Normal view

Received — 31 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

VATIKAN – Papa Leone XIV miraton Kushtetutën e re, hap poste drejtuese edhe për jokardinalët

31 July 2026 at 21:51

ROMË, 31 korrik /ATSH-DPA/ – Papa Leone XIV miratoi sot Kushtetutën e re të Shtetit të Vatikanit, duke zëvendësuar dokumentin themelor të miratuar nga paraardhësi i tij, papa Françesku, në vitin 2023.

Kushtetuta e re synon të përshtatë funksionimin e institucioneve të Vatikanit me ndryshimet e viteve të fundit dhe të modernizojë administrimin e shtetit më të vogël në botë.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me drejtimin e Komisionit Papnor, organi kryesor legjislativ i Shtetit të Vatikanit.

Sipas rregullave të reja, posti i kryetarit nuk do të jetë më i rezervuar vetëm për kardinalët, por mund të mbahet edhe nga persona që nuk kanë këtë status në hierarkinë e Kishës Katolike.

Kushtetuta e re zyrtarizon një rregull që papa Leone XIV e kishte vendosur tashmë në nëntor të vitit 2025.

Ndryshimi zgjidh edhe paqartësinë ligjore që u krijua në mars 2025, kur motra Raffaella Petrini mori drejtimin e guvernatoratit të Vatikanit dhe, automatikisht, edhe kryesimin e Komisionit Papnor, megjithëse nuk është kardinale.

Dokumenti i ri përbëhet nga 25 nene dhe përcakton më qartë kompetencat e guvernatoratit, mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet drejtuesve të tij, si dhe rregullat për administrimin financiar dhe procedurat shtetërore.

Gjithashtu, dokumenti thekson pavarësinë e sistemit gjyqësor të Vatikanit.

Megjithatë, Kushtetuta konfirmon se apa, në cilësinë e sovranit të Shtetit të Vatikanit, vazhdon të mbajë autoritetin më të lartë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, duke ruajtur strukturën tradicionale të qeverisjes së Selisë së Shenjtë. /Ad.Ab./  a.jor.

The post VATIKAN – Papa Leone XIV miraton Kushtetutën e re, hap poste drejtuese edhe për jokardinalët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Hamasi mohon marrëveshjen për çarmatim, vendos kushte për planin e paqes

31 July 2026 at 21:12

KAJRO, 31 korrik /ATSH-DPA/ – Lëvizja palestineze Hamas deklaroi sot se nuk ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje për çarmatimin e saj në Rripin e Gazës, duke kundërshtuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për një përparim në negociatat e paqes.

Në vend të kësaj, grupi theksoi se çdo hap i mëtejshëm varet nga përmbushja e një sërë kushtesh nga ana e Izraelit.

Një ditë më parë, burime pranë bisedimeve në Kajro kishin bërë të ditur se Hamasi kishte pranuar çarmatimin dhe demilitarizimin e Gazës, ndërsa kishte miratuar, përmes ndërmjetësve, tekstin përfundimtar të kalendarit të zbatimit të planit.

Presidenti Trump deklaroi se ishte arritur një marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe se në fazën e dytë të planit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza pas përfundimit të procesit të çarmatimit.

Megjithatë, Hamasi sqaroi se faza e dytë e marrëveshjes mund të nisë vetëm nëse Izraeli zbaton plotësisht detyrimet e fazës së parë.

Sipas grupit, këto përfshijnë ndalimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, tërheqjen e forcave izraelite nga territori dhe përmbushjen e kërkesave të tjera politike, përfshirë krijimin e një shteti palestinez.

Hamasi shtoi se përfshirja e armëve të rënda në procesin e çarmatimit mbetet e kushtëzuar nga realizimi i këtyre kërkesave.

Ndërkohë, Izraeli nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me pretendimet për një marrëveshje.

Sipas burimeve pranë Hamasit, grupi ka shprehur gatishmëri që armët e tij të vendosen nën mbikëqyrjen e një autoriteti palestinez kalimtar në Gaza dhe të ndërmjetësve ndërkombëtarë, por vetëm në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Edhe grupi militant Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ) hodhi poshtë raportimet se ishte arritur një marrëveshje e mbështetur nga SHBA-ja për çarmatimin e organizatave palestineze në Gaza.

Një zyrtar i lartë i PIJ-së tha se dokumenti që po qarkullon është vetëm një draft, ndaj të cilit grupi ka paraqitur kundërshtime.

Sipas tij, teksti aktual nuk garanton se Izraeli do të jetë i detyruar të zbatojë pjesën e vet të marrëveshjes, ndaj çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë detyruese për të dyja palët. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Hamasi mohon marrëveshjen për çarmatim, vendos kushte për planin e paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Dronë superinteligjentë “Made in Albania” për mbrojtjen e hapësirës ajrore gjatë Samitit të NATO-s

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se industria shqiptare e mbrojtjes do të vijojë të zgjerohet me produkte të reja, ndërsa bëri të ditur se prezantimi i ardhshëm do të jetë i automjetit “Shota”, i cili, sipas tij, do të jetë 100% prodhim shqiptar.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në aktivitetin për marrjen në dorëzim nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”, Rama tha se automjetet e prezantuara janë realizuar në bashkëpunim me kompani të mëdha të industrisë së mbrojtjes, ndërsa montimi është kryer në Shqipëri.

