Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 January 2026Main stream

AKMC: Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike

9 January 2026 at 13:53

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi sot mbi situatën e krijuar si pasoje e motit të keq në vend.

AKMC beri të ditur se, reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.

Sipas AKMC, qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike.

Në Bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, gjë që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra: Odrie, Lunxhëri dhe Zagori po ndërhyhet në disa akse rrugore të bllokuara dhe në një urë të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve: Pogon–Dropull, Zagori-Libohovë të bllokuar nga dëbora.

Puna e forcave në terren po vijon edhe në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar si dhe në njësinë administrative Frashër dhe disa fshatra përreth, ku ka problematika për shkak të reshjeve të dëborës.

Në Bashkinë Memaliaj ka problematika të shkaktuar nga lumi Vjosë në tokat bujqësore, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër realizohet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zona të ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore. Është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.

Qarku Vlorë paraqet një përmirësim sa i përket rënies së prurjeve në lumin Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan është i bllokuar, por nuk raportohen banesa të përmbytura, vetëm prezencë uji në oborre.

Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.

Qarku Dibër mbetet një nga zonat më të prekura gjithashtu. Forcat e emergjencave civile po punojnë në disa akse me prezencë të akullit apo rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa segmente rrugore janë aktualisht të pakalueshme, por forcat e policisë janë në terren për të orientuar qarkullimin.

Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile, policia e shtetit, shërbimet bashkiake, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.

AKMC u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë pranë strukturave përkatëse.

/gj.m/

 

The post AKMC: Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Agim Ibraimi emërohet Drejtor Sportiv i Partizanit

9 January 2026 at 13:37

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Për skuadrën e Partizanit, e sotmja ka qenë një ditë e rëndësishme, pasi klubi ka zyrtarizuar Drejtorin e ri Sportiv.

Bëhet fjalë për Agim Ibraimin, i cili do të marrë një rol kyç në strukturat drejtuese të “Demave të Kuq”.

FK Partizani ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Agim Ibraimin, i cili është prezantuar ditën e sotme nga presidenti Gazment Demi.

37-vjeçari nga Tetova do të jetë pjesë e organikës së klubit në postin e Drejtorit Sportiv dhe do të nisë menjëherë detyrën e tij në shërbim të skuadrës.

Zgjedhja e Ibraimit nuk është rastësore, pasi ai është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar.  Gjatë karrierës së tij si futbollist, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në futbollin shqiptar, duke veshur fanellat e Kukësit dhe Dinamos.

Pas përfundimit të karrierës aktive, Ibraimi ka vijuar angazhimin në futboll në role drejtuese. Më herët, ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit Sportiv te KF Tirana, ku ka fituar eksperiencë të vlefshme në menaxhimin sportiv dhe ndërtimin e skuadrës.

Pas zyrtarizimit, Agim Ibraimi reagoi për herë të parë në rrjetet sociale, duke shkruar: “Me guxim. Gati për sfidën e radhës.”

Ibraimi zë vendin e Arbër Abilaliajt, i cili u nda nga Partizani disa muaj më parë, ndërsa klubi synon të forcojë më tej projektin sportiv për objektivat e sezonit në vazhdim.

/gj.m/a.f/

The post Agim Ibraimi emërohet Drejtor Sportiv i Partizanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Forcat e Repartit të Gërhotit në terren, situata drejt normalizimit në Gjirokastër

9 January 2026 at 12:48

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur sot se, situata në qytetin e Gjirokastrës po shkon drejt normalizimit të plotë falë edhe angazhimit të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.

17 efektivë dhe 1 mjet i kalueshmërisë së lartë nga Reparti i Gërhotit janë të angazhuar në terren për çlirimin e akseve të transportit dhe garantimin e lëvizjes së sigurt, theksoi Vengu.

Prej disa ditësh, forcat ndodhen pranë banorëve të lagjes “18 Shtatori”, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe duke kontribuar në përballimin e situatës.

Ministri i Mbrojtjes thekson se Forcat e Armatosura vijojnë të jenë pranë qytetarëve në çdo situatë, me reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe koordinim institucional.

/gj.m/a.f/

The post Vengu: Forcat e Repartit të Gërhotit në terren, situata drejt normalizimit në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Armatosura në ndihmë të banorëve të Obotit

9 January 2026 at 10:07

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut vijojnë me intensitet operacionet në zonën e Obotit, duke ofruar mbështetje për transportimin e qytetarëve dhe materialeve, në kuadër të ndihmës ndaj popullsisë civile të prekur nga përmbytjet.

Banorët e zonës po përballen me vështirësi të konsiderueshme si pasojë e nivelit të lartë të ujit dhe dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë, çka ka vështirësuar lëvizjen dhe furnizimin.

Ndërhyrja e forcave ushtarake po lehtëson qarkullimin, shpërndarjen e ndihmave dhe, kur është e nevojshme, evakuimin e qytetarëve në kushte të sigurta.

Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë qytetarëve në situata emergjente, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave kritike dhe garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

 

/gj.m/a.f/

The post Forcat e Armatosura në ndihmë të banorëve të Obotit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, por duhet ndihmë reale për njerëzit

9 January 2026 at 08:48

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, ku po bëhet një përditësim i situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.

Rama u shpreh se, këto kanë qenë ditë të lodhshme dhe të mundimshme për të gjithë.

“Kanë qenë shumë të mundimshme, qoftë për ato familje që kanë përjetuar praninë e ujit në shtëpi, qoftë për të gjithë shërbëtorët e shtetit që kanë qëndruar ditë e natë në krye të detyrës për përballimin e kësaj emergjence natyrore”, tha Rama.

“Të gjithë i ka lodhur ky shi i gjatë dhe i ftohtë i madh, ku nga pamjet e rrugëve të përmbytura, shtëpive të dëmtuara apo punëve të ndërprera, te vështirësia e rritur e qarkullimit e deri te dëmtimet e pronës dhe humbjet e gjësë së gjallë, krijohet stres, frustrim dhe në disa raste edhe zemërim”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se durimi është i domosdoshëm në kushte të tilla, duke shtuar se ajo që po përjetohet nuk është thjesht mot i keq.

“Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato se nuk punojnë hidrovoret. Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta që nuk kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël. Retë nuk shpërndahen me slogane, si ai slogani kronik që në çdo gjendje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “këto janë reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje; ushqejnë ndarje, jo ndihmë; ushqejnë çoroditje, jo siguri. Në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë”.

“Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, por duhet ndihmë reale për njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekipet shëndetësore në terren 24 orë në 7 ditët e javës

9 January 2026 at 08:35

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ekipet shëndetësore që ndodhen në terren 24 orë në 7 ditët e javës, pranë qytetarëve në çdo moment për të garantuar kujdes shëndetësor pa ndërprerje gjatë situatës së motit të keq.

Aktualisht, të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa ekipet janë të angazhuara në terren për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve shëndetësore, trajtimin e rasteve urgjente dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se, vijon koordinimin e vazhdueshëm me spitalet rajonale, 36 njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe katër drejtoritë rajonale, përmes raportimeve të përditësuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, me qëllim garantimin e një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv të sistemit shëndetësor në çdo situatë.

Në zonat e prekura nga përkeqësimi i motit janë realizuar 174 misione për transportimin e pacientëve drejt strukturave spitalore dhe 243 misione për trajtim në vendngjarje, pa pasur nevojë për transport.

/gj.m/a.f/

 

The post Ekipet shëndetësore në terren 24 orë në 7 ditët e javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 500 efektivë të FA të angazhuar në përballimin e problemeve nga reshjet

8 January 2026 at 23:15

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në një intervistë televizive se, Forcat e Armatosura kanë dislokuar rreth 500 efektivë në terren për të përballuar situatat me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive.

Duke folur për situatën e përmbytjeve në vend, Vengu u shpreh se, është momenti për të garantuar angazhim të plotë në terren, ashtu siç është bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, dhe se ky angazhim do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Sipas tij, Forcat e Armatosura kanë dislokuar rreth 500 efektivë në terren, nga Shkodra, Lezha, Kurbini dhe Durrësi, ku është përqendrimi më i madh i forcave.

Rreth gjysma e këtij kontingjenti ndodhet aktualisht në Durrës dhe Shijak, si dhe në Katund të Ri dhe Sukth, ku vijojnë evakuimet dhe tërheqja e ujërave.

Forcat e Armatosura po vijojnë gjithashtu mbështetjen për Fierin dhe Vlorën, veçanërisht në zonën e grykëderdhjes së Vjosës, ku vërshimet masive të ditëve të fundit, përfshirë prurjet e shtuara nga Greqia, kanë krijuar situatë të vështirë. Për pasojë, janë kryer evakuime në fshatrat Ferras, Fitore, Bishan dhe Novoselë.

Aktualisht, sipas ministrit, janë rreth 50 banorë të evakuuar në bashkitë Fier dhe Vlorë.

Në total, numri i personave të evakuuar në rang vendi është rreth 500, të cilët janë akomoduar në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, në struktura të Ministrisë së Brendshme, si dhe në struktura hoteliere.

Vengu theksoi se strukturat do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, pasi pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, veçanërisht për shkak të erërave të forta në bregdet.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zonat bregdetare nga Durrësi