Pas përfundimit të xhiros së 22-të të luajtur në fundjavë, Raiffeisen Liga e Parë e Kosovës po ofron një nga garat më të forta të viteve të fundit, me diferenca minimale mes skuadrave në krye të tabelës dhe tension maksimal në zonën e rënies.
Në pozitën e parë ndodhet Vushtrria, që ka grumbulluar 47 pikë pas 22 ndeshjeve. Fitorja e fundit ndaj Rilindjës 1974 e mban në krye, por epërsia është tejet e brishtë, pasi ndjekësit janë vetëm një hap larg.
Menjëherë pas saj vjen Feronikeli ‘74 me 46 pikë, ndërsa Trepça ‘89 dhe Liria kanë nga 45 pikë secila. Katër skuadra të mëdha brenda dy pikëve – një luks dramatik që garanton javë të zjarrta deri në fund të sezonit.
Në lojë për pozitat e larta janë edhe Vëllaznimi dhe Dinamo e Ferizajt, të dyja me nga 44 pikë, ashtu sikurse edhe Ramiz Sadiku i shtati me 43 pikë. Çdo gabim në këtë fazë mund të kushtojë shtrenjtë, ndërsa çdo fitore mund të përmbysë renditjen brenda një xhiroje.
Ndërkohë, po aq e ashpër është edhe lufta për mbijetesë. Fundi i tabelës po ngushtohet rrezikshëm, me disa skuadra që ndahen nga njëra-tjetra me vetëm një apo dy pikë dhe çdo duel direkt tashmë vlen sa një finale.
Skuadrat si Prizreni, Besa Peja, Kek-u, Rilindja 1974, por edhe 2 Korriku, Istogu dhe Vjosa ndodhen në zonën më kritike dhe janë të detyruara të reagojnë shpejt për të shmangur rënien nga liga.
Me 12 xhiro të mbetura deri në fund, Raiffeisen Liga e Parë po dëshmon se këtë sezon nuk ka favorit absolut dhe as të dorëzuar. Luftë për titull, luftë për mbijetesë – gjithçka mbetet e hapur.
Kush do të rezistojë presionit dhe kush do të rrëzohet në momentin vendimtar do të na tregojnë javët e ardhshme. /Telegrafi/
Kombëtarja e Kosovës në basketboll u mposht nga Sllovakia me rezultat 89:78 në parakualifikimet për Eurobasket 2029 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Ndeshja nisi në favor të Kosovës, e cila fitoi çerekun e parë 27:18, por Sllovakia reagoi fuqishëm në çerekun e dytë, duke fituar atë me një diferencë prej 15 pikësh dhe duke marrë kontrollin e lojës.
Kjo ishte përballja e tretë mes dy ekipeve dhe përsëri përfundoi me fitore për Sllovakinë, e cila vazhdon të jetë favorite e Grupit C.
Të dy ekipet kishin regjistruar fitore ndaj Shqipërisë në ndeshjet e mëparshme të grupit në nëntor.
Kosova ishte pa dy nga lojtarët kryesorë, Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi dhe mungesa e tyre ndikoi dukshëm në performancën e ekipit.
Shumica e pjesës tjetër të skuadrës luan kryesisht në Superligë, ndërsa i vetmi lojtar me përvojë ndërkombëtare është amerikani i natyralizuar, Divine Myles, që luan në kategorinë e dytë franceze.
Në anën tjetër, amerikanët e Sllovakisë, përfshirë David De Julius, po shkëlqejnë në elitën e basketbollit spanjoll.
Megjithatë, përkundër humbjes, ekipi i Kosovës tregoi karakter dhe përpjekje, duke bërë të qartë se edhe me mungesa të lojtarëve kryesorë, skuadra ka potencial për të konkurruar në nivel elitar./Telegrafi/
Trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu, ka dhënë një intervistë për Telegrafin, ku flet për startin e jashtëzakonshëm të ekipit, objektivat aktuale, rivalët kryesorë dhe lojtarët që po spikasin këtë sezon.
Pas tri fitoreve radhazi ndaj Lirisë, Trepçës dhe Tefik Çanga, Trepça ’89 ndodhet në vendin e parë në Ligën e Parë, dhe trajneri ndan për Telegrafin se çelësi i këtij suksesi ka qenë vazhdimësia.
“Mendoj që çelësi ka qenë vazhdimësia. Kjo tash është pjesa e dytë e kampionatit dhe normal që një vazhdimësi e mirë ka dhënë rezultate. Kemi pasur histori shumë të pasur, por ky start me tri derbi radhazi ka qenë vërtet i suksesshëm dhe na ka dhënë shumë besim”, ka thënë fillimisht Sejdiu për Telegrafin.
Trajneri sqaroi se megjithëse Trepça ’89 ka një histori të pasur dhe është fitues i Kupës dhe kampion i Kosovës, prioriteti kryesor fillestar nuk ka qenë titulli, por zhvillimi i lojtarëve të rinj dhe krijimi i një identiteti loje të qëndrueshëm.