“Ceremonia tjetër do të jetë me ‘Shotën’, e cila është 100% prodhim i këtushëm, ndërkohë që këto prodhime në bashkëpunim me kolosë të industrisë që, siç thashë, kanë sjellë këtu pjesë këmbimi që të gjitha kanë ardhur në Shqipëri dhe me miratimin e tyre kanë edhe logon sot është dita kur FA nuk janë më një adresë për djem dhe vajza që nuk kishin asnjë rrugë tjetër por janë një flotë krenarie kombëtare”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “më vjen jashtëzakonisht mirë që ka një numër të rritur të atyre që duan të bëhen pjesë e FA-së dhe ju them se keni bërë zgjedhjen më të mirë, sepse jeni pjesë e një sektori të jetës ku pagat do t’ju rriten në vazhdimësi dhe ku do të jeni të parët, pas gjykatësve dhe prokurorëve. Atyre ua kemi dhënë më përpara, por do të jeni të parët që do të keni paga në mesataren e forcave të NATO-s. Sot e keni pagën më të lartë në të gjithë rajonin”.

Kryeministri Rama u bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen Forcave të Armatosura, duke nënvizuar se shërbimi ushtarak lidhet tashmë me teknologjinë dhe inovacionin.

“Nuk është më çështja ‘hajde se po shkoj ushtar’, por është çështja “po bëhem pjesë e një historie të re krenarie”, ku flitet për teknologji, inteligjencë artificiale, inxhinieri, prodhim, për gjëra krejt të tjera dhe patjetër ku trajnimi është me dinjitetin më të lartë”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “mezi pres që të fillojmë të tregojmë edhe disa gjëra të tjera që po fillojnë të prodhohen në Shqipëri, ku, siç e kemi premtuar, mbrojtja e qiellit, në samitin e NATO-s, ku do të jetë edhe presidenti i SHBA-së – e dini edhe ju si mbrohet nga qielli – mbrojtja e qiellit do të bëhet me dronë superinteligjentë të prodhuar në Shqipëri, “Made in Albania”. Tanimë jemi gati. Kemi bërë progres edhe për mbrojtjen më të sofistikuar kundërajrore, të cilën do ta ketë shumë shpejt edhe Shqipëria”.

/k.s/r.e/

The post Rama: Dronë superinteligjentë “Made in Albania” për mbrojtjen e hapësirës ajrore gjatë Samitit të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Macron shpreh solidaritetin me Spanjën, pas përballjes me fluksi e migrantëve

PARIS, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu sot solidaritetin e Francës me Spanjën, që po përballet me një fluks të jashtëzakonshëm migrantësh nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës.

“Unë përsëris solidaritetin tonë me Spanjën, qeverinë e saj dhe popullin e saj”, shkroi presidenti francez në X, duke shtuar se kishte qenë në kontakt me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez.

“Ceuta nuk përfiton nga lëvizja e lirë në pjesën tjetër të zonës Shcengen”, vuri në dukje presidenti.

Megjithatë, ai i kërkoi ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez të forcojë kontrollet kufitare me Spanjën nëse është e nevojshme, me katër njësi forcash mobile dhe vendosjen e avionëve dhe dronëve./  a.jor.

The post FRANCË – Macron shpreh solidaritetin me Spanjën, pas përballjes me fluksi e migrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Modernizimi i rrjetit elektrik në Synej, furnizim i qëndrueshëm për Kavajën

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, ishte ne Synej të Kavajës ku pa nga afër investimin që po realizon OSHEE për zëvendësimin e linjës ekzistuese të energjisë me sistem kabllor ABC.

Ky investim do të shtrihet në fshatin Synej, Qerret dhe në të gjitha lagjet e qytetit të Kavajës, me synim përmirësimin e cilësisë së rrjetit elektrik dhe garantimin e një furnizimi të pandërprerë me energji për banorët dhe bizneset.

Balla vlerësoi angazhimin e punonjësve të OSHEE, duke theksuar se, gjatë gjithë vitit por edhe veçanërisht gjatë sezonit turistik, strukturat e energjisë elektrike duhet të jenë në krye të detyrës për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe për t’iu përgjigjur në kohë çdo problematike që mund të shfaqet.

Balla nënvizon se modernizimi i rrjetit do të reduktojë ndërprerjet, do të rrisë efikasitetin e sistemit dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimit për të gjithë banorët dhe vizitorët e zonës.

/e.i/j.p/

The post Balla: Modernizimi i rrjetit elektrik në Synej, furnizim i qëndrueshëm për Kavajën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Polonia intercepton një tjetër avion zbulues rus mbi Baltik

31 July 2026 at 20:08

VARSHAVË, 31 korrik /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore të Polonisë kanë interceptuar edhe një avion zbulues rus mbi detin Baltik, në një incident të ri që rrit tensionet mes NATO-s dhe Rusisë.

Lajmi u konfirmua sot nga qeveria polake.

Sipas ministrit polak të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, dy avionë luftarakë “F-16” u ngritën menjëherë pasi u zbulua një avion rus i tipit “Il-20” rreth 40 kilometra në veri të qytetit bregdetar Kolobrzegl.

Ministri bëri të ditur se avioni ndodhej në hapësirën ajrore ndërkombëtare, por fluturonte pa plan fluturimi dhe me transponderin të fikur, çka e bën më të vështirë identifikimin dhe monitorimin e tij.

Autoritetet polake theksuan se hapësira ajrore e vendit nuk u shkel, megjithatë avionët “F-16” u angazhuan për të identifikuar dhe monitoruar lëvizjet e mjetit rus.

Varshava ka raportuar se fluturimet e avionëve zbulues rusë pranë brigjeve të saj janë shtuar ndjeshëm javët e fundit.

Vetëm në mesin e korrikut, Forcat Ajrore polake interceptuan avionë ushtarakë rusë për tre ditë radhazi.

Pilotët polakë vendosën kontakt vizual me ekuipazhet ruse dhe u dhanë sinjale për t’u larguar nga zona, në përputhje me procedurat standarde të NATO-s.

Shqetësimi për sigurinë është rritur edhe më shumë pas një incidenti të ndodhur një ditë më parë, kur një raketë ruse e tipit “CH-101” hyri në hapësirën ajrore të Polonisë dhe u rrëzua pranë qytetit të Lublinit gjatë sulmeve masive ajrore ruse ndaj Ukrainës.

