Normal view

Received — 16 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hapen aplikimet, 300 vende të lira për të rinjtë që duan t’i bashkohen Policisë së Shtetit

16 August 2026 at 21:11

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për pranimin në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”, me 300 vende të lira për të rinj e të reja që dëshirojnë t’i bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku fton të rinjtë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e uniformës së Policisë së Shtetit.

Sipas Lamallarit, procesi i konkurrimit do të udhëhiqet nga parimet e meritës, shanseve të barabarta, transparencës dhe integritetit.

“Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, shprehet ai.

Aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026.

Lamallari thekson se Shqipëria ka nevojë për njerëz që zgjedhin të shërbejnë me uniformë, duke kontribuar për rendin dhe sigurinë si parakusht për zhvillimin e vendit.

Të interesuarit mund të njihen me kriteret dhe procedurat e aplikimit në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. /e.i/a.f/

The post Hapen aplikimet, 300 vende të lira për të rinjtë që duan t’i bashkohen Policisë së Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

27 vatra zjarri në të gjithë vendin, 8 mbeten aktive

16 August 2026 at 20:59

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se deri në orën 20:00 janë regjistruar 27 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 487 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Vatrat kryesore aktive vijojnë të jenë në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll.

Në Dajt ndërhyrja vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Gurë-Lurë po vijon një angazhim i gjerë i forcave bashkiake, MZSH-së, Policisë, ADZM-së, vullnetarëve dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Korridoret e hapura në terren kanë penguar afrimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj, Mirditë, vijon puna e forcave në terren, e mbështetur nga një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa zjarri në Tharri është vënë nën kontroll.

Në Zhejë, Kurbin, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së, forcave bashkiake, Policisë dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura.

Në Fushë-Lajë, Pukë, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Rrjoll situata po monitorohet nga afër, edhe përmes përdorimit të dronëve.

Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në të gjitha vatrat aktive, me qëllim izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarreve, si dhe garantimin e sigurisë së zonave të banuara. /e.i/a.f/

The post 27 vatra zjarri në të gjithë vendin, 8 mbeten aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Forcat e Armatosura në vijën e parë të zjarreve, operacione në Lurë dhe Malin e Dajtit

16 August 2026 at 19:58

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në terren për përballimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e komuniteteve në Lurë të Dibrës dhe në malin e Dajtit në Tiranë.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në Lurë, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA-së, vijojnë operacionin për përballimin e zjarrit. Aktualisht, banesat nuk rrezikohen.

Ndërkohë, në malin e Dajtit, 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për shuarjen e zjarrit. Edhe në këtë zonë nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Ministri Nufi shprehu mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura që ndodhen në terren, duke vlerësuar profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tyre në përballimin e situatës së zjarreve.

“Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura që ndodhet në terren, për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në këto ditë të vështira”, shkroi Nufi.

/e.i/

The post Nufi: Forcat e Armatosura në vijën e parë të zjarreve, operacione në Lurë dhe Malin e Dajtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët vijojnë me protestën para Kryeministrisë

16 August 2026 at 19:30

TIRANË, 16 gusht /ATSH/  Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 78-të kundër investimit në zonën e Zvërnecit.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjithashtu, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe e gjithë qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese dhe miratimi i tyre me referendum, ku përfshihen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Pjesë e protestës së sotme ishin edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët përcollën mesazhe për ndryshim politik.

Sikurse në çdo protestë tjetër, pas fjalimeve, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës.

/e.i/a.f/

The post Qytetarët vijojnë me protestën para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Çështje penale ndaj gazetarit që pyeti Zelenskyn

16 August 2026 at 18:38

MOSKË, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Autoritetet ruse kanë hapur një çështje penale ndaj një gazetari gjerman pas një pyetjeje që ai i drejtoi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp në Beograd, lidhur me vrasjen e ushtarëve rusë, raportoi sot agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.

Gazetari, korrespondent i së përditshmes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) për Evropën Juglindore, po hetohet nën dyshimin për nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë, sipas TASS.

Autoritetet ruse po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e përfshirjes së gazetarit në listën ndërkombëtare të personave në kërkim.

Zyra e shtypit e FAZ deklaroi se nuk ishte në dijeni të procedimeve të nisura nga autoritetet ruse.