“Ne nuk kemi hyrë me ambicie për titull, por kur arritëm marrëveshjen, fokusimi ka qenë zhvillimi i lojtarëve të rinj. Kjo është politika kryesore e klubit, të zhvillojmë lojtarët dhe t’i shesim ata në tregun e jashtëm. Gjatë këtij gjysmë sezoni, ekipi ka filluar të krijojë identitetin e vet, një lojë aktive dhe filozofi të qartë, pavarësisht mungesës së emrave të mëdhenj”.
Trajneri thekson se objektivi kryesor mbetet konsolidimi dhe futja e ekipit në Superligë, duke pasur parasysh edhe pozicionin aktual të tabelës.
“Prioriteti numër një është futja në Superligë. Rezultatet tona na obligojnë për ta ndjekur këtë rrugë deri në fund. Do të jetë shumë e vështirë, sepse kemi edhe 13 xhiro dhe gjashtë ekipe me potencial të madh dhe lojtarë cilësorë. Por ekipi që është më i fortë psikologjikisht mund ta çojë deri në fund këtë objektiv”, shtoi mitrovicasi.
Trajneri ndan edhe emocionet personale pas këtij fillimi të suksesshëm.
“Karriera ime 25-vjeçare më ka dhuruar shumë trofe dhe emocione. Së fundmi, këto emocione më kanë munguar pak, por tani është një lloj rilindjeje për mua, duke përjetuar përsëri kënaqësinë e futbollit, sukseset dhe emocionet që vetëm ky sport mund t’i sjellë. Jam shumë i lumtur që i kam rikthyer këto momente”.
Ai theksoi rëndësinë e stafit dhe mbështetjes së kryesisë së klubit.
“Kam një staf të mrekullueshëm, Enis Manxhollin dhe Diar Mustafën, të cilët kryejnë shumicën e punës. Kryesia e klubit na ka krijuar një mjedis shumë të shëndoshë dhe të mirë, gjë që më lehtëson punën dhe më bën të shijoj këto momente”.
Sa i përket rivalëve, trajneri përmendi disa ekipe që mund të sfidojnë Trepçën ’89 deri në fund të kampionatit.
“Të gjitha ekipet kanë mundësi dhe potencial. Tash jemi në vendin e parë, por pozicionet mund të ndryshojnë deri në fund. Rivalët kryesorë janë Vushtrria, Dinamo, Ferronikeli, Liria dhe Vëllaznimi. Secili ekip ka lojtarë të cilësuar dhe detaje që mund t’i menaxhojnë më mirë. Do të jetë një luftë e fortë deri në xhiron e fundit.”
Trajneri përmendi lojtarët që kanë dhënë kontribut të madh dhe të rinjtë me perspektivë të madhe.
“Nga lojtarët që kemi marrë, Egzon Qerimi ka treguar shumë cilësi dhe ka përvojë të madhe. Adem Maliqi ka qenë thelbësor, ndërsa Milazim Bajraktari dhe Art Hasani janë shtylla e ekipit dhe lojtarë të jashtëzakonshëm. Nga të rinjtë, Erion Brahimi, Andi Mehmeti dhe Ensar Beqiri janë e ardhmja e klubit dhe po dëshmojnë tashmë në këtë kampionat. Këta lojtarë 19-20-vjeçarë kanë potencial të madh dhe po zhvillohen shumë shpejt”, përfundoi trajneri i Trepçës ‘89.
Ndryshe, pas 21 xhirove të luajtura deri tani, Trepça '89 renditet e para me 45 pikë, ndërsa pas saj në vendin e dytë është Vushtrria me 44 pikë.
Në vendin e tretë ndodhet Dinamo, gjithashtu me 44 pikë, ndërsa Feronikeli mban vendin e katërt me 43 pikë, kurse Liria në vendin e pestë me 42 pikë. /Telegrafi/
Një studim i fundit ka zbuluar se rastet e rralla të trombozës pas vaksinës anti-COVID të AstraZeneca lidhen me një proteinë të adenovirusit të modifikuar, që përdoret për të nxitur përgjigjen imunitare ndaj SARS-CoV-2. Tek disa persona me një profil të veçantë gjenetik, kjo proteinë mund të shkaktojë prodhimin e antitrupave që, në vend të […]
Artisti i ri shqiptar Diart Nishori, i njohur me emrin artistik Diart049, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun muzikor shqiptar falë stilit të tij të veçantë dhe qasjes ndryshe në projekte.
Këngët e tij po pëlqehen, komentohen dhe shpërndahen gjerësisht, veçanërisht në rrjetet sociale, ku ai ka nisur të krijojë një audiencë besnike që e ndjek nga publikimi në publikim.
Së fundmi, ai ka prezantuar projektin më të ri muzikor me titull “Loti n’faqe”, një këngë që në pak ditë ka arritur të bëhet virale, sidomos në platformën TikTok, ku përdoruesit e kanë përqafuar për atmosferën dhe stilin e saj të veçantë. Projekti është realizuar nga studioja e njohur për prodhimin e disa hiteve, Studio Inrecords, me producent nga Albos, duke sjellë një ndërthurje interesante mes elementeve të një kënge të vjetër shqiptare dhe frymës moderne që karakterizon stilin e Diart049.
Me origjinë nga Kosova, por që jeton dhe vepron në Gjermani, artisti i ri po dëshmon se është një emër me potencial për të depërtuar fuqishëm në skenën muzikore shqiptare. Prania e tij aktive në rrjetet sociale dhe reagimet pozitive të publikut tregojnë se ai po ndërton gradualisht një profil artistik premtues.
