Papa Leo ka bërë thirrje për një armëpushim vetëm pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Itali.
Duke pasur parasysh konfliktet e shumta të armatosura në të gjithë botën, kreu i Kishës Katolike u bëri thirrje sot udhëheqësve të bëjnë veprime konkrete për të ulur tensionet dhe për të kërkuar dialog.
Lojërat e 25-ta Olimpike Dimërore fillojnë të premten dhe më pas do të zhvillohen Lojërat Paralimpike. Qytetet pritëse janë Milano dhe Cortina d’Ampezzo.
Teksa ka folur para dhjetëra mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Leo i cilësoi të dyja ngjarjet si “shenja të forta vëllazërie që frymëzojnë shpresë për një botë në paqe”. Ai u bëri thirrje politikanëve të ndjekin këtë shembull.
Ideja e një armëpushimi olimpik, të paktën një armëpushim gjatë garave, daton që nga kohërat e lashta. Megjithatë, thirrje të tilla rrallë merren parasysh.
Në vitin 2014, Lojërat Olimpike Dimërore u mbajtën në vendpushimin rus të Detit të Zi, Soçi, pak para se Rusia të pushtonte gadishullin ukrainas të Krimesë. Presidenti rus Vladimir Putin më pas urdhëroi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka vënë në dyshim nëse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron realisht të arrijë paqen përmes negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë për grupin mediatik RND, të publikuar sot, Pistorius tha se presidenti amerikan Donald Trump ka sjellë njëfarë dinamike në përpjekjet diplomatike, por theksoi se veprimet e Moskës tregojnë një realitet tjetër.
“Deri tani, nuk shoh asnjë shenjë që Rusia e dëshiron seriozisht paqen”, tha Pistorius.
Gjatë negociatave mes palëve ndërluftuese nën ndërmjetësimin e SHBA-së në Abu Dabi fundjavën e kaluar, Putin bombardoi Ukrainën “në një mënyrë që mezi është parë gjatë kësaj lufte”.
Sipas tij, këto sulme shkojnë përtej objektivave ushtarake.
“Ky është terror i drejtuar ekskluzivisht kundër popullsisë civile, gjatë një dimri me temperatura minus 20 gradë Celsius”, tha Pistorius.
“Putin nuk ka treguar asnjë gatishmëri për kompromis”, shtoi ai.
Në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në qytete të tjera, miliona njerëz kanë përjetuar javë të tëra errësire dhe të ftohti pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes.
Gjatë bisedimeve, sulme të reja me dronë dhe raketa vonuan sërish riparimet e furnizimit me energji në Kiev për disa ditë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi dje se Rusia do të respektojë kërkesën e Trump për një armëpushim të kufizuar dhe të përkohshëm në Ukrainë deri të dielën.
I pyetur për përpjekjet për ndalimin e sulmeve, Pistorius tha se nëse Putin do t’i merrte seriozisht bisedimet në Abu Dabi, nuk do të kishte nevojë që t’i kërkohej një armëpushim/abcnews.al
TIRANË, 26 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama iu adresua sot Knessetit me një fjalim historik, sipas protokollit të posaçëm që parlamenti i Izraelit u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në nisje të seancës së posaçme përshëndetën kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, kryetari i Knessetit Amir Ohana dhe lideri i opozitës Yair Lapid.
Gjatë fjalës së, kryeministri Rama tha se paqja është e mundur.
“Uroj fort që marrëveshjet abrahamike do të vazhdojnë dhe uroj që ndoshta duke hedhur sytë nga e shkuara e përgjakshme me sytë e një ardhmeje të shndritshme dhe jo anasjelltas, ky rajon në tërësi mundet, ashtu siç Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndonjë tjetër, ka bërë tashmë të zbulojë jo vetëm se paqja është e mundur, por se paqja mund t’i ngrejë të gjitha vendet paqebërëse pothuajse si një mrekulli, lart në hapësirën e besimeve abrahamike.
“Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin, ashtu edhe vendet arabe, ndër miqtë e saj të ngushtë. Edhe Turqinë meqë ra fjala. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza”, tha Rama.
Kryeministri në fund e mbylli fjalimin e tij dhe me një urim nga një martir hebre të paqes, për t’i dhënë një shans jetës përmes paqes.
“Kryeministri Yitzhak Rabin i Izraelit – i bekuar qoftë kujtimi i tij – të thëna për izraelitët dhe palestinezët pikërisht tridhjetë vjet më parë nga ky vend, ku qëndroj sot:
“Nga thellësia e zemrave tona, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Shtetit të Izraelit, sigurisht atyre që jetojnë në Jude, Samari dhe Rripin e Gazës, si edhe banorëve palestinezë, t’i japin vënies së paqes një shans, t’i japin një shans dhënies fund të akteve të armiqësisë, t’i japin një jete tjetër një shans, një jete të re. U bëjmë thirrje hebrenjve dhe palestinezëve njësoj të tregojnë vetëpërmbajtje, të ruajnë dinjitetin njerëzor, të sillen në mënyrë të denjë dhe të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne po nisim një rrugë të re që mund të na çojë drejt një epoke paqeje, drejt përfundimit të luftërave.”
