Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Peleshi, takim me raportuesin për Shqipërinë në PE: Rritje e rolit të Kuvendit në negociata

29 January 2026 at 13:03

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit takim me Andreas Schieder, raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, arritjet për vijimin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Peleshi nënvizoi rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit dhe vijimin e negociatave, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e strukturore, për rritjen e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrjes parlamentare, me fokus të veçantë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.

Në takim u theksua gjithashtu mbështetja e gjerë popullore dhe nevoja e rëndësia e konsensusit politik e parlamentar dhe marrja e përgjegjësive të përbashkëta për integrimin europian.

Në fokus të diskutimit ishte edhe përparimi në përmbushjen e kritereve të kapitujve 23 dhe 24, liria e medias, forcimi i institucioneve të pavarura dhe ndjekja nga Kuvendi e rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2025. U vlerësua qasja e bazuar në rezultate dhe rëndësia e zbatimit në praktikë të reformave transformuese.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa raporteri Schieder riafirmoi angazhimin për ta mbështetur këtë avancim, nëpërmjet rritjes së ndërveprimit të Parlamentit Europian me Kuvendin. /j.p/

The post Peleshi, takim me raportuesin për Shqipërinë në PE: Rritje e rolit të Kuvendit në negociata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prlamenti Evropian mund të pezullojë marrëveshjen për tarifat amerikane

By: Rovena
20 January 2026 at 23:17

Parlamenti Evropian po planifikon të pezullojë miratimin e marrëveshjes për tarifat amerikane të arritur në korrik, pas kërcënimeve të presidentit Trump për tarifa të reja mbi Grenlandën. Ky vendim pritet të njoftohet të mërkurën në Strasburg dhe rrit tensionet midis SHBA dhe Evropës.

Tregjet financiare reaguan menjëherë: aksionet ranë dhe dollari amerikan u dobësua, ndërsa kostot e huamarrjes u rritën globalisht.

Marrëveshja e korrikut parashikonte reduktimin e tarifave amerikane ndaj produkteve evropiane në 15%, në këmbim të investimeve evropiane dhe rritjes së eksportit amerikan, por ende duhet miratim nga Parlamenti Evropian. Kryetarët e komitetit të tregtisë thanë se pezullimi është i pashmangshëm për shkak të kërcënimeve ndaj sovranitetit të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë evropianë po shqyrtojnë opsione hakmarrjeje, ndërsa SHBA paralajmëron kundër çdo veprimi të tillë. SHBA dhe BE janë partnerët tregtarë më të mëdhenj të njëri-tjetrit, me mbi një të tretën e tregtisë globale.

Në sfond mbetet edhe vendimi i ardhshëm i Gjykatës së Lartë amerikane për ligjshmërinë e tarifave të vendosura nga Trump.

A do të krijohet zona më e madhe ekonomike e lirë në botë?

20 January 2026 at 20:32


Deputetët e pavendosur në Parlamentin Evropian mund të vendosin nëse do të arrihet një marrëveshje për krijimin e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë, sipas një analize të votimit të publikuar nga Politico.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nënshkruan marrëveshjen e shumëpritur tregtare me Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain me shumë pompë gjatë fundjavës së kaluar.

Marrëveshja Mercosur, e cila është përgatitur për 25 vjet, përfshin 700 milion njerëz, dhe Brukseli e konsideron atë si një mjet kyç strategjik për të forcuar lidhjet tregtare të BE-së me Amerikën Latine, ndërsa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën janë përkeqësuar.

Megjithatë, mega-marrëveshja ende duhet të marrë miratimin e Parlamentit Evropian për të hyrë në fuqi, transmeton Telegrafi.

Gazetarët e Politico kontaktuan grupet e partive dhe deputetë individualë dhe përcaktuan qëllimet e votimit të 673 nga 719 deputetë të Parlamentit. Rezultatet tregojnë se marrëveshja rrezikon të ngecë.

Të paktën 301 nga këta deputetë pritet të jenë kundër marrëveshjes Mercosur kur ajo të paraqitet në Parlament, ndërsa 319 deputetë do të votonin për të.

Ky është një numër që deputetët e pavendosur dhe të paqartë mund ta ndryshojnë lehtësisht.

Ky është një moment kyç për marrëveshjen tregtare

Parlamenti nuk do të votojë për marrëveshjen vetë për disa muaj, ndoshta jo para majit. Por të mërkurën deputetët do të vendosin nëse do të dërgojnë tekstin e marrëveshjes për kontroll ligjor në Gjykatën e BE-së.

Ky proces mund të shtyjë vendimin përfundimtar deri në dy vjet.

Ky votim është në thelb një votim provë që tregon se ku do të qëndronte shumica në miratimin përfundimtar. Shumë deputetë që mbështesin marrëveshjen pritet të refuzojnë dërgimin e tekstit në Gjykatë.

Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë për të gjithë. Për shembull, 12 deputetë nga Partia e Gjelbër gjermane mbështesin marrëveshjen, por gjithashtu mbështesin dërgimin e tekstit në Gjykatë për të kontrolluar ligjshmërinë e tij, gjë që e bën votimin edhe më të pasigurt.

