TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, vendosi sot të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, të caktuar ndaj Dakos nga shkalla e parë.
Gjithashtu Apeli i Posaçëm rrëzoi edhe ankimimin e dy të pandehurve të tjerë F.F. dhe A.B., të cilët gjithashtu kundërshtuan vendimin e dhënë më 25 nëntor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit u dënua për “shpërdorim detyre” në dy raste. Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia 9 muaj më pas. Në shkurt të vitit të kaluar, Dako u lirua nga qelia dhe ndaj tij u caktua masa “arrest shtëpie”, pasi kishin kaluar afatet e paraburgimit.
Pas këtij vendimi, sipas medieve, pritet që ai të rikthehet në qeli, pasi i ka mbetur një pjesë e dënimit e pashlyer.
Akuza e parë ndaj Dakos lidhet me ndërtimin e një pallati 11-katësh në vitin 2011, që sipas SPAK, ishte jashtë çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri, çka e ktheu ndërtesën në të rrezikshme për t’u banuar.
Akuza e dytë lidhet me projektin “Promenadë bregdetare”. SPAK thekson se u hartua me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhej të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish-kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi.
/m.q//r.e//a.f/
The post Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për Vangjush Dakon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.