“Amen. I bekuar qoftë kujtimi i atyre që u flijuan! Le të mbetet si busull, guximi i atyre që refuzuan të binden. Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht. Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre. Dhe le të mbeten dy kombet tona të vogla, por të mëdha në shpirt, të lidhura përjetë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përkushtimi i përbashkët për ta mbajtur njerëzimin njerëzor”, përfundoi Rama fjalën e tij.
TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama, mbajtoi sot një fjalim historik në Knesset, parlamenti i Izraelit, në një seancën plenare speciale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek situata në Gaza, ku theksoi se Hamasi është “xhelati i Gazës” dhe se deri “sa të çmontohet plotësisht, 2 milionë të burgosurit e tij nuk do të jenë kurrë të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë”.
Rama deklaroi më tej se Shqipëria është bërë Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes, një nismë e mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump, me synim arritjen e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve në vendet e përfshira nga lufta.
“Askush më mirë sesa Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht, nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia më neveritshme ndaj Zotit. Nuk ka nder më të madh dhe as përgjegjësi më të rëndë, sesa të dëshmosh këtë të vërtetë, këtu në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gazë, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshëm si izraelite ashtu dhe palestineze ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses.
“Nuk ka dyshim, një pjesë e këtij nderi të madh për mua lidhet me faktin se vij pak ditë pasi parlamenti shqiptar ratifikoi vendimin për t’iu bashkuar presidentit Trump, në përpjekjen e tij për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve dhe për ta bërë Shqipërinë Anëtare Themeluese të Bordit të Paqes, ku do të kontribuojmë me përulësi në detyrën monumentale për ta kthyer këtë dritare të re mundësie në një horizont të ri shprese e begatie për popullin e Gazës dhe Rajonit”, tha Rama.
Në fjalimin e tij, Rama bëri një paralelizëm mes Gazës dhe historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri, duke përmendur tunelet e ndërtuara nga sistemi komunist në Tiranë për të “torturuar armiqtë”, që sot janë kthyer në muze. Kryeministri tha se Hamasi mban peng popullin palestinez.
“Ka një tunel në zemër të Tiranës. U ndërtua për të torturuar të ashtuquajturit “armiqtë e popullit” dhe më së fundmi për t’i bërë ballë një sulmi nga ShBA apo Bashkimi Sovjetik, paranoja e derdhur nga një regjim që kishte frikë nga çdo rreze lirie dhe e mbante popullin e vet peng në një burg në qiell të hapur. Kjo kujtesë e gjallë më ka bërë gjithmonë të ndjej keqardhje për figura apo organizata ndërkombëtare, të respektuara me qëllime të mira që me të drejtë e kanë përshkruar Gazën si një burg në qiell të hapur, por kanë dështuar që të identifikojnë autorin e vërtetë të burgosjes së popullit të Gazës.
“Ata kanë ngatërruar gishtin me atë që gishti tregon, dhe kësisoj, duke bërë këtë, dështuan që të thonë se xhelati i Gazës është Hamasi, askush tjetër përveç Hamasit. Ideologjia e tij e terrorit kundër vetë popullit të vet, më së pari, dhe kundër kombit hebre, dogma e tij totalitare se asnjë jetë palestineze nuk vlen të jetohet derisa shteti i Izraelit të asgjësohet, derisa hebreu i fundit të zhduket nga Toka e Shenjtë, derisa Hamasi të çmontohet e shpërbëhet plotësisht, 2 milionë të burgosurit e tij, nuk do të jenë kurrë të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë”, tha Rama.
Rama iu referua tuneleve të ndërtuara nga Hamasi dhe krimeve të 7 tetorit 2023, duke propozuar që disa prej tyre të ruhen si dëshmi historike. Kreu i qeverisë shtoi se vetëm duke zhdukur në rrënjë shkaqet e terrorit, mund të parandalohet përsëritja e tmerreve të tilla.
“Sot ai tunel në Tiranë është shndërruar në një hapësirë që u kushtohet viktimave të atyre që e ndërtuan fillimisht këtë tunel dhe uroj me gjithë zemër që disa nga tunelet e panumërta të terrorit që Hamasi ndërtoi, ku pengjet e rrëmbyera të 7 tetorit u vranë, u përdhunuan, u torturuan dhe u katandisën në kapje njerëzore të shekullit të 21-të të burgosurve të kampeve naziste shfarosëse, të ruhen si pjesë e planit të ri të rindërtimit të Gazës dhe më pas si një dëshmi përcaktuese në favor të paqes së qëndrueshme midis dy shteteve në të ardhmen.