Kënga “Loti n’faqe” tashmë është e disponueshme në të gjitha platformat digjitale, ndërsa fansat presin që Diart049 të vazhdojë me projekte të reja që mund ta konsolidojnë edhe më shumë si një nga zërat e rinj më interesantë të momentit. /Telegrafi/
Malisheva ka fituar me rezultat 4-0 në udhëtim te Trepça ’89 në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8-tës në Kupën e Kosovës, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale.
Klubi nga Superliga është treguar shumë i fortë për vendasit nga Liga e Parë, duke i mposhtur me dominim dhe rezultat të thellë në takimin e luajtur në stadiumin Riza Lushta në Mitrovicë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe me më shumë raste nga mysafirët, të cilët shënuan edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 31-të me anë të Assane Diatta, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Etnik Brrutit, ndërsa shënuesi i golit të parë asistoi për Arbër Pirën, i cili shënoi ne minutën e 35-të për 2-0.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të mysafirëve, të cilët shënuan përsëri dy gola dhe akteri kryesor ishte po ai i pjesës së parë, Diatta.
Diatta shënoi në minutën e 75-të për epërsinë 3-0, ndërsa Rilind Hetemi asistoi për Valmir Nafiun në minutën e 88-të për rezultatin përfundimtar 4-0.
Me këtë fitore, malishevasit e sigurojnë kualifikimin në çerekfinale, në mesin e tetë skuadrave të cilat do ta kërkojnë trofeun e Kupës së Kosovës.
Ndryshe, kualifikimin deri tani e kanë siguruar Llapi, Ferizaj, Dukagjini, Ballkani, Gjilani dhe Vushtrria, ndërsa emri i fundit do të mësohet në ndeshjen e vetme të mbetur në mes të Feronikeli ’74-Dinamo. /Telegrafi/
Ish-futbollisti i njohur kosovar, Mensur Duraku, njohës i futbollit vendor, vlerëson se katër-pesë ekipe janë pretendentë kryesorë për inkuadrim në Superligën e Kosovës, ndërsa sfidat për mbijetesë po tregohen po aq të ashpra.
Sezoni aktual i Ligës së Parë po rezulton të jetë jashtëzakonisht konkurrues, si në luftën për titull, ashtu edhe për mbijetesë.
Ish-futbollisti i Besës së Pejës dhe njohës i mirë i futbollit ka theksuar se gara pritet të mbetet e hapur deri në fund të kampionatit, duke e bërë këtë sezon më interesant se kurrë.
“E shoh një luftë të madhe për inkuadrimin në Superligë. I shoh katër-pesë ekipe, pa dyshim. Po ashtu, është luftë e njëjtë edhe për mbijetesë”, ka thënë fillimisht Duraku për Telegrafin.
“Së fundmi e shikova lojën e parë të sezonit të Besës, e kishte bërë një ekip të mirë, e mposhti një favorit kryesor siç është Feronikeli dhe mendoj që ka me qenë një kampionat interesant”.
Duraku gjithashtu theksoi rivalitetin mes disa ekipeve të forta.
“Trepça ’89, Feronikeli dhe Liria janë konkurrent të fortë, por unë e shoh konkurrentin më të madh Vushtrrinë. Vushtrrinë e shoh konkurrent numër një, pastaj vijnë Feronikeli, Trepça ‘89 dhe Dinamo, e cila ka bërë ekip të mirë shumë. Është një luftë e paparë”.
“Është Vushtrria është Dinamo, Vëllaznimi ka organizim të mirë tash edhe Liria me prurjen e Ismetit. Ka me qenë një luftë. E më e përgatitur mendoj, nuk e di si është puna nga financat, por kështu me shikues prej të gjitha qyteteve që kam qenë, Vushtrria edhe Vëllaznimi, por më ka lënë përshtypje edhe Dinamo”.
Pejani nënvizoi se përvoja dhe cilësia e lojtarëve do të vendosin kampionin e këtij sezoni.
“Mendoj edhe përvoja, Vushtrria ka përvojë, Vëllaznimi, Liria e këto, nuk di tash sa mundet me pas përvojën e tyre Dinamo. Këto ekipet janë pak ma të vogla, Vushtrria ka përvojë të madhe, e shoh Vushtrrinë, Lirinë, Vëllaznimin, Trepçën 89”, potencoi ish-sulmuesi.
Sa i përket sfidës për mbijetesë, Duraku e sheh situatën të vështirë për Besën e Pejës.
“Klubin tim të zemrës me thënë, e ka shume vështirë po Besa u mundu me u organizu shumë, ata veç se po ju rrinë gati me paga me krejt po ky është sezoni i parë dhe nuk i kanë qel fort sytë po tash mendoj qe është pak vonë po si do qe të jetë mirë duke e mposht Feronikelin këtu ka diçka”.
“E ka orarin shumë të keq. Krejt ekipet qe janë për me ra prej ligës Besa ju shkon e këto që janë për me hy në ligë ju vinë, e ka një situatë të kundërt krejtësisht, por kam qejf dhe lutem që Besa të mbetet në ligë”.
