Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 February 2026Main stream

Nga reforma te përplasja: Rama sfidon pavarësinë e drejtësisë

9 February 2026 at 18:01

Përplasjet mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë tashmë janë të qarta, madje kanë përshkallëzuar. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërhyrje për ndryshime ligjore pas zhvillimeve në çështjen që lidhej me zëvendëskryeministren Belinda Ballukun në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të hënën, Rama deklaroi se do të propozojë ndryshime ligjore për të mos lejuar, sipas tij, ndërhyrjen e pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv.

Qëndrimi vjen pas vendimit të Kushtetueses, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë, masë e marrë më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të lehtësuar hetimet ndaj saj.

Drejtuesi i qendrës ligjore “ResPublica”, Dorian Matlija shprehet se teknikisht kryeministri mund të bëjë një ndërhyrje të tillë dhe i quhet e vlefshme, por nga ana politike e cilëson të shëmtuar.

“Mund ta bëjë [ndërhyrjen], por mund të ketë subjekte të interesuara që mund ta çojnë prapë në Gjykatë Kushtetuese dhe të ketë përplasje. Është një tollovi në vazhdim, që nuk do zgjidhet kollaj,” tha avokati Matlija për Citizens.al.

Sipas tij, “është dilentatizëm të ndryshosh Kodin e Procedurës Penale, ama nëse do të ndryshojë Kushtetutën, i duhen 94 vetë për atë pjesë”.

Një ndërhyrje e tillë rrezikon të krijojë precedent dhe mund të cenojë jo vetëm reformën në drejtësi, por edhe procesin e integrimit evropian të vendit.

“Ndërhyrje në mes të lojës”

Më 6 shkurt, GJKKO, me kërkesë të SPAK, vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, e cila përveç postit të zëvendëskryeministres mban edhe postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Qeveria e ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se në këtë masë po cenohej vullneti i qytetarëve dhe e drejta për të ushtruar pushtetin ekzekutiv.

Gjykata nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për të dhënë një interpretim të qartë për çështjen.

Dalja në një vendim 4 me 4 solli rrëzimin e ankimit, për rrjedhojë pezullimi i saj nga detyra mbeti në fuqi. Megjithatë vlen të theksohet se Balluku vijon të mbajë mandatin e deputetes.

Mandati i deputetit ofron imunitet për masa të sigurisë si arrestimi apo kontrolli i banesës. Për këtë SPAK ka paraqitur në Kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit, kërkesë tp cilën shumica socialiste e mbajti prej muajsh pa shqyrtuar me pretekstin se “nevojitej të shprehej Gjykata Kushtetuese”.

Në një reagim publik Kryeministri Rama njoftoi se mazhoranca do të kërkojë zgjidhje përmes ndryshimeve në legjislacion dhe tregoi hapur se qeveria do ta mbrojë Ballukun duke mos ia lëshuar imunitetin.

“Deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, u shpreh Rama.

Përballë këtyre zhvillimeve, ekonomisti dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), Zef Preçi, e konsideron problematike çdo ndryshim ligjor gjatë një procesi në zhvillim.

“Çfarëdo ndërhyrje ka efekt vetëm pas miratimit […] Nuk ka akte me efekt prapaveprues. Çështja do të hetohet sipas kuadrit ligjor aktual”, theksoi ai për Citizens.al.

Duke paralelizuar situatën me atë të shfaqur edhe në Serbi. Sipas Preçit, një konflikt i tillë institucional mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.

Ai shton se mazhoranca mund të synojë zvarritjen procedurale të procesit parlamentar deri në afatet e parashikuara në rregullore.

Ndërsa qeveria ka lënë të kuptohet se nuk e konsideron urgjente shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, Komisioni Evropian kërkon që Kuvendi të veprojë pa vonesa për procedurat që lidhen me heqjen e imunitetit.

Sipas Brukselit, trajtimi i këtyre çështjeve është përgjegjësi e parlamentit, ndërsa lufta kundër korrupsionit mbetet kusht kyç për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Në raportin për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni theksoi se, megjithëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar, përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar presion mbi drejtësinë mbeten shqetësim serioz”, citoi ReportTV një zëdhënësi të KE.

Lexoni gjithashtu:

The post Nga reforma te përplasja: Rama sfidon pavarësinë e drejtësisë appeared first on Citizens.al.

Before yesterdayMain stream

Imuniteti i Ballukut, Rama thirret me urgjencë në Bruksel nga Antonio Costa

By: armand
6 February 2026 at 20:34

Teksa Gjykata Kushtetuese po përpëlitet pa dinjitet për të zvarritur çështjen Balluku, duket se presioni ndërkombëtar mbi Edi Ramën po rritet në progresion asfiksues. Të hënën, kryeministri i Shqipërisë do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa. Takimi i beftë dhe i palajmëruar vjen në kontekstin e […]

The post Imuniteti i Ballukut, Rama thirret me urgjencë në Bruksel nga Antonio Costa appeared first on BoldNews.al.