Gjatë konferencës për shtyp në Beograd, në fillim të këtij muaji, gazetari e pyeti Zelenskyn se çfarë mund të bënin evropianët për të ndihmuar Ukrainën të vriste më shumë ushtarë rusë.

Pyetja shkaktoi kritika.

Më pas, FAZ deklaroi se pyetja ishte formuluar në mënyrë të paqartë dhe shprehu keqardhje për formulimin e saj.

Gazeta theksoi se nuk përfaqëson qëndrimin editorial të saj që sa më shumë ushtarë rusë të vriten, aq më mirë është.

Sipas TASS, gazetari mund të përballet me deri në gjashtë vjet burg nëse shpallet fajtor nga drejtësia ruse.

Gjykatat ruse mund të japin edhe dënime në mungesë.

Ministria e Jashtme ruse e kritikoi ashpër gazetarin, ndërsa zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi për agjencinë shtetërore RIA Novosti se gazetari do të duhet të përgjigjet për veprimet e tij.

Nga ana tjetër, FAZ ka kritikuar atë që e cilësoi si “shpifje dhe kërcënime” ndaj korrespondentit të saj.

Gazeta theksoi se liria e shtypit përfshin të drejtën për të bërë pyetje, veçanërisht gjatë një konference për shtyp, dhe paralajmëroi se do t’u përgjigjet kërcënimeve ndaj punonjësve të saj përmes mjeteve ligjore./  a.jor.

The post RUSI – Çështje penale ndaj gazetarit që pyeti Zelenskyn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dita e shtegtarëve”, Lezha plot gjallëri në netët e verës

16 August 2026 at 18:23

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ “Dita e Shtegtarëve”, një moment kujtese dhe feste për emigrantët shqiptarë, është kthyer tashmë në një traditë për qytetin e Lezhës, ku mijëra turistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit mblidhen në sheshin “Gjergj Kastrioti”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e festimeve, ku qytetarë të shumtë festuan deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa Rama tha se Lezha është plot gjallëri këto net vere.

Bashkia e Lezhës organizon çdo vit një sërë aktivitetesh gjatë kësaj periudhe, me synimin që 15 gushti të shndërrohet në një ditë simbolike për të gjithë shqiptarët që janë larguar nga atdheu dhe rikthehen në vendlindje gjatë sezonit veror.

Festimet shënojnë edhe përmbylljen e një programi dyjavor aktivitetesh, të zhvilluara çdo mbrëmje në sheshin qendror të Lezhës, duke mbledhur mijëra qytetarë, vizitorë dhe emigrantë.

“Dita e Shtegtarëve” vijon të shërbejë si një pikë takimi mes shqiptarëve që jetojnë në vend dhe atyre që jetojnë jashtë, duke e kthyer rikthimin në vendlindje në një festë të përbashkët verore.

/e.i/a.f/

The post “Dita e shtegtarëve”, Lezha plot gjallëri në netët e verës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Gërmimi arkeologjik në Apoloni, të dhëna të reja mbi monumentin e qytetit antik

16 August 2026 at 18:09

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Gërmimi arkeologjik studimor në Parkun Arkeologjik të Apolonisë po sjell në dritë të dhëna të reja mbi një prej monumenteve publike më të rëndësishme të qytetit antik.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se kërkimet po zhvillohen në kuadër të misionit shqiptaro-francez, duke kontribuar në një njohje më të thelluar të historisë dhe zhvillimit urban të Apolonisë.

Sipas Gonxhes, çdo shtresë e zbuluar përbën një dëshmi të rëndësishme për historinë, zhvillimin urban dhe jetën publike të qytetit antik.

Ministri Gonxhja shtoi se “përmes kërkimit shkencor dhe dokumentimit arkeologjik po rivlerësohen organizimi urbanistik dhe funksioni i monumenteve publike, duke ofruar një këndvështrim më të plotë mbi zhvillimin e Apolonisë dhe rolin e saj në botën antike”.

Gonxhja theksoi rëndësinë e vijimit të kërkimeve arkeologjike për pasurimin e njohurive mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit.

