MEDIA – Jeff Bezos shkarkon një të tretën e stafit të ”Washington Post”
UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH/ – Gazeta e njohur amerikane ”Washington Post” njoftoi punonjësit se po ecën përpara me një valë të gjerë shkarkimesh, pjesë e asaj që drejtuesit e përshkruajnë si një rivendosje strategjike të gjerë të gazetës, sipas ”The Independent”.
Masat përfshijnë mbylljen e redaksisë së sportit, shkurtime të thella në mbulimin ndërkombëtar, çmontimin e seksionit të recensioneve të librave dhe ristrukturimin e ekipit të lajmeve lokale.
Edhe pse fillimisht nuk u bë e ditur shifra e saktë e të prekurve, më herët ishte raportuar se rreth 100 gazetarë nga redaksia dhe deri në 300 punonjës në total nga kompania mund të humbnin vendet e punës.
Megjithatë, pas emaileve të dërguara pritet që rreth një e treta e stafit, afërsisht 300 nga rreth 800 gazetarë të redaksisë, të shkarkohen.
Disa punonjës e përshkruan situatën si një gjakderdhje.
”I përket ndër ditëve më të errëta në historinë e një prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë”, deklaroi ish-redaktori ekzekutiv i ”Washington Post”, Marty Baron.
”Ambiciet e ‘Washington Post’ do të zvogëlohen ndjeshëm, stafi i tij i talentuar dhe i guximshëm do të tkurret edhe më tej, dhe publikut do t’i mohohet raportimi në terren, i bazuar në fakte, në komunitetet tona dhe në mbarë botën, raportim që është më i nevojshëm se kurrë”, shtoi ai.
Njoftimi, i bërë nga redaktori ekzekutiv Matt Murray, erdhi pas një apeli kolektiv të redaksisë, i cili i kërkoi publikisht pronarit miliarder të gazetës, Jeff Bezos, të tërhiqej nga planet për zvogëlim.
Fushata ”SaveThe Post” duket se nuk pati efekt.
Gjatë një telefonate me stafin, Murray theksoi se po eliminohet redaksia e sportit, për vite me radhë pjesë thelbësore e gazettes, megjithëse disa anëtarë do të mbeten në një seksion të ri që do të mbulojë kulturën e sportit.
Ai njoftoi gjithashtu tkurrjen e zyrave të huaja, ndryshime rrënjësore në mbulimin lokal dhe pezullimin e podkastit kryesor ”Post Reports”.
Edhe seksioni i recensave të librave është shpërbërë pothuajse tërësisht.
”Nuk mund të jemi gjithçka për të gjithë”, shkroi Murray në mesazhin e tij.
”Por duhet të jemi të pazëvendësueshëm aty ku konkurrojmë. Kjo do të thotë të pyesim vazhdimisht pse një histori ka rëndësi, kë i shërben dhe si u jep njerëzve një kuptim më të qartë të botës dhe një avantazh për ta naviguar atë”, theksoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post MEDIA – Jeff Bezos shkarkon një të tretën e stafit të ”Washington Post” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