“Ato duhet të qëndrojnë si tunele të kujtesës kolektive dhe të shërimit të përbashkët, ku si vuajtja prej ferrit e pengjeve, ashtu edhe humbja e jashtëzakonshme e jetëve palestineze, të shndërruara në lëndën e parë të trupave njerëzore për sistemin më djallëzor të mbrojtjes të ndërtuar ndonjëherë nga mendja e ligë njerëzore, si një lëndë e parë, gurët e të cilëve kanë qenë trupat njerëzorë, të shërbejnë si qirinj të ndezur përjetësisht të faljes pa harrim dhe si thirrje e përhershme për të gjithë, që tmerre të tilla të mos ndodhin më kurrë e që kjo të ndodhë, shkaqet që çojnë këtu duhet të zhduken nga rrënjët”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në Parlamentin e Izraelit
1 nga 11
Kryeministri Edi Rama në parlamentin e Izraelit - Foto: Kryeministria
ABU DABI, 25 janar /ATSH-DPA/ – I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff tha se bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës do të vazhdojnë në Abu Dabi javën e ardhshme, pas negociatave të para të drejtpërdrejta midis dy palëve të premten dhe të shtunën.
“Bisedimet ishin shumë konstruktive dhe u bënë plane për të vazhduar bisedat javën e ardhshme në Abu Dabi”, tha Witkoff në një postim në platformën e mediave sociale X.
Negociatat synojnë të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin pothuajse katër vjet më parë në shkurt 2022.
Rusia po kërkon që Ukraina të lëshojë territor, të braktisë shpresat e saj për anëtarësim në NATO dhe të heqë dorë nga ushtria e saj e fuqishme në mënyrë që t’i japë fund dhunës.
Ukraina ka refuzuar të tërhiqet më tej nga zonat që ende nuk janë pushtuar nga forcat ushtarake ruse.
Duke vepruar si ndërmjetëse, SHBA-ja do që të bindë të dyja palët të bëjnë kompromis.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se negociatat trepalëshe ishin konstruktive dhe se u diskutuan shumë tema.
Ai tani pret raportin e detajuar nga delegacioni ukrainas pas kthimit të tyre.
Hapat e mëtejshëm do të vendosen në nivelin e udhëheqësve të vendit./ a.jor.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se shpreson të mund ta nominojë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqe, për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen në Ukrainë.
“Shpresojmë që të mund ta ndajmë këtë çmim. Besoj se ai mund të bëjë ndryshimin për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, dhe atëherë edhe ne do të mund ta nominojmë përfundimisht Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe,” tha ajo gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në Romë.
Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Meloni theksoi se “dëshira për bashkëpunim mbetet e fortë”, duke shtuar se Italia dhe Gjermania janë “ndër vendet evropiane me marrëdhënie të privilegjuara me SHBA-në, pjesërisht edhe për shkak të bazave ushtarake amerikane që ndodhen në territorin e tyre.”
Ajo shtoi se është e rëndësishme të mbahet një “qasje pragmatike, jo instinktive, ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”.
Ndërkohë, lideri amerikan ka shfaqur interes për të fituar Çmimin Nobel për Paqe për vite me radhë. Fituesja e vitit të kaluar, udhëheqësja opozitare venezueliane, María Corina Machado, së fundmi i dorëzoi atij në Shtëpinë e Bardhë medaljen e Çmimit Nobel për Paqe.
Edhe pse Machado ia dorëzoi Trumpit medaljen e artë që shoqëron çmimin, nderimi mbetet formalisht i saj. Instituti Norvegjez i Nobel-it bëri të ditur se çmimi nuk mund të transferohet, ndahet apo të tërhiqet. /Telegrafi/
Gjermania tha se palestinezët duhet të kenë fjalë kur bëhet fjalë për planet e SHBA-së për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.
“Dje, ne morëm në konsideratë planet e paraqitura në Davos. Popullsia palestineze e Gazës duhet të vazhdojë të jetë e përfshirë ngushtë në të gjitha planet dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen”, u tha gazetarëve në Berlin zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Josef Hinterseher.
Ai po i referohej një prezantimi të bërë nga dhëndri i presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, gjatë inaugurimit të Bordit të Paqes në Davos, ku tregohej një Gazë e re me ndërtesa të larta dhe një vijë bregdetare që tërheq turistë përveç njësive banesore, bujqësore dhe industriale.
Megjithatë, Hinterseher përshëndeti njoftimin e SHBA-së për një konferencë të ardhshme rindërtimi, duke e quajtur atë “një sinjal të rëndësishëm”.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Lisa Royaee tha se “ka vija të qarta të kuqe kur bëhet fjalë për rindërtimin (në Gaza), që do të thotë se nuk ka aneksim dhe fokusi duhet të jetë te popullsia”.