PD: Kuvendi dhe Kushtetuesja po zvarrisin çështjen e Ballukut

By: lindita
28 January 2026 at 12:49

Grupi i PD ka reaguar pasi Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Imunitetit ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut. PD thotë se kjo zvarritje, si nga Kushtetuesja dhe nga Kuvendi, është strategji për të bllokuar SPAK. Reagimi i plotë: Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi…

Source

Në pritje të Kushtetueses, Peleshi shtyn pa afat Këshillin e Mandateve për Ballukun

28 January 2026 at 11:44

Pas 1 muaj e gjysmë zvarritje mazhoranca socialiste ka vendosur të kërkojë akoma më shumë kohë për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera” me vlerë qindra milionë euro. Në kundërshtim me rregulloren […]

The post Në pritje të Kushtetueses, Peleshi shtyn pa afat Këshillin e Mandateve për Ballukun appeared first on Reporter.al.

Kjo është arsyeja pse kemi nevojë veçanërisht për vitaminën D gjatë dimrit

26 January 2026 at 10:18


Gjatë muajve të dimrit, vitamina D bëhet më e rëndësishme për trupin tonë se kurrë, edhe pse është koha më e vështirë për ta marrë atë natyrshëm.

Arsyeja është e thjeshtë: vitamina D prodhohet kryesisht në lëkurë nën ndikimin e dritës së diellit, dhe në dimër ditët janë më të shkurtra, dielli është më i dobët dhe ne e kalojmë pjesën më të madhe të kohës brenda, plotësisht në hije. Si rezultat, nivelet e vitaminës D bien tek një numër i madh njerëzish, shpesh pa simptoma të dukshme.

Vitamina D luan një rol kyç në ruajtjen e kockave dhe dhëmbëve të shëndetshëm duke mundësuar thithjen e duhur të kalciumit dhe fosforit. Mungesa e saj mund të çojë në dobësimin e kockave, dhimbje të kockave dhe muskujve, si dhe në një rrezik në rritje të frakturave, veçanërisht tek të rriturit e moshuar. Megjithatë, roli i saj nuk mbaron vetëm me kockat. Vitamina D gjithashtu ka një ndikim të fortë në sistemin imunitar, duke e ndihmuar trupin të mbrohet më efektivisht kundër infeksioneve, gjë që është veçanërisht e rëndësishme gjatë sezonit të ftohjes dhe gripit.

Gjatë dimrit, kur infeksionet e frymëmarrjes janë më të zakonshme, nivelet e mjaftueshme të vitaminës D mund të kontribuojnë në imunitet më të mirë dhe shërim më të shpejtë. Hulumtimet gjithashtu lidhin nivelet e ulëta të kësaj vitamine me lodhjen, energjinë e ulët dhe humorin e keq, të cilat mund të përkeqësojnë më tej ndjenjat e letargjisë dhe apatisë karakteristike të stinës së dimrit.

Pikërisht për këtë arsye në dimër duhet t’i kushtoni vëmendje të veçantë marrjes së vitaminës D, qoftë nëpërmjet një diete të pasur me këtë lëndë ushqyese ose duke u konsultuar me një mjek nëpërmjet suplementeve. Ruajtja e niveleve optimale të vitaminës D ndihmon trupin të qëndrojë i fortë, më elastik dhe në një ekuilibër më të mirë gjatë pjesës më të ftohtë të vitit.

Burimet më të pasura natyrore të vitaminës D janë peshqit e yndyrshëm si salmoni, skumbri, sardelet dhe toni, të cilët rekomandohen disa herë në javë sepse, përveç vitaminës D, ato përmbajnë edhe acide yndyrore të shëndetshme omega-3.

Edhe pse vitamina D mund të merret nëpërmjet ushqimit, shpesh është e vështirë të arrihen sasitë e rekomanduara ditore vetëm nëpërmjet dietës, veçanërisht në dimër. Për këtë arsye, në praktikë, ushqyerja e duhur dhe suplementet shpesh kombinohen, me këshillën paraprake nga një mjek ose farmacist, me qëllim sigurimin e një marrjeje optimale dhe ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.

A mund ta kontrollojë mendja imunitetin? Studiuesit zbulojnë informacione vendimtare

24 January 2026 at 21:38


Studiuesit kanë zbuluar “linja direkte” mes trurit dhe sistemit imunitar, që shpjegojnë pse stresi dhe emocionet ndikojnë realisht në shëndet

Një studim më i ri, i publikuar në janar 2026, ka zbuluar ekzistencën e rrugëve të drejtpërdrejta nervore që lidhin korteksin e trurit me nyjat limfatike, duke ofruar për herë të parë provë të qartë se mendja ndikon drejtpërdrejt në mbrojtjen e organizmit.

