryesore të evidentuara është mungesa e besimit të gazetarëve tek institucionet shtetërore. Vetëm 18.6% e gazetarëve që kanë përjetuar kërcënime i kanë raportuar incidentet tek autoritetet.
“Arsyeja kryesore për mosraportimin ishte mungesa e besimit tek autoritetet (63.9%), e ndjekur nga besimi se raportimi nuk do të sillte ndonjë ndryshim (27.9%)”, thuhet në raport.
Gazetarët gjithashtu theksojnë se presioni politik, presioni ekonomik nga pronarët ose reklamuesit dhe mungesa e mbrojtjes ligjore janë ndër sfidat kryesore për sigurinë e tyre profesionale.
Kushtet e punës në sektorin e medias
Rreth 36.8% e të anketuarve raportojnë përkeqësim të kushteve të punës, ndërsa 41.5% thonë se situata nuk ka ndryshuar.
Problemet lidhen kryesisht me kontratat e pasigurta të punës dhe mungesën e stabilitetit financiar në sektor.
Institucionet kanë ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar situatën, përfshirë një memorandum bashkëpunimi mes Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës për monitorimin e kushteve të punës në media. Megjithatë, sipas raportit, zbatimi i legjislacionit mbetet i pabarabartë.
Mbulimi mediatik i zgjedhjeve dhe sfidat strukturore
Raporti thekson se fushata zgjedhore e vitit 2025 shërbeu si një test për lirinë e medias në vend.
Rreth 83% e gazetarëve të anketuar raportojnë se kanë mbuluar zgjedhjet, ndërsa shumica e tyre kanë hasur vështirësi gjatë procesit.
Rreth 70% e gazetarëve që mbuluan fushatën deklarojnë se u përballën me kufizime në aksesin në informacion. Përveç kësaj, 23.9% raportojnë presione ose kërcënime gjatë punës.
Kandidatët dhe anëtarët e partive politike identifikohen si burimi kryesor i këtyre presioneve.
Një pjesë e gazetarëve deklaron se është ndjerë nën presion për të përdorur vetëm materiale të ofruara nga partitë politike, duke kufizuar kështu mundësinë për raportim të pavarur.
Raporti thekson se problemet në sektorin e medias në Shqipëri janë kryesisht strukturore dhe jo raste të izoluara.
Presioni politik, përqendrimi i pronësisë së mediave, financimi jo transparent dhe pasiguria ekonomike e gazetarëve krijojnë një mjedis të brishtë për gazetarinë e pavarur.
Ndotja e ajrit dhe zhurmat në Tiranë e qytete të tjera të vendit vijojnë të jenë mbi normat e lejuara. Kështu tregoi një raport monitorimi alternativ për vitin 2025, prezantuar nga CoPlan në kuadër të projektit GreenAL. Si arsyet kryesore për ndotjen përmenden ndërtimet, trafiku dhe mungesa e vegjetacionit.
Anila Bejko, drejtuese e CoPlan, u shpreh se në dallim nga vitet e tjera, kur monitorimi është kryer vetëm në Tiranë, këtë vit janë përfshirë edhe qytete të tjera si Durrësi, Korça, Shkodra, Elbasani dhe Fieri.
“Falë më shumë se 800 pikave të lëvizshme të monitorimit në gjashtë qytete dhe 15 stacioneve fikse, këtë vit sjellim një pasqyrë shumë më të plotë të shëndetit të qyteteve tona”, tha Bejko.
I pranishëm në prezantimin e gjetjeve të raportit ishte dhe zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli, i cili u shpreh se mbrojtja e mjedisit është prioritet kombëtar dhe pjesë thelbësore e angazhimeve për integrimin evropian.
Sipas tij, kjo ishte një nga arsyet që çoi në krijimin e një ministrie të dedikuar për mjedisin. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta.
“Sistemi i monitorimit kërkon përmirësime të mëtejshme teknike, si dhe zgjerimin e mbulimit për ndotës të rëndësishëm si metalet e rënda dhe hidrokarburet aromatike. Po ashtu, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe përmirësimi i transmetimit të të dhënave në kohë reale mbeten drejtime të rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Gazheli.
Ndotja e ajrit mbi normë
Në Tiranë, sipas raportit, 66.7% e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë të dioksidit të azotit (NO₂). Ndikimi kryesor lidhet me trafikun rrugor dhe burimet e djegies në zona të caktuara urbane.
“Sasia e NO2 tejkalon 3-4 herë normën prej 40 mcg/m3. Pikat më problematike janë kryqëzimi i zgjatimit të bulevardit me Unazën, Materniteti i Ri, Ali Demi, Rruga e Elbasanit dhe zona e Kristal Center”, u shpreh Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale pranë CoPlan.
Po ashtu, në 98.3% të pikave të monitorimit nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) rezultojnë mbi nivelin referencë.
“Rreth 95% më lart se standardi. Kjo lidhet me sisteme urbane shumë të ngarkuara, shkëmbimin e ajrit të ndotur të brendshëm me atë të jashtëm dhe mungesën e vegjetacionit”, tha Dhrami.
Sa i përket grimcave të imëta të pluhurit nga emetimet e automjeteve (PM2.5) dhe grimcave më të mëdha (PM10), raporti tregon se ato rrallë tejkaluan standardet në Tiranë për periudhën kur është kryer monitorimi, korrik-gusht 2025.
“Arsyeja është se kjo periudhë shoqërohet me lëvizje më të pakta të automjeteve dhe përdorim më të kufizuar të sistemeve të ngrohjes. Megjithatë ka zona ku vlerat i afrohen ose i tejkalojnë kufijtë maksimalë, si në Rrugën e Dibrës, Qytetin Studenti dhe zonën e Medresesë”, shtoi Dhrami.
Në Durrës, pluhurat rezultojnë mbi standardet.
“Zonat më të ndotura janë Vollga, Rruga e Spitalit, stadiumi dhe bulevardi. Kjo lidhet me intensitetin urban dhe aktivitetin pranë zonës portuale”, argumentoi Dhrami.
Në Elbasan rreth 91% e pikave tejkalojnë standardin për NO₂, ndërsa 95% janë mbi pragun referencë për CO₂.
Në Fier, 73% e pikave të monitoruara tejkalojnë standardin për PM2.5 dhe PM1, ndërsa 67% e pikave të monitorimit për NO₂ janë mbi standard.
Në më shumë se gjysmën e pikave të monitoruara në Korçë dhe Shkodër rezulton se grimcat e imëta në ajër tejkalojnë standardet.
Ndotja akustike, një realitet i përditshëm
Rruga e Dibrës, zona e Medresesë, Qyteti Studenti dhe Liqeni Artificial janë disa nga zonat ku niveli i zhurmës e kalon kufirin normal, sipas raportit.
“Gjatë ditës, 88% e pikave të monitoruara tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh, kryesisht për shkak të trafikut”, u shpreh Greta Shehu, eksperte mjedisi pranë CoPlan.
Sipas saj, gjatë natës tejkalimi është disi më i ulët dhe ndodh kryesisht në zona urbane si Astiri dhe zona e Doganës.
Në Durrës, 87% e pikave të monitorimit tejkalojnë nivelin prej 55 decibelësh, kryesisht në shëtitoren Vollga, zonën e portit dhe lagjet përreth.
“Gjatë natës, 92% e pikave të monitorimit e kalojnë standardin, duke krijuar probleme për shëndetin dhe cilësinë e gjumit”, tha Shehu.
Në Elbasan, zonat më të prekura janë autostrada, lagjja Skënderbeu dhe qendra e qytetit. Gjatë natës, 86% e pikave monitoruese tejkalojnë kufirin prej 45 decibelësh.
Në Fier, 61 nga 99 pika monitorimi janë mbi standard gjatë ditës, ndërsa gjatë natës 46 prej tyre e tejkalojnë kufirin.
Në Korçë situata paraqitet më e qëndrueshme, ku 37% e stacioneve tejkalojnë standardin gjatë ditës. Megjithatë gjatë natës 65% e tyre e kalojnë kufirin.
Në Shkodër, 89% e pikave të monitorimit tejkalojnë kufirin prej 55 decibelësh gjatë ditës, kryesisht në rrugët kryesore dhe rreth-rrotullime.
Cilësia e ujërave, e paqëndrueshme
Risi e monitorimit të vitit 2025 është edhe analiza e ujërave, që përfshiu 9 liqene, 5 rezervuarë, 4 përrenj dhe një sistem vaditjeje.
Sipas Imeldi Sokolit, ekspert i territorit dhe mjedisit pranë CoPlan, për analizën e ujërave janë përdorur 18 komponentë matës.
“Kanali Roskovec-Hoxharë, nga 18 komponentë të analizuar, 12 rezultojnë mbi normë”, tha Sokoli.
Ai përmendi gjithashtu disa kanale kulluese në Fier-Divjakë, ku është vërejtur rritje e përçueshmërisë elektrike për shkak të shkarkimeve urbane dhe aktiviteteve bujqësore.
Liqenet kryesore përreth Tiranës rezultojnë gjithashtu të ndotura.
“Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës dhe Liqeni Artificial i Tiranës kanë ndotje të lartë organike”, tha Sokoli.
Sipas tij, edhe lumi i Tiranës ka shfaqur prani të metaleve të rënda. Edhe liqenet e Treganit, Bleshit dhe Tafanit rezultuan me nivele të larta ndotjeje.
Sokoli theksoi se duhen masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së ujërave, përmes kontrollit të aktiviteteve minerare dhe reduktimit të shkarkimeve urbane.
Një kërkesë për pezullimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore” dhe ideja për një referendum popullor për shfuqizimin e tij kanë kthyer në debat kufijtë kushtetues të demokracisë direkte në Shqipëri.
Teksa disa grupime kërkojnë që ligji të sprovohet me votë popullore, juristët theksojnë se Kushtetuta ndalon referendumet kur bëhet fjalë për çështje që prekin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Nisma për referendum dhe arsyet pse kundërshtohet ligji
Më 30 dhjetor 2025, përfaqësuesi i Qendrës Konservatore “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, Aklil Pano, publikoi në rrjetet sociale depozitimin e një kërkese në Gjykatën Kushtetuese me objekt: “Pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të Ligjit nr. 64/2025 ‘Për Barazinë Gjinore’”.
Mbështetës të kësaj nisme janë bërë edhe Forumi Mysliman i Shqipërisë dhe “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, të përfaqësuara nga avokati Klodian Rado dhe Isuf Shehu.
I kontaktuar nga Citizens.al për mbarëvajtjen e procesit dhe për tentativën për të zhvilluar një referendum popullor lidhur me ndalimin e ligjit për barazinë gjinore, Pano theksoi se nuk jepte intervista “për gazeta të shkruara”. Por, për referendumin ai tha se do të vlerësohet si hap pas vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese.
Ndryshe, avokati Klodian Rado, pranoi të flasë më gjerë për Citizens.al ku renditi disa arsye pse grupimet e sipërpërmendura kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit.
Sipas tij, shkeljet kryesore procedurale lidhen me mungesën e konsultimit publik efektiv, mungesën e një raporti real financiar sipas nenit 82/1 të Kushtetutës dhe me mosrespektimin e procedurës kushtetuese të votimit nen për nen, sipas nenit 83.
“Diaspora për Shqipërinë e Lirë, pavarësisht se ka dërguar disa herë kërkesa, madje edhe në formë të shkruar, për të qenë pjesë e konsultimeve, nuk është thirrur asnjëherë në asnjë nga tryezat e diskutimit”, tha Rado për Citizens.al.