Krijimi i bordit përkoi me nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e cila ndaloi luftën e Izraelit në Gaza që vrau më shumë se 71 palestinezë në dy vjet.
Bordi, i kryesuar nga Trumpi, fillimisht u krijua për të mbikëqyrur armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, por statuti i tij zgjeron mandatin e tij në ndërtimin e paqes në të gjitha zonat e prekura nga ose në rrezik konflikti.
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në tërësi me 110 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për “Bordin e Paqes”.
Deputetët e Partisë Demokratike votuan me “kokën poshtë dhe dorën lart” Bordin e Paqes, nismën e ndërmarrë nga Presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Më herët, kreu i Shtetit, Bajram Begaj autorizoi kryeministrin Edi Rama për nënshkrimin e marrëveshjes për “Bordin e Paqes”.
Kryeministri Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend u shpreh se pritet të shkojë personalisht në Shtëpinë e Bardhë, për të nënshkruar përfshirjen e Shqipërisë në këtë bord.
Kuvendi mblidhet në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”. Në urdhrin për thirrjen e seancës nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim. Seanca do të nisë me fjalën e nismëtarit, më pas do shprehet komisioni përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme ndërsa parashikohen diskutime dhe votimi.
Duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës. Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar.
Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.
Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk ndien më detyrim të mendojë “thjesht për paqen”, në një letër dërguar kryeministrit të Norvegjisë, ku përpiqet të justifikojë kërcënimet e tij kundër Grenlandës.
Letra iu drejtua kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store dhe iu dërgua një numri ambasadash evropiane në Uashington.
Në të, Trump akuzoi Norvegjinë se kishte vendosur të mos i jepte Çmimin Nobel për Paqen, të cilin ai tha se e meritonte “për ndalimin e 8 luftërave”.
Si rezultat, ai tha: “Nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Bëhet e ditur se parlamenti norvegjez emëron pesë anëtarët e Komitetit të Nobelit, por qeveria nuk e zgjedh drejtpërdrejt fituesin, shkkruan the Journal.
NEW: @potus letter to @jonasgahrstore links @NobelPrize to Greenland, reiterates threats, and is forwarded by the NSC staff to multiple European ambassadors in Washington. I obtained the text from multiple officials:
Dear Ambassador:
President Trump has asked that the… — Nick Schifrin (@nickschifrin) January 19, 2026
Javën e kaluar, fituesja e çmimit, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, i dhuroi Trumpit medaljen gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, por Komiteti i Nobelit këmbënguli se posedimi i medaljes nuk do të thotë të jesh laureat.
“Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë me medaljen, diplomën apo shumën e çmimit, është dhe mbetet laureati origjinal ai që është regjistruar në histori si marrësi i çmimit”, tha komiteti në një deklaratë.
“Edhe nëse medalja ose diploma më vonë bie në zotërim të dikujt tjetër, kjo nuk e ndryshon se kush është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen”, shtoi ajo.
Në letrën e tij drejtuar Store, Trump përsëriti pohimin se Danimarka, territor i së cilës është Grenlanda, nuk është në gjendje të mbrojë ishullin Arktik.
“Danimarka nuk mund ta mbrojë atë tokë nga Rusia apo Kina, dhe pse ata kanë një të drejtë pronësie gjithsesi. Nuk ka dokumente të shkruara, vetëm se një anije zbarkoi atje qindra vjet më parë, por edhe ne kishim anije që zbarkuan atje”, tha Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se kishte bërë “më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani, NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”.
“Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Grenlandës. Faleminderit! President DJT”, vazhdoi ai. /Telegrafi/
Në një veprim kryesisht të pazakontë, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, ia dorëzoi medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të enjten, në atë që ajo e quajti "njohje për angazhimin e tij unik ndaj lirisë".
Machado u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 për udhëheqjen e saj të lëvizjes opozitare të Venezuelës mes një shtypjeje nga Nicolas Maduro, veçanërisht në zgjedhjet presidenciale shumë të përfolura të vitit 2023 në vendin e Amerikës së Jugut.
Ndërkohë, Trump urdhëroi një operacion të shpejtë ushtarak amerikan më 3 janar që rezultoi në kapjen e Maduros.
Ish-udhëheqësi venezuelian dhe bashkëshortja e tij tani përballen me akuza të lidhura me trafikimin e drogës në New York.
"I dorëzova presidentit të Shteteve të Bashkuara medaljen, Çmimin Nobel për Paqen", u tha Machado gazetarëve ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë të enjten.
Trump konfirmoi në rrjete sociale se Machado ia kishte lënë medaljen për ta mbajtur, dhe tha se ishte një nder që e takoi atë.
“Ajo është një grua e mrekullueshme që ka kaluar kaq shumë. Maria më dha Çmimin e saj Nobel për Paqen për punën që kam bërë”, tha Trump.
“Një gjest kaq i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë. Faleminderit Maria”, shtoi ajo.