/e.i/

The post Gonxhja: Gërmimi arkeologjik në Apoloni, të dhëna të reja mbi monumentin e qytetit antik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Dy viktima dhe mbi 300 të evakuar pas zjarreve në Salamina

16 August 2026 at 17:51

ATHINË, 16 gusht /ATSH-ANA/ – Një operacion i gjerë për evakuimin e civilëve me rrugë detare është duke u zhvilluar aktualisht në ishullin e Salaminës, ku dy vatra të mëdha zjarri kanë shkaktuar deri tani dy viktima në zonën e Peristerias.

Sipas përditësimit të fundit të Rojës Bregdetare Helenike, operacioni i evakuimit po zhvillohet në zonat detare pranë Peristerias, Kolones, Maroudit dhe Saterlit, nën koordinimin e Qendrës Operacionale të Rojës Bregdetare.

Në operacion janë angazhuar forca të Brigadës së Zjarrfikësve, mjete të Rojës Bregdetare, tragete, varka ndihmëse dhe mjete private.

Deri pasditen e së dielës, rreth 364 persona ishin evakuuar dhe po transferoheshin në tre tragete.

Situata në ishull vijon të jetë kritike, ndërsa dy fronte të mëdha zjarri mbeten aktive dhe erërat e forta po vështirësojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Zjarri i parë shpërtheu në zonën e Peristerias rreth orës 14:45, ndërsa rreth orës 15:00 u raportua edhe një vatër e dytë në zonën e Selinias.

Forcat zjarrfikëse janë përforcuar ndjeshëm. Në terren operojnë rreth 260 zjarrfikës, 15 ekipe të Njësisë së Parë Speciale për Operacionet Pyjore (EMODE), 58 automjete dhe vullnetarë. Nga ajri janë angazhuar 10 avionë dhe 8 helikopterë, njëri prej të cilëve përdoret për koordinimin e mjeteve ajrore.

Në operacion po kontribuojnë gjithashtu autobotët e ujit dhe makineritë e rënda të Bashkisë së Salaminës.

Ndërkohë, forcat e Policisë Helenike janë angazhuar për zbatimin e masave të nevojshme të qarkullimit, ndërsa Qendra Kombëtare e Ndihmës së Shpejtë (EKAV) ka dislokuar gjashtë ambulanca, një njësi mjekësore të lëvizshme dhe dy motoçikleta të reagimit të shpejtë.

Që prej orës 14:55, autoritetet kanë dërguar një seri alarmesh përmes sistemit 112, me qëllim informimin dhe evakuimin e banorëve.

Urdhrat e evakuimit përfshijnë zonat e Peristerias, Aias Club, Kolones, PPC (DEI) Halioti, Peranit dhe Kaki Viglës. Banorët janë udhëzuar të drejtohen drejt Eandios dhe plazhit të Saterlit, në varësi të zonës ku ndodhen./ a.jor.

The post GREQI – Dy viktima dhe mbi 300 të evakuar pas zjarreve në Salamina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhunimi i shefit të Krimeve në Sarandë, 6 në pranga dhe dy efektivë policie të pezulluar

16 August 2026 at 16:48

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se janë në pranga gjashtë shtetas, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër pas ngjarjes së mbrëmshme ku u godit për shkak të detyrës, shefi i hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa shtetasve.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e hetimit disiplinor ndaj dy punonjësve të Policisë, për dypunësim pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe për mosndërhyrje për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Sipas njoftimit, mëngjesin e ditës së sotme rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti”, Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokali, rojet e sigurisë së lokalit po konfliktoheshin me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.

Gjatë konfliktit, shefi i hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisar M. B., po kalonte në rrugë me mjetin e tij dhe, kur ka konstatuar konfliktin, ka ndaluar, duke u prezantuar me detyrën që mbante dhe duke u përpjekur të parandalonte përshkallëzimin e konfliktit.

Policia informon se rojet e sigurisë së lokalit nuk e kanë ndaluar konfliktin fizik, por kanë filluar të godasin me grushte edhe Shefin e Hetimit, i cili ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të komunikojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Pas rreth 1 minute, kanë shkuar në ndihmë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar disa persona që janë gjendur të pranishëm në konflikt.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet dhe, në një banesë në fshatin Gjashtë, Sarandë, kanë lokalizuar dhe shoqëruar edhe pjesën tjetër të rojeve të lokalit ku kishte ndodhur konflikti fizik.

