Reading view

“The Albanian Files”, harta e resorteve mbi natyrën shqiptare

Autorë: Erisa Kryeziu dhe Vjolanda Peca | Citizens.al

“Në një botë autokratësh, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës me shije?”

Kjo ishte pyetja që arkitekti holandez Reinier de Graaf i drejtonte kryeministrit Edi Rama në një letër në mars 2025, thuajse dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ku Rama mori mandatin e katërt të tij qeverisës.

Shqipëria, shkruante ai, ishte kthyer në një “mekë të arkitekturës bashkëkohore” dhe nuk mund ta imagjinonte se çfarë do të ndodhte nëse socialistët nuk i fitonin zgjedhjet.

“A do të thahet papritmas ky burim që duket i pashtershëm pune? A mundet që “Ushtria e Arkitektëve” të detyrohet të ulë armët po aq shpejt sa u mobilizua?”, ngrinte ai pyetje në letrën e tij.

Duke shfletuar “The Albanian Files”, në fakt është e vështirë të mos mendosh se De Graaf nuk kishte të drejtë. Shqipëria duket si një ekspozitë e hapur ndaj arkitektëve të huaj, duke servirur veçanërisht hapësirat publike, zonat e mbrojtura, dunat e lagunat si hapësira eksperimentale për të përmbushur dëshirat e atij që vetë De Graaf i sugjeron të jetë mbret.

“Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm – ose ndoshta edhe si mbret”, vijon ai në letrën e tij.

Nuk është rastësi që edhe OMA, studioja e Rem Koolhaas dhe Reinier de Graaf, ka hyrë tanimë në panoramën shqiptare.

Por ndërsa në kryeqytet debati po zhvillohet rreth kullave dhe densitetit urban, jashtë tij po zhvillohet një proces më pak i diskutueshëm: “kolonizimi” gradual i peizazhit natyror nga masterplanet turistike.

“Kingcoast Development”, në ligatinat e Parkut Kombëtar të Divjakës

Të dhënat nga libri “The Albanian Files”, që prej kryeministrit Rama shërben edhe si dhuratë në takimet zyrtare me përfaqësues shtetërorë të vendeve evropiane, na sjellin para syve një arkivë të projekteve arkitekturore dhe urbane të planifikuara në vend. Këto investime private dhe publike po projektohen apo zhvillohen në afërsi të zonave të mbrojtura, në laguna, duna bregdetare dhe hapësira që deri para pak vitesh ishin pasuri publike natyrore.

Foto: Pjesë nga masterplani i “Anupama Kundoo Architects” për Divjakën

“Një ekosistem urban me biodiversitet të pasur, ku natyra, inovacioni dhe ndërgjegjja kolektive ndërthuren”, thuhet në nisje të prezantimit skicor të një masterplani dhe zhvillimi të projektit “Kingcoast Development” në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

I projektuar nga “Anupama Kundoo Architects” dhe zhvillues i projektit është “NIU Invest”, kompani e krijuar në vitin 2022, në Berlin të Gjermanisë, e përqendruar në tranzicionin e gjelbër. Sipas përshkrimit të projekt-idesë, “Kingcoast Development” do të jetë i vendosur në zonën e Parkut Kombëtar të Divjakës, rreth 35 km i gjatë, dhe Lagunës së madhe të Karavastasë, habitat i pelikanit kaçurrel, një sipërfaqe toke e rikuperuar nga deti, rreth 8 km e gjatë dhe 4 km e gjerë, e cila do t’i rikthehet pjesërisht detit, duke krijuar kanale dhe rrugë ujore për lëvizshmërinë.

Në tërësi, çfarë planifikohet të ndërtohet është një qytezë e re, me 50 mijë banorë të ndryshëm nga e gjithë bota.

“Përfshirë komunitete sportive, për të bashkëpunuar mbi çështje të ndryshme globale përmes një qasjeje të integruar dhe holistike”, thuhet më tej në përshkrimin e projekt-idesë.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë dhe ka ekosisteme komplekse, të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Në vitin 2022, parku u zgjerua nga 22,230.2 ha në 22,389.08 ha, ndërsa prej vitit 1995 është zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit.

Laguna, duna dhe brigje nën presion

Në Orikum, një seri projektesh parashikojnë zhvillimin e resorteve dhe rezidencave.

Projekti “Dunes of Orikum”, që parashikon ndërtimin e resorteve dhe rezidencave, është në fazë pritjeje, ndërsa nuk bëhet e qartë se cili është ndërtuesi dhe zhvilluesi i këtij projekti. Projektuesi është kompania “Office Kersten Geers David Van Severen”, themeluar në vitin 2002 në Bruksel.

Bashkë me “Orikum Oasis”, këto dy projekte propozojnë ndërhyrje në një territor që shërben si barrierë natyrore mes detit dhe tokës, sikurse Laguna e Orikumit, me origjinë tektonike prej rreth 130 hektarësh, ndodhur në pjesën jugore të gjirit të Vlorës dhe rrëzë maleve të Ceraunit.

Projekti “Orikum Oasis”, i cili sipas “The Albanian Files” është në vijim, planifikon një sipërfaqe prej 500,000 m², ka si zhvillues “LAXMI Real Estate” dhe partner në Shqipëri “iRI shpk”.

“LAXMI Real Estate” administrohet nga familja indiane Sandesara, Chetankumar dhe Nitin Sandesara, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Ky nuk është një emër i panjohur, pasi kanë qenë të akuzuar për mashtrim bankar me vlerë 700 milionë dollarë dhe kanë qenë në kërkim ndërkombëtar. Sipas një investigimi të OCCRP-së, ata arritën të largohen nga Shqipëria në vitin 2019.

Më tutje, në një skicim dyfaqësh të librit, bregore të diktuara nga ndërtesat dy-trekatëshe që vijëzohen sipas lakimeve të një lapsi, merr jetë “Poro Valona Albania”, e dizajnuar nga “Archea Associati”.

Foto: Master-Plani i “Poro Valona”

Vendndodhja të lë përshtypjen e Lagunës së Pishë Poros, peizazhit të mbrojtur në Vlorë, ndërsa katalogu i “Shqipërisë së ardhshme” e përcakton si hapësirë private. Zhvilluesi i këtij projekti është “Natura Resort shpk”, me administrator Renis Tërshana, kompani e themeluar në vitin 2022, e cila merret me ndërtim, zhvillim të strukturave me destinacion turizmin.

Në të njëjtin peizazh, në “The Albanian Files” shënjohet edhe një masterplan për Zvërnecin, me projektues të njëjtën kompani, “Archea Associati”, dhe me zhvillues “Kastrati Group shpk”. Masterplani ka mbetur në proces të dizajnimit të konceptit. Një seri hulumtimesh të Citizens.al tregojnë si planet për këtë zonë kanë ndryshuar.

Masterplane të përgatitura janë edhe për brezin bregdetar të deltës së Vjosës, e cila u la jashtë Parkut Kombëtar në vitin 2023.

Ilustrim grafik i planeve “Umea” dhe “New Apollonia”

Masterplani “UMEA”, projektuar nga studioja MVRDV dhe me zhvillues “UMEA Ingegneria”, parashikon një koncept zhvillimi për 650 ha pranë lumit Vjosa. Një artikull i mëparshëm i Citizens.al sqaron dy projekte të planifikuara në këtë zonë.

“Zhvilluesi donte të krijonte një destinacion gjatë gjithë vitit: një vend që kombinon kohën e lirë, mikpritjen dhe jetesën, të udhëhequr nga peizazhi përreth, brenda një sipërfaqeje prej 650 hektarësh”, thuhet në përshkrimin e projektit, ndërsa janë në zhvillim të dizajnit.

Renditja kronologjike këtu ka rëndësi: kufiri i parkut u vendos në vitin 2023; masterplani për të njëjtën zonë erdhi më pas.

Nga Krorëzi në Ksamil

Foto: Projektet e Luca Dini-t “Atara”, “Life Marina” dhe Masterplani i Krorëzës

Sipas Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Krorëza, midis zonës së Shpellë-Lukovës dhe Gjirit të Kakomesë, është një nga plazhet më të paprekura në Shqipëri.

Megjithatë, as këtu nuk mungojnë planet për një qytet turistik me marinë.

“Ky është Krorëzi, një urbanizim bregdetar i frymëzuar nga fshatrat e vegjël në bregdetin italian, të njohur për terrenin e tyre të pjerrët dhe të thyer. Në Krorëz, dizajni pasqyron konturet natyrore të zonës, duke krijuar një peizazh unik arkitektonik, ku shtëpitë dhe shtigjet bashkohen me kodrat, me pamje nga deti”, thuhet në përshkrimin që i bëhet projektit “Krorëz Master Plan”, dizajnuar nga “Luca Dini Design and Architecture”.

“Zbulimi” i këtyre gjireve është kryer nga Luca Dini përmes një udhëtimi me jaht.

Por kjo nuk është e vetmja. Shtatë kilometra bregdet të virgjër, dy marina të mëdha dhe një fshat, hotel, kazino e disko është çfarë ofron “Life Marina Complex”, pranë Sarandës, një masterplan tanimë në fazë konceptimi.

Nëse vijon të ecësh më tutje me jaht, si koncept propozues është kompleksi “Atara” në Lukovë. Një masterplan që përfshin hotele luksoze dhe shtëpiza private.

“Atara është projektuar për t’u ofruar mysafirëve një lidhje intime me natyrën, ku çdo pamje dhe përvojë është kuruar me kujdes për t’u përzier me mjedisin”, thuhet në përshkrimin përmes “cartoons” përbri projekt-idesë.

I konsideruar si “Maldivet” e Shqipërisë, edhe për Ksamilin duket se ka disa plane.

Studiot e huaja kanë parashikuar katër projekte për këtë zonë.

“Les villages d’Azur”, masterplan i projektuar nga “Emre Arolat Architecture” dhe zhvilluar nga “Onhezmi Marina”, me administrator Arben Çera, shoqëri e kontrolluar nga kompania “Kupa” e Shkëlqim Kupës.

Megjithatë, me një vendim të 7 nëntorit 2024, ministri Blendi Gonxhja nuk e ka miratuar raportin e vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor për këtë projekt, pasi sipas vendimit bie ndesh me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, konventën e ratifikuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe botërore, VKM-në për shpalljen kompleks ligatinor të Butrintit dhe VNM-në për planin e menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit.

Përpos kësaj, në “The Albanian Files” studioja 51N4E ka projektuar “Ksamil Village”, me zhvillues “AnimaCon”, në pronësi të Lori Hoxhës, dhuruar nga e ëma, Vjollca Hoxha, në vitin 2025.

“Katër Kulla Hotel” është një tjetër projekt në Ksamil, në një hapësirë prej 1,425 m², me projektues Nuno Melo Sousa dhe me partnerë shqiptarë “SON Architects”. Ndërsa gjatë publikimit të librit ka qenë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit.

Nga Butrinti në Rrjoll

Në “The Albanian Files” hapësirë zë edhe Parku Kombëtar i Butrintit, ku synohet të ndërhyhet përmes projektit të qendrës së vizitorëve. Një projekt i projektuar nga Kengo Kuma, me zhvillues Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit, themeluar nga Ministria e Kulturës dhe AADF-ja për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritjeje.

Foto: Projekti i Kengo Kuma në Butrint

Proces ky i cili ka ngjallur pakënaqësi për mënyrën si menaxhohen parqet kombëtare, jo nga vetë shteti, por përmes fondacioneve. Për këtë, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit nga AADF-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Projekti i Rrjollit, për ndërtimin e projektit turistik “Baks Bay” nga “Gener 2 shpk”, renditet mes të tjerash në “The Albanian Files”, si një projekt në proces ndërtimi.

Rrjolli shtrihet mes Lagunës së Vilunit në veri dhe Ranës së Hedhun në jug, ndërsa punimet për resortin turistik kanë ndaluar për shkak të rezistencës së banorëve.

Zona ku po ndërtohet ishte pjesë e një brezi të mbrojtur bregdetar. Përfshihej në nënzonën 1b të “Peizazhit të Mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.

Në këtë nënzonë zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synonte ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.

Por, me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës”, i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore. Ky është mekanizmi ligjor që e bën Rrjollin dhe potencialisht raste të ngjashme të mundshëm pa shkelur, teknikisht, asnjë ligj. Ligji vetë u ndryshua për t’u përshtatur me projektin, jo e kundërta.

Rana e Hedhun, me kulla prej “rëre” mbi duna

Rana e Hedhun gëzon statusin “Monument Natyre”, si një dunë bregdetare në detin Adriatik, në veriperëndim të Shëngjinit. Është një plazh i pastër rreth 4 km, i formuar nga duna rëre, ku më e madhja është e vendosur në shpatin e kodrës dhe arrin lartësinë deri në 80 m, ndërsa të jep pamjen sikur rëra derdhet nga mali në det.

Mirëpo, në këtë zonë parashikohen të ndërtohen kulla, ndërsa janë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit. Nuk është ende publik zhvilluesi.

Po ashtu, është projektuar nga Alvaro Siza edhe një masterplan për dunën, ku zhvillues është “Gruppo IDA” dhe inxhinierë Ilir Trebicka dhe Klodiana Kucuku.

“Në shpatin jugperëndimor mbi Adriatik, midis Malit të Zi dhe Shëngjinit, plani i Ranës së Hedhun është hartuar për të përcaktuar dhe organizuar territorin dhe ndërtesat e tij”, thuhet në përshkrimin që shoqëron projekt-idenë.

Foto: Pjesë nga Master-Plani i “Valamar Tale”

Nuk mbetet pa u prekur edhe plazhi i Tales. “Një kapitull i ri fillon në veri të Shqipërisë. Prezantojmë Valamar Tale, ku natyra, dizajni dhe stili i jetesës bashkohen në harmoni”, thuhet në rrjetet sociale të “Balfin Real Estate”.

I quajtur “Master plan design for Valamar Tale”, i projektuar nga “Toyo Ito and Associates, Architects” dhe me zhvillues “Balfin Group”, projekti ndodhet në fazën e tretë, atë të dizajnimit të masterplanit.

Nga liqeni në “pyjet” e Drilonit

Foto: Pjesë nga projektet “Pyjet e Drilonit” dhe “Koran Village”

Përpos vijës bregdetare, interes për zhvillim paraqet edhe qyteti i Pogradecit, ndërsa ka një peizazh të mbrojtur, sikurse Liqeni i Pogradecit. Parku Ujor Drilon-Tushemisht është shpallur Monument Natyre, sipas informacionit zyrtar të turizmit dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri. Zona përfshin burimet karstike të Drilonit, kanalet ujore dhe ekosistemet përreth liqenit të Ohrit.

“Bimësia në grykëderdhjen e lumit Drilon në liqenin e Ohrit përhapet midis gishtërinjve të dridhur të pallateve të banimit”, thuhet në projekt-idenë e “Pyjet e Drilonit”, me zhvillues kompaninë “Kontakt”.

Po ashtu, mbi Liqenin e Pogradecit, EMBT-ja e Miralles Tagliabue ka projektuar “Koran Village” për kompaninë “Arlis Ndërtim” dhe “Hotel Millennium” për “Millennium Group”.

“Nuk mund të ketë ndërtime në zonat e mbrojtura pa vlerësim të thelluar të ndikimit në mjedis”

Ekspertët e mjedisit po shprehin shqetësim për një sërë projektesh turistike dhe investimesh të propozuara në disa prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, duke paralajmëruar se ato mund të sjellin pasoja të pakthyeshme për biodiversitetin dhe ekosistemet e mbrojtura.

Taulant Bino, nga Albanian Ornithological Society (AOS), thotë për Citizens.al se disa nga projektet dhe projekt-idetë e prezantuara vitet e fundit konsiderohen veçanërisht problematike për shkak të vendndodhjes së tyre dhe ndikimeve të pritshme në mjedis.

“Midis tyre resorte në Divjakë-Karavasta dhe Butrint, përkatësisht në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe Butrint, Baks Rrjolli, Pogradeci, Poro-Vjosë, përkatësisht në Peizazhin e Mbrojtur Bunë-Velipojë, Liqeni i Pogradecit, Pishë-Poro-Nartë, Orikumi, Tale dhe Qafë-Shtama, me shumë gjasa në Parkun Natyror Karaburun, Kune-Vain dhe Qafë-Shtamë”, rendit Bino.

Ai thekson se çdo projekt i propozuar brenda ose pranë zonave të mbrojtura duhet t’i nënshtrohet procedurave të plota të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimit të Duhur Mjedisor, në përputhje me standardet dhe kërkesat e Direktivës Evropiane të Habitateve.

“Duhen anuluar projektet e miratuara dhe duhen pezulluar të gjitha propozimet e reja deri në shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe deri në përfundimin e afateve të ligjit për Investimet Strategjike”, argumenton Bino.

Sipas ekspertit, zhvillimi ekonomik dhe turizmi nuk duhet të vijnë në kurriz të trashëgimisë natyrore të vendit. Për këtë arsye, ai kërkon më shumë transparencë mbi mënyrën se si janë miratuar projektet deri më tani, publikimin e studimeve të ndikimit mjedisor dhe garantimin e një procesi vendimmarrës që përfshin konsultimin publik dhe ekspertizën shkencore.

“Të gjitha projektet duhet të kalojnë në lupën e Vlerësimit të Thelluar të Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimit të Duhur, sikurse e kërkon Direktiva e Habitateve. Nuk mund të ketë projekte në Zonat e Mbrojtura pa ndërhyrjet ligjore të mësipërme, pa transparencën për vendimmarrjen e deritanishme, për ndikimet e thelluara në mjedisin natyror dhe biologjik dhe pa Vlerësimin e Duhur Mjedisor”, deklaroi Bino.

Kur projektet vendosen njëra pas tjetrës në hartë, shfaqet një model i qartë: dunat, lagunat, brigjet e virgjëra, pyjet bregdetare dhe zonat e mbrojtura po kthehen në objektiva të zhvillimit turistik, duke i dhënë përparësi interesit privat, karshi atij publik.

Lexo gjithashtu:

The post “The Albanian Files”, harta e resorteve mbi natyrën shqiptare appeared first on Citizens.al.

  •  

Je ndaluar, shoqëruar apo marrë në pyetje pas protestës? Plotëso formularin.

Ditët e fundit shumë qytetarë janë shoqëruar në komisariatin e policisë për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Citizens.al dëshiron të dijë përvojën tuaj dhe arsyet kryesore të procedimit.



The post Je ndaluar, shoqëruar apo marrë në pyetje pas protestës? Plotëso formularin. appeared first on Citizens.al.

  •  

Hetimi për korrupsion lidhur me resortin shqiptar të dhëndrit të Trump të çon në Holandë

Artikull i publikuar nga “Follow the Money”, përkthyer nga origjinali.

Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, po zhvillon një resort ekskluziv në Shqipëri, i financuar përmes kompanive guaskë holandeze dhe kapitalit nga Katari. Pas protestave të ashpra, autoritetet shqiptare kundër korrupsionit po shqyrtojnë tani projektin. Si shtrihet gjurma e parave nga bregdeti shqiptar deri në Amsterdam?

Pas ditësh protestash të ashpra, SPAK hapi këtë javë një hetim mbi një resort luksoz të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Projekti gjigant po zhvillohet në një zonë ekologjikisht të ndjeshme në bregdetin shqiptar. Hetimi përqendrohet në parregullsi lidhur me dhënien e tokës dhe konflikte të mundshme interesi.

Nga një vështrim në regjistrin tregtar rezulton se projekti menaxhohet nga pikëpamja fiskale përmes kompanive guaskë holandeze. Por çfarë bëjnë saktësisht këto kompani.

Model klasik

Një publikim i fundit në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë zbuloi se një strukturë e përbërë nga pesë kompani guaskë me seli në Amsterdam përbën qendrën administrative të resortit. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar Zvernec South Adriatic Development drejton projektin nga pikëpamja juridike dhe financiare.

Kjo njësi zotëron lejen përkatëse, strukturon aksionet dhe kanalizon fondet drejt ishullit shqiptar të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit. Në fund të vitit 2024, qeveria miratoi zhvillimin e kësaj zone nga firma e kapitalit privat të Kushnerit, Affinity Partners.

Një nga pesë kompanitë guaskë – Blue Industries Investment Holding B.V. – është në pronësi të aksionerëve shqiptarë, sipas dokumenteve qeveritare shqiptare të shqyrtuara nga Follow the Money. Por, për shkak se secili aksioner individual zotëron më pak se 25 për qind të projektit, ata nuk janë të detyruar të bëjnë publik identitetin e tyre.

“Holanda, si furnizuese e kompanive guaskë, është një nyje e rëndësishme në transferimin dhe fshehjen e parave që vijnë nga jashtë vendit”, tha Lotte Rooijendijk, nga Transparency International në Hollandë.

“Është një model klasik”, thotë Lotte Rooijendijk nga Transparency International në Hollandë. “Në praktikë shikon se shumë të ashtuquajtur UBO-s (pronarë përfitues përfundimtarë) fshihen pas këtyre strukturave. E pamë këtë te Panama Papers dhe tani te ky projekt: Holanda, si furnizuese e kompanive guaskë, është një hallkë e rëndësishme në zhvendosjen e parave të huaja jashtë sistemit të dukshëm financiar. Falë rregullave aktuale evropiane, ne nuk mund të shohim gjithmonë as se kush janë personat e përfshirë. Zyrat holandeze të trusteve janë çelësi në këtë proces.”

Një rus dhe një bullgar

Zyra pas kompanive B.V. është kompania holandeze me seli në Amsterdam Dutch Trust Management (DTM). Kjo zyrë është në pronësi të Nikita Vinogradov (Moskë, 1991) dhe bullgares Zoya Gyurova (1988). Rusi Vinogradov ka qenë drejtues për Rusinë në firmën “Strik Attorneys at Law dhe Tax Advisors”, ku edhe Gyurova punonte si juriste. Kompania e lidhur me të “Strik Tax and Legal” ende i liston të dy si partnerë në departamentin e kontabilitetit.

Sipas faqes së internetit të DTM, kompania ofron shërbime administrative dhe ndihmon në krijimin e shoqërive zotëruese (holding) Ajo vlerëson të drejtën tregtare të Holandës si “jashtëzakonisht fleksibël” dhe është e specializuar në kompani B.V. dhe fondacione. Kjo zyrë relativisht e vogël fokusohet kryesisht te kompanitë e Evropës Qendrore, zotërimet financiare dhe kompanitë shumëkombëshe indiane.

Se si projekti i resortit të Kushnerit përfundoi pikërisht te DTM nuk është e qartë. Zyra gjithashtu nuk i është përgjigjur pyetjeve të “Follow the Money”.

Nga regjistri tregtar rezulton se DTM kishte disa klientë shqiptarë. Në vitin 2025, zyra u vu sërish në qendër të vëmendjes pasi një prej këtyre klientëve u përjashtua nga tenderët publikë. Ai kishte dorëzuar dokumente të falsifikuara lidhur me një tender në Tiranë. Përmes një shoqërie holandeze, të krijuar nga DTM, përfitimet nga kjo veprimtari përfunduan te palë të lidhura me aksionerë bullgarë dhe rusë.

Puna e trusteve i sjell në çdo rast Vinogradovit dhe Gyurovës të ardhura të konsiderueshme. Një raport financiar vjetor tregon se Gyurova ka derdhur katërqind mijë (euro) në një shoqëri zotëruese personale, të cilën ajo e krijoi në kohën kur mori detyrën në “Dutch Trust Management”. Edhe Vinogradov ka një “holding” të tijin, por që prej vitit 2022 ai nuk publikon më raporte financiare vjetore.

Konflikt interesi

Fakti që projekti i Kushnerit nuk i bën të njohur një pjesë të aksionerëve nuk do të thotë se është e paqartë se cilët janë aktorët e mëdhenj përkrah Kushnerit. Dokumentet e bëra së fundmi të disponueshme tregojnë se një nga pesë kompanitë holandeze B.V., “Universal Properties Projects B.V.”, kohët e fundit ka transferuar një pjesë të konsiderueshme të interesave të saj në projektin e resortit te grupi nga Katari Al-Khayyat Group, në pronësi të vëllezërve Moutaz dhe Mohammed Al-Khayyat. Këtë e zbuloi së fundmi platforma shqiptare Citizens.al.

Ky transferim është i pazakontë, sepse Al-Khayyat Group ka interesa biznesi që lidhen me vendimmarrjet politike të vjehrrit të Kushnerit. Sipas New York Times, Al-Khayyatët e nisën bashkëpunimin me Kushnerin në kohën kur qeveria Trump lehtësoi sanksionet ndaj Sirisë. Përmes kësaj, grupi Al-Khayyat fitoi akses në kontrata ndërtimi me një vlerë totale prej rreth dymbëdhjetë miliardë eurosh.

Vetë Kushner i hedh poshtë akuzat për konflikt interesi. “Ajo që të tjerët e quajnë konflikt interesi, Steve [Witkoff] dhe unë e quajmë përvojë dhe marrëdhënie që kemi ndërtuar në të gjithë botën”, tha ai vitin e kaluar për televizionin CBS.

Një miliard euro për ishullin

Kushner, i cili si një përfaqësues i afërt i vjehrrit të tij takohet me krerë shtetesh, sipas deklarimeve të tij ra në gjurmët e zonës gjatë një pushimi. Nga një jaht, ai dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, e panë për herë të parë ishullin shqiptar në vitin 2021. Ata mbetën të mahnitur nga bukuria e tij, i tha ai gazetës The Guardian.

“Isha thjesht shumë i habitur që diçka e tillë ekzistonte në mes të Mesdheut dhe ende nuk ishte zhvilluar.” Ai e shfrytëzoi mundësinë dhe pas negociatave me qeverinë, Kushner dhe bashkëpunëtorët e tij vendosën një miliard euro për ishullin.

Përfaqësues të lëvizjes mjedisore shqiptare ngritën menjëherë alarmin kur qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama ndryshoi në vitin 2024 ligjin për zonat e mbrojtura natyrore, me qëllim që ta bënte të mundur projektin. Këtë e thotë Joni Vorpsi nga organizata shqiptare për mbrojtjen e natyrës PPNEA.

“Ndërkohë, 400 hektarë tokë nga zona e mbrojtur natyrore Vjosa-Nartë janë rrethuar me tela me gjemba. Aty jetojnë specie të rrezikuara si foka mesdhetare, dhe ajo është një ndalesë e rëndësishme në rrugën e migrimit të flamingove. Tani lejohet të ndërtohet?!”

Hetimi për korrupsion përqendrohet te ndryshimi i ligjit që bëri të mundur projektin. Vorpsi mendon se çelësi qëndron te kompanitë guaskë holandeze. “Se nga vijnë saktësisht të gjitha paratë, nuk e dimë, por kemi një ide.”

Rreziqe për kontrollin demokratik

Pavarësisht polemikave, qeveria shqiptare vazhdon ta mbështesë publikisht projektin. Kryeministri Edi Rama ka thënë disa herë se investimet e huaja janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai kundërshton kritikat ndaj ndryshimit të legjislacionit për natyrën rreth Zvërnecit. Rama deklaron se qeveria po ndjek vetëm procedurat standarde.

Në të njëjtën kohë, grupet opozitare dhe aktivistët mjedisorë theksojnë se kombinimi i investimeve të mëdha të huaja, kontrollit të dobët institucional dhe strukturave komplekse të pronësisë holandeze përbën rreziqe të mëdha për kontrollin demokratik.

Ndërkohë, Komisioni Evropian është përfshirë në debat. Resorti me përmasa të mëdha mund të pengojë bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë, nëse rezulton se vendi shkel rregullat mjedisore evropiane. Shqipëria do të binte në kundërshtim me direktivat evropiane për shpendët dhe habitatet, për shkak të heqjes së pjesshme të statusit të mbrojtur të zonës.