Edhe pse gjesti i Machados shënon një rast të rrallë të një laureati të gjallë që ndahet nga medalja e tij menjëherë pasi e ka marrë atë, nuk është i pashembullt dhe rregullat thonë se Machado mund ta dhurojë medaljen e saj të vërtetë, por jo vetë nderin.
Statutet e Fondacionit Nobel dhe testamenti i Alfred Nobelit — të cilat diktojnë meritat që duhet të kenë fituesit e çmimit — përcaktojnë se titulli i fituesit i përket personalisht individit dhe nuk mund të ndahet ose t’i caktohet ligjërisht një personi tjetër.
Medalja ose diploma e shoqëruar mund të jepet fizikisht, të shitet ose të nxirret në ankand, por kjo nuk ia jep titullin e çmimit askujt tjetër.
Disa laureatë të tjerë të Çmimit Nobel kanë dhuruar ose shitur më parë medaljet e tyre, megjithëse rrethanat dhe motivimet ndryshonin.
Ankand për refugjatët ukrainas
Gazetari rus Dmitry Muratov, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021 — së bashku me Maria Ressa nga Filipinet — për përpjekjet e tij për të mbrojtur lirinë e shprehjes në Rusi, e nxori në ankand medaljen e tij në qershor 2022 për një shumë rekord prej 103.5 milionë dollarësh (89.1 milionë euro).
Të gjitha të ardhurat nga shitja e mbajtur në Heritage Auctions në New York për një blerës anonim u dhuruan për fondin e UNICEF-it për fëmijët refugjatë ukrainas pas agresionit rus në Ukrainë.
Ankandi erdhi vetëm disa muaj pasi Rusia nisi agresionin në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Mbledhja e fondeve gjatë luftës dhe gjestet famëkeqe
Në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore, medaljet Nobel që u përkisnin fizikantëve danezë Niels Bohr dhe August Krogh, të cilët fituan përkatësisht në vitet 1922 dhe 1920, u shitën në ankand për të mbledhur fonde për ndihmën civile finlandeze gjatë Luftës së Dimrit midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik në vitet 1939-1940.
Medaljet u dhuruan më vonë muzeve në Danimarkë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fizikantët gjermanë Max von Laue dhe James Franck, të dy laureatë të Çmimit Nobel, i dhanë medaljet e tyre Niels Bohrit ndërsa Gjermania naziste pushtoi vendet e tyre.
Për të parandaluar që medaljet të binin në duart e nazistëve, kimisti hungarez George de Hevesy, i cili punonte në laboratorin e Bohrit, i treti ato në acid.
Pas luftës, ari u gjet dhe Fondacioni Nobel i rimodeloi medaljet, të cilat iu kthyen familjes së von Laue dhe Franck.
Megjithatë, jo të gjitha historitë rreth medaljeve të Çmimit Nobel janë pozitive, dhe disa nga zgjedhjet e bëra nga laureatët ishin mjaft të diskutueshme.
Autori norvegjez Knut Hamsun, i cili fitoi Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1920, thuhet se ia dha medaljen e tij Ministrit të Propagandës të Gjermanisë naziste, Joseph Goebbels, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Hamsun, i cili u takua me Adolf Hitlerin dhe Goebbelsin në vitin 1943, ishte një simpatizant i nazistëve që mbështeti pushtimin gjerman të Norvegjisë.
Të dhënat historike tregojnë se ai ia dha medaljen e tij Nobel Goebbelsit si një gjest simbolik mbështetjeje.
Reputacioni i Hamsunit u shkatërrua pas luftës, megjithëse veprat e tij letrare vazhdojnë të studiohen.
Rasti i James Watson
James D Watson shiti medaljen e tij mes polemikave në shtëpinë e ankandeve Christie's në dhjetor 2014 për rreth 4.8 milionë dollarë (4.13 milionë euro).
Watson, i cili fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1962 së bashku me Francis Crick dhe Maurice Wilkins për zbulimin e strukturës së ADN-së, tha se të ardhurat do të mbështesin institucionet kërkimore shkencore dhe kauzat e ruajtjes së natyrës.
Ai u bë laureati i parë i gjallë i Çmimit Nobel që shiti medaljen e tij, shkruan euronews.
Miliarderi rus Alisher Usmanov bleu medaljen vetëm për t'ia kthyer Watson në një ceremoni zyrtare në Moskë në vitin 2015, duke thënë se shkencëtari "e meritonte" ta kishte atë.
Vendimi i Watson për ta shitur erdhi mes vështirësive financiare dhe pas deklaratave kontroverse në lidhje me racën dhe inteligjencën, veçanërisht në lidhje me njerëzit me trashëgimi afrikane, të cilat dëmtuan reputacionin e tij dhe çuan në largimin e tij nga Laboratori Cold Spring Harbor, ku ai kishte shërbyer si kancelar.