Në Këshillin e BE-së, degën ndërqeveritare të bllokut, marrëveshja mori shumicë të kualifikuar pavarësisht kundërshtimit të Francës, Polonisë, Austrisë, Irlandës dhe Hungarisë. Belgjika u tërhoq, ndërsa Italia mbështeti marrëveshjen vetëm pasi siguroi mbrojtje dhe angazhime financiare për fermerët e saj.

Një votim i Parlamentit kundër marrëveshjes do të ishte një goditje e madhe për Brukselin dhe fushatën për marrëveshjen që udhëhiqet nga Gjermania.

“Nuk duhet ta humbasim këtë mundësi. Nuk ka nevojë të flasim më shumë për sovranitetin evropian ose për aftësinë e Evropës për të vepruar nëse nuk arrijmë t’i çojmë këto marrëveshje tregtare të lira në një përfundim pozitiv”, tha javën e kaluar ministri i Jashtëm Johann Wadephul, duke ftuar Parlamentin Evropian që të mbështesë marrëveshjen.

Kundërshtimi në Parlament vjen nga drejtime të ndryshme politike: pritet që deputetët e ekstremit të djathtë “Patriots for Europe” dhe grupet e majta të votojnë kundër marrëveshjes.

Grupet e tjera politike janë të ndara. Edhe brenda radhëve të Partisë Popullore Evropiane (EPP) të Ursulas von der Leyen, pritet që një e pesta e deputetëve të votojë kundër tekstit të Mercosur.

Gjithashtu ka përçarje brenda grupit liberal Renew dhe të Gjelbërve, ndërsa analiza tregon se marrëveshja tregtare ndan konservatorët dhe reformistët e djathtë evropianë në mes.

Një pyetje e madhe qëndron mbi delegacionin spanjoll brenda EPP-së. Me 22 deputetë, ata më parë konsideroheshin si një nga promovuesit kryesorë të marrëveshjes. Por, presioni i fermerëve kundër Mercosur para zgjedhjeve rajonale ka vënë në dyshim nëse ata do të qëndrojnë në kampin e marrëveshjes. Zyrtarët e lartë të EPP-së ende mbështeten në mbështetjen e tyre pavarësisht dyshimeve të fundit. /Telegrafi/

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë përgënjeshtron Vuçiqin

14 January 2026 at 12:41


Tonino Picula, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, ka reaguar ndaj një deklarate të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se ashkush në shtetin serb nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian sepse “po vijnë pa ftuar” në Beograd.

Picula i tha televizionit “Nova” se nuk është e vërtetë që delegacioni i Parlamentit Evropian po shkon të paftuar në Beograd. Ai tha se ambasada e Serbisë në Bruksel është informuar dhe që delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd ka punuar në programin e takimit paraprakisht.

Ai shpjegoi se kjo është praktikë e zakonshme e Parlamentit Evropian dhe se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë vizitë, përveç reagimit të autoriteteve serbe dhe situatës në vend. Qëllimi i delegacionit – i përbërë nga deputetë të partive të ndryshme në Parlamentin Evropian – është të bisedojë drejtpërdrejt me njerëz që përfaqësojnë ndjenjat e qytetarëve të Serbisë dhe të fitojë një pamje më të plotë të situatës në vend.

Picula tha se autoritetet serbe duket se kanë zgjedhur këtë bojkot të takimit, që ai e konsideron një mënyrë për të shmangur dialogun me ata që janë kyç për vendimmarrjen rreth anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi gjithashtu se dokumentet e pranimit midis BE‑së dhe Serbisë, si për çdo vend kandidat, duhet të verifikohen nga Parlamenti Evropian, për çka ky takim ka rëndësi.

Në vijim të intervistës, Picula shtoi se Evropa pret që ky takim të japë informacione të qarta dhe një pamje më të mirë të perspektivës së Serbisë në rrugën drejt BE‑së, si nga ata që janë në pushtet, ashtu edhe nga përfaqësues të komunitetit akademik.

Ai gjithashtu përmendi se kjo mosdakordësi për takimin nuk është diçka e re për të, por këtë herë mesazhi ka peshë më të madhe, sepse bëhet fjalë për refuzimin e bisedimeve me përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane, e cila ka lidhje me një pjesë të partisë në pushtet në Serbi.

Ndryshe, kryetarja e parlamentit serb, Ana Brnabiq ka thënë se delegacioni vjen “pa ftesë” dhe se ajo nuk do të takohet me ta, pasi gjatë vizitës së tyre do të jetë në Estoni. /Telegrafi/

“Janë të paftuar”: Vuçiq refuzon të takohet me një delegacion të Parlamentit Evropian, gjatë vizitës së tyre në Beograd

13 January 2026 at 12:29


Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) sepse sipas tij, ata “mbërrijnë të paftuar” në Beograd.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ai u tha gazetarëve gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi se nuk do të jetë në Serbi kur të arrijnë parlamentarët evropianë, pasi siç ka thënë ai “ka detyrime për të cilat është rënë dakord më parë, por se sigurisht nuk do të takohet me ta”.