Për dekada me radhë, shkencëtarët kanë spekuluar se ekziston një lidhje mes gjendjes mendore dhe shëndetit fizik, por mekanizmi me të cilin një mendim “jo material” shndërrohet në një reagim “biologjik” të trupit, kishte mbetur enigmë. Deri tani.

Një ekip ekspertësh nga Universiteti i Cambridge, sipas raportimit të The Guardian, ka arritur të hartëzojë atë që e quajnë “linjë telegrafike” mes trurit dhe sistemit imunitar.

Ky zbulim sugjeron se korteksi prefrontal, pjesa e trurit përgjegjëse për planifikimin kompleks dhe emocionet, mund të stimulojë ose frenojë drejtpërdrejt prodhimin e qelizave T, që janë thelbësore për mbrojtjen imunitare.

Kjo do të thotë se stresi kronik, por edhe pritjet pozitive, nuk janë thjesht “ndjenja”, por udhëzime konkrete biologjike që truri ua dërgon mekanizmave mbrojtës të trupit, përcjell Telegrafi.

“Nuk po flasim më për një lidhje metaforike mes mendjes dhe trupit”, thotë Dr. Sara Jenkins, udhëheqëse e studimit. “Kemi parë fibra nervore fizike që përfundojnë drejtpërdrejt në indet ku formohen antitrupat. Ky është një moment kthese që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si i trajtojmë sëmundjet autoimune”, shton ajo.

Ky zbulim vjen në një kohë kur sistemet shëndetësore në mbarë botën po përballen me rritje të sëmundjeve të lidhura me stresin.

Sipas raportit, e ardhmja e mjekësisë nuk do të mbështetet vetëm në farmakologji, por në një kombinim të barnave precize dhe terapive neurologjike që synojnë këto rrugë të reja të zbuluara.

Për pacientët që vuajnë nga procese inflamatore, kjo do të thotë se “stërvitja e trurit” mund të bëhet së shpejti pjesë e detyrueshme e protokollit terapeutik, krah për krah me antibiotikët më modernë.

Ndërsa shkencëtarët festojnë, sociologët paralajmërojnë për sfida të reja. Nëse mendimet tona ndikojnë drejtpërdrejt në imunitet, përgjegjësia për shëndetin bëhet një barrë edhe më e madhe për individin.

Prandaj, disa ekspertë theksojnë:

“Ky përparim shkencor duhet t’i detyrojë sistemet shëndetësore të rishikojnë urgjentisht strategjitë e shëndetit mendor, sepse ai nuk është më çështje ‘humori të mirë’, por biologji thelbësore e mbijetesës.” /Telegrafi/

Pas kallëzimit në SPAK, Peleshi thërret Këshillin e Mandateve më 28 janar

12 January 2026 at 17:32

Disa javë pas mbledhjes së parë të Këshillit të Mandateve, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka thirrur një mbledhje të dytë në datën 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për arrestimin zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila akuzohet për ‘shkelje të barazisë në tendera” me vlerë […]

The post Pas kallëzimit në SPAK, Peleshi thërret Këshillin e Mandateve më 28 janar appeared first on Reporter.al.

PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

6 January 2026 at 12:07

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Partia Demokratike ka kërkuar sot thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, u shpreh në një deklaratë për mediet se kërkesa është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe ka kërkuar që Këshilli të mblidhet sa më shpejt.

“Bazuar në nenin 13, pika 6 e Rregullores, Këshilli mund të mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose të gjysmës së anëtarëve të tij”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, kjo kërkesë është bërë për të shqyrtuar një çështje urgjente që ka mbetur pa përgjigje për tri javë.

“Sot mbushen tri javë nga kërkesa e Prokurorisë për lejimin e arrestimit të Belinda Ballukut, dhe kjo është një vonesë e paprecedentë”, tha ai.

Bardhi nënvizoi se, sipas rregullores, kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të trajtohet si një procedurë urgjente.

“Kërkesa e prokurorisë është një procedurë urgjente dhe duhet të shqyrtohet brenda dy javësh”, tha ai.

Mbledhja e Këshillit, më 19 dhjetor, nuk arriti të vendosë për datën e mbledhjes së ardhshme, pas pesë orësh debate.

Deputetët e mazhorancës kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me materialin voluminoz të paraqitur nga SPAK, ndërsa avokati i Ballukut ka kërkuar një afat prej tri javësh për këtë proces.