Laboratori ia hoqi Watsonit titujt e tij dhe ia preu të gjitha lidhjet me të në vitin 2019.
Watson fillimisht kërkoi falje për vërejtjet e tij, por më vonë tha se pikëpamjet e tij mbetën të pandryshuara.
BE-ja i vendosi sanksione Usmanovit në vitin 2022, duke i vendosur një ndalim udhëtimi në të gjithë bllokun dhe duke i ngrirë të gjitha asetet për shkak të lidhjeve të tij me presidentin rus Vladimir Putin dhe qeverinë e tij.
Watson gëzonte lidhje të ngushta me Rusinë në fund të karrierës së tij.
Medalja e Çmimit Nobel të Crick, e fituar së bashku me Watson dhe Crick, u shit gjithashtu në Heritage Auctions në vitin 2013 për 2.27 milionë dollarë (1.95 milionë euro).
Një pjesë e të ardhurave nga shitja iu dhurua Institutit Francis Crick në Londër.
Medalja e Çmimit Nobel për Paqen e Norman Angell nga viti 1933, e fituar për promovimin e mirëkuptimit ndërkombëtar, u shit në Sotheby's në vitin 1983. Medalja tani mbahet nga Muzeu Imperial i Luftës në Londër.
Medalja e Aage Bohr, i cili fitoi Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1975, u shit në ankand në vitin 2011 dhe përsëri në vitin 2019. Bohr ishte djali i Niels Bohr, i cili fitoi Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1922.
Donacione me para çmimesh
Disa laureatë i kanë dhuruar paratë e çmimit Nobel në vend që të ndahen nga medaljet e tyre.
Albert Einstein i cili fitoi Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1921, ia la paratë e çmimit gruas së tij të parë Mileva Maric dhe fëmijëve të tyre sipas një marrëveshjeje divorci të paracaktuar.
Marrëveshja u bë përpara se Einstein të fitonte çmimin.
Në vitin 1979, laureatja e Çmimit të Paqes, shqiptare e lindur në Maqedoni, Nënë Tereza, kërkoi që eventi tradicional i Nobelit të anulohej dhe që fondet, së bashku me paratë e çmimit, t'u dhuroheshin drejtpërdrejt të varfërve.
Paul Greengard, i cili fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 2000, dhuroi të gjitha fitimet e tij nga çmimi për të themeluar Çmimin Pearl Meister Greengard, një çmim vjetor që mbështet shkencëtaret gra.
Gunter Blobel, i cili fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1999, i dhuroi paratë e çmimit të tij për projektet e restaurimit për Dresdenin dhe për ndërtimin e një sinagoge në qytetin e tij të lindjes.
E Donnall Thomas, i cili fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1990, i dhuroi paratë e çmimit qendrës së tij kërkimore për të mbështetur punën e vazhdueshme në transplantimin e palcës së kockave.
Çmimi Nobel aktualisht përfshin një shpërblim monetar prej 11 milionë kronash suedeze (rreth 1 milion euro), megjithëse shuma ka ndryshuar gjatë dekadave. /Telegrafi/
Udhëheqësja e opozitës së Venezuelës, Maria Corina Machado, u tha gazetarëve jashtë Kapitolit të SHBA-së se ia dorëzoi Donald Trumpit medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen.
Kishte pasur spekulime nëse ajo do t’ia jepte çmimin presidentit të SHBA-së gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Por ajo tha se kjo u bë në "njohje të angazhimit të tij unik ndaj lirisë", shkruan skynews.
Nuk është e qartë nëse Trump e ka pranuar medaljen.
Si kujtesë, Machado fitoi Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 - një nder që vetë Trump e dëshironte qartë - për përpjekjet e saj në fushatën kundër regjimit shtypës të Nicolas Maduros në Venezuelë.
SHBA arrestoi Maduron për ta nxjerrë në gjyq për vepra penale të lidhura me drogën, në një bastisje të guximshme, në fillim të këtij muaji. /Telegrafi/
UASHINGTON, 15 janar /ATSH-DPA/ – Zbatimi i planit të paqes për Gazën po hyn në fazën e tij të dytë, tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, me qëllimet kryesore të tilla si çarmatimi i Hamasit, krijimi i një qeverie teknokrate dhe fillimi i rindërtimit.
“Sot, në emër të presidentit Trump, po njoftojmë fillimin e Fazës së Dytë të Planit 20-pikësh të presidentit për të vendosur paqen në Gaza, duke kaluar nga armëpushimi tek çarmatimi, qeverisja teknokratike dhe rindërtimi”, shkroi ai në X.
Përfaqësues të grupit Hamas, i cili ishte në luftë me Izraelin para armëpushimit të tetorit, ndodheshin sot në kryeqytetin egjiptian Kajro për bisedime.
