TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reforma në drejtësi është një realitet i pakthyeshëm, por pranoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri vijon të ketë probleme serioze, të cilat kërkojnë reflektim dhe ndërhyrje.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e fundvitit të mbajtur në Kryeministri, Rama u shpreh se ligjet e reformës janë miratuar dhe funksionojnë, por kjo nuk do të thotë se drejtësia është pa probleme.
“Ligjet e reformës në drejtësi janë aty, reforma në drejtësi është aty. Por që drejtësia në Shqipëri ka probleme të mëdha, kjo nuk diskutohet”, u shpreh Kryeministri.
Ai theksoi se reforma ka vetëm dhjetë vite që është në zbatim dhe se kjo periudhë është shumë e shkurtër në raport me historinë e institucioneve shtetërore.
“Reforma 10 vjet ka, ndryshimet 10 vjet kanë. 10 vjet janë një hiç asgjë në historinë e një shteti dhe në historinë e një pushteti. E kam thënë dhe herë tjetër, pushteti ekzekutiv ka më shumë se 100 vjet, por pushteti ekzekutiv në Shqipëri nuk është i pakritikueshëm. Si mund të jenë të pakritikueshëm protagonistët e një pushteti që ka vetëm 10 vjet. Janë të kritikueshëm që çke me atë punë. Dhe kritikat janë të gjitha konstruktive”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “çfarë i takon atyre, i takon atyre, nuk na takon ne, çfarë na takon ne nuk i takon atyre”.
Rama theksoi se, për paraburgimin sigurisht që ka nevojë për ndërhyrje.
“Shiheni çfarë thotë Këshilli i Evropës që është për definicion institucioni më i madh ndërkombëtar për liritë dhe të drejtat e njeriut. E pranoni ju këtë, ju duket bukur ju kjo, që Shqipëria të jetë e fundit fare në listë dhe të ketë vetëm Rusinë mbrapa për brutalitet dhe vrazhdësi?!”, iu drejtua Rama gazetarëve.
Duke përmendur rastin e një vrasjeje në burgun e Peqinit, kur një prokuror futi në burg të gjithë rojat e burgut, Rama u shpreh se, “mentalitetet e vjetra, sëmundjet e vjetra pak gjë duan dhe zgjohen kur vjen puna tek mënyra si veprojnë shtetet që nuk janë akoma të konsoliduara”.
Por, shtoi Rama, “një gjë është e sigurt, ne nuk prekim thelbin në asnjë rast dhe për asnjë arsye. Thelbi është që ne jemi këtu për ta garantuar këtë proces, procesin e luftës së pavarur nga pushteti ekzekutiv kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Shpresoj që lufta kundër korrupsionit të sofisitikohet dhe të luftohet korrupsioni, jo prerja e pemëve, duke e kapur veshin mbrapsht, të futet në statistikë. Pra duhet balancim, kjo është pak, por është e sigurt”, tha Rama.
TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një konferencë për mediet, ku bëri një bilanc të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një vit të shënuar nga problematika serioze në funksionimin e institucioneve dhe proceseve demokratike në vend.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama ka bllokuar kërkesat e prokurorisë për pezullimin dhe heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Berisha tha se vendimi për të mos lejuar vijimin e procedurave ligjore përbën, sipas tij, një precedent të rrezikshëm dhe një provokim ndaj qytetarëve që paguajnë taksa dhe kërkojnë transparencë nga institucionet.
“Edi Rama në një vendim antikushtetues, antiligjor, në një provokacion të ulët për çdo shqiptar, në një provokacion të padëgjuar ndonjëherë, bllokoi kërkesat e prokurorisë me gjykatës të padenjë, të cilët shkelmojnë Kushtetutën njëlloj sikur të ishin organizatë partie”, tha Berisha.
“Dhe tani nga zyra e tij, deklaron se 16 mijë faqet e sjella nga prokuroria nuk kanë asgjë për Ballukun, prandaj kthejini mbrapsht se nuk hiqet imuniteti i saj”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se viti 2025 është shoqëruar edhe me reagime dhe qëndrime ndërkombëtare, përmes rezolutave të miratuara nga forca politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në nivel europian dhe ndërkombëtar, të cilat, sipas tij, kanë kritikuar qeverinë shqiptare për funksionimin e demokracisë dhe proceset zgjedhore.
Sipas Berishës, këto qëndrime janë reflektuar edhe në institucione si Kongresi i SHBA-së, Parlamenti Europian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së.
Berisha tha se gjatë këtij viti qytetarët shqiptarë janë përballur me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sipas tij, me abuzime të shumta nga ana e qeverisë.
Ai deklaroi se proceset zgjedhore janë shoqëruar me parregullsi dhe se janë cenuar standardet demokratike, duke e cilësuar vitin që po mbyllet si një periudhë me tensione të forta politike.
Berisha tha se Partia Demokratike do të vijojë denoncimet dhe angazhimin e saj për forcimin e shtetit ligjor dhe të standardeve demokratike në vend.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike uroi qytetarët për Vitin e Ri, duke shprehur dëshirën që viti i ardhshëm të sjellë, sipas tij, më shumë energji, angazhim dhe ndryshim për vendin.
Berisha gjithashtu u premtoi shqiptarëve në 2026-ën rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja.
“Premtoj rrëzimin e këtij regjimi, qeverinë teknike dhe zgjedhje të reja”, tha Berisha.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”.
“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, tha Kurti.
Kurti tha se partia e tij është në rrugë që të tejkalojë rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind.
Sipas tij, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon që duhet të ecet përpara pa vonesa.
“Sa më parë që certifikohen [rezultatet], aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.
Legjislaturën e re, Kurti tha se e pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tha se arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.
“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, tha ai.
Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit. Ai tha se është herët të flitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.
Ai u pyet nëse do të negociojë me partitë opozitare për presidentin dhe që propozimin për president ta bëjnë ato, Kurti tha:
“Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve”. /REL/
TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen e qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar performancë pozitive në shumicën e sektorëve kryesorë dhe një interes të shtuar të investitorëve vendas e të huaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot gjatë një konference në medie treguesit më të fundit ekonomikë, si dhe pritshmëritë për vitin 2026, me fokus rritjen ekonomike, inovacionin dhe përafrimin me standardet europiane.
Duke iu referuar raportit të publikuar nga INSTAT, ministrja informoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2025 u rrit me 3,75%, një nivel që sipas saj, është brenda parashikimeve të qeverisë dhe dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 1,6%, si edhe mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 3,4%.
Në nivel nëntëmujor, ministrja tha se rritja ekonomike arriti 3,73%, ndërsa pritshmëritë janë që në fund të vitit 2025 rritja të përmbushë objektivin prej 3,9%.
Ministrja renditi edhe sektorët kontribues në rritje.
“Analiza sipas sektorëve tregon se ekonomia është mbështetur kryesisht nga shërbimet dhe investimet publike e private. Ndërtimi shënoi një rritje prej 4,75%, ndërsa tregtia, transporti dhe akomodimi, sektorë të lidhur ngushtë me turizmin, u rritën me 2,62%”, tha ajo.
Më tej, ministrja shtoi se sektori i informacionit dhe komunikacionit vijoi të forcojë rolin e tij në ekonomi, me një rritje të ndjeshme prej 10,4%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme u rritën me 10,55%.
Një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, të cilat së bashku kontribuuan me 1,68 pikë përqindje në rritjen ekonomike prej 3,75%, duke reflektuar efektet pozitive të investimeve dhe rritjes së pagave në këta sektorë.
Nga ana tjetër, ministrja informoi se bujqësia, pyjet dhe peshkimi shënuan një rënie prej 1,73%, ndërsa industria në tërësi u ngadalësua me 4,75%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese e tekstileve.
Ministrja Ibrahimaj e cilësoi turizmin si motori i rritjes ekonomike.
“Turizmi vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Për 11-mujorin e vitit 2025, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në rreth 12 milionë, me rritje të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme. Netqëndrimet u rritën nga viti në vit, ndërsa një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë”, tha Ibrahimaj.
Akomodimi, hotelet dhe restorantet shtoi Ibrahimaj, shënuan rritje prej 16% në terma nominalë dhe 3,43% në terma realë.
Ndër të tjera ministrja nënvizoi se në nivel nëntëmujor, shërbimet sollën në ekonomi 6,5 miliardë euro, me rritje 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimit gjeneruan 4,4 miliardë euro të ardhura.
Duke u ndalur në treguesit e konsumit, ministrja shpjegoi se konsumi i familjeve u rrit me 1,25%, duke reflektuar stabilitet dhe inflacion të kontrolluar, nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, vijoi Ibrahimaj, kemi një përmirësim të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
“Importet neto dhe eksportet neto janë rritur respektivisht eksportet me 12.55 5% ndërsa importet me 5.47%. Kjo do të thotë që pra përmirësimi i pozicionit të jashtëm dhe rezultati pozitiv për për tremujorin e tretë të vitit i cili ka rezultuar me sufiçit prej 658 miliard eurosh, do të thotë që në Shqipëri është gjeneruar më shumë valutë sa më parë. Në nivel nëntë mujor jemi gjithashtu në sufiçit rreth 50 miliard euro. Sufiçiti në nivel munjor. ë ndodh për herë të parë nëntë mujor pasi në mujorin e katërt të vitit të kaluar në nivelin nëntëmujor neve vijonim të ishim me një defiçit. Megjithatë sa i takon tregtisë së mallrave defiçiti i mallrave është i ndikuar nga rritja kryesisht nga rritja e importeve të energjisë dhe nga rënia e eksporteve të metaleve bazë. Ndërkohë që në total siç e shpjegova dhe më parë eksportet e shërbimeve janë ditur dhe kanë dhënë një kon kontribut të madh pozitiv duke i dhënë peshën kryesore në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, shërbimeve dhe turizmi”, deklaroi ministrja
Po ashtu sipas saj, investimet shënuan rritje prej 4,78% në tremujorin e tretë, duke treguar besim të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare.
“Investimet e huaja direkte për nëntëmujorin e vitit 2025 arritën në 1,2 miliardë euro, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Sektorët kryesorë përfituese janë pasuritë e paluajtshme me 31%, ndërmjetësimi financiar me 16%, hidrokarburet, energjetika dhe komunikacioni”, u shpreh ministrja.
Në tregun e punës, ministrja bëri të ditur se papunësia zbriti në 8,1%, ndërsa paga bruto mesatare arriti në 83,300 lekë, me rritje 7,25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se të dhënat flasin për një ekonomi të qëndrueshme, me tregues makroekonomikë të fortë dhe perspektivë pozitive edhe për vitin 2026.
Ajo nënvizoi se, pavarësisht pasigurive globale, ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë, ndërsa raporti i fundit i FMN-së konfirmon stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.
“Nga ana tjetër sot është publikuar gjithashtu dhe raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu nënvizon një rritje ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe tregues makroekonomik të fortë dhe të qëndrueshëm. Si risk kryesor për ekonominë jo vetëm shqiptare, por të rajonit theksohet paqëndrueshmëria e situatës globale dhe risqet që mund të vijnë nga kërkesa e huaj, të cilat për tremujorin e tretë të vitit nuk janë materializuar”, deklaroi ministrja.
Konferencë për mediet e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Foto: Andrin ...