“Është një konkurrencë shumë e madhe, është Besa, 2 Korriku, Prizreni, krejt këto që janë në ligë janë në luftë. E Liga e Parë kurrë më interesant nuk ka qenë”.
Ai përfundon me një mesazh optimist për tifozët e futbollit vendor.
“Askush nuk e ka të sigurt mbijetesën dhe askush nuk e ka inkuadrimin ne Superligë. Kjo e bënë kampionatin shumë më interesant dhe deri në fund nuk do të dihet se kush bie edhe kush inkuadrohet në Superligë. Kjo e bënë kampionatin shumë më interesant”, përfundoi ish-ylli pejan. /Telegrafi/
Jona Cenameri Pas përfundimit zyrtar (në fund të vitit 2025), taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore në Bashkinë Tiranë mbyllet me një bilanc të paplotë.
Nga 17 shkolla të reja të premtuara për t’u ndërtuar me të ardhurat e kësaj takse, janë realizuar vetëm 9, ndërsa 8 të tjera mbeten të parealizuara.
Të dhënat zyrtare nga Bashkia Tiranë tregojnë se, ndonëse për një dekadë janë mbledhur miliarda lekë nga familjet dhe bizneset, objektivi fillestar për t’i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja nuk është përmbushur plotësisht.
Ajo u prezantua si taksë e përkohshme, me një afat kohëzgjatjeje 7-vjeçar. Megjithatë sipas ligjit nr. 68/2017 për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, një taksë, që është e përkohshme, nuk mund të aplikohet më shumë se 3 vite.
Taksa mbështetej në një studim fizibiliteti të hartuar nga vetë Bashkia, sipas të cilit të ardhurat e mbledhura nga taksa do të mjaftonin për ndërtimin e 17 shkollave të reja: 10 shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme.
Ky plan u prezantua si zgjidhje strukturore për mbipopullimin e shkollave dhe mësimin me dy turne në kryeqytet.
Megjithatë, pas përfundimit të afatit fillestar, Bashkia vendosi zgjatjen e taksës, deri në fund të vitit 2025, duke e kthyer një taksë “të përkohshme” në një barrë financiare prej një dekade për qytetarët.
Çfarë u ndërtua?
Ndërtimi i shkollave u realizua përmes skemës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), të ndarë në 4 lote.
Kontratat u lidhën në formën e koncesionit PPP të tipit PBOT (Design-Build-Finance-Maintain), ku kompania private angazhohej jo vetëm për projektimin, financimin dhe ndërtimin e shkollave, por edhe për mobilimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e tyre.
Sipas kontratës, periudha totale zgjaste 7 vite e 18 muaj: 18 muaj për ndërtimin e objekteve, 7 vite për mirëmbajtje, gjatë të cilave Bashkia do të shlyente investimin përmes pagesave periodike.
Koncesionari përfitonte një marzh fitimi prej 6.28% në vit.
Kontrata për Lotin 1 u lidh në vitin 2018, kurse për Lotin 4 në vitin 2020.
Në Lotin “Tirana 1” u ndërtuan 5 shkolla sipas planit konkretisht:
Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela dhe Shkolla e mesme “Kristo Frashëri” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.9,
Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”, në njësinë administrative nr.11
Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” dhe Shkolla e mesme “John F. Kennedy” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.11
Në Lotin “Tirana 4” u ndërtuan 4 shkolla sipas planit
Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”, në njësinë administrative nr.2
Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi” dhe Shkolla e mesme “Sevasti Qiriazi” (shkolla të bashkuara), në njësinë administrative nr.8,
Shkolla 9-vjeçare “Luan Hajdaraga”, në njësinë administrative Dajt
Në Lotin “Tirana 2” asnjë nga 4 shkollat e planifikuara s’ka nisur të ndërtohet
Në Lotin “Tirana 2” ishte parashikuar ndërtimi i 3 shkollave në njësinë Kashar (Yzberisht) dhe i 1 shkolle në njësinë administrative nr.7.
Në Lotin “Tirana 3” asnjë nga 4 shkollat e planifikuara s’ka nisur të ndërtohet
Në Lotin “Tirana 3” ishte parashikuar ndërtimi i 2 shkollave në njësinë administrative nr.2, i 1 shkolle në njësinë administrative nr.5 dhe i 1 shkolle në njësinë administrative Farkë.
Sa para u mblodhën dhe si u përdorën ato?
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Tiranë, deri në përfundimin e taksës në fund të vitit 2025 janë arkëtuar gjithsej rreth 7 miliardë lekë (6,975,741,429 lekë) nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Kjo shumë është mbledhur përgjatë dhjetë viteve (2016-2025), nga familjet dhe bizneset që veprojnë në territorin e bashkisë në faturën e ujit.
Vitet
2016
2017
2018
2019
2020
2021
2022
2023
2024
2025
Shuma (në lekë)
495,950,390
681,927,166
730,095,161
699,773,149
649,392,794
756,967,278
759,519,645
689,610,468
769,868,332
742,637,046
Në Programin Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, Bashkia Tiranë konfirmon se për projektin e 17 shkollave të reja: “janë realizuar 2 lote të projektit PPP dhe janë përfunduar 9 objekte arsimore, që i përkasin Loteve “Tirana 1” dhe “Tirana 4”, ndërsa dy lotet e tjera nuk janë zbatuar.
