Dhimitri për ATSH: Fluks pacientësh në qendrat shëndetësore 24-orëshe
TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Qendrat shëndetësore 24-orëshe në Tiranë përballen me një rritje të ndjeshme të fluksit të pacientëve, sidomos gjatë fundvitit. Virozat sezonale, komplikacione të sëmundjeve kronike dhe urgjencat e lehta shëndetësore janë vetëm disa prej problematikave që përballen mjekët dhe inferimierët gjatë turneve në këto qendra shëndetësore.
Marsida Dhimitri, mjeke familje pranë Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr.10 në kryeqytet, shprehet për ATSH se aktualisht kjo qendër shëndetësore është në një periudhë me shtim të numrit të pacientëve me viroza sezonale, për shkak të komplikimeve nga ulja e temperaturave, grumbullimit të njerëzve për të festuar së bashku duke u bërë burim infeksioni edhe për të tjerët.
“Qendra Shëndetësore përballet me një ngarkesë të rritur ku numri i vizitave për mjek mund të shkojë mbi 30 pacientë në ditë, por përmes një mirëorganizimi të punës shërbimi ofrohet në mënyrë efektive. Në këtë periudhë kemi shtim të rasteve me viroza stinore, infeksione respiratore sezonale si dhe raste me probleme gastrointestinale të lidhura me ushqyerjen e rënduar”, tha ajo.
Dhimitri tha se për shkak të festave, ka edhe një rritje të dukshme të rasteve që lidhen me konsumim të tepruar të alkoolit dhe ushqimeve, gjë që manifestohen me çrregullime gastrointestinale, rritje të glicemisë, të nivelit të yndyrnave si dhe të tensionit arterial.
“Për të përballuar fluksin e shtuar gjatë festave, janë marrë masa organizative që përfshijnë rritjen e gatishmërisë së stafit mjekësor, mirëorganizim të punës, sigurimin e medikamenteve dhe materialeve të nevojshme për shërbimin e urgjencës. Shërbimi mjekësor është mirëorganizuar në mënyrë efektive për të siguruar vijimësinë e shërbimit edhe gjatë ditëve festive për të gjithë grup moshat”, pohoi Dhimitri.
Dhimitri theksoi se koordinimi realizohet në mënyrë të vazhdueshme dhe efikase përmes protokolleve të përcaktuara duke siguruar referimin e menjëhershëm të rasteve që kërkojnë trajtim të specializuar.
Mjekja e QMF-së Nr.10 në Tiranë, jep edhe disa udhëzime për qytetarët, që edhe pse në periudhë festash t’i kalojnë ato me shëndet dhe të sigurt për veten dhe familjarët e tyre.
“Në këtë periudhë festash duhet që të shmanget konsumi i tepruar i alkoolit, të ushqehen shëndetshëm, të mos mbingarkohen me ushqim me sasi të tepruar, të pushojnë mirë dhe nëse vërejnë simptoma të virozave të shmangin sa munden grumbullimet me shumë njerëz që mos të bëhen burim infeksioni. Për çdo shqetësim shëndetësor të kontaktojnë mjekun dhe të paraqiten pranë qendrës shëndetësore”, tha Dhimitri.
/e.i/j.p/
The post Dhimitri për ATSH: Fluks pacientësh në qendrat shëndetësore 24-orëshe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