"Urrejtësit e Serbisë u ulën dhe ranë dakord që do të vinin në Beograd dhe nuk na pyetën dhe as nuk na informuan. Ne nuk i thirrëm. Ata erdhën të paftuar (...) Kam edhe angazhime të tjera të planifikuara në Davos. Nuk po i shmang, por edhe nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta", citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ai tha se dëshiron të takohet “vetëm me njerëz që i dëshirojnë të mirën Serbisë dhe se do ta bëjë këtë në Davos”.

“Nuk po i shmang, nuk do të takohem me (Tonina) Pizzula, as me (Vladimir) Prebiliç, as me të gjithë ata. Nuk më shkon ndërmend të humbas kohë”, ka shtuar Vuçiq.

Ndërsa i pyetur nëse do të ketë pasoja, Vuçiq tha: “Do të ketë pasoja të tmerrshme, ata do të sjellin një deklaratë ose rezolutë tjetër”.

Edhe kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq thuhet se ka thënë të hënën se delegacioni i Parlamentit Evropian po shkon në Serbi pa ftesë dhe se ajo nuk do të takohet me ta pasi ata do të jenë në Estoni.

Misioni i Parlamentit Evropian do të jetë në Beograd nga 22 deri më 24 janar, dhe në atë kohë Vuçiq do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. /Telegrafi/

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Terras: Rezultati i zgjedhjeve mund të përfundojë bllokadën politike

29 December 2025 at 10:46


Riho Terras, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, ka komentuar rezultatet e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare, duke theksuar se ato mund të vendosin pikën përfundimtare mbi bllokadën politike që ka kushtuar vendit miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Rezultati i zgjedhjeve të Kosovës duhet të përfundojë më në fund bllokadën politike që i ka kushtuar vendit miliona euro fonde të BE-së”, ka shkruar Terras në një postim në rrjetin social X, raporton Telegrafi.

Ai gjithashtu nënvizoi përgjegjësinë e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se: “Kryeministri Albin Kurti tani ka një mandat të qartë dhe përgjegjësinë për të qeverisur në mënyrë më pragmatike”.

Raporti i Terras vjen në një moment kur Kosova shpreson për formimin e shpejtë të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që i japin mundësi vendit të rifillojë projektet dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/


Kosovo’s election result should finally end the political deadlock that has cost the country millions of #euros in #EU funding.
PM @albinkurti now has a clear mandate and a responsibility to govern more pragmatically.#Kosovo @Europarl_EN @EU_Commission pic.twitter.com/cSr2NxwE9U
— Riho Terras (@RihoTerras) December 29, 2025

Moment historik në Mitrovicën e Veriut, asamblistja Aida Ferati Doli ushqen me gji foshnjën gjatë betimit

5 December 2025 at 16:46


Një skenë e rrallë dhe e pahasur më parë në institucionet lokale të Kosovës është parë sot në seancën konstituive të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati Doli, u betua në detyrë ndërsa në krah mbante foshnjën e saj, të cilën e ushqente me gji.

Pamje të tilla janë parë më herët në institucione të tilla si Parlamenti Evropian apo Senati italian, por për Kosovën një moment i tillë ka qenë i pazakontë deri sot.

Me këtë gjest, Ferati Doli theu një tabu të gjatë, duke normalizuar amësinë dhe pjesëmarrjen aktive të grave në jetën institucionale.

Ajo e ka ndarë vetë momentin emocional me ndjekësit e saj, duke shkruar:

“Sot, bashkë me Ninzën, u betuam në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, në Republikën tonë.
Me nder e përgjegjësi, fillojmë një kapitull të ri të angazhimit qytetar e institucional, në shërbim të komunitetit dhe vendit tonë.”

Ky veprim i saj ka marrë vëmendje të gjerë në rrjete sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar si shembull të fuqizimit të grave, normalizimit të rolit të nënës dhe guximit për të sfiduar normat e vjetra në institucionet publike./Telegrafi/


Situata e vendeve kandidate - çfarë thotë raporti i BE-së?

4 November 2025 at 20:04


Ukraina nuk ishte i vetmi vend që Marta Kos, komisionerja e BE-së për Zgjerimin, e përmendi kur foli para Parlamentit Evropian.

Ajo foli edhe për vendet e tjera që po përparonin, si dhe disa që nuk po përparonin aq mirë.

Mali i Zi kishte “avancuari më së shumti” në përpjekjet e tij, tha Kos dhe se ishte vendi më i përgatitur, raporton skynews.

Parlamenti Evropian dëgjoi se Shqipëria kishte bërë “progres të paprecedent” që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa Moldavia kishte punuar mirë për të thelluar lidhjet me BE-në, megjithëse kishte “kërcënime hibride të vazhdueshme për të destabilizuar vendin dhe rrugën e BE-së”.

Rusia është akuzuar se ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e saj më të fundit.

Megjithatë, jo të gjitha vendet po përparonin njësoj. Kos theksoi disa vende që po dështonin të arrinin objektivat e tyre.

“Në Serbi, autoritetet vazhdojnë të deklarojnë anëtarësimin në BE si qëllimin strategjik, por ritmi real i zbatimit të reformave është ngadalësuar ndjeshëm”, tha ajo.