Në total, Bashkia pranon se janë marrë në dorëzim vetëm 9 nga 17 objektet arsimore të planifikuara fillimisht.
Shkollat e munguara
Në dy lotet e mbetura të projektit, “Tirana 2” dhe “Tirana 3”, ndërtimi i shkollave nuk ka nisur fare. Lotet përfshinin zona si Kashari (Yzberishti), njësia administrative nr.7, njësitë nr.2 dhe nr.5, si edhe Farka, zona që prej vitesh përballen me mungesë institucionesh arsimore dhe mbipopullim të shkollave ekzistuese.
Për këto zona, Faktoje.al ka raportuar ndër vite për mungesën e shkollave.
Burime zyrtare pranë Këshillit Bashkiak i thanë Faktoje.al se brenda muajve mars-prill 2026 pritet të paraqitet një raport përfundimtar mbi ecurinë dhe zbatimin e taksës së përkohshme për arsimin, pas mbylljes zyrtare të saj në fund të vitit 2025.
Përfundimi
Pas përfundimit të taksës së përkohëshme për infrastrukturën arsimore në vitin 2025, Faktoje.al konstaton se premtimi për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes kësaj takse është pjesërisht i mbajtur.
Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar orarin e ndeshjeve të 1/8 së finales në Kupën e Kosovës, të cilat do të zhvillohen gjatë kësaj jave.
Kjo fazë premton përballje interesante, me disa nga skuadrat kryesore që përballen me rivale tradicionalë.
Dy sfida zhvillohen ditën e martë, dy të tjera të mërkurën, tre të enjten dhe një tjetër të mërkurën e ardhshme.
Drita dhe Llapi do të përballen të martën në Gjilan me fillim nga ora 13:00, derisa po këtë ditë duel tjetër interesant është edhe ai mes Drenicës dhe Ferizajt.
Kryendeshja e këtij rrethi është padyshim Prishtina - Ballkani që zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 18:00, derisa në mesditë nga ora 13:00 takohen Dukagjini dhe Prishtina e Re.
Gjilani të enjten pret Lirinë, Vushtrria takohet me Vëllaznimin, derisa Trepça '89 përballet me Malishevën.
Sfida e vetme që luhet javën e ardhshme është ajo mes Feronikelit dhe Dinamos. /Telegrafi/
Disa studime të fundit shkencore kanë identifikuar një lidhje shqetësuese mes infektimit me COVID-19 dhe rritjes së rasteve të reja të diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Edhe pse mekanizmat e saktë janë ende në studim, ekspertët kanë propozuar disa shpjegime të mundshme për këtë lidhje.
Një nga faktorët kryesorë është inflamacioni i trurit, i cili shfaqet si te pacientët me Alzheimer ashtu edhe te ata që preken nga COVID-19. Virusi SARS-CoV-2 mund të dëmtojë barrierën gjak-tru, e cila normalisht mbron trurin nga patogjenët. Kur kjo barrierë dëmtohet, viruset dhe substanca të tjera mund të depërtojnë në tru, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtime nervore.
Studimet sugjerojnë gjithashtu se COVID-19 mund të dëmtojë neuronet dhe të rrisë nivelet e proteinave si amyloid beta, e cila luan një rol kyç në zhvillimin e Alzheimerit. Sipas të dhënave, ka një rritje të diagnozave të Alzheimerit brenda një viti pas infektimit me COVID-19, veçanërisht te personat mbi 50 vjeç. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që tregojnë se sëmundja po shfaqet më shpesh te të rinjtë.
Nga ana tjetër, personat që tashmë vuajnë nga Alzheimer kanë rrezik më të lartë për t’u infektuar me COVID-19 dhe për të përjetuar pasoja më të rënda, përfshirë përkeqësim të shpejtë të funksioneve njohëse dhe rrezik më të lartë për vdekje. Kjo lidhet me moshën e avancuar, sëmundjet shoqëruese dhe vështirësitë për të ndjekur masat mbrojtëse.
Ekspertët theksojnë se vaksinimi kundër COVID-19, mbajtja e maskës, higjiena e duarve dhe shmangia e kontakteve me persona të infektuar janë masa thelbësore për uljen e rrezikut. Në rast infektimi, kërkimi i ndihmës mjekësore sa më herët është vendimtar për të parandaluar komplikacionet afatgjata neurologjike.
Avionët privatë reaktivë për distanca të gjata, të cilët përdoren nga elitat globale të biznesit dhe politikës, nuk janë thjesht mjete udhëtimi. Ata shërbejnë si një metaforë e hendekut midis njerëzve të pasur dhe të pushtetshëm dhe pjesës tjetër të shoqërisë, e cila pret me durim në terminal për të marrë aeroplanin e linjës. Në […]
Sipas listave të reja të bazës së të dhënave IMEI, Samsung tashmë po punon në Galaxy Tab S12+, Galaxy Tab S12 Ultra, Galaxy Watch9 dhe Galaxy Watch Ultra 2.
Të gjitha këto modele pritet të prezantohen më vonë këtë vit. Me linjën e saj të tabletëve kryesorë, Samsung duket se po alternon modelet standarde dhe Plus çdo vit, ndërsa ne po marrim nga një Ultra të ri çdo herë, transmeton Telegrafi.