Edhe pse nuk pati të lënduar, autoritetet polake dhe vendet baltike paralajmërojnë se Rusia mund të shtojë provokimet ndaj territorit të NATO-s, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VARSHAVË – Polonia intercepton një tjetër avion zbulues rus mbi Baltik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullat e reja për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton rregullat, procedurat, shpenzimet dhe kompensimin financiar për punonjësit e institucioneve publike që dërgohen me shërbim jashtë vendit, duke zëvendësuar kuadrin rregullator në fuqi prej vitit 2011.

Vendimi parashikon se punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, përfshirë edhe këshilltarët e jashtëm në administratën qendrore, përfitojnë mbështetje financiare për shpenzimet e udhëtimit kur marrin pjesë në konferenca, takime pune, veprimtari ndërkombëtare apo trajnime afatshkurtra jashtë vendit.

Sipas vendimit, çdo institucion do të hartojë në fillim të vitit programin vjetor të veprimtarive që do të zhvillohen jashtë vendit, në përputhje me fondet buxhetore të disponueshme. Dërgimi me shërbim do të bëhet me urdhër të titullarit të institucionit, ku do të përcaktohen qëllimi i udhëtimit, niveli i përfaqësimit dhe numri i pjesëmarrësve.

Vendimi përcakton se shpenzimet që mbulohen përfshijnë transportin ndërkombëtar dhe vendas, akomodimin në hotel, siguracionin shëndetësor, tarifat e vizës dhe detyrime të tjera të lidhura me udhëtimin, si edhe shpenzimet ushqimore sipas kategorive të funksioneve dhe shteteve pritëse.

Për trajnimet afatshkurtra, me kohëzgjatje deri në një muaj, punonjësit do të përfitojnë 40 euro ose dollarë amerikanë në ditë për ushqim, në rastet kur ky shpenzim nuk mbulohet nga pala pritëse. Kur pala pritëse mbulon vetëm një pjesë të shpenzimit, institucioni do të kompensojë diferencën deri në këtë vlerë.

Vendimi përcakton kriteret për akomodimin në hotel sipas kategorive të funksioneve, duke lejuar, në raste të veçanta, akomodim në struktura me kategori më të lartë kur kjo diktohet nga organizimi i aktivitetit ose rezulton ekonomikisht më i favorshëm.

Në rastet kur aktiviteti financohet pjesërisht nga organizatorët, institucioni mbulon vetëm pjesën e pambuluar të shpenzimeve, ndërsa kur të gjitha kostot mbulohen nga pala pritëse, nuk kryhet asnjë pagesë nga buxheti i institucionit.

Vendimi parashikon edhe procedurat për kompensimin e shpenzimeve. Punonjësit do të marrin paraprakisht paradhënie për shpenzimet e udhëtimit, ndërsa pas kthimit do të bëhet rakordimi mbi bazën e dokumentacionit justifikues. Në rast se janë paguar më shumë fonde se sa shpenzimet faktike, diferenca do të kthehet në buxhet, ndërsa në rast të kundërt institucioni do të likuidojë shumën e mbetur.

Rregullat e reja rekomandohen të zbatohen edhe nga entet publike jobuxhetore, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi nr. 870, datë 14 dhjetor 2011, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”. Vendimi i ri hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/e.i/j.p/

The post Rregullat e reja për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet krijimi i regjistrit elektronik kombëtar të kanabisit

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria miratoi vendimin për krijimin e regjistrit elektronik kombëtar ku do të dokumentohet i gjithë aktiviteti i licensuar dhe i lejuar i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial.

Sipas vendimit, regjistri do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit, ndërsa ngritja, hostimi dhe mirëmbajtja teknike do të realizohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Kostot do të mbulohen nga buxheti i AKSHI-t.

Sistemi do të lidhet me portalin “e-Albania”, regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, sistemet e Tatimeve dhe Doganave, Gjendjen Civile dhe sistemin e shënjimit dhe gjurmueshmërisë që administrohet teknikisht nga shoqëria “ALBTrace CO”.

Në të do të regjistrohen të dhënat për licencat dhe lejet, importin, kultivimin dhe përpunimin, sasitë e prodhuara, analizat laboratorike, etiketimin, transportin, eksportin, menaxhimin e mbetjeve, inspektimet dhe masat administrative. Regjistri do të përmbajë gjithashtu të dhëna për detyrimet tatimore, deklaratat doganore, vendin e origjinës dhe destinacionit të mallrave.

Përdorues të sistemit do të jenë ministritë përgjegjëse për shëndetësinë dhe bujqësinë, Agjencia e Kanabisit, Doganat, Tatimet, Policia e Shtetit, institucionet e mjedisit, ushqimit dhe barnave, “ALBTrace CO” dhe vetë subjektet e licencuara.

Vendimi parashikon detyrimin e subjekteve për të hedhur të dhëna të sakta dhe në kohë. Mosraportimi ose paraqitja e informacionit që nuk përputhet me situatën reale do të konsiderohet shkelje. Agjencia mund të korrigjojë të dhënat dhe, kur konstaton veprime të paligjshme, të pezullojë menjëherë aksesin, pa përjashtuar përgjegjësinë administrative, civile ose penale.

Çdo veprim në regjistër do të ruhet automatikisht në gjurmë elektronike të auditueshme dhe të pamodifikueshme, ku do të identifikohen përdoruesi, koha, vendndodhja dhe ndërhyrja e kryer. Për institucionet dhe subjektet do të ketë tri nivele aksesi: administrator, regjistrues dhe shikues.