Ai shtoi se edhe “Qendra Konservatore/Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës” dhe “Forumi Mysliman i Shqipërisë,” edhe në rastet kur janë ftuar në një ose dy takime, kanë pasur në praktikë një “pjesëmarrje formale”, pasi asnjë nga shqetësimet dhe sugjerimet e tyre – sipas Rados – nuk u reflektua as në raportin shoqërues të projektligjit dhe as në tekstin final.
Citizens.al kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të sqaruar këto pretendime.
Ministria theksoi se gjatë fazës së konsultimit publik, Koalicioni dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kanë pasur mundësi të paraqesin mendimet e tyre përmes Regjistrit Elektronik të Konsultimeve Publike, “por nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë apo koment gjatë kësaj periudhe.”
Sipas ministrisë, vetëm pas miratimit të projektligjit në Këshillin e Ministrave “janë paraqitur dy kërkesa zyrtare nga këto grupe, të cilat synonin tërheqjen ose ndryshimin e dispozitave kryesore të ligjit për barazinë gjinore.”
Sipas Ministrisë, argumentet e tyre nuk përbënin komente teknike për përmirësimin e ligjit, por “qëndrime morale ose ideologjike kundër thelbit të nismës ligjore.” Për këtë arsye, këto kërkesa nuk mund të konsideroheshin pjesë e procesit formal të konsultimit publik, i cili kishte përfunduar para miratimit të projektligjit në Këshillin e Ministrave.
“Ministria mbetet aktori shpjegues dhe teknik i nismës, ndërsa vendimmarrja i kishte kaluar Parlamentit dhe për rrjedhojë kërkesa e grupeve të interesit për mospranimin e ligjit duhej t’i drejtohej Parlamentit”, përfundon në sqarimin e saj për Citizens.al, ministria.
Sipas ligjit të ri për barazinë gjinore, në një rast të denoncuar diskriminimi, ngacmimi apo dhunimi seksual, barra e provës bie te i akuzuari dhe jo më te viktima.
Ky ndryshim, cilësohet nga avokati Rado si problematik pasi krijon një mekanizm procedural që në praktikë mund të cenojë prezumimin e pafajësisë, duke devijuar nga standardet kushtetuese dhe ato të procesit të rregullt ligjor.
“Kur një person, institucion apo profesionist trajtohet sikur duhet të provojë pafajësinë e tij, ndërkohë që akuza ngrihet mbi ‘supozime’, kemi një devijim të rrezikshëm nga standardet kushtetuese dhe nga procesi i rregullt ligjor”, thekson ai.
Referendum për ligjin e barazisë gjinore?
Më 12 janar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi kërkesën për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e njeh referendumin si instrument të demokracisë pjesëmarrëse. Neni 150 parashikon se “qytetarët, nëpërmjet 50,000 shtetasve me të drejtë vote, mund të kërkojnë referendum për shfuqizimin e një ligji ose për çështje të një rëndësie të veçantë”.
Por, Dea Nini, avokate e të drejtave të njeriut, shpjegon se neni 151 i Kushtetutës përcakton kufijtë materialë brenda të cilëve referendumi mund të zhvillohet.
“Sipas kësaj dispozite përjashtohen çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Shqipërisë, kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, buxhetin dhe taksat e shtetit, vendosjen ose heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe deklarimin e luftës, paqes dhe amnistinë”, thekson Nini.
Pra, ndryshe nga neni 150, i cili hap hapësirën për referendum, neni 151 e kufizon atë hapësirë duke përcaktuar qartë çështjet që nuk mund t’i nënshtrohen referendumit.
“Shfuqizimi i këtij ligji, përmes referendumit, do të kishte si efekt juridik ndikimin mbi nivelin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit, duke e vendosur objektin e kërkesës brenda kategorisë së çështjeve që neni 151, pika 2, i përjashton nga çdo referendum”, përfundon ajo.
Regres në rrugën drejt Bashkimit Evropian
Institucioni i Avokatit të Popullit i tha Citizens.al se shfuqizimi i një ligji që garanton standarde të avancuara ndërkombëtare, të ndërtuara mbi rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë, do të përbënte një hap pas në mbrojtjen ligjore dhe institucionale të të drejtave dhe lirive themelore.
“Ky regres do të ishte domethënës për një shtet që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, pasi procesi i afrimit me BE-në nuk nënkupton vetëm përafrim formal të legjislacionit, por mbi të gjitha respektim substancial dhe progresiv të standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut”, analizon Komisionerja nga Avokati i Popullit, Vilma Shurdha.
Ky institucion rikujton se ligji “Për Barazinë Gjinore” synon realizimin e barazisë në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, duke adresuar diskriminimin dhe duke promovuar mundësi të barabarta në një gamë të gjerë kontekstesh.
“Ligji përmban dispozita specifike në lidhje me çështjet e pagave, skemave të sigurimeve shoqërore, aksesit në punësim, formimit profesional, kushteve të punës, si dhe lejen e shtatzënisë dhe atë prindërore”, thuhet në përgjigjen e institucionit për Citizens.al.
Në lidhje me faktin nëse kjo strukturë do të mbajë një qëndrim publik mbi kërkesën për referendum popullor për shfuqizimin e ligjit, Avokati i Popullit thekson se çdo prononcim mbi përmbajtjen materiale të nismës duhet trajtuar me kujdes.
Kjo qasje argumentohet për të mos krijuar perceptimin e tejkalimit të kompetencave apo ndërhyrjes në një fushë që, sipas Kushtetutës, i takon ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Ligji nr. 64/2025 “Për Barazinë Gjinore” u propozua nga qeveria gjatë vitit 2025 si pjesë nismave të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Projektligji u konsultua në platformën e konsultimit publik dhe u kalua në të gjitha hallkat ligjore para se të shkonte në parlament. Por pasi ai u kalua për miratim pati reagime të ashpra online – shumë prej të cilave bazoheshin në keqinformim dhe gjuhë urrejtjeje.
Ligji i ri synon të forcojë mekanizmat kundër diskriminimit gjinor dhe të promovojë mundësi të barabarta në punësim, arsim dhe jetën publike. Ai përfshin dispozita që lidhen me barazinë në paga, aksesin në tregun e punës, mbrojtjen sociale dhe politikat e balancimit të jetës familjare dhe profesionale.
Vendimi i shumicës socialiste për të mos i hequr imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka nxitur reagime të partnerëve ndërkombëtarë, duke rikthyer fokusin te sfidat e vendit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Me 47 vota “pro” dhe 82 “kundër,” mazhoranca vendosi sot të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe caktimin e një mase shtrënguese, arrest, ndaj deputetes Belinda Balluku.
Pas këtij zhvillimi, zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, në një reagim për mediat, theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi ku SPAK mund të veprojë efektivisht për të mbështetur progresin drejt anëtarësimit.
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë deklaroi mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE sipas dëshirës së qytetarëve, por theksoi si një kusht të domosdoshëm për progres ndjekjen efektive ndaj korrupsionit, përfshirë rastet e zyrtarëve të lartë.
“Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa”, u theksua në reagim.
Në të njëjtën linjë, Ambasada Britanike në Tiranë rikujtoi rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Sipas saj, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori mbeten partnerë të barabartë në avancimin e reformës në drejtësi, duke përfshirë funksionimin e SPAK-ut.
“Imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike dhe jo të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, citon Ambasada Britanike.
Ndërsa Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri theksoi se përparimi i Shqipërisë drejt BE-së varet nga ndjekja e efektshme e korrupsionit, edhe në nivelet më të larta, dhe nga funksionimi pa pengesa i drejtësisë.
Nuk munguan edhe qëndrimet publike të organizatave vendase. Qëndresa Qytetare shprehu shqetësimin për vendimin e shumicës parlamentare, duke theksuar se ai krijon rrezikun që një ish-zyrtare e lartë e akuzuar të ndikojë në procesin hetimor. Sipas tyre, vendimi bie ndesh me paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe rrezikon procesin e integrimit evropian të vendit.
Pas reagimeve të partnerëve kryesor të Shqipërisë për integrimin, kryeministri Rama reagoi duke mbrojtur vendimin e mazhorancës. Kryeministri theksoi se Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se hetimi duhet të vazhdojë pa ndërhyrje politike, duke shtuar se shumica parlamentare ka vepruar në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore, si çdo parlament demokratik në Evropë.
“Mazhoranca është plotësisht dakord me parimet e shprehura nga ambasadat, por e ka të pandryshuar synimin për anëtarësimin në BE brenda vitit 2030”, u shpreh Rama në platformën “X”.
Njohësi i politikës shqiptare, Afrim Krasniqi, njëherësh drejtues i Institutit të Studimeve Politike, e cilësoi këtë zhvillim si një fenomen të përsëritur, ku shpesh vendi merr vendime të gabuara, klienteliste dhe refuzuese ndaj parimeve të shtetit të së drejtës, ndërsa partnerët ndërkombëtarë apelojnë për ligj, drejtësi, antikorrupsion dhe standarde demokratike.
“Nuk duam votë, veto dhe as komisioner, nuk duam rol në vendimmarrje, ndaj si shkëmbim na pranoni siç jemi, pa ndryshuar, pa u reformuar, pa na gjykuar!”, ironizon Krasniqi.
Ashtu sikurse njoftoi në fillim të javës, shumica socialiste vendosi me forcën e kartonit të refuzojë në Kuvend kërkesën e Prokurorisë së Posacme (SPAK) për të autorizuar arrestimin e deputetes Belinda Balluku duke e kthyer çështjen e hetimit penal ndaj saj në një krizë edhe më të fortë politike.
Kërkesa e SPAK mori 47 vota “pro,” 82 “kundër” dhe asnjë “abstenim” duke i kursyer ish-zëvendëskryeministres një masë më të rëndë sigurie.
Seanca u zhvillua në klimë të tensionuar pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa shumica socialiste vijoi direkt në votim me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime.
Vendimi konfirmon qëndrimin e mazhorancës të artikuluar prej ditësh se Partia Socialiste nuk do ta lejonte arrestimin e Ballukut, duke e konsideruar kërkesën e SPAK të pajustifikuar në kushtet aktuale politike dhe institucionale.
Argumenti i mazhorancës: “Balluku s’ka më funksion ekzekutiv”
Në emër të shumicës parlamentare, deputeti socialist Ulsi Manja argumentoi në seancë se “kërkesa e SPAK kishte humbur logjikën e saj juridike” pasi “Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.”
Sipas tij, prokuroria e kishte ndërtuar kërkesën mbi argumentin e pezullimit nga detyra, por kjo masë nuk prodhon më efekt praktik pasi ajo tashmë është vetëm deputete.
“Deputetja në fjalë [Balluku] nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon asnjë efekt real juridik”, theksoi Manja në Kuvend.
Ai shtoi se çështja e drejtësisë ishte transformuar në një “gjyq publik në sytë e qytetarëve”, duke nënkuptuar se debati politik kishte deformuar natyrën juridike të procesit.
Shumica socialiste e paraqiti vendimin si një vlerësim procedural dhe jo si mbrojtje politike të një prej ish-anëtareve kryesore të qeverisë, duke theksuar se “parlamenti nuk mund të autorizojë masa që nuk kanë më efekt praktik.”
Votimi s’pati prani të plotë
Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte kërkuar mobilizimin e plotë të grupit parlamentar socialist për këtë votim, tre deputetë të shumicës munguan në seancë.
Mes tyre ishin ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhe dhe deputeti Fatmir Xhafaj.
Xhafaj raportohet se ndodhej jashtë vendit dhe kishte qenë i pamundur të merrte pjesë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar disa ditë më parë.
Megjithatë mungesat nuk ndryshuan rezultatin final, pasi shumica parlamentare siguroi votat e nevojshme për të rrëzuar kërkesën e SPAK.
Çështja e Ballukut është kthyer në një nga episodet më të ndjeshme të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.