Pra, ndërsa në vitin 2024 kishim Tab S10+ dhe Tab S10 Ultra, në vitin 2025 morëm Tab S11 dhe Tab S11 Ultra, dhe këtë vit do të ketë Tab S12+ dhe S12 Ultra.
Galaxy Watch Ultra origjinal u lansua në vitin 2024, kështu që është padyshim koha që të shfaqet një pasardhës.
Në fakt, një raport nga muaji i kaluar tha se Galaxy Watch Ultra 2 më në fund do të mbërrinte këtë verë.
Padyshim që do të lansohet së bashku me serinë Galaxy Watch9, e cila është konfirmuar gjithashtu se është në zhvillim përmes listave të lartpërmendura IMEI. /Telegrafi/
GO+Peja ka shënuar fitore shumë të thellë ndaj Rahoveci 029 me rezultat 92-60, në një ndeshje ku vendasit e diktuan ritmin nga fillimi deri në fund dhe e mbyllën takimin me epërsi +32.
GO+Peja e nisi ndeshjen me energji të lartë, duke marrë kontrollin e rezultatit që në minutat e para dhe duke e shtuar vazhdimisht diferencën përmes tranzicionit dhe realizimeve nga distanca. Rahoveci 029 pati vështirësi të krijojë seri pikësh dhe në shumë momente u ndal nga mbrojtja agresive e pejanëve, të cilët i shfrytëzuan gabimet për pikë të shpejta.
Në pjesën e dytë, GO+Peja e menaxhoi epërsinë me qetësi dhe e rriti edhe më shumë avantazhin, duke mos lejuar kthim në lojë. Çereku i fundit shërbeu vetëm për administrim të rezultatit, teksa GO+Peja vazhdoi të ruajë intensitetin dhe e mbylli ndeshjen bindshëm 92-60.
Te GO+Peja, më efikasi ishte O. Williams me 21 pikë dhe 7 asistime, ndërsa u mbështet fuqishëm nga M. Mala me 13 pikë dhe 5 asistime, si dhe C. Edwards me 12 pikë, 9 kërcime dhe 3 vjedhje. Kontribut të rëndësishëm dha edhe T. Green me 10 pikë, 6 kërcime dhe 3 bllokada, ndërsa nga banka u veçuan S. Llapi me 9 pikë e 8 kërcime, dhe L. Routt me 9 pikë.
Te Rahoveci 029, më i dalluari ishte A. Thomas me 17 pikë, ndërsa K. Pullian kontribuoi me 13 pikë dhe 5 asistime. Megjithatë, mysafirët patën probleme serioze në realizim, sidomos nga distanca, ku përfunduan me vetëm 6/35 për tri pikë.
Në statistikat ekipore, GO+Peja ishte dukshëm më e saktë me 52% nga loja (33/63), realizoi 10 treshe nga 21 tentime (47%), dhe dominoi në lojën brenda me 44 pikë në zonë. Rahoveci 029, në anën tjetër, realizoi vetëm 30% nga loja (22/72) dhe nuk arriti të mbajë hapin në asnjë segment të ndeshjes.
Kjo fitore e thellë i jep GO+Pejës momentum të rëndësishëm për ndeshjet e ardhshme, ndërsa Rahoveci 029 do të kërkojë reagim dhe riorganizim pas kësaj humbjeje të rëndë./Telegrafi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejtë shkaqet e ngritura në ankimin e prokurores së Kukësit, Rita Gjati lidhur me cënimin e procesit të rregullt ligjor nga Komisioni, për profesionalizmin, si dhe një pjesë të pretendimeve të saj për pasurinë. Megjithatë, mbeti në fuqi konkluzioni përfundimtar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin […]
Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, ka deklaruar se çdo ardhje e pranverës zgjon në kujtesën kolektive të popullit shqiptar kujtime të rënda, të cilat ai i quan “lule me aromë gjaku”.
Sipas Llukës, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ngjarjet e tmerrshme të vitit 1999, plagët e asaj kohe mbeten ende të hapura.
Ai theksoi se kampi i Bllacës ishte vazhdimësi e një gjenocidi të hershëm ndaj shqiptarëve, i cili mori përmasa apokaliptike, duke shënuar një shekull vuajtjesh dhe spastrimi etnik.
“Na ndajnë dy dekada, nga episodet e tmerr-it, të cilat nuk mbaruan as pas Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Bllacës ishte vazhdimësia e një gjenocidi i cili mori formën apokaliptike, duke shënuar kështu një shekull rresht vuajtje dhe spas- trimi etnik ndaj popullit shqiptar. Sot, kur e kthejmë kohën pas është pothuajse e pamundur të mendohet ajo katastrofë humanitare, që u ngjiz në Kontinentin e lashtë evropian. Pas kampeve të përqendrimit ndaj hebrenjve, u tha ‘kurrë më’ s'do të lejohet diçka e tillë. Por vula e kësaj djallëzie, kaloi mbi trupa shqiptarësh, të cilët në frymën e fundit po kërkonin shpëtimin, së paku të vdisnin me dinjitet”.
Siç tha Lluka në kufirin e Bllacës, po gërshetoheshin, dy epoka të ndryshme.