Regjistruesit mund të korrigjojnë ose fshijnë të dhënat e hedhura gabimisht vetëm brenda 24 orëve. Pas këtij afati, ndryshimet mund të kryhen vetëm nga administratori. Kur një licence ose leje i hiqet vlefshmëria, Agjencia duhet të çaktivizojë menjëherë aksesin e subjektit në sistem

/e.i/j.p/

The post Miratohet krijimi i regjistrit elektronik kombëtar të kanabisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria nxjerr për konsultim publik ligjin “Për produktet mjekësore veterinare”

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik, reformën për veterinarinë përmes projektligjit të ri “Për produktet mjekësore veterinare”.

Projektligji, i përfshirë në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024–2026, përfaqëson një nga proceset më të rëndësishme të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në kapitujt që lidhen me sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas vendimit, projektligji ndërton një sistem të plotë që mbulon të gjithë ciklin e jetës së një produkti mjekësor veterinar, nga autorizimi i tregtimit dhe prodhimi, deri tek përdorimi në fermë, monitorimi pas hedhjes në treg dhe kontrolli laboratorik.

Një nga risitë më të rëndësishme është forcimi i farmakovigjilencës veterinare. Për herë të parë krijohet një bazë qendrore kombëtare e të dhënave, e cila synon të komunikojë me sistemin evropian të farmakovigjilencës, duke mundësuar raportimin dhe analizimin në kohë reale të efekteve të padëshiruara të barnave veterinare. Ky mekanizëm e afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian në monitorimin e sigurisë së produkteve pas futjes në treg.

Projektligji përmban gjithashtu masa të forta kundër rezistencës ndaj antibiotikëve, një problem që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron ndër kërcënimet më serioze për shëndetin global. Ai ndalon përdorimin rutinë të antibiotikëve për profilaksi në ferma, kufizon ndjeshëm përdorimin preventiv dhe vendos rregulla të reja për përshkrimin e tyre vetëm në raste të justifikuara mjekësore. Njëkohësisht, parashikohet mbledhja sistematike e të dhënave mbi përdorimin e antimikrobikëve sipas specieve dhe hartimi i Planit Kombëtar për kontrollin e rezistencës antimikrobike.

Projektligji vendos ndalim pothuajse të plotë për substancat me veprim hormonal, tireostatik dhe beta-agonistët, duke lejuar përdorimin e tyre vetëm në raste shumë të kufizuara terapeutike dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të veterinerit. Çdo trajtim duhet të regjistrohet, ndërsa kafshët duhet të identifikohen individualisht për të garantuar gjurmueshmërinë.

Në praktikë, kjo do të thotë se autoritetet do të kenë mundësi të ndjekin historikun e trajtimit të një kafshe deri në produktin final që arrin në treg, duke ulur ndjeshëm rrezikun që në mish, qumësht apo produkte të tjera me origjinë shtazore të gjenden mbetje të substancave të rrezikshme.

Projektligji vendos gjithashtu rregulla të reja për autorizimin e barnave veterinare. Në shumë raste, autorizimet do të kenë vlefshmëri të pakufizuar, duke reduktuar barrën administrative për operatorët ekonomikë, ndërsa procedurat për ndryshimet teknike thjeshtohen. Çdo produkt do të pajiset me identifikim unik të paketimit, një masë që synon të luftojë falsifikimin dhe tregtimin e barnave të pasigurta.

Projektligji legalizon shitjen online të produkteve veterinare që nuk kërkojnë recetë, duke vendosur standarde të harmonizuara me Bashkimin Evropian dhe mekanizma për të garantuar që konsumatorët të blejnë vetëm nga platforma të autorizuara.

Në aspektin e sigurisë ushqimore, projektligji ndërton një sistem të detajuar për kontrollin e mbetjeve të substancave farmakologjikisht aktive në ushqimet me origjinë shtazore. Çdo substancë do të klasifikohet mbi bazën e një vlerësimi shkencor, duke përcaktuar kufijtë maksimalë të lejuar ose duke ndaluar plotësisht përdorimin e saj në rast se nuk garantohet siguria për konsumatorin. Nëse laboratorët zbulojnë nivele mbi kufijtë e lejuar, autoritetet do të nisin automatikisht hetime dhe masa administrative.

Ky sistem mbështetet në konceptin evropian “One Health” (“Një Shëndet”), sipas të cilit shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe mjedisit janë të lidhur ngushtë. Për këtë arsye, projektligji nuk trajton vetëm barnat veterinare, por edhe ndikimin e tyre në biodiversitet, në sigurinë ushqimore dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Reforma pritet të ketë ndikim edhe në sektorin blegtoral dhe atë të akuakulturës. Duke vendosur standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian, Shqipëria synon të rrisë besueshmërinë e produkteve me origjinë shtazore, të përmirësojë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe të krijojë kushte më të favorshme për eksport.

/e.i/j.p/

The post Qeveria nxjerr për konsultim publik ligjin “Për produktet mjekësore veterinare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”Forbes”: Shqipëria një ndër vendet më të mira në botë për të jetuar pas daljes në pension

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ – Sipas prestigjiozes amerikane ”Forbes”, Shqipëria renditet ndër vendet më tërheqëse për pensionistët falë kostos së ulët të jetesës, klimës mesdhetare dhe peizazheve të saj të bukura.

Revista vlerëson gjithashtu kujdesin shëndetësor të përballueshëm, nivelin e ulët të kriminalitetit dhe procedurat relativisht të lehta për marrjen e lejes së qëndrimit.

Megjithatë, theksohen edhe disa sfida, si mungesa e një marrëveshjeje tatimore me SHBA-në dhe fluturimet që zakonisht kërkojnë të paktën një ndalesë.

”Shqipëria. Vend i lirë me klimë mesdhetare me pamje madhështore

Vendndodhjet më të mira: Tirana, Durrësi, Saranda, Vlora,
Kostot e jetesës: Shumë më të ulëta se mesatarja e SHBA-së
Kujdesi shëndetësor: I përshtatshëm, por duke u përmirësuar
Fitimi i të drejtës së qëndrimit: Relativisht i lehtë

Vendi i fundit komunist që ra në Evropën Lindore, Shqipëria tani është anëtare e NATO-s.