Në teori, reforma në drejtësi synonte pikërisht reduktimin e ndikimit politik në hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë. Por procedurat kushtetuese për arrestimin e deputetëve kërkon ende autorizim nga Kuvendi.
Ndërsa drejtësia deklarohet të jetë e pavarur për të hetuar, parlamenti mbetet filtri politik për masat ndaj deputetëve dhe rasti i Ballukut e ka ekspozuar edhe më qartë këtë tension.
Aktivistë dhe qytetarë protestuan mbrëmjen e sotme para Kuvendit kundër vendimit të mazhorancës për të mos hequr imunitetin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Protesta u thirr nga Lëvizja Bashkë, e cila kërkon që Balluku të përballet me drejtësinë pas kërkesës së SPAK që po e heton për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë.
“Jo imunitet për hajdutët” ishte thirrja kryesore në protestë.
Vendimi i mazhorancës socialiste për imunitetin e Ballukut, sipas protestuesve, është përpjekje për të mbrojtur “pisllëqet që ka bërë me Edi Ramën, në kurriz të popullit shqiptar”.
Ata theksuan se mos-heqja e imunitetit për t’u hetuar dhe gjykuar e lirë nga drejtësia krijon hapësirë që ajo të kërcënojë dëshmitarët dhe të manipulojë provat.
“Ka një marrëdhënie informale të ngritur nga Edi Rama me oligarkinë ekonomike dhe me grupet kriminale. Prandaj Rama detyrohet t’i dalë në mbrojtje Belinda Balluku, sepse që ajo strukturë të funksionojë duhet të ekzistojë siguria që njerëzit e saj nuk preken nga drejtësia”, u shpreh Redi Muçi, deputet i Lëvizja Bashkë.
Për aktivistin Klodi Leka, “dramës Rama-Balluku” po i vjen fundi, ndërsa ai përmendi dosjen prej 16 mijë faqesh që ka SPAK.
“Edi Rama, që deri dje hiqej si babai, mbështetësi dhe dashnori më i famshëm i reformës në drejtësi, po shohim se si prej disa muajsh po sulmon institucionet e reja të drejtësisë me një gjuhë përditë e më të ashpër”, u shpreh Leka para qytetarëve.
Aktivistja Mirela Ruko renditi para qytetarëve të pranishëm në protestë padrejtësitë që, sipas saj, populli shqiptar ka përjetuar për shkak të klasës politike ndër vite.
“Kaq shumë duruam, por edhe durimit duhet t’i vijë fundi. Një popull mund të durojë, por nuk ka lindur për të qëndruar në gjunjë. Ndaj boll, ne nuk durojmë më. Ky është fundi!”, tha Ruko.
Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ironizoi në nisje të fjalës së tij se, sipas Ramës, lufta ndaj korrupsionit është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Arsyet pse ai e mbron Ballukun janë dy: së pari, për t’u treguar qindra ‘Ballukëve’ të tjerë në PS që të vazhdojnë të vjedhin të qetë, sepse reforma në drejtësi i ka ditët e numëruara. Së dyti, sepse nuk do që nesër të jetë i detyruar të vetëdorëzohet para drejtësisë kur SPAK të kërkojë imunitetin e tij”, u shpreh Qori.
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut pritet të votohet nesër në Kuvend. PS është shprehur se do të votojë kundër. Balluku akuzohet për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë.
Kjo është protesta e katërt e mbajtur para Kuvendit nga Lëvizja Bashkë, me thirrjen për të “dorëzuar” Ballukun para drejtësisë.
Qeveria shkeli Kushtetutën kur vendosi të mbyllë platformën TikTok, kështu u shpreh sot Gjykata Kushtetuese, e cila doli në përfundimin se kufizimi i aksesit për të gjithë përdoruesit përbënte kufizim të lirisë së shprehjes.
Edhe pse qeveria e pati shfuqizuar aktin që ndalonte platformën, gjykata vendosi të shqyrtojë çështjen për shkak të interesit të madh publik dhe për të sqaruar kufijtë e ndërhyrjes së shtetit mbi hapësirën digjitale dhe të drejtat themelore.
Me vendimin e sotëm, gjykata theksoi se ligjet mbi bazën e të cilave është miratuar vendimi i qeverisë parashikojnë rregullim dhe mbrojtje në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve. Megjithatë, sipas saj, këto ligje nuk i japin qeverisë autorizim të qartë dhe të posaçëm për të ndërprerë plotësisht aksesin në një platformë online për të gjithë përdoruesit.
Isa Myzyraj, drejtues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), tha për Citizens.al se vendimi përbën një moment të rëndësishëm për standardet demokratike në vend.
“Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mbrojë demokracinë dhe lirinë e shprehjes, duke i dhënë një goditje të fortë kujtdo që guxon të ndërhyjë në to,” tha Myzyraj.
Në një deklaratë publike, AGSH theksoi se qëllimi i nismës nuk ishte mbrojtja e një platforme të caktuar.
“[…] por mbrojtja e parimit kushtetues të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim, të cilat përbëjnë shtyllë themelore të demokracisë dhe të punës së gazetarëve,” thuhet në reagimin e AGSH-së.
Çfarë çoi në mbylljen e TikTok?
Në nëntor 2024, pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, sherri mes një grupi të miturish përfundoi tragjikisht me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Pas ngjarjes, në kryeqytet u organizuan disa protesta nga qytetarë dhe prindër që kërkonin më shumë siguri në shkolla.
Në reagimin e tij të parë publik, kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të mbyllte platformën TikTok, duke e lidhur atë me klimën e dhunës mes të miturve dhe adoleshentëve.
Rama deklaroi se, edhe pse nuk kishte të dhëna konkrete që konflikti të kishte nisur në këtë platformë, rrjete të tilla sociale sfidojnë përpjekjet e familjeve për edukimin e fëmijëve.
Ai argumentoi se vendosja e filtrave në këto platforma nuk kishte funksionuar në vendet e Bashkimit Evropian dhe se, në këtë situatë, zgjidhja e vetme ishte mbyllja e plotë e tyre.
Vendimi shkaktoi reagime të forta në opinionin publik, ku shumë zëra e cilësuan masën si autoritare dhe populiste.
Më 6 mars 2025, ministrja e atëhershme e Arsimit, Ogerta Manastirliu, njoftoi se TikTok do të mbyllej për një periudhë njëvjeçare.
Ajo deklaroi se nga 25 nëntori deri më 22 dhjetor 2024 qeveria kishte zhvilluar mbi 1,300 konsultime me prindër dhe se rreth 90% e tyre mbështetën mbylljen e platformës.
Padia në Gjykatën Kushtetuese
Në mars 2025, një grup organizatash të shoqërisë civile dhe të medias kundërshtuan vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok-ut, duke e cilësuar atë si një kufizim ekstrem të lirisë së shprehjes dhe të aksesit në informacion.
Vendimi u pa me shqetësim edhe për shkak të kohës kur u mor, rreth dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Në të njëjtin muaj, AGSH dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shpalljen antikushtetuese të vendimit të qeverisë që ndalonte TikTok-un në Shqipëri.
Avokati Franc Terihati, nga Qendra për Fuqizim Ligjor, deklaroi para gjykatës se janë paraqitur argumente ligjore që tregojnë se vendimi i qeverisë cenon lirinë ekonomike, lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të drejtën për informim.
Më 4 qershor 2025, Gjykata vendosi ta marrë në shqyrtim vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok dhe vendosi që çështja të trajtohej në një seancë plenare publike për shkak të rëndësisë së saj.
Më 3 shkurt 2026, qeveria shqiptare miratoi vendimin nr.62, me të cilin shfuqizoi aktin e një viti më parë që ndalonte aksesin në TikTok.
Në seancën pasuese, në Gjykatën Kushtetuese, më 5 shkurt, përfaqësuesit e qeverisë argumentuan se shqyrtimi i çështjes ishte i panevojshëm, pasi vendimi që ndalonte platformën ishte shfuqizuar.
“Vendimi e humb efektin e tij në afatin 12-mujor,” tha përfaqësuesi i qeverisë, Herold Jonuzaj, duke shtuar se “do të shfuqizohej automatikisht brenda 6 marsit 2026”.
Sipas tij, shfuqizimi ishte pjesë e një procesi negociimi me platformën për vendosjen e filtrave të kërkuar, megjithëse kjo ende nuk ishte formalizuar përmes një marrëveshjeje me shkrim.
Nga ana tjetër, avokati i paditësve, Franc Terihati, këmbënguli që çështja të shqyrtohej pavarësisht shfuqizimit të vendimit nga qeveria.
Ai theksoi se akti që ndaloi TikTok kishte cenuar disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit, të drejtën për informim dhe lirinë ekonomike.
Sipas tij, bëhej fjalë për një çështje me interes të madh publik dhe gjykata duhej të shprehej nëse vendimi kishte qenë ose jo kushtetues gjatë kohës që ishte në fuqi.
Pas seancave dëgjimore, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar mbi këtë çështje, vendim që u dha sot në favor të palës paditëse.
Banorët e Rrjollit u paraqitën sot për herë të tretë përpara Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për t’i bërë thirrje kësaj strukture që të marrë në dorë çështjen e shumë-diskutuar të projektit “Blue Borgo”.
“Duam takim me SPAK-un, duam takim me SPAK-un!” ishin thirrjet e banorëve dhe aktivistëve që iu bashkuan grupimit “Baks-Rrjoll”.
Edhe pse shumica e tyre shprehën besim tek drejtësia dhe roli i SPAK-ut, gjatë protestës u hodhën vezë në drejtim të institucionit. Pas organizimit, dy persona u shoqëruan në komisariat për këtë veprim.
Një prej avokatëve të grupimit të banorëve, Novruz Haderi, tha për Citizens.al se kjo çështje përfshin një zinxhir personash që mund të çojnë – sipas tij – edhe personin kyç të historisë, Fatmir Shpellzën, në pozita ku mund të detyrohet të tërhiqet.
“Hetimi është i mangët dhe nuk jepet minimumi i informacionit. Problematika nuk është vetëm juridike, por ka edhe një dimension social,” tha Haderi.
Në lidhje me pretendimet se banorët dhe sipërmarrësi kryesor i projektit, biznesmeni Bashkim Ulaj, janë takuar, protestuesi Prek Molla u shpreh se Ulaj i ka takuar disa prej banorëve në Tiranë në mënyrë të veçantë.
Sipas tij, kjo nuk është forma e duhur e dialogut, pasi bisedimet nuk duhet të zhvillohen në zyrën e tij, por publikisht, në zonën ku po zhvillohet projekti.
Citizens.al i ka drejtuar dy herë kërkesa për koment kompanisë “Gener 2,” në lidhje me këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje.
Përpara SPAK-ut u shpalos edhe banderola “Stop TID Durrës,” pasi së fundmi, grupimet që kundërshtojnë tjetërsimin e pronave private kanë nisur të mbështesin njëra-tjetrën në protesta.
Citizens.al ka raportuar më herët edhe për protestat përpara Parlamentit, ku banorët e Durrësit dhe Rrjollit kanë protestuar njëkohësisht.
“Asnjë reagim nga institucionet”
Prokuroria e Shkodrës ka konfirmuar për Citizens.al se për këtë çështje është regjistruar një procedim penal pas materialeve të referuara nga SPAK.
Procedimi penal, me numër 390/2025, i referuar më 21 mars 2025, është hapur mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga banorët, të cilët pretendojnë për falsifikim të titujve të pronësisë.
Citizens.al iu drejtua me një pyetje të drejtpërdrejtë njërit prej avokatëve të çështjes, Novruz Haderit, se pse protestohet përpara SPAK-ut kur kjo strukturë ia ka referuar çështjen Prokurorisë së Shkodrës.