Bardhi akuzoi gjithashtu shumicën për përdorimin e një strategjie që, sipas tij, dëmton transparencën dhe drejtësinë.

Bardhi njoftoi se do të përgatisë një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Kryetarit të Kuvendit, duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të drejtësisë. “Ne do të përgatisim me përgjegjshmëri të plotë edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit”, tha Bardhi.

/gj.m/r.e/a.f/

The post PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

30 December 2025 at 14:50

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike njoftoi sot se do të kërkojë sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/ kryeministres Belinda Balluku.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se Partia Socialiste po vonon shqyrtimin e kërkesës, duke i dhënë përparësi kërkesave të Ballukut, ndërkohë që SPAK ka paralajmëruar se Balluku po tenton të prishë provat dhe të intimidon dëshmitarët.

“Prej dy javësh po presim pesë anëtarët e mazhorancës në këshill, të cilët duket se po i ikin përgjegjësisë për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë. SPAK ka kërkuar shqyrtimin brenda 3-5 ditëve nga marrja e kërkesës, por deri tani nuk është kryer as dëgjimi i prokurorisë në Kuvend”, tha Bardhi.

Ai theksoi se akti i mazhorancës për vonesën e shqyrtimit është i paprecedentë dhe shtoi se PD do të rithërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve më 6 janar në orën 11:00.

Bardhi apeloi gjithashtu tek kryetari i Kuvendit që të mos pengojë procesin dhe të mundësojë autorizimin për veprim të prokurorisë në përputhje me Kushtetutën.

/gj.m/j.p/

 

The post PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Parlamenti nuk është zyrë noterie, SPAK u fut në territorin e ekzekutivit

30 December 2025 at 19:53

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mazhoranca do të mbajë qëndrimin e saj në Këshillin e Mandateve për kërkesën e ardhur nga SPAK për heqjen e imunitetit ndaj zv.kryeministres, Belinda Balluku, por shtoi se parlamenti nuk noterizon kërkesat e SPAK.

I pyetur në konferencën e fundvitit me gazetarët, të mbajtur në Kryeministri lidhur me qëndrimin e mazhorancës për çështjen e zv.kryeministres, Belinda Balluku, Rama ngriti pyetjen.

“Keni dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret nga ana jonë? Pyetje e kam këtë. Nuk besoj. As unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit”, tha Kryeministri.

“Por ky rast ndryshon nga rastet e tjera sepse ka ardhur tek ne, pra nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor, të cilin si shumë raste të tjera pushteti gjyqësor në këtë rast prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë”, tha Rama.

Dhe, theksoi Kryeministri, “kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushteti legjislativ duhet të shprehet. Nuk është noter i prokurorisë”.

“Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, është një kuazi gjykatë. Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. I merr, i sheh”, nënvizoi Rama.

Duke folur për 16 mijë faqet e paraqitura nga SPAK në Këshillin e Mandateve, Rama u shpreh se nuk janë produkt i hetimit.

“Nuk do të doja në fakt ta kishe përmendur atë 16 mijë faqe me prova, se ajo më provokon. Më ka provokuar që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do të thoja atyre që erdhën: çohuni ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e Shqipërisë, për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova”, tha Rama.

“E dini ju çfarë janë ato 16 mijë faqe? Nuk janë absolutisht produkt i hetimit, se s’ka si të jenë produkt i hetimit. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i Ministrisë futur brenda. 16 mijë faqe janë një vandak me dokumente zyrtare dhe kjo është afërmendsh, s’ka nevojë fare ta shohësh”, theksoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se, “USB-në e sjellë nga prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS-së dhe nuk e ka tërhequr as ministrja, avokati. Që të jemi shumë të qartë, për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë i kanë nxjerrë këta ato”.

Rama theksoi se, “nuk kemi të bëjmë këtu me ndryshim qëndrimi, këtu kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur, shumë korrekt nga ana jonë, sepse rasti vjen në parlament”.

“Dhe përpara se të vinte në parlament, rasti erdhi, u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht me një kërkesë skandaloze për pezullim e pandodhur në historinë e botës”, tha Rama.

“Tani mund ta them me plot gojën, sepse e kemi kërkuar gjithandej. Nëse ka një të dytë, nuk ka. Nuk ka ndodhur as në Europë jo e jo, por nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që të mblidhen bashkë një prokuror dhe një gjykatës dhe të thonë pezullohet ky ministri se kështu kemi vendosur ne”, theksoi kreu i qeverisë.