Ajo shtrihet në anën lindore të detit Adriatik përballë Italisë. Vendi i Shqiponjave ka një klimë mesdhetare, plazhe dhe male piktoreske, dhe një kosto jetese sa gjysma e mesatares së SHBA-së.

Krimi ka nivele të ulëta dhe qeveria është mjaft e qëndrueshme (megjithëse një plan që përfshin dhëndrin e Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar projekte të mëdha luksoze përgjatë bregdetit Adriatik ka shkaktuar protesta në rritje).

Kujdesi shëndetësor është i lirë sipas standardeve të SHBA-së, i përshtatshëm dhe duke u përmirësuar, por disa pacientë ende preferojnë të mjekohen në Itali ose Londër.

Sigurimi shëndetësor privat është i domosdoshëm. Anglishtja flitet, veçanërisht nga të rinjtë shqiptarë, por jo kudo, dhe shqipja, e cila ka 36 shkronja, mund të jetë e vështirë për t’u mësuar.

Nuk ka asnjë traktat tatimor me SHBA-në që ndalon taksimin e dyfishtë, por normat e taksave në Shqipëri janë të ulëta dhe kredia tatimore e huaj e SHBA-së ndihmon shumë.

Një pensionist amerikan mund të qëndrojë në vend si “turist” për një vit të plotë, kohë e mjaftueshme për të punuar për të fituar leje më të gjata. Vizat njëvjeçare që lejojnë nomadët dixhitalë që punojnë (të quajtura “Leje unike”), një rrugë tjetër për një qëndrim të pacaktuar, janë në dispozicion dhe mund të rinovohen pesë herë. Hapi tjetër është një Vizë Qëndrimi e Gjatë D, që çon në një vizë pensioni.

Për një çift, kjo kërkon një paraqitje prej rreth 20 000 dollarësh në të ardhura vjetore nga pensioni nga jashtë vendit. Nga ana tjetër, fluturimet për në SHBA kërkojnë një ndalesë ose ndërrim diku. Vendet e njohura të pensionistëve përfshijnë kryeqytetin Tirana dhe qytetet bregdetare të Durrësit, Sarandës dhe Vlorës”, shkruan ”Forbes”.

Përveç Shqipërisë, ”Forbes” përmend edhe Argjentinën, Austrinë, Kanadanë, Kolumbinë, Kosta Rikën, Qipron, Francën, Irlandën, Greqinë, Italinë, Maltën, Malin e Zi apo Portugalinë./ a.jor.

The post ”Forbes”: Shqipëria një ndër vendet më të mira në botë për të jetuar pas daljes në pension appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Italia pezullon marrëveshjen Schengen me Spanjën, mbyll kufijtë ajrorë dhe detarë

31 July 2026 at 19:27

ROMË, 31 korrik /ATSH/ – Italia ka vendosur të pezullojë zbatimin e marrëveshjes Schengen me Spanjën, duke mbyllur kufijtë ajrorë dhe detarë mes dy vendeve, sipas “La Repubblica”.

Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme italiane pas analizimit të informacioneve të fundit të sigurisë nga Komiteti për Analizën e Emigracionit dhe Sigurisë Kufitare.

Sipas autoriteteve italiane, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me homologun francez, Laurent Nunez, gjatë së cilës u ra dakord forcimi i kontrolleve përgjatë kufirit tokësor mes Italisë dhe Francës, në kuadër të bashkëpunimit policor mes dy vendeve.

Masat synojnë rritjen e sigurisë dhe kontrollit të lëvizjes ndërkufitare në përgjigje të zhvillimeve të fundit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ROMË – Italia pezullon marrëveshjen Schengen me Spanjën, mbyll kufijtë ajrorë dhe detarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bujtina Oxhaku i Doçit në Lurë, përvojë fantastike për vizitorët

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Sipërmarrjet agroturistike janë kthyer në promotor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik duke rritur punësimin dhe promovimin e zonave rurale.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, shembullin e bujtinës “Oxhaku i Doçit” që ndodhet në Lurë.

Rama e konsideroi këtë sipërmarrje, një destinacion të veçantë turistik, i rrethuar nga natyra, që u ofron vizitorëve qetësi dhe një përvojë fantastike.

“E mbështetur nga AZHBR, ajo ka një kapacitet prej 12 dhomash dhe, në bashkëpunim me familjet fermere të zonës, siguron produkte të freskëta për përgatitjen e gatimeve tradicionale, duke sjellë në tryezë shijet dhe traditat e Lurës”, tha Rama.

Bujtina “Oxhaku i Doçit” në Lurë është një ndër shembujt e turizmit rural cilësor, ku tradita, natyra dhe kujdesi për detajin bashkohen për t’i ofruar çdo vizitori një eksperiencë autentike shqiptare.

Vitet e fundit potenciali turistik i zonave rurale ka krijuar mundësi shumë të mira për ngritjen e sipërmarrjeve agroturistike, të cilat janë shndërruar në destinacionin e preferuar për vizitorët, në çdo stinë të vitit.

/e.i/j.p/

The post Bujtina Oxhaku i Doçit në Lurë, përvojë fantastike për vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pezullimi i punimeve të ndërtimit në sezon turistik, Demo: Bashkitë, rol kyç në monitorim dhe zbatim

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo reagoi sot pas vendimit të miratuar ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në lidhje me pezullimin e punimeve dhe aktiviteteve të përcaktuara në zonat me interes turistik deri më 15 shtator.

Në një postim në rrjetet sociale, Demo tha se “ky vendim zbatohet për çdo punim apo aktivitet që zhvillohet brenda këtyre zonave, përfshirë edhe punimet që kryhen në zbatim të kontratave publike”.