“SPAK duhet të japë argumente bindëse se pse e transferoi çështjen,” u shpreh ai.
Haderi shtoi se sipërmarrësi Ulaj ka qenë në dijeni të problematikës prej kohësh dhe se nuk mund të justifikohet një investim i madh me argumentin se një palë zotëron një certifikatë pronësie.
“Nuk mund të thuhet se meqenëse Fatmir Shpellza ka një certifikatë pronësie, ne do të lidhim marrëveshje me të dhe nuk na intereson se çfarë po ndodh,” tha ai.
Sipërmarrësi Bashkim Ulaj nuk i është përgjigjur deri më tani pyetjeve për koment që redaksia e Citizens.al i ka drejtuar mbi këtë çështje, përveç reagimeve të dhëna në web-faqen e kompanisë “Gener 2” dhe televizionit privat A2, në pronësi të tij.
Kompania “Gener 2” është shprehur më herët se ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me “palën që figuron si mbajtëse e të drejtave të pronësisë” dhe se nuk ka cenuar të drejtat e askujt.
Sipas kompanisë, nuk ekziston asnjë akt pezullues ndaj vijimit të projektit.
“Prona dhe procesi përkatës kanë kaluar fazat e shqyrtimit të nevojshëm sipas kuadrit ligjor përkatës dhe, mbi këtë bazë, nuk rezulton ndonjë pengesë ligjore për vijimin normal të punimeve,” thuhet në reagimin e kompanisë.
Aktivistë të shoqërisë civile iu drejtuan sot Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ndalimin pa afat të monopatinave elektrike, një vendim i marrë nga Ministria e Brendshme në tetor të vitit 2025 dhe që prej atëherë ka shkaktuar debat publik për lirinë e lëvizjes dhe mënyrën e përdorimit të rrugëve.
Dy organizata të shoqërisë civile, “Qëndresa Qytetare” dhe “Drejtësi Sociale,” depozituan sot kërkesën për shfuqizimin e Udhëzimit nr. 169, datë 13.10.2025, të firmosur nga ish-ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Aktivistët argumentuan se udhëzimi për ndalimin e monopatinave elektrike cenon disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e lëvizjes, lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës.
Sipas tyre, masa administrative që pasoi udhëzimin – përfshirë sekuestrimin e monopatinave nga policia – ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë sektor.
Avokati Gentian Sejrani, nga Drejtësi Sociale, i cili përfaqëson aktivistët në këtë proces, tha se vendimi për t’iu drejtuar Kushtetueses erdhi pas disa muajsh paqartësie dhe mungese reagimi nga institucionet.
Ai argumentoi se aktualisht mbi 1,000 monopatina elektrike mbeten të bllokuara nga policia, edhe pse fillimisht autoritetet kishin deklaruar se sekuestrimi i tyre do të ishte i përkohshëm dhe nuk do të zgjaste më shumë se 30 ditë.
“Po përballemi me cenim të së drejtës së pronës dhe të lirisë ekonomike,” tha Sejrani pas depozitimit të kërkesës. “Biznese që operojnë me monopatina janë prekur drejtpërdrejt nga ky udhëzim dhe disa prej tyre po shkojnë drejt falimentimit.”
Sipas tij, vetë udhëzimi ka paqartësi për kohëzgjatjen e zbatimit dhe nuk përcakton qartë një afat për ndalimin e këtyre mjeteve.
Për këtë arsye, aktivistët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit, deri në momentin që gjykata të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen.
“Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të rimarrin mjetet e tyre dhe do të shmangte një dëm të mëtejshëm,” shtoi Sejrani.
Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, tha se aktivistët dhe përdoruesit e monopatinave kishin kërkuar për muaj me radhë një zgjidhje përmes dialogut institucional, por sipas tij përpjekjet nuk kishin marrë përgjigje.
“Aksioni i policisë ka qenë disproporcional dhe i palogjikshëm,” tha Xhemollari. “Monopatinat janë mjete që ndihmojnë në reduktimin e trafikut, ndërsa ndalimi i tyre e rëndon edhe më shumë menaxhimin e trafikut në qytet.”
Debati për monopatinat elektrike shpërtheu në tetor 2025, pasi policia nisi një aksion të gjerë në Tiranë dhe disa qytete të tjera për sekuestrimin e tyre, duke argumentuar se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i parregulluar dhe përbënte rrezik për sigurinë rrugore.
Vendimi u mor në një kohë kur monopatinat elektrike po përdoreshin gjithnjë e më shumë në kryeqytet si alternativë transporti për distanca të shkurtra, veçanërisht mes të rinjve.
Sipas aktivistëve, ndalimi i monopatinave nuk merr parasysh problemet strukturore të transportit urban në qytetet shqiptare.
Ata argumentojnë se sistemi i transportit publik mbetet i amortizuar, ndërsa mungesa e parkingjeve dhe kostot në rritje të karburantit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e automjeteve private.
Në këtë kontekst, monopatinat elektrike shihen si alternativë transporti me kosto të ulët dhe ndikim më të vogël në trafik dhe ndotje.
Xhemollari tha se janë rreth 10 mijë përdorues të këtyre mjetesh vetëm në Tiranë duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk merr parasysh nevojat reale të qytetarëve.
Ai krahasoi situatën në Shqipëri me praktikat në kryeqytetet europiane.
“Parisi, Roma apo Berlini nuk i kanë ndaluar monopatinat,” tha ai. “Ato i kanë rregulluar përmes ligjit. Pikërisht këtë kërkojmë edhe ne: rregullim përmes parlamentit dhe jo një ndalim administrativ.”
Çështja e monopatinave mund të shënojë edhe një precedent juridik pasi kjo është hera e parë që një udhëzim ministri dërgohet drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.
Zakonisht, aktet administrative të këtij lloji kontestohen fillimisht në Gjykatën Administrative dhe vetëm më pas, nëse lind një çështje kushtetuese, ajo kalon në Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë rast, sipas Sejranit, aktivistët vendosën të kalojnë direkt në Kushtetuese, sepse argumenti kryesor lidhet me shkeljen e të drejtave themelore.
“Konstatimet tona kanë të bëjnë me të drejta kushtetuese,” tha ai për Citizens.al. “Për sa kohë që kemi të bëjmë me cenim të lirisë së lëvizjes, të drejtës së pronës dhe lirisë ekonomike, gjykata që duhet ta shqyrtojë është Gjykata Kushtetuese.”
Ai pranoi se kjo qasje nuk është ndjekur më parë, por shtoi se mund të krijojë një precedent për mënyrën se si aktet administrative që prekin drejtpërdrejt të drejtat themelore mund të sfidohen në të ardhmen.
“Është hera e parë që ndodh, por le të jetë një precedent,” tha Sejrani.
Ndërsa çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, debati për monopatinat ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë për mënyrën se si rregullohet lëvizja urbane në Shqipëri.
Nga njëra anë, autoritetet argumentojnë se mungesa e rregullave të qarta për përdorimin e monopatinave përbën rrezik për sigurinë rrugore. Nga ana tjetër, aktivistët dhe përdoruesit e tyre thonë se ndalimi total nuk është zgjidhje dhe se vendi ka nevojë për një kuadër ligjor që të përcaktojë qartë mënyrën e përdorimit të këtyre mjeteve.
Vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese në muajt në vijim pritet të jetë vendimtar jo vetëm për fatin e monopatinave elektrike, por edhe për mënyrën se si institucionet shqiptare mund të ndërhyjnë në rregullimin e formave të reja të mobilitetit urban.
Historia e 8 Marsit fillon në vitin 1908, kur punëtoret e fabrikave në Shtetet e Bashkuara u ngritën në protestë për orët e gjata të punës, kushtet e rënda dhe pagat e ulëta. Më pas, në vitin 1910, një Kongres Ndërkombëtar i Grave Socialiste, i mbajtur nga Clara Zetkin, propozoi që çdo vit të shënohej një ditë ndërkombëtare e grave, për të forcuar kërkesën për të drejta politike, sociale dhe ekonomike. Kështu, 8 Marsi u bë gradualisht një simbol i fuqisë dhe solidaritetit femëror, që përfshinte jo vetëm kërkimin e barazisë gjinore, por edhe drejtësinë sociale më gjerë.
Por si u prit 8 Marsi në Tiranë?
Edhe pse aktivistë të Kolektivit Feminist dhe grupime të ndryshme qytetare i dedikojnë shumë kohë dhe përkushtim marshimit të 8 Marsit, shumë media shpesh e portretizojnë këtë aktivitet si “zaptim dhe promovim të komunitetit LGBT”, duke lënë në hije gratë shqiptare dhe mesazhin kryesor të protestës. Për shembull, disa foto dhe video të shpërndara në masë, ku një pjesëmarrës mban pankartën “Jemi gra të egra”, u përdorën për të krijuar një perceptim të shtrembëruar. Në fakt, këto pamje i përkasin marshimit të vitit 2025, dhe qëllimi i pasueshëm ishte shpesh të shenjtërohen individë të komunitetit transgjinor për të gjeneruar zemërim dhe klikime.
Materialet që shtrembërojnë mesazhin e protestës janë një formë dezinformimi. Në të vërtetë, pjesëmarrja e komunitetit LGBT tregon se marshimi i 8 Marsit është një hapësirë për të bashkuar zërat e të gjitha grupimeve të margjinalizuara. Shënjimi dhe stigmatizimi i pjesëmarrësve, përkundrazi, sulmon qëllimin e vërtetë të kësaj date historike: kërkimin e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë.
Organizimi i 8 Marsit në Shqipëri ngriti probleme konkrete dhe të rëndësishme: nga gratë e Durrësit dhe Rrjollit që udhëheqin rezistencën kundër ndërtimeve të paligjshme, tek rritja e rasteve të femicidit dhe dhunës, puna e papaguar dhe sulmet e grupeve konservatore dhe fetare.
Të qenit politik nuk lidhet me pamjen, ngjyrën, seksualitetin apo mënyrën se si vishemi. Të qenit politik lidhet me guximin për të denoncuar padrejtësitë publikisht dhe për të folur për problemet shoqërore që shpesh injorohen, sidomos kur nuk prekin drejtpërdrejt jetën tonë. 8 Marsi, në këtë kontekst, nuk është thjesht një ditë festimi, por një thirrje për të njohur dhe respektuar të drejtat dhe zërat e grave dhe të të gjithë komuniteteve të margjinalizuara.
Ilaria është një nga 14 gratë që humbën jetën gjatë vitit që lamë pas si pasojë e femicidit. Për të përkujtuar viktimat, Kolektivi Feminist, një grupim vullnetar aktivist, ndërmori një ndërhyrje urbane në qytet duke vendosur në mënyrë simbolike emrat e tyre në disa rrugë.
Ky aksion , zëvendësimi simbolik i emrave të rrugëve me emrat e grave të vrara, ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale. Disa e konsiderojnë të paligjshëm, ndërsa për aktivistët ai është më shumë se një gjest simbolik: një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të ngritur një alarm për shoqërinë.
Patris Pustina, aktiviste e nismës “Counting Dead Women Albania”, tregon se puna për të dokumentuar këto raste është shpesh emocionalisht e rëndë. Shpesh ajo kërkon në rrjetet sociale të viktimave për të gjetur fotografi dhe për të kuptuar më shumë për jetën që ato kanë bërë.
“ Është shumë e rëndë. T’i memorializosh dhe t’i përkujtosh, siç bëmë dje me njerëz të tjerë në komunitet, është disi shëruese. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të mendosh që ato vazhdojnë të kujtohen, jo vetëm nga familjarët e tyre, por edhe nga njerëz që nuk i kanë njohur – gra si puna jonë, që e dinë se një fat i tillë mund t’i ndodhë secilës prej nesh.”