“Viti 1999, po përmbyllte një cikël ku çnjerëzoret kishin triumfuar me vellon e saj të zezë, e që po gëlltiste trupa të gjallë, pa moshë e përtej moshës. Prapa këtyre trupave që ishin çnjerëzuar, po mbeteshin tokat e stërgjyshërve, ëndrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Po mbesnin luftëtarët të cilët deri në frymën e fundit, patën vullnetin t'i kthenin pushkën njërës ndër ushtritë më të fuqishme në Evropë, por që kjo e fundit veç luftë burrash nuk bënte. Ishin hiena që donin me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë, vetëm pse ky popull ishte shqiptar”.
Ndërkaq sipas Llukës pas dëbimeve masive dhe të gjenocidit në kampin e Bllacës ku mbi 440.000 shqiptarë përjetuan gjëra të tmerrshme nga milicia e Serbisë po edhe e Maqedonisë, Qeveria e Kosovës mori vendim për ngritjen e memorialit të gjenocidit serb me propozim të Shoqatës për Kthimin e të Shpërngulurve dhe të Institutit për Mbrojtjen e Vlerave Historike të shqiptarëve të Maqedonisë.
“Barra kryesore na ra neve, disave që të merremi me ngritjen e këtij Memoriali dhe ishte problematike gjetja e trenit që kishte bartur të dëbuarit po me ndihmën e Hekurudhave të Kosovës u zgjidhën shumë probleme. Gjatë punës për të shënuar 20 - vjetorin e dëbimit, nuk kishte shumë kohë dhe nuk kishte infrastrukturë rrugore deri te fushë gropa e tmerrit, por së bashku me komunën e Hanit të Elezit projektuam rrugën dhe trasenë për vendosjen e trenit edhe atë nga ana tjetër e Lepencit. Për herë të parë, mbas 20 viteve është shënuar dita e dëbimit dhe gjenocidit. Po ashtu, për 25 - vjetorin është menduar që t'i dëgjojmë rrëfimet dhe përjetimet dhe t'i grumbullojmë në një libër që të mos harrohen tmerret e jetës në kampin e Bllacës, ku ka pasur vdekje dhe lindje. U deshën shumë hulumtime për varrezat, po ashtu edhe një vlerësim”, tha Lluka
Ai theksoi se për herë të parë, pas 20 vjetësh, u shënua zyrtarisht dita e dëbimit dhe gjenocidit, ndërsa për 25-vjetorin është planifikuar mbledhja e rrëfimeve të të mbijetuarve në një libër dokumentues.
"Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe adekuat për vullnetarët që ndihmuan që projektet për shfarosjen e një populli të dështojnë, pasi që kufiri ishte ndarje e një populli të një gjaku e një gjuhe dhe të dëbuarit morën ndihmën e nevojshme humanitare nga vëllazëria e tyre. Pas rrëfimeve, vinë në rrudhë hulumtimi i familjarëve sikur rasti i familjes Kastrati që ju kishte vdekur djali 4 muajsh e në rrëfimin e parë ishin nga Sllatina pasi që në Sllatinë nuk kishte Krasniq, vendosëm me Dibranin e Daimin të shkojmë në Saraj të Shkupit e ta gjejmë varrin e djalit nga Kosova".
Ai shtoi se me ndihmën e organizatës humanitare “El Hilal” u siguruan listat e të dëbuarve, çka e lehtësoi kontaktin me të mbijetuarit e kampit.
Sipas tij, shumë prej tyre fillimisht ngurronin të flisnin për dhunën dhe vuajtjet e përjetuara.
"Ky hulumtim na hapi rrugën për ta gjetur edhe familjen e 'Djalit nga Kosova' ashtu si ja kishin lënë emrin në atë kohë qytetarët e Sarajit. Ky rast na shtyri që të hulumtojmë edhe raste të tjera me ndihmën e 'El Hilalit' arritëm t'i sigurojmë listat e të dëbuarve dhe tani e kishim ma lehtë për të biseduar me ata qytetarë që kishin kaluar nëpër ferrin e kampit të gjenocidit. Disa me habi më shtronin pyetje, nga i keni informatat, disa besa ngurronin edhe për të dhënë deklarata për dhunën dhe vuajtjet që kishin përjetuar. Pas një pune të palodhshme të ekipit, arritëm të kemi rrëfime të shumë njerëzve deri edhe të Ambasadorja e UNICEF Vanesa Regrave një personalitet i njohur në botën e artit. Ky është vëllimi i parë dhe shpresojmë që për vëllimet tjera, institucionet adekuate do të kenë mirëkuptim dhe të përkrahin iniciativën për hulumtimin dhe grumbullimin e deklaratave dhe të bëhet po ashtu një video-incizim që një ditë do t'i kemi në arkivat e shtetit pasi që pastrimi etnik dhe projekti për asgjësimin e një populli duhet të gjykohen dhe të dënohen nga akterët e drejtësisë ndërkombëtare për gjenocid", tha ndër të tjera Lluka. /Telegrafi/
Nga Albert Vataj Më 26 janar 1919, do të mbyllte sytë përgjithmonë ai që në kapërcyellin e një kohe trazimtare, çeli portën e fatit të Shqipërisë shtet, u dha shqiptarëve privilegjin dhe obligimin të mblidhen, së bashku të gjithë, në një betim, nën një flamur, për të shënjuar vetveten në histori. Në këtë ditë përkujtimi, ndërmëndja dhe përulësia marrin trajtën e një gjendjeje shpirtërore…
Më 18 janar 1919 çeli punimet Konferenca e Paqes në Paris. Bota po hidhte kështu hapin e parë të ndrojtur të paqes. Historia po shkruante një nga faqet më të rëndësishme të civilizimit. Nevoja për paqe ishte më imediate se kurrë dhe kjo mundësi ishte nga më të mundimshmet. Por besimi te liria, të aspiratat e larta të humanizmit, te bashkëjetesa dhe reciprociteti do të gatitetish në një kopulim…
TIRANË, 18 janar /ATSH/ Në epilog të Luftës I Botërore fuqitë fituese u bashkuan në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, më 18 janar 1919.
