Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Veliajn: Nuk u analizua shkaku i mungesës në detyrë
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Gjykata Kushtetuese zbardhi sot të plotë vendimin për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të Republikës për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi u mor pas seancës publike të zhvilluar më 31 tetor 2025.
Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj. Si subjekte të interesuara në proces ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.
Pas seancës publike, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka pranuar me shumicë votash kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke shfuqizuar vendimin nr. 539, datë 25 shtator 2025 të Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”, të cilin e cilësoi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dekretin nr. 350, datë 1 tetor 2025 të Presidentit të Republikës, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore”, për pjesën që lidhet me Bashkinë e Tiranës, duke konstatuar shkelje të nenit 115, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës. Vendimi parashikon gjithashtu vazhdimin e masës së pezullimit të efekteve juridike të dekretit presidencial për zgjedhjet vendore në Tiranë deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Vendimi i marrë më 3 nëntor 2025 është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Në vendimin e zbardhur, Gjykata Kushtetuese thekson se nuk është marrë në shqyrtim arsyeja e mungesës për të paktën tre muaj në detyrë e kryebashkiakut Veliaj.
Në vendim thuhet: “Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka marrë për bazë vetëm faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkakun, rrethanat dhe as ndikimin e mungesës në ushtrimin e detyrës, duke mos vlerësuar nëse kjo situatë rridhte nga veprimet ose mosveprimet e vet kryetarit dhe nëse ajo mund të konsiderohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve.
Megjithatë, duhet vënë në dukje se është e mundur që mosparaqitja në detyrë për një periudhë të pandërprerë tremujore të përbëjë shkelje të rëndë në ushtrimin e detyrës nga kryetari i bashkisë, por vetëm në rastet kur ai mund dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo dallon nga rasti konkret, ku kërkuesit nuk i atribuohet asnjë lloj përgjegjësie juridike. Në këtë kuptim, shkelja e rëndë lidhet me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e tij, duke pasur parasysh se kryetari i bashkisë është organ ekzekutiv monokratik.”
Gjykata Kushtetuese konstatoi gjithashtu se Erion Veliajt nuk i ishte garantuar e drejta për një proces të rregullt ligjor. “E drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet edhe në procesin administrativ përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij. Kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe përmes parashtrimit të argumenteve prej tij ose avokatit të zgjedhur”, thuhet në vendim.
Në vendimin e pakicës, lexohet dy gjyqtaret Holta Zaçaj dhe Sonila Bejtja vlerësuan se kërkuesi nuk legjitimohet “ratione personae” për pretendimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor për shkak të mënyrës së votimit në këshillin bashkiak, me argumentin se kërkuesi nuk është mbartës i kësaj të drejte, e cila u përket anëtarëve të këshillit. Po ashtu, sipas tyre, kërkuesi nuk legjitimohet as për pretendimin se mbledhja e Këshillit të Ministrave është zhvilluar me urgjencë dhe në mungesë të pranisë fizike të anëtarëve të tij, pasi nuk ka provuar interes të drejtpërdrejtë, në kushtet kur kjo e drejtë u takon anëtarëve të këtij organi.
Po ashtu, në vendimin e pakicës theksohet se: “Qëllimi i ligjvënësit në përcaktimin e një periudhe kohore, kalimi i së cilës nuk justifikon më mosushtrimin e detyrës nga organi i zgjedhur vendor, nuk ka të bëjë me elementet subjektive të sjelljes, as me verifikimin e pasojave, e cila në këtë rast është e verifikueshme njëkohësisht me kohën e mungesës në detyrë. Për sa i përket rëndësisë së këtyre pasojave, pavarësisht shkakut që i ka sjellë, ato janë të nivelit kushtetues, për sa kohë lidhen me krijimin e pamundësisë objektive në ushtrimin e detyrave vetëqeverisëse nga organi i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli”.
Vendimi përfundimtar, që riktheu në detyrë Erion Veliajn, u mor me shumicë votash. Pro shfuqizimit të vendimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt votuan: Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.
Kundër votuan: Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.
/a.f/
The post Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Veliajn: Nuk u analizua shkaku i mungesës në detyrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.