FOKUS – Fëmijët amerikanë kalojnë një pjesë të madhe të ditës në shkollë në telefon
SAN FRANCISKO, 17 janar /ATSH/ – Fëmijët dhe adoleshentët po kalojnë shumë më tepër kohë në telefon gjatë ditës së shkollës sesa mendojnë prindërit.
Një studim i ri i publikuar nga revista “JAMA” tregon se adoleshentët amerikanë nga 13 deri në 18 vjeç shpenzojnë mesatarisht rreth 70 minuta të ditës shkollore në telefon, kohë që përkon drejtpërdrejt me orarin e mësimit, sipas CNN.
Sipas autorit kryesor të studimit, Jason Nagata nga Universiteti i Kalifornisë, kjo kohë po merret nga momentet kur nxënësit duhet të jenë të përqendruar në mësim. Dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e përdorimit total të ekraneve, pasi kërkime të tjera tregojnë se adoleshentët kalojnë rreth 8,5 orë në ditë në argëtim digjital.
Ndryshe nga studimet e mëparshme që bazoheshin në vetëraportim, ky studim përdori një aplikacion që regjistroi realisht përdorimin e telefonit. Rezultatet treguan se gjatë shkollës, pjesa më e madhe e kohës shpenzohej në rrjete sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat, si dhe në lojëra dhe video në YouTube.
Edhe pse disa nxënës pretendojnë se telefoni u nevojitet për detyra shkollore, aplikacionet e përdorura rrallë kishin lidhje me mësimin. Studimi sugjeron gjithashtu se, pavarësisht rregullave kufizuese në shkolla, nxënësit po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato.
Ekspertët këshillojnë që prindërit të mos i fajësojnë fëmijët, pasi telefonat janë të dizajnuar për të krijuar varësi. Në vend të ndëshkimit, rekomandohet dialogu dhe përfshirja e fëmijëve në vendosjen e rregullave, si dhe zgjidhje praktike si lënia e telefonit në shtëpi ose fikja e njoftimeve gjatë shkollës.
Po ashtu, prindërit duhet të japin shembullin e tyre. Studimet tregojnë se sjellja e prindërve ndaj telefonit ndikon drejtpërdrejt te fëmijët. Kufizimi i përdorimit të telefonit dhe promovimi i kohës pa ekrane mund të ndihmojnë në përmirësimin e përqendrimit, rezultateve shkollore dhe marrëdhënieve sociale të të rinjve./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Fëmijët amerikanë kalojnë një pjesë të madhe të ditës në shkollë në telefon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.