Vorpsi nga PPNEA shpreson që ky presion nga Brukseli të vazhdojë. “Protestat janë rritur jashtëzakonisht shumë gjatë javëve të fundit, por ende nuk është bërë publik identiteti i të gjithë aksionerëve në këtë strukturë. Ndërkohë që kryeministri Rama sillet sikur nuk po ndodh asgjë, bregdeti ynë i mbrojtur po nxirret në shitje.”

Qeveria e Shqipërisë, Dutch Trust Management dhe Affinity Partners nuk iu përgjigjën pyetjeve të Follow the Money.

Lexo gjithashtu:

The post Hetimi për korrupsion lidhur me resortin shqiptar të dhëndrit të Trump të çon në Holandë appeared first on Citizens.al.

  •  

Nga Ramizi te Ramizmi-“Kap ç’të kapësh” si sistem ekonomik dhe politik

Nga Armando Memushi*

Më 13 tetor 2024, nga Berlini, Edi Rama njoftoi në një intervistë për Agjencinë Reuters synimin e vet për një mandat të katërt në krye të qeverisë shqiptare: “Besoj se më duhet të kandidoj, sepse ka punë për të mbaruar. Dhe në këto tre mandate kemi bërë gjëra të mrekullueshme”. Për të dëshmuar arritjet gjatë 11 viteve të qeverisjes së tij, ai përmendi se vendi kishte “kapërcyer tavanin e 10 milionë turistëve”.

Vetëm një ditë më pas, nga Stockholm-i, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi se do të nderonte tre ekonomistë dhe politologë (Acemoglu, Johnson dhe Robinson) me Çmimin Nobel “për studime se si formohen institucionet dhe se si ato ndikojnë në mirëqenie”.

Studiuesit kanë shqyrtuar sistemet politike dhe ekonomike që kolonët europianë vendosën të ndërtonin (ose ruanin) në shoqëritë e kolonizuara prej tyre duke filluar nga shekulli XVI. Sipas tyre, ato sisteme janë një faktor shpjegues i dallimeve midis ish-kolonive, si për sa i përket ecurisë historike të zhvillimit ashtu edhe mirëqenies së sotme ekonomike.

Në vendet ku rrethanat mundësuan vendosjen e vetëm pak kolonëve europianë, ata ngritën ose ruajtën sisteme politike dhe ekonomike shfrytëzuese, synimi i të cilave ishte sjellja e përfitimeve afatshkurtra për një elitë të vogël vendase në kurriz të popullsisë së gjerë. Nga ana tjetër, në ato vende ku u zhvendosën për të jetuar shumë kolonë, ata ngritën ose ruajtën institucione gjithëpërfshirëse, të cilat do të mundësonin përfitime afatgjata për të gjithë në ‘mëmëdheun’ e ri.

Tre nobelistët kanë treguar se si kolonitë me sisteme zhvatëse përjetuan një zhvillim ekonomik relativisht të ngadaltë dhe janë sot vende më pak të begata se simotrat e tyre me sisteme gjithëpërfshirëse.

Shqipëria e 35 viteve të fundit nuk ka qenë një vend i kolonizuar. Madje qysh prej largimit nga pushteti të Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, vendi u shndërrua (të paktën, formalisht) në një demokraci përfaqësuese shumëpartiake me një ekonomi të mbështetur te tregu. Por, ngjashëm me shumë nga kolonitë e shqyrtuara nga nobelistët e vitit 2024, në Shqipëri është ngritur dhe ruajtur një sistem politik dhe ekonomik shfrytëzues.

Në shumë vende ish-komuniste (Rusia është shembulli par excellence), institucionet e dobëta të tranzicionit kanë mundësuar përqendrimin në rritje të pushtetit ekonomik dhe politik në duart e një elite me lidhjet e duhura. Në disa raste këto ishin lidhje të trashëguara prej periudhës diktatoriale.

Kjo është lehtësuar edhe nga politikat e befta dhe të prera neoliberale që u zbatuan në këto vende për të mundësuar kalimin e shpejtë nga një ekonomi e komanduar në një ekonomi tregu, të njohura edhe si “terapia e shokut”. Gjithsesi, në Shqipëri (ndryshe nga Rusia) mekanizmi kryesor i këtij përqendrimi nuk ka qenë privatizimi i shpejtë i ndërmarrjeve shtetërore në sektorë strategjikë, ku një grup i vogël individësh arritën të blejnë herët asete shumë të vlefshme shtetërore me çmime jashtëzakonisht të lira.

Në rastin shqiptar, kjo ka ndodhur me anë të patronazhit, klientelizmit dhe kapjes së shtetit. Të zgjedhurit i kanë shpërndarë burimet ekonomike jo sipas mekanizmave meritokratike të mundësive të barabarta, por në këmbim të mbështetjes politike. Më tej akoma, shteti dhe procesi ligjvënës janë vendosur në shërbim të marrjes së përfitimeve ekonomike private.

Në këtë mënyrë, rrethi vicioz i përqendrimit është ushqyer me zbatim të dobët dhe përzgjedhës të ligjit, pasiguri për pronën private, informalitet dhe infiltrim të burimeve financiare kriminale, si edhe konkurrencë të kufizuar në tregje (në rënie edhe në politikë). Cilatdo qofshin rrugët, duke marrë nën kontroll pushtetin ekonomik dhe politik kjo elitë e ka pasur më të lehtë ndërtimin dhe ruajtjen e një sistemi zhvatës, të orientuar drejt përfitimeve afatshkurtra për pak të privilegjuar përkundër zhvillimit të qendrueshëm dhe mirëqenies afatgjatë për të gjithë.

Prania e këtij sistemi vihet re së pari në qasjen zhvatëse ndaj burimeve të përbashkëta natyrore. Gjatë 35 viteve, në të gjithë vendin ka pasur raste të panumërta të shfrytëzimit të paqendrueshëm dhe/ose abuziv të pasurive të nëntokës, pyjeve dhe pasurive ujore. Abuzimet në minierën e kromit në Bulqizë, humbja e sipërfaqeve pyjore në Qarkun e Korçës dhe urbanizimi në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës janë vetëm disa prej tyre.

Për më tepër, këto pasuri janë përdorur pothuajse tërësisht për nxjerrjen dhe eksportin e lëndëve të para të papërpunuara, duke humbur kështu vlerën e shtuar që do të mbetej në ekonomi prej përpunimit në vend.

Modeli zhvatës shfaqet edhe në përdorimin e burimeve njerëzore, qofshin ato në trajtën e punës së paguar apo të aftësive sipërmarrëse. Në 35 vite, vendi është përballur me probleme serioze në sistemin arsimor, i cili përtej fasadës së arritjeve mbetet i nënfinancuar, i keqqeverisur, me rezultate të dobëta e në rënie në testimet ndërkombëtare, si edhe pa lidhje të mira me tregjet e punës.

Njëkohësisht, Shqipëria ka përjetuar edhe një emigrim masiv të popullsisë, ku mbizotëron largimi i personave të kualifikuar në moshë pune. Si rrjedhojë, ekonomia shqiptare është mbështetur gjerësisht në shfrytëzimin e punës së lirë (edhe asaj të imigrantëve që kanë zëvendësuar të larguarit) dhe me prodhimtari të ulët. Për më tepër, dobësitë ose mungesa tërësore e sindikatave dhe institucionet e dobëta të mbikëqyrjes së tregjeve kanë mundësuar nivele shumë të larta të informalitetit dhe mbrojtje të kufizuar të punës.

Prania e një sistemi që nuk krijon mundësi të barabarta nuk ka qenë nxitëse as për talentin sipërmarrës. Mjedisi vendas ka krijuar besimin se lidhjet me politikën dhe shkelja e ligjit janë faktorë të rëndësishëm përcaktues të suksesit.

Të njëjtin ndikim frenues për sipërmarrjen ka pasur edhe shkalla e lartë e informalitetit dhe konkurrenca e pandershme prej firmave informale. Pengesë e rëndësishme ka qenë edhe vështirësia e sigurimit të burimeve financiare të nevojshme për nisjen dhe/ose rritjen e bizneseve, përtej kanaleve problematike të shfrytëzimit të financimeve shtetërore dhe të pastrimit të parave. Në 35 vite, Shqipëria ka vuajtur një krizë të rëndë të skemave piramidale, nuk ka arritur të zhvillojë ende tregje të mirëfillta të kapitalit, si dhe i ka përdorur remitancat sidomos për shpenzime konsumi dhe strehim.

Qasja zhvatëse është shfaqur edhe në përdorimin e kapitalit fizik. Ajo ka nisur qysh në ditët e para të Shqipërisë paskomuniste me shkatërrimin ose shitjen e rrëmujshme, me çmime jashtëzakonisht të lira, të pasurive të ndërmarrjeve shtetërore. E njëjta vijoi (në mënyrë më domethënëse) në 35 vitet që pasuan në rrugë të tjera të shfaqjes së patronazhit, klientelizmit dhe kapjes së shtetit: ndërtimi dhe menaxhimi i keq i infrastrukturës publike, praktikat jokonkurruese dhe korruptive në prokurimet publike dhe marrëveshjet për koncesione/PPP (në lidhje, zbatim dhe monitorim), si edhe keqmenaxhimi i ndërmarrjeve shtetërore.

Krahas përdorimit të faktorëve të prodhimit, sistemi shfrytëzues vërehet edhe te prirjet e zhvillimit të sektorëve të ekonomisë. Struktura e ekonomisë shqiptare ka ndryshuar gjatë 35 viteve, duke e zhvendosur gradualisht prodhimin (dhe punësimin) nga bujqësia dhe industria e tekstileve dhe këpucëve, që punon me material porositësi/fason, drejt shërbimeve (ku mbizotëron turizmi) dhe ndërtimit.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, produktiviteti dhe vlera e shtuar në ekonomi kanë vijuar të jenë të ulëta. Kështu, turizmi ka ofruar një nivel të ulët sofistikimi të shërbimit (dhe të ardhurash), ka qenë mjaft i përqendruar në bregdet dhe gjatë periudhës qershor-shtator, si dhe ka ndikuar negativisht në mjedis dhe bujqësinë vendase. Në fakt, Shqipëria ka shfaqur një varësi në rritje nga importi i ushqimeve dhe rrezikon t’a kthejë turizmin në ‘industrinë e re minerare’ të vendit: një sektor që përdor burimet natyrore për t’i ‘eksportuar’ pa shfrytëzuar mirë potencialin e vlerës së shtuar dhe të lidhjes me sektorët e tjerë të ekonomisë.

Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka ardhur duke u zgjeruar, edhe falë rritjes së turizmit. Por, krahas ndikimit pozitiv në rritjen ekonomike (ashtu si turizmi), zgjerimi intensiv i ndërtimit ka sjellë ndikim negativ në mjedis dhe shëndetin e popullsisë, përkeqësim të konflikteve për pronësinë, si dhe rritje të çmimeve dhe qirave në tregjet e pasurive të paluajtshme (sidomos në bregdet dhe Tiranë). Gjithashtu, rritja e shpejtë e këtij sektori duket të jetë ushqyer edhe përmes infiltrimit të burimeve financiare me origjinë kriminale dhe pastrimit të tyre nëpërmjet ndërtimit.

Së fundi, vlen të theksohet se shoqëri të tilla me sisteme politike dhe ekonomike zhvatëse nuk janë të prirura të ndryshojnë lehtë. Sipas tre nobelistëve të vitit 2024, elita e privilegjuar nuk ka nxitje për të ndryshuar gjendjen. Tekefundit, askush nuk do t’ua kompensonte atyre përfitimet e humbura nga ndërtimi i një sistemi të ndryshëm, me institucione që do të mundësonin përfitime afatgjata për të gjithë. E megjithatë, ndonjëherë demokratizimi ndodh. Mobilizimi i popullsisë mund të shndërrohet në një kërcënim për revolucion, i cili mund të jetë edhe më i madh kur protestat janë paqësore (sepse iu bashkohen më shumë njerëz).

Përballë këtij kërcënimi dhe në kushtet e humbjes së besueshmërisë në sytë e shumicës, elita e privilegjuar nuk mundet t’a kapërcejë gjendjen e krijuar nëpërmjet premtimeve të reja për reforma. E vetmja rrugë mbetet dorëzimi i pushtetit dhe vendosja e një sistemi më demokratik…

*Armando Memushi është ekonomist, mësimdhënës dhe ish-diplomat me mbi 13 vite përvojë në akademi, diplomaci dhe shoqërinë civile. Ka dhënë mësim në ekonomi, ka zhvilluar kërkim shkencor në fushën e Analizës Ekonomike të së Drejtës dhe Sjelljes së Konsumatorit, si dhe ka udhëhequr ekipe dhe procese në administratën diplomatike shqiptare, përfshirë drejtimin e ekipit konsullor në Romë gjatë pandemisë.

The post Nga Ramizi te Ramizmi-“Kap ç’të kapësh” si sistem ekonomik dhe politik appeared first on Citizens.al.

  •  

Dy plane të fshehta resortesh në Darëzezë dhe deltën e Vjosës

Dy masterplane të porositura nga grupi Balfin, një dokument mjedisor i vitit 2021 dhe një zinxhir kompanish të krijuara paralelisht zbulojnë se lagunat dhe deltat pranë lumenjve më të ndjeshëm të vendit janë parë prej vitesh jo si peizazhe të mbrojtura, por si korridore investimesh të mëdha imobiliare.

Historia me Sazanin dhe Zvërnecin duket se ka nxjerrë në sipërfaqe vetëm pjesën më të dukshme të një modeli më të gjerë zhvillimi, që prej vitesh ka shënjestruar disa prej hapësirave më të veçanta bregdetare të Shqipërisë.

Autorë: Erblin Vukaj dhe Elira Kadriu | Citizens.al

Delta e Vjosës si “park resortesh”

Delta e Vjosës në Pishë Poro-Nartë, bregdeti i Darëzezës, Divjakë-Karavastaja pranë Shkumbinit, Rrushkull-Hamallaj pranë Erzenit, Talja pranë Matit, Kune-Vaini pranë Drinit apo Viluni e Velipoja pranë Bunës janë zonat ku po përplasen dy vizione të kundërta.

Nga njëra anë, ato janë hapësira me rëndësi ekologjike, laguna, duna, pyje bregdetare, habitate shpendësh dhe zona të lidhura me grykëderdhje lumenjsh.

Nga ana tjetër, gjithnjë e më shpesh, po shfaqen në dokumente, projekte, leje apo reklama imobiliare si territore të gatshme për resorte, vila, hotele etj.

Faksimile e masterplanit UMEA në deltën e Vjosës.

E tillë duket historia edhe për dy pjesë të ndryshme të brezit bregdetar pranë deltës së Vjosës, e cila në vitin 2023 u la jashtë Parkut Kombëtar. Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se më 17 dhe 20 dhjetor 2024 u përgatitën të paktën dy masterplane të mëdha private.

Masterplani i parë, “UMEA”, është hartuar nga studioja ndërkombëtare MVRDV për grupin Balfin dhe parashikon një koncept zhvillimi për 639 ha në anën jugore të deltës së Vjosës.

Plani i dytë, “New Apollonia”, është hartuar nga studioja WATG, me përfshirjen e “Lobb + Partners”, e njohur për projektimin e komplekseve të golfit, edhe ky është përgatitur për llogari të Balfinit dhe parashikon një zhvillim për 600 ha përgjatë plazhit të Darëzezës dhe Semanit, në veri të deltës së Vjosës.

Të dy dokumentet flasin me gjuhën e qëndrueshmërisë me fraza si “natyrë të paprekur”, “biodiversitet”, “restaurim bregdetar”, “korridore ekologjike” dhe “arkitekturë të padukshme”.

Por pas kësaj gjuhe shfaqen projekte ndërtimi në përmasa urbane, hotele me marka ndërkombëtare, mijëra njësi rezidenciale, vila, apartamente, fusha golfi, marina, akuaparqe, rrugë të reja, zona tregtare dhe struktura shërbimi.

I pyetur nga Citizens.al për këto masterplane, grupi Balfin i përshkroi ato si “koncepte të parealizuara”, të hartuara “për qëllime prezantimi dhe panairesh ndërkombëtare,” nga të cilat kompania tha se “është tërhequr.”

“Linkut që ju i referoheni ka të bëjë me një landing-page të përgatitur për panairin e real estate në Mynih të Gjermanisë. Aty marrin pjesë investitorë ndërkombëtarë të interesuar për të investuar apo për partneritete. Ne kemi marrë pjesë me mbi 10 ide-projekte prej të cilave kemi ecur përpara vetëm me projektet ne Austri, ShBA dhe Portugali. Asnjë projekt nuk ka qenë i detajuar por vetëm koncept-ide” – citohet në përgjigjen e “Balfin Group” për Citizens.

Por dokumentet ngrenë pyetje serioze, pasi ato nuk janë thjesht skica arkitektonike, mbulojnë rreth 1,250 ha tokë, përfshijnë studio ndërkombëtare, ndarje funksionale, fazime, tipologji ndërtimi dhe referenca të qarta për pronësinë dhe blloqet e zhvillimit.

Ideja nuk ndalet vetëm te masterplanet, pasi paralelisht Citizens.al ka mësuar se grupi Balfin ka krijuar edhe kompani me të njëjtin emër (New Apollonia dhe UMEA shpk) me të cilat më pas ka krijuar apo kontrolluar një seri shoqërish të tjera me emra që përkojnë drejtpërdrejt me komponentët e projektit: marina, komplekset e golfit, menaxhimi imobiliar etj.

Sigurisht, këto nuk provojnë se projektet kanë marrë leje, as se ndërtimet janë në prag zhvillimi. Por ato tregojnë se idetë kanë kaluar përtej një prezantimi vizual dhe janë shoqëruar me përgatitje korporative, të cilat kërkojnë më shumë shpjegime publike, sidomos nga qeveria, e cila në rastin e Zvërnecit dhe Sazanit justifikohet duke përmendur shifra të paargumentuara investimi nga jashtë.

Në kontrast të fortë, qeveria e promovon dhe sot Vjosën si histori suksesi të mbrojtjes së natyrës, por zona përreth deltës së saj duket se u la qëllimisht jashtë parkut si territor ku mund të ndërtohen resorte të tilla sikurse ato që planifikoi grupi Balfin.

Faksimile e masterplanit New Apollonia në Darëzezë, Fier.

Në këtë kuptim, përplasja që sot po shihet për Zvërnecin dhe Sazanin duket se nuk është një rast i izoluar. Përballë kësaj panorame të fshehur, vihet seriozisht në diskutim vullneti i qeverisë për t’i mbrojtur vërtetë zonat më të ndjeshme ekologjike të Shqipërisë.

VSM-ja e vitit 2021 si “parathënie” e zhvillimeve

Për të kuptuar se si erdhëm këtu, duhet kthyer pas në vitin 2021. Në shtator të atij viti u përpilua “Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM) i Planit të Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare (PDZRK) Vjosë-Nartë”.

Në dukje, dokumenti (link) ishte një raport teknik për ndikimet mjedisore të planifikimit në zonë, por në thelb, ai duket se shërbeu si urë mes statusit të mbrojtur të zonës dhe ambicieve për zhvillime imobiliare.

Raporti shprehet se Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kishte marrë përsipër përgatitjen e PDZRK Vjosë-Nartën, por VSM-ja ishte kërkuar nga 7 subjekte private pronare të një pjese të trojeve në lagunë.

Lista e paraqitur në këtë dokument është domethënëse pasi flet për 1,536 ha vetëm në zonën Vjosë-Nartë (përfshirë Zvërnecin), që “kërkonte të zhvillohej”:

  • Banka Credins me 600 ha;
  • Mabetex & YDA Group me 309 ha – kjo ortakrëri fitoi atë vit koncesionin e aeroportit të Vlorës;
  • Grupi AGNA me 240 ha;
  • Gazmend Demi me 180 ha;
  • Adhenis shpk me 150 ha – zotëruar nga Artur Shehu, zyrtarisht nën hetim nga SPAK për përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash;
  • Arjan Pelushi me 37 ha;
  • Sere shpk me 20 ha – e lidhur me Balfin;

VSM-ja njeh statusin e lartë ekologjik të zonës, flet për lagunën e Nartës, grykëderdhjen e Vjosës, kënetat e kripës, dunat ranore, pyjet me pisha, ishullin e Zvërnecit, habitatet e shpendëve, ujërat nëntokësore dhe ekosistemet ligatinore. 

Po ashtu pranon rreziqe të mëdha si erozioni, rritjet e nivelit të detit, kripëzimin e ujërave në lagunë, rritjen e trysnisë nga aktiviteti njerëzor, fragmentimi i habitateve dhe humbja e tokës bujqësore.

Megjithatë, dokumenti nuk ua mbyllte derën zhvillimit, përkundrazi ai e kanalizoi atë përmes tre skenarësh, ku skenari zero, pra mosndërhyrja, rezultonte pozitiv për natyrën, ndërsa skenari i zhvillimit intensiv turistik rezultonte më negativi.

Por skenari i tretë, ai që paraqitej si “konservativ”, apo “miqësor me mjedisin” dhe i propozuar nga subjektet private, dilte si një formulë e pranueshme.

Faksimile e dy planeve të realizuara për Balfin, UMEA dhe New Apollonia.

Kjo është dhe pika kyçe e asaj që po ndodh sot ku zhvillimi i madh nuk paraqitet më nga qeveria si urbanizim i zonave të mbrojtura, por si turizëm i qëndrueshëm, i menaxhuar dhe elitar.

E njëjta gjuhë u shfaq (2024) në masterplanet UMEA dhe New Apollonia që Citizens.al i boton sot për publikun, ku resortet nuk prezantohen si ndërhyrje në natyrë, por si mënyrë për ta “përqafuar”, “restauruar” apo “menaxhuar” atë.

UMEA, qyteti resort në deltën jugore të Vjosës

Në dhjetor 2024, studioja MVRDV përgatiti për Balfinin masterplanin “UMEA”, për një zonë turistike në Novoselë të Vlorës. Koncepti e quajti sitin “the land between rivers” (toka mes lumenjve).

Harta e projektit vendoset në një nga pikat më të ndjeshme, në një territor formuar nga lumi Vjosa gjatë derdhjeve shekullore në detin Adriatik.

Faqet hyrëse të masterplanit janë përpiluar me “gjuhë poetike”. Ato flasin për ruajtje të natyrës së paprekur, krijimin e “tamponeve ujorë”, përqafimin e natyrës, arkitekturën e padukshme si dhe mbrojtjen e faunës dhe biodiversitetit.

Në pamje të parë, dokumenti përpiqet t’i paraqesë ndërhyrjet si të buta, të shpërndara dhe të respektueshme ndaj peizazhit, por koncepti që pason tregon një shkallë tjetër.

Siti ka sipërfaqe 639 ha ku 31% (rreth 190 ha) parashikohen të lihen për hapësira të përbashkëta, ndërsa pjesa tjetër të vihen në dispozicion për vila (25%; 161.5 ha), apartamente (13%; 79.9 ha), fusha golfi (12%; 75 ha); hotele (11%; 68.12 ha) dhe rrugë (10%; 63.9 ha).

Në letër parashikohen kanale, marina, zona tregtare, shërbimesh, aquapark, komplekse golfi dhe shëtitore bregdetare. Në këtë kuptim UMEA nuk është një oaz ekologjik, as një ndërhyrje e vogël turistike, por një qytet-resort, i dizajnuar për të riformatuar territorin buzë detit.

Faksimile e masterplanit UMEA në deltën e Vjosës.

Kështu, retorika e “arkitekturës së padukshme” përplaset me masivitetin e shtrirjes.

Në këtë kuptim, edhe nëse Balfin thotë se projekti është braktisur, masterplani mbetet me interes publik pasi tregon sesi një grup i madh interesash private ka “imagjinuar” dhe punuar transformimin e një prej zonave më të ndjeshme ekologjike të Shqipërisë në një qytet-resort.

New Apollonia, qyteti i ri në plazhin e Semanit

Në veri të deltës, një tjetër masterplan e çon më tej këtë logjikë, “New Apollonia Master Plan”, prezantuar tre ditë para UMEA-s, mban në kopertinë logot e WATG, LOBB + Partners dhe Balfin. Dokumenti e paraqet projektin si “the next generation coastal destination” (destinacioni bregdetar i gjeneratës tjetër).

Ky masterplan nuk është aq abstrakt sa ai i UMEA-s, por edhe më i detajuar në kapacitete dhe ndarje zhvillimi.

Siti shtrihet përgjatë 5 kilometrave vijë bregdetare në Adriatik, mes Darëzezës dhe Plazhit të Semanit, pranë grykëderdhjes së Vjosës dhe afër Pishë-Poros.

Plani pranon se zona ka laguna të kripura, shpendë migratorë, kanale vaditëse, pyje, duna dhe lidhje hidrologjike me Vjosën, megjithatë, parashikon një projekt me përmasa të një qyteti.

Në shifra, New Apollonia përfshin 600 ha, me 1.52 milionë m² sipërfaqe ndërtimi bruto, rreth 9,160 njësi rezidenciale, 2,830 njësi hotelierie dhe një popullsi të pritshme prej 45,755 banorësh.

Një popullsi e tillë për Shqipërinë është e krahasueshme me një qytet në rrethina. Pra projekti nuk është thjesht destinacion pushimi, por një urbanizim i thellë bregdetar në shkallë të plotë.

Masterplani parashikon katër qendra kryesore: Marina Town, Golf Resort, Family Island Village dhe Sports & Wellness Village.

Gjithashtu parashikohen 8.5 kilometra “waterways” (kanale të brendshme, apo laguna të integruara në resort).

Ato paraqiten si përvojë natyre, por nënkuptojnë ndërhyrje të thellë gjeologjike dhe hidrologjike në një zonë ku uji, kripa, toka dhe migrimi i shpendëve janë pjesë e të njëjtit sistem delikat të vendosur në ekuilibra nga vetë natyra.

Faksimile e masterplanit New Apollonia në Darëzezë.

Programi i hotelerisë është masiv: 10 struktura me në total, 5,600 shtretër në kapacitet të plotë, ndërsa projekti rezidencial është edhe më i madh: 5,975 apartamente, 2,900 vila dhe 280 njësi “senior living” për një total banimi mbi 9 mijë njësi.

Ky është një model i njohur tashmë në zhvillimet e mëdha bregdetare në Shqipëri.

Hotelet shërbejnë si flamuj prestigji dhe përfitimi të statusit investitor strategjik (bashkë me lehtësirat fiskale që ofron qeveria), ndërsa përfitimet reale ekonomike vijnë nga “real estate”-i, shitja e vilave dhe apartamenteve, që shpesh bëhet nga blerës të huaj.

Çfarë thonë aktivistët mjedisorë?

Sipas Ulrich Eichelmann, drejtues i Riverwatch, këto projekte do të zhvillohen dhe do të marrin një dritë jeshile, nëse edhe projektet e Kushnerit vijojnë.

“Vjosa është një Park Kombëtar dhe zyrtarisht ka një zonë buferike 30 metra larg lumit, ndërsa e gjithë zona është një ‘Rezervë e Biosferës’, e përcaktuar në shtator të vitit 2025. Por, pranë saj, nuk kam dyshime se ato do të vazhdojnë të planifikojnë ndërtime” – thekson Ulrich.

Sipas tij, projektet e Balfin, planet e propozuara nga Kushner dhe zhvillimi i parashikuar në Apoloni ndjekin të njëjtën logjikë. Ato janë pjesë e një modeli zhvillimi të orientuar drejt asaj që promovohet si “turizëm elitar”, i shoqëruar me investime si fusha golfi dhe marina.

“Greenwashing”, me fjalë të tjera: zona paraqitet si në harmoni me natyrën, por në realitet është diçka krejt tjetër. Mendoj se Kushneri është vetëm pikënisja e kësaj”, përmbyll Ulrich.