“Respektimi i tij është detyrim ligjor për çdo subjekt”, tha ai.

Demo theksoi se “bashkitë, si autoritetet më pranë komunitetit, kanë një rol kyç në monitorimin dhe zbatimin e këtij vendimi, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse”.

Ministri Demo ftoi qytetarët, bizneset dhe turistët të denoncojnë çdo rast të mosrespektimit të këtij vendimi pranë autoriteteve kompetente.

“Respektimi i ligjit, mbrojtja e hapësirave turistike dhe garantimi i një sezoni të qetë janë përgjegjësi që na përkasin të gjithëve”, përfundoi Demo.

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe të aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike gjatë sezonit turistik 2026, me qëllim garantimin e zhvillimit të qetë të tij.

Sipas vendimit të qeverisë periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.

Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to.

Gjithashtu do të ndalohen punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve, si edhe punimet që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.

Nga ky pezullim përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që janë të pajisura me lejet përkatëse dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.

/e.i/j.p/

The post Pezullimi i punimeve të ndërtimit në sezon turistik, Demo: Bashkitë, rol kyç në monitorim dhe zbatim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA zgjeron dominimin në tregun evropian të gazit përmes Ballkanit

31 July 2026 at 18:48

UASHINGTON, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Ndërsa Bashkimi Evropian po shkëputet gradualisht nga energjia ruse, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po forcojnë pozitat si furnizuesi kryesor i gazit natyror për Evropën.

Sipas ekspertëve, terminali kroat i gazit të lëngshëm (LNG) në ishullin Krk mund të shndërrohet në një nyje strategjike për furnizimin e Europës Qendrore dhe Lindore.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, BE-ja ka përshpejtuar planet për të eliminuar varësinë nga gazi rus.

Aktualisht, Rusia mbulon rreth 12% të importeve të gazit të bllokut, por deri në fund të vitit 2027 Bashkimi Evropian synon t’i ndalojë plotësisht këto importe.

Terminali lundrues i LNG-së në Krk, i zgjeruar së fundmi, ka kapacitet të përpunojë rreth 6,1 miliardë metra kub gaz në vit, ose afërsisht 2% të konsumit vjetor të BE-së.

Përmes tubacioneve që lidhen me Hungarinë, ai mundëson transportin e gazit amerikan drejt Evropës Qendrore.

Analisti i energjisë Ivan Brodiç thotë se SHBA-ja synon të zëvendësojë plotësisht ndikimin rus në sektorin energjetik të rajonit.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse Uashingtoni mbështet ndërtimin e një interkonektori të ri të gazit mes Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, i cili do ta lidhte Bosnjën me terminalin e Krkut dhe me rrjetin evropian të gazit.

Administrata amerikane promovoi këtvë vit edhe nismën “Trump Peace Pipelines Framework”, e cila synon zgjerimin e infrastrukturës energjetike në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Plani parashikon që Kroacia të shndërrohet në një qendër të rëndësishme tranziti jo vetëm për gazin, por edhe për naftën, falë rrjetit ekzistues të tubacioneve që e lidhin me Bosnjën, Hungarinë, Slloveninë dhe Serbinë.

Një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe Ukraina. Sipas operatorit ukrainas të depozitimit të gazit, furnizimi përmes terminalit të Krkut mund të jetë rruga më ekonomike për importet e gazit.

Për më tepër, kapacitetet e mëdha të magazinimit nëntokësor të Ukrainës mund të shërbejnë si rezervë strategjike për gazin që më pas do të shpërndahej në vende të tjera evropiane.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se realizimi i këtyre planeve do të kërkojë investime të mëdha në zgjerimin e rrjetit të tubacioneve. Edhe pse terminali i Krkut është rezervuar plotësisht deri në vitin 2036, kapacitetet aktuale nuk do të mjaftojnë nëse kërkesa për gaz amerikan në rajon vazhdon të rritet./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA zgjeron dominimin në tregun evropian të gazit përmes Ballkanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Greqia në betejë me 73 vatra zjarri, era e fortë vështirëson ndërhyrjen

31 July 2026 at 18:10

ATHINË, 31 korrik /ATSH-ANA/ – Greqia po përballet me një situatë kritike nga zjarret, ndërsa forcat zjarrfikëse po luftojnë njëkohësisht me 73 vatra aktive në të gjithë vendin.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, vatrat më problematike ndodhen në Kalamaki dhe Ksironomi (Xiromoni) të rajonit të Beotisë, ku terreni i vështirë dhe erërat me intensitet të lartë po pengojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Komunikimit në Shërbimin Zjarrfikës, Vasilis Vathrakogiannis, bëri të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 51 zjarre të reja në zona pyjore dhe bujqësore.

Ai paralajmëroi se rreziku mbetet shumë i lartë, ndërsa për të shtunën Athina dhe Evia pritet të jenë në nivelin ekstrem të rrezikut për shpërthimin e zjarreve.

Një nga frontet më të vështira është ai në malin Poikilo, pranë Athinës, ku janë angazhuar 95 zjarrfikës, gjashtë ekipe speciale të pyjeve, vullnetarë dhe 22 mjete zjarrfikëse.

Prioritet i autoriteteve ka qenë mbrojtja e spitalit psikiatrik Dafni, ndërsa në zonë ndodhen edhe banesa, çka detyroi autoritetet të dërgojnë mesazhe emergjente për evakuimin e banorëve.

Në Beoti po zhvillohet një operacion i madh me 215 zjarrfikës, dhjetë ekipe speciale, 57 automjete, mjete të rënda të ushtrisë dhe makineri të autoriteteve lokale për hapjen e brezave mbrojtës kundër zjarrit.