Konferenca kishte si qëllim kryesor riorganizimin gjeopolitik pas Luftës së Parë Botërore. Nën drejtimin e fuqive si Britania e Madhe, Franca, Italia, SHBA dhe Japonia, ky forum shqyrtoi edhe statusin e Shqipërisë. Në atë kohë, Shqipëria gjendej në një pozicion delikat sovraniteti dhe nën pretendimet territoriale të shteteve fqinje.
Delegacioni shqiptar, përbëhej nga kreu i Qeverisë së Durrësit Turhan Pasha, e në të bënin pjesë personalitete, si Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi etj.
Gjithashtu merrte pjesë edhe e vetmja veprimtare grua me të drejta të plota në konferencë, Parashqevi Qiriazi, si edhe përfaqësues nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut.
Delegacioni shqiptar mbrojti platformën për njohjen e pavarësisë brenda kufijve të vitit 1913. Përmes memorandumeve zyrtare, ata argumentuan se caktimi i kufijve duhej të bazohej në parimin e vetëvendosjes së popujve (promovuar nga presidenti amerikan Wilson), duke përfshirë në shtetin shqiptar edhe Kosovën e Çamërinë. Megjithatë, marrëveshjet sekrete të luftës (si Traktati i Londrës i vitit 1915) dhe interesat e Fuqive të Mëdha krijuan pengesa serioze për njohjen e kërkesave shqiptare.
Ky proces u konkretizua me Kongresin e Lushnjës (janar 1920), i cili shënoi marrjen e iniciativës sovrane për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe legjitimimin e pavarësisë kombëtare.
Konferenca e Paqes e Parisit (18 janar 1919 – 21 janar 1920) pati si qëllim kryesor vendosjen e një rendi të ri botëror për të parandaluar një konflikt të ri. Në konferencë mori pjesë edhe presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili shkelte për herë të parë në kontinentin e vjetër). Ai shpalosi një program me 14 pika, ku në qendër ishte parimi i vetëvendosjes së popujve.
Shqipëria doli pa një zgjidhje përfundimtare për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë. Kjo gjë diktoi nevojën për një riorganizim politik në vend, që do të rimerrej në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921, ku u pranua sovraniteti i Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913.
I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i talentuar Milot Avdyli. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munichdhe Exfis.
Futbollisti i talentuar Milot Avdyli ka zbuluar detaje nga fillimet e tij te Trepça ’89, ku ka debutuar në ekipin e parë dhe ka shënuar golin e parë që në paraqitjen e tij të parë.
Sipas Avdylit, vendimi për t’u bashkuar me juniorët e Trepçës nuk ka ardhur menjëherë pas largimit nga Kurda. Ai tregon se ka vërejtur që Trepça ’89 po luante me shumë talente të rinj dhe, duke parë sukseset e ekipit, vendosi të bashkohej me juniorët për të zhvilluar më tej potencialin e tij.
“Kur jam largu prej Kurdës, nuk është që më ka thirrë Trepça 89’ por e kam parë që po luajnë talente, bile në atë kohë pak më herët janë shpallur edhe kampion i Kosovës, por krejt me lojtarë të rinj dhe për këtë arsye kam vendosur t’i bashkangjitem juniorëve të Trepçës 89’”.
“Aty e kam pasur trajner Shpëtim Idrizin. Ai ka qenë më herët trajner i U19. Edhe kam vendosur aty me iu bashku juniorëve, por nuk më ra shumë të luajë aty vetëm gjashtë muaj dhe pastaj Shpëtim Idrizi u bë trajner i ekipit të parë”.
“Ai menjëherë më mori në ekipin e parë por ndodhi pandemia edhe u ndërpre liga, nuk luhej më”.
“Po ka qenë ndeshja e parë (kundër Drenicës), ka qenë diçka që nuk e harroj kurrë. Bile kemi qenë duke u shty na dhe Drenica për mos me ra nga liga”.
“Ka qenë një ndeshje që është dashur të fitohet patjetër edhe ma ka hap rrugën ajo ndeshje. Ma ka dhënë mundësinë Shpëtim Idrizi më ka inkuadruar nga minuta e parë, edhe ia kam shpërblyer sepse në debutim e kam shënuar golin e parë”, ka rrëfyer Avdyli.
Episodin e plotë me futbollistin Milot Avdyli mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/