Kos pranoi disa “zhvillime pozitive të fundit”, por tha se duhet të shmangë “retorikën anti-BE” dhe të shmangë “kthimin mbrapa” në lirinë e shprehjes.

Maqedonia, tha Kos, nuk kishte marrë “hapa vendimtarë” për të avancuar negociatat me BE-në, duke përfshirë edhe ndryshimin e kushtetutës.

Në Kosovë, politika e brendshme kishte bërë që rruga drejt BE-së të “stagnojë”, tha ajo, ndërsa negociatat me Turqinë nuk kishin ecur “që nga viti 2018”.

Megjithatë, situata më e keqe ishte në Gjeorgji, ku “ishte përkeqësuar ndjeshëm gjendja me një regres të rëndë demokratik”. Aq shumë, tha Kos, sa tani Gjeorgjia konsiderohet kandidat vetëm “në letër”. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

​Picula: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

25 October 2025 at 22:53


Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën shtet dhe të heqë dorë nga “bota serbe”.

Në një intervistë për Jutarnji List, eurodeputeti kroat tha se pa normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë integrim në BE.

Ai shtoi se integrimi i të dyja vendeve në familjen e madhe evropiane është i lidhur ngushtë me dialogun, i cili duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht obliguese gjithëpërfshirëse për normalizimin raportesh mes dy shteteve.

Ndonëse dialogu u ripërtëri më 2023, ai tha se “në vend që kapet momentumi, erdhi te një seri e vërtetë të krizave, që më seriozja ishte sulmi i forcave paramilitare serbe në veri të Kosovës”.

Picula tha se sulmi i grupit terrorist me në krye Milan Radoiçiq në Banjska, paraqet cenimin serioz të paqes në Kosovë.

“Ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit ndaj sulmuesve në Banjskë të jetë njëri nga kriteret për vlerësimin e plotë situatës në Serbi dhe aftësisë së e Beogradit që të ecë në rrugën evropiane. Edhe Zyra e BE-së në Kosovë, mendoj rishtazi u ka thënë autoriteteve në Beograd, se pret së shpejti arrestimin dhe procedimin e atyre që kryen sulmin në Banjska, e të cilët ndodhen në Serbi. Për fat të keq, Beogradi edhe më tutje injoron kërkesat për trajtimin e kësaj çështjeje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me pengim të procesit gjyqësor që pritet dhe ka shumë gjasë që kjo po ndodh me urdhrin e kreut shtetëror”, tha Picula.

Parlamenti Evropian miratoi rezolutën më të ashpër ndonjëherë për pushtetin e Vuçiqit në Serbi

22 October 2025 at 14:44


Miratohet rezoluta e Parlamentit Evropian për Serbinë.

Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Serbinë, që - sipas 31 pikave të raportit - është më e ashpra ndaj regjimit në Serbi.

Autoritetet serbe u kërkohet të sqarojnë plotësisht rrethanat e rrëzimit të strehës së autobusëve në Novi Sad, të vendosin sanksione ndaj përgjegjësve dhe të japin mbështetje të plotë për studentët.

Kampi në Parkun “Pionirski” u etiketua si i paligjshëm, ndërsa u shpreh shqetësim për përfshirjen e personave me të kaluar kriminale në organizimin e antiprotesteve nga partia në pushtet.

Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, 103 ishin kundër, raporton nova.rs.

Deputetët e Parlamentit Evropian votuan për tekstin e harmonizuar që trajton polarizimin dhe shtimin e represionit në Serbi, një vit pas rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve serbe që të zbatojnë urgjentisht dhe në mënyrë të plotë të gjitha rekomandimet e OSBE dhe ODIHR për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi.

Gjatë debatit, eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos theksoi se është e pavërtetë që me vendimin e Këshillit të BE-së do të pengohet transferimi i gazit për Serbinë.

Sipas saj, “BE mbështet Serbinë që të diversifikojë të gjitha burimet e furnizimit dhe të integrohet në rrjetet energjetike të BE-së”.

Për tragjedinë e rrëzimit të strehës në Novi Sad, Kos tha se “ai moment tronditi të gjithë ne, dhe veçanërisht Serbinë”. Ajo shtoi se korrupsioni dhe mungesa e përgjegjësisë janë dy nga shkaktarët kryesorë të protestave, së bashku me mungesën e demokracisë, kufizimin e mediave dhe papërgjegjshmërinë e politikanëve.

Eurodeputetja Irena Joveva në fjalimin e saj tha se studentët serbë po përballen për demokraci, dhe “autokratëve në Beograd po i afrohet koha e ndërgjegjësimit për fajet e tyre.” Ajo kërkoi sanksione të synuara për përgjegjësit dhe theksoi se protesta nuk mund të zvarriten — “jo nesër, por tani”. /Telegrafi/

KSHZ miratoi akreditimin e organizatave ndërkombëtare dhe vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale

10 October 2025 at 18:51


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot në kuadër të mbledhjes së 142-të mori vendim për miratimin e akreditimeve për organizatat ndërkombëtare dhe vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.