1 nga 7
Delina Ibrahimaj - Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Foto: Andrin Hoxha
TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot lidhur me lëshimin e tetë masave të sigurisë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar për tenderat e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Infomacionit (AKSHI).
Gjatë një konference për media, Berisha u shpreh se bëhet fjalë për një skemë të gjerë korrupsioni dhe kriminaliteti të organizuar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Berisha deklaroi se janë lëshuar “mandate arresti kallp”, pasi personat kryesorë të përfshirë, si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, janë larguar prej javësh nga Shqipëria, ndërsa figurat kyçe nuk janë hetuar.
Berisha pretendoi se përmes tenderave sekretë, shumica dërrmuese e fondeve publike janë përqendruar në dy kompani të lidhura familjarisht, në shkelje të ligjit.
Kreu i PD-së theksoi gjithashtu raste pengmarrjesh dhe dhune ndaj personave që kishin dijeni për aferat, duke përmendur emra konkretë dhe duke kërkuar reagim nga institucionet dhe shoqëria civile.
Ai theksoi se PD ka dorëzuar dosje me denoncime, por pa hetimin e figurave kryesore, procesi mbetet i paplotë.
Por, Berisha theksoi se nuk ka ndonjë shpresë të madhe se do të bëhet hetim i plotë i kësaj ngjarje.
TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, ku theksoi se “vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në Shqipëri janë duke u zbatuar 81 projekte me financim të huaj, me vlerë të përgjithshme rreth 2.3 miliardë euro, ku mbi 18.2% e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrje klimatike dhe mjedisore, duke dëshmuar se klima është tashmë një nga destinacionet kryesore të financimeve zhvillimore në vend”.
Në fjalën e tij, Jaupaj tha se kjo nuk është thjesht statistikë.
“Kjo është prova e një besimi të fortë ndërkombëtar mbi aftësinë e institucioneve shqiptare për të menaxhuar, planifikuar dhe zbatuar programe komplekse me standarde evropiane”, u shpreh ministri i Mjedisit.
Duke u ndalur tek projektet kryesore të këtij portofoli, Jaupaj tha se programi për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, me financim 66.7 milionë euro nga KfW dhe SECO, është një ndërhyrje që transformon shërbimet bashkiake dhe rrit standardet e mjedisit urban.
“Programi “Klima në Shqipëri I”, i mbështetur nga KfW, modernizon dhe digjitalizon rrjetin energjetik, duke sjellë një reduktim real të emetimeve dhe një forcim të qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. Në bujqësi, projekti “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë”, me financim 64.6 milionë euro nga Banka Botërore, ndihmon vendin të përshtatet ndaj rreziqeve klimatike përmes modernizimit të ujitjes dhe kullimit, forcimit të sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit të analizës së politikave”, nënvizoi Jaupaj.
Në fushën e menaxhimit të rreziqeve, Jaupaj përmendi programin CLIRES, financuar nga SECO, si dhe programin ALBAdapt, i financuar nga GCF, BMZ, SECO dhe SDC, të cilët theksoi ai “krijojnë sisteme moderne paralajmërimi të hershëm dhe mbështesin 12 bashki bregdetare si edhe institucionet tona qendrore të menaxhimit të fatkeqësive si IGJEUM dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile”.
Ministri Jaupaj informoi se në fushën e natyrës, vijoi programi “EU for Nature”, i financuar nga BE dhe SIDA, që po ndihmon integrimin e rrjetit “Natura 2000”, ndërsa në transport, programi gjerman për transportin urban të qëndrueshëm mbështet tranzicionin e qyteteve tona drejt sistemeve moderne, gjithëpërfshirëse dhe klimë–rezistente.
“Nëse analizojmë burimet financiare të këtyre ndërhyrjeve, përveç Bashkimit Evropian, vërejmë se Banka Botërore ka aktualisht në zbatim 1,474 milionë euro projekte, KfW dhe GIZ rreth 1,240 milionë euro, ndërsa Japonia dhe AFD kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në projektet mjedisore përkatësisht me 717,500 euro dhe 610,000 euro. Zvicra dhe Suedia mbeten gjithashtu partnerë të qëndrueshëm në financime klimatike”, vuri në dukje Jaupaj.
Megjithatë, shtoi ai, Bashkimi Evropian mbetet kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër.
“Nën instrumentin IPA III, Dritarja 3 “Marrëveshja e Gjelbër dhe Konektiviteti i Qëndrueshëm” përfaqëson shtyllën kryesore të mbështetjes së BE-së për vendin tonë. Rreth 15% e portofolit IPA për Shqipërinë është dedikuar për ndërhyrje klimatike, përfshirë programet BE për Natyrën, BE për Ekonominë Qarkulluese, BE për Ujin, paketën e rezistencës energjetike nën IPA 2023 me vlerë 80 milionë euro, si dhe programin BE për Pyjet me 13 milionë euro nën IPA 2024. Krahas kësaj, Programet Operacionale 2024–2027, veçanërisht Programi Operacional për Eficiencën Energjetike, me vlerë totale 79 milionë euro – ku 50 milionë euro janë kontribut i BE-së dhe 29 milionë euro bashkëfinancim kombëtar – adresojnë drejtpërdrejt ndërtesat publike, e-mobilitetin, energjinë e rinovueshme dhe elektrifikimin e hekurudhave, duke përputhur politikat tona kombëtare me prioritetet e BE-së për neutralitet klimatik”, tha Jaupaj.
Jaupaj bëri të ditur se “në kuadrin e Facilitetit për Reforma dhe Rritje, fusha e politikës nr.4 që i dedikohet energjisë së pastër parashikon një fond 127.8 milionë euro, i cili pritet të përthithet nga institucionet shqiptare pas kryerjes së reformave të qëndrueshme me fokus klimën dhe energjinë e pastër”.