Ky aksion është një nga aktivitetet që i paraprin 8 Marsit. Përgatitjet për marshimin e kësaj dite nisin shumë më herët. Aktivistët mblidhen për të diskutuar moton, denoncimet dhe kërkesat e vitit, duke u bazuar në problematikat dhe nevojat që prekin vajzat dhe gratë në vend.
Gjatë viteve të fundit, grupimi është zgjeruar, duke përfshirë edhe aktivistë të nënshtetësive të tjera, të cilët kontribuojnë me ide dhe energji në organizim.
Një prej pjesëmarrëseve, Safira Boeder, e përshkruan përvojën në grup si shumë të fuqishme.
“Është shumë e fuqishme. Ndonjëherë është e vështirë të bësh këtë lloj angazhimi, sepse disa njerëz mund ta humbasin shpresën. Por në këtë grup ka aq shumë energji dhe forcë, sa të jep edhe ty shumë motivim.”
Edhe pankartat që përgatiten për marshimin bartin mesazhe të forta. Blini shpjegon simbolikën e pankartës së tij.
“Pankarta ime paraqet një grusht të mbledhur me çelësa mes gishtave. Është një simbol i frikës që shumë gra përjetojnë çdo natë kur duhet të kthehen në shtëpi. Ato duhet gjithmonë të vlerësojnë situatat dhe njerëzit përreth. Nuk mund thjesht të jetojnë të lira.”
Feminizmi i keqkuptuar
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organizime të ndryshme komunitare dhe politike bashkohen në qytete për të ngritur zërin kundër padrejtësive që gratë përballen në shtëpi, në punë, në rrugë dhe në çdo hapësirë të jetës së përditshme.
Sipas aktivistes Albina Ruko nga Lëvizja Bashkë, përparimi drejt barazisë gjinore në Shqipëri shpesh ka mbetur më shumë në nivel deklaratash sesa në realitet.
“Kemi bërë regres, disa hapa pas. Ende flasim për kuota dhe për një propagandë të rreme për emancipimin e grave dhe mundësitë e barabarta. Edhe në politikë, shpesh gratë përdoren si numra dhe statistika për qëllime të tjera.”
Aktivistët theksojnë se angazhimi i tyre buron nga dëshira për të kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Në marshimin e 8 Marsit u bashkuan edhe shumë djem dhe burra, duke treguar se kjo është një çështje që prek të gjithë.
Bledi, një nga pjesëmarrësit, shprehet se nuk ndjen frikë gjatë aktivizmit, por është i vetëdijshëm për privilegjin që i jep fakti se është burrë.
“Ndoshta nuk më gjykojnë njësoj si gratë, sepse jam djalë dhe vij nga i njëjti komunitet. Por në fund të fundit nuk jam thjesht djalë; jam pjesë e një shoqërie më të madhe.”
Edhe aktivisti Erion Gjatolli thekson se përfshirja e burrave në këtë debat kërkon reflektim dhe gatishmëri për ndryshim.
“Shpesh burrat ndihen të sulmuar. Mendojnë se mjafton të thonë ‘jam për të drejtat e grave’ dhe e kanë bërë detyrën e tyre. Në fakt është më e vështirë, sepse duhet të jenë gati të heqin dorë nga disa privilegje që u duket sikur u takojnë.”
Së fundmi, feminizmi shpesh është keqkuptuar si një lëvizje që kërkon dominimin e grave apo që ushqen urrejtje ndaj burrave. Në thelb, ai synon drejtësi shoqërore dhe sfidon strukturat që prodhojnë pabarazi dhe dhunë.
Aktivistët theksojnë se qëllimi nuk është përçarja mes grave dhe burrave, por ndërtimi i një shoqërie ku të gjithë gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.
Sidita Zaja thekson se dialogu mes dy gjinive është thelbësor.
“Shpesh krijohet përshtypja se feminizmi është urrejtje ndaj burrave. Por qëllimi është të bashkojmë dy botë – feminzimin që kërkon barazi dhe burrat që duhet të jenë pjesë e këtij dialogu. Sidomos të rinjtë duhet të përfshihen në këtë bashkëbisedim, për të kuptuar se të gjithë synojmë të njëjtën gjë: të drejta të barabarta për të gjithë.”
Shumica Socialiste e nisi mëngjesin e kësaj të hëne me një qëndrim përfundimtar kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Si anëtarë të mazhorancës në Këshillin e Mandateve arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, teksa prezantoi raportin mbi kërkesën e SPAK.
Sipas Manjës, është e vërtetë që në një shtet të së drejtës lufta kundër korrupsionit është një objektiv legjitim dhe i domosdoshëm, por këto objektiva duhet të realizohen në përputhje me Kushtetutën.
“Ne i rekomandojmë seancës plenare të rrëzojë kërkesën e SPAK për autorizimin e heqjes së lirisë së Ballukut,” tha Manja duke shtuar se nga shqyrtimi i materialeve shoqëruese “nuk rezulton domosdoshmëri për vendosjen e një mase të tillë.”
“Kjo nuk pengon SPAK të vazhdojë hetimet,” theksoi Manja.
Në fjalën e tij si kryetar i socialistëve, Kryeministri Edi Rama u mundua të relativizojë çështjen ndaj Ballukut. Ai argumentoi se ndaj ish-zëvendëskryeministres nuk janë ngritur akuza për vjedhje, korrupsion apo vepra të rënda penale të kryer në flagrancë.
“[…] por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se, në cilësinë e ish-ministres […] ka kryer veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, gjashtë vite më parë”, u shpreh në fillim të fjalimit të tij Rama, duke shtuar se hetimi bazohet në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori.
“Si u marrkësha mbrapa hekurave kaq kollaj një njeri? Se folën dy veta në telefon dhe kjo është një provë e re që s’është as e re,” u shpreh Kryeministri.
“Kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk në Kuvend për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur shtatë pashë jo nën dhe, por në llum!”, shtoi Rama.
Kryesocialisti e cilësoi gjithashtu diskursin publik ndaj Ballukut si një “gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik”, që sipas tij u krijua fillimisht me një “turravrap të pakuptueshëm” nga prokurori dhe gjykatësi i seancës paraprake.
Rama vlerësoi sërish figurën e Ballukut duke treguar se do ta mbajë me peshë të lartë politike. Ai renditi disa nga projektet infrastrukturore që sipas tij janë realizuar suksesshëm gjatë drejtimit të Ballukut, nga rrugët te projektet hekurudhore dhe ato ajrore, ndërsa theksoi se ajo do të drejtojë qarkun Fier në zgjedhjet vendore dhe nuk do të ketë më pushtet ekzekutiv.
Imuniteti i Ballukut dhe prova e shtetit të së drejtës
Vendimi i shumicës socialiste për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të – tashmë – deputetes Balluku nuk është vetëm një vendim në kuadrin e një procesi parlamentar.
Ai përbën edhe një provë politike dhe institucionale për mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës në Shqipëri dhe për raportin mes pushtetit politik dhe atij të drejtësisë.
SPAK ka ngritur akuza ndaj ish-zëvendëskryeministres, e cila mbante dhe postin e ministres së Infrastrukturës për shkelje në procedurat e prokurimit publik, lidhur me tenderët për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, me vlerë rreth 210 milionë euro.
Prokurorët pretendojnë se përmes komunikimeve dhe ndërhyrjeve në procesin e tenderimit janë krijuar avantazhe të padrejta për një konsorcium kompanish, akuzë që Balluku e ka mohuar.
Argumenti i paraqitur nga përfaqësuesit e mazhorancës ishte se Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
Megjithatë, përtej argumentit juridik, vendimi ka një dimension të fortë politik. Kryeministri Rama ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm publik, duke deklaruar se vendimi duhet të bazohet në raportin e Këshillit të Mandateve dhe se “mekanizmi i qeverisjes nuk mund të kurdiset dhe shkurdiset sa herë bëhet një akuzë”.
Në një sistem ku parlamenti kontrollohet nga shumica qeverisëse, çdo vendim për imunitetin e një figure të lartë politike rrezikon të shihet si një mbrojtje politike dhe jo si një vlerësim juridik.
“Ne nuk do të bëhemi pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia” dhe “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të” janë disa nga deklaratat e mëparshme të Ramës në fillimet e përballjeve të zyrtarëve të rrethit të tij me drejtësinë.
Megjithatë, sipas një analize të Institutit të Studimeve Politike (ISP), qasja e qeverisë ndaj imunitetit të zyrtarëve të akuzuar ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Në vitet 2023 dhe 2024, Kuvendi refuzoi kërkesën e opozitës për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj Artan Gaçi (ish-deputet i PS-së) ishte shpallur nga qeveria “investitor strategjik”.
Në mbrojtje u mor edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në vitin 2017 u refuzua kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit, ndërsa në 2018 Tahiri dha dorëheqje nga mandati dhe më pas u dënua me burg.
Rastet kur Kuvendi ka miratuar heqjen e imunitetit kanë qenë kryesisht për figura më pak të fuqishme politikisht, si Tom Doshi dhe Mark Frroku në vitin 2015. Në të njëjtin vit, Kuvendi miratoi brenda dy ditësh edhe heqjen e imunitetit të Armando Prengës, figura që edhe pse nuk lidheshin direkt me Partinë Socialiste, ishin përkrahës të vazhdueshëm të saj në parlament.
Në vitin 2022, Alqi Bllako dha dorëheqje nga mandati pas akuzave të ngritura nga SPAK.
Ndërsa në vitin 2023, ndryshe nga rasti i Ballukut, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nuk mori të njëjtën mbrojtje politike. Brenda një jave nga kërkesa për heqjen e imunitetit, Kuvendi votoi në mbështetje të SPAK-ut.
Miratim të ngjashëm për heqjen e imunitetit pati edhe për kreun e opozitës Sali Berisha në dhjetor 2023. Ndërsa dorëheqje nga mandati pati në vitin 2024 nga Jurgis Çyrbja, për të cilin u deshën vetëm 8 ditë.
Në rastin e Belinda Ballukut, procesi ka nisur në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se dy muajsh mazhoranca vendosi të refuzojë SPAK-un për heqjen e imunitetit.
Në demokracitë funksionale, heqja e imunitetit nuk është një dënim, por një hap procedural për t’i hapur rrugë drejtësisë të veprojë pa pengesa. Refuzimi i këtij procesi krijon perceptimin se pushteti politik mund t’i vendosë kufij drejtësisë.
Motoristët që punojnë për shërbimin e shpërndarjes së porosive të kompanisë Wolt protestuan të dielën në Bulevardin e Ri, pranë ish-stacionit të Trenit, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.
Herën e fundit motoristët e kësaj kompanie protestuan më 30 shtator 2024, kur u duk se arritën një mirëkuptim me përfaqësuesit menaxherialë të degës së kompanisë në Shqipëri.
Megjithatë, pakënaqësitë u rikthyen dhe bashkë me to edhe rezistenca për të mos punuar, apo siç e përshkruajnë protestuesit me jelekë blu, “për të qëndrojnë offline”.
“Përderisa ne po punojmë për 300 lekë kilometri, nuk ia vlen të ndezësh motorin”, tha njëri prej motoristëve për Citizens.
Sot, më 9 mars, motoristët i dërguan një shkresë kompanisë dhe zyrave të saj nënkontraktuese, ku paraqitën një sërë kërkesash lidhur me kushtet e punës. Në njoftim, ata shprehin pakënaqësi për uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit dhe kërkojnë që asnjë prej motoristëve protestues të mos penalizohet apo të nxirret “offline” nga aplikacioni.