Flakët u përhapën drejt vendbanimit bregdetar të Agios Vasileios, duke bërë të nevojshme evakuimin e 254 personave, të cilët u transportuan në siguri me anije të Shërbimit Zjarrfikës, Rojes Bregdetare dhe mjete private lundruese.

Forca të shumta janë angazhuar edhe në zjarret në Komboti të Artës dhe Fihti të Argolidës, ku flakët po kërcënojnë zona me banesa të shpërndara.

Megjithatë, autoritetet raportojnë se zjarret në Maratho të Evritanisë, Arhondohori të Amfilohisë, Floka të Ahaisë dhe Hinitsa të Argolidës janë vënë nën kontroll ose janë në rënie.

Shërbimi Zjarrfikës theksoi se të gjitha mjetet ajrore janë vënë në dispozicion për operacionet, por në shumë raste avionët dhe helikopterët nuk kanë mundur të furnizohen me ujë ose të ndërhyjnë për shkak të erërave shumë të forta, të cilat krijojnë turbulenca të rrezikshme dhe vënë në rrezik sigurinë e fluturimeve.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e mbrojtjes civile dhe njoftimet e sistemit të emergjencës 112./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Greqia në betejë me 73 vatra zjarri, era e fortë vështirëson ndërhyrjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj vizitë zyrtare në Indonezi, ftesë për sipërmarrjen që të investojë në Shqipëri

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Indonezisë, u prit në takim nga ministri i Investimeve dhe Industrisë së Përpunimit të Indonezisë dhe kreu i Bordit Koordinues të Investimeve (BKPM), Rosan P. Roeslani.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Indonezisë, me fokus nxitjen e investimeve, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e lidhjeve të reja mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.

Ministrja Ibrahimaj prezantoi potencialin e Shqipërisë për investime dhe ftoi komunitetin e biznesit indonezian të angazhohet në projekte me interes të përbashkët në tregun shqiptar.

Palët diskutuan gjithashtu avancimin e një kuadri bashkëpunimi përmes një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), i cili do të krijojë mundësi për forcimin e partneriteteve ekonomike, promovimin e investimeve dhe zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët.

Takimi ishte pjesë e agjendës së vizitës zyrtare të ministres Ibrahimaj në Indonezi, në kuadër të angazhimit për zgjerimin e partneriteteve ekonomike ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim e rritje të qëndrueshme.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e ...
1 nga 7

/e.i/j.p/

The post Ibrahimaj vizitë zyrtare në Indonezi, ftesë për sipërmarrjen që të investojë në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA akuzon Spanjën për përpjekje të qëllimshme për të lehtësuar migracionin e paligjshëm

UASHINGTON, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara akuzuan sot Spanjën se po bën përpjekje të qëllimshme për të lehtësuar migracionin e paligjshëm, pas fluksit masiv prej 60 000 emigrantësh në enklavën spanjolle të Ceutës, e vendosur në bregdetin verior të Marokut.

“Ky incident i papranueshëm është një rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të qëllimshme të qeverisë spanjolle për të lejuar dhe lehtësuar imigracionin masiv të paligjshëm në Evropë”, tha Departamenti i Shtetit i SHBA-së në X.

Rreth 65 000 emigrantë kanë hyrë në territorin spanjoll, Ceuta nga Maroku gjatë 24 orëve të fundit, përmes rrugëve tokësore dhe detare, sipas vlerësimeve të autoriteteve spanjolle.

Rreth 37 500 prej tyre janë rikthyer.

Pamjet e publikuara treguan mijëra persona duke notuar drejt Ceutas, ndërsa kalimet vazhduan edhe gjatë natës. Autoritetet bëjnë të ditur se të paktën 18 persona kanë humbur jetën ditët e fundit, gjatë përpjekjeve për të arritur në territorin spanjoll.

Ceuta, me rreth 83 600 banorë, përballet me një fluks emigrantësh që përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së saj.

Sipas autoriteteve, rreth 7 000 nga emigrantët janë të mitur, ndërsa shumica e të ardhurve janë burra të rinj, por mes tyre ka edhe gra, fëmijë dhe foshnja.

Pas përshkallëzimit të situatës, Spanja dislokoi forcat e armatosura për të përforcuar sigurinë në Ceuta dhe në enklavën tjetër spanjolle, Melilla, ku u raportuan edhe 300–400 kalime të tjera gjatë natës.

Kriza vjen pak ditë, pasi Gjykata e Lartë e Spanjës vendosi se emigrantët e ndaluar në det gjatë përpjekjes për të hyrë në Ceuta ose Melilla, nuk mund të kthehen menjëherë në Marok./  a.jor.

The post FOKUS – SHBA akuzon Spanjën për përpjekje të qëllimshme për të lehtësuar migracionin e paligjshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Edhe Shqipëria pjesë e ”Balkan Open Door”

SOFJE, 31 korrik /ATSH-BTA/ – Nisma ”Balkan Open Door” – Biznes, Modë dhe Art u prezantua në Klubin Kombëtar të Shtypit BTA në Sofje, pasi forumi i saj themelues mblodhi përfaqësues nga shtatë vende.

Mila Zaharieva, themeluese e ”Balkan Open Door” dhe pronare e ”International Fashion Connection Group”, tha se platforma u krijua në Bullgari për të lidhur biznesin, modën, kulturën, artin, arsimin dhe institucionet përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe projekteve të përbashkëta.

Gjatë forumit, u diskutua dhe u miratua një memorandum themelues për iniciativën, dhe u krijuan degët e para ndërkombëtare, me presidentët e tyre që nënshkruan memorandumin.

U diskutuan gjithashtu prioritetet e ardhshme të organizatës, mundësitë për iniciativa ndërkombëtare, partneritetet midis vendeve dhe korniza për projekte të përbashkëta në vitet e ardhshme.

Zaharieva prezantoi presidentët e parë të degëve ndërkombëtare.

Ajo vetë drejton degën bullgare.

