“Uzina Dinamo: Dy muaj, asnjë kompensim për tregtarët”
Kur nisi fillimisht zjarri në dy kapanonet kryesore të tregut të ish-Uzinës Dinamo në Tiranë, më 8 janar, Alma Subashi nuk mendoi se flakët do të arrinin biznesin e saj.
“Nuk e kap magazinën tënde” i kishin thënë, por njërës zjarrfikëse që erdhi e para në vendngjarje iu bllokua uji ndërsa tjetra nuk kishte karburant. Si pasojë e vonesave në ndërhyrje, Subashi thotë se pati dëmtim dhe humbje malli në rreth 800 mijë euro nga magazina, sipërmarrje në pronësi të prindërve të saj.
“Kishim rreth tetë kontejnerë mall! Ironia e fatit që kisha marrë furnizim me datë 6 dhe zjarri ndodhi dy ditë më pas,” tregon ajo për Citizens.
Kur e pyeta nëse ka aktualisht në treg ndonjë tregtar që ka pasur humbje në vlerë aq të lartë, ajo më tregoi për një të njohur, i cili për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, si pasojë e humbjes kolosale, “nuk del më nga shtëpia dhe nuk flet me njeri”.
Në pritje të kompensimit
Subashi shpjegon se në mungesë të dëmshpërblimit të plotë, ajo pret nga shteti që të paktën t’u sigurohet kthimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) që kanë paguar në doganë gjatë kalimit të kontejnerëve, duke qenë se ai mall u dogj dhe praktikisht nuk është shitur.
“Ne atë TVSH që kemi paguar duhet t’ua merrnim konsumatorit kur ta shisnim,” shpjegon ajo.
Për të takuar bizneset e dëmtuara duhet të ecësh përgjatë fundit të tregut, pasi rreth 76 sipërmarrje të dëmtuara janë strehuar në disa seksione provizore të tregut.
“Na sollën këtu në gropë,” shprehet Ramadan Dollomani, një tjetër tregtar i dëmtuar.

Edhe ai njëjtë si Subashi, shprehet se ka dorëzuar bilancet e produkteve që iu dogjën nëpërmjet ekonomistes te tatimet dhe shpreson minimalisht për kthimin pas të TVSH-së.
Tregtarët janë përpjekur edhe të kenë një komunikim me Kryeministrinë, duke dorëzuar në zyrat e këtij institucioni një peticion, por deri më tani asnjë prej tyre nuk ka ndonjë informacion se kur dhe se si do të dëmshpërblehen.
Në hapësirën brenda tregut janë të vendosura zyrat e kompanisë “Dinamo”, shoqëri aksionere prej vitit 1995, që administron të gjithë subjektet tregtare. Tregu u themelua në atë vit, pas privatizimit të ish-uzinës kryesisht nga familjet që iu kthyen trojet.
“Dinamo sh.a” menaxhohet si shoqëri nga rreth 120 ortakë, ku kotat kryesore drejtohen nga familjet Hysa, Gjnali, Fortuzi, Çela etj. Ndërkohë shteti mban 13% të kuotave përmes Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë.
Jashtë godinës ku punojnë aksionerët, njëri prej tyre na komunikon se dëshirojnë të dinë se cilin qëndrim politik ka media që po i interviston, që të dinë nëse duhet të përgjigjen apo jo.
“Jemi ende në pritje të prokurorisë nëse arsyeja e zjarrit ishte faktor njerëzor i qëllimshëm apo incident rastësor,” komentoi njëri prej tyre, duke mos dashur të identifikohej me emër.
Ai përmbylli se shteti i detyrohet t’i “kthejë pesë lekë tregtarëve”, pasi “ata kanë paguar para gjithë jetën,” por përballë pyetjeve nëse ai dhe aksionerët e tjerë ndjejnë përgjegjësi për strukturën dhe mjediset e tregut, nuk pranoi të përgjigjej.
“Kur rreziku është i pakontrollueshëm, nuk merret në sigurim”
Sipas ekspertëve të sigurimit, zjarri në ish-Uzinën Dinamo është një shembull se pse jo çdo biznes mund të sigurohet menjëherë. Mungesa e ndarjeve kundër zjarrit, e sistemeve mbrojtëse dhe e instalimeve të sigurta, së bashku me infrastrukturën e dobët, janë disa prej arsyeve pse kompanitë e sigurimeve nuk i marrin përsipër struktura të tilla.

“Kompanitë e sigurimit nuk refuzojnë njerëzit apo bizneset. Nëse masat nuk janë marrë, rreziku është i pakontrollueshëm dhe e thënë në gjuhën e sigurimeve, është dhe i pamarrshëm në sigurim,” analizon për Citizens Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.
Hajdarmataj si një shembull suksesi i cili ka plotësuar standardet dhe gjithashtu është marrë përsipër nga kompanitë e sigurimeve është tregu bujqësor në autostradën Tiranë-Durrës.
Ajo thekson se është i nevojshëm një reflektim i përbashkët i strukturave për të vendosur rregulla të qarta sigurie.
“Tregu i sigurimeve është i gatshëm të bashkëpunojë me bashkitë dhe autoritetet e tjera përkatëse për të bërë që këto struktura të jenë të sigurueshme,” përmbyll Hajdarmataj.
Lexoni gjithashtu:
Zjarri te ish-Uzina Dinamo shkrumbon rreth 50 biznese
The post “Uzina Dinamo: Dy muaj, asnjë kompensim për tregtarët” appeared first on Citizens.al.