Më tej Jaupaj tha se “në vitet e fundit, tranzicioni i gjelbër është shndërruar në boshtin themelor të modernizimit të shtetit shqiptar, një bosht që përkufizon qartë ambicien e vendit tonë për të avancuar si një ekonomi evropiane, rezistente, konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes”.
“Shqipëria në vitin 2025 është një vend në transformim të thellë evropian. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030 e përfshin tranzicionin e gjelbër si pjesë të pandashme të rrugës sonë drejt BE-së, duke e konsideruar energjinë e pastër, efikasitetin energjetik, ekonominë qarkulluese dhe mbrojtjen e mjedisit si fusha që përkufizojnë vetë modelin tonë të zhvillimit”, theksoi Jaupaj.
Ministri Jaupaj u shpreh se “raporti i parë i progresit të kësaj strategjie, finalizuar në vitin 2025, dëshmoi forca të prekshme të Shqipërisë në fushën e klimës dhe energjisë, duke vërtetuar se vendi ynë nuk është më vetëm një aspirues i standardeve evropiane, por një kontribuues aktiv me rezultate konkrete”.
Sot, vijoi Jaupaj, mbi 45.4% e konsumit total të energjisë së vendit mbështetet në burime të rinovueshme, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me peshën më të lartë të energjisë së pastër në Evropë.
Jaupaj vuri në dukje se “kjo arritje nuk buron vetëm nga tradita hidroenergjetike, por edhe nga investimet e reja strategjike si Parku Diellor i Karavastasë me kapacitet 140 MË, një shembull i modelit të ri të zhvillimit të energjisë në vend”.
“Klima është sot fusha ku bashkërendohet më qartë se kudo tjetër vizioni politik i qeverisë, pritshmëria e qytetarëve dhe standardet e BE-së. Detyra jonë e përbashkët është të garantojmë koherencë, të forcojmë koordinimin dhe të sigurojmë që çdo euro e investuar të materializohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe në mirëqenie për qytetarët e vendit. Platforma Kombëtare e Financave të Klimës do të jetë një tjetër element i rëndësishëm i bashkimit të forcave dhe energjive për të maksimizuar burimet dhe rezultatet. SASPAC mbetet plotësisht e angazhuar ta udhëheqë këtë proces me profesionalizëm, me integritet dhe me një vizion të qartë evropian për Shqipërinë e vitit 2030”, tha Jaupaj.
TIRANË, 16 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot vendosjen e sanksioneve ndaj autoritetit më të lartë përgjegjës në rastet kur shkelet afati ligjor që parashikon ligji për informimin.
I pranishëm në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rama solli në vëmendje masat që ka ndërmarrë qeveria për garantimin e transparencës, përmes projektit “Transparent Albania”.
Kryeministri u shpreh se ky është një projekt shumë ambicioz për të pasur në një territor të vetëm virtual të gjithë informacionin.
“Kjo do të lehtësonte shumë ndërveprimet midis gjithë kërkuesve të informacionit dhe vetë institucioneve, pasi do të ishte një dritare e vetme ku institucionet në mënyrë automatike do të duhet të publikojnë gjithë aktivitetin e tyre dokumentar. Nuk është një barrikadë pët të mbajtur informacion, por zgjidh një problematikë në funksionimin e brendshëm të mekanizmit të administratës”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se ka tërhequr vërejtjen për mungesën e sanksioneve për autoritetet më të larta.
“Ligji është shumë i qartë. Dhjetë ditë është koha për t’u përgjigjur dhe ditën e 11 nëse nuk ka përgjigje ka sanksione dhe duhet sanksionuar autoriteti më i lartë përgjegjës”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë bëri të ditur se “ne u kemi kërkuar gjithë ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie te sekretari i përgjithshëm”.
“Një pjesë e kanë bërë, një pjesë nuk e kanë bërë akoma. Duhet të sanksionohen ministrat dhe sekretari i përgjithshëm. Nëse do të ndodhi në mënyrë të përsëritur do të krijohet një ndjesi urgjence. Kur e kemi nisur këtë proces kishim problem parkimin e paligjshëm të deputetëve në trotuare, lulishte dhe hapësirat publike rreth e rrotull parlamentit. U vendosën sanksione dhe u gjobitën deputetët disa herë me radhë dhe kuptuan se koha e parkimit të paligjshëm mbaroi. Tani nuk ka më makina ministrash që shkelin semaforin se u gjobitën ministrat. Sanksionet në këtë rast mbase nuk do kenë të njëjtin efekt çudibërës por do të kenë efektin e tyre”, shtoi Rama. /j.p/
Në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit ku ishin të pranishëm partnerë europianë, të shoqërisë civile dhe organizatave të medias, kryeministri i vendit Edi Rama, u shpreh se një pjesë e tyre e shikon gotën gjysmë bosh, ndërsa vetë theksoi se e shikon gjysmë plot.
“I kemi ndarë rolet, roli i një pjesë këtu është ta shikojnë gotën gjysmën bosh, roli i një pjese tjetër ku jam edhe unë është që ta shikojmë gjysmë plot”, tha Rama, teksa shtoi se “Shqipëria ka një arkitekturë funksionale për transparencë”, duke iu referuar një raporti të SIGMA.
Gjithashtu, kryeminstri theksoi se pavarësisht progresit të bërë lidhur me transparencën u shpreh s, “po të shikojmë më lart, jemi poshtë”.
Megjithatë deklaroi kreu i qeverisë “Po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë më lart, kjo e dyta është burim motivi që duhet të ngremë vendin më lart”.
Edi Rama: Dua ta nis duke thënë që i kemi ndarë rolet, roli i një pjesë këtu është ta shikojnë gotën gjysmën bosh, roli i një pjese tjetër ku jam edhe unë është që ta shikojmë gjysmë plot.