Një vlerësim të ngjashëm jep edhe Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. Sipas tij, projektet e propozuara në Vjosë–Nartë, nga resorti në Zvërnec te aeroporti i Vlorës dhe zhvillime të tjera infrastrukturore, tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për një prirje të vazhdueshme zhvillimi që ka ushtruar presion mbi peizazhin e mbrojtur.

“Shqipëria ka zgjedhur të mbrojë vetëm një pjesë relativisht të kufizuar të territorit të saj rreth 20%. Kjo do të thotë se ekzistojnë shumë zona të tjera ku mund të zhvillohen resorte, komplekse turistike dhe investime të mëdha pa cenuar asetet më të rëndësishme natyrore të vendit” – analizon Olsi.

Besjana Guri, nga Qendra Lumi, shton se projektet e tjera të përfolura, nëse do të realizohen, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shtratin e Vjosës dhe në grykëderdhjen e saj në det.

Kompanitë e përfshira

Në New Apollonia projekti ndahet në 4 blloqe zhvillimi sipas kompanive të përfshira. Grupi Balfin mban peshën kryesore me 377 ha (62.9%) tokë në shfrytëzim, rreth 1 milionë m² sipërfaqe ndërtimi të parashikuar për t’u zhvilluar, 5,161 njësi rezidenciale dhe hotele me 1,780 njësi.

Më pas vijnë:

  • Blue TDI (Pronarë përfitues: Arian e Besnik Leskaj; Bledar Sinani) me 107 ha; 272,385 m² sip. ndërtimi, 1,702 njësi rezidenciale dhe 525 hotelerie.
  • Agikons/S&D Invest (Pronar përfitues: Gentjan A. Sulaj) me 56 ha; 141,012 m² sip. ndërtimi, 1,162 njësi rezidenciale dhe 250 hotelerie.
  • Progeen (Pronar përfitues: Genc Kuçuku) me 59 ha, 149,541 m² sip. ndërtimi, 1,137 njësi rezidenciale dhe 275 hotelerie.

Këto të dhëna dhe ky masivitet ndërtimi nxisin pyetjen thelbësore nëse kemi të bëjmë me një projekt të vetëm të drejtuar nga Balfin, apo me një konsorcium të gjerë pronarësh dhe zhvilluesish, ku Balfin është aktori kryesor.

Faksimile e masterplanit New Apollonia në Darëzezë.

Ndryshe nga New Apollonia, UMEA nuk paraqet në masterplan një ndarje të qartë sipas kompanive zhvilluese. Dokumenti e ndan territorin në dy “klastera”, me funksione dhe sipërfaqe të ndryshme, ndërsa roli i kompanive të tjera të përmendura në materiale shoqëruese nuk ka sqarime të plota.

Njëri klaster kryesohet nga Balfin dhe tjetri nga një ortakëri mes grupit AGNA (Pronarë përfitues: Kosta Sotiri; Vasil, Kristo dhe Aleksandër Naçi); GR Albania (Pronarë përfitues: Realdo Mansaku dhe Gentjan Filaj) dhe sipërmarrësi Arian Leskaj.

Tabelat që përcillen në masterplan tregojnë për një interesim të bllokut të dytë zhvillues kryesisht te komplekset e golfit, që pritet të zënë rreth 72.2 ha (11.4% të sipërfaqes së alokuar në masterplan).

Në total, UMEA parashikon 308 ha parcela me 155 ha sipërfaqe ndërtim të projektuar.

Dokumentet nuk japin detaje për vlerat e mundshme të investimeve (nëse do jenë me investim kapitali të drejtpërdrejtë apo me shfrytëzim të kuotave të parablerjeve), por ato tregojnë qartë se projekte të tilla mund të zhvillohen edhe pa aktorë ndërkombëtarë si vëllezërit Al Khayyat në Sazan dhe Zvërnec.

Paralelisht, në QKB rezulton të jenë krijuar shoqëritë “New Apollonia” (korrik 2024) dhe “UMEA” (tetor 2024), të kontrolluara 100% nga Balfin me pronar përfitues sipërmarrësin Samir Mane.

Objekti i veprimtarisë së të dyja kompanive përshkruhet shumë i gjerë: zhvillim, projektim dhe ndërtim objektesh civile; shitje apo dhënie me qira e titujve të pronësisë; njësive të ndërtuara; veprimtari në fushën e turizmit; ngritje, operim dhe administrim strukturash akomoduese; shfrytëzim zonash malore apo bregdetare për qëllime turistike; administrim bashkëpronësie në ndërtesa, resorte dhe komplekse rezidenciale.

Ky objekt përputhet thuajse plotësisht me logjikën e masterplanit: ndërtim, turizëm, real estate, administrim resorti, plazhe dhe komplekse rezidenciale.

Në të njëjtën kohë, New Apollonia dhe UMEA rezultojnë si shoqëri mëmë dhe aksionere kryesore e të paktën 13 shoqërive të tjera:

  • Adriatic Shores Apolonia (pezulluar);
  • Apolonia Lagoon Development (pezulluar);
  • Apolonia Oasis Resorts (pezulluar);
  • Apolonia Elysian Estates (pezulluar);
  • Apolonia Hospitality (pezulluar);
  • Apolonia Golf Estates (pezulluar);
  • Agora Apolonia Estates (pezulluar);
  • Apolonia Wetlands Estates (pezulluar);
  • Dunescape Apolonia (pezulluar);
  • Marina Gateway Development (pezulluar);
  • Saphire Seas Development (pezulluar);
  • UMEA Development Holdings (aktive);
  • UMEA Seaside Hotel 2 (pezulluar);

Të dyja kompanitë mëmë të projekteve kanë zgjeruar kapitalin në një total prej rreth 5 milionë eurosh, ndërsa shumica e kompanive të lidhura me to janë pezulluar pranverën e vitit 2025 dhe prillin e këtij viti.

Faksimile e projektit UMEA.

Por vlen të theksohet se emrat e tyre nuk janë të rastësishëm. Ato përkojnë me pjesët funksionale të masterplaneve: bregdet, akomodim, marina, golf, resorte etj dhe kjo e bën pretendimin për “projekte të palançuara” jo dhe aq bindës.

Sepse një gjë është të porositësh një koncept arkitektonik, dhe tjetër gjë është të krijosh shoqëri me emra të dedikuar për komponentët e atyre koncepteve.

Në disa raste të tjera shfaqen edhe lëvizje kuotash me vlera të ulëta. Apolonia Seafront Properties, për shembull, rezulton fillimisht me New Apollonia si ortak themelues, ndërsa më pas kuotat i kalojnë “Blessed Investment” (Pronar përfitues: Besnik Leskaj) për 4,500 lekë, me detyrimin për kthimin e një huaje prej 70,000 lekësh.

Sigurisht, këto lëvizje nuk provojnë shkelje. Por ato janë sinjale të dyshimta për “red flags” dhe kërkojnë shpjegim se përse u krijuan këto shoqëri, pse u pezulluan kaq shpejt, pse u përdor kjo arkitekturë korporative dhe a korrespondojnë këto kompani me parcelat, fazat apo funksionet e masterplanit?

A u përdorën për të testuar strukturën ligjore të një projekti më të madh, apo u krijuan dhe u pezulluan pasi projekti thjesht u ngri si rrjedhojë e zhvillimeve në lidhje me Zvërnecin dhe Sazanin?

Pa përgjigje të qarta, dokumentet lënë përshtypjen e një projekti që kishte kaluar përtej fazës së ilustrimit.

Modeli që zhvendoset në veri

Prirja që shfaqet në masterplanet për Vjosë-Nartën dhe Darëzezën po shihet në forma të ngjashme edhe në veri të vendit.

Në një anë kemi projektin “Blue Borgo” të Gener 2 (Pronar përfitues: Ahmet, Astrit dhe Bashkim Ulaj) në Baks-Rrjoll. Ndërsa më tutje projektin Valamar Tale të lidhur me grupin Balfin, edhe ky tashmë në fazë më konkrete, dhe kjo kuptohet pasi figuron në rendin e ditës së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (link) më 23 korrik 2025.

Balfin, e ka prezantuar publikisht si një kapitull të ri zhvillimi në veri të vendit.

Ajo e ka lidhur këtë projekt me të njëjtën filozofi që kompania thotë se ka ndjekur në Hamallaj me Vala Mar Residences, transformim zone, rritje vlere pronash dhe “krijim destinacioni të integruar turistik e rezidencial”.

Për ironi, një nga fotografitë që grupi Balfin ka përdorur për ta reklamuar projektin, është me flamingot.

Faksimile e masterplanit Valamar Tale në deltën e lumit Mat.

Rasti i Valamar Tale tregon se modeli nuk është thjesht lokal, i përqendruar vetëm në një zonë të Shqipërisë, por po përsëritet nën një bashkëpunim të qartë jo vetëm sipërmarrësish, por edhe me qeverinë.

Në Hamallaj, Vala Mar shërbeu si precedent i resortit rezidencial pranë bregdetit, ku u provuan për herë të parë edhe kanalet e ujit mes rezidencave.

Në Tale, por edhe më tej në Vjosë-Nartë me New Apollonia dhe UMEA ai koncept zmadhohet në shkallë deri qindra hektarë.

Me Zvërnecin dhe Sazanin, modeli ka marrë dimension politik dhe ndërkombëtar. Për këtë nëse ato projekte kalojnë, e sigurt se “koncept-idetë” e tipit UMEA dhe New Apollonia do të konkretizohen në të gjitha deltat e lumenjve të Shqipërisë.

Kjo do të jetë Shqipëria e re bregdetare që projektohet: jo si rrjet zonash të mbrojtura, fshatrash, ligatinash dhe plazhesh publike, por si zinxhir resortesh të mbyllura në paketa “premium” dhe ujdi “real estate”.

The post Dy plane të fshehta resortesh në Darëzezë dhe deltën e Vjosës appeared first on Citizens.al.

  •  

Vlerat natyrore të Zonës së Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përballë sfidave aktuale

Autor: Prof. Aleko Miho*

Në gjithë këta vite të zhvillimit të vendit “qëndrueshmëria mjedisore,” term që buron që nga Kushtetuta (Neni 59, pika 1/dh) është shkelur me të dy këmbët. Është harruar thënia e popullit ‘gjella me kripë dhe kripa me karar’! Sot vendi vuan nga prerja masive e pyjeve, erozioni dhe përmbytjet; vuan grabitjen e shtreteve lumore për inerte; vuan ndotjen e ujërave, të ajrit, të tokës. Këtyre u shtohen edhe shumë ndikime nga e kaluara në bujqësi, industri, nxjerrje dhe përpunim mineralesh, hidrokarburesh etj. Nuk kanë mbetur pas në këta vite edhe përfshirja e zonave të mbrojtura si hapësira zhvillimi. Kjo jo pa pasoja në cilësinë e mjedisit, por edhe të vetë jetës sonë. Por jo pa pasoja edhe në statusin ndërkombëtar të zonave të mbrojtura, për shkak të ndërtimeve, ndotjes dhe menaxhimit të dobët.

Sektori i ndërtimit mban sot peshën kryesore në zhvillimin e vendit me rritje  të ndjeshme të lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqeve të miratuara për projekte të reja. Ka shumë shembuj të dukshëm qartë: kullat që nuk po reshtin të ndërtohen mes pallateve ekzistuese në Tiranë dhe gjetkë, duke mbytur lëvizjen në qytete, përkeqësuar cilësinë e ajrit, zhurmës, ujërave etj.; betonimi i rëndë i bregdetit nga Velipoja deri në Kasamil, jashtë çdo lloj kriteri urbanistik, ekologjik, turistik, etj.; ndërtimet brenda hapësirës ose ish hapësirës së zonave të mbrojtura, ndërtimet në zemër të Parkut të Dajtit, në Manastir dhe kodrat e Kasmilit, te Rana e Hedhun dhe Rrjoll, rreth burimeve të Drilonit, etj. Ngutja për një paketë të maleve të shpejtë, pa këshillime me ekspertët, ngutja për investime të ashtuquajtura strategjike, edhe aty ku shumëkush në kushte të rregullta nuk do mund të jepte leje…

Në këtë qasje hyjnë rishikimi i kufijve të zonave të mbrojtura, rrudhja dhe copëzimi (‘vrima-vrima’) i zonave të mbrojtura ekzistuese, pa kurrfarë justifikimi profesional (si te VKM-të 59/2022, 60/2022, 694/2022, etj.); ndryshimi i ligjit bazë të ZM-ve (Ligjit 81/2017, amenduar me Ligjin 21/2024) që prek ndjeshëm pasuritë natyrore më të ruajtura në vend. Këmbëngulja, heshtja dhe kokëfortësia deri në fund në miratimin e tyre, pa dëgjuar zërin e ekspertëve, të mjedisorëve, të institucioneve dhe akteve ndërkombëtare me të cilat Shqipëria është palë…

Investimi në kodrat dhe plazhin e Zvërnecit ishte kulmimi i gjithë kësaj qasje ndaj pasurive natyrore, ndaj mjedisit, që ndezi zemërimin dhe bëri që revolta popullore të shpërthejë. Edhe pse e hidhur për pushtetarët dhe politikë bërjen, Protesta është dëshmi se shpirti i qytetarëve, i rinisë nuk është shuar; se rinia pretendon për një zhvillim ndryshe, mbështetur te natyra te qëndrueshmëria. Si e tillë, ajo është shumë shpresëdhënëse dhe e shëndetshme edhe për vetë pushtetin dhe demokracinë në vend.

E gjithë hapësira Pishë Poro – Nartë, prej vitit 2004, e riparë nga VKM 694/2022, është shpallur Peizazh i Mbrojtur (Kategoria V, sipas IUCN dhe ligjit shqiptar). Por vlerat natyrore janë shumë herë më tepër; ato së bashku plotësojnë kërkesat e një Parku Kombëtar, apo me vlera ndërkombëtare të një zone Ramsar. Kjo zonë renditet si e rëndësishme për shpendët (IBA, Important Bird Area) nga BirdLife International, e klasifikuar si shumë e kërcënuar. Zona është gjithashtu ndër më të rëndësishmet për llojet bimore (IPA, Important Plant Area; kodi A35). Laguna e Nartës është kandidate për Rrjetin Emerald nën Konventën e Bernës; kandidate për rrjetin e habitateve të BE, EUROPA 2000; etj.

Kjo sepse hapësira Pishë Poro – Nartë dallohet për biodiversitet të pasur dhe të veçantë, në të cilën gjenden të ruajtura në gjendje të mirë dhe të shtrira gjerësisht mbi 35 habitate të mbrojtura nga direktivat e habitateve të BE, dhe EUNIS, ku 8 prej tyre janë në përparësi për mbrojtje. Rreth 40% e hapësirës janë habitate ujore, laguna dhe këneta, me përparësi në Direktivën e Habitateve (kodi 1150); këto habitate ujore dallohen nga prodhimtari e lartë, ku algat dhe makrofitet ujore kanë kontributin kryesor (disa prej tyre të rralla).

Gjithë hapësira e strehon afërsisht rreth 2,529 specie (1,350 bimë, 70 kërpudha dhe 1,109 kafshë). Mes tyre 287 lloje janë flutura dhe koleopterë, 191 brumbuj; 93 molusqe, 102 peshq, 248 shpendë dhe 46 gjitarë. Rreth 279 specie janë të kërcënuara ndërkombëtarisht; ndër to 99 specie bimore; 22 invertebrorë ujorë; 28 lloje fluturash dhe koleopterë; 130 lloje shpendësh, 5 peshq dhe 10 gjitarë janë në Shtojcat e Konventës së Bernës;  9 amfibë dhe 13 zvarranikë përfshihen në Listën e Kuqe të IUCN; 23 gjitarë, 17 zvarranikë dhe 3 amfibë janë në Shtojcat e Direktivës së Habitateve; 82 lloje shpendësh janë të përfshira në Shtojcat e Direktivës së Shpendëve; dhe 11 lloje janë në Shtojcën I të Konventës së Bonit; etj.

Rreth 224 lloje janë të rrezikuara për Shqipërinë: 41 bimë të larta; 29 flutura dhe 8 odonata; 35 molusqe dhe 25 krustace; 5 lloje peshqish; 4 amfibë dhe 13 zvarranikë; 58 shpendë; dhe 6 gjitarë; pra e thënë ndryshe zona përmban 47% të gjithë llojeve shtazore të rrezikuara në gjithë vendin.

Vendi që u rrethua në zonën e Zvërnecit, përveçse është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur, prek direkt 3 Monumente Natyre: 1) Kodrat molasike të Zvërnecit, 2) Lagunën Limopuo fshehur mes këtyre kodrave, dhe 3) Dunat Nartës/Akërnisë më të ruajturat në gjithë Mesdheun (të treja të Kategorisë III të mbrojtjes; VKM 303/2019). Por investimi nuk mund të mos prekë edhe zonën kënetore të Nartës dhe Akërnisë dhe gjithë vijën e veçantë bregdetare të kësaj zone, brezin e dunave që dallohen si nga ana gjeologjike dhe biodiversiteti. Madje ndikimi mund të shtrihet edhe në vetë mirëfunksionimin e regjimit ujor dhe biodiversitetin e lumit të Vjosës që është në unitet ekologjik dhe hidrodinamik me gjithë këtë zonë. Pa folur për ndikimin e drejtpërdrejtë që ka me Parkun Detar të Sazan – Karaburunit, një tjetër zonë elitare e mbrojtur dhe e vetme në vend si e tillë.

Foto: Zona ku planifikohet të investohet: a) shtresat shkëmbore molasike në kodrat e Zvërnecit; b) pamje të lagunës Limopuo; dhe pyllit të pishave mbi dunat e Nartë-Akërnisë; c & d, pamje dunave të Nartë-Akërnisë me  barin e dunave Ammophila arenaria.

Për këtë, nuk mundet që gjithë kjo hapësirë me vlerë mbarëkombëtare, dhe ndërkombëtare, ligjërisht e mbrojtur, të jepet për zhvillim projektesh të përmasave të mëdha. Asnjëherë nuk është vonë për vendimmarrjen, politikën, institucionet, investitorët të gjykojnë dhe veprojnë në zbatim të ligjit në favor të mbrojtjes dhe jo vetëm të pushtimit me ndërtime të asaj që ka mbetur!

Mendimi i ekspertëve vendas dhe të huaj është që Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë të përfshihet në Parkun Kombëtar ekzistues të Lumit të Egër të Vjosës (kategoria II). Kjo është theksuar qartë në Përmbledhjen për këtë zonë, të botuar prej nesh dhe dërguar kohë më parë Kryeministrit dhe gjithë personave të tjerë të rëndësishëm në vendimmarrje dhe politike bërje në vend. Këshilla jonë është që gjithë gjurma Pishë Poro – Nartë të lihet e lirë, e paprekur nga turizmi masiv dhe të përdoret me mençuri për projekte të mbështetur te natyra, te ekoturizmi, te turizmi familjar etj.

*Autori është Profesor në Departamentin e Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

The post Vlerat natyrore të Zonës së Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përballë sfidave aktuale appeared first on Citizens.al.

  •  

“Revolucioni Flamingo” në Diasporë- Ndaj përvojën tënde

Qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit po reagojnë kundër projektit të ndërtimeve në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. Nëse jetoni në diasporë, Citizens.al dëshiron të mësojë nëse keni protestuar, planifikoni të protestoni apo po organizoni aktivitete sensibilizuese në qytetin ku jetoni.


Ndani me ne përvojën, arsyet që ju shtyjnë të mbështesni këtë kauzë dhe ndani me ne foto ose video nga aktivitetet tuaja. Zëri i diasporës është pjesë e rëndësishme e kësaj ngjarjeje.



The post “Revolucioni Flamingo” në Diasporë- Ndaj përvojën tënde appeared first on Citizens.al.

  •  

Zhvillimi që s’duam: Sa kushton një flamingo?

Autore: Ada Dimo*

Sot na është shitur ideja se zhvillimi ekonomik kërkon domosdoshmërisht investime të natyrës së atyre që parashikohen në zonën e Zvërnecit. Nuk do të ndalem këtu te aspektet juridike, procedurat administrative apo mungesa e transparencës, por vetëm te këndvështrimi i ekonomisë së zhvillimit.

Shpesh në diskursin publik zhvillimi ekonomik barazohet me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).

Megjithatë, rritja e GDP-së nuk nënkupton domosdoshmërisht zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Veçanërisht në vendet në zhvillim, rritja ekonomike mund të mbështetet kryesisht në zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe në shfrytëzimin më intensiv të burimeve natyrore, pa garantuar domosdoshmërisht përmirësim afatgjatë të mirëqenies, produktivitetit apo cilësisë së jetës.

Për këtë arsye, debati bashkëkohor ekonomik është zhvendosur nga pyetja “sa rritet ekonomia?” tek pyetja “sa e qëndrueshme është kjo rritje?”. Sot rëndësi kanë struktura e prodhimit, konkurrueshmëria, kapaciteti inovativ, eksportet, cilësia e investimeve të huaja dhe aftësia e një vendi për të krijuar vlerë të shtuar pa konsumuar kapitalin e vet natyror.

Në ekonominë shqiptare, investimet e huaja direkte (FDI) paraqiten shpesh si motori kryesor i zhvillimit. Është e vërtetë se ato mund të sjellin vende pune, të ardhura fiskale dhe transferim njohurish. Megjithatë, një strategji zhvillimi e bazuar ekskluzivisht në tërheqjen e kapitalit të huaj mbart edhe rreziqe. Një shtet që synon zhvillim afatgjatë duhet të jetë i aftë jo vetëm të presë investitorë, por edhe të përvetësojë teknologjinë, njohuritë dhe kapacitetet prodhuese që këto investime sjellin, në mënyrë që gradualisht të bëhet vetë prodhues dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar. Përndryshe, ekziston rreziku që ekonomia të mbetet e varur nga kapitali i jashtëm dhe nga shfrytëzimi intensiv i burimeve të veta natyrore.

Kjo na çon te koncepti klasik i zhvillimit të qëndrueshëm, i formuluar nga Komisioni Botëror për Mjedisin dhe Zhvillimin në raportin Our Common Future (1987), sipas të cilit: “Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillimi që plotëson nevojat e së tashmes pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre.”

Ky përkufizim ngre një pyetje thelbësore për rastin e Zvërnecit: çfarë po u lëmë brezave të ardhshëm? A po krijojmë pasuri afatgjatë, apo po konsumojmë një pasuri natyrore që nuk mund të rikrijohet?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e nevojshme të ndalemi shkurtimisht te dy qasjet kryesore të ekonomisë së qëndrueshme: “weak sustainability” dhe “strong sustainability”. Sipas teorisë së “weak sustainability”, format e ndryshme të kapitalit – natyror, fizik, njerëzor dhe financiar – janë, të paktën pjesërisht, të zëvendësueshme me njëra-tjetrën. Në këtë logjikë, humbja e një pjese të kapitalit natyror mund të konsiderohet e pranueshme nëse kompensohet nga investime, infrastrukturë, teknologji apo përfitime të tjera ekonomike që rrisin mirëqenien e përgjithshme.

Por teoria e “strong sustainability” e kundërshton këtë supozim. Sipas saj, ekzistojnë forma të kapitalit natyror që janë të pazëvendësueshme dhe që kryejnë funksione jetike për mirëqenien njerëzore. Lagunat, ekosistemet bregdetare, biodiversiteti, rregullimi klimatik dhe funksionet ekologjike nuk mund të zëvendësohen me para, ndërtesa apo investime të tjera. Humbja e tyre përbën një humbje reale të pasurisë kombëtare.

Në rastin e Zvërnecit, pyetja nuk është thjesht sa vende pune mund të krijohen apo sa mund të rritet GDP-ja. Pyetja është nëse një ekosistem me vlera të veçanta natyrore, ekologjike dhe turistike përbën një formë të kapitalit kritik natyror. Nëse përgjigjja është po, atëherë dëmtimi i tij nuk mund të justifikohet thjesht me argumente ekonomike afatshkurtra.

Debati mbi Zvërnecin është, ndër të tjera, një debat mbi modelin e zhvillimit që Shqipëria dëshiron të ndjekë. Një model që mat suksesin kryesisht përmes rritjes ekonomike afatshkurtër, apo një model që synon të ruajë pasuritë natyrore si bazë të mirëqenies dhe prosperitetit afatgjatë?

Prandaj, pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve në këto protesta merr një kuptim edhe më të veçantë. Në fund të fundit, janë pikërisht ata që do të jetojnë me pasojat e vendimeve që merren sot. Kur diskutojmë për zhvillimin e qëndrueshëm, nuk bëhet fjalë vetëm për interesat e brezit aktual, por edhe për të drejtën e brezave të ardhshëm për të trashëguar një mjedis të shëndetshëm dhe burime natyrore të ruajtura.

*Ada Dimo është juriste me mbi 13 vite përvojë profesionale, kryesisht në sektorin e organizatave jofitimprure. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe mban një Master në Cooperation and Development nga Departamenti i Ekonomisë së Zhvillimit dhe Menaxhimit të Ciklit të Projekteve (PCM) në Universitetin e Pavias. Aktualisht është në përfundim të studimeve LL.M. në European Human Rights Law në Eötvös Loránd University (ELTE), Budapest, Hungari.

The post Zhvillimi që s’duam: Sa kushton një flamingo? appeared first on Citizens.al.

  •  

Shqipëria duhet t’i marrë seriozisht politikat industriale të gjelbra

Autore: Valbona Mazreku*

Revolucionet industriale nuk ndjekin kalendarë, por vendosin afate. Për Shqipërinë, një nga më të rëndësishmit ka filluar tashmë: Mekanizmi i Tarifës së Karbonit në Kufi (CBAM) i Bashkimit Evropian, i cili hyri në zbatim në fillim të vitit 2026. Si pjesë e Green Deal-it evropian, ky instrument synon të vendosë një çmim të drejtë mbi emetimet e karbonit për mallrat me intensitet të lartë karboni që importohen në BE.

Për industrinë shqiptare, kjo nuk është thjesht një çështje mjedisore. Është një çështje konkurrueshmërie dhe kostoje. Sektorë si çimentoja, çeliku, alumini, plehrat kimike dhe energjia elektrike janë drejtpërdrejt të ekspozuar. Çdo ton mall që eksportohet drejt BE-së do të mbajë një kosto të re: çmimin e karbonit. Dhe, në mungesë të raportimit të verifikuar, kjo kosto do të llogaritet sipas mesatares së BE-së, që zakonisht është më e lartë se realiteti vendas.

Një studim mbi politikat industriale të gjelbra për Ballkanin Perëndimor, i hartuar nga një ekip rajonal dhe i botuar vitin e shkuar nga Instituti GAP me mbështetjen e Open Society Foundations parashtron se çfarë nënkuptojnë këto afate dhe çfarë duhet të bëjnë vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, për t’iu përgjigjur atyre.

Strategjia e dikurshme “zhvillohu tani, pastrohu më vonë” nuk funksionon më. Pyetja nuk është më nëse Shqipëria do të ketë një politikë industriale të gjelbër, por nëse ajo do të jetë e menduar dhe e drejtuar nga vetë vendi, apo do të vijë në mënyrë të fragmentuar nga rregulla të jashtme.

Presioni mbi industrinë

Industria e çimentos, një nga eksportuesit kryesorë të vendit, e ilustron qartë këtë realitet. Edhe pse prodhimi i betonit ka rënë vitet e fundit, nga 1,93 milionë tonë në vitin 2021 në 1,70 milionë tonë në vitin 2024, prodhimi i çimentos mbetet i lartë falë eksporteve. Por, tani, këto eksporte do të përballen me një kosto të re: çdo ton çimentoje që hyn në BE do të vlerësohet për përmbajtjen e karbonit, dhe importuesit do të duhet të blejnë certifikata CBAM.

Këto nuk janë kosto simbolike. Me çmimin e karbonit në tregun evropian që luhatet në 60–80 euro për ton CO₂, ndikimi mbi marzhet e fitimit mund të jetë i ndjeshëm.