“Kështu që erdhi aty rasti dhe duhej mbajtur një qëndrim patjetër. Mbajtëm një qëndrim institucional, shkuam në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë në parlament do të mbajmë patjetër qëndrim, nuk diskutohet”, shtoi Rama.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Rama: Parlamenti nuk është zyrë noterie, SPAK u fut në territorin e ekzekutivit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi: Mazhoranca po bllokon procesin

By: Fax Web
26 December 2025 at 12:07

Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, thirrën sot në orën 11:00 mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Deputetët e opozitës janë paraqitur në ambientet e sallës, por sipas tyre, e kanë gjetur derën e mbyllur, duke i penguar që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u ka mbyllur derën duke bllokuar procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun.

“Kryetari i Kuvendit sërish refuzon që të thërrasë pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandaloze korruptive.

“Ne presim këtu që Kuvendi të na vërë në dispozicion që kjo mbledhje e thirrur rregullisht të jetë funksionale, por, ja ku jemi, Kryetari i Kuvendit na ka mbyllur derën”, theksoi Bylykbashi.

Gjithashtu, sipas PD-së, Peleshi nuk lejon mediet që të futen as në sallën e grupit parlamentar të PD.

Imuniteti i Ballukut mbetet “pezull”, anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve kërkesë Peleshit: Të mblidhemi për shqyrtim më 26 dhjetor

By: V K
24 December 2025 at 14:38

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së Këshillit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Në shkresë ata kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00.

Demokratët argumentojnë se më shumë se një javë nga mbledhja e mëparshme, që u shty pa datë, është e pamjaftueshme që palët të njihen me aktet dhe të përgatiten për argumentet dhe mbrojtjen.

Po ashtu, ata vënë theksin edhe te kërkesa e Prokurorisë që çështja të shqyrtohet brenda 5 ditëve, për shkak të rrezikshmërisë së zëvendës kryeministres për të prishur prova apo intimiduar dëshmitarë.

“Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve”, thuhet në kërkesën e demokratëve, duke kërkuar që mbledhja të mbahet më 26 dhjetor.

Kujtojmë që mbledhja e kaluar u shty pa datë ndërsa anëtarët demokratë akuzuan socialistët se po tentojnë të shtyjnë imunitetin e Ballukut.

Shkresa e plotë:

Z. Kryetar i Kuvendit,

Sipas nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, ose heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës, sipas procedurës së parashikuar në nenet 118 dhe 119 të Rregullores. Pika 6, e nenit 13 përcakton shprehimisht: “Këshilli mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose 1/2 së anëtarëve. Rendi i ditës caktohet nga Kryetari. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë.”.

Me shkresën nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Zëvendëskryeministrit Ministrit, znj. Belinda Balluku. Më kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Këshilli u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme më datë 19 Dhjetor 2025, ora 10.30 min. Kryetari i Kuvendit në mënyrë të njëanëshme, pa vendim të Këshillit, vendosi të ndërpresë mbledhjen, pa caktuar një mbledhje tjetër, me qëllim sipas tij që anëtarët e Këshillit dhe palët të njihen me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.

Në këto kushte, në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne. 1/2 e anëtarëve të Këshillit:

Duke e konsideruar periudhën më shumë se 1 javë si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë:

Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;

Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;

KËRKOJMË:

1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e premte, datë 26 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit -Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.

2. Njoftimin e datës dhe orës së mbledhjes, si dhe Rendin e Ditës anëtarëve të tjerë të Këshillit, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posacme, si dhe deputetes Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të saj ligjor, me qëllim që të ushtrojë të drejtën e saj të mbrojtjes përpara Këshillit.

Sjellim në vëmendjen tuaj z. Kryetar i Kuvendit, që thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6. të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.

ANËTARËT E KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN:

GAZMENT BARDHI

OERD BYLYKBASHI

ELDA HOTI

GENT STRAZIMIRI

SAIMIR KORRESHI

The post Imuniteti i Ballukut mbetet “pezull”, anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve kërkesë Peleshit: Të mblidhemi për shqyrtim më 26 dhjetor appeared first on Albeu.com.

Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën për imunitetin e Ballukut, pa vendosur Kushtetuesja

21 December 2025 at 13:45

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mazhoranca nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për imunitetin e zv/kryeministres, Belinda Balluku pa vendosur Gjykata Kushtetuese për pezullimin.

Në nisje të podkastit “Flasim – Episodi 11, Sezoni 5”, Rama duke folur për kërkesën e SPAK-ut për Kuvendin lidhur me imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku, u shpreh se, prokurorët u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme.

“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie”, tha Rama.

“E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër”, theksoi Rama.

Sot, vijoi Kryeministri, “nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart”.

“Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtet për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, theksoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën për imunitetin e Ballukut, pa vendosur Kushtetuesja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Bllokimi i kërkesës për imunitetin e Ballukut, puç antikushtetues

21 December 2025 at 13:40

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shtyrë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

PD e cilëson këtë vendim si akt puçist antikushtetues.

“Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres”, thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike, “deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas PD-së, Kryeministri ka urdhëruar ndërprerjen e shqyrtimit të kërkesës së SPAK nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, duke u bazuar në pritjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike thekson se kjo ndërhyrje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, të cilat parashikojnë që kërkesat e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të shqyrtohen dhe të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara ligjore.

PD-ja shprehet se kërkesa për heqjen e imunitetit të Ballukut bazohet në fakte dhe dokumente të hetimeve për pasuri të deklaruara dhe të padeklaruara, përfshirë dyshimet për përfitime nga projektet e infrastrukturës publike dhe pasuri të tjera.

PD thekson se shqyrtimi i këtyre kërkesave nuk lidhet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është një procedurë e pavarur ligjore.

Në reagimin e saj, Partia Demokratike shpreh shqetësim për ndërhyrjen e ekzekutivit në proceset parlamentare dhe gjyqësore, duke theksuar se respektimi i ligjit dhe procedurave është themeli i funksionimit të institucioneve demokratike.

PD-ja bën thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe për përfundimin e shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë pa vonesa artificiale.

“Partia Demokratike denoncon me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës dhe bën thirrje: Në këmbë, qytetarë! Të mbrojmë nesër me guxim dhe vendosmëri ligjin dhe Kushtetutën, me revolta të fuqishme, për të shpëtuar sa më shpejt shqiptarët dhe Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e PD.

/gj.m/j.p/

The post PD: Bllokimi i kërkesës për imunitetin e Ballukut, puç antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkruan DW: Këshilli i Mandateve pa vendim për imunitetin e Ballukut

By: lindita
20 December 2025 at 09:31

Pas pesë orësh mbledhje me dyer të mbyllura Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë nuk arriti të merrte vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja u mbyll pa konsensus, ndërsa mazhoranca kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura nga Prokuroria. Balluku mungon në takim Në të…

Source

DW: Këshilli i Mandateve pa vendim për imunitetin e Belinda Ballukut

By: V K
20 December 2025 at 08:46

Pas pesë orësh mbledhje me dyer të mbyllura, Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, nuk arriti të merrte vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Mbledhja u mbyll pa konsensus, ndërsa mazhoranca kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura nga Prokuroria.

Balluku mungon në takim

Në të njëjtën kohë kur drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, së bashku me dy prokurorët e çështjes, ndodheshin në Kryesinë e Kuvendit për të paraqitur kërkesën për autorizimin e masës së arrestit, zv.kryeministrja Belinda Balluku merrte pjesë në mbledhjen e qeverisë.

Pas pesë orësh mbledhje me dyer të mbyllura Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë nuk arriti të merrte vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Mbledhja u mbyll pa konsensus, ndërsa mazhoranca kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura nga Prokuroria.

Takimi i Këshillit të Mandateve u zhvillua me dyer të mbyllura, me argumentin se materialet e hetimit përbëjnë sekret hetimor.

Dhjetë deputetët anëtarë të Këshillit kanë marrë në dorëzim dokumentacionin e SPAK-ut, që përfshin me mijëra faqe prova, që sipas Prokurorisë duhet të shqyrtohen vetëm nga anëtarët e këtij organi, pa praninë e deputetëve të tjerë apo të medias.

Përplasje politike për afatin

Debatet në Këshillin e Mandateve u përqendruan kryesisht te koha e nevojshme për shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut.

Mazhoranca socialiste thotë se rregullorja i jep Kuvendit deri në dy javë për këtë procedurë, kohë që sipas saj përfshin edhe pushimet parlamentare, duke e shtyrë vendimmarrjen për në janar.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar tëPartisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi për mediat se opozita do të kërkojë thirrjen e një mbledhjeje të re në fillim të javës së ardhshme, duke e cilësuar çështjen si urgjente.

“SPAK tha se tri ditë janë të mjaftueshme, maksimumi pesë ditë. Pesë anëtarët e opozitës në këshill do ta thërrasin mbledhjen të hënën, maksimumi të martën. Ndërsa PS kërkon që mbledhja të zhvillohet më 20 janar”, – tha Bardhi.

Sipas tij, zvarritja e procesit po e kthen Kuvendin në pengesë për drejtësinë dhe i jep zëvendëskryeministres kohë për të ndikuar mbi provat e hetimit.

Akuzat ndaj Ballukut

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” e depozituar më 31 tetor 2025.

Në kuadër të hetimit SPAK-u vendosi masën e pezullimit të saj nga funksionet zyrtare, si edhe ndalimin e largimit jashtë vendit, masa që u rrëzuan më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Balluku i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe politike, dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e plotë të çështjes.

The post DW: Këshilli i Mandateve pa vendim për imunitetin e Belinda Ballukut appeared first on Albeu.com.

