Mersini: Bashkia e angazhuar për zgjidhjen e problematikave të punonjësve të pastrimit
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, zhvilloi sot një takim me punonjësit e sektorit të pastrimit, pas ankesave dhe protestave të njëpasnjëshme për kushtet e punës, vonesat në paga dhe mosdhënien e antidotës, një ndihmë mujore ekonomike.
Takimi u zhvillua në ambientet e ndërmarrjes së pastrimit, ku punonjësit paraqitën shqetësimet e tyre dhe kërkuan zgjidhje konkrete.
Pas takimit me punonjësit kryebashkiakja Mersini tha për mediet se bashkia është e angazhuar për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë për problematikat e ngritura.
“Punëtorët ditën e djeshme kanë pasur një ankesë në zyrën e pagave, sepse nuk ka kaluar një fond i quajtur “Fondi i kompensimit”, që ata e marrin në vlerë monetare të disa zërave të kompensimit. Ekonomistja e pagave u dha shpjegim ditën e djeshme punonjësve që Thesari ka pasur probleme me sistemin dhe ka qenë pengesë e pagesës drejt bankës. Sot sistemi ka kaluar, sipas informacioneve nga Zyra e Thesarit, dhe punonjësit brenda orës 1 do të jenë në bankë për të tërhequr pagesën”, theksoi Mersini.
Sipas saj, prioritet mbetet respektimi i të drejtave të punonjësve dhe garantimi i një shërbimi dinjitoz për qytetin.
Mersini foli edhe për shqetësimet e lidhura kundër bashkimit të ndërmarrjes së gjelbërimit me atë të pastrimit.
“Në kuadër të shkrirjes së dy ndërmarrjeve, ndërmarrja e Pastrimit dhe gjelbërimit do të jetë një dhe çdo rajon do të ketë një numër të lartë punonjësish, është gati 30-35 punëtorë në një rajon. Pra rajoni do të menaxhohet nga mbikëqyrësit me 35 punëtorë dhe jo siç ka qenë me dy punëtorë. Me përfundimin e afatit për ndërtimin e ujësjellësit, që zyrtarisht kanë njoftuar ta përfundojnë në maj, projekt që menaxhohet nga Ndërmarrja e Ujësjellës -Kanalizimeve do të fillojmë me asfaltimin e rrugëve duke krijuar edhe spotet brenda një infrastrukture. Rrugët duke qenë të dëmtuara tërheqja e kazanëve dhe makinave teknologjike ka vështirësitë e veta”, sqaroi Mersini.
/k.s/a.f/
The post Mersini: Bashkia e angazhuar për zgjidhjen e problematikave të punonjësve të pastrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