Energjia: një avantazh i rrallë

Shqipëria ka një kartë të fortë në dorë, energjinë. Me një sistem elektrik që mbështetet thuajse tërësisht në hidroenergji, vendi ka faktor emetimi praktikisht zero. Ndryshe nga shumë vende të rajonit, eksportet shqiptare të energjisë drejt BE-së nuk mbartin kosto shtesë karboni.

Madje, prodhimi hidro është rritur ndjeshëm: në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 3.27 TWh, një rritje prej 70% krahasuar me një vit më parë. Kjo krijon mundësi reale për eksporte më të larta dhe për pozicionim më të mirë në tregjet rajonale dhe evropiane.

Çfarë ka në dorë Shqipëria?

Struktura ekonomike e vendit ofron disa avantazhe të qarta. Industria përbën rreth një të katërtën e PBB-së, eksportet janë të orientuara drejt BE-së, ndërsa energjia elektrike është thuajse tërësisht e rinovueshme. Për më tepër, eksportet kryesore si: tekstilet, këpucët dhe mineralet, nuk janë ende në fokusin fillestar të CBAM-it.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ekspozimi i Shqipërisë ndaj këtij mekanizmi është më i kufizuar. Por kjo nuk është arsye për vetëkënaqësi, përkundrazi.

Pyetja thelbësore nuk është nëse Shqipëria ndëshkohet sot nga CBAM-i, por nëse ajo do të arrijë të përfitojë nga një rajon që është nën trysni për t’u dekarbonizuar. Autorët evidentojnë mundësi të qarta: deri në 2,500 MW kapacitet shtesë nga energjia e erës dhe 2,000 MW shtesë nga energjia diellore deri në vitin 2030, që do të plotësonin hidroenergjinë ekzistuese; depozita të rëndësishme litiumi, bakri, nikeli dhe kromi, me materiale dytësore të rikuperueshme në mbetjet minerare; Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) tashmë e operacionalizuar me Kosovën; projekte ndërlidhjeje rrjeti me Italinë, Kroacinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut; Qendra Rajonale e Inovacionit e EIT Raw Materials e hapur së fundmi; dhe perspektiva që, falë energjisë së bollshme të pastër, Shqipëria të bëhet destinacion për qendra të dhënash të furnizuara me energji të gjelbër që i shërbejnë industrisë së inteligjencës artificiale.

Potenciali është i dukshëm. Në një botë që kërkon energji të pastër, këto janë avantazhe reale.

Në thelb, problemi nuk është nëse Shqipëria ka më shumë mundësi se shumica e fqinjëve të saj, por rrezikon t’i shpërdorojë.

Çfarë e pengon?

Problemi nuk është mungesa e burimeve, por mënyra si përdoren ato. Produktiviteti i burimeve është 0,455 euro për kilogram materiali të konsumuar, kundrejt mesatares së BE-së prej 1,987 euro që do të thotë se ekonomia shqiptare prodhon rreth një të katërtën e vlerës që prodhon BE-ja nga çdo kilogram materiali të përdorur. Sektori minerar ka depozita të pasura, por infrastrukturë të vjetëruar, investime të pamjaftueshme dhe shqetësime serioze mjedisore nga ekstraktimi joefikas. Ndotja e ajrit në Tiranë dhe Elbasan është një problem me rëndësi për shëndetin publik.

Dominimi i hidroenergjisë është një pikë e fortë në vitet normale dhe një cenueshmëri në vitet me thatësirë; ndryshueshmëria klimatike tashmë po ndikon në prodhimin elektrik. Nga ana sociale, në vitin 2020, 44% deri 59% e familjeve shqiptare me të ardhura të ulëta kishin vonesa në pagesat e faturave të shërbimeve afro tre deri katër herë më shumë se sa norma në BE. Kjo do të thotë se çdo rregullim i çmimit të energjisë do të godiste një popullsi që tashmë është në skaje.

Këto nuk janë argumente kundër tranzicionit. Janë argumente për ta projektuar tranzicionin duke pasur realisht parasysh njerëzit që do të preken prej tij.

Çfarë duhet bërë?

Agjenda e gjelbër për rajonin është tashmë e qartë: vendosja e një çmimi real për karbonin, heqja graduale e subvencioneve për lëndët fosile, forcimi i standardeve mjedisore dhe afrimi më i ngushtë me politikat e Bashkimit Europian. Por tranzicioni nuk mund të jetë vetëm teknologjik apo financiar; ai duhet të jetë edhe social, duke garantuar që fuqia punëtore të ketë aftësitë e nevojshme për ekonominë e re të gjelbër.

Për Shqipërinë, kjo nënkupton hapa konkretë si modernizimi i industrisë minerare, ndërtimi i një sistemi të besueshëm për matjen dhe raportimin e emetimeve, si dhe diversifikimi i prodhimit energjetik përmes zgjerimit të energjisë diellore dhe të erës përkrah hidroenergjisë. Njëkohësisht, vendi duhet të përdorë më strategjikisht potencialin e eksporteve të energjisë dhe të tërheqë investime në industri me emetime të ulëta dhe teknologji të pastra.

Po aq i rëndësishëm është investimi në kapitalin njerëzor. Në Shqipëri, papunësia tek të rinjtë me arsim të lartë u rrit nga 18.6% në vitin 2024 në 22.9% në vitin 2025, çka tregon hendekun mes sistemit arsimor dhe aftësive që kërkon tregu i punës. Kjo do të thotë se tranzicioni i gjelbër nuk mund të mbështetet vetëm tek arsimi formal, por kërkon politika aktive rikualifikimi, formimi profesional dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, sidomos në sektorë si energjia e rinovueshme, eficienca energjetike dhe teknologjitë e pastra.

Përvoja e sektorit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri dhe në rajon tregon se trajnimet praktike, modelet “work-based learning” dhe bashkëpunimi mes biznesit dhe universiteteve mund të krijojnë vende pune me produktivitet më të lartë dhe paga më konkurruese. Një model i ngjashëm mund të aplikohet edhe për ekonominë e gjelbër, përmes krijimit të qendrave lokale të aftësimit, programeve të rikualifikimit për punëtorët në sektorët.

Sfida reale

Sfida më e madhe nuk është teknike, është institucionale. Kërkon bashkërendim mes institucioneve, politika të qëndrueshme financimi dhe një proces vendimmarrjeje që përfshin industrinë dhe shoqërinë. Këtu ndahen vendet që kapin mundësitë nga ato që i humbasin.

Shqipëria ka një avantazh real: energji të pastër, pozicion strategjik dhe potencial të pashfrytëzuar. Por këto nuk mjaftojnë. CBAM-i është realitet.

Muajt dhe vitet në vijim do të përcaktojnë nëse vendi do të ndërtojë një politikë industriale të gjelbër me vizion, apo do të përshtatet me vonesë ndaj rregullave të të tjerëve.

*Valbona Mazreku është themeluese dhe drejtuese e Milieukontakt Shqipëri. E diplomuar në biologji dhe juridik në Universitetin e Tiranës, ajo ka mbi 26 vite eksperiencë si eksperte mjedisi, me kontribut të spikatur në zhvillimin e lëvizjes mjedisore shqiptare,  mbështetjen e organizatave në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, politikat mjedisore, energjitike, etj.

The post Shqipëria duhet t’i marrë seriozisht politikat industriale të gjelbra appeared first on Citizens.al.

  •  

“Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit”, një dokumentar për modelin e zhvillimit

Nëse do ta shikonim Tiranën si turistë, apo thjesht duke e vëzhguar nga lart, me gjasë se do ta perceptonim edhe ne si ai qyteti tipik në zhvillim.

Vija e drejtë e bulevardit qendror, që lartësohet nga kulla dhe plot projekte që premtojnë modernitet. Një panoramë zhvillimi që duket se të bind se ky qytet është tejet i jetueshëm.

Por qyteti nuk kuptohet nga qielli. Nuk kuptohet si vizitor. Ai lexohet në tokë, nga ata që e jetojnë çdo ditë, në rrugët që janë ngushtuar, hapësirat që janë zhdukur, ndërtesat e vjetra që nuk janë më dhe në historitë që janë fshirë për t’i hapur vend një tjetër vizioni.

Dokumentari “Tirana vertikale: Arkitektura e pushtetit”, nuk është thjesht një rrëfim për kullat. Është një dëshmi vizuale mbi mënyrën se si pushteti e ndryshoi kryeqytetin, dhe përmes tij, realitetin.

Ndryshimi u shfaq fillimisht si një vizion përmes Planit të Përgjithshëm Vendor “Tirana 2030,” i cili premtoi një qytet të balancuar: me hapësira publike, unaza të gjelbra, transport të organizuar dhe zhvillim të kontrolluar. Një shkëputje nga kaosi i së shkuarës nën tranzicionin pa rregulla.

Por zhvillimi real ndoqi një tjetër trajektore. Në vend të një qyteti të planifikuar, u materializua një qytet “i negociuar.” Një hapësirë ku plani u shkel vazhdimisht, rregullat u anashkaluan dhe zhvillimi u kanalizua drejt një modeli të vetëm: vertikalitetit.

Në një dekadë, mbi 140 projekte kullash u shqyrtuan ose miratuan. Miliona metra katrorë ndërtim kanë ndryshuar përfundimisht profilin e kryeqytetit duke bërë që të mbizotërojë një konfuzion i thellë: për kë u ndërtua ky qytet?

Doriana Musai, arkitekte dhe planifikuese urbane, na përcjell në disa pika kyçe të Tiranës, aty ku historia urbane është thyer ose transformuar.

Stadiumi Kombëtar, i kthyer në një model partneriteti publik-privat, ku funksioni publik duket gjithnjë e më periferik.

Piramida, një simbol i diktaturës që nuk u përball me të shkuarën, por u ripaketua në një formë të re, pa e zgjidhur konfliktin e saj historik.

Teatri Kombëtar, i shembur në mënyrë brutale, në një moment që ndryshoi raportin mes qytetarëve dhe pushtetit. Të tria, ndonëse të ndryshme, tregojnë të njëjtën logjikë: transformim, privatizim ose zhdukje në funksion të një zhvillimi që e shpërfilli publikun.

Ervin Goci, pedagog i komunikimit, prej vitesh aktivist i çështjeve publike, ndalet te sheshi “Skënderbej” për ta treguar atë jo si një histori suksesi urban, por si një mekanizëm, sipas së cilit u ushqyen më tej projektet e kullave.

Një hapësirë që krijon iluzionin e frymëmarrjes, ndërkohë që përreth saj u ndërtua dhe po vijohet të ndërtohet në densitet ekstrem. Sheshi u kthye në një skenë ku ekspozohen kullat, ndërsa qytetarët u detyruan të zhvendosen në periferi të vetë përvojës urbane.

Një ndryshim i heshtur, por thelbësor ku qyteti nuk u organizua më për njerëzit, por për të mbështetur një model zhvillimi që justifikoi edhe flukse buxhetesh që në rrethana dhe kontekste të tjera nuk do të mund të ishin justifikuar.

Historia e një qyteti nuk zhduket vetëm duke shembur godinat historike të saj, por edhe duke i transformuar ato. Ndërtesat humbasin identitetin, funksionet ndryshojnë, dhe me kalimin e kohës qyteti fillon të harrojë vetveten.

Në këtë proces, arkitektura nuk është më thjesht procesi i ndërtimit, por kthehet në instrumentin e pushtetit, komunikimit dhe kontrollit.

Prof. Dr. Nebi Bardhoshi sjell një rrugëtim antropologjik të projektit në tentativë të “Bulevardit të Ri”, ku analizon sesi shoqëria dhe kontekstet sociale të zonave të ndryshme të Tiranës u shpërfillën dhe anashkaluan nga interesat e ndërtimit.

Mungesa e lidhjeve të forta komunitare bëri që rastet e xhentrifikimit si te 5 Maji; Unaza e Madhe; Kombinati; Shkoza etj. të kaloheshin pa një analizë dhe kuptim të thellë shoqëror.

Dokumentari nuk jep një përgjigje të thjeshtë, por lë një pyetje të hapur: Çfarë është Tirana sot? Një qytet i qytetarëve? I turistëve? Apo i atyre që e ndërtojnë dhe e tregtojnë atë?

Mes kullave, hapësirave të mbetura dhe kujtesës që zbehet, mbetet një realitet më kompleks se çdo render apo projekt. Një qytet që duhet kuptuar përpara se të jetë shumë vonë për ta ndryshuar dhe korrigjuar atë.

Kliko këtu për të lexuar versionin e transkriptuar të dokumentarit.

Shiko gjithashtu:

The post “Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit”, një dokumentar për modelin e zhvillimit appeared first on Citizens.al.

  •  

Hulumtim: Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash 

Lumi Drin i Bardhë po shndërrohet në një “vendgrumbullim të lëvizshëm” mbeturinash, pasi ndotja nga mbetjet urbane dhe ujërat e zeza transportohet përgjatë rrjedhës së tij.

Sipas raportimit, mbeturinat hidhen në pika të ndryshme, por për shkak të rrjedhës së lumit ato grumbullohen dhe zhvendosen vazhdimisht, duke krijuar zona të ndotura përgjatë gjithë shtratit. Banorët dhe aktivistët lokalë theksojnë se kjo situatë vazhdon prej vitesh dhe lidhet me mungesën e menaxhimit të mbetjeve dhe shkarkimet e pakontrolluara.

Ndotja ka pasoja të drejtpërdrejta për mjedisin dhe shëndetin, duke dëmtuar ekosistemin e lumit dhe duke rrezikuar përdorimin e ujit për bujqësi apo aktivitete të tjera. Megjithëse ka shqetësime dhe reagime nga komuniteti, ndërhyrjet institucionale konsiderohen të pamjaftueshme për të ndalur degradimin e vazhdueshëm të lumit.

Lexo hulumtimin në shqip:

Lexo hulumtimin në anglisht:

The post Hulumtim: Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash  appeared first on Citizens.al.

  •  

Mes fitimit dhe natyrës: Dilema e aktiviteteve ujore në Vjosë

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Këto ditë bëri bujë në rrjete dhe media ndërhyrja e policisë për ndalimin e lundrimit në Vjosë, tentuar jashtë afatit të paravendosur nga ekspertët në Planin e Menaxhimit (PM) të Parkut (1 maj-15 tetor). Edhe mua nuk më pëlqeu një gjë e tillë. 

Reagimit të operatorëve të rafting, Ministria e Mjedisit, në një takim urgjent me palët, vendosi ta shtrijë këtë aktivitet për një periudhë më të gjerë vjetore, 1 prill deri 30 nëntor.

Pak javë më parë, si ekspertë vendas dhe të huaj, u ftuam të njiheshim me kërkesat e federatës dhe subjekteve të këtij aktiviteti ujor dhe të jepnim mendime për mundësinë e rishikimit të kufizimeve në Planin e Menaxhimit, nën ftesën e IUCN dhe të Administratës së Parkut.

Uroj që këshillimet tona të jenë pasur parasysh në vendimmarrjen nga ana e Ministrisë së Mjedisit, edhe pse nuk vura re të ishte i pranishëm ndonjë nga ekspertët e hidromorfologjisë dhe ekologjisë lumore.

Le të theksoj që në fillim se ekspertët dhe përvoja në mbarë botën nuk janë kundër aktiviteteve ujore, por sa më të kufizuara dhe të kontrolluara të jenë ato, aq më mirë është për ekologjinë lumore; aq më tepër kur bëhet fjalë për një Park Kombëtar tepër të veçantë për vlerat hidromorfologjike dhe të biodiversitetit, por tepër të brishtë, për ruajtjen e tyre në vazhdimësi, pra për qëndrueshmërinë e tyre.

Të gjitha ndërhyrjet nga aktivitetet ujore së bashku ndikojnë në habitatet lumore, në biodiversitet, por ato ndikojnë edhe në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e banorëve të zonës. Për rrjedhojë, zhvillimi pa kufizim i aktiviteteve çlodhëse ujore nuk përbën asnjëherë një risi pozitive dhe histori suksesi për zhvillimin e turizmit dhe prosperitetin e zonës.

Megjithatë, duke shpresuar të vij në ndihmë të palëve dhe të gjej mirëkuptimin e tyre, por jo vetëm, po sjell më poshtë përmbledhtas cili është mendimi dhe përvoja mbarëbotërore mbi qasjen mjedisore ndaj aktiviteteve ujore, veçanërisht në një park lumor, dhe pse ekspertët e Planit të Menaxhimit (Kovarovics & Michael, 2024), e kanë trajtuar këtë me shumë kujdes nga fillimi në fund.

Kërkesat e subjekteve dhe qëndrueshmëria mjedisore

Në shkresën e tyre nga Federata e Rafting dhe subjektet e interesuara nga zona drejtuar Administratës së Parkut kërkoheshin 4 lëshime të qenësishme:

  1. Heqja e orareve fikse të hyrjes për aktivitetet ujore;
  2. Rritja e numrit të lejuar të gomoneve në vit; 
  3. Lundrimi përgjatë gjithë gjatësisë së lumit; 
  4. Heqja e lundrimit stinor dhe lejimi gjatë gjithë vitit. 

E gjitha nën argumentimin për të rritur ‘potencialin ekonomik për komunitetet lokale dhe bizneset turistike të zonës’. Po qasja mjedisore? 

Kjo do të thotë që kërkohet të lejohet të lundrohet kudo përgjatë lumit; pa kufizime në kohë vjetore, stinore, ditore; pa kufizime në sasi dhe shpeshtësi varkash, të cilat lëvizin në ujë pikërisht në Zonën Qendrore të Parkut. 

Si i tillë, edhe këtu si dhe gjetkë në Shqipëri qasja është thjesht si biznes i pastër, në emër të zhvillimit të zonës! Kurse qasja mjedisore dhe etiketimi ‘ecorafting’ është zero!

Në gjithë këta vite të zhvillimit të vendit ne në Shqipër “qëndrueshmërinë mjedisore,” term që buron që nga Kushtetuta (Neni 59, pika 1/dh) e kemi shkelur me të dy këmbët. Kemi harruar mençurinë e popullit që thotë ‘gjella me kripë dhe kripa me karar’! 

Nuk mund ta ngarkosh një avion apo një anije me më shumë ngarkesë se kapaciteti mbajtës!

Kjo është arsyeja që vendi vuan shumë prerjen masive të pyjeve, erozionin dhe përmbytjet; betonimin e skajshëm urban dhe atë të bregdetit mbarë, nga veriu në jug; deri dhe në ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, madje deri dhe me ndryshim ligji. 

Të gjitha këto jo pa pasoja në cilësinë e mjedisit, por edhe të vetë jetës sonë. Por jo dhe pa pasoja në statusin ndërkombëtar të zonave të mbrojtura; sot diskutohet për praninë në UNESCO të PK të Butrintit dhe Liqenit të Ohrit, për shkak të ndërtimeve të paligjshme, ndotjes urbane/minerare dhe menaxhimit të dobët. 

Por edhe PK i Vjosës nuk duket se është larg shqetësimeve nga kjo qasje natyrore e verbuar nga zhvillimi i çastit. 

Kjo bie dukshëm në sy gjatë vizitave dhe nga gjetjet tona shkencore në vite, por dhe nga vlerësimi i bërë nga ekspertët (p.sh: Rama A., 2025, mbi hartëzimin e presioneve në PK të Lumit Vjosë).

Rrjeti lumor i Vjosës, i veçantë nga ana hidromorfologjike dhe biodiversiteti

Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës, si i tillë, është një zonë me hidromorfologji dhe biodiversitet të rrallë; një nga lumenjtë e fundit me rrjedhje të lirë në Evropë (Acta ZooBot Austria, 155/1, 2018; Sovinc, 2023; Kovarovics & Michael, 2024; etj.), bashkë me shumë nga degët e tij. 

Brenda shtratit lumor gjenden shumë habitate të Natura 2000 dhe EUNIS, të shtrira gjerësisht dhe të mirëruajtura.

Në pjesën e mesme, brenda shtratit lumor, gjenden 16 habitate ujore dhe tokësore në përparësi që përfshijnë mjedise të ndryshme; secili luan rol vendimtar në dinamikën dhe biodiversitetin e ekosistemit lumor (A1-A7; B0-B2; C0-C2; BC3 dhe BC4; D).

Përgjatë brigjeve janë habitate të tjera që dominohen kryesisht nga bimësia mesdhetare bregore (ripariane), me rrap (Platanus orientalis) dhe komunitete të pasura me specie si Populus alba, Salix spp., Alnus glutinosa, Fraxinus angustifolia, Quercus robur, Ulmus minor, Tamarix parviflora, Vitex agnus-castus, Imperata cylindrica, Phragmites, Typha, etj. (Annex I, 72A0; 92C0; 92A0; 92D0; 6310; 6420; 91E0; 3280; sipas kategorive të Natura 2000). 

Habitatet me bimë të zhytura dhe makrofite ujore (3110, 3130, 3140 dhe 3150) janë përbërës të tjerë jetikë të ekosistemit lumor si prodhues parësorë, por edhe si fitopastrues të lëndëve ushqyese ose ndotëse të tepërta, të cilat nuk mungojnë në ujërat e lumit: azot dhe fosfor; metale të rënda; lëndë ndotëse organike; nanoplastika; etj.

Përgjatë brigjeve, sidomos në pjesën e sipërme të Vjosës (zona e zgjedhur për aktivitetet ujore në fjalë), krahas habitateve të përmendura më sipër gjenden të ruajtura mirë habitatet e shpateve shkëmbore gëlqerore me bimësi kazmofitike (8210), katër prej tyre në përparësi dhe me interes të madh ruajtjeje.

Këto habitate përfshijnë komunitete bimore termo- dhe meso-mesdhetare me Campanula versicolor, Silene spp., Saxifraga spp., Ramonda serbica, Pinguicula hirtiflora, etj.; kullota gjysmë-natyrore të thata dhe shkurre mbi substrate gëlqerore (6210* të rëndësishme për bimë salepore).

Në pjesën e poshtme të rrjedhës lumore, në të dy anët e grykëderdhjes, gjenden mbi 35 habitate të listuara në Natura 2000 dhe EUNIS, duke përfshirë 8 habitate në përparësi, të gjitha të rrezikuara dhe me vlera të larta floristike.

Përmendim habitatet me duna lëvizëse me Ammophila arenaria (duna të bardha) (2120); duna bregdetare me Juniperus spp. (2250), habitat me interes komunitar; duna të pyllëzuara me Pinus pinea dhe/ose P. pinaster (2270); livadhe të kripura mesdhetare (1410); stepat mesdhetare të kripura (1510*); etj.

Duhet theksuar se habitatet lumore/breglumore dhe ato të deltës janë thelbësore për funksionimin ekologjik të gjithë ekosistemit lumor dhe të gjitha gjallesave që aty strehohen prej miliona vjetësh, shumë prej tyre të rralla dhe të kërcënuara. 

Të gjitha këto habitate lumore/breglumore strehojnë së bashku rreth 1,890 specie të njohura deri sot, mbi 820 lloje bimësh dhe rreth 1,070 lloje kafshësh (Tab. 1). Prej tyre, rreth 40 specie janë të rrezikuara sipas IUCN, dhe rreth 120 janë në Listën e Kuqe të Shqipërisë (2013). 

Përveç kësaj, rreth 150 specie gjenden në Shtojcat 1-3 të Konventës së Bernës për llojet migratore, mbi 40 specie në Direktivën e Shpendëve, mbi 80 specie në Shtojcën I të Direktivës së Shpendëve (Bino et al., 2023), dhe rreth 80 specie në Direktivën e Habitateve. Vjosa dhe degët e saj të paprekura janë streha e fundit e specieve pothuajse të zhdukura, të rralla ose të reja. 

Së fundi, 12 lloje janë gjetur të reja për shkencën (Tab. 2): 8 lloje dhe një gjini e re invertebrorësh, dhe 4 lloje cianobakteresh; përshkrime të tjera të reja janë në proces.

Vjosa, delta përkatëse, përfshirë këtu lagunën e Nartës, bëjnë që e gjithë kjo zonë të jetë e veçantë për larminë e peshqve dhe mbijetesën e tyre, si dhe për peshkimin dhe akuakulturën. 

Ekosistemi lumor është korridor ujor, vend strehimi, ushqimi dhe, për disa, edhe vend riprodhimi për së paku 37 lloje peshqish, përfshirë 11 lloje endemike të Ballkanit; përmendim këtu: Barbus prespenis, Squalius platyceps, Oxynoemacheilus pindus, Alburnus scoranza, Anguilla anguilla, Alburnoides cf. prespensis, Pachychilon pictum, Gobio scadarensis, Cobitis ohridaba, Salmo farioides, Salmo trutta fario, etj.

Habitatet lumore të Vjosës dhe degëve strehojnë 32 lloje reptilësh nga 37 lloje që njihen gjithsej në Shqipëri. 

Disa nga amfibët dhe reptilët bëjnë pjesë në Shtojcën II të Direktivës së Habitateve, si lloje të faunës të mbrojtura rreptësisht: Bufotes viridis, Bombina variegata, Testudo hermanni, Emys orbicularis, Mauremys rivulata, Pseudopus apodus, Podarcis taurilinea, Natrix tessellata; ose në Shtojcën II: Bufo bufo, Rana graeca, Pelophylax kurtmuelleri, Pelophylax shqipericus, Natrix natrix të Konventës së Bernës (Kovarovics & Michael, 2024).

Nga 295 lloje shpendësh që vizitojnë gjithë pellgun, mbi 88 lloje folezojnë dhe riprodhohen në zonë, disa prej tyre të lidhura ngushtë me brigjet lumore si: Riparia riparia, Burhinus oedicnemus, Charadrius dubius, Merops apiaster, kryesisht në lumin Shushicë, Alcedo atthis, Actitis hypoleucos, Ciconia nigra, Neophron percnopterus, Coracias garrulus, etj. (Bino et al., 2023); si dhe lundërza (Lutra lutra), gjitar ujor globalisht i kërcënuar, nga rreth 70 lloje gjitarësh që banojnë brenda pellgut.

Përveç kësaj, brenda pellgut ujëmbledhës janë regjistruar rreth 380 lloje bimësh aromatike dhe mjekësore (BAM), ku 330 janë lloje të egra, një sektor ekonomik shumë i rëndësishëm për zonën; por jo i pashqetësuar, pasi rreth 46 lloje janë të rrezikuara, të kërcënuara ose nën mbrojtje. 

Rreth 70 lloje BAM rriten pranë habitateve ripariane breglumore; disa prej tyre janë në Listën e Kuqe Shqiptare, si: Adiantum capillus-veneris, Dryopteris filix-mas, Alnus glutinosa, Capparis spinosa, Galanthus reginae-olgae, Populus alba, Quercus robur, Salix fragilis, Sambucus nigra, Symphytum officinale, Ulmus minor, Anacamptis morio, A. pyramidalis, Colchicum autumnale, etj. (Kovarovics & Michael, 2024).

Për më tepër, Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës është vazhdimësi ekologjike, një unitet hidrodinamik dhe ekologjik me kompleksin ligatinor të deltës, Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë (Fig. 1), dhe më tej në lidhje të ngushtë ekologjike me Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, përballë grykëderdhjes në det të hapur.

Në pjesën e sipërme, Parku është në vazhdimësi ekologjike me Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës-Dangëllisë në pjesën shqiptare; si dhe me Parkun Kombëtar Vikos-Aoos dhe Parkun Kombëtar Pindos në Greqi. Parku formon lidhje të ngushta ekologjike me hidromonumente elitare, si Uji i Ftohtë (Tepelenë), Viroi (Gjirokastër), Buronjat (Kuç), Benjë (Përmet), Vromonero (Leskovik) (VKM 303/2019).