Për Shoqatën Qytetare Civil – Qendra për Liri Shkup u miratuan 51 vëzhgues, 12 shtesë për Parlamentin Evropian, 36 për Shoqatën Qytetare për Forcimin e Vlerave Demokratike Trisi Konstaltiks-Shkup, dy për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të Moldavisë, 98 për ODIHR, 398 akreditime për Shoqatën për Zhvillimin e Inovacioneve Sociale Vejk ap, 27 për Institutin për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare – Ohër, 20 për Rrjetet Kombëtare Gratë për Gratë, katër për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në vend dhe 12 akreditime për vëzhgues u miratuan për Ambasadën Britanike në vend.

“Gjithsesi, do ta respektojnë kodin e sjelljes dhe të rregullave në vetë vendet e votimit. Me këtë të drejtë të tyre të realizuar të vëzhgimit, munden në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kudo që duan vëzhguesit të shkojnë dhe të vëzhgojnë zgjedhjet e tona lokale për këtë vit”, tha anëtarja e KSHZ-së, Svetllana Karapetrova.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko sqaroi se formalisht skadon afati për dorëzimin e kërkesave për vëzhgim, por se derisa ka kushte kohore objektive për shqyrtimin e kërkesave do të pranohen. I luti të interesuarit sa më shpejtë të dorëzojnë kërkesa për akreditime për vëzhgues, që të mos e lënë për ditët e fundit para zgjedhjeve.

“Nuk do të ketë kurrfarë problemi edhe nëse jashtë afatit mbërrijnë kërkesa shtesë, ne në interes të procesit dhe transparencës të gjitha do t’i miratojmë dhe pranojmë. Por, lusim nëse ende ka të interesuar këtë ta bëjnë sa më shpejtë në ditët në vijim, të mos lëmë për ditët e fundit para zgjedhjeve”, tha Kondarko.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, teksa kutitë e votimit do të hapen nga ora 07:00 deri në ora 19:00.

Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian

By: Fax Web
9 October 2025 at 14:12

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian të enjten, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë. Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së në Parlamentin me 720 ulëse. Von der Leyen e mori mbështetjen e 378 ligjvënësve në votimin e parë, si dhe të 383 të tjerëve në të dytin.

Von der Leyen tha në një postim në X se e vlerëson thellësisht mbështetjen dhe se ekipi i saj i komisionarëve do të punojë ngushtë me Parlamentin për t’u përballur me sfidat e Evropës. Këto rezultatet ishin pak më të mira për shefen e ekzekutivit të BE-së sesa ato në korrik, kur 360 ligjvënës votuan kundër një mocioni të ngritur kryesisht nga deputetë të ekstremit të djathtë, pak më pak se 401 votat që mori ajo i mori për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në korrik 2024.

Edhe pse mocionet e votëbesimit kishin shumë pak gjasa të arrinin shumicën prej dy të tretash të nevojshme për ta rrëzuar von der Leyenin, disa ligjvënës thanë se ato mund të nxjerrin në pah pakënaqësinë e përgjithshme ndaj udhëheqjes të saj dhe ta destabilizojnë Parlamentin e BE-së, mbështetja e të cilit është e nevojshme për miratimin e ligjeve. Partitë jashtë rrymave kryesore kanë kuptuar se mocionet e votëbesimit – që dikur përdoreshin rrallë – janë të lehta për t’u ngritur pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat e rritën numrin e deputetëve të ekstremit të djathtë në mbi 100, ndërsa nevojiten vetëm 72 për të mbështetur një mocion të tillë.

 

 

Të dy mocionet kritikuan von der Leyenin për pranimin e një marrëveshjeje të pabalancuar tarifash me Shtetet e Bashkuara dhe për propozimin e një marrëveshjeje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, që kritikët thonë se kërcënon bujqit dhe mjedisin. Marrëveshjet me SHBA-në dhe Mercosurin do t’i nënshtrohen votimeve në Parlamentin Evropian në muajt e ardhshëm./rel

Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian

By: Elva
9 October 2025 at 13:38

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian të enjten, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së […]

The post Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian appeared first on BoldNews.al.

Eurodeputeti i fuqishëm gjerman, Schieder: Vuçiqit po i vjen fundi, Serbia sot është si në kohën e Millosheviqit

18 September 2025 at 21:15


Kryetari i delegacionit SPO në Parlamentin Evropian kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme pas një reforme të ligjit zgjedhor në Serbi dhe formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

“Vuçiqit është në fund, ai nuk e ka shumicën në vend. Nëse do të dëshironte të fitonte përsëri në zgjedhje, do të duhej të organizohej ‘masivisht’, domethënë të manipulonte”, vlerëson Andreas Schieder.

Ky deputet socialdemokrat në Parlamentin Evropian është një nga të rrallët politikanë evropianë që nuk ndjek me vëmendje vetëm politikën serbe, por gjithashtu gjen guximin ta kritikojë regjimin autoritar të presidenti serb, Aleksandar Vuçiqit dhe dhunën e fundit policore ndaj studentëve.

Ai thekson se është thelbësore që në zgjedhjet e ardhshme të jetë një listë e lëvizjes demokratike që udhëhiqet nga studentët.

“Studentët kanë mbështetje në të gjithë spektrin shoqëror, tek prindërit e tyre dhe gjyshërit. Me ta të formohet një qeveri tranzitore e unitetit kombëtar, në mënyrë që vendi të ndryshojë dhe të lirohet”, tha ai për STANDARD.