Duke u nisur nga ndërhyrja e fundit e gotës gjysmë bosh, do të doja të sillja në vëmendje jo opinionin e qeverisë, por të SIGMA. Në vlerësimin e SIGMA, që gjykon performancën e institucioneve shqiptare, Shqipëria ka një arkitekturë funksionale për transparencë. Dhe rezultati është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik e institucional. Duke iu referuar indeksit të transparencës të publikuar së fundmi Shqipëria ka bërë një kapërcim prej rreth 5% brenda këtij viti duke shkuar në 78%. Jemi 10 pikë mbi mesataren rajonale, kjo është gota gjysmë plot. Por s’kam këtu për të debatuar apo kundërshtuar ato që u thanë. Pavarësisht progresit të bërë, po të shikojmë më lart, jemi poshtë. Po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë më lart, kjo e dyta është burim motivi që duhet të ngremë vendin më lart.
Nuk është një argument për ju të gotës gjysmëbosh që e doni vendin më lart sot dhe jo nesër, dhe me të drejtë sepse nuk është detyra juaj ta ngrini gurin, por të thoni ku duhet të shkojë guri.
Jam absolutisht dakord që qasja e hapur nuk është kërcënim, kjo është diçka që e predikoj vijimisht në tryezën e qeverisë.
Mendoj se ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet administrative është absurd, vetëm dëmton më shumë se sa mbron, krijon një sens dyshimi dhe një atmosferë konspiracioni se sikur çfarë ka mbrapa informacionit.
TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), organizoi në Tiranë Konferencën e Parë për Fibrozën Cistike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MSHMS, Shoqatës së Sëmundjeve të Rralla, lektorëve vendas dhe ekspertëve nga Kosova dhe Spitali Bambino Gesu.
Gjatë konferencës u diskutuan arritjet, sfidat dhe strategjitë e mundshme për përballimin e kësaj sëmundjeje të rrallë.
Pjesëmarrësit ndaluan tek perspektiva klinike, ecuria e trajtimit, barnat inovative dhe modulatorët, suplementet, fizioterapia pulmonare dhe proceset e oksigjenoterapisë. Synimi kryesor i aktivitetit ishte përmirësimi i cilësisë së shërbimit për pacientët me fibrozë cistike.
Specialistët e fushës, ndanë praktikat më të mira, përvojat klinike dhe zhvillimet e fundit në trajtimin e fibrozës cistike, duke synuar harmonizimin e trajtimeve dhe përforcimin e kapaciteteve lokale për menaxhimin e pacientëve.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme kombëtare për trajtimin dhe monitorimin e pacientëve me sëmundje të rralla, duke forcuar bashkëpunimin midis institucioneve shëndetësore, shoqatave pacientore dhe ekspertëve ndërkombëtarë. /e.xh/ /a.g/
TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në konferencën “Gratë në qendër: Forcimi i medias me qasje përfshirëse në Shqipëri”, organizuar nga SCiDEV dhe AWA me mbështetjen e Bashkimit Europian, u prezantuan gjetjet e projektit “Thyejmë kallëpet, formësojmë të ardhmen”, që synon transformimin e praktikave mediatike në drejtim të raportimit me perspektivë gjinore, rritjes së rolit të grave në media dhe forcimit të sigurisë së gazetarëve
Kryetarja e Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj theksoi se barazia gjinore nuk duhet parë si një element dekorativ, por si thelbin e një sistemi të drejtë dhe funksional.
Ajo ndau qëndrimin e saj mbi rolin e medias në fuqizimin e grave, sfidat me të cilat ato përballen dhe domosdoshmërinë për të ndërtuar një shoqëri ku çdo grua ka zë dhe hapësirë për t’u dëgjuar.
Tabaku u ndal edhe te nevoja për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve, duke bërë të ditur se ka propozuar ndryshime në Kodin Penal që synojnë të luftojnë paditë SLAPP, të cilat përdoren për të frenuar raportimin e lirë dhe kritik.
Sipas saj, demokracia nuk mund të ekzistojë pa media të pavarur dhe të mbrojtur.
“Kam propozuar ndryshime të reja në Kodin Penal për të mbrojtur gazetarët dhe për të luftuar paditë SLAPP, sepse demokracia nuk ekziston pa media të lirë”, theksoi ajo.
Duke vënë në pah rolin e grave në media, sipërmarrje, bujqësi, arsim dhe emigracion, Tabaku deklaroi se ato përbëjnë një forcë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Ajo theksoi se shoqëria u detyrohet grave një sistem më të drejtë, më transparent dhe mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, solli një përmbledhje të të dhënave të tre viteve të fundit të balancës gjinore në tregun audioviziv, një treg dinamik dhe përgjithësisht i balancuar, ndryshe nga fushatat zgjedhore, ku dominimi i burrave, si në zgjedhjet e 11 majit, ka qenë i dukshëm.
Në një sesion të veçantë me gazetarë dhe ekspertë të fushës, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se mediet shqiptare duhet të pasqyrojnë më mirë diversitetin shoqëror dhe të rrisin përfaqësimin e grave në hapësirën publike.
Ai u shpreh se niveli aktual i përfaqësimit nuk është i mjaftueshëm dhe se pak është bërë për të adresuar sfida si diskriminimi, mungesa e zërit të barabartë dhe dhuna online ndaj grave dhe vajzave.
Gonzato nënvizoi se rritja e rolit të grave në media kërkon angazhim të strukturave mediatike për të krijuar më shumë mundësi dhe hapësira për gazetaret dhe profesionistet, ndërsa theksoi rëndësinë e transparencës dhe dialogut të hapur mes redaksive, gazetarëve dhe institucioneve për ruajtjen e pavarësisë së medias dhe rritjen e standardeve profesionale.