Kjo afërsi hapësinore rrit lidhjen ekologjike midis ekosistemeve detare, bregdetare, të deltës dhe të gjithë rrjedhave ujore brenda këtij pellgu të gjerë, duke përforcuar më shumë vlerat në përgjithësi dhe rëndësinë e ruajtjes së zonës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Janë pikërisht këto vlera dhe të tjera që lidhen me hidromorfologjinë lumore dhe rrjedhjen e lirë nga burimi në grykëderdhje në Detin Adriatik të lumit Vjosë dhe degëve të tij, që ndihmuan që zëri të shkonte në veshin dhe ndërgjegjen e institucioneve ndërkombëtare më në zë (BE, WWF, IUCN, Konventa e Bernës, Patagonia etj.) dhe të detyronte vendimmarrjen në Shqipëri për të shpallur Vjosën dhe degët e saj zonë të mbrojtur, Park Kombëtar (mars 2023).

Po këto vlera ndihmuan që i gjithë pellgu i Vjosës të shpallej vitin e kaluar nga UNESCO si Rezervë Biosfere (shtator 2025). Po kjo qasje rriti shumë në këta vite edhe njohjen e Vjosës dhe vetë Shqipërisë nga subjektet turistike ndërkombëtare, që i dhanë kësaj zone frymëmarrje të madhe ekonomike dhe zhvillim të turizmit.

Harta e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës dhe zonave të tjera rrethuese (nga Kovarovics & Michael, 2024).

Kuptohet se të gjitha këto arritje, dhe veçanërisht duke qenë pjesë e programit “Njeriu dhe Biosfera” (MAB) në UNESCO, e bëjnë zhvillimin e qëndrueshëm në zonë një përparësi dhe një sfidë për gjithë sektorët ekonomikë, veçanërisht për aktivitetet ujore që zhvillohen brenda zonës qendrore të Parkut.

Ndikimi mjedisor nga aktivitete ujore të pa rregulluara

Përvoja botërore tregon se lundrimi i çfardo lloji (gomone, kajak, kanoe etj.) është me pasoja mjedisore, ekologjike për habitatet lumore dhe breglumore.

Si theksuam këto habitate janë shumë të rëndësishme për biodiversitetin, por janë dhe shumë të ndjeshme ndaj çdo ndërhyrje nga jashtë; sidomos kur ajo është e tepruar, pa rregulla, dhe pa masa të rrepta kontrolli. Edhe kufizimet e vendosura në Planin e Menaxhimit (Kovarovics & Michael, 2024) kanë patur këtë parasysh, dhe theksoj fort se kjo qasje duhet të vazhdojë të ruhet.

Pavarësisht se ndikimet mjedisore të aktiviteteve ujore ende nuk njihen për Lumin e Vjosës, përvoja të tjera në rajon dhe më gjerë flasin për këtë: Schafft et al., 2024; Wegner et al., 2023; Hering et al., 2022; Mahapatra et al., 2012; Leung  & Marion, 1998; Liddle, 1991; Taylor & Knight, 2003; Pala et al., 2011; etj. Këto shqetësime mund të grupohen:

1) Shqetësimi i Faunës Ujore dhe Ripariane (Tab. 3); 2) Degradimi i Brigjeve Lumore dhe Bimësisë Ripariane; 3) Ndotja dhe Hedhja e Mbeturinave; 4) Ndikimet Fizike në Habitatet e Shtratit Lumor; 5) Shqetësimi i jetës së egër në zonat e ndjeshme; 6) Presioni Ekologjik Kumulativ; 7) Futja e Llojeve Pushtuese (Invazive ose Aliene).

Për të minimizuar këto ndikime, autoritetet e menaxhimit lumor shpesh zbatojnë masa të tilla si:

a) Kufizimi i numrit të lejeve për rafting në ditë; b) Përcaktimi i pikave të caktuara të hyrjes dhe daljes; c) Vendosja e kufizimeve stinore gjatë periudhave të lëshimit të vezëve nga peshqit ose gjatë shumimit të shpendëve (Tab. 3); d) Kërkimi i praktikave të menaxhimit të mbeturinave “pa lënë gjurmë”; e) Monitorimi i kushteve ekologjike përgjatë lumit.

Në tabelën 3 jepen të dhëna mbi periudhën më të brishtë të llojeve apo grupllojeve, ku aktivetete ujore mund të kenë ndikimin më të madh përgjatë Vjosës dhe degëve, në habitatet e shumimit apo të migrimit.

Ky qarkullim është shpesh i padukshëm për ne njerëzit, por kjo nuk do të thotë se është i pandjeshëm, madje shumë i ndjeshëm në periudhat jetike të riprodhimit që kanë secila nga speciet (Tab. 3).

Lumi është një korridor ujor që ndihmon lëvizjet e gjallesave (migrimin) nga grykderdhja (deti) në rrjedhat e thella malore dhe anasjelltas, ndihmon në lëvizjet anash nga një breg në tjetrin dhe nga lart poshtë në thellësi të shresave të zhavorrit nënujor dhe anasjelltas.

Për këtë, një aktivitet ujor i rënduar në sasi, i shtrirë në kohë gjatë gjithë vitit dhe i zgjatur gjatë ditës ndikon në biodiversitet, në riprodhimin e specieve të peshqve, amfibëve dhe reptilëve, shpendëve që folezojnë në brigje, pa folur për shumë lloje mikrorganizmash si alga, invertebrorë ujorë dhe breglumorë, që përmendëm më sipër.

Duhet theksuar se Parku nuk u ka shpëtuar shqetësimeve nga aktivitete turistike jo miqësore me mjedisin, të cilat shkaktohen edhe nga shtimi i pakontrolluar i vizitorëve.

Gjendja ekologjike e ujërave të pellgut të madh të Bënjës ka pësuar rënie të dukshme në këta vite mbështetur në strukturën e makrofiteve ujore që veshin buzët e pellgut, sot të mbuluara me cianobaktere (disa dhe helmuese), dhe cilësi ekologjike e ‘Varfër’. Po kjo mund të thuhet për varfërimin e përbërjes së llojeve të peshqve në Langaricë dhe në pjesën e sipërme të Vjosës.

Autoritetet pohojnë se para shpalljes zonë e mbrojtur në Vjosë kanë vozitur rreth ‘1,500-2,000 varka në vit, kryesisht nga qershori deri në gusht (pra rreth 17-22 varka në ditë)’ (Kovarovics & Michael, 2024). Kjo sasi është shumë e lartë dhe aspak miqësore me habitatet dhe vlerat e rralla të Parkut. Ndjesia është se në vitet e fundit kjo duhet të jetë rritur edhe më shumë, e cila dëshmohet dhe nga këmbëngulja e subjekteve për zbutje pa kufi të rregullave.

Kurse shtrirja e vozitjes në gjithë gjatësinë e lumit më duket shumë e tepruar për rrjedhën lumore. Duhet thënë sevlerat hidromorfologjike dhe ato të biodiversitetit përballen përditë me ndërhyrje nga njeriu dhe ndryshimet e klimës, ndonjëherë edhe shumë të rënda.

Kjo vjen nga qendrat e banuara dhe ndërtimet e tjera buzë brigjeve, nga bujqësia intensive dhe blegtoria (vaditje, kullotje, zjarre dhe ndotje), nga trafiku, nga aktiviteti minerar (gurore, naftë, bitum), nga luhatjet e mëdha të rrjedhës, etj. (Rama, 2025).

Sfida e zhvillimit të qëndrueshëm të pellgut, sfida e bashkive dhe subjekteve që veprojnë brenda pellgut duhet të jetë në gjetjen e rrugëve për zbutjen e këtyre ndërhyrjeve, në zbatimin e tyre me këmbëngulje dhe monitorimin në vazhdimësi.

Këshillime të fundit

Ashtu si me shumë të drejtë pohohet edhe nga ekspertët në PM (Kovarovics & Michael, 2024, f. 88-103), lundrimi mund të lejohet në zonën e paracaktuar në PM (në pjesën e sipërme), zgjatur së fundi nga Ministria e Mjedisit për periudhën 1 Prill – 30 Nëntor 2026 (nga 5.5 muaj në 8 muaj).

Por kjo duhet me rregulla të rrepta, duke mos patur vetëm si qëllim ‘potencialin ekonomik për komunitetet lokale dhe bizneset turistike të zonës’, por dhe qasjen mjedisore. Pavarësisht zgjerimit të lundrimit stinor nga Ministria, ekspertët theksojnë fort se duhet të ruhet sasia e varkave që vozitin në lumë në ditë, si rekomandohet në Planin e Menaxhimit: jo më shumë se 10 varka në ditë (gomone me 6 persona dhe 1 drejtues). Për lundruesit privatë jo-motorikë (kajakë me 2 persona maksimumi), jo më shumë se 20 bileta në ditë, ose 10 kajakë.

Mendoj se e gjithë kjo duhet të mbikëqyret me kujdes, rigorozitet dhe vazhdimisht nga ZAPK dhe autoritetet vendore nëpërmjet një sistemi informatik ashtu si bëhet për rezervimet e fluturimeve ajrore, të hoteleve, të vendeve të sportit etj.

Për gjithë aktivitetet ujore mësipër ka shumë rëndësi caktimi i vendeve të hyrje/daljes, vendpushimeve, të cilët nuk duhet të bien ndesh me ndjeshmërinë e habitateve ujore ose breglumore pranë. Edhe këto vende duhet të jenë sa më të kufizuara, të përcaktuara në vend nga ekspertë të ekologjisë lumore (peshq, shpendë, gjitarë, etj.).

Duhet të jenë të etiketuara mirë, të mirënjohura dhe rreptësisht të kontrolluara nga autoritetet e Parkut dhe ato vendore. Por shumë kujdes duhet edhe edhe për aktivitetet e tjera turistike në Park, si larja në ujërat termale, shëtitjet masive përgjatë rrjedhës, kampingu vend e pa vend në natyrë; por dhe për peshkimin në segmentin fundor, Urë e Mifolit – Grykëderdhje, ose akuakulturën etj.

E gjithë zona ka potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ofron shumë mundësi të tjera krahas veprimtarive sportive ujore: p.sh. vëzhgim shpendësh, shëtitje në natyrë me këmbë, me biçikletë, me kafshë, etj.

Madje dhe vetë subjektet e këtyre sporteve duhet të mësohen të diversifikojnë aktivitet në zonë për: ‘të shpërndarë më mirë fluksin e vizitorëve gjatë vitit; rritur qëndrueshmërinë ekonomike të bizneseve lokale; krijuar më shumë vende pune jo stinore, por vjetore’, pa pretenduar që gjithçka të mbështet vetëm nëpërmjet vozitjes, kjo jo vetëm në lumin e Vjosës, por dhe gjetkë në lumenjtë e tjerë.

Ngjitur në zonë është PK i Bredhit të Hotovë-Dangëllisë, me shumë natyrë malore, shumë lugina të rralla, me mbi 130 monumente natyrore për një destinacion të shquar e të larimshëm turistik. Pa folur për shumë mundësi të tjera të gjithë pellgut të Vjosës, që lidhen me trashëgiminë kuturore, vendet shumta historike, arkeologjike, për traditën e pasur në art dhe floklor, në mikpritje dhe gatim etj. etj.

Të gjitha mund të gërshetohen me vlerat natyrore, por jo vetëm. Por duhet e gjitha menaxhuar me shumë kujdes, dhe gjithë palët duhet të jenë bashkëpunuese, të njihen mirë me qëndrueshmërinë, për të balancuar sa më mirë interesat ekonomike me ato ekologjike, për të mos ndërhyrë rëndë në këto vlera, për t‘i ruajtuar ato për sot dhe për të ardhmen.

Lexoni gjithashtu:

The post Mes fitimit dhe natyrës: Dilema e aktiviteteve ujore në Vjosë appeared first on Citizens.al.

  •  

Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash  

Autorë: Besnik Boletini dhe Erisa Kryeziu | Kosovë, Shqipëri

Në fshatin Nashec të Prizrenit, lumit Drini i Bardhë i bashkohet një rrjedhë tjetër uji. Nga lart, nganjëherë duket si një degë e zakonshme lumi. Por mjafton t’i afrohesh për të kuptuar se diçka nuk shkon. Uji është më i errët, kundërmon dhe përhapet në lumin kryesor si njollë ndotjeje.

Ky nuk është një lumë. Është kanal i madh, që shkarkohet direkt në Drinin e Bardhë.

Gjatë verës, kur e vizituam këtë zonë, sasia e ujit ishte më e pakët. Banorët thonë se në këtë sezon ndotja duket më e kufizuar për shkak se ka më pak ujë. Në periudha të tjera, rrjedha është shumë më e madhe.

Megjithatë, edhe në këtë kohë, ndikimi në ndotjen e lumit ishte i dukshëm. Pamjet me dron tregojnë qartë dallimin mes ujit të Drinit dhe derdhjes së kanalizimit, si dy rrjedhje të ndryshme.

Kjo vendndodhje u identifikua përmes analizës së imazheve satelitore, ku derdhja e kanalizimit është e dukshme edhe në Google Maps.

“Lumi i zi” i Prizrenit që derdhet në Drinin e Bardhë në fshatin Nashec/Besnik Boletini.

Sipas banorëve të Nashecit, kjo gjendje vazhdon prej vitit 2005 dhe ka dëmtuar mjedisin përreth.

Shukri Quni, kryetar i fshatit, thotë se mbi 50% e ujërave të zeza të Prizrenit dhe disa fshatrave përreth përfundojnë në këtë pikë të Drinit të Bardhë.

“Ka qenë vend rekreativ për banorët, tani kundërmon kanalizim”, thotë Quni. 

Ai tregon se më parë ishte planifikuar ndërtimi i një impianti trajtimi, por projekti nuk u realizua. Sipas tij, banorët ndihen të mashtruar, pasi nuk do të kishin pranuar vendosjen e tubacioneve nëse do të dinin se ato do të shkarkonin në lumë.

Nga Komuna e Prizrenit pranojnë se janë bërë studime fizibiliteti, por projekti mbetet i pazbatuar për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së mbështetjes nga niveli qendror.

“Komuna nuk ka aktualisht ndonjë plan për këtë drejtim”, tha në përgjigje me shkrim komuna.

Në mungesë të impianteve funksionale të trajtimit, derdhja e ujërave të zeza në lumenj është bërë praktikë e zakonshme në Kosovë.

Egzona Shala-Kadiu, drejtuese e organizatës EcoZ thotë se vetëm 2% e ujërave të zeza trajtohen para shkarkimeve në lumenj.

“Pjesa tjetër 98 për qind, drejtpërdrejtë shkon në lumenj apo në gropa septike”, shpjegon ajo. 

Përveç ndotjes nga ujërat e zeza, Drini i Bardhë mbushet me mbeturina të ndryshme urbane dhe përballet me ndërhyrje të paligjshme në shtratin e tij për nxjerrje të rërës dhe zhavorrit, që ka deformuar shtratin aq sa në disa vende të mos kuptohet qartë shtrati i vërtetë i lumit.

Këto ndërhyrje kanë rritur rrezikun e përmbytjeve në fshatrat dhe qytetet ku kalon Drini i Bardhë. Në janar të këtij viti, mbeturinat e grumbulluara bllokuan rrjedhën në disa ura, duke shkaktuar përmbytje në disa zona të banuara.

Ngjashëm përmbytje ndodhën edhe në vendet ku ka pasur gërmime në shtratin e lumit duke shkaktuar dëme në vlerë miliona euro.

Shiko videon për më tepër:

Përgjatë Drinit të ndotur: Ujëra të zeza, mbeturina, eksploatime

Drini i Bardhë, me gjatësi rreth 122 kilometra, përshkon Kosovën nga burimi në Radac të Pejës deri në Kukës, ku bashkohet fillimisht me lumin Luma e më tej me Drinin e Zi në liqenin e Fierzës.

Për këtë, ndotja nuk mbetet brenda kufijve të Kosovës. Ajo përcillet drejt Shqipërisë, sidomos gjatë janarit dhe periudhave ku ka reshje. Shtrati i lumit fryhet dhe merr me vete mbeturinat që grumbullohen anëve duke i sjellë në Kukës.

Ndotja në fakt fillon që në burim. Kanalizimet e restoranteve dhe shtëpive përreth derdhen direkt në lumë. Rreth 200-300 metra tutje gjendet një tub i madh kanalizimi dhe mbeturina – kryesisht plastike.

Problemi vijon në fshatrat e tjera të Pejës dhe Istogut. Një banor i fshatit Dubovë e Vogël (Istog), tha se shumica e shtëpive janë me gropa septike ose me kanale që shkarkojnë direkt në lumë. Ai cilësoi detergjentet si ndotësit më të rrezikshëm, pasi sipas tij japin efekt direkt negativ “te peshqit dhe gjallesat e tjera.”

Në fshatin pranë, Baicë, 15 vite më parë qe ndërtuar një impiant i trajtimit të ujërave të zeza. Por, i mbuluar nga bari dhe shkurret, ai duket se nuk funksionon.

Gjendja e Drinit të Bardhë në fshatin Rakovinë të Gjakovës/Besnik Boletini

I gjendur rreth 20 metra afër lumit, ujërat e zeza që vijnë aty, vijojnë dhe derdhen direkt në lumë duke treguar qartë se impiantet e tilla nuk mirëmbahen.

Fatlije Buza, udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, e konfirmon një problematikë të tillë.

“Askush nuk e merr në përgjegjësi [mirëmbajtjen], duhet ta marrë për shembull ose ndonjë kompani rajonale, ose ministria e Zhvillimit Ekonomi,” thotë ajo.

Monitorimi ynë vijoi përgjatë lumit në Rakovinë (Gjakovë), Çifllak (Rahovec) dhe Kramovik (Rahovec), ku krahas mbeturinave të ndryshme, ndotja shoqërohej edhe me shkarkime të paligjshme dhe degradim të thellë të shtratit të lumit nga aktivitetet nxjerrëse.

Ismet Kelmendi, kryetar i fshatit Rakovinë, tha se Drini i Bardhë është tejet i ndotur në këtë zonë. Sipas tij shkarkimet janë bërë nga banorët për të shmangur daljen e lumit nga shtrati.

“Janë bërë vetëm për të mbrojtur tokën bujqësore, sepse nuk vjen askush të ndërhyjë,” tregoi ai me vetëdijen se duke u munduar të mbronin tokat, banorët kanë ndotur lumin.

Çifllaku kampion

Fshati Çifllak i Rahovecit ishte zona ku konstatuam nivelin më të lartë të mbeturinave, por edhe degradim nga gërmimet.

Pamjet me dron treguan për dëmtime të rënda të shtratit të lumit nga marrja e paligjshme e rërës dhe zhavorrit. Si pasojë e gërmimeve, rrjedha e lumit është devijuar në disa anë.

Përveç kësaj, zona është kthyer në pikë grumbullimi mbeturinash të llojeve të ndryshme: plastikë, qelq, kanaçe, mbetje druri, shtylla betoni dhe inerte. Në këtë vend ishin hedhur edhe qindra goma, disa në breg dhe disa brenda në lumë. Mes tyre, qëndronte edhe një divan i hedhur mbi mbeturina.

Vendgrumbullim i paligjshëm buzë Drinit të Bardhë në Çifllak, Rahovec/Besnik Boletini.

Hedhja e gomave në lumë përbën rrezik serioz mjedisor. Me kalimin e kohës, ato çlirojnë substanca toksike dhe mikroplastikë, duke ndotur ujin dhe dëmtuar organizmat ujorë.

Gjithashtu, bllokojnë rrjedhën natyrore, ndryshojnë shtratin dhe krijojnë zona uji të ndenjur, duke rritur rrezikun për përhapjen e insekteve dhe sëmundjeve.

Edhe në Kramovik, fshatin fqinj të Çifllakut, degradimi i shtratit të Drinit të Bardhë ishte i dukshëm. Kjo ishte një nga zonat ku është nxjerrë më së shumti rërë dhe zhavorr, duke shkaktuar dëmtime masive.

Pamjet me dron treguan se në një hapësirë të kufizuar, pranë lumit, punonin të paktën tre impiante ndarëse (lavatriçe) për përpunimin e rërës dhe zhavorrit.

Sipas një raporti të Ministrisë së Mjedisit, publikuar në vitin 2022 dhe i bazuar në të dhëna deri në vitin 2018, përgjatë Drinit të Bardhë janë evidentuar 1,393 hektarë të degraduar. Në vitin 2008 kjo sipërfaqe ishte 861 hektarë, çka dëshmon për rritje të vazhdueshme të dëmtimeve.

Në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, dëmet përreth lumit ishin gjithashtu të dukshme. Në këtë zonë operojnë katër impiante për nxjerrjen dhe përpunimin e rërës dhe zhavorrit.

Kramovik, Drini i Bardhë degraduar nga eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit/Besnik Boletini.

Përveç kësaj, banorët e fshatit, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër, kishin vendosur tubacionin e kanalizimit drejtpërdrejt në Drinin e Bardhë, rreth një kilometër larg shtëpive.

Edhe pse vendi u vizitua në fund të gushtit 2025, në kushte thatësire, tubacioni vazhdonte të shkarkonte një sasi të konsiderueshme ujërash të ndotura në lumë.

Selami Hoti, kryetar i fshatit, tha se kjo situatë daton prej rreth 20 vitesh.

“E keqja është se jemi ndër fshatrat e vetme në Kosovë, që kemi paguar nga 60 euro për banor për ta çuar kanalizimin deri te lumi”, thotë ai.

Sipas tij, kërkesat për zgjidhje alternative nuk janë marrë parasysh nga institucionet. Ai thekson se lumi sot nuk mund të përdoret më si dikur, kur shërbente për rekreacion dhe vaditje.

“Sot ky ujë është i ndotur dhe askush nuk mund ta përdorë për asgjë,” thotë Hoti.

Përparim Krasniqi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, pranoi se ata janë në dijeni të situatës, por theksoi mungesën e kapaciteteve financiare për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza duke shtuar se çdo vit kanë kërkuar mbështetje nga qeveria dhe donatorët.

Tubi i shkarkimit të ujërave të zeza në Krushë të Madhe, Rahovec, kontribut i fshatit/Besnik Boletini.

Bazuar në projektet ekzistuese në Kosovë, ndërtimi i një impianti për qytetet kushton nga 20 deri në 40 milionë euro, në varësi të kapacitetit dhe teknologjisë.

Një tjetër burim ndotjeje

Duke ndjekur rrjedhën e Drinit të Bardhë, ndalesa tjetër ishte fshati Gjonaj i Prizrenit. Në këtë zonë, një tub i madh kanalizimi shkarkonte ujëra të zeza drejtpërdrejt në lumë.

Banorët na paralajmëruan për kundërmim të fortë për shkak të përmbajtjeve fekale. Uji i ndotur dallohej menjëherë nga ngjyra, sapo dilte nga tubi dhe bashkohej me rrjedhën e lumit.

Herolind Osmanollaj, kryetar i këshillit lokal, tha se bëhej fjalë për kanalizimin e rreth 5,000 banorëve. Sipas tij në kohë me shi kanali duket si ujëvarë.

Ai tha se lumi dikur ishte i pastër dhe përdorej për rekreacion dhe vaditje, por sot, situata është përkeqësuar ndjeshëm.

Rreth 20 metra nga lumi ndodhej një shtëpi me një pishinë të vogël plastike, një kontrast simbolik me gjendjen e lumit.

“Kërkojmë ndërtimin e një impianti për t’u zgjidhur ky problem”, theksoi Osmanollaj.

Degradimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë në Krushë të Madhe të Rahovecit/Besnik Boletini.

Peshkatari Granit Berisha shtoi se mbeturinat hidhen në pika të ndryshme përgjatë lumit dhe degëve të tij dhe kur niveli i ujit rritet, i merr të gjitha dhe i çon deri në Shqipëri.

“Kam parë mbeturina në Kukës që janë të paimagjinueshme”, u shpreh Berisha.

Në zonën mes fshatrave Lukinë dhe Romajë, një përrua ishte bllokuar nga mbeturinat, përfshirë edhe ato inerte para se të mbërrinte në Drin të Bardhë. Në këtë pikë, mbetjet digjeshin herë pas here. Pranë tij ndodhej edhe një tjetër tub kanalizimi, që përhapte erë të rëndë dhe shqetësonte banorët.

Në hyrje të Lukinës, buzë lumit, ndodheshin pirgje të paligjshme me mbetje inerte. Sezair Shehu, kryetar i fshatit, fajësoi individë të papërgjegjshëm dhe bëri apel për ndërhyrje urgjente.

“Dikur këtu laheshim dhe pushonim gjatë verës. Sot askush nuk hyn në lumë për shkak të ndotjes”, tha ai.

Si në shumë zona të këtij rajoni, edhe këtu ndërhyrjet me makineri të rënda si kamionë apo ekskavatorë kishin ndryshuar rrjedhën e lumit, duke krijuar gropa dhe rrugë në vend të shtratit natyror.

Peshkatari Hasan Qollaku tha se ndotja ka ndikuar drejtpërdrejt në zhdukjen e disa llojeve të peshqve dhe uljen e cilësisë së tyre.

Tub shkarkimi në Drinin e Bardhë në fshatin Gjonaj të Prizrenit/Besnik Boletini.

Vërmica është pika e fundit në Kosovë, ku ndotja kalon në Shqipëri drejt Kukësit. Në periudha të caktuara, mbeturinat bëhen më të dukshme, sidomos gjatë pranverës.

Bujar Pulaj, kryetar i bashkësisë lokale Vermicë tha se ndotja e liqenit nuk fillon e as nuk mbaron aty, por vjen që nga burimi i Drinit të Bardhë. 

“Zakonisht mbeturinat shihen më shumë në pranverë për shkak të reshurave që fillojnë në atë kohë. Në periudhën e dimrit Drini është më i pastër”, tha Pulaj. 

Pulaj tha se e gjithë kjo ndotje po ndikon te zhvillimi i turizmit në Vermicë. Sipas tij, disa herë është tentuar të pastrohet liqeni, por ato kanë qenë pastrime simbolike dhe aksionet ditore bëhen vetëm në një pjesë. 

Nga Vermica vijuam për në Morin. Edhe aty pamë ujë të ndotur e mbeturina që “notonin” sipër tij.  

Në Morinë, ku edhe liqeni i Fierzës merr trajtë, ulja e nivelit të ujit gjatë verës të lejon ta përshkosh me makinë, gjë e cila gjatë muajve të dimrit dhe vjeshtës është e pamundur, pasi liqeni mbush shpatet e kodrave përreth.

Ajo çfarë mpakja e ujit gjatë verës lë pas është një mori mbetjesh, shumica prej tyre plastike të varura në shpatet e anësoreve të liqenit, tanimë të tkurrura nga rrezet e diellit. 

Lukinë e Prizrenit, Drini i Bardhë degraduar nga eksploatuesit ilegalë/Besnik Boletini.

Alban Xhaferri, guidë turistike në Kukës, tregoi se gjatë dimrit, Drini i Bardhë merr me vete mbetjet nga Kosova dhe i shpie në liqenin e Fierzës në Kukës.

Ky liqen u formua në vitin 1978, pasi u ndërtua diga e hidrocentralit të Fierzës, nga prurjet e lumenjve si Drini i Bardhë nga Kosova dhe Drini i Zi nga Maqedonia e Veriut. 

Por, përtej shkëmbimeve ujore, prurjet e mbeturinave dhe derdhjet e ujërave të zeza kanë krijuar ndotje konstante, pa gjetur zgjidhje prej vitesh. 

“Thuajse kudo, çdo vend i liqenit është i ndotur. Ndotjet vijnë nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, por edhe nga banorët thuajse nuk ka ndonjë ndërgjegjësim që të mbajnë pastër liqenin”, u shpreh më tej Xhaferri, sipas së cilit kjo ndotje po bëhet problem serioz.

Situata ka ndikuar edhe nismat turistike të Xhaferrit për të promovuar Kukësin dhe zonën përreth për sporte ujore apo guida turistike.