Sipas njoftimit, në vijim të veprimeve të kryera nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me Prokurorinë Sarandë, është bërë arrestimi i shtetasve: M. K., 35 vjeç, administrator i lokalit ku ndodhi konflikti; E. N., 38 vjeç; F. H., 35 vjeç; I. Ç., 34 vjeç; dhe A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, si dhe B. S., 29 vjeç, taksist.

Po në vijim të veprimeve, u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. D., 28 vjeç, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti.

Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen e ndodhur, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u pezulluan menjëherë nga detyra dy punonjësit e Policisë, Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Këta punonjës, të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti, nuk kanë njoftuar Policinë për konfliktin që po ndodhte dhe, pavarësisht se ishin jashtë detyre, duhet të ndërhynin për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka dërguar një grup pune në Sarandë, ku ka nisur hetimin disiplinor për dy punonjësit e Policisë, tashmë të pezulluar nga detyra.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje

/e.i/a.f/

The post Dhunimi i shefit të Krimeve në Sarandë, 6 në pranga dhe dy efektivë policie të pezulluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VATIKAN – Papa Leone XIV kërkon dhënien fund të dhunës kundër palestinezëve në BP

16 August 2026 at 16:43

VATIKAN, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Papa Leone XIV bëri thirrje sot për t’i dhënë fund akteve të përsëritura të dhunës kundër popullsisë civile palestineze në Bregun Perëndimor.

“Unë përsëris apelin tim për t’i dhënë fund dhunës së vazhdueshme kundër popullsisë civile palestineze në Bregun Perëndimor”, tha kreu i 1,4 miliardë katolikëve të botës në qytetin Castel Gandolfo pranë Romës.

Ai i bëri thirrje urgjente bashkësisë ndërkombëtare të përparojë zgjidhjen me dy shtete “për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” – një skenar në të cilin Izraeli dhe një shtet i pavarur palestinez do të bashkëjetonin në paqe.

Dhuna nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor është rritur vitet e fundit.

Kolonët radikalë kanë rrethuar shtëpitë palestineze në fshatin Kusra në veri të Bregut Perëndimor për një javë. Shtetet e Bashkuara, një aleat i ngushtë i Izraelit, kohët e fundit i bënë thirrje Izraelit të largojë kolonët nga fshati./ a.jor.

The post VATIKAN – Papa Leone XIV kërkon dhënien fund të dhunës kundër palestinezëve në BP appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelën rregullat e qarkullimit, Policia e Tiranës: Mbi 3000 gjoba, 7 drejtues mjetesh në pranga

16 August 2026 at 15:55

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë informon se gjatë 48 orëve të fundit, ka intensifikuar kontrollet në terren, në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Forca e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë kanë zhvilluar kontrolle të befasishme, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e automjeteve luksoze, të blinduara, me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese.

Si rezultat i kontrolleve, Policia bën me dije se janë kontrolluar dhe verifikuar 131 automjete dhe 213 shteta,  janë shoqëruar 5 persona dhe automjete në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për verifikime të mëtejshme dhe janë arrestuar/proceduar 7 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim pa leje drejtimi apo për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, DVP Tiranë thekson se janë vendosur 3012 masa administrative, për drejtim nën efektin e alkoolit, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit, për xhama të zinj të riveshur, për mosdhënie përparësie qytetarëve, për parakalim të gabuar, si dhe për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, si edhe janë bllokuar 34 mjete, për shkelje të ndryshme si dhe janë tërhequr 9 leje qarkullimi.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus rritjen e sigurisë publike dhe rrugore, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.

/e.i/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit, Policia e Tiranës: Mbi 3000 gjoba, 7 drejtues mjetesh në pranga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUMANI – Një tjetër dron rrëzohet nga një avion luftarak spanjoll

16 August 2026 at 15:51

BUKURESHT, 16 gusht /ATSH-AFP/ – Një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune, pranë kufijve me Ukrainën dhe Moldavinë, u rrëzua sot nga një avion luftarak spanjoll në një mision në atë vend të NATO-s, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.

