Vlerësimet rriten ndjeshëm ndërsa kapitali sipërmarrës po orientohet drejt kompanive të lidhura me sigurinë dhe sovranitetin ekonomik të kontinentit
Investitorët po investojnë miliarda euro në startup-et europiane të teknologjisë së Inteligjencës artificiale (IA) dhe mbrojtjes, duke mbështetur kompani që konsiderohen thelbësore për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë e Europës.
Investimi total europian i kapitalit sipërmarrës u rrit me 5 për qind në 66 miliardë euro në vitin 2025, niveli më i lartë që nga periudha pas pandemisë, sipas PitchBook. Kjo rritje u nxit nga marrëveshje të mëdha, që përfshinë kompanitë kryesore të kontinentit në fushat e IA dhe mbrojtjes.
Disa kompani në këta sektorë janë aktualisht në negociata për të siguruar financime të reja me vlerësime shumë më të larta, sipas personave të njohur me diskutimet.
Kjo përfshin startup-in suedez të IA ligjore Legora, i cili është në bisedime për të siguruar financim me një vlerësim rreth 4 miliardë dollarë, më shumë se dyfish i vlerësimit 1.8 miliardë dollarësh të arritur tetorin e kaluar.
Prodhuesi londinez i avatarëve me IA, Synthesia, siguroi 200 milionë dollarë me një vlerësim prej 4 miliardë dollarësh në javët e fundit, ndërsa kompania e IA audio ElevenLabs arriti një vlerësim 11 miliardë dollarë, pasi përfundoi një raund financimi prej 500 milionë dollarësh të udhëhequr nga Sequoia Capital.
Në sektorin e teknologjisë së mbrojtjes, kompania me bazë në Mynih, Isar Aerospace, që zhvillon raketa orbitale dhe vlerësohet rreth 1 miliard dollarë, po diskuton ngritjen e fondeve të reja të konsiderueshme.
Këto negociata vijnë pasi prodhuesit gjermanë të dronëve Helsing dhe Quantum-Systems siguruan pothuajse 1 miliard euro në raunde të mëdha financimi vitin e kaluar.
“Mbrojtja dhe IA janë dy nga sektorët më dinamikë aktualisht, ndaj nuk është e habitshme që tërheqin shumë nga mega-raundet e financimit që po zhvillohen,” tha Aaron Archer, partner në firmën ligjore Cooley. “Po shohim një volum shumë të madh investimesh në të dy anët e Atlantikut dhe presim që kjo tendencë të përshpejtohet.”
Kapitalistët sipërmarrës dhe kompanitë po përfitojnë gjithashtu nga tregjet e favorshme për të reduktuar pjesëmarrjen e tyre në disa investime ose për të realizuar fitime kur startup-et shiten, ndërsa të ashtuquajturat “exit” (shitje e pjesëmarrjes në kompani) janë gjithashtu në rritje, sipas PitchBook.
Vitin e kaluar, marrëveshjet e lidhura me IA përbënin më shumë se 35 për qind të të gjitha transaksioneve europiane të kapitalit sipërmarrës, me vlerë 23.5 miliardë euro. Kjo shënoi rritje krahasuar me 17.7 miliardë euro në vitin 2024.
Rritja e vlerësimeve ka ndjekur një trend të ngjashëm me SHBA-në, duke ngritur shqetësime se vlerësimet e fryra të disa kompanive private të teknologjisë janë shkëputur nga realiteti tregtar. Drejtuesi i Google DeepMind, Demis Hassabis, paralajmëroi se entuziazmi në disa pjesë të industrisë së IA duket gjithnjë e më shumë “si një flluskë”.
Jashtë fushës së IA, startup-et europiane të fokusuara në mbrojtje dhe teknologji panë investimet të rriten me 55 për qind në vit, duke arritur një rekord prej 8.7 miliardë dollarësh në vitin 2025, sipas Fondit të Inovacionit të NATO-s dhe grupit kërkimor Dealroom.
Kjo u nxit nga raunde të mëdha financimi në fazat e vona, të fokusuara në fusha si informatika kuantike dhe hapësira.
Sander Verbrugge, partner në Fondin e Inovacionit të NATO-s, i cili ka mbledhur 1 miliard euro për të investuar në startup-e të mbrojtjes dhe “deep tech”, tha se “rritja e ndjeshme” në të gjithë sektorin ishte një shenjë se “ekosistemi po piqet”.
Këto të dhëna janë provat më të fundit të interesit të fortë të investitorëve për startup-et Europiane të mbrojtjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë gati katër vite më parë.
Ky studim publikohet vetëm disa ditë para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku riarmatosja Europiane do të jetë në qendër të diskutimeve.
Kompanitë e lidhura me IA dhe mbrojtjen po përfitojnë gjithashtu nga shtysa e zyrtarëve për të rritur pavarësinë teknologjike dhe të sigurisë, sipas Siraj Khaliq, këshilltar i lartë në fondin europian të deep-tech Kembara prej 1 miliard eurosh.
“Qeveritë Europiane duket se po i japin prioritet ndërtimit të kapaciteteve të tyre teknologjike,” tha ai. “Era e fortë e sovranitetit nuk duhet nënvlerësuar.” / FT
The post Investitorët investojnë miliarda në startup-et europiane të IA dhe mbrojtjes appeared first on Revista Monitor.