“Turistët nuk e shikojnë dot në këtë gjendje që është bërë në Kukës”, vijoi Xhaferri ndërsa shtoi se edhe pse u shpall fitues i një projekti “start-up” për blerjen e kajakëve për sporte ujore, për shkak të ndotjes masive që ka pasur liqeni, ka qenë e pamundur ushtrimi i këtij aktiviteti.

Mbetje të transportuara nga rrjedha e Drinit të Bardhë drejt Shqipërisë/Erisa Kryeziu

Edhe pse nuk ka asnjë banesë pranë liqenit në kufirin e Morinit, panorama që na u shfaq ishte me mbetje plastike nga përdorimi i përditshëm, qofshin ato mbështjellëse të ushqimeve, detergjenteve për pastrim apo orendi shtëpiake. 

Mbetje këto, që kur u larguam nga Morini pamë se e shoqëronin liqenin në të gjitha anët e tij, me pirgje që qëndrojnë në rrëpira apo të grumbulluara në bimësinë që ka lënë pas tkurrja e liqenit. 

Peshkatarët, të parët që ndjejnë pasojat e ndotjes 

Gëzim Doci gjuan peshk në liqenin e Fierzës prej 25 vitesh. Sipas tij, ndotja e liqenit ka bërë që aktivitete tradicionale sikurse peshkimi në këto kushte të jenë jo vetëm të vështira, por edhe të papërshtatshme në aspektin e shëndetit publik. 

“Jemi peshkatarë dhe gjysma e rrethit të Kukësit merren me këtë punë, për bukën e gojës. Ndotje janë shishet plastike, bagëtitë e ngordhura dhe liqenit i vjen shumë erë e keqe”, tregoi Doci. 

Për shkak të ndotjes, por edhe gjuetisë së paligjshme po dëmtohen flora dhe fauna në liqen, ndërsa pasojat janë të drejtpërdrejta për ekonomitë familjare të zonës. 

“Ndotja e dëmton shumë peshkun”, përfundon Gëzimi. 

Mbetje plastike të grumbulluara përbri liqenit të Fierzës/Erisa Kryeziu

Për Bukurosh Onuzin, aktivist mjedisor dhe drejtues i organizatës “Ekologët për Rajonin”, me veprimtari në Kukës dhe zonën përreth, liqeni është pasuri e madhe, veçanërisht për sportet ujore dhe turizmin. Mirëpo, ndotja e ka frenuar këtë zhvillim.

“Një sasi e madhe mbetjesh na vjen nga Kosova,” tregon ai duke veçuar zonën që lidhet me Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin.

Sipas Onuzit, kjo gjendje ka ndikuar në krijimin e një “hot-spot”-i shqetësues.

Krijon një grumbull mbetjesh që ndikon jo mirë në zhvillimin e turizmit dhe në performancën që ka bashkia dhe rajoni i Kukësit [për t’i pastruar]”, argumentoi Onuzi, sipas së cilit ndikimi direkt po haset te gjallesat ujore ku peshqit janë ralluar ndjeshëm.

“Ndikimi është i dukshëm. Nuk kemi shtim të popullatave të peshqve”. 

Varkat e peshkatarëve në breg të liqenit të Kukësit/Erisa Kryeziu

Një rreth vicioz ndotjeje

Shirat e dhjetorit rritën nivelin e lumenjve dhe liqeneve. Bashkë me ujërat, u shtuan edhe mbetjet që ato sollën.

Në brigjet e liqenit të Fierzës, përkrah varkave të peshkatarëve, qëndronte një mjet i pazakontë: një varkë me kabinë xhami dhe mekanizëm grumbullues. Gjatë verës, tërheqja e ujit e nxori në breg. Në dimër, prej tre vitesh, ajo mbledh mbetjet që sjellin lumenjtë në liqen.

“Vitin e parë nxorëm rreth 20 tonë mbetje. Vitin e dytë, rreth 18 tonë, për shkak të rënies së shpejtë të nivelit të ujit. Këtë vit, me rritjen më të shpejtë të nivelit, po shfrytëzojmë çdo mundësi për të nxjerrë sa më shumë mbetje,” tregoi Lulzim Baumann, aktivist mjedisor dhe ekspert i ekonomisë qarkulluese.

Varka, e sjellë nga Gjermania përmes start-up-it “Everwave” dhe e menaxhuar nga “RecycAl – Recycling Albania”, i është vënë në dispozicion Bashkisë Kukës si një mjet ndërhyrjeje.

Ndërsa varka punonte në ujë, liqeni mbulohej nga mjegulla e dendur e dimrit. Mbi sipërfaqe pluskonin mbetje plastike, që herë shtyheshin nga era e herë grumbulloheshin në brigje.

Varka që mbledh mbetjet e liqenit të Kukësit/Erisa Kryeziu.

“Plastikën e mbledh kompania ‘Everwave’ me stafin e saj. Ne e nxjerrim në breg. Bashkia merret me transportin dhe depozitimin për ndarje. Pjesa e riciklueshme merret nga kompania, ndërsa mbetjet e pamenaxhueshme përfundojnë në vend-depozitim”, shpjegoi Valdet Cenaj, përgjegjës nga sektori i pastrimit në Bashkinë Kukës.

Bujar Pulaj nga Vërmica tregoi se kishte kërkuar që kjo varkë të përdorej edhe në Kosovë, përmes një marrëveshjeje sezonale me Bashkinë Kukës. Kjo pasi, sipas tij, nëse mbetjet ndalohen në burim, ose përpara se të kalojnë kufirin, rezultati i pastrimit në liqen do të ishte më i lartë.

Në anën tjetër Baumann thekson se është e vështirë të thuhet për një zgjidhje konkrete e aq më tepër të përcaktohet sasia totale e mbetjeve, pasi ato vijnë nga tre shtete të ndryshme.

“Kontributi kryesor negativ vjen nga Kosova. Një pjesë nga Maqedonia e Veriut përmes Drinit të Zi, ndërsa një pjesë, edhe pse më e vogël, gjenerohet nga vetë Kukësi”, tregoi ai.

Problemi me ndotjen në Drin, sipas Baumannit, është i vazhdueshëm, por që ai pajtohet se qasja fillestare për të frenuar prirjen është ajo e ndalimit në burim.

Sipas tij, problemi mbetet se çdo ditë ka prurje të reja mbetjesh. 

Gjatë pastrimit të liqenit në Kukës/Erisa Kryeziu.

“Duhet të pranojmë që kjo situatë mund të vazhdojë edhe për 20-30 vite në momentin që nuk ndalohen mbeturinat në burim dhe ky është qëllim ynë kryesor”, tha Baumann. 

Pjesa dërrmuese e mbetjeve është plastikë. Rreth 80-90% e volumit janë nga ky material flluskues që noton mbi sipërfaqen e liqenit. Kryesisht janë shishe uji, teksa Baumann tregon se plastikat më të rënda fundosen.

Për këtë ai thotë se ka pritshmëri të larta se fundi i liqenit të ketë sasi të shumta plastikash të rënda.

Sipas Baumannit, ndikimi është i drejtpërdrejtë dhe afatgjatë.

“Plastika degradohet nga dielli dhe përplasjet me njëratjetrën, duke kaluar në mikroplastikë, kështu ajo hyn në zinxhirin ushqimor, te peshqit dhe më pas te njeriu. Impakti në shëndet është i pashmangshëm”, shpjegoi ai duke theksuar se pse plastika nuk e ka vendin në liqen.

Baumann paralajmëroi edhe për ndotjen biologjike dhe kimike që kanë këto mbeturina. Sipas tij, shumë nga mbetjet në lumin e Drinit dhe liqen janë të kontaminuara me detergjentë dhe metale të rënda. Ai theksoi se pavarësisht se ato shpëlahen, ndotësit e tyre mbeten në ujë duke mbetur faktorë rreziku.

Cenaj tregoi se Bashkia Kukës disponon dy vend-depozitime mbeturinash: një për mbetjet urbane dhe një tjetër që synohet të përdoret për mbetjet e gjelbra dhe kompostim.

Kullota mbushur me mbetje pas tërheqjes së liqenit në verë/Erisa Kryeziu.

Megjithatë, vendgrumbullimi ekzistues, i vendosur në pjesën kodrinore mbi liqen, krijon një tjetër burim ndotjeje. Nga larg, ai dukej si një vijë që derdhej në ujë, për shkak të rrjedhjeve nga mbetjet.

Vendgrumbullimi i mbetjeve të bashkisë Kukës/ Erisa Kryeziu

Liqeni i Kukësit, depozitë e ndotjes 

Në luginën e Drinit, pranë fshatit Bushat (Bicaj), dy djem të vegjël ndiqnin bagëtitë në kullotë.

Por në vend të barit, toka ishte mbuluar nga një shtresë e dendur mbetjesh plastike. Lopët lëviznin mbi plastikë, në përpjekje për të gjetur bar. Për djemtë dukej se kjo pamje ishte e zakonshme. Edhe për bagëtinë.

Pak më tej, lumi i Shejës, i dobësuar gjatë verës, përballej me një pritë mbetjesh tashmë jashtë funksioni. Struktura, e ndërtuar për të ndaluar ndotjen, ishte zhvendosur dhe nuk kryente më rolin e saj.

Në anën tjetër të luginës, pranë urës së vjetër të Kolcit, ku kalon lumi i Lishnicës, shikoheshin pirgje inertesh nga kromi.

Inertet e ish-uzinës së shkrirjes së bakrit gërryhen çdo vit nga ujërat e liqenit/Erisa Kryeziu.

Situata përkeqësohet më tej në pjesë të tjera të luginës së Drinit. Inertet e ish-uzinës së shkrirjes së bakrit gërryhen çdo vit nga ujërat që rriten në dimër.

Këto materiale përziheshin me mbetje plastike, mbetje ndërtimi dhe grumbuj gomash makinash.

Në afërsi, disa shtëpi qëndronin pranë zonës së ndotur, ndërsa bagëti të tjera kullosnin pa u shqetësuar nga ndotja.

Studimi: Ndotës kimikë dhe medikamente në ujë

Një raport i viteve 2023-2024, i realizuar nga studiues suedezë të Bordit Administrativ të Qarkut Dalarna, ka nxjerrë në pah ndotje të shumta në Drinin e Bardhë dhe pellgun e tij.

Mbetje të dëmshme dhe inerte të ish-uzines se bakrit/Erisa Kryeziu.

Studimi konsiderohet ndër më të plotët për këtë zonë. Mostrat e ujit u analizuan në laboratorë në Suedi, përfshirë analiza kimike dhe metoda të bazuara në efekte biologjik.

Nga 26 grupe kimike të analizuara, 9 u identifikuan në ujërat sipërfaqësore.

“Në shumicën e mostrave u gjetën ndotës që dëmtojnë qelizat dhe mund të ndikojnë në sistemin hormonal”, thuhet në raport.

Analizat zbuluan prani të metaleve të rënda, pesticideve, substancave nga plastika (ftalate), produkteve farmaceutike dhe komponimeve PFAS, të njohura si “kimikate të përjetshme”. Këto kimikate nuk shpërbëhen lehtë në natyrë.

“Problemi masiv me mbeturinat në lumenj dhe përrenj duket se rezulton në ndotës në ujërat sipërfaqësore, për shembull organofosfatet, të lidhura posaçërisht me produktet plastike (shishet), u matën në të gjithë trupat ujorë”, thuhet në raport.

Një ndër segmentet e veçanta të këtij monitorimi ka qenë edhe analizimi i lëndëve farmaceutike në pellgun e Drinit të Bardhë. 

Ndotja e Drinit të Bardhë në fshatin Nashec të Prizrenit/Besnik Boletini.

Nga 109 substanca të testuara, u identifikuan 34. Mes tyre dominonin antibiotikët, psikofarmaceutikët, ilaçet antiepileptike dhe antiinflamatore.

Përqendrimi më i lartë u regjistrua në Skenderaj në vitin 2024, për ilaçin e diabetit Metformin.

Ndërkohë, edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) në Shqipëri ka evidentuar prani të kadmiumit dhe plumbit (metale të rënda helmuese) në disa zona të monitoruara.

Sipas raportit, ujërat klasifikohen në kategorinë e parë sipas standardeve shqiptare, por paraqesin cilësi më të dobët sipas Direktivës Kuadër të Ujit të BE-së.

Aktiviteti minerar dyshohet si një nga burimet kryesore të metaleve të rënda, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut.

Bashkëpunimi ndërkufitar i domosdoshëm

Ligji për Ujërat në Kosovë parashikon detyrime të qarta në rast ndotjeje ndërkufitare. Institucionet duhet të identifikojnë shkaqet, të ndërmarrin masa dhe të koordinojnë veprime me shtetet fqinje.

Në praktikë, këto mekanizma funksionojnë dobët teksa ekspertët dhe aktivistët kritikojnë mungesën e zbatimit të marrëveshjeve me Shqipërinë.

Mbetje të ngecura në breg të liqenit në Kukës/Erisa Kryeziu

Një nga idetë më konkrete që është propozuar për parandalimin e ndotjes ka qenë vendosja e barrierave në Drinin e Bardhë për të ndaluar mbetjet përpara kufirit.

“Iniciativa u prit mirë fillimisht nga të dy qeveritë”, tregoi Baumann. Por ajo nuk u realizua.

Sipas tij, Shqipëria nuk e pa të arsyeshme të menaxhonte mbetjet që vijnë nga Kosova.

“Do të ishte një zgjidhje funksionale nëse do të zbatohej siç duhet. Por afatgjatë, çdo shtet duhet të mbajë përgjegjësi për mbetjet e veta”, shtoi ai.

Edhe eksperti Bukurosh Onuzi mbështet idenë e barrierave si zgjidhje praktike dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare. Megjithatë, zgjidhja thelbësore mbetet ndalimi i mbetjeve në burim.

“Do të ishte një zgjidhje e mirë, në mënyrë që jo vetëm të respektoheshin konventat ndërkombëtare për ujërat ndërkombëtare, por edhe të respektoheshin marrëveshjet dypalëshe mes dy shteteve”, u shpreh Onuzi. 

Ndërsa Baumann shtoi se hap më konkret ishte ndalimi i mbeturinave në burim, por që për këtë kërkohej bashkëpunim i fortë mes dy qeverive, dhe bashkive të dy vendeve.

Mbeturina në sipërfaqen e liqenit të Fierzës në Kukës/Erisa Kryeziu.

Në mungesë të një strategjie të qëndrueshme, pastrimi duket se do të mbetet sporadik.

Organizata si “Let’s do it Kosova” kanë zhvilluar aksione në zonat përgjatë Drinit të Bardhë, në bashkëpunim me komunitetet lokale.

“Më së shumti gjejmë plastikë, mbetje shtëpiake, goma dhe inerte ndërtimi”, thotë Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”.

Në çdo aksion Hasanaj thotë se largohen disa tonë mbetje, por problemi mbetet i përsëritur.

Nga Ministria e Mjedisit në Kosovë pranohet se bashkëpunimi me Shqipërinë ekziston, por mbetet në nivel komunikimi dhe projektesh të pjesshme.

“Po përpiqemi të mos dëmtojmë njëri-tjetrin, sidomos për mbetjet plastike”, tha Fatlije Buza nga Ministria kosovare e Mjedisit teksa shtoi se janë ndërmarrë projekte për pastrimin e lumenjve dhe se ato do të vijojnë.

“Nëse grumbullohen sërish mbeturina [në liqen], që shpresojmë që mos të ndodhë masivisht, do ta kemi parasysh dhe me marrëveshje do t’i largojmë,” vijoi Buza duke shprehur gatishmërinë e autoriteteve kosovare për të bërë më shumë në parandalimin e depërtimit të mbeturinave në sasi të mëdha nga Drini i Bardhë në Shqipëri.

Mbeturina plastike që pluskojnë në të gjithë sipërfaqen e liqenit të Fierzës në Kukës/ Erisa Kryeziu

Buza tregoi se në prioritetin kryesor të autoriteteve në Kosovë ka qenë ndalimi i marrjes së paligjshme të rërës dhe zhavorrit në lumenj si pjesë më e rrezikshme për degradim.

Megjithatë, kapacitetet duket se janë të kufizuara. Aktualisht, vetëm dy inspektorë mbulojnë sektorin e ujërave në Kosovë. Kjo reflekton një mungesë serioze të pranisë shtetërore në terren.

Nga pala shqiptare, përpos kërkesave të vijueshme për intervistë me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, nuk pati vullnet për të folur për këtë çështje.

Si zakonisht aspektet ligjore janë të rregulluara mirë, por sfidë mbetet zbatimi siç duhet i ligjeve. 

Në Kosovë, ndotja e mjedisit dënohet me gjobë ose burgim deri në tetë vjet. Ligji për Ujërat parashikon gjoba deri në 100 mijë euro.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga Komisioni për Miniera dhe Minerale të Kosovës (KPMM) tregojnë një tjetër realitet. Nga viti 2019 deri në 2025, janë evidentuar 38 kompani dhe dy persona fizik që oeronin ilegalisht në shtratin e Drinit të Bardhë.

Sipas të dhënave të KGjK-së, nga gjykatat e lartcekura, nga viti 2002 deri në qershor 2025 janë dhënë vetëm dy dënime me burgim, 112 dënime me gjobë, 32 me kusht dhe tri vërejtje gjyqësore. Kjo tregon për dënime të buta për degraduesit e mjedisit.

Ndërkohë, Prokuroria e Prizrenit pranoi se politika ndëshkuese është e butë dhe nuk ka efekt parandalues.

“Kjo qasje […] ka ndikuar në përsëritjen e veprave penale”, thuhet në përgjigje.

Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se dëmi mjedisor nuk vlerësohet siç duhet.

Egzona Shala-Kadiu thotë se gjykatat duhet të kenë më shumë vetëdije që nuk është vetëm vlera ekonomike ajo që duhet të konsiderohet në një aktgjykim, por janë edhe faktorë të tjerë, sepse nuk merret kurrë parasysh se kush ka jetuar aty, cilat bimësi apo gjallesa tjera. 

Gjithashtu, bazuar në hulumtimet që janë bërë ndër vite nga Preportr, ka rezultuar se lëndët e mjedisit janë ndër më të parashkruarat nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Kjo do të thotë se ata që kanë ndotur dhe degraduar mjedisin, shpëtojnë pa dhënë asnjë përgjegjësi para ligjit. 

*Në pjesën e hulumtimit në terren kontribuuan: Donjeta Murselaj dhe Bashkim Shala.

**Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Journalismfund Europe.

The post Drini i Bardhë, vendgrumbullim i “lëvizshëm” mbeturinash   appeared first on Citizens.al.

  •  

Burgjet nën trysni: Më pak policë, më shumë të burgosur

Autore: Dallandyshe Xhaferri | Elbasan | Citizens.al

Sistemi i burgjeve përballet me mbi 300 vende vakante për policë dhe oficerë teksa mosha mesatare e punonjësve aktual është 48 vjeç. Të rinjtë e refuzojnë këtë punë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të vështira. Ndërkohë, ashpërsimi i Kodit Penal ka rritur mundësinë e ndëshkimeve me burg edhe për shkelje me rrezikshmëri të ulët duke shtuar numrin e të dënuarve.

Vakumi në punonjës

Çdo ditë, në orën 05:00 të mëngjesit, dhjetëra policë nga Elbasani nisen me furgonë drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin për të marrë turnin e parë. Të ulur në sediljet e tyre, ata hezitojnë të flasin për situatën në prani të kolegëve, por në anonimitet pranojnë se problematikat janë të shumta.

Ylberi* prej më shumë se dy dekadash punon si polic në këtë institucion të shlyerjes së dënimit dhe e përshkruan përditshmërinë me probleme kryesisht prej mbipopullimit dhe mungesës personelit.

“Në sektorët e sigurisë së lartë ndodhen deri dy persona në dhomë, ose dhe katër kur dhoma është më e madhe. Por 30-40 të dënuar në një sektor vëzhgohen vetëm nga një polic,” thotë ai, duke shtuar se gardianët punojnë mbi 22 ditë në muaj për të mbuluar shërbimin.

“Problematike është gjendja në paraburgim. Janë të tejmbushura. Në një dhomë me kapacitet për katër persona qëndrojnë tetë,” përfundon ai.

Të dhënat zyrtare konfirmojnë mungesën e personelit në të gjithë sistemin e shlyerjes së dënimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha për Citizens.al, nevojiten 307 punonjës: 236 policë të rolit bazë dhe 71 oficerë.

Aktualisht në burgje punojnë 288 oficerë dhe 3,146 policë, ndërsa numri i të paraburgosurve dhe të dënuarve arrin në 4,560 që e bën raportin mesatar në rreth një polic për dy të burgosur.

Sipas Valentin Macajt, kryetar i Sindikatës së Shërbimeve Policore, problemi kryesor nuk është vetëm mbipopullimi, por demotivimi i punonjësve dhe mungesa e investimeve për kushte më të mira pune.

“Polici shërben 8-12 orë, është 24 orë në gatishmëri dhe asnjë vakt ushqimi nuk mbulohet nga shteti,” thotë si shembull ai për të treguar edhe neglizhencën nga ana e qeverisë për këtë sektor.

Punë e papreferuar nga të rinjtë

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, mosha mesatare e policëve është 48 vjeç. Ndërkohë, Macaj thotë se të rinjtë refuzojnë t’i bashkohen sistemit si policë burgjesh për shkak të presionit dhe kushteve të rënda.

“Aspirantët e rinj paguhen sa 80% e gradës së inspektorit, rreth 46 mijë lekë në muaj, pra më pak se paga minimale,” shpjegon ai.

Kreu i sindikatës shton se mungesa e të drejtave në punë dhe të ardhurat e ulëta e bëjnë këtë profesion të mos jetë tërheqës dhe i sigurt për të rinjtë.

Ndërkohë, punonjësit aktual janë të ekspozuar përballë presioneve që vijnë nga të dënuarit, por edhe ndikimet apo stereotipet që përhapen ndaj uniformës për shkak të rasteve me të implikuar në korrupsion.

“Janë të frustruar nën presionin e eksponentëve të fuqishëm të krimit që gjenden pas hekurave, dhe nuk kanë as besim te kolegët, që fatkeqësisht disa kanë rezultuar të implikuar dhe në korrupsion,” shprehet Macaj.

Sipas tij, edhe ligji i vitit 2023 për Policinë e Burgjeve nuk e përmirësoi situatën sepse u miratua pa konsultim me grupet e interesit.

“Asnjë ligj nuk ka përcaktuar qartë procedurën e rekrutimit: si trajtohet kandidati në trajnim dhe sa paguhet gjatë kursit tre-mujor?” shton ai.

Kola*, një tjetër polic, thotë se deri në vitin 2024 paguanin vetë transportin dhe uniformat.

“Uniformën, stemat, gjithçka e blinim me paratë tona. Ndryshe nga Policia e Shtetit, ne ende nuk përfitojmë trajtim ushqimor,” theksoi ai.

Kodi Penal dhe rritja e të burgosurve

Më 28 janar Parlamenti miratoi me 85 vota ndryshime në Kodin Penal. Paketa përfshinte ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje, zjarrvëniet dhe edhe parkimin e dysh, i cili tashmë mund të dënohet me gjobë ose deri në 1 vit burg.

Qeveria e paraqiti si përafrim me legjislacionin e BE-së. Por juristi Jordan Daci nuk pajtohet me këtë qëndrim. Ai thotë se ndryshimet ashpërsojnë ligje në një qasje që nuk përshtaten me standardet e Evropës dhe rrjedhimisht rrisin numrin e të burgosurve.

“Janë ligje ‘të egra’. Kodi i ri ka trefish më shumë vepra penale. Nëse dje rrezikoje burg për 3 shkelje, sot rrezikon për 9,” thotë ai.

Sipas tij, shumë kundërvajtje administrative janë kriminalizuar dhe ndërhyrja prek edhe sferën e të drejtës private.

“Shkelje civile pa rrezikshmëri po trajtohen si vepra penale,” ngre me shqetësim Daci, i cili paralajmëron se disa vepra mund të dënohen më rëndë se vrasja me dashje, e cila mbetet 5-10 vjet burg.

Sipas tij, kjo qasje do të rrisë ndjeshëm numrin e të burgosurve dhe do të krijojë probleme organizative për sistemin penitenciar, i cili tashmë operon në kufijtë e kapaciteteve.

*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin.

Lexoni gjithashtu:

The post Burgjet nën trysni: Më pak policë, më shumë të burgosur appeared first on Citizens.al.

  •  

“Edhe ne njerëz jemi,” lagjja Rrapishtë në Elbasan kërkon rrugë dhe kushte dinjitoze

Autore: Bardha Nergjoni | Elbasan | Citizens.al

Në javët e para të këtij viti, të cilat ishin me reshje të vazhdueshme, në Rrapishtë, pjesë e lagjes “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, rrugët u mbushën me gropa uji dhe baltë.

Banorët u përpoqën të kalojnë pellgjet me çizme, me fëmijët në krahë ose me biçikleta që mezi lëviznin, të zhgënjyer edhe këtë vit nga premtimet e pambajtura ata theksojnë se kjo situatë përsëritet shpesh.

“Kështu është prej vitesh”, thotë Paqizja, një banore e vjetër e lagjes, duke treguar me dorë rrugën e pashtruar.

“Kemi kërkuar shumë herë, kam folur kudo. Na thonë do ta bëjmë, do ta bëjmë… dhe pastaj heshtje. Vetëm zona jonë është kështu. Pse? Se jemi romë.”

Në këtë zonë të “Rajonit 6,” që prej vitit 2005 banorët dëgjojnë se “rruga do të bëhet”. Kanë bërë kërkesa me shkrim, janë mbledhur gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje (një proces që përfshin qytetarët në përcaktimin e buxhetit) dhe kanë marrë pjesë në takime publike.

“E kemi bërë me qindra herë kërkesën. Duam që këtë rrugën tonë ta bëjnë. Lagjja jonë është katastrofë”, thotë një tjetër banore.

“Kemi 20 vjet që presim të na rregullohen rrugët, të pastrohet Manasderja dhe të kemi më shumë kosha. Që nga 2005 kjo situatë është këtu dhe rrugët shtrohen kudo, vetëm te ne jo”, thotë Kimete Ademi, e cila ka qenë e pranishme në shumë takime me bashkinë për të kërkuar ndërhyrje në sistemimin e rrugëve dhe pastrimit të lagjes.

Në tetor 2025, në shkollën “Qemal Haxhihasani” u zhvillua takimi për buxhetimin me pjesëmarrje për “Rajonin 6.”

Sipas procesverbalit zyrtar, ndër prioritetet e votuara nga banorët e lagjes “5 Maji, Rrapishtë” ishin asfaltimi i rrugëve “Hysen Alikopili” dhe “Kamber Xherija”. Emrat e rrugëve u hodhën në letër dhe kërkesat u renditën si prioritare.

Ndërkohë, Doris Madhi, këshilltare e opozitës në Këshillin Bashkiak, prezantoi peticionin e banorëve me firmat e tyre, i cili iu dërgua me e-mail të gjithë këshilltarëve, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar financimin e rrugëve të kërkuara nga komuniteti rom.

Lagjja Rrapishtë Elbasan/Citizens.al

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, gjatë mbledhjes për miratimin e buxhetit prezantoi listën e investimeve në rrugë dhe infrastrukturë. Ai përmendi edhe rrugët “Xhaferr Belgu” dhe “Hysen Alikopili” si investime të ardhshme.

Megjithatë, sipas një përgjigjeje zyrtare që banorët kanë marrë nga bashkia, disa prej këtyre rrugëve nuk rezultojnë në planin aktual të investimeve.

“Procesi i konsultimit, nëse nuk merren parasysh prioritetet e banorëve, nuk ka vlerë”, thotë Ervis Çota, drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome, i cili ka ndjekur të gjitha hapat institucionalë me banorët për të bërë realitet këto investime.