Mes kërkesave kryesore janë rritja dhe transparenca e tarifës për kilometër, pajisja e të gjithë motoristëve me kontrata pune sipas Kodit të Punës, pagesë shtesë për ngjitjen e porosive në pallate me shumë kate dhe për porositë me prioritet, si dhe rikthimi në aplikacion i kategorisë “motorist” për ata që kryejnë shërbimin me motor.
Po ashtu, motoristët kërkojnë që kompania të sigurojë uniformat dhe pajisjet e punës pa pagesë nga ana e tyre.
“Nëse je punonjës i Wolt-it prej vitesh, do ta marrësh koshin me 25 mijë lekë. Nëse je i ri, duhet të paguash 50 mijë lekë, ndërkohë që ne realisht po mbështesim firmën dhe po i bëjmë reklamë”, shpjegoi Roveno Qatipi.
Motoristët theksojnë se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa shprehin gatishmëri për dialog me përfaqësuesit e kompanisë për gjetjen e një zgjidhjeje.
Reagimi i tyre i është dërguar gjithashtu Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Jam aksidentuar para një viti. Kam qenë në një kompani tjetër, kam thyer këmbën dhe askush nuk vuri ujin në zjarr”, tha për Citizens Klajdi Shemshiri.
Policia izolon protestën
Pas mbledhjes në Bulevardin e Ri dhe diskutimeve në grup për mënyrën se si do të vijojë rezistenca, motoristët tentuan të dilnin në qytet për ta bërë më të dukshme kundërshtinë e tyre.
Pa vonuar, forcat policore, por edhe punonjës të veshur civilë, bllokuan motorët me arsyetimin se po pengohej trafiku.
Motoristët kundërshtuan duke thënë se do ta vijojnë protestën në ditët në vijim në këmbë, duke mos i marrë motorët.
Gjatë protestës ata vunë re se çmimet e shërbimit që do të ofroheshin në ato momente do të ishin shumë më të larta se zakonisht, për shkak të bojkotit.
Ata u shprehën njëzëri se do të vijojnë të qëndrojnë “offline” për të shprehur rezistencën, por nuk janë dakord që vetë menaxherët t’i nxjerrin jashtë sistemit (offline) për shkak të kërcënimeve, si një taktikë që mund t’i largojë nga puna.
Filiali i “Wolt” në Shqipëri u hap më 27 nëntor 2023 nga kompania mëmë finlandeze “Wolt Enterprises Oy,” me kapital themeltar prej rreth 500 mijë eurosh. AJo operon në Shqipëri përmes nënkontraktorëve për sa i përket sigurimit të krahut të punës për korrierët, të cilët edhe pse realisht nuk kanë marrëdhënie direkte me kompaninë, mbajnë logon e “Wolt”.
Citizens kontaktoi përfaqësues të zyrës menaxheriale të Wolt në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati reagim.
“Revoltohu motër” ishte thirrja që mblodhi mesditën e “8 Marsit” vajza, gra dhe aktivistë në një protestë në sheshin “Nënë Tereza”.
Përmes një marshimi simbolik që përshkoi rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit kërkuan barazi, mbrojtje nga dhuna, akses në drejtësi dhe përfaqësim real në vendimmarrje.
Ata theksuan se të jesh grua në Shqipëri shpesh do të thotë të jetosh me frikë, pasi diçka më shumë se gjysma e grave në vend (53%) kanë përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre.
“Në vetëm tre vitet e fundit janë regjistruar mbi 15 mijë raste dhune në familje. Në këtë periudhë janë vrarë 32 gra dhe vajza”, u shpreh aktivistja Ermela Çelaku.
Marshimi u thirr nga Kolektivi Feminist në Shqipëri. Organizatorët theksuan se femicidi nuk është “krim pasioni,” por “rezultat i një shoqërie që ende nuk e vlerëson jetën e grave si të barabartë”.
Gjatë tubimit, vajzat dhe gratë ndanë edhe histori personale mbi presionin dhe kontrollin që përjetojnë në familje shoqëri dhe në hapësirën publike.
“Në moshën 18-vjeçare erdhi një valë emocionesh, zemërimi dhe nevoje për të eksploruar më shumë, për ta përmbysur botën e vogël në të cilën jetoja,” tregoi Entenela Ndrevataj, aktiviste feministe.
“Doja t’i shpëtoja emërtimit të ‘vajzës së mirë’, që më kufizonte edhe gjërat bazike: lëvizjen e lirë, oraret me kontroll, daljet natën, mënyrën se si vishem apo rolin tim në familje dhe mjedisin përreth,” vijoi ajo.
Për Ndrevatajn, rebelimi nisi me hapa të vegjël, pasi presioni dhe dhuna psikologjike ishin aq të forta “sa guxoja të ëndërroja për liri, por gjithmonë me hijen e frikës pas”.
Për aktivisten Deni Sanxhaku, në Shqipërinë e vitit 2026 të qenurit grua “nuk mjafton”.
“Duhet të jesh gruaja e dikujt, mamaja e dikujt, motra e dikujt. Duhet të jesh punëtore në fabrikë që të kujtojnë vetëm më 1 Maj. Duhet gjithmonë të jesh në raport me dikë tjetër që të njihen të drejtat e tua dhe të kesh mbrojtje apo solidaritet”, theksoi Sanxhaku.
Edhe puna e papaguar dhe barra e përditshme që mbajnë gratë në familje dhe në shoqëri ishte pjesë e mesazheve të marshimit, i cili përfshiu edhe përfaqësues grupimesh politike.
Aktivistja Albina Ruko, nga Lëvizja Bashkë, theksoi se gratë janë mësuar të luftojnë në heshtje.
“Të jemi të zonjat në punë, të jemi shtylla e familjes, të rrisim fëmijët me ëndrra dhe vlera. Unë besoj se vajzat tona duhet të jetojnë në një botë më të drejtë se ajo që kemi gjetur ne”, u shpreh ajo.
Në marshim pati edhe mesazhe solidariteti për gratë që përballen me forma të ndryshme diskriminimi, përfshirë gratë lesbike, biseksuale, transgjinore, rome, egjiptiane dhe gratë me aftësi të kufizuara.
Sipas aktivistes së komunitetit LGBT, Livia Zotrija, diskutimet publike të vitit të fundit rreth ligjit për barazinë gjinore kanë nxitur një klimë më armiqësore ndaj komunitetit.
“Përballë sulmeve fizike, dhunës verbale, linçimit publik dhe dehumanizimit që është ushqyer ndaj grave dhe vajzave lesbike, biseksuale dhe transgjinore. Jemi bërë shënjestër vetëm sepse ekzistojmë dhe sepse guxojmë të flasim”, u shpreh Zotrija.
Marshimi u mbyll përpara Kryeministrisë. Aktivistet nuk kursyen kritikat edhe ndaj gjuhës seksiste në politikë ndaj strukturave patriarkale në pushtet.
“Kur themi patriarkat kemi në mendje fytyrën dhe fjalorin e Taulant Ballës,shpërthimet e Edi Ramës; dhunën shtetërore në duart e oligarkëve nga Ulaj te Mane dhe gjithçka në mes,” u shpreh Diana Malaj, aktiviste e Grupit ATA nga Kamza.
“Aarrogancën e kryebashkiakëve të lirë apo në burg; dhe simbolikën e ‘Vilës 31’ si një art në shërbim të pushtetit”, vijoi ajo.
Përveç kërkesave për barazi dhe drejtësi për gratë në Shqipëri, protestuesit shprehën solidaritet edhe me gratë në vendet e luftës, si Palestina, Irani dhe Ukraina, të cilat sipas tyre përballen njëkohësisht me shtypje patriarkale dhe konflikte të armatosura.
Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të përpunuara në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, gjatë periudhës 2021-2024 janë vrarë 37 vajza dhe gra në Shqipëri, ndërsa 27 prej këtyre rasteve janë klasifikuar si femicid, pra vrasje për shkak të gjinisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Kolektivit Feminist në Shqipëri, të mbledhura përmes platformës “Counting Dead Women”, në tre vitet e fundit janë vrarë 32 vajza dhe gra nga bashkëshortët, partnerët, ish-partnerët apo familjarët. Në këto shifra përfshihen edhe gratë shqiptare të vrara jashtë vendit.
Banorë të fshatrave Koçaj, Dragu dhe Kodra e Danit, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, u mblodhën sot para bashkisë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali (HEC).
Ata hynë në sallën ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, ku pritej të diskutohej dhënia e një parcele toke për ndërtimin e HEC-it. Megjithatë, sipas bashkisë, çështja nuk ishte pjesë e rendit të ditës, pasi nuk ishte miratuar më parë.
“U nisën tre-katër herë, jo malin, jo drutë… Tani ka shkuar puna aty ku nuk mbahet më, duke tharë tre katunde. Është përrua, por do t’i mbledhë të gjithë ujërat në një vend dhe të bëhet i pasur ai i zoti që do ta marrë”, u shpreh për Citizens.al, Elez Dedja, banor i zonës.
Pasi pa që banorët hynë në sallë, kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri, u largua nga mbledhja dhe u fut në zyrën e saj, e ndjekur nga banorët. Më pas ajo pranoi të takonte një përfaqësi të tyre.
“Po na e bënë centralin atje për të na marrë ujin, për të na marrë shpirtin, për të na marrë gjithçka”, u shpreh Mirgjela Mera, një tjetër banore, teksa priste jashtë derës së kryebashkiakes së bashku me dhjetëra banorë të tjerë. Sipas saj, nëse uji u merret, ata nuk kanë më mundësi të jetojnë në fshat.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ahmet Bushi, gjithashtu banor, i cili theksoi se ata do të bëjnë çmos për të mos e lejuar ndërtimin e hidrocentralit.
“Pa ujë, pa drita, pa rrugë nuk ka jetë. Uji merret te fshati im, te shtëpia ime në katund. Shytaj quhet përroi dhe ujërat mblidhen më poshtë”, u shpreh Bushi.
Sipas Seit Hotit, nëse uji merret për hidrocentralin, banorët do të detyrohen të shpërngulen. Ai thekson se për projektin nuk është bërë konsultim me banorët.
“[Investitori]… do ta shtrojë këtu në këshillin bashkiak, të marrë vendimin e këshillit, por ne kemi marrë informacionet dhe nuk e pranojmë. Prandaj kemi ardhur sot këtu”, tha ai.
Nadire Dedaj, një banore në moshë, u shpreh se kundërshtimi ndaj projektit vijon prej vitesh. Ajo tregoi se një situatë të ngjashme zona e kishte kaluar me protesta edhe në vitin 2019 duke ia dalë ta mbrojë ujin.
“Atje nuk mund të futen fadroma e mjete të tjera. Edhe nëse firmat jepen nga Tirana apo nga këta këtu, ata nuk hyjnë dot atje. Ta kenë të prerë atë fjalë”, theksoi ajo për Citizens.al.
Pas përfundimit të takimit me kryebashkiaken, banorët thanë se ajo u shpreh se do të mbështeste qëndrimin e tyre nëse kërkesat rezultojnë të drejta.
“Kryebashkiakja ishte në dijeni dhe tha se e priste këtë reagim,” tregoi për Citizens.al Ismet Koka pasi doli nga takimi.
“Si përfundim na dha një ‘ok’ dhe tha se do të jetë me banorët nëse është me të drejtë. Nëse nuk është, atëherë do të merren masa të tjera.”
Më herët banorët kanë dorëzuar edhe një peticion me rreth 350 nënshkrime kundër ndërtimit të HEC-it “Shytaj”.
Ata kërkojnë që çdo vendim për ndërtimin e hidrocentralit të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe pas zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura, për ndikimin në burimet ujore dhe në masivin pyjor.