Stacioni televiziv egjiptian “Al-Qahera News” raportoi se pjesëmarrësit thanë se qëllimi i takimit ishte përgatitja për fazën e dytë të planit të paqes për Gazën.
Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Hamas kishte rënë dakord mbi emrat për qeverinë e planifikuar teknokratike tranzitore, e cila do të merret me çështjet civile dhe shërbimet publike në Gaza.
Asnjë anëtar i Hamasit nuk lejohet në këtë ekip.
“Faza e Dytë krijon një administratë teknokratike tranzitore palestineze në Gaza, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), dhe fillon çarmatimin dhe rindërtimin e plotë të Gazës, kryesisht çarmatimin e të gjithë personelit të paautorizuar”, tha Witkoff.
“SHBA pret që Hamas të përmbushë plotësisht detyrimet e tij, përfshirë kthimin e menjëhershëm të të fundit të pengut të vrarë. Dështimi për ta bërë këtë do të sjellë pasoja serioze”, theksoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.
UASHINGTON, 14 janar /ATSH/ – I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, po përpiqen të bëjnë një udhëtim në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, sipas Reuters.
Takimi do të shërbente për të paraqitur propozimet e fundit për paqe për luftën në Ukrainë.
Takimi mund të ndodhë këtë muaj, por planet nuk janë përfundimtare dhe data mund të shtyhet, sidomos për shkak të trazirave në Iran.
Shtëpia e Bardhë ka thënë për aktualisht nuk ka ndonjë takim zyrtar të caktuar në agjendë.
Sipas raportit, zyrtarët amerikanë do t’ia paraqesin presidentit Putinit draftin e fundit të propozimeve për paqe, i cili përfshin edhe garanci sigurie nga SHBA-ja dhe Evropa për çdo marrëveshje të mundshme.
Bisedimet pritet të prekin edhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Në përgjithësi, bisedimet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por informacioni i disponueshëm tregon një përpjekje të re diplomatike për të avancuar një marrëveshje paqeje midis SHBA‑së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë./ /Ad.Ab./ a.jor.
Organizata që mbikëqyr Çmimin Nobel për Paqen ka hedhur poshtë pretendimet se udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, mund t'ia japë çmimin e saj të fundit presidentit Donald Trump.
Instituti Norvegjez i Nobelit tha të premten se sapo të shpallet një Çmim për Paqen, ai nuk mund të revokohet, transferohet ose ndahet, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
"Vendimi është përfundimtar dhe vlen përgjithmonë", tha ai.
Deklarata vjen pasi znj. Machado tha se do të donte ta jepte ose ta ndante çmimin me z. Trump, i cili mbikëqyri një operacion amerikan për të kapur presidentin venezuelian Nicolas Maduro.
Maduro po përballet me akuza për trafik droge në Nju Jork.
"Sigurisht që do të doja të isha në gjendje t'i thoja personalisht se ne besojmë - populli venezuelian, sepse ky është një çmim i popullit venezuelian - sigurisht që dëshiron, t'ia japë atij dhe ta ndajë me të", tha znj. Machado në një intervistë të hënën.
"Ajo që ai ka bërë është historike. Është një hap i madh drejt një tranzicioni demokratik".
Kujtojmë se znj. Machado ia dedikoi çmimin Trump dhe popullit të Venezuelës menjëherë pas shpalljes së çmimit.
Z. Trump, i cili ka kërkuar hapur Çmimin Nobel për Paqen që kur është rikthyer në detyrë, ka shprehur prej kohësh interes për ta fituar vetë atë.
Megjithatë, pas kapjes së Maduros, z. Trump deri më tani ka mbështetur një figurë tjetër për të udhëhequr Venezuelën - presidenten në detyrë Delcy Rodriguez, e cila më parë shërbeu si zëvendëspresidente e Maduros.
Ndërsa z. Trump e ka përshkruar znj. Machado si një "grua shumë të mirë", ai ka thënë se aktualisht asaj i mungon mbështetja e mjaftueshme brenda Venezuelës për të qeverisur.
Trump tha të enjten se znj. Machado planifikon të vizitojë javën e ardhshme dhe e përshkroi idenë e ofrimit të një Çmimi për Paqen si një "nder të madh". /Telegrafi/
TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim” në “Shënimet e Javës”, u ndal edhe tek Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën. Sipas Kryeministrit, samiti shërbeu për të bërë një bilanc të përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare në mbështetje të Ukrainës dhe për të forcuar koordinimin mes aktorëve kryesorë
“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë”, vuri në dukje Kryeministri.
“Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish”, tha Rama.
Gjatë qëndrimit në Paris, Rama bëri të ditur se zhvilloi edhe një takim me ministrin e Drejtësisë së Francës, ku fokusi ishte Kodi i ri Penal.
“Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Rama.
Rama theksoi se se vendi ka nevojë për një rishikim të thellë të politikës penale. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka tashmë një drejtësi të pavarur, por ende jo plotësisht funksionale në aspektin e cilësisë dhe paanësisë.
“Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, u shpreh Rama.
Rusia, SHBA-të dhe Ukraina bien dakord se një marrëveshje për t’i dhënë fund pothuajse katër viteve të një lufte në shkallë të plotë po afrohet, por, sipas fjalëve të Presidentit Donald Trump, mbeten “një ose dy çështje shumë të mprehta dhe shumë të vështira”. Dy nga çështjet më të ndërlikuara në planin 20-pikësh të Uashingtonit […]
UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH-ANSA/ – “Nëse gjërat shkojnë mirë, mund të na duhen disa javë për të arritur paqen e dëshiruar, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump në fund të takimit të tij me presidnetin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Nuk e di kur, por mendoj se do të arrijmë” një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë’’, shtoi Trump.
“Po i afrohemi një marrëveshjeje” për Donbasin si një zonë të lirë ekonomike.
‘’Një takim trepalësh midis Zelensky-t, Vladimir Putin-it dhe Trump do të zhvillohet në kohën e duhur’’, teksoi vetë presidenti amerikan. /os/
KIEV, 26 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Katër vende evropiane, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Turqia janë gati të dërgojnë trupa në Ukrainë pasi të mbarojë lufta, sipas Mykhailo Podolyak, këshilltarit kryesor të presidentit, Volodymyr Zelensky, në një intervistë me Novyny.LIVE.
Sipas tij, “partnerët duhet të përfshihen në parandalimin kundër Rusisë dhe në dërgimin e trupave paqeruajtëse. Ukraina nuk ka ndërmend ta mbajë këtë barrë vetëm.
Franca, Turqia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar tashmë kanë qenë të gatshëm për dërgimin e trupave. Vende të tjera ende po e vlerësojnë çështjen”, deklaroi Podolyak.
“Ekziston pyetja se kush do ta financojë të gjithë këtë. Kush do të jetë atje për të integruar gjithçka në një sistem të vetëm dhe kush do të moderojë proceset e pengimit kundër Rusisë? Atëherë bëhet e qartë se përfaqësuesit e vendeve të tjera të interesuara duhet të jenë të pranishëm”, tha ai.
Dhe, sipas Podolyak, secili prej këtyre vendeve ka interesat e veta për të mbrojtur.
“Turqia, për shembull, dëshiron të parandalojë një skenar në të cilin regjimi rus krijon probleme sigurie, ekonomike dhe tregtare në pellgun e Detit të Zi. Në përgjithësi, kjo luftë do të çojë në një riorganizim të plotë të hapësirës evropiane. Ukraina do t’i afrohet Evropës sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe Evropa do të rimendojë mënyrën e saj aktuale të jetesës. Do të bëhet më e kursyer, më e militarizuar dhe më antiruse”, parashikoi këshilltari presidencial./ /os/
KIEV, 24 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Ukraina nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë pengesë për paqen duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të negociatave me Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Zelensky tha se sot pritet një përgjigje nga Moska për versionin më të fundit të projektpropozimit të rënë dakord mes Uashingtonit dhe Kievit, pas bisedimeve të zhvilluara fundjavën e kaluar në Miami, ku u hartua një plan me 20 pika.
”Do të marrim përgjigjen ruse pasi pala amerikane të ketë biseduar me ta”, tha presidenti ukrainas për gazetarët.
Sipas versionit të fundit të planit SHBA-Ukrainë, vendi do të organizojë zgjedhjet presidenciale menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes që do t’i japë fund pushtimit rus.
Një pikë e dokumentit drejtuar Moskës parashikon qartë se Ukraina duhet të mbajë zgjedhjet sa më parë pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Megjithatë, mbeten mosmarrëveshje me Uashingtonin mbi disa çështje kyçe, përfshirë territoret e pushtuara dhe centralin bërthamor të Zaporizhias.
Plani amerikan parashikon një menaxhim të përbashkët të centralit nga Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia, propozim që Ukraina e ka konsideruar të papërshtatshëm dhe jorealist.
Presidenti Zelensky gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për një takim në nivel liderësh me SHBA-në për të diskutuar çështjet më delikate.
Plani gjithashtu parashikon ngrirjen e vijës së frontit sipas gjendjes aktuale dhe fillimin e diskutimeve për krijimin e zonave të demilitarizuara.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, deklaroi se Moska dhe SHBA-ja kanë opinione shumë të ngjashme mbi kuadrin e mundshëm për zgjidhjen e krizës ukrainase.
“Kjo nuk duhet të kuptohet si pritshmëri për nënshkrimin e menjëhershëm të dokumenteve. Por, krahasuar me situatën para ardhjes së administratës Trump në Shtëpinë e Bardhë, ky është një hap i rëndësishëm përpara”, përfundoi Ryabkov./ /Ad.Ab./ a.jor.