“Peshku qelbet nga koka”: Protestë para Kuvendit kundër Ballukut dhe Ramës

19 December 2025 at 15:07

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan sot një protestë para Kryesisë së Kuvendit ku u kërkua heqja e imunitetit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Protesta e thirrur në rrjetet sociale, u shoqërua me një organizim të dytë mbështetës nga partia “Mundësia”.

Njëzëri ata kërkuan përgjegjësi nga nivelet më të larta të pushtetit duke kërkuar kështu që fatura e korrupsionit të paguhet edhe nga Kryeministri Edi Rama. Kjo, pasi sipas tyre, përgjegjësia nuk mund të ndalet te një emër i vetëm.

“Belinda Balluku është vetëm alibia për të mbrojtur Edi Ramën,” deklaroi deputeti i “Mundësisë”, Erald Kapri sipas së cilit korrupsioni është sistemik dhe i mbrojtur politikisht.

Aktivisti Andi Tepelena renditi arsyet e protestës, duke përmendur shpopullimin dhe zgjedhjet e kontestuara. Ai foli edhe për mungesën e reformave ekonomike, korrupsionin dhe grabitjen e pasurisë publike.

“Askush nuk është mbi ligjin, përfshirë Ramën, Ballukun, Veliajn, Agaçin, Metën dhe Berishën,” deklaroi Tepelena, i cili theksoi se barazia para ligjit është test real për drejtësinë.

Në protestë morën pjesë edhe qytetarë të indinjuar nga kushtet sociale dhe ekonomike. Disa prej tyre jetojnë në emigrim dhe mbështesin familjet në Shqipëri.

“Prindërit e mi nuk jetojnë dot me pensionet që kanë. Sa herë vijmë, mbajmë familjet me paratë tona,” tha Brunilda Sota, e cila e konsideroi situatën si pasojë të keqqeverisjes afatgjatë.

Partia Demokratike kërkoi sot që mbledhja e Këshillit të Mandateve, e cila u thirr për të diskutuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit, të ishte e hapur. Por, kërkesa u refuzua nga shumica dhe nga vetë prokurorët e SPAK.

SPAK kërkon heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres për shkak të dyshimeve të arsyeshme se ajo mund të ndërhyjë dhe pengojë apo prishë  hetimet.

Prokuroria pretendon se Balluku ka ndikuar në manipulimin e 12 procedurave tenderuese. Zv.kryeministrja nuk u paraqit në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i saj.

Më 31 tetor 2025, ajo deklaroi se beson në një proces transparent dhe të drejtë. Balluku dhe disa ish-drejtues të Autoritetit Rrugor akuzohen për manipulim tenderësh.

Disa nga çështjet kryesore lidhen me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, me vlerë 210 milionë euro. Për këtë arsye, GJKKO e pezulloi Ballukun nga detyra më 20 nëntor.

Rasti pritet të jetë një test i rëndësishëm për besueshmërinë e drejtësisë së re.

Lexoni gjithashtu:

The post “Peshku qelbet nga koka”: Protestë para Kuvendit kundër Ballukut dhe Ramës appeared first on Citizens.al.

SPAK kërkon imunitetin e saj, para mbledhjes së Këshillit të Mandateve Balluku hyn në Kryeministri

By: D Marku
19 December 2025 at 10:21

Zv/kryeministrja, Belinda Balluku, është paraqitur mëngjesin e kësaj të premte në Kryeministri, pak minuta para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku pritet të diskutohet kërkesa e SPAK për arrestimin e saj.

Balluku është parë e shoqëruar nga truproja e saj, teksa ka dalë nga makina duke folur në telefon dhe më pas është futur brenda institucionit qeveritar.

Mbledhja e Këshillit pritet të nisë në orën 10:30, ku të pranishëm nga prokurorët do të jenë Dritan Prenci, Dorina Bejko, dy prokurorët e çështjes si dhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho.

The post SPAK kërkon imunitetin e saj, para mbledhjes së Këshillit të Mandateve Balluku hyn në Kryeministri appeared first on Albeu.com.

Bushati: PS ka si nen të parë të statutit vjedhjen, imuniteti i Ballukut nuk preket

By: armand
18 December 2025 at 22:01

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, ka folur për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, në mënyrë që të kërkojë një masë arresti ndaj saj. Bushati tha se nuk ka gjasa që Rama ta dorëzojë imunitetin e Ballukut, ndërsa shtoi se në PS mendojnë vetëm […]

The post Bushati: PS ka si nen të parë të statutit vjedhjen, imuniteti i Ballukut nuk preket appeared first on BoldNews.al.