Ai e krahason situatën me vitin 2000, kur Sllobodan Milosheviq u rrëzua nga pushteti dhe reformisti Zoran Gjingjiq mori drejtimin e shtetit.

“Zoran Gjingjiqët e këtyre viteve e quajmë lëvizje studentore”, thotë ai për lëvizjen demokratike më të madhe aktualisht në Evropë. Ai shton se edhe partitë opozitare e kanë të qartë se studentët duhet të jenë udhëheqësit e lëvizjes pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për të cilat të gjithë duhet të ulen në të njëjtin tryezë.

Kritikat ndaj udhëheqësit serb vijnë gjithashtu edhe Partia Evropiane Popullore (EPP), ku anëtare është SNS-i i Vuçiqit.

Kryetari i EPP, Manfred Weber, deklaroi se partia ka vendosur të nis një procedurë për verifikimin e anëtarësisë së lidhur të SNS.

“EPP nuk i ka mbyllur sytë para ngjarjeve në Serbi. Procedura pritet të përfundojë ditët e ardhshme”. Deklaroi ai.

Për dhjetë muaj me radhë, dhjetëra mijëra qytetarë të Serbisë kanë dalë në rrugë duke kërkuar më shumë sundim të ligjit dhe transparencë.

Ata duan të demokratizojnë një vend të cilin SNS-i i Vuçiqit i ka “kapur” institucionet. Nën Vuçiqin, në Serbi prej kohësh nuk ka më ndarje të pushteteve. /Telegrafi/

Fiaskoja e vizitës së Brnabiq në Bruksel, Presidentja e PE-së i thotë: Nuk e dija që ishe këtu

12 September 2025 at 21:56


Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiq, u takua sot në Bruksel me Presidenten e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Mecola, por takimi nuk u transmetua në faqen zyrtare të PE-së, dhe as nuk është e mundur të gjendet informacion rreth takimit në faqen e internetit.

Media e regjimit raportoi me triumf lajmin e takimit midis Brnabiq dhe Mecola, megjithatë, në pamjet që u shfaqën në internet përpara takimit, duket se Presidentja e PE-së nuk ishte në dijeni se po vinte një mysafir nga Serbia.

"Më vjen keq, nuk e dija që ishe këtu", i tha Mecola, Brnabiqit, transmeton Telegrafi.

Më pas, Brnabiq e falënderoi Presidenten e PE-së që erdhi nga Brukseli në Strasburg, të cilës ajo iu përgjigj se ndërkohë e kishte "mbushur agjendën e saj", duke sugjeruar se kishte pasur edhe takime të tjera.

Kur bëhet fjalë për takimet, dihet që Brnabiq është planifikuar të takohet me Mecola-n, nëse shikoni faqen e internetit të Parlamentit Evropian.

Detajet e takimit, çfarë u tha gjatë bisedës, deklaratat për median - asgjë nga këto nuk është e disponueshme në faqen e internetit të PE-së.

Për më tepër, gazetarët që ishin të pranishëm në fillim të takimit midis Brnabiq dhe Mecole folën me kameramanin zyrtar të këtij institucioni, i cili u shpjegoi atyre se nuk do ta mbulonte takimin me Brnabiq.

Sipas informacioneve të mediave serbe, meqenëse ishte një takim “kokë më kokë”, pra një takim që nuk ishte pjesë e agjendës së paracaktuar të Mecole, nuk pati asnjë fjalim të përbashkët për median dhe asnjë mbulim në kanalet e Parlamentit Evropian. /Telegrafi/


Parlamenti Evropian bën thirrje për njohjen e Palestinës

11 September 2025 at 14:51


Asambleja e BE-së votoi në favor të një rezolute jo-detyruese, të dakordësuar nga grupet e shumicës qendrore.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së të "shqyrtojnë njohjen e Shtetit të Palestinës, me qëllim arritjen e zgjidhjes me dy shtete".

Ndërsa Parlamenti ka mbështetur "njohjen në parim të shtetësisë palestineze" në të kaluarën, kjo rezolutë e re duket të jetë një thirrje më e drejtpërdrejtë për qeveritë kombëtare për të vepruar.

Rezoluta u miratua me 305 vota pro, 151 kundër dhe 122 abstenime.

Sipas eurodeputetit socialist italian Nicola Zingaretti, kjo ishte rezultat i negociatave të plota midis grupeve politike mbi amendamente të ndryshme.

Votimi ishte i gjatë dhe i tensionuar, dhe anëtarët e Parlamentit madje kërkuan një pauzë për të kontrolluar votat e amendamenteve mbi Gazën, përpara se të vazhdonin me votimin përfundimtar mbi rezolutën në tërësi.

Një pikë tjetër e diskutueshme në rezolutë ishte përdorimi i termit "gjenocid" për të përshkruar sulmet e Izraelit ndaj Gazës.