”Ndërhyrja e dronit, i cili kishte ardhur nga Moldavia, u krye nga një F-18 në orën 05:01 (02:01 GMT)”, deklaroi i njëjti burim në një njoftim për shtyp.

Ministria raportoi për mbetje të mundshme që ranë në një zonë të pabanuar të rajonit të Galatit, pranë kufirit ukrainas.

Ministria spanjolle e Mbrojtjes deklaroi në X se forcat e saj ajrore kishin demonstruar “profesionalizëm të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e hapësirës ajrore evropiane”.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares tha se kishte folur me homologen e tij rumune, Oana Toiu, e cila falënderoi pilotët.

Komanda Ajrore e NATO-s konfirmoi në X se misioni përfshinte dy F-18, pjesë e një kontingjenti spanjoll prej afërsisht 200 personeli ushtarak dhe 11 avionësh me bazë në Rumani.

Ky është droni i katërt i shkatërruar nga Rumania që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Rumania filloi të rrëzonte dronët që hynë në hapësirën e saj ajrore në fund të korrikut.

Vendi me 19 milionë banorë është bërë një nga shtetet më të ekspozuara ndaj pasojave të konfliktit midis anëtarëve të Aleancës Atlantike.

Bregdeti i saj lindor, që kufizohet me Detin e Zi, është në afërsi të zonave të synuara rregullisht nga sulmet ajrore ruse.

Që nga viti 2023, autoritetet rumune kanë njoftuar vazhdimisht zbulimin e fragmenteve të droneve pas sulmeve në portet ukrainase në Danub.

Të dielën, në një incident të veçantë, mbeturinat e droneve të gjetura në Detin e Zi pranë bregdetit të Konstancës iu raportuan Ministrisë së Mbrojtjes.

Objekti, i ekzaminuar nga një ekip për asgjësimin e bombave nga forcat detare rumune, nuk përmbante pajisje shpërthyese, sipas të njëjtit burim.

Vende të tjera në krahun lindor të NATO-s kanë përjetuar gjithashtu vazhdimisht ndërhyrje në hapësirën e tyre ajrore, veçanërisht Polonia dhe shtetet baltike.

Të premten, NATO njoftoi se avionët luftarakë italianë kishin rrëzuar një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore letoneze./  a.jor.

The post RUMANI – Një tjetër dron rrëzohet nga një avion luftarak spanjoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PIKTURË – Kryeveprat e Da Messinas grabiten nga muzeu siçilian

16 August 2026 at 15:00

MESINA, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Grabitësit kanë vjedhur disa vepra të rëndësishme të piktorit të Rilindjes Antonello da Messina nga një muze në qytetin sicilian të Mesinës, tha sot administrata e qytetit.

”Autorë të panjohur hynë me forcë në sallat e ekspozitës së Muzeut Rajonal të Mesinës gjatë natës dhe u larguan me disa vepra”, thanë autoritetet.

Ata thanë se hajdutët arritën të vidhnin tre nga pesë panelet nga “Poliptiku i San Gregorio” i famshëm, si dhe një panel me dy anë që përshkruan Madonnën dhe Krishtin.

Vepra e fundit u hoq nga brenda një vitrinë të siguruar.

Sipas autoriteteve, hajdutët vazhduan me saktësi të madhe gjatë vjedhjes.

Ata arritën të anashkalonin sistemet e alarmit për të fituar qasje në sallat e ekspozitës.

Policia tani po heton dhe po përpiqet të rindërtojë sekuencën e saktë të ngjarjeve dhe të mbledhë të dhëna rreth identitetit të hajdutëve.

“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur”, tha drejtoresha e muzeut Marisa Mercurio pas vjedhjes.

Ajo e përshkroi atë si një “humbje të madhe për muzeun, qytetin, komunitetin dhe botën e artit”.

Antonello da Messina (rreth viteve 1430-79), një piktor kryesor i Rilindjes së hershme, lindi në Mesina dhe konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XV.

Në fillim të këtij viti, shteti italian bleu veprën e famshme të piktorit “Ecce Homo” për rreth 12 milionë euro (13,9 milionë dollarë) – një pikturë që fillimisht ishte planifikuar të dilte në ankand.