“Kërkesat tona pasqyrohen në listë, por kur vjen puna te fondet, na thuhet se nuk ka plan për investime ose se do të ketë financime nga fonde të tjera dhe jo nga buxheti i bashkisë.”

Ai ka shoqëruar banorët në disa procese vendimmarrjeje, por tashmë bashkë me ta shprehet i zhgënjyer për mungesën e finalizimit të investimit.

Në Rrapishtë, infrastruktura nuk është luks, por nevojë bazike: rrugë të shtruara që të mos përmbyten sa herë bie shi.

“Edhe ne njerëz jemi”, thotë Nazmi Kallku, një burrë i moshuar, duke parë fëmijët që luajnë pranë një pellgu balte. “Nuk duhet të vuajmë kështu.”

Ndërsa kërkojnë rrugë të shtruara dhe kanalizime funksionale, banorët e komunitetit rom në lagjen Rrapishtë ngrenë shqetësime edhe për shkollën e zonës.

Godina arsimore ndodhet në gjendje të degraduar, me infrastrukturë të amortizuar dhe kushte që, sipas tyre, nuk garantojnë një mjedis dinjitoz për fëmijët. Deri më tani nuk ka pasur investim konkret për rikonstruksionin.

Nga ana tjetër, bashkia deklaron se investimet për lagjen Rrapishtë pritet të mbulohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe se së shpejti do të ketë një përgjigje konkrete për ndërhyrjet e planifikuara. Banorët mbeten në pritje, me shpresën se premtimet do të përkthehen në investime reale që do të përmirësojnë jetesën dhe kushtet e arsimimit.

Dhe sa herë bie shi, Rrapishta rikujton se premtimet, pa asfalt dhe pa kanalizime, nuk thahen kurrë.

Lexo gjithashtu:

The post “Edhe ne njerëz jemi,” lagjja Rrapishtë në Elbasan kërkon rrugë dhe kushte dinjitoze appeared first on Citizens.al.

  •  

Paradoksi i zhvillimit të qendrës së Tiranës: Shumë ndërtime, pak banorë

Autor: Xhevahir Zhabina | Citizens.al

Prej më shumë se një dekade në Tiranë ndërtohet me ritëm shumë të lartë. Qyteti është kthyer në një kantier të përhershëm me miliona metra katrorë të rinj çdo vit.

Kullat shumëkatëshe dhe komplekset rezidenciale kanë ndryshuar fizionominë e kryeqytetit, ndërsa ndërtimi është bërë një nga motorët kryesorë të ekonomisë lokale.

Por përtej këtij zhvillimi, të dhënat e censit 2023 tregojnë një realitet më kompleks. Popullsia brenda bashkisë Tiranë ka rënë me rreth 30 mijë persona, duke ngritur pyetjen: për kë dhe për çfarë ndërtohet në këtë zonë?

Vetëm 8% e qarkut jeton në banesa të reja

Sipas Censit 2023, qarku Tiranë, ku përfshihen bashkia Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë, ka 321,821 njësi banimi, nga të cilat 85,475 janë bosh.

Pjesën më të madhe të banesave bosh e ka Tirana me 52,871 të tilla, më pas Kavaja me 21,765, Kamza me 4,151, Rrogozhina me 4,872 dhe Vora me 1,798 banesa bosh.

Nga totali prej 236,364 njësish të banuara në rang qarku, pjesa më e madhe e apartamenteve dhe shtëpive ku jetohet janë ndërtuar në periudhën 1981-2010. Në njësitë e ndërtuara pas vitit 2016 jetojnë vetëm 18,474 banorë, ose rreth 7.8% e totalit.

Lexo: Më shumë kulla, më pak njerëz: Për kë ndërtohet në Shqipëri?

Për ekspertin e ekonomisë Pano Soko kjo shpjegohet me çmimet e larta të ndërtimit të ri, që e mbajnë të papërballueshëm për pjesën më të madhe të popullsisë.

“Çmimet e larta kanë shërbyer si një seleksionues natyror, ku shumica kanë mbetur jashtë”, thotë Soko.

Censi i vitit 2023 përveç numrit të banesave të banuara dhe bosh jep edhe vjetërsinë e ndërtesave, por Instituti i Statistikave e ka publikuar këtë informacion vetëm në nivel qarku.

Citizens.al i kërkoi INSTAT-it të dhëna në nivel bashkie dhe njësie administrative, por pas komunikimeve me institutin dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit, na u tha se të dhënat janë ende në përpunim dhe se do të na vihen në dispozicion vetëm pasi ky proces do të ketë përfunduar.

Kërkuam gjithashtu informacion mbi vendndodhjen dhe periudhën e ndërtimit të banesave bosh, por edhe ky informacion nuk u vu në dispozicion me të njëjtin argument.

Censi rrëzoi propagandën

Në dekadën e fundit në Tiranë janë miratuar rreth 10 milionë metra katrorë ndërtim, duke e kthyer kryeqytetin në një kantier të madh dhe ekonominë e saj të varur nga industria e ndërtimit.

Në vitin 2015, pak para se të zgjidhej kryetar bashkie, Erion Veliaj deklaronte si ambicie personale:

“Nuk kam ndërmend të hyj në histori si një njeri që dha pallate; dua të mbahem mend si një njeri që punoi për ta kthyer qytetin në normalitet dhe si njeri që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate.”

LexoGara e kullave: 10 gjigandët e betonit që po pushtojnë Tiranën

Por sot, shifrat janë kokëforte, kantiere ndërtimi hapen thuajse çdo ditë në çdo njësi administrative të Tiranës, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën reale të këtij ritmi ndërtimi.

Argumenti i kryetarit të Bashkisë – i cili prej shkurtit 2025 ndodhet në paraburgim si i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash – ka qenë se Tirana shtohej me 20-25 mijë banorë çdo vit dhe se ndërtimi ishte i domosdoshëm për të frenuar rritjen e çmimeve.

Në kulmin e këtij debati, në vitin 2023, Veliaj do të shprehej se lejet jepeshin bazuar mbi kërkesat e tregut.

“Numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës,” theksonte Veliaj, “Ka kërkesë, por ka edhe ofertë, të dyja duhet të ecin paralelisht.”

“Tiranës nuk i vëmë dot traun për këta 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit, as s’e ndajmë dot në vendas dhe të ardhur, sepse ajo është gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzsitojë më,” shprehej Veliaj për idenë e “një qyteti të mirë për të gjithë.”

Por paradoksalisht çmimet e banesave janë rritur pavarësisht rritjes së sipërfaqes së dhënë për ndërtim.

Sipas Pano Sokos, prirja nuk lidhet më me nevojat e tregut, por me ekonominë informale:

“Pastrimi i parave e la kërkesën natyrore për apartamente të qytetarëve të paplotësuar, jo për shkak të mungesës së ofertës, por për shkak të çmimeve të larta,” thotë ai.

Sa banorë shtohen dhe sa apartamente ndërtohen

Deklaratat e kryebashkiakut Veliaj për flukset e zhvendosjeve rezidenciale në Tiranë me nga 20-25 mijë qytetarë, ndodhnin në një kohë kur nuk kishte të dhëna të pavarura.

INSTAT-i botoi të dhënat e censit vetëm në vitin 2023. Këto të dhëna krahasuar me vitin 2011 tregojnë se popullsia e bashkisë Tiranë është rritur me rreth 40 mijë banorë.

Kjo do të thotë një mesatare prej rreth 3,500 banorë në vit. Me një mesatare familjare, rreth 1,500 apartamente në vit do të mjaftonin për akomodimin e tyre – totali në 10 vite, rreth 15,000 apartamente.

Lexo: Gjysma e banesave në Durrës dhe Vlorë janë bosh

Por për këtë periudhë nga censi rezulton se janë shtuar rreth 51,854 njësi banimi të reja. Prej tyre 38 mijë janë të banuara dhe rreth 13,800 bosh.

Kështu, në praktikë, për çdo banor të ri që i është shtuar Tiranës është ndërtuar diçka më shumë se një apartament.

Ilustrim grafik të kullave rreth qendrës dhe lartësitë e tyre.

Bie popullsia në qendër, rritet në periferi

Presioni më i madh i ndërtimit në kryeqytet është përqendruar në katër zona: Tirana brenda Unazës së Madhe, Kashari, Dajti dhe Farka.

Që nga viti 2011, Dajti është rritur me rreth 15 mijë banorë, Kashari me rreth 46 mijë dhe Farka me rreth 14 mijë banorë.

Kashari dhe Dajti konsiderohen si zonat periferike me çmime më të arsyeshme, ku zhvendosen familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Ndërsa Farka, përkundrazi, është kthyer në zonë elitare rezidenciale me vila dhe rezidenca luksoze.

Sipas Pano Sokos, qytetarët po shkojnë drejt periferisë për shkak të çmimeve dhe përpjekjes për të gjetur një jetë më të qetë në kryeqytet.

Por, ndërkohë, popullsia e Tiranës brenda zonës qendrore të saj – ish-bashkia e vjetër deri në reformën e vitit 2014, e njohur rëndomtë si vija e verdhë, – ka rënë me 29,172 banorë.

Pra, pikërisht në zonën ku po ndërtohen më shumë kulla, numri i banorëve po zvogëlohet.

Kjo ngre pyetjen thelbësore: kush po blen dhe për kë po ndërtohet në qendër kur zona është zbrazur me rreth 30 mijë qytetarë në 12 vitet e fundit?

“Ndërtimi në qendër duket se është vënë në funksion të pastrimit të parasë gri. Nuk ka më kërkesë natyrore për strehim; ka kërkesë për kthimin e parave ‘cash’ në beton sepse besojnë se janë më të sigurta ashtu,” thotë Soko.

Lexoni gjithashtu:

The post Paradoksi i zhvillimit të qendrës së Tiranës: Shumë ndërtime, pak banorë appeared first on Citizens.al.

  •  

“Paketa e Maleve”, marrëveshja €1 kërcënon Parqet Kombëtare të Ballkanit

Autorë: Ola Mitre; Aida Ciro; Kristi Bashmili dhe Nemanja Živaljević.

Në korrik të vitit 2025, fadromat hynë në Theth dhe brenda pak ditësh, disa ndërtime u shembën në zemër të Alpeve Shqiptare, në një aksion që autoritetet e cilësuan si “rikthim i ligjshmërisë”.

Vetëm një vit më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nxiti banorët të ktheheshin në fshatin e tyre turistik, të investonin dhe t’i kthenin tokat e tyre në mundësi zhvillimi. Premtimi ishte se pronat e brezave do të pajiseshin me dokumente pronësie dhe se “Paketa e Maleve” do ishte mjeti i rikthimit dhe i mirëqenies së zonave alpine.

“Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon,” iu përgjigj Rama shqetësimit të banorëve të Thethit, duke njoftuar dhe planet për miratimin e ligjit.

“Na thanë të investonim. Kthehuni, ndërtoni! Dhe ne ndërtuam më lehtë se çdo vit tjetër se ishin votimet,” thotë Kristian Gurra, 27 vjeç.

Kristiani ka mbi dhjetë vite që zhvillon një biznes familjar në Theth. Filloi me një lokal të vogël, ndërsa tani ka një restorant dhe 16 dhoma për turistë, që mbajnë familjen e tij dhe disa punëtorë sezonalë. Investimi i fundit, i menduar për turizëm dimëror, u financua me kredi bankare rreth 100 mijë euro, por u shemb gjatë aksionit të korrikut.

“Sot paguaj kredinë çdo muaj dhe kam edhe gjobë. Shtëpinë në Shkodër e kam lënë kolateral, sepse këtu nuk kam tapi”, thotë ai.

Rasti i tij është tipik për zonat veriore në Shqipëri, ku tokat trashëgohen brez pas brezi pa dokumente pronësie, një problem historik që institucionet nuk e kanë zgjidhur kurrë. “Paketa e Maleve”, e miratuar në mars 2025, synon të anashkalojë këtë ngërç, duke u dhënë banorëve mundësinë të ndërtojnë dhe të zhvillojnë pronën edhe në mungesë të titullit të qartë pronësor.

Por aksioni i prishjeve, i ndërmarrë menjëherë pas miratimit të ligjit, goditi pikërisht atë që kjo “paketë” pretendon të mbështesë: investimet e banorëve në pronat e tyre të trashëguara.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se arkitektura ligjore favorizon investime të mëdha turistike dhe energjetike, shumë larg modelit familjar të premtuar, duke mos përjashtuar as Parkun “Alpet e Shqipërisë”, një territor kyç për iniciativat ndërkufitare të mbrojtjes së natyrës, pjesë e Alpeve Dinarike dhe e Brezit të Gjelbër Evropian.

Alpet Shqiptare përbëjnë një ekosistem të pandashëm me parkun Prokletije në Malin e Zi, por standardet e mbrojtjes janë ndjeshëm të ndryshme sa i përket aktiviteteve të lejuara brenda tyre. Për më tepër, ligji hap rrugë edhe tjetërsimit të pyjeve, kullotave dhe livadheve, duke lejuar ndryshimin e përdorimit të tokës nga natyrore, në urbane apo industriale, çka jo vetëm dobëson mbrojtjen e burimeve natyrore, por cenon vetë funksionin ekologjik të territorit.

Ekspertët paralajmërojnë se qasja e ligjit shqiptar rrezikon pasoja të pakthyeshme për ekosistemin alpin dhe bie ndesh me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa centralizimi i vendimmarrjes në nivel qendror hap shteg që përfitimet të shkojnë te subjekte jorezidente dhe jo te komunitetet vendase.

Paketa e Maleve

Në prezantimin publik, “Paketa e Maleve” u shfaq si një instrument për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave malore, që prej dekadash jetojnë dhe investojnë në toka pa tituj pronësie. Zgjidhja e këtij problemi u lidh me zhvillimin e strukturave agroturistike, që janë miqësore me mjedisin, si dhe mbajtjen e komuniteteve në territor, në një kohë që shumë zona malore në Shqipëri janë zbrazur si pasojë e emigrimit.

Ligji i miratuar parashikon një seri mekanizmash që, në dukje, synojnë t’u japin banorëve të zonave malore siguri juridike dhe mundësi zhvillimi. Ai u lejon individëve të njohur si posedues jopronar që, me përmbushjen e disa kritereve, të blejnë tokën shtetërore me çmimin simbolik prej 1 euro, të përfitojnë përjashtime nga disa taksa për një periudhë 10-vjeçare, si dhe të kenë akses të thjeshtuar në lejet e ndërtimit.

Por ndërkohë ligji ka përfshirë qartazi edhe investitorët, si persona fizikë apo juridikë të regjistruar, të cilëve iu jepet e drejta të realizojnë projekte investimi, në marrëveshje me poseduesin jopronar.

Përveç kësaj, ligji i miratuar ka krijuar çdo hapësirë ligjore për investime të mëdha turistike dhe energjetike, pasi përcakton se autoriteti kompetent për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit do të jetë vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).

Sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, KKTU-ja, një institucion që drejtohet nga kryeministri, është autoritet përgjegjës për vendimmarrjen vetëm për zhvillime komplekse. Ky dikaster, miraton leje zhvillimi për projektet strategjike në territor, nga resorte të mëdha turistike deri te struktura energjetike dhe infrastrukturore. Po ashtu, legjislacioni specifikon se KKTU-ja mund të miratojë leje ndërtimi vetëm për objekte të larta mbi 6 kate.

Këto kompetenca s’kanë asnjë lidhje me natyrën e agroturizmit apo të bujtinave familjare.

“Agroturizmi, sipas përkufizimit, presupozon iniciativa të vogla, që zhvillohen nga familje dhe janë drejtpërdrejt të lidhura me ekonominë rurale. Është një model turizmi rural i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe jetën në fshat, ku shërbimet turistike mbështesin dhe plotësojnë aktivitetin bujqësor ekzistues, pa e zëvendësuar ose deformuar funksionin tradicional të territorit”, thotë Doriana Musai, pedagoge e arkitekturës dhe planifikimit urban.

“Ndërkohë, këto investime që cilësohen strategjike, vijnë me investitorë dhe kompani që favorizojnë investime me kosto të lartë. Me pak fjalë agroturizmi përdoret si narrativë legjitimuese e politikës qendrore, ndërsa rezultati real është turizëm intensiv, i shkëputur nga struktura sociale dhe ekonomike e zonës”, shton ajo.

Edhe për ekspertët e turizmit “modeli i resorteve të mëdha nuk është në përputhje me parimet e zhvillimit lokal dhe përfshirjes së komuniteteve”.

“Ai mund të sjellë investime dhe vende pune, por rrezikon që përfitimet të përqendrohen te investitorët dhe jo te banorët vendas”, thotë Ardiola Alikaj, eksperte e lartë e turizmit në Shqipëri.

Paralelisht, ekspertët kritikojnë anashkalimin e bashkive në vendimmarrjen për zhvillimet në territorin e tyre, kompetenca që i gëzojnë në ligjin aktual për struktura nën 6 kate, përfshirë agroturizmet.

“Cenohet autonomia e autoriteteve vendore dhe planet e tyre të territorit”, thotë Erjon Muharremaj, profesor dhe ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Mjedisore dhe Proceset e Integrimit në BE.

Ndërsa sipas Musait, “kur miratimi i projekteve bëhet nga lart-poshtë, pra nga niveli qendror, në formë ekzekutive drejt atij vendor cenohet parimi i zhvillimit lokal dhe i subsidiaritetit”.

“Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, si organ qeveritar, duhet të garantojë koherencë kombëtare të planifikimit, dhe jo të zëvendësojë autoritetet vendore në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetet dhe peizazhin lokal”, argumenton ajo.

Alpet, zonë zhvillimi

 “Paketa e Maleve” nuk zbatohet në gjithë territorin malor, por vetëm në ato zona që shpallen “zona prioritare të zhvillimit”, të cilat përzgjidhen përmes një procedure të veçantë që nis në nivel vendor dhe finalizohet në nivel qendror. Bashkia mbledh aplikimet e banorëve ose identifikon territoret me “potencial ekonomik” dhe i propozon ato si zona që duhen zhvilluar.

Më pas, relacioni i bashkisë i dërgohet ministrit përgjegjës për pushtetin vendor, i cili vendos nëse propozimi plotëson kriteret për t’u çuar më tej. Vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave, i cili shpall zonën zyrtarisht, duke i hapur rrugë më pas miratimit të projekteve.

I gjithë procesi tashmë është finalizuar për Bashkinë Shkodër, në territorin e së cilës janë miratuar 5 zona prioritare të zhvillimit, përfshirë edhe fshatin Theth e Ndërlysaj, që ndodhen brenda parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në kufi me Malin e Zi.

Ndërlysaj, Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” Foto: ©Ola Mitre

Interesi për të ndërtuar në zonat prioritare ka qenë tejet i lartë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Territorial të Bashkisë Shkodër. Pas një kërkese për informacion, kjo drejtori bëri me dije se deri më 9 dhjetor 2025 ishin paraqitur 642 aplikime për 5 tipologjitë që lejonte sistemi i ngritur për këtë qëllim: Agroturizëm, energji e gjelbër, blegtori, projekte sociale dhe tipologjia “tjetër”, që le të hapur çdo lloj kërkese për investime. Pjesa më e madhe lidhej me agroturizimin (434), kategoria “të tjera” kishte 136 aplikime, projektet sociale 35, blegtoria 29 dhe energjia e gjelbër, pra ndërtimi i parqeve diellore dhe eolike, 14 aplikime.

Faximile e përgjigjes së Bashkisë Shkodër
Faximile e përgjigjes së Bashkisë Shkodër

Megjithatë, edhe pse interesi fillestar vjen kryesisht nga banorët e zonës për projekte agroturizmi, vetë arkitektura ligjore e orienton procesin drejt zhvillimeve shumë më të mëdha, që kërkojnë kapital dhe miratim qendror. Ky kontrast bëhet edhe më i mprehtë kur këto zhvillime synohen në zona të mbrojtura, brenda një prej ekosistemeve më të ndjeshme të Ballkanit.

Alpet e Shqipërisë dhe Prokletije në Malin e Zi përbëjnë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të rajonit, të njohura për larminë e jashtëzakonshme biologjike dhe habitatet e tyre të brishta. Përveç statusit kombëtar të mbrojtjes, territore të veçanta gëzojnë njohje ndërkombëtare. Alpet janë pjesë e rrjetit EMERALD (Zonat me Interes të Veçantë për Mbrojtje për Europën), Thethi njihet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA) dhe Zonë Kryesore për Biodiversitetin (KBA), ndërsa Lumi i Gashit, rezervë strikte natyrore deri në vitin 2022 e sot pjesë e Parkut të Alpeve, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës të UNESCO-s.

Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tregojnë një numër të lartë habitatesh sipas listës së Natura 2000, me rëndësi për ruajtje. Vetëm në Theth dhe zonat përreth janë evidentuar rreth 20 tipe habitatesh, prej të cilave 4 prioritare. Po ashtu, në luginën e Vermoshit dhe Lëpushë – Budaçit janë identifikuar rreth 25 tipe habitatesh, prej të cilave 4 janë prioritare, në Luginën e Valbonës rreth 26 tipe, prej të cilave 4 prioritare, ndërsa në luginën e Lumit të Gashit – Dobërdoll, rreth 14 tipe habitatesh, nga të cilat 2 janë prioritare dhe kërkojnë masa specifike për ruajtje. Parku përfshin edhe një florë të pasur me rreth 1,500 lloje bimësh, 40% e të cilave janë endemike të Shqipërisë, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve të mundshme. Ahu, rrobulli, bredhi i bardhë dhe arneni janë disa prej llojeve të florës që takohen në zonë.

Po aq e pasur është fauna. Trupat ujorë dhe zonat përreth strehojnë lloje të rralla e të rrezikuara të peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve; rreth 155 lloje shpendësh dhe mbi 60 gjitarë, përfshirë rrëqebullin e Ballkanit, ariun, ujkun, kaprollin, vidrën, shkabën, shqiponjën e maleve dhe gjelin e egër. Një pjesë e madhe e tyre figuron në Shtojcat e Direktivës së Habitateve, Direktivës së Shpendëve, në listat e kuqe të IUCN dhe Shqipërisë, duke e bërë këtë zonë kritike për ruajtjen e biodiversitetit. Edhe në anën malazeze të Prokletijes janë evidentuar mbi 2,000 lloje bimësh, 60 prej të cilave të mbrojtura dhe 161 lloje shpendësh. Ndërkohë që kamerat kurth, vitin e kaluar kanë dokumentuar praninë e rrëqebullit, një prej specieve më të rrezikuara në Ballkan.

Ky masiv malor funksionon si një nyje e vetme ekologjike brenda Alpeve Dinarike dhe Brezit të Gjelbër Evropian, çka e bën mbrojtjen e tij një prioritet rajonal dhe evropian.

“Çdo ndërhyrje në Shqipëri ka ndikim edhe në Mal të Zi dhe anasjelltas”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković, duke kujtuar se zona përfshin edhe shtegun e njohur ndërkufitar “Majat e Ballkanit”.

Por, megjithëse rëndësia ekologjike e Alpeve të Ballkanit është e dokumentuar gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kjo nuk e pengoi Bashkinë Shkodër dhe qeverinë shqiptare t’i përfshinin në zonat prioritare të zhvillimit.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet në udhëzimin që përcakton procedurën e shpalljes së këtyre zonave tregojnë një largim të qartë nga standardet e mbrojtjes së mjedisit. Udhëzimi i parë, i qershorit 2025, kërkonte mbledhjen dhe analizimin e të dhënave socio-ekonomike, mjedisore dhe gjeografike. Por vetëm katër muaj më vonë, një udhëzim i ri i shfuqizoi të gjitha këto kritere, duke e reduktuar procesin në një procedurë që bazohet vetëm në “potencialin ekonomik, industrial apo turistik të zonës”.

Sipas profesor Erjon Muharremajt, ky ndryshim kaq i shpejtë dhe kalimi nga një dokument 70-paragrafësh në një udhëzim me vetëm 30 paragrafë, ngre pikëpyetje serioze.

“Për të shfuqizuar një akt kaq të rëndësishëm pas vetëm katër muajsh do duhej të kishte pasur ndryshime rrënjësore të rrethanave. Por, edhe nëse do të kishte arsye, duhej bërë amendimi i udhëzimit, jo shfuqizimi i tij i plotë”, thotë ai.

“Legjislacioni pasues zakonisht bëhet më i hollësishëm. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, çka përgjithësisht, nuk është tregues i vullnetit për përmirësimin e legjislacionit, por ka arsye të tjera”, shton më tej eksperti.

Një tjetër element shqetësues i ligjit lidhet me ndryshimin e statusit të pasurive natyrore. Për herë të parë, “Paketa e Maleve” i hap rrugë tjetërsimit të kategorive që deri më sot kanë qenë të paprekshme: pyjeve, kullotave dhe livadheve.

Neni 8 i ligjit përcakton se këto pasuri nuk konsiderohen më pronë publike e patjetërsueshme, duke u lejuar t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit. Kjo do të thotë se sipërfaqet pyjore, kullosore apo livadhe mund të humbin statusin natyror dhe të shndërrohen me lehtësi në zona urbane, turistike ose industriale, duke shmangur dhe çdo dokument planifikimi territoral, që ka kaluar edhe në filtra mjedisore.

“Kur zona apo projekte shpallen si “strategjike” ato shpesh anashkalojnë Planet e Përgjithshme Vendore dhe Planet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, pasi qëllimi është të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe përqendruar vendimmarrjen”, thotë Musai.

“Kjo krijon një sistem paralel vendimmarrjeje, ku planifikimi afatgjatë humbet peshën e tij dhe reduktohet në formalitet, ku nuk është më plani që drejton zhvillimin, por e kundërta”, shpjegon më tej ajo.

Sipas Muharremajt, këto zhvillime nuk mund të kuptohen pa parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të cilat dobësojnë në mënyrë të ndjeshme mbrojtjen e kategorive më të larta natyrore. Ndryshimet lejojnë zhvillime urbane dhe struktura turistike me pesë yje brenda parqeve kombëtare, madje edhe në nënzonën qendrore, që teorikisht duhet të jetë zonë me mbrojtje strikte.

“Këto janë pasojat katastrofike të ndryshimeve të vitit 2024”, thotë ai.

Ai kritikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, e cila rrëzoi kërkesën e organizatave mjedisore për shfuqizim të ndryshimeve.

“Ky vendim regresiv i lejon ekzekutivit dorë të lirë për të miratuar leje zhvillimi apo ndërtimi në zonat e mbrojtura”, shprehet profesori.

Pasoja serioze

Kombinimi i zonave prioritare të zhvillimit me dobësimin e kuadrit të mbrojtjes së mjedisit e vendos në pikëpyetje të ardhmen ekologjike të Alpeve. Zhvillimet e lejuara brenda parkut, pa konsultime publike, pa Vlerësime Strategjike Mjedisore dhe pa verifikim të përputhshmërisë me dokumentet e planifikimit dhe menaxhimit, krijojnë një rrezik real për fragmentimin e habitateve, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe humbjen e vlerave natyrore që e bëjnë këtë territor unik në Ballkan.

Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se rreth 72 % e sipërfaqes së zonës së shpallur për zhvillim mbivendoset me nënzonën Qendrore B të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke rrezikuar drejtpërdrejt tërësinë ekologjike të parkut dhe ruajtjen e specieve të florës dhe faunës.

Zonat prioritare të zhvillimit brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” Ilustrim grafik: ©Kristi Bashmili

Ndikimet e mundshme negative nuk kufizohen vetëm brenda kufijve administrativë të parkut, por prekin biodiversitetin, lloje dhe habitate me interes për BE-në, ekosistemet ujore dhe korridoret ekologjike ndërkufitare, si edhe objektivat e iniciativave ndërkombëtare si Alpet Dinarike dhe Brezi i Gjelbër Evropian.