Ai ritheksoi mbështetjen e BE-së për Shqipërinë në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe fuqizimin e grave në media, duke e konsideruar këtë një gur themeli për një shoqëri demokratike dhe të barabartë.
“Evropa qëndron përkrah Shqipërisë për të patur një fjalë të lirë, për të mbështetur gratë në media dhe të rritet dhe forcohet përfaqësia e tyre në media. Një dimension i rëndësishëm është edhe transparenca dhe një dialog i hapur për editorët, gazetarët dhe pavarësinë e medias”, tha Gonzato.
Prezantimi i gazetares së France 24, Annette Young, solli përvojën e saj të gjatë në median ndërkombëtare, duke dhënë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimin e rolit të grave në këtë sektor.
TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vjenë ku mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë “Time To Decide Europe 2025”, një forum prestigjioz që mbledh liderë politikë europianë, ekspertë të diplomacisë, ekonomisë dhe sigurisë, për të diskutuar mbi sfidat dhe të ardhmen e kontinentit.
Rama ishte i ftuar nderi në këtë aktivitet, ku drejtoi një nga panelet kryesore të konferencës, si edhe kontribuoi në pjesën e konkluzioneve përfundimtare.
Në postimin e tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e këtij forumi të nivelit të lartë që trajton çështje kyçe mbi të ardhmen e Europës, ku marrin pjesë liderë politikë, ekspertë të diplomacisë, ekonomisë dhe sigurisë.
“Ishte privilegj të merrja pjesë si i ftuar nderi në drejtimin e njërit prej paneleve, si edhe në konkluzionet përfundimtare”, shkroi Rama, duke ndarë pamje nga aktiviteti në Vjenë.
Konferenca “Time To Decide Europe 2025” është një prej takimeve më të rëndësishme të politikëbërësve europianë, ku adresohen tema që lidhen me zgjerimin, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe rolin global të BE-së.
TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Sali Berisha ka komentuar sot, takimin e Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit me më të votuarit e Primareve.
Në konferencën për shtyp, Berisha tha se qëndrimet dhe kritikat duhet të shprehen brenda forumeve të partisë.
“Së pari unë kam pritur dhe pres çdo ditë anëtarë, mbështetës dhe drejtues të PD, cilido që kërkon takim, ose persona që i thërras për arsye pune. Së dyti kjo parti ka forumet e veta dhe ka forume demokratike, në të cilat çdo anëtar, drejtues, mbështetës është i ftuar të shprehë lirisht çdo mendim”, tha Berisha.
“Natyrisht duke thënë këtë nuk kam ndërmend t’i them asnjë njeriu që ato mendime të mos i shprehë publikisht edhe në mediat e qeverisë, apo ku të duash. Por, normale në një parti, kudo është, që mendimet, propozimet, opinionet, kritikat të shprehen brenda forumeve të partisë”, vijoi ai.
Sipas Berishës, ata “të gjithë janë personalitete të çmuara të PD-së, por si çdo forcë tjetër politike në Shqipëri, Europë, botë, edhe partia që ai drejton ka aktivitete brenda forumeve të saj”.
TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Përfaqësues nga institucionet qeveritare, komuniteti diplomatik, akademia dhe shoqëria civile u mblodhën sot në konferencën e nivelit të lartë “Transformimi dhe angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në: Nga Akti Final i Helsinkit deri më sot”.
Konferenca e organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri, shënoi një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë me OSBE-në dhe parimet e qëndrueshme të Aktit Final të Helsinkit.
Duke hapur konferencën, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali nënvizoi partneritetin e gjatë të Shqipërisë me OSBE-në dhe rolin e Organizatës në mbështetjen e tranzicionit demokratik dhe agjendës së reformave të vendit.
“Do të doja të përgëzoja Kryesinë Finlandeze për fokusin e saj në të ardhmen e OSBE-së përmes iniciativës Helsinki+50. Mbi të gjitha, kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me shënimin e një përvjetori. Objektivi është të formësohet një OSBE që mund t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të nesërme. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ekziston një mundësi për ne që të japim një kontribut të rëndësishëm në procesin e ripërtëritjes”, theksoi Spiropali.
E dërguara Speciale e Kryetarit të Radhës të OSBE-së, ambasadorja Terhi Hakala, theksoi rëndësinë e vazhdueshme të parimeve të Helsinkit dhe qasjen gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë, një qasje që e njeh paqen si të pandashme nga të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe dialogu midis shteteve.
“Shqipëria ka qenë një anëtare e përkushtuar e familjes së OSBE-së që nga tranzicioni i saj demokratik dhe ka pritur një operacion aktiv në terren që nga viti 1997. Bashkëpunimi i ngushtë midis Prezencës dhe autoriteteve shqiptare dhe aktorëve të shoqërisë civile ka kontribuar me sukses në qëllimet strategjike të Shqipërisë dhe në axhendën e reformave të sotme”, tha ambasadorja Hakala.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran foli për bashkëpunimin e ngushtë midis Prezencës dhe institucioneve shqiptare, për gati tre dekada, në avancimin e qeverisjes demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
“Më lejoni të mbyll me një shënim që arkitektët e Helsinkit e kuptuan mirë: siguria është një përpjekje e përbashkët. Dialogu është më i qëndrueshëm se përçarja. Dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbetet qendra e gjithçkaje që bëjmë. Këto nuk janë ideale abstrakte; ato janë themeli për stabilitet në një epokë të trazuar”, tha Tarran.
Gjatë gjithë aktivitetit, pjesëmarrësit reflektuan mbi trajektoren e Shqipërisë nga izolimi në një kontribues aktiv në diplomacinë shumëpalëshe.