Ministria e Kulturës në Romë ndërhyri para fillimit të shitjes në Sotheby’s dhe e bleu veprën./  a.jor.

The post PIKTURË – Kryeveprat e Da Messinas grabiten nga muzeu siçilian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

21 vatra zjarri në të gjithë vendin, 11 ende aktive, 3 të tjera në monitorim

16 August 2026 at 14:42

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi se deri në orën 14:00 të ditës së sotme janë regjistruar 21 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 11 vijojnë të jenë aktive dhe 3 të tjera janë në monitorim.

Sipas njoftimit, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 387 forca operacionale dhe 23 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vendosur edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.

Në Malin e Dajtit, Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Në Vakumone, Shëngjergj, vijon ndërhyrja e forcave të MZSH-së, vullnetarëve dhe strukturave vendore, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze, Krujë, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët. Në terren janë 2 automjete zjarrfikëse, 24 efektivë, 10 vullnetarë dhe 15 forca të ADZM-së. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.

Sipas MM, në Gurë-Lurë, Dibër, operacioni vijon në një perimetër të gjerë, ku janë angazhuar 115 forca bashkiake, 13 forca policore, 11 efektivë të ADZM-së, 14 efektivë të MZSH-së me 2 automjete zjarrfikëse, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA-së. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmes, Dibër, Bulqizë, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës. Në terren janë 6 forca bashkiake dhe 5 vullnetarë. Nuk raportohet rrezik për banesat.

MM bën me dije se në Bruç, Mat, zjarri ka shtrirje të gjerë në një zonë shkëmbore me akses të vështirë. Në operacion janë angazhuar një automjet zjarrfikës dhe 5 efektivë. Nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.

Në Lufaj, Mirditë, vijon puna me 20 forca për hapjen e korridoreve ndarëse, ndërsa në mbështetje është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Vatra mbetet aktive, por me intensitet më të ulët.

Sipas MM, në Tharri të Mirditës, vatra është vënë nën kontroll. Në terren janë 2 automjete zjarrfikëse, 8 efektivë të MZSH-së, 8 forca bashkiake, 15 vullnetarë dhe 5 efektivë policie. Vijon puna për shuarjen e plotë të saj.

Në Fushë-Lajë, Pukë, zjarri nuk paraqet intensitet të lartë, megjithëse ka përhapje në sipërfaqe. Në operacion janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë të MZSH-së dhe 16 forca bashkiake. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Rrjoll, Shkodër, vatra ndodhet në terren të paarritshëm. Situata po monitorohet nga afër, ndërsa për evidentimin e shtrirjes së zjarrit është përdorur edhe dron.

Ndërsa, në Trevllazër të Vlorës, vatra është nën kontroll, ndërsa strukturat e MZSH-së vijojnë punën për shuarjen e plotë.

Ndërkohë, një vatër e re është evidentuar në Leminot, Maliq, në një sipërfaqe me barishte dhe shkurre. Forcat e MZSH-së Maliq ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e saj.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve për përballimin e situatës së zjarreve në të gjithë territorin e vendit.

/e.i/

The post 21 vatra zjarri në të gjithë vendin, 11 ende aktive, 3 të tjera në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dajçi, zona ku lumi Buna krijon peizazhe e plazhe magjepsëse

16 August 2026 at 14:39

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Bregu i Bunës në zonën e Dajçit (Shkodër) është një tjetër atraksion turistik që po tërheq pushues të shumtë vendas, por edhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregu i Bunës në Dajç, vetëm 18 kilometra larg Shkodrës.

Rama e cilësoi këtë si një zonë të mrekullueshme ku lumi Buna krijon peizazhe e plazhe magjepsëse.

I rrethuar nga gjelbërimi dhe ujërat e lumit Buna, kjo zonë ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.

Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale, plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.

/e.i/a.f/

The post Dajçi, zona ku lumi Buna krijon peizazhe e plazhe magjepsëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni The Wanted, ekstradohen nga Rumania e Britania dy të shumëkërkuarit

16 August 2026 at 14:21

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët në Spanjë, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Policia e Shtetit bën me dije se operacioni ka çuar në arrestimin e dy personave të kërkuar për llogari të drejtësisë shqiptare.