Projekti për ndërtimin e hidrocentralit “Shytaj” ka nisur që në vitin 2019, por nuk arriti të miratohej në këshillin bashkiak për shkak të kundërshtimeve të banorëve.
Asokohe, banorët deklaruan se nuk ishin zhvilluar konsultime publike me komunitetin.
Në vitin 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për HEC-in “Shytaj”, me detyrimin për plotësimin e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Sipas lejes së ndërtimit, shoqëria ndërtuese është “ERIM” sh.p.k., në pronësi të familjes Shyti, me aksionerë Adhurim Shyti, Ervin Shyti dhe Arbër Shyti.
Dhuna vijon të jetë përditshmëri për gratë në Shqipëri, duke marrë forma ekstreme deri në humbje jete. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të përpunuara në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, gjatë periudhës 2021-2024 janë vrarë 37 vajza dhe gra, ndërsa 27 prej këtyre rasteve janë klasifikuar si “femicid,” pra vrasje për shkak të gjinisë.
Gjetjet janë pjesë e analizës së “Observatorit për Femicidin,” një mekanizëm monitorimi i ngritur në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, i cili analizon rastet e dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave në vend.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së vëmendjes institucionale, termi “femicid” ende nuk është i përkufizuar në Kodin Penal shqiptar, duke e bërë më të vështirë njohjen formale të motiveve gjinore në procedurat gjyqësore.
18 raste dhune ekstreme vetëm në vitin 2024
Gjatë vitit 2024, Observatori analizoi 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Këto raste përfshijnë jo vetëm vrasjet, por edhe forma të tjera të dhunës që mund të çojnë në pasoja fatale.
Nga këto raste, 5 ishin vrasje të grave, ndërsa vetëm 3 prej tyre u klasifikuan si femicid. Dy nga viktimat u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa një rast përfshinte vrasjen e një gruaje nga fqinji i saj.
Sipas të dhënave të Observatorit për Femicidin, në 13 nga 18 rastet e marra në shqyrtim viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori.
“Duke konfirmuar se dhuna vdekjeprurëse shpesh është përshkallëzim i abuzimit të njohur më parë”, thuhet në të dhënat e përpunuara nga Observatori.
Nga këto 18 raste, në 5 raste viktimat kishin kërkuar ndihmë nga policia.
“Asnjë nga viktimat nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në momentin e krimit”, theksojnë të dhënat.
Për këto raste janë identifikuar 19 autorë, prej të cilëve 17 ishin djem ose burra, ndërsa 7 prej tyre kishin rekorde kriminale të mëparshme.
Sipas të dhënave të Observatorit, viktimat ishin nëna të 33 fëmijëve, përfshirë 9 të mitur.
“Më shumë se gjysma e ngjarjeve (56%) ndodhën në zona rurale, duke nxjerrë në pah pasoja më të gjera sociale të dhunës ekstreme ndaj grave”, thuhet në të dhënat e mbledhura nga Observatori.
Sipas UN Women, në një tryezë të mbajtur për Ditën Ndërkombëtare të Grave, këto gjetje nxjerrin në pah boshllëqe të rëndësishme në identifikimin e hershëm të rrezikut, në parandalimin dhe në reagimin institucional ndaj dhunës ndaj grave.
“Këto të dhëna tregojnë se vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Urdhrat e mbrojtjes duhet të zbatohen në mënyrë konsistente, rreziqet duhet të vlerësohen herët dhe institucionet duhet të punojnë së bashku për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës”, thekson UN Women në një deklaratë publike.
Mangësitë institucionale dhe mbrojtja ligjore
Raporti evidenton disa dobësi të vazhdueshme në reagimin institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
“Mungesa e njohjes së qartë ligjore të femicidit vazhdon të kufizojë njohjen formale të motiveve të lidhura me gjininë brenda procedurave gjyqësore. Në disa raste, dhuna paraprake ishte e njohur nga institucionet, megjithatë nuk ishin marrë masa aktive mbrojtjeje përpara ngjarjes”, thuhet në raport.
Sipas raportit, identifikimi i vonuar i rrezikut, zbatimi dhe monitorimi i dobët i masave mbrojtëse, si dhe koordinimi i pamjaftueshëm mes policisë, gjykatave, prokurorisë dhe shërbimeve sociale e shëndetësore janë disa nga faktorët kryesorë që çojnë në mosreagim institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
Në një tryezë të përbashkët të organizuar nga UN Women në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, u bë thirrje për të garantuar që gratë dhe vajzat të kenë akses të plotë në drejtësi.
“Me gjithë përparimin e bërë si rezultat i reformës në drejtësi, gratë vazhdojnë të hasin barriera kur kërkojnë drejtësi në rastet që kanë të bëjnë me dhunën me bazë gjinore, zgjidhjen e martesës, mbështetjen për fëmijët, pasurinë dhe aspekte të tjera”, thuhet në reagimin e UN Women.
Sipas organizatës, kostot e larta ligjore dhe të transportit, si dhe përgjegjësitë e përkujdesit për familjen, kufizojnë aftësinë e tyre për të kërkuar dhe për të marrë zgjidhje ligjore.
“Gjykatat dhe qendrat e ndihmës ligjore shpesh janë të përqendruara në zonat urbane, duke ua bërë grave në zonat rurale më të vështirë aksesin në to”, thuhet në deklaratën e UN Women në Shqipëri.
Sipas një raporti monitorimi të vitit 2025 të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, janë analizuar 479 raste të dhunës në familje të gjykuara gjatë tre viteve të fundit në shtatë gjykata në vend.
Sipas raportit, 108 viktima (22%) ishin të përfaqësuara nga një avokat, ndërsa 371 gra morën pjesë në procedura ligjore pa përfaqësim ligjor.
“Vetëm shtatë gra përfituan ndihmë juridike të financuar nga shteti”, thekson raporti.
Në rastet kur gratë kishin përfaqësim ligjor, gjykatat miratuan urdhra mbrojtjeje në çdo rast.
Sipas UN Women, kjo tregon se qasja në ndihmë juridike rrit gjasat për mbrojtje dhe se procedurat aktuale për ndihmë juridike falas duhet t’i përgjigjen natyrës urgjente të rasteve të dhunës në familje.
Kompania “Gener 2” publikoi të martën një tekst me titull “10 fakte mbi statusin ligjor dhe administrativ të projektit në Velipojë”, ku pretendoi se projekti “Blue Borgo” është në përputhje me ligjin dhe se debati mbi pretendimet për pronat, bazohet në “keqinformime”.
Por dokumentet zyrtare të marra nga Citizens.al përmes institucioneve dhe raportimet në terren tregojnë se rreth projektit mbeten plot çështje pa përgjigje. Më poshtë janë dhjetë prej tyre.
Na takon të theksojmë se redaksia jonë iu drejtua në të paktën dy raste me kërkesa për koment, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati përgjigje.
1- A ishin të ligjshme punimet e një viti më parë?
Në mars 2025 banorët e Rrjollit u përplasën me grupin e punonjësve që nisën zhvillimin e projektit “Blue Borgo”. Situata përshkallëzoi pas ndërhyrjes së policisë teksa banorët denoncuan pretendimet e tyre se kompania “Gener 2” po përpiqej t’u merrte tokat.
Kompania reagoi me një njoftim prej gjashtë rreshtash. Ajo konfirmoi se projekti kishte nisur të zhvillohej, por hodhi poshtë pretendimet duke këmbëngulur se gjithçka ishte konformë ligjit.
“Gener 2” rezulton se fitoi licencë zbatimi për projektin (NZ.4586/34) më 16 shtator 2025. Ndërsa vendimi i lejes së ndërtimit u firmos më 8 gusht 2025 dhe leja u zbardh nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) vetëm më 15 janar 2026 (Leje ndërtimi Nr.360/1).
Kjo nënkupton se punimet paraprake të vitit 2025 ishin para përmbylljes së plotë të procedurave ligjore.
2- A është verifikuar plotësisht statusi i pronësisë?
“Gener 2” thotë se ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me “palën që figuron si mbajtëse e të drejtave të pronësisë” dhe se ajo nuk ka cenuar të drejtat e askujt.
“[…] projekti është mbështetur vetëm në vendime të formës së prerë, të certifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” thuhej në një nga reagimet.
Pamje e zonës që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.
Megjithatë, “Gener 2” nuk ka treguar përmbledhje të këtyre vendimeve, titullin bazë të pronësisë, zinxhirin e kalimeve të pronës, apo dokumentet që provojnë sigurinë juridike të transaksioneve.
Në planvendosjen e lejes së ndërtimit “Gener 2” shfaqet si projektues bashkë me studion arkitekturore të Stefano Boerit, ndërsa si zhvillues kompania tjetër e zotëruar nga familja Ulaj “ABA Blue Borgo,” çka lë të nënkuptohet se pala e tretë është po një sipërmarrje e Ulajve.
Në një projekt të kësaj përmase, transparenca mbi pronësinë është element kyç për besueshmërinë e investimit.
3- Për çfarë heton Prokuroria e Shkodrës?
Sipas “Gener 2” nuk rezulton të ekzistojë as edhe një akt pezullues ndaj vijimit të projektit.
“Prona dhe procesi përkatës kanë kaluar fazat e shqyrtimit të nevojshëm sipas kuadrit përkatës, dhe mbi këtë bazë nuk rezulton ndonjë pengesë ligjore për vijimin normal të punimeve,” thuhet nga kompania.
Por, Prokuroria e Shkodrës ka konfirmuar për Citizens.al se ekziston një procedim penal i hapur mbi këtë çështje, bazuar në materialet e referuara nga SPAK (Procedimi Nr.390/2025 referuar nga Prokuroria e Posaçme më 21 mars 2025) mbi bazën e kallëzimit të bërë nga banorët për pretendime falsifikimesh të titujve të pronësisë.
Edhe pse hetimet janë ende në zhvillim, fakti që ekziston një procedim penal tregon se disa aspekte të projektit janë ende nën verifikim nga organet e drejtësisë.
4- Pse nuk ka tabelë me lejen e zbardhur në kantier?
Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës Shëngjin-Velipojë u vu një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).
Tabela tregon se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro), se punimet pritet të zgjasin 5 vite (60 muaj) dhe se kur ka marrë licencën e zbatimit kompania “Gener 2”.
Tabela në kantier e “Blue Borgo”/Citizens.al
Tabela nuk ka informacion për pozicionet kadastrale, pamjet 3-D të projektit, vendosjes së strukturave që do të ndërtohen, hartën topografike, treguesit teknik për parcelat e pasurive kufitare, distancave të pronës, intensitetin e ndërtimit, koeficientin e shfrytëzimit të truallit, etj.
5- Sa i informuar ishte komuniteti lokal?
Kompania thotë se projekti është prezantuar në konsultime publike dhe se nuk ka pasur kundërshtime.
Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), për projektin qe zhvilluar konsultim në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).
Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik “me ndikim të menaxhueshëm në mjedis”.
Por banorët e zonës kanë deklaruar publikisht se u njohën me projektin vetëm kur filluan punimet në terren.
Kjo krijon një kontradiktë mes narrativës zyrtare dhe perceptimit të komunitetit lokal për sa kohë nuk ka pasur asnjë reagim tjetër sqarues nga institucionet publike.
6- Si u përjashtua projekti nga taksa e ndikimit në infrastrukturë?
Bashkia Shkodër ka konfirmuar për Citizens.al se projekti rezulton i përjashtuar nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik akti konkret administrativ që e vendos këtë përjashtim për projektin “Blue Borgo”, as baza e detajuar ligjore që e justifikon atë.
Sipas skemës së taksave vendore, për një investim turistik të kësaj përmase në Velipojë norma e taksës së ndikimit në infrastrukturë është rreth 3% e vlerës së investimit.