Andriola Kambo, një sipërmarrëse dhe themeluese e ”Muza Fashion Fair”, drejton degën në Shqipëri.

Valeria Meletidi, një sipërmarrëse dhe udhëheqëse biznesi, drejton degën në Greqi.

Kubra Kaza, një lidere ndërkombëtare biznesi, drejton degën turke.

Dega serbe drejtohet nga Bata Spasojevic, një stiliste mode e njohur ndërkombëtarisht dhe themeluese e ”Individual”.

Mariana Micheli, themeluese dhe presidente e ”Mad Mood Milano Fashion Week” dhe ”Mediterranean Fashion and Food Week”, drejton degën italiane.

Marina Banovic, një stiliste mode e njohur ndërkombëtarisht dhe themeluese e ”Marina Banovic Atelier”, drejton degën e Malit të Zi.

”Balkan Open Door’ ka potencialin të bëhet një urë lidhëse midis Italisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit”, tha Micheli.

“Unë besoj se mund të rritemi së bashku dhe të ofrojmë mundësi për stilistët ballkanas për të punuar në Itali. Kjo iniciativë na paraqet edhe mundësi të rëndësishme, sepse organizata vepron jo vetëm në fushën e modës, por edhe në biznes dhe arte, gjë që do të hapë më shumë perspektiva biznesi për Italinë në Ballkan”, theksoi ajo./  a.jor.

The post FOKUS – Edhe Shqipëria pjesë e ”Balkan Open Door” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: Zbulimi i varrit masiv në Kalludër dëshmi e krimeve të luftës, Shqipëria në krah të Kosovës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot pas zbulimit të një varri tjetër masiv në Kalludër të Kosovës, duke e cilësuar atë një kujtesë të dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, MEPJ thekson se çdo zbulim i tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi e krimeve të kryera gjatë luftës.

“Eshtrat e zbuluara janë një kujtesë e fortë e krimeve të kryera dhe e nevojës që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen, ndërsa drejtësia të vihet në vend”, thuhet në reagim.

Sipas ministrisë, për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre, çdo identifikim përbën një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rikonfirmon se Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe ruajtjen e së vërtetës historike.

“Pa të vërtetën nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm”, përfundon reagimi i MEPJ-së.

/e.i/j.p/

The post MEPJ: Zbulimi i varrit masiv në Kalludër dëshmi e krimeve të luftës, Shqipëria në krah të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – BE përballet me krizë të re migracioni, mijëra hynë në enklavën spanjolle të Ceutas

31 July 2026 at 16:49

BRUKSEL, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Kriza e re migratore në enklavën spanjolle të Ceutës po konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Bashkimi Evropian në vitet e fundit.

Brenda vetëm pak ditësh, rreth 60 mijë emigrantë kaluan nga Maroku në enklavë. në Afrikën e Veriut, duke krijuar një situatë emergjente humanitare dhe sigurie.

Sipas autoriteteve lokale, shumë prej tyre notuan rreth barrierës kufitare që hyn në Detin Mesdhe, ndërsa të paktën 34 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të arritur në territorin spanjoll.

Qeveria e Spanjës reagoi menjëherë duke dërguar në Ceutë trupa ushtarake, forca shtesë policie, zhytës, dronë dhe mjete patrullimi detar për të kontrolluar situatën.

Kryeministri Pedro Sanchez dhe ministri i Brendshëm vizituan personalisht enklavën, ndërsa autoritetet njoftuan se rreth 25 mijë emigrantë janë kthyer vullnetarisht në Marok.

Megjithatë, qindra të tjerë vazhdojnë të mbërrijnë ose të qëndrojnë pranë kufirit, duke ushtruar presion mbi kapacitetet e pritjes dhe menaxhimit të autoriteteve spanjolle.

Sipas kryeministrit Sanchez, fluksi i pazakontë u nxit nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat përhapën informacione të rreme lidhur me një vendim të fundit të Gjykatës së Lartë të Spanjës.

Trafikantët pretenduan se emigrantët që mbërrijnë nga deti nuk mund të kthehen menjëherë, duke krijuar përshtypjen se hyrja në Spanjë ishte bërë më e lehtë.

Qeveria spanjolle theksoi se këto pretendime ishin keqinterpretime të qëllimshme dhe u bënë thirrje autoriteteve marokene të bashkëpunojnë për të frenuar aktivitetin e grupeve kriminale.

Kriza ka shkaktuar reagime të forta politike në Evropë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kufijtë e Bashkimit Evropian duhet të mbrohen dhe se hyrja në territorin e unionit duhet të bëhet vetëm sipas rregullave.

Italia kërkoi pezullimin e Spanjës nga zona Schengen, ndërsa Finlanda dhe Danimarka mbështetën këtë propozim.

Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Marokut të marrë menjëherë mbrapsht emigrantët e paligjshëm, ndërsa Franca njoftoi forcimin e kontrolleve në kufirin me Spanjën, edhe pse ofroi ndihmë për menaxhimin e situatës.

Ceuta dhe Melilla janë të vetmet kufij tokësorë të Bashkimit Europian me Afrikën dhe prej vitesh përbëjnë pika të ndjeshme të migracionit të parregullt.

Një krizë e ngjashme ndodhi edhe në vitin 2021, kur mbi 10 mijë persona hynë në Ceutë gjatë një mosmarrëveshjeje diplomatike mes Spanjës dhe Marokut.

Analistët paralajmërojnë se ngjarjet e fundit tregojnë se presioni migrator ndaj Evropës mbetet i lartë dhe se, pa një bashkëpunim më të ngushtë me vendet e Afrikës së Veriut dhe një politikë të përbashkët evropiane për migracionin, situata të tilla mund të përsëriten edhe në të ardhmen./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOMENT – BE përballet me krizë të re migracioni, mijëra hynë në enklavën spanjolle të Ceutas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