Në Rinas, si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi, i shtetasit B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë.

Gjykata Qendrore e Instruksionit (Hetimit) nr. 1, pranë Audiencës Nacionale të Madridit/Spanjë, në korrik 2026, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga Kodi Penal Spanjoll.

Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës, e vendosur kryesisht në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të territorit kombëtar.

Shtetasi B. B. dyshohet se është implikuar në transportin e lëndës narkotike.

Sipas Policisë, në Rumani, autoritetet rumune kanë bërë arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.

Shtetasi A. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se shtetasi A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.

Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe rumunë, vijon veprimet për finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtyre shtetasve.

Ndërkohë, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra drejt vendit tonë i shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.

Policia informon se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xh. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester në Mbretërinë e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri.

/e.i/

The post Operacioni The Wanted, ekstradohen nga Rumania e Britania dy të shumëkërkuarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – ”Apple” paralajmëron përdoruesit e iPhone në 110 vende për sulme të mundshme kibernetike

16 August 2026 at 14:04

ROMË, 16 gusht /ATSH-ANSA/ – ”Apple” ka nisur të dërgojë njoftime sigurie për përdoruesit në 110 vende, duke i paralajmëruar për sulme të mundshme kibernetike të lidhura me programe të sofistikuara spiunazhi, të njohura si “spyware mercenar”.

Sipas të dhënave të publikuara nga TechCrunch, njoftimet shfaqen tashmë edhe drejtpërdrejt në ekranin e kyçjes së iPhone-it, krahas komunikimeve përmes emailit dhe mesazheve.

”Apple” nuk ka bërë publike listën e vendeve të përfshira dhe as nuk ka dhënë detaje mbi autorët e dyshuar të sulmeve. Kompania argumenton se publikimi i këtyre të dhënave mund t’u japë zhvilluesve të programeve spiunazhi informacion që do t’i ndihmonte të shmangnin sistemet e zbulimit.

Sipas ”Apple”, këto sulme nuk synojnë zakonisht përdoruesit e zakonshëm, por persona të caktuar për shkak të profilit apo rolit të tyre, ndër të cilët gazetarë, aktivistë, politikanë dhe diplomatë.

Kompania thekson se marrja e një njoftimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se të dhënat e përdoruesit janë komprometuar. Paralajmërimi tregon se ”Apple” ka identifikuar aktivitet në pajisje që është në përputhje me një sulm të mundshëm spyware.

Për të rritur sigurinë, ”Apple” u rekomandon përdoruesve të prekur të aktivizojnë menjëherë “Lockdown Mode”, ose Modalitetin e izolimit. Ky funksion kufizon disa veçori të iPhone-it, duke përfshirë bashkëngjitjet dhe pamjet paraprake të lidhjeve, komunikimet nga kontakte të panjohura dhe disa funksione të shfletimit në internet.

”Apple” thekson se sulmet me spyware komercial janë të vazhdueshme dhe përhapen në shkallë globale, duke i konsideruar ato një kërcënim veçanërisht serioz për personat që mund të jenë objektiv i tyre./ a.jor.

The post FOKUS – ”Apple” paralajmëron përdoruesit e iPhone në 110 vende për sulme të mundshme kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK këshillon qytetarët: Tentativa në rritje për mashtrim përmes identitetit të bankave

16 August 2026 at 16:40

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bëri sot thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes nga tentativat e mashtrimit që përdorin identitetin e bankave.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) shprehet se ka evidentuar një rritje të fushatave “phishing” dhe “smishing” që synojnë klientët e bankave në Shqipëri.

Në këto raste, aktorë keqdashës përdorin emrin, logon dhe identitetin vizual të institucioneve bankare për të dërguar SMS ose email që duken autentike. Përmes tyre, qytetarët nxiten të veprojnë menjëherë, duke klikuar në lidhje mashtruese ose duke ndarë të dhëna konfidenciale.

Mesazhet shpesh përmbajnë pretendime për:  aktivitet të pazakontë në llogari; bllokim ose pezullim të shërbimit; nevojë urgjente për konfirmimin e të dhënave.

Qëllimi i tyre është përvetësimi i kredencialeve bankare dhe i të dhënave financiare.