Projekti i resortit “Blue Borgo”.
Nëse merret si referencë vlera e projektit që është përmendur publikisht – rreth 280 milionë euro – atëherë taksa potenciale e ndikimit në infrastrukturë do të arrinte në rreth 8.4 milionë euro.
Derisa të publikohet dokumenti që justifikon përjashtimin, mbetet e paqartë si dhe mbi çfarë baze u fal një detyrim fiskal i kësaj përmase.
7- A e plotëson projekti kriterin “brand name” për përjashtim nga taksa?
Ligji për taksat vendore parashikon një përjashtim të veçantë nga taksa e infrastrukturës për strukturat akomoduese me 5 yje, status special, por vetëm nëse ato operohen nga një markë hotelerie ndërkombëtare “brand name”.
Deri tani, as në komunikimet publike të “Gener 2” dhe as në dokumentet e bëra publike nga institucionet nuk është përmendur ndonjë markë ndërkombëtare hotelerie që do të operojë resortin “Blue Borgo”.
Në mungesë të këtij elementi, pyetja që mbetet është nëse projekti i plotësonte vërtetë kushtet ligjore për përjashtim nga taksa e infrastrukturës apo jo.
8- Pse projekti nuk figuron si investim strategjik?
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) konfirmoi dy herë për Citizens.al se për projektin “Blue Borgo” nuk rezulton asnjë vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike.
Kjo do të thotë se projekti nuk ka statusin formal të investitorit strategjik, një status që shpesh përdoret për të justifikuar lehtësi fiskale apo procedura të përshpejtuara.
Në këtë kontekst, mbetet e paqartë mbi çfarë mekanizmi tjetër ligjor është mbështetur përjashtimi nga taksa e infrastrukturës.
9- A cenon projekti zonë të mbrojtur?
Zona ku po ndërtohet resorti “Blue Borgo” ka qenë pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë, konkretisht në nënzonën 1b, ku zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore. Kjo kategori synonte ruajtjen e biodiversitetit dhe peizazhit natyror, duke lejuar vetëm aktivitete ekonomike dhe turistike që nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.
Megjithatë, ndryshimet e miratuara në vitin 2024 (kur u konceptua dhe projekti) në Ligjin për Zonat e Mbrojtura përfshinë konceptin e “turizmit të ekselencës”, që lejon ndërtimin e strukturave akomoduese turistike me standarde të larta edhe brenda zonave të mbrojtura.
Zona 1b e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë/Citizens.al
Organizata si, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kanë paralajmëruar se kjo qasje mund të hapë rrugën për zhvillime intensive turistike në territore që më parë ishin të destinuara kryesisht për konservim.
Vetë “Gener 2” nuk ka folur për këtë pjesë dhe nuk ka garantuar qartësisht se çfarë masash ka parashikuar për të reduktuar impaktin në mjedisin e zonës.
Në këtë kuptim, konflikti në Rrjoll nuk lidhet vetëm me një resort të vetëm, por edhe me një debat më të gjerë: nëse zonat e mbrojtura duhet të mbeten hapësira prioritare për ruajtjen e natyrës apo të shndërrohen në zona zhvillimi turistik
10. Nëse dokumentet janë kaq të qarta, pse nuk publikohen të gjitha?
Në reagimin e saj publik, “Gener 2” deklaron se është e gatshme të vërë në dispozicion dokumentacionin përkatës.
Megjithatë, pavarësisht edhe kërkesave në rrugë elektronike të Citizens.al, deri më tani nga investitori nuk është mbajtur asnjë konferencë për shtyp dhe nuk është bërë publik asnjë dosje e plotë që të përfshijë: aktin e përjashtimit nga taksa e infrastrukturës, provën e ortakërisë “brand name” si hotelier ndërkombëtar, listën e kushteve të vendosura nga KKT, dhe dokumentet që provojnë përmbushjen e tyre.
Derisa këto dokumente të bëhen publike, projekti “Blue Borgo” do të vazhdojë të mbetet jo vetëm një investim i madh turistik, por edhe një histori me shumë pyetje të hapura.
Në Shqipërinë e vitit 2026 flitet shpesh për barazi gjinore dhe për krijimin e mekanizmave mbrojtës ndaj dhunës kundrejt vajzave dhe grave. Në praktikë, situata paraqitet ndryshe dhe më pak e diskutuar mbetet dhuna me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.
Ato mbeten në një hapësirë të padukshme mes dhunës dhe mungesës së aksesit në institucionet ku ajo duhet të denoncohet.
Në një vëzhgim të kryer nga Fondacioni “Së Bashku” në Tiranë, Dibër dhe Vlorë, vihet re se sistemet e ndërtuara për të mbrojtur vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara janë të pamjaftueshme, të paaksesueshme, të pakoordinuara dhe fizikisht të papërshtatshme.
Sipas Suela Lalës, drejtuese e fondacionit, përzgjedhja e tre qyteteve është bërë për të krijuar një panoramë të situatës nga veriu në jug të vendit.
Në Tiranë janë vëzhguar 48 institucione që janë pjesë e zinxhirit të reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore, si Policia e Shtetit, prokuroria, gjykatat, qendrat shëndetësore, strehëzat, qendrat e ndihmës juridike falas dhe bashkitë.
Sipas raportit të Fondacionit “Së Bashku”, asnjë prej këtyre institucioneve nuk është plotësisht i aksesueshëm: 35.4% qasen pjesërisht, ndërsa 64.6% janë të paaksesueshme.
“Në disa institucione u konstatuan elementë të izoluar të aksesueshmërisë, si rampa hyrëse, por mungonin komponentë të tjerë, si tualetet e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, parkimet e rezervuara dhe të sinjalizuara, elementët taktilë orientues, ashensorët dhe sportelet në lartësi të arritshme”, thuhet në raport.
Vëzhgimi përfshin edhe aksesin në komunikim dhe informacion, përfshirë komunikimin përmes platformave online. Sipas raportit, aksesueshmëria në informacion dhe komunikim në Bashkinë e Tiranës mbetet sporadike dhe jo e standardizuar.
“Vetëm 20.8% e institucioneve të monitoruara ofrojnë një minimum aksesi në komunikim dhe informacion, por shumë bazik, ndërsa 79.2% nuk ofrojnë asnjë formë informacioni apo komunikimi të aksesueshëm”, nënvizon raporti.
Këto mungesa lidhen me mangësinë në materialet Braille, versioneve audio, udhëzimeve vizuale, interpretimit në gjuhën e shenjave, si dhe me mungesën e kontrastit dhe madhësisë së përshtatshme të tekstit.
Sipas Suela Lalës, një nga pengesat kryesore është fakti se shpesh dhuna nuk arrin të identifikohet si e tillë, ndërsa një tjetër problem lidhet me varësinë e personave me aftësi të kufizuara nga njerëzit që kujdesen për ta.
“Çështja e ndihmësit personal mbetet problematike. Pagesat janë minimale dhe personat me aftësi të kufizuara shpesh mbijetojnë falë mbështetjes së familjarëve, ndërkohë që dhuna në shumë raste vjen pikërisht nga njerëzit më të afërt”, tregoi Lala për Citizens.al.
Sipas saj, edhe në strehëzat për gratë dhe vajzat e dhunuara mungon aksesi për gratë me aftësi të kufizuara.
“Në raportimin e dhunës ndaj grave me aftësi të kufizuara, ato janë të padukshme pikërisht për shkak të këtyre barrierave, të cilat gjenden në të gjithë zinxhirin e institucioneve dhe në mënyrën se si është organizuar shoqëria jonë,” shtoi Lala.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e kapaciteteve të stafit në këto institucione. Asnjë prej (48) institucioneve nuk kishte zhvilluar gjatë vitit të fundit trajnime mbi këtë kategori apo mbi dhunën me bazë gjinore ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Sipas tij, institucione si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) ofrojnë kryesisht informacione teknike, jo në gjuhë të thjeshtë apo në formate alternative, si video apo materiale audio.
“Policia, Prokuroria dhe Gjykatat mbështeten kryesisht në komunikim verbal, por pa ofruar akses real në informacion dhe komunikim për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në raport.
Sipas Lalës, në disa raste mungesa e aksesit në strehëzat për gratë e dhunuara ka bërë që gratë me aftësi të kufizuara të mos mundin të vendosen në qendrat emergjente 24 apo 48-orëshe.
Si shembuj pozitivë përmenden Qendra Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, qendra multidisiplinare “Të qëndrojmë së bashku” dhe Qendra për Personat me Aftësi të Kufizuara në Shkozë, të cilat kanë një nivel më të mirë aksesueshmërie në informacion dhe komunikim.
Sipas Lalës, në shumicën e institucioneve, në rastin më të mirë ekziston vetëm një rampë hyrëse.
“Nuk ka elementë të tjerë aksesueshmërie brenda ndërtesave apo në shërbime të tjera. Nëse Tirana paraqet një situatë disi më të mirë në aksesueshmërinë fizike, në Vlorë dhe Dibër problemi është edhe më i theksuar”, argumenton ajo.
Aksesi në Dibër, minimal
Në 15 institucionet e monitoruara në Dibër, asnjë nuk rezultoi plotësisht i aksesueshëm. 26.7% janë pjesërisht të aksesueshme, ndërsa 73.3% janë të paaksesueshme.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër rezulton plotësisht e paaksesueshme, me shkallë të larta dhe pa rampë hyrëse. Policia e Shtetit, DRSSH, spitali rajonal dhe qendra shëndetësore disponojnë rampa hyrëse, por pa elementë të tjerë mbështetës të aksesueshmërisë”, thuhet në raport.
Sa i përket aksesit në informacion dhe komunikim, ai është thuajse inekzistent.
“Institucionet nuk ofrojnë materiale Braille, materiale audio, formate vizuale, interpretim në gjuhën e shenjave apo gjuhë të thjeshtë, ndërsa mungon sinjalistika orientuese e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara”, citon raporti.
Po ashtu, kapacitetet e stafit mbeten të kufizuara dhe pa trajnime specifike.
“Nuk kanë kapacitetet për ta trajtuar një grua me aftësi të kufizuara siç duhet. Këtë e tregon edhe fakti që nuk mbajnë të dhëna për sa raste të tilla adresohen dhe arrijnë të dalin nga situata e dhunës”, tha Lala për Citizens.al.
Sipas saj, dhuna ndaj grave me aftësi të kufizuara është tre deri në katër herë më e lartë sesa ndaj grave të tjera.
Aksesi në Vlorë, i kufizuar
Në 31 institucionet e monitoruara në Vlorë, 19.4% rezultojnë pjesërisht të aksesueshme, ndërsa 80.6% janë të paaksesueshme. Asnjë prej tyre nuk ishte plotësisht i aksesueshëm.
“Edhe në rastet kur ekzistojnë elementë të pjesshëm të aksesueshmërisë, mungojnë komponentët thelbësorë, përfshirë tualetet e përshtatura, ashensorët për katet e sipërme dhe elementët taktilë për orientimin e personave me dëmtim të shikimit”, vë në dukje raporti.
Sipas tij, në asnjë nga institucionet e monitoruara nuk u identifikuan materiale të aksesueshme në komunikim dhe informacion.
“Stafi nuk ka marrë trajnime në komunikim gjithëpërfshirës dhe nuk zotëron njohuri për ofrimin e informacionit të përshtatur”, thekson raporti.
Fondacioni “Së Bashku” rekomandon marrjen e masave për përmirësimin e infrastrukturës fizike, përshtatjen e materialeve informuese në formate të aksesueshme dhe rritjen e kapaciteteve të stafit në institucionet që janë pjesë e zinxhirit të raportimit të dhunës me bazë gjinore.