Ekspertë kombëtarë, historianë dhe përfaqësues institucionalë paraqitën perspektiva historike mbi rolin e Shqipërisë në procesin e Helsinkit, pranimin e saj në KSBE/OSBE në fillim të viteve 1990 dhe transformimin demokratik të vendit.
Gjithashtu u vlerësua kryesia e suksesshme e OSBE-së nga Shqipëria në vitin veçanërisht sfidues 2020, e cila demonstroi lidershipin në rritje të vendit në bashkëpunimin rajonal, parandalimin e konflikteve dhe të drejtat e njeriut.
Folësit nënvizuan mësimet e nxjerra nga angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në dhe vunë re evolucionin e reformave në fusha të tilla si proceset zgjedhore, përpjekjet kundër trafikimit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e medias dhe qeverisja e mirë.
Ata gjithashtu trajtuan sfidat bashkëkohore me të cilat përballet OSBE-ja në një mjedis gjeopolitik në ndryshim, duke nënvizuar nevojën për të mbrojtur parimet e dialogut, bashkëpunimit dhe sigurisë gjithëpërfshirëse.
Konferenca përfundoi me një riafirmim të angazhimit të përbashkët të Shqipërisë dhe OSBE-së për të mbështetur frymën e Aktit Final të Helsinkit dhe për të vazhduar të punojnë së bashku për të çuar përpara sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në rajon dhe më gjerë.
TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ndodhet në Riad, Mbretëria e Arabisë Saudite, për të marrë pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Drejtësinë.
Kreu i Gjykatës së Lartë ishte i ftuar të mbante fjalën e tij në sesionin e dytë, ku trajtoi rolin e procedurave gjyqësore në garantimin e cilësisë së drejtësisë.
Sadushi theksoi se qartësia, koherenca dhe transparenca procedurale janë thelbësore për besimin e publikut dhe funksionimin e drejtë të sistemit.
Në ndërhyrjen e tij, Sadushi prezantoi përvojën e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke vënë në pah transformimin e Gjykatës së Lartë në drejtim të efikasitetit, menaxhimit aktiv të çështjeve gjyqësore dhe rritjes së transparencës.
Sadushi nënvizoi se standardet procedurale dhe përdorimi i teknologjisë kanë luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e shpejtësisë dhe cilësisë së vendimmarrjes, duke forcuar besimin e qytetarëve tek drejtësia.
Në konferencë marrin pjesë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, Artur Kalaja dhe Sokol Binaj.
TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë, të organizuar nga qeveria italiane dhe OSBE, dedikuar një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në kohën tonë: femicidit, vrasjes me motiv gjinor të grave dhe vajzave.
Në sesionin ministror, krah homologëve të Italisë, Greqisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Qipros etj, ministrja Sala foli mbi fenomenin e femicidit në Shqipëri, hapat e ndërmarrë ndër vite dhe sfidat që kërkojnë veprim të menjëhershëm.
“Femicidi nuk është vetëm çështje drejtësie penale. Ai është një emergjencë shëndetësore publike, një çështje drejtësie sociale dhe një shkelje e të drejtave të njeriut e rrënjosur në pabarazi strukturore gjinore. Për këtë arsye, kemi investuar në kapacitetet e profesionistëve të vijës së parë, mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve socialë, që të njohin shenjat e hershme paralajmëruese dhe të veprojnë menjëherë”, u shpreh ministrja.
Ministrja Sala vuri në dukje rëndësinë e të dhënave të sakta dhe ndërtimin e mekanizmave të fortë institucionalë për parandalimin e femicidit.
Ajo prezantoi rolin e Observatorit të Femicidit, i ngritur në mars 2024 nga Avokati i Popullit me mbështetjen e UN Women Albania —mekanizmi i parë i këtij lloji në Ballkan dhe ndër të paktët në Evropë.
“Kemi ngritur ekipet multidisiplinare në çdo bashki për të siguruar një përgjigje të koordinuar dhe kemi zgjeruar strehëzat dhe shërbimet e mbështetjes psikologjike, përfshirë fëmijët që mbijetojnë nga këto krime. Po punojmë drejt një sistemi ku heshtja nuk është më rruga më e lehtë”, nënvizoi Sala.
Gjithashtu, ministrja bëri thirrje për bashkëpunim të thelluar rajonal, duke theksuar se “femicidi nuk njeh kufij” dhe se gratë e trafikuara dhe ato nga grupet vulnerabël mbeten më të rrezikuarat.
“Çdo sinjal rreziku do të trajtohet me urgjencë. Çdo zë gruaje do të dëgjohet dhe mbrohet. Çdo fëmijë i prekur nga dhuna do të marrë mbështetje të plotë. Të gjitha institucionet rajonale do të veprojnë së bashku me seriozitetin që kërkon kjo krizë e për të ndërtuar një sistem, ku “mbrojtja nuk mbetet premtim, por bëhet siguri”, theksoi Sala.
Ministrja Sala përgëzoi Italinë për nismën e saj për të propozuar femicidin si vepër të posaçme penale, si dhe OSBE-në për punën e saj në standardizimin e të dhënave, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe koordinimin institucional.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka punuar intensivisht për të harmonizuar kornizat e saj ligjore dhe politike me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Stambollit, rekomandimet GREVIO, CEDAW dhe acquis të BE-së.
TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural Ardita Kuçi, mori pjesë në konferencën e 58-të të drejtorëve të Agjencive të Pagesave të Bashkimit Evropian, që u zhvillua nga data 19 deri 21 nëntor në Kopenhagë, Danimarkë.
Kuçi bëri të ditur se, gjatë punimeve u trajtuan tema kyçe për administrimin e skemave bujqësore, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, thjeshtimin e proceseve administrative, rritjen e efikasitetit institucional dhe avancimin e tranzicionit të gjelbër.