Ndaj AKSK u rekomandon qytetarëve mos t’u besojnë mesazheve që kërkojnë veprim të menjëhershëm ose krijojnë ndjesinë e urgjencës.

“Mos ndani asnjëherë PIN-in, fjalëkalimin, kodin OTP apo të dhënat e kartës përmes SMS-ve, email-eve ose telefonatave. Verifikoni çdo komunikim vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës suaj. Kontrolloni me kujdes adresën e faqes (URL) përpara se të klikoni në një lidhje. Nëse dyshoni se keni dhënë të dhëna sensitive, kontaktoni menjëherë bankën dhe ndiqni udhëzimet e saj”, thuhet në njoftimin e AKSK-së.

ASKS thekson se siguria e të dhënave financiare fillon me kujdesin ndaj çdo komunikimi të dyshimtë. “Përpara se të klikoni ose të ndani informacion, ndaloni dhe verifikoni”, këshillon AKSK.

/m.m/a.f/

The post AKSK këshillon qytetarët: Tentativa në rritje për mashtrim përmes identitetit të bankave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Vajzë Fest 2026”, ndërthurje e sportit dhe kulturës në Amantia

16 August 2026 at 13:21


TIRANË, 16 gusht/ATSH/ “Vajzë Fest 2026” u çel në 14 gusht me Flakën Olimpike dhe vijoi me një spektakël sportiv në Parkun Arkeologjik të Amantias, duke sjellë një atmosferë të mbushur me energji, sport dhe pasion.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot momente nga ceremonia e hapjes së këtij aktiviteti që zhvillohet në datat 14-16 gusht në parkun arkeologjik të Amantias. 

“Vajzë Fest 2026 u ndez me Flakën Olimpike dhe vazhdoi me spektakël sportiv!
Disiplina të ndryshme, sportistë plot energji dhe një atmosferë që kishte vetëm një ritëm: Full Power! E gjitha mes historisë dhe trashëgimisë së Amantias, ku sporti, kultura dhe rrënjët tona u bashkuan në një festë të vetme. Sport, energji, kulturë, pasion, adrenalinë”, tha Gonxhja.

Sportistë nga disiplina të ndryshme dhe pjesëmarrës të shumtë u bënë pjesë e aktivitetit, duke i dhënë festës ritmin dhe gjallërinë e një eventi që ndërthur sportin me kulturën.

Në sfondin e monumenteve dhe gjurmëve të lashta të Amantias, aktiviteti solli në vëmendje lidhjen mes traditës sportive, historisë dhe trashëgimisë kulturore të zonës.

Flaka Olimpike, me simbolikën e saj të bashkimit dhe të pasionit për sportin, shënoi nisjen e një feste që synon të sjellë më pranë komunitetin, sportistët dhe vizitorët në një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike të jugut të Shqipërisë.

“Vajzë Fest 2026” është një aktivitet që ndërthur sportin, energjinë, kulturën dhe trashëgiminë, duke e kthyer Amantian në një hapësirë ku historia e lashtë takohet me dinamizmin e aktiviteteve të sotme.

/m.m/a.f/

The post “Vajzë Fest 2026”, ndërthurje e sportit dhe kulturës në Amantia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – 30 000 dollarë shpërblim për çdo ushtar amerikan të kapur rob ose të vrarë

16 August 2026 at 13:17

TEHERAN, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Ushtria iraniane ka ofruar një shpërblim me vlerë pothuajse 30 000 dollarë për çdo ushtar amerikan të vrarë ose të kapur rob, sipas një raporti nga portali i lajmeve Avash.

Sipas raportit, dyfishi i shumës do t’u paguhej grave që kapin ose vrasin ushtarë amerikanë.

Shpërblimi thuhet se është ofruar nga Amir Hatami, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Iranit.

Kjo vjen në mes të tensioneve të vazhdueshme ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Në javët e fundit, të dyja palët kanë shkelur vazhdimisht një marrëveshje kornizë të 17 qershorit, e cila parashikonte një fund të përhershëm të luftës në të gjitha frontet./ a.jor.

The post IRAN – 30 000 dollarë shpërblim për çdo ushtar amerikan të kapur rob ose të vrarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