Në këtë kontekst, çdo zhvillim i pakontrolluar brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” mund të komprometojë funksionin e tij ekologjik dhe rolin e tij si nyje kyçe e ruajtjes së biodiversitetit në rajon.

Në anën malazeze, Parku Kombëtar Prokletije administrohet me kritere të rrepta: ndërtimet janë të kufizuara dhe çdo projekt i nënshtrohet filtrave të fortë mjedisorë dhe ndërkufitarë. Por në Shqipëri, ligji i ri hap rrugë zhvillimeve të mëdha turistike e energjetike, pa asnjë proces të dukshëm koordinimi me autoritetet e Malit të Zi, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin ekosistem.

“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion”, thotë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanel Balić.

“Gjithçka që ndodh përgjatë kufirit duhet ta dijë qeveria malazeze dhe komunat që kufizohen me këtë zonë. Çfarëdo që ndërtohet atje mund të ndikojë edhe tek ne”, theksoi ai.

Edhe Marinela Đuretić, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike të Parqeve Kombëtare të Malit të Zi, nuk ishte në dijeni se Prokletije në anën shqiptare mund të jetë nën presion të investitorëve. Ajo beson se kjo është një çështje komplekse që kërkon përfshirje në nivel shtetëror.

Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut nuk u përgjigj nëse është në dijeni të planeve të Shqipërisë apo nëse planifikon të kontaktojë homologët në Tiranë.

Ndryshe nga autoritetet malazeze, Marija Lekić nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) është e informuar për zhvillimet e reja ligjore në vendin fqinj. Edhe pse nuk dihet shkalla e projekteve, Lekić thekson se mund të ketë prerje të pyjeve, ndërtim rrugësh dhe vendosje linjash të transmetimit, aktivitete që bien nën veprimin e Konventës së Espoos.

Ajo thekson se Shqipëria, si palë që nga viti 1991 është e detyruar të njoftojë në kohë shtetet fqinje për projekte që mund të kenë ndikime përtej kufirit.

Në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk kthyen përgjigje ndaj një kërkese për koment, duke lënë pa sqarim se si do të mbrohen parqet kombëtare dhe korridoret ekologjike nga zhvillime intensive.

Ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi se nuk është pjesë e procesit të përcaktimit të zonave prioritare të zhvillimit. Në një përgjigje me shkrim AKM tha se roli i saj nis vetëm më pas, në fazën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektet individuale.

Integrimi dhe projektet ndërkufitare, në pikëpyetje

Standardi i dyfishtë i mbrojtjes për Alpet Dinarike rrezikon jo vetëm natyrën, por edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe aksesin në fondet evropiane për projekte të përbashkëta. Drejtoresha e Parqeve të Malit të Zi thekson se BE-ja nuk mbështet politika që lejojnë ndërtim në zona të mbrojtura.

Edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ngriti shqetësime, duke vlerësuar se ligji “Paketa e Maleve” “mund të ketë ndikime të rëndësishme në përdorimin e tokës në nivel lokal dhe në menaxhimin mjedisor”.

Nisur nga përvoja personale dhe nga ky vlerësim i Komisionit Evropian, sipas profesor Muharremaj, “mungesa e vullnetit për zbatimin e standardeve mjedisore do të jetë pengesë serioze në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Banorët e Thethit, si Kristian Gurra, e shohin këtë realitet me pasiguri.

“Është gjithmonë për t’u pasur frikë… nuk po kuptojmë më se çfarë po ndodh. Banorët janë stepur. Nevojë ka për investime, por jo në një klimë ku çdo gjë është e paparashikueshme”, thotë ai.

Kjo ndjesi pasigurie në terren përkon me paralajmërimet e ekspertëve në të dy anët e kufirit, të cilët frikësohen për ndikime të mundshme negative në mjedisin e Alpeve të Ballkanit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.

“Podgorica zyrtare duhet të reagojë”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković.

Për eksperten e lartë të turizmit Ardiola Alikaj, “për të shmangur skenarin e pasojave të pakthyeshme nevojitet një qasje e kujdesshme, që vendos në qendër kapacitetin mbajtës të zonës së Alpeve, përfshirjen reale të komuniteteve lokale dhe modele turistike më të shpërndara e të qëndrueshme”.

“Me resortet standarde, traditat dhe kulturat vendase shtypen, zhduken ose deformohen, duke u shndërruar në mjete të turizmit dhe jo në gjenerues të një modeli të qëndrueshëm”, përfundon Musai.

*Ky investigim u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.

The post “Paketa e Maleve”, marrëveshja €1 kërcënon Parqet Kombëtare të Ballkanit appeared first on Citizens.al.

  •  

“Migrant Stories”: Migracioni si përvojë njerëzore

“Histori Emigrimi” (En. Migrant Stories), është një nismë e Citizens.al që synon të transformojë narrativën mbi migracionin duke vendosur në qendër njerëzit.

Përmes gazetarisë, punës kërkimore dhe rrëfimit multimedial, nisma dokumenton se si migracioni formëson jetën e përditshme në Shqipëri: të rinj që përballen me zgjedhje të vështira për të ardhmen, gra që mbajnë barrën e ndarjes familjare, të moshuar të lënë pas në komunitete që po tkurren, si dhe punëtorë të huaj që kërkojnë një fillim të ri në Shqipëri.

Gjatë zbatimit, janë prodhuar:  

  • 25 artikuj të thelluar dhe investigime të thelluara;
  • 8 episode të podcastit “Pezull”;
  • 4 dokumentarë të shkurtër;
  • Studimi: “Shoqëri në Ikje: Një antropologji e Migrimit”
  • Mbi 80 publikime, pjesë e fushatës “Migrant Stories”  informuese online;

Podcast: “Pezull”

Kliko mbi foto për të dëgjuar podcastet

Podcasti “Pezull” trajton përvojat e migrimit përmes bisedave të thelluara me studiues, ekspertë dhe persona të prekur drejtpërdrejt, duke eksploruar dimensione të ndryshme si pasiguritë, përvojat pozitive, rikthimet dhe zgjedhjet sfiduese që shoqërojnë këto procese.

Dokumentarë – Histori Emigrimi

Seria dokumentare “Migrant Stories” sjell në qendër njerëzit më të prekur nga migrimi, duke treguar përvojat e grave dhe të moshuarve në komunitete të shpopulluara. Ajo nxjerr në pah koston sociale të depopullimit, duke theksuar dinjitetin, qëndrueshmërinë dhe të drejtat e shpesh anashkaluara në debatet publike mbi migracionin.

Studim: “Shoqëri në ikje”

Studimi “Shoqëri në Ikje”, i udhëhequr nga Prof. Dr. Nebi Bardhoshi me metodologji etnografike dhe analiza të Censit 2023, shqyrton se si migrimi po transformon strukturat sociale, ekonomike dhe familjare në Shqipëri, duke dokumentuar shpopullimin rural, plakjen demografike dhe zhdukjen graduale të shërbimeve bazë.

https://online.pubhtml5.com/kkuuz/zlul

“Migrant Stories” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri në kuadër të programit MATRA. Opinionet, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në këtë publikim i përket autorit dhe nuk përfaqësojnë detyrimisht qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë

The post “Migrant Stories”: Migracioni si përvojë njerëzore appeared first on Citizens.al.

  •  

Studim: “Shoqëri në Ikje”

Ky studim eksploron mënyrën se si migrimi riformëson jetën sociale, ekonomike dhe kulturore në Shqipëri. I udhëhequr nga Prof. Dr. Nebi Bardhoshi, asistuar nga Oksana Vata dhe Lorna Capo, studimi është realizuar me metodologji etnografike, një kërkimi kombinon intervista të thelluara, ekspedita në terren në Mat dhe Përmet, si dhe analizë të të dhënave demografike, përfshirë Censin 2023.

Studimi përfshin përvoja të grave migrante, të rikthyerve, azilkërkuesve dhe komuniteteve të prekura nga shpopullimi.  “Shoqëri në Ikje” dokumenton rënien drastike të popullsisë në zonat rurale, plakjen e popullsisë, transformimin e strukturave familjare dhe zhdukjen graduale të shërbimeve thelbësore si shkollat, veçanërisht në periferi.

“Shoqëri në Ikje” ofron një analizë të thelluar mbi ndikimin afatgjatë të migrimit, duke lidhur të dhënat demografike me përvojat konkrete të njerëzve dhe duke ofruar një kuptim të plotë antropologjik të ndryshimeve që po kalon shoqëria shqiptare.

* Ky publikim është prodhuar nga Citizens Channel si pjesë e Projektit “Migrant Stories” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri në kuadër të programit MATRA. Opinionet, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në këtë publikim i përket autorit dhe nuk përfaqësojnë detyrimisht qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë

The post Studim: “Shoqëri në Ikje” appeared first on Citizens.al.

  •  

Kulla të zbrazëta: Brenda bumit të çmendur të ndërtimit në Tiranë

Kryeqyteti shqiptar po përjeton (dhe po vuan) një transformim urban jashtëzakonisht të shpejtë, që përfshin aktorë të mëdhenj të arkitekturës bashkëkohore. Kundër çdo logjike, çmimet kanë shpërthyer, ndërsa shumica e ndërtesave mbeten të zbrazëta.

Nga Francesca Barca, Federico Caruso

Qendra e Tiranës është e ngjeshur përplot me njerëz, makina, biçikleta, skuterë, dhe një gamë të gjerë formash arkitekturore.

Gjatë orëve të pikut, zona është aq e mbushur me lëvizje sa është e vështirë të matet gjerësia e bulevardeve. Stilet arkitekturore nga periudha të ndryshme historike bashkohen, por janë qiellgërvishtësit e shumtë që spikasin – të gjithë të rinj, të gjithë imponues, të gjithë më shumë a më pak tërheqës.

Horizonti i Tiranës nga ndërtesa Piramida. | Foto: ©FB

Këto janë projektet e të ashtuquajturve “archistars”: emra të tillë si Stefano Boeri (më i njohur në Itali, për Pyllin Vertikal në Milano), Marco Casamonti, studioja holandeze MVRDV, dhe studioja belge 51N4E.

Këta janë emra të mëdhenj dhe prestigjiozë, që ndërtojnë projekte inovative dhe të vetëdijshme për mjedisin, ose të paktën këtë pretendojnë.

Skulptura metalike në qendër të Tiranës. | Foto: ©FB

Këta emra po përdoren nga Kryeministri Edi Rama për të shtuar një ndjesi legjitimiteti në valën më të fundit të zhvillimeve, thotë Erblin Vukaj, gazetar për median e pavarur Citizens.al, ndërsa qëndrojmë në një kryqëzim që është emblemë e kësaj perspektive.

Jemi në distriktin qendror të Bllokut, ku shëtitja jonë fillon në shoqërinë e Vukajt dhe koleges së tij, gazetares Elira Kadriu, midis Rrugës Brigada e VIII dhe Rrugës Vaso Pasha.

E njëjta zonë përfshin vila të vogla që ndoshta i përkisnin liderëve të partisë gjatë regjimit socialist (1944–1991), ndërtesa të ndërtuara pas rënies së regjimit, dhe struktura më imponuese si “Cube of Blloku” i Stefano Boerit, selia e Banka Credins e dizajnuar nga studioja shqiptare Atelier 4, dhe dy qiellgërvishtës të tjerë në ndërtim, të dizajnuar nga studioja e Marco Casamonti.

Një banderolë e madhe që sulmon politikat e qeverisë për ndërtimet varet nga njëra prej ndërtesave më të vjetra. Pak më tej, Vukaj tregon një ndërtesë që do të shembet për t’i hapur rrugë një kulle tjetër. Nuk ka asnjë shenjë të parqeve apo pistave për biçikleta në zonën përreth.

“Po kërkoj të blej një apartament, pagesa në dorë” – Një reklamë në qendër të Tiranës. | Foto: ©FB

Prapa kësaj fasade arkitekturore imponuese, megjithatë, ka një boshllëk. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), në vitin 2023 një në tre apartamente në Shqipëri ishte i pashfrytëzuar.

Në vitin 2024, gazetarja Ola Xama raportoi se në provincën e Tiranës kishte mbi 85,000 shtëpi të zbrazëta, 52,000 prej të cilave në kryeqytet. Me ritmin aktual të rritjes së popullsisë, “do të duheshin 45 vjet” për të mbushur këto apartamente, shpjegon Xama.

Kjo shifër është shumë më e lartë se në regjistrimin e mëparshëm (2011), kur një në pesë (21,6%) apartamente ishte i pashfrytëzuar.

Pas këtyre shifrave fshihet një vend që po zbrazet: midis viteve 2011 dhe 2023, Shqipëria humbi gati 500,000 njerëz.

Megjithatë, ndërtimi vazhdon pa pushim. Në vitin 2015, u dhanë leje për ndërtimin e ndërtesave të reja banimi që mbulonin një sipërfaqe prej 50,000 m2; në vitin 2022 ky numër u rrit, më shumë se 40 herë, në 2.071 million m2, dhe kjo tendencë ka vazhduar vetëm në vitet që pasuan.*

Rritja e ofertës, e shoqëruar me një ulje të kërkesës, do të pritej të shkaktonte një ulje të çmimeve. Përkundrazi, çmimet e shtëpive kanë vazhduar të rriten, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pagat.

Një zonë ndërtimi pak jashtë qendrës së Tiranës. | Foto: ©FB

Në Tiranë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, çmimet e shtëpive u rritën me 5,1% në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, dhe me 32,6 % në bazë vjetore.

Në vitin 2011, një apartament në zonat më qendrore të qytetit mund të kushtonte midis 700 dhe 2,500 euro për metër katror; sot, diapazoni ka ndryshuar në 2,500–4,500 euro për metër katror.

Detaj i Blloku Cube të Stefano Boerit në qendër të Tiranës. | Foto: ©Federico Caruso

Të ardhurat mesatare mujore bruto në Shqipëri janë rreth 82,000 lekë (850 euro). Në janar 2026, paga minimale mujore u rrit nga 40,000 në 50,000 lekë (518 euro), duke e bërë vendin me pagën minimale më të ulët në Evropë pas Moldavisë dhe Ukrainës.

Në Tiranë, tani është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të gjesh një apartament me dy dhoma për t’u marrë me qira për më pak se 600 euro.

Euforia e ndërtimit u shkaktua nga një politikë e nisur gjatë mandatit të kryetarit të Bashkisë Edi Rama në periudhën 2000–2011 – i cili u bë kryeministër në 2013 – nga Partia Socialiste, dhe më pas vazhdoi nga pasardhësi dhe kolegu i tij i partisë, Erion Veliaj (tani në burg me akuza për korrupsion dhe pastrim parash).

Në vitin 2017, u miratua plani urban Tirana 2030 – 2030 është viti në të cilin Shqipëria synon të bëhet shtet anëtar i BE-së. I dizajnuar nga Stefano Boeri Architetti, plani prezanton idenë e zhvillimit vertikal për të liruar hapësirë për sheshe dhe zona të gjelbra, dhe për të lehtësuar trafikun përmes zhvillimit të transportit publik dhe pistave për biçikleta.

Fatkeqësisht, realiteti është shumë ndryshe nga vizualizimet arkitekturore.

Planet urbane italiane për Tiranën

“Plani Tirana 2030 ka hapur qytetin ndaj ndërtimit dhe dendësimit,” shpjegon arkitektja dhe studiuesja Dorina Pllumbi, e cila ka reflektuar gjatë mbi këtë çështje. “Më parë, ndërtesat mund të shkonin deri në shtatë kate, nëntë maksimumi.” Sot, ndërtesa më e lartë e përfunduar është Downtown One me 40 kate, por kjo pritet të zbehet nga projektet e miratuara që kalojnë 70 kate.

“Nuk kishte kujdes për ndërtesat historike,” vazhdon Pllumbi, “kishte vila të bukura që u shembën pa asnjë skrupull. Qyteti, duke u ndryshuar me një ritëm shumë të shpejtë dhe njerëzit kanë probleme të njohin lagjen e tyre dhe fqinjët.”

Ndërsa xhentrifikimi është një fenomen tashmë i njohur në shumë qytete evropiane, në Tiranë ka një nuancë tjetër. Jemi mësuar të shohim qytetet të humbasin pjesë të popullsisë për t’i hapur rrugë një klase tjetër shoqërore ose ndoshta edhe turistëve – por rasti i Tiranës është ndryshe. Për kë po ndërtohet qyteti?

Tirana e mbushur me vizualizime dhe kantierë ndërtimi. | Foto: ©FB

“Impresioni im është se Rama dëshiron të ndryshojë fytyrën e këtij qyteti, të ‘lërë gjurmën e tij,” na tha Vukaj ndërsa na tregonte qendrën e qytetit. “Është një problem egoje – asnjë plan urban i vërtetë, asnjë kujdes për balancën estetike, duke shkatërruar kujtesën tonë kolektive. Të gjitha këto ndërkohë që lehtësohet pastrimi i parave.”

Akuzat për pastrim parash dolën në të gjitha bisedat që zhvilluam në Tiranë, por askush nuk dha prova konkrete.

Në shtatorin e kaluar, u publikua një raport nga Friedrich Ebert Foundation me titullin emblematik “Pastrimi i parave në sektorin e pasurive të paluajtshme: ndikimi i tij në jetën socio-ekonomike në Shqipëri.”

Raporti, bazuar në të dhëna që nuk mund të verifikohen gjithmonë, vlerëson se korrupsioni dhe shmangia fiskale në Shqipëri kanë gjeneruar “të paktën 8.168 miliardë euro të ardhura për periudhën 2015–2024”, kryesisht në sektorin e ndërtimit.

“Në vitet e fundit, tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka prodhuar një situatë që nuk mund të shpjegohet nga mekanizmat normalë të një tregu të lirë dhe konkurrues,” thuhet në raport.

“Çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me një ritëm më të shpejtë gjatë 10 viteve të fundit, veçanërisht midis 2021 dhe 2024. Teoretikisht dhe logjikisht, një rritje e tillë çmimesh, ndërkohë që oferta në treg rritet, ndodh kur tregu është i ndikuar nga faktorë kaq të fuqishëm sa deformojnë marrëdhëniet tipike midis kërkesës, ofertës dhe çmimit.”

Në shumë raste, shtëpitë e vjetra rrethohen nga ndërtesa të reja. | Foto: ©FB

Gati një shekull më parë, në vitin 1925, u lançua një plan zhvillimi për qendrën e qytetit të Tiranës, duke përfshirë arkitektë dhe urbanistë italianë të dërguar nga regjimi fashist.

Emrat e Armando Brasini dhe Gherardo Bosio janë të njohur mirë në këtë qytet. Duke ecur në rrugë, nuk është aspak sfidë të njihet stili arkitekturor i asaj periudhe, në zyrën e Kryeministrit, Sheshin Nënë Tereza (më parë Sheshi Vittorio Emanuele III) ose Universitetin Politeknik (më parë Casa del Fascio). Të gjitha janë dizajnuar nga Bosio, dhe ndodhen vetëm disa hapa larg njëra-tjetrës.

Sot, historia po përsëritet, dhe jo pa një ironi të caktuar, siç vë në dukje Vukaj. Për Dorina Pllumbin, kjo është një formë “e një lloj kolonializmi, […] jo në kuptimin klasik, natyrisht, por një ‘kolonialitet i pushtetit’ më i butë, që vepron sot midis vendeve.”

Gjatë bisedës sonë, Pllumbi i referohet një “inferioriteti të internalizuar” që Shqipëria ka zhvilluar ndaj të huajve, veçanërisht “Perëndimorëve.”

Një shembull i këtij fenomeni është pavijoni në Bienalen e Venecias 2025. I dedikuar arkitekturës shqiptare, ai u kurua nga studiuesja zvicerane Anneke Abhelakh dhe përfshinte gjithçka përveç kontributeve nga arkitektët shqiptarë.

Pavijoni kishte titullin “Building Architecture Culture”, “Si të mos ekzistonte arkitekturë në Shqipëri, si të mos kishte asgjë atje, si të ishte gjithçka tabula rasa.”

Kartolina nga festivali i arkitekturës Bukë dhe Zemër. | Foto: ©Federico Caruso

Në fund të ecjes sonë, Vukaj na tregon disa vizualizime nga festivali i arkitekturës Bukë dhe Zemër (Bread and Heart) për të na dhënë një ide se sa jo-realiste janë këto projekte të pasurive të paluajtshme.

Përvoja e krijon përshtypjen se qyteti, si dhe vendi vetë, janë bërë një “lojë” për kreativitetin (dhe portofolët) e arkitektëve dhe ndërtuesve.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vala e fundit e zhvillimit arkitekturor, me hapjen e tregut dhe hyrjen e investitorëve dhe dizajnerëve të huaj, ka të bëjë me “rikthimin e individualizmit” për shqiptarët. Kjo është një retorikë që Dorina Pllumbi e hedh poshtë fuqishëm:

“Në Shqipëri, ka një rezistencë për të folur për kolektivitetin dhe kolektivizmin sepse është si, ‘oh, ne e provuam atë. Ishte një katastrofë. Dështuam’. Dhe tani nuk ka tjetër rrugë veçse të shkojmë drejt individualizmit. Çfarë përpiqem të bëj me punën time dhe studiues të tjerë dhe aktivistë, përfshirë grupin ATA, për shembull është të sfidojmë këtë narrativë dominante. Ajo që përjetuan prindërit tanë ishte në fakt kolektivizmi shtetëror. Shteti përdori ideologjinë e kolektivizmit për të imponuar fuqinë e tij mbi popullsinë, mbi vendin dhe mbi çdo aspekt të jetës së përditshme. Por mënyrat komunitare dhe më të vërteta të organizimit kolektiv të vetvetes gjithashtu pësuan, pasi u përthithën dhe u kapën brenda kësaj ombrelle ideologjike të madhe të kolektivizmit shtetëror. Për këtë arsye, duhet të praktikojmë këto mënyra më të vërteta për të pretenduar qytetin, jo si një forcë totalizuese që vjen nga lart, por si akte kolektive të përditshme.”

Qasja “muskulare” ndaj zhvillimit urban e imponuar nga Partia Socialiste po ndryshon fytyrën e qytetit, por nuk po zgjidh problemet e tij të rrënjosura thellë.

Pllumbi jep shembullin e depozitave të ujit që duken në fasadat e të gjitha shtëpive, që tregojnë mungesat e shpeshta të ujit në qytet. Për Pllumbin, kjo është një “protestë e përhershme.”

“Nëse një planifikues do të donte vërtet të shihte problemet në qytet, është kaq e dukshme. Nëse nuk adreson trafikun, nëse nuk adreson shërbimet dhe çdo gjë që njerëzit kanë nevojë për të jetuar në një qytet normal, atëherë nuk ke bërë shumë.”

Armen Sula. | Foto: ©Federico Caruso

Burimet për ti rezistuar këtij procesi mungojnë: “Protestat kanë qenë shumë të rralla këtu. Sepse kështu na mësojnë: mos shko në protesta. Prandaj ne merreni me të shkuarën.

Arnen Sula është aktivist me organizatën “Tek Bunkeri”, i cila menaxhon një hapësirë në qendër të Tiranës ku zhvillohen shfaqje filmash, debate, koncerte dhe punëtori teatrore, të gjitha të fokusuara në përpunimin e të kaluarës së përbashkët të vendit dhe reflektimin mbi historinë e diktaturës.

Duhet gjithashtu të theksohet se lëvizje protestash ndodhën në universitetet shqiptare në vitet 2018–19, dhe u realizua një mobilizim i rëndësishëm në përpjekje për të shpëtuar Teatrin Kombëtar në Tiranë, i cili u shemb në vitin 2020.

Pamja nga terasa e Tek Bunkeri. | Foto: ©Federico Caruso

Shoqata aktualisht ka një kontratë qiraje për një vilë të rrethuar nga ndërtesa më të larta. Aktivistët nuk e dinë sa gjatë do të mund të qëndrojnë. “Kontrata jonë skadon pas dy vitesh,” thotë Sula, “dhe nuk e dimë nëse do të rinovohet, sepse pronari dëshiron të ndërtojë diçka më të lartë. Ne investuam shumë në këtë vend, ishte gjithë baltë kur erdhëm.”

Shpresa e vetme, na tregon ai me ironi të hidhur, është “që kryeministri të shkojë në burg për të paktën pesë vjet, në mënyrë që ndërtimi të ndalet dhe ne të mund të mbijetojmë këtu.”

Evropa në 2030

Në këtë kontekst, për shumë shqiptarë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është “rruga e vetme”, sipas antropologut Nebi Bardhoshi, të cilin e takuam në Kamzë, një qytet shtatë kilometra larg kryeqytetit.

Sigurisht, shqiptarët nuk kanë iluzionin se anëtarësimi në BE zgjidh çdo problem. “Ne njohim dobësitë e Bashkimit Evropian, nuk jemi naivë,” vazhdon Bardhoshi.

“Njerëzit në margjina nuk janë kurrë: ata kanë një perspektivë që u lejon të shohin shoqërinë ndryshe. Në një shikim të parë, konsiderohen inferiorë, por perspektiva e tyre është shumë më reale.”

“Ne duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian,” përsërit Sula. “Na është premtuar se do ta bëjmë këtë në 2030. Por nuk mendoj se është e mundur për ne si shoqëri – nuk jemi të përgatitur. Edhe në nivel institucional”.

Sula sheh dy pengesa kryesore: çështjen e pazgjidhur të drejtësisë tranzicionale, që lidhet me mënyrën se si kujtohet dhe trajtohet regjimi socialist dhe korrupsionin, i cili është “shumë masiv.”

Dorina Pllumbi ndan këtë qëndrim:

“BE mund të jetë një tjetër imponim i pushtetit, por mund të jetë edhe e kundërta. Mund të jetë një mundësi për, le të themi, një nivel tjetër të angazhimit politik. Megjithatë, në praktikë, ne shohim që BE shpesh duket se ka humbur kompasin me vetë parimet e saj, kështu që nuk e di nëse mund të vendosësh kaq shumë shpresa tek Bashkimi Evropian. Nëse Shqipëria përfundon si një koloni e këtyre fuqive të mëdha, gjë që shumë shpesh duket se ndodh, siç ishte rasti me ndërtimin e qendrave të paraburgimit për emigrantët në Gjadër, atëherë jemi të dënuar. Por nëse ne, përtej politikanëve, i kushtojmë vëmendje serioze demokracisë dhe zëri dhe pozicioni ynë merren seriozisht, atëherë do të thoja që është një mundësi për Shqipërinë.”

Ky artikull është pjesë e projektit PULSE, dhe bën pjesë në një seri mbi zonat “periferike” në Evropë, në bashkëpunim me Il Sole 24 Ore, Obc Transeuropa, dhe El Confidencial. Ne dëshirojmë të falënderojmë Elira Kadriu nga Citizens Channel për mbështetjen e saj në prodhimin e këtij raporti.

Ky artikull është gjithashtu pjesë e një serie prej tre reportazhe nga Shqipëria:

Nga

Në vitin 2015, u dhanë leje për ndërtimin e ndërtesave të reja banimi që mbulonin një sipërfaqe prej 50,000 m2 ; në vitin 2022 ky numër u rrit, më shumë se 40 herë, në 2.071 million m2 , dhe kjo tendencë ka vazhduar vetëm në vitet që pasuan.*

Në vitin 2015, u dhanë leje për ndërtimin e ndërtesave të reja banimi që mbulonin një sipërfaqe prej 50,000 m2; në vitin 2022 ky numër u rrit, më shumë se 40 herë, në 2.071 million m2, dhe kjo tendencë ka vazhduar vetëm në vitet që pasuan.

The post Kulla të zbrazëta: Brenda bumit të çmendur të ndërtimit në Tiranë appeared first on Citizens.al.

  •  
❌