Në kuadër të konferencës, AZHBR nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë polake për Ristrukturimin dhe Modernizimin e Bujqësisë (ARMA), me qëllim përgatitjen e sistemeve dhe stafit për zbatimin e fondeve Bujqësore Evropiane për Zhvillim Rural (EAFRD) dhe Fondi Evropian i Garancisë Bujqësore (EAGF), si dhe mekanizmave të Fondit Evropian të Garancisë Bujqësore (EAGF) dhe standardeve të Bashkimit Evropian.
Ky aktivitet forcon shkëmbimin e përvojave me agjencitë homologe europiane dhe synon përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve që AZHBR ofron për fermerët në të gjithë vendin. /j.p/
Kryeministri Edi Rama, në nisje të punimeve të Samitit “Plani i Rritjes – Rruga jonë drejt BE-së”, vlerësoi se Ballkani Perëndimor po ecën përpara së bashku me Planin e Rritjes të BE-së, duke e konsideruar atë si udhërrëfyes drejt lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët europian, të cilit i përkasin qytetarët e rajonit. “Ky nuk është thjesht një udhërrëfyes drejt Brukselit…
TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë në konferencën e parë të Italofonisë, që u zhvillua në Romë, Itali, nga 17-18 nëntor.
Kjo konferencë, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë nën kujdesin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit Antonio Tajani, synon të promovojë gjuhën italiane si mjet komunikimi dhe bashkëpunimi kulturor ndërmjet popujve e vendeve të ndryshme.
Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro theksoi se “kjo konferencë ishte një moment i rëndësishëm bashkimi nën frymën e italofonisë, që na afron përmes gjuhës, arsimit, kulturës dhe historive tona të përbashkëta”.
Në qendër të konferencës ishin temat e forcimit të identitetit të përbashkët, dialogut ndërkulturor, paqes, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë kulturore.
Italofonia u prezantua si platformë për zhvillim dhe rritje ekonomike, duke forcuar marrëdhëniet mes shoqërive civile, institucioneve dhe bashkësive që flasin gjuhën italiane anembanë botës.
TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Tiranë një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul.
E pyetur nëse Shqipëria, për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së, do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga e drejta e vetos apo nga posti i Komisionerit, Spiropali tha se vendi është plotësisht i përkushtuar, por procesi mbetet meritokratik.
“Shqipëria është e gatshme të anëtarësohet, por pa diskutim duke pasur parasysh që procesi i integrimit është një proces që kalon përmes transformimit të thellë të vendit, reformave, plotësimit të kritereve dhe standardeve”, theksoi ajo.
Ministrja shtoi se integrimi europian shërben si motor reformash për vendin.
“Pavarësisht situatës gjeopolitike, procesi i integrimit na shërben për transformimin e shoqërisë, ekonomisë dhe institucioneve tona.”
Spiropali bëri të ditur se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt me BE-në dhe po pret raportin e piketave të ndërmjetme, të cilin e cilësoi “shtyllën kurrizore” të procesit.
“Presim raportin e piketave të ndërmjetme, ku përfshihet pavarësia e gjyqësorit, sundimi i ligjit, administrata meritokratike dhe çështje me rëndësi themelore për vendin”, tha ajo.
Ministrja përsëriti objektivin për përfundimin e negociatave teknike brenda dy viteve.
“Shpresojmë që brenda vitit 2027 të kemi mbyllur të gjithë procesin teknik të negociatave.”
Sa i përket përdorimit të vetos, Spiropali deklaroi se Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave europiane.
“Ne mbajmë qëndrimin se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për procesin e zgjerimit. Shqipëria është që sot e gatshme të mbajë qëndrimin që nuk do ta përdorë votën apo veton e saj në asnjë rast për të penguar vendimmarrjen e BE-së.”
Ajo shtoi se debati mbi të drejtën e vetos dhe postet në institucionet europiane do të vijë vetëm në faza të mëvonshme.
“Këto çështje mund të diskutohen në një fazë tjetër të procesit të integrimit. Tani jemi të fokusuar tek mbyllja e kapitujve”, tha ajo.
Në mbyllje, ministrja shprehu ambicien që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së brenda kësaj dekade.
“Synojmë që brenda kësaj dekade Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian”, u shpreh Spiropali.
TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit të FMN-së, Anke Weber, dhe Ministrin e Financave, Petrit Malaj, i vlerësoi pozitive zhvillimet e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025.
Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje të qëndrueshme, me tregues të fortë në aktivitetin ekonomik, punësim dhe pagat në sektorin privat jobujqësor. Inflacioni ka mbetur i ulët, pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa presionet nga rritja e pagave dhe kostove të prodhimit janë neutralizuar nga forcat e tregut dhe kursi i këmbimit.
Guvernatori nënvizoi gjithashtu rolin e politikës monetare në kontrollin e inflacionit dhe mbështetjen e zgjerimit të konsumit dhe investimeve, si dhe rëndësinë e procesit të konsolidimit fiskal në uljen e deficitit dhe borxhit publik.
Sejko theksoi avancimin e tregjeve financiare dhe anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, duke ulur kostot e transaksioneve me partnerët ndërkombëtarë dhe duke favorizuar integrimin në Bashkimin Evropian.
Parashikimet e Bankës së Shqipërisë për vitet e ardhshme mbeten pozitive, me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe inflacion të stabilizuar rreth nivelit 3%, duke krijuar hapësira për politika makroekonomike të balancuara dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare dhe sistemit bankar.
Sejko siguroi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të çmimeve, rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut financiar, si dhe mbështetjes së reformave strukturore për një rritje më të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse ekonomike.