Sekret hetimor apo bllokim politik? Kuvendi shtyn heqjen e imunitetit të Ballukut

17 December 2025 at 17:00

Të mërkurën, 17 dhjetor Kuvendi i ka mohuar anëtarëve të Këshillit të Mandateve dosjen e plotë të prokurorisë për Zv. Kryeministren Belinda Balluku. Ekspertët e cilësojnë një vendim absurd, pasi “sekreti hetimor” nënkupton që dosja të mos bëhet publike, por jo t’i mohoet Këshillit të Mandatave që do shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit.

SPAK-ut iu mohua “masa e zbutur” ndaj Ballukut, çfarë ndodh më pas?

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit të zv. Kryeministres Belinda Balluku me qëllim që të autorizohet masa e ndalimit.

Avokati dhe drejtuesi i qendrës ligjore “ResPublica”, Dorian Matlija shpjegon për Citizens se arresti është hapi fundit që duhet konsumuar, pasi fillimisht duhet të procedohet me masa më të zbutura, që të arrihet qëllimi. Ai sjell në vëmendje njëjtë edhe rastin e ish-kryeministrit Berisha ku e njëjta nuk u procedua me arrest.

“Ka qenë i kritikueshëm arresti që në fillim, si me Veliajn ose me Metën. Ka njerëz që po shkojnë në gjyq në gjendje të lirë, si Fatmir Mediu, nuk është fare me masë sigurie,” analizon Matlija.

Vendimi i SPAK vjen menjëherë pas atij të datës 12 Dhjetor, ku Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të pranojë ankimin e Kryeministrit Rama duke rikthyer, të paktën përkohësisht, në detyrë zëvendës kryeministren Belinda Balluku.

Matlija pohon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është në mosdakordësi me atë të SPAK. Sipas tij Prokuroria kërkoi një masë më të butë, siç ishte pezullimi fillimisht, pro ngaqë kjo masë u hodh poshtë nga Gjykata, atëherë ju desh të kërkonte një masë të dytë, heqjen e imunitetit.

“Nëse nuk do ndërhynte Gjykata Kushtetuese ata nuk do kërkonin masë tjetër. Fakti që janë pa masë fare dhe pezullimin nga detyra nuk e marrin dot, mund të procedojnë me arrestin e shtëpisë përshembull,” thotë Matlija.

Edi Rama sulmoi drejtësinë e re duke e cilësuar vendimin e SPAK, i cili mban firmën e ish-drejtuesit të SPAK Altin Dumanit, si një “fakt i turpshëm, pa asnjë lidhje me standardet demokratike evropiane”.

Në kuadër të procedimit penal nr.136 Balluku, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, po hetohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” për Tunelin e Llogarasë. Gjithashtu ajo po hetohet për të njëjtën vepër penale për manipulime një sërë tenderash në disa lote të Unazës së Madhe.

Mohimi i informacionit

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin teorikisht duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK më 19 dhjetor 2025 përpara se çështja të shkojë për votim në seancë plenare të Kuvendit.

Ky këshill nuk voton, por brenda dy javësh përgatit një raport këshillues ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrest në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, dhe këtë raport ia dërgon Kuvendit, i cili vendos me votim të hapur në seancë plenare.

Por të mërkurën, 17 Dhjetor kreyparlamentari Niko Peleshi nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Mandateve materialet e SPAK për Belinda Ballukun, pasi e ka cilësuar informacion si “sekret hetimor”.

“Bëjnë keqkuptime me qëllim! Siç e merr kryetari i Kuvendit, nuk publikohet, por ja kalon Komisionit përkatës, që përgatit edhe raportin. Pa u informuar nga ky material si do e vlerësoj Komisioni përkatës?” analizon Matlija

Ndërkohë, të enjten në Gjykatën e Posaçme të Apelit pritet të zhvillohet një seancë ku do të shqyrtohet kërkesa e Belinda Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi për të hequr në mënyrë të përhershme masat e sigurisë që u janë vendosur më parë nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë në kuadër të procedimit penal ndaj tyre.

Ndërsa vetë zv. kryeministria Balluku nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet e saj sociale që prej datës 19 Nëntor. Më 31 Tetor 2025, pas daljes nga zyrat e SPAK vetë Balluku komentoi se ishte shpresëplotë se procesi do të jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila beson.

Balluku dhe disa ish-drejtues të ARRSH-së u akuzuan se kanë manipuluar dy tendera të mëdhenj (Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Jashtme e Tiranës), me vlerë 210 milionë euro, për të favorizuar kompani të caktuara, dhe për këtë arsye GJKKO e pezulloi atë nga detyra më 20 nëntor.

Lexoni gjithashtu:

The post Sekret hetimor apo bllokim politik? Kuvendi shtyn heqjen e imunitetit të Ballukut appeared first on Citizens.al.

❌
❌