Formulimi “veprime gjenocidale” përfundimisht u refuzua dhe u përjashtua nga teksti. /Telegrafi/

“Shqipëria, Kolumbia e Evropës”/ Eurodeputeti gjerman kundër anëtarësimit në BE

By: Elva
25 July 2025 at 22:08

Shqipëria është vënë sërish në qendër të kritikave në Parlamentin Evropian, këtë herë nga eurodeputeti gjerman Dr. Alexander Sell, i cili ka mbajtur një fjalim të ashpër kundër procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij, Sell deklaroi se Shqipëria nuk i plotëson aspak kushtet demokratike për t’u bërë pjesë e […]

The post “Shqipëria, Kolumbia e Evropës”/ Eurodeputeti gjerman kundër anëtarësimit në BE appeared first on BoldNews.al.

Parlamenti Evropian mbështet negociatat e BE-së, por është kundër marrëveshjes tregtare me çdo çmim me SHBA-në

11 July 2025 at 08:21
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët tanë përtej Atlantikut për të siguruar që të bëjmë përparim të qëndrueshëm dhe të konsiderueshëm”, theksoi Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, gjatë debatit në Parlamentin Evropian mbi mosmarrëveshjen tregtare me SHBA-në. Ndërsa situata në BE është lehtësuar disi pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zgjati

Ursula von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit

10 July 2025 at 12:38

Një mocion mosbesimi kundër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe vetë Komisionit dështoi të miratohej në Parlamentin e BE-së në Strasburg.

Ursula von der Leyen dhe Komisioni Evropian i mbijetuan votës së mosbesimit në Parlamentin Evropian, me 175 eurodeputetë që votuan në favor të mocionit të mosbesimit, 360 kundër dhe 18 abstenime.

Votat në favor ishin shumë më poshtë shumicës prej dy të tretash të të gjitha votave të hedhura të nevojshme që mocioni të jetë i suksesshëm.

Von der Leyen, e cila nuk ishte e pranishme gjatë votimit, është e sigurt për momentin, shkruan euronews.

Por votimi padyshim e ka dobësuar atë dhe ka lënë pikëpyetje mbi mbështetjen për agjendën e saj në Parlament.

Ndryshe, Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve mori një premtim për buxhetin e ardhshëm afatgjatë në këmbim të mbështetjes së tyre, një premtim që do të vihet në provë javën e ardhshme kur propozimi i Komisionit duhet të publikohet.

Grupet e krahut të djathtë Patriotët për Evropën dhe Evropa e Kombeve Sovrane, plus shumë nga Konservatorët dhe Reformistët Evropianë dhe disa delegacione nga e Majta, votuan në favor të mocionit. /Telegrafi/

The post Ursula von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit appeared first on Telegrafi.

A po shkatërrohet partia më e madhe opozitare turke? Çfarë po e kërcënon mbijetesën e CHP

20 June 2025 at 08:30

Arrestimi i kandidatit të mundshëm presidencial Ekrem Imamoglu dhe një tjetër padi gjyqësore kundër udhëheqjes së partisë kërcënojnë mbijetesën e CHP-së.

Kur Nacho Sánchez Amor, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë,u shfaq para kamerave rreth dhjetë ditë më parë, ai dukej dukshëm i tronditur. Pasi vizitoi kryetarin e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, socialdemokrati ishte shumë i qartë kur tha: “Rasti Imamoglu është plotësisht i sajuar”.

Sánchez Amor, tha se lideri i opozitës “është në burg sepse kandidati i Erdoganit nuk mundi ta mposhtte atë”. Amor theksoi se zyra e prokurorit të Stambollit ka detyrën e shkatërrimit politik të Imamoglut. “Kjo është ajo që do t’ua përcjell kolegëve të mi evropianë”, shtoi ai.

Ish-kryetari i bashkisë së Stambollit dhe kandidati presidencial i partisë kryesore të opozitës CHP është mbajtur në burg në Silivri që nga 19 marsi. 54-vjeçari akuzohet për korrupsion, themelim të një organizate kriminale dhe mbështetje të terrorizmit, ndër të tjera. Rreth 130 persona janë arrestuar në hetimin kundër tij deri më tani – numri po rritet pothuajse çdo ditë për shkak të bastisjeve të reja.

Imamoglu ende gëzon mbështetje dhe solidaritet të madh. Partia e tij, Partia Republikane Popullore (CHP), organizon rregullisht protesta në të gjithë vendin. Megjithatë, kjo mbështetje mund të dobësohet së shpejti.

Shpresat edhe në burg

Imamoglu njihet si një politikan i afërt me popullin, karizmatik dhe i aftë për të mobilizuar masat. Për vite me radhë ai ka qenë rivali më i fortë i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Në Stamboll, një qytet me miliona banorë, ai i mundi kandidatët e Erdoganit tre herë, gjë që i dha fund pathyeshmërisë së AKP-së.

Falë këtyre sukseseve, Imamoglu ka performuar me besim në rritje. Pas humbjes së opozitës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në maj 2023, politikani popullor ushtroi presion mbi partinë e tij për reforma. Në kongresin e partisë në vjeshtën e të njëjtit vit, me mbështetjen e tij të fortë, një kandidat i zgjedhur prej tij – Özgür Özel – u zgjodh si kryetar i ri i partisë dhe e gjithë udhëheqja u zëvendësua. Që atëherë, CHP ka filluar të fitojë gjithnjë e më shumë mbështetje. Vitin pasardhës, ai fitoi zgjedhjet lokale të vendit.

Imamoglu që atëherë është konsideruar si një kandidat i mundshëm presidencial dhe u nominua zyrtarisht në mars.

Një gjyq dramatik kundër CHP-së

Me burgosjen e Imamoglu-t dhe politikanëve të tjerë të opozitës, CHP-ja ka qenë nën presion të madh në muajt e fundit. Tani ajo përballet me një sfidë tjetër të madhe: një gjyq dramatik kundër partisë. Më 30 qershor 2025, një gjykatë në Ankara mund të anulojë zgjedhjen e udhëheqjes aktuale të partisë nga Kongresi i mbajtur në nëntor 2023.

Disa mbështetës të ish-kryetarit të partisë Kemal Kilicdaroglu kanë pretenduar parregullsi në procesin zgjedhor dhe kanë ngritur akuza penale. Ata akuzojnë krahun reformist të Özel dhe Imamoglu për blerjen e votave të delegatëve.

Një gjyq i manipuluar politikisht

Mediat e afërta me Erdoganin dhe autoritetet kanë kohë që përpiqen të minojnë unitetin e partisë më të madhe të opozitës me raportimet e tyre, besojnë mbështetësit e CHP-së. Pretendimet se ish-kryetari i partisë dhe i gjithë kampi i tij janë viktima të intrigave të brendshme të partisë po përhapen qëllimisht.

Nëse kjo është bërë vërtet sistematikisht, atëherë qëllimi ndoshta është arritur: brenda CHP-së dhe midis mbështetësve të saj, krahët kundërshtarë po sulmojnë njëri-tjetrin dhe po shkëmbejnë fyerje dhe akuza të rënda.

Sipas politologut Baris Övgün, opozita kështu po “bie në kurthin e autoriteteve”, të cilat prej kohësh kanë përdorur taktikën e ndarjes së krahëve të ndryshëm brenda partive opozitare me qëllim dobësimin e unitetit të tyre.

“Më 30 qershor, gjyqtarët mund të shkarkojnë udhëheqjen aktuale të partisë me vendimin e tyre”, tha Övgün në një intervistë me DW. Megjithatë, ai beson se shpallja e vendimit ndoshta do të shtyhet me qëllim që të thellohen më tej përçarjet brenda CHP-së dhe të krijohet përshtypja në publik: “Shikoni, ata as nuk mund ta drejtojnë partinë, atëherë si do ta drejtojnë shtetin?”

Kaos në opozitë?

Nëse zgjedhja e udhëheqjes aktuale anulohet më 30 qershor, vëzhguesit kanë frikë nga kaosi brenda opozitës. Derisa të mbahet një kongres i ri i partisë dhe të zgjidhet një udhëheqje e re, mund të mbretërojë kaosi, pasiguria dhe anarkia – gjë që madje mund të çojë në një përçarje në parti. Një mundësi tjetër është që ish-lideri i partisë Kemal Kilicdaroglu të kthehet dhe që kampi i tij të marrë kontrollin e partisë.

Kilicdaroglu, i cili konsiderohet anëtar i krahut konservator të CHP-së, e udhëhoqi partinë për 13 vjet dhe humbi të gjitha zgjedhjet ndaj AKP-së së Erdoganit gjatë asaj kohe. Vëzhguesit e akuzojnë atë për mungesë afërsie me njerëzit. Ai konsiderohet edhe kundërshtari i preferuar i Erdoganit.

Eksperti Berk Esen kritikon qëndrimin e pavendosur të ish-liderit të CHP-së Kilicdaroglu në debatin aktual dhe përpara gjyqit të ardhshëm. Edhe pse ai pretendon se është tërhequr, emri i tij është renditur në aktakuzë si viktimë dhe ai shfaqet si një palë e dëmtuar, thekson Esen.

Imamoglu dhe disa politikanë nga krahu reformist i CHP-së, megjithatë janë renditur si të pandehur, shkroi një shkencëtar politik në platformën X. Në kontekstin e vendimit të 30 qershorit, gjyqësori mund të hapë rrugën për një ndalim politik të Imamoglut, vazhdon Esen. I gjithë procesi është si një “levë që qeveria përdor kundër opozitës” dhe që mund ta aktivizojë në çdo kohë.

Mbështetja e heshtur e Kilicdaroglut për gjyqin e bën të vështirë që opozita të ketë një qëndrim të unifikuar dhe të qartë ndaj qeverisë turke.

Nëse CHP, pas vendimit që do të anulonte zgjedhjen e udhëheqjes aktuale, nuk thërret menjëherë një kongres partie për të zgjedhur një udhëheqje të re, rrezikon emërimin e një administrate të detyruar. Të gjithë vëzhguesit bien dakord për të gjithë këta skenarë që janë më të dëmshëm për Ekrem Imamoglun.

Mungesa dhe rënia e mbështetjes që ai ka në partinë e tij mund ta shtyjë përgjithmonë kundërshtarin më të fortë të Erdoganit në sfond./DW

The post A po shkatërrohet partia më e madhe opozitare turke? Çfarë po e kërcënon mbijetesën e CHP appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