Ozempik, një ilaç i krijuar për të trajtuar diabetin, është kthyer në prirje masive për humbjen e peshës. Nga rrjetet sociale te tregu informal, përdorimi i tij po rritet me shpejtësi, shpesh pa kontroll mjekësor, në qendra estetike, me çmime abuzive dhe përdorim jashtë rekomandimeve.
Mjekët paralajmërojnë për një paradoks: Ata që kanë më tepër nevojë për ilaçin shpesh e refuzojnë, ndërsa ata që nuk e kanë të domosdoshëm e kërkojnë me ngulm, shpesh për arsye estetike.
Citizens.al mblodhi përvojat e ndryshme nga mjekë, pacientë dhe persona që e kanë përdorur këtë medikament për të përcjellë realitetin e kësaj prirjeje në Shqipëri.
Fillimisht u zhvillua një diskutim i hapur “focus-group” me ekspertë, njohës të fushës dhe persona të cilët e kishin përdorur ilaçin ose ishin interesuar për të.
Më pas u hap një anketë online ku shumëkush mund të tregonte përmes një pyetësori përvojën e tij. Pastaj u kontaktuan autoritetet dhe persona që rrëfyen historitë kryesore në këtë shkrim.
Nga ilaç për diabetin në trend global për humbje peshe
Ozempik është një injeksion i përjavshëm, i krijuar fillimisht për trajtimin e diabetit të tipit 2. Por u bë shpejt i njohur për efektin në humbjen e peshës.
Thelbi i këtij medikamenti qëndron te imitimi i hormonit natyral GLP-1. Ky hormon çlirohet pas ngrënies dhe ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak, duke stimuluar çlirimin e insulinës, ulur oreksin dhe ngadalësuar zbrazjen e stomakut.
Përbërësi aktiv semaglutid – substancë e eksperimentuar që pas vitit 2010 për efektet e tij – vjen si një version i modifikuar i këtij hormoni që zgjat më gjatë në trup. Prandaj medikamenti përdoret një herë në javë për të ndihmuar në kontrollin e diabetit të tipit 2 dhe menaxhimin e peshës.
Pas miratimit nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (U.S. Food and Drug Administration) në vitin 2021 për përdorim kundër obezitetit, kërkesa për këtë medikament shpërtheu në mbarë botën, duke u kthyer në fenomen të rrjeteve sociale.
Studimet tregojnë se përdorimi përreth një viti sjell humbje mesatare prej 10-15% të peshës trupore. Ndërkohë, Mounjaro, “një version më i fuqizuar,” ka dhënë rezultate deri në 25%. Ky i fundit ende nuk tregtohet ligjërisht në Shqipëri.
Dilema e përdorimit: Kur duhet dhe kur nuk duhet marrë?
Klajdi Pirja, 21 vjeç, tregoi për Citizens.al përvojën e tij të shkurtër të trajtimit me Ozempik. Mjekja ia kishte rekomanduar për shkak të gjendjes mbipeshë, e cila i kishte sjellë shqetësime shëndetësore.
Por, të paktën deri në maj 2025 kur ai ishte interesuar, Ozempiku nuk tregtohej në Shqipëri. Medikamenti nisi të tregtohej ligjërisht në vendin tonë vetëm pas nëntorit.
Klajdi tregoi se mundi ta siguronte medikamentin përmes disa familjarëve që jetonin në Greqi. I kushtoi rreth 400 euro për katër flakonë, të cilët përbëjnë një shiringë/penë të plotë.
“E përdora për katër muaj, por nuk pashë rezultat”, tha ai.
Endokrinologia Mirejta Guni sqaroi se rezultatet nuk shfaqen gjithmonë menjëherë, por në shumicën e rasteve ilaçi është efektiv. Mjeku tjetër endokrinolog, Florian Toti, u shpreh se shpesh abuzohet duke e marrë medikamentin pa ndjekjen e duhur, si “vlerësimi dietologjik, ndjekja nga nutricionisti” pasi krahas humbjes së masës dhjamore, trupi humbet edhe masë muskulore.
“Ka raste kur humbet më shumë masë muskulore se dhjamore dhe krijohet një deficit i madh,” analizoi Toti duke marrë si shembuj rastet e personazheve të njohur të spektaklit që nga keqpërdorimi shfaqen si të shpërfytyruar ose të plakur.
Sipas mjekëve, pikërisht reklamimi nga personazhet e spektaklit dhe botës së televizionit, ka bërë që kërkesa për medikamente si Ozempik dhe Mounjaro të jetë aq e madhe sa të krijojë një situatë të atillë ku pacientët me diabet që e kanë të nevojshëm të mos e gjejnë më lehtësisht.
Përballë pyetjes nëse ia vlen t’i marrësh këto medikamente për të rënë 5-6 kilogramë peshë, mjeku Florian Toti shprehet kategorikisht kundër. Ai thekson se prirja e moshave të reja, që nuk kanë as ndërlikime shëndetësore, drejt kësaj forme për të rënë nga pesha është e gabuar.
Kolegia e tij, Mierjeta Guni, thotë se në të shumtën e rasteve kur rekomandohen trajtime ose medikamente në mjekësi ndiqet parimi “përfitimi të jetë më i madh sesa risku”.
“Është preparat dhe nuk mund të fillohet se ‘Ma dha komshija apo shoqja!’ Mjeku duhet të shpjegojë nëse personi është kandidat për ta marrë, përfitimet apo risqet dhe ndjekja në vazhdim për dozën,” përmblodhi ajo.
Rreziqet dhe efektet e mundshme anësore
Efektet anësore nga përdorimi i medikamenteve si Ozempik apo Mounjaro mbeten të diskutueshme. Përdoruesit raportojnë kryesisht dhimbje stomaku, të përziera dhe parehati abdominale.
Mjekët shtojnë se në varësi të dozave dhe situatave shëndetësore mund të shfaqen edhe dëmtime të mëlçisë, veshkave apo pankreatit akut. Por, problemi kryesor mbetet mungesa e monitorimit, pasi nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e personave që e përdorin, historikut dhe shqetësimeve që ata shfaqin.
Citizens.al ofroi online mundësinë që të mblidhte disa të dhëna perceptive përmes anketës “A keni marrë ndonjëherë Ozempik/Mounjaro?” ku shumëkush u ftua për të ndarë përvojën personale në mënyrë edhe anonime.
Nga dhjetëra persona që e plotësuan formularin, rreth 28% e tyre thanë se po e përdornin momentalisht një nga medikamentet, dhe 14% kishte në plan që ta niste së shpejti.
“Kam pasur efekte anësore të moderuara, dhimbje stomaku, të përziera gjatë katër muajve që e kam përdorur,” tregoi E.K, i cili u kontaktua përmes pyetësorit.
Endokrinologia Mierjeta Guni tha se momentalisht nuk mund të thuhet qartë se kush janë efektet e mundshme anësore nga këto medikamente pasi nuk ka të dhëna të sakta të numrit të përdoruesve. Ajo shtoi se një efekt tjetër i mundshëm anësor mund të jetë reaksioni alergjik, por që theksoi se mund të haset rrallë.
Rreth 46% e të pyeturve që pranuan se e kishin marrë medikamentin, thanë në anketë se e kishin siguruar atë nga jashtë shtetit, 30% thanë se e kishin siguruar në treg të zi dhe 24% nëpër farmaci. Shumica e të intervistuarve pohuan se janë njohur me medikamentin nga rrjetet sociale.
E.K tregoi se kishte paguar rreth 20 mijë lekë (210 euro) për “një penë me katër njësi përdorimi”.
“Zyrtarisht në nëntor 2025 është bërë licencimi [i tregtimit të Ozempikut]. Ka qenë më parë në Shqipëri, në formë tablete semaglutidi, dhe askush nuk e blinte, derisa u shit si Ozempik, Semaglutidi tabletë skadoi, nuk e mori njeri,” tregoi mjeku Toti për Citizens për efektin që ka shkaktuar prirja online.
Të njihet obeziteti si sëmundje kronike
Ekspertët theksojnë se shumë vende po përpiqen ta njohin obezitetin si sëmundje kronike. Aktualisht, nëse një person nuk ka diagnoza shoqëruese si hipertensioni apo diabeti, shpesh konsiderohet “obez i shëndetshëm”.
Por kjo nuk do të thotë se problemet nuk do të shfaqen më vonë. Pikërisht për këtë arsye, shumë individë përjashtohen nga marrja e mjekimit, pasi nuk klasifikohen si pacientë me sëmundje të tjera.
“Kur obeziteti nuk njihet si sëmundje, ti nuk shkon dot te mjeku i familjes për të marrë rekomandim apo ekzaminime, sepse nuk quhesh i sëmurë. Për çfarë do të shkosh?” shpjegon endokrinologu Florian Toti.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga mjekët gjatë diskutimit në “focus-group” është fakti se Ozempiku në Shqipëri merret pa rimbursim.
Ndryshe ndodh në Maqedoni të Veriut, ku ky medikament mbulohet nga shteti. Rimbursimi, sipas ekspertëve, do të ndihmonte jo vetëm në rritjen e numrit të pacientëve që kurohen, por edhe në monitorimin e efekteve anësore.
“Në Shqipëri punojmë me protokolle ndërkombëtare, sepse nuk i kemi të specifikuara vendore. Por kriteret për marrjen e këtyre medikamenteve janë ulur shumë,” thekson endokrinologia Mirejta Guni.
Gjatë diskutimit u ngrit me shqetësim fakti se përpara se të hynte ligjërisht në treg, Ozempiku tregtohej në të zezë në qendra estetike që nuk janë të specializuara për shërbime shëndetësore.
Megjithatë, Policia e Shtetit mohoi të kishte ndonjë rast nga aksionet e saj ku të jenë kapur sasi apo raste të tilla. Në një komunikim me Citizens.al Drejtoria e Përgjithshme tha se “gjatë kontrolleve në qendrat estetike, në vitet 2023-2025, nuk janë evidentuar raste të tregtimit të Ozempikut (substancë aktive semaglutide-GLP-1), i cili përdoret për trajtimin e obezitetit tek pacientët me diabet.
The post Fenomeni Ozempik, mes nevojës mjekësore dhe abuzimit estetik appeared first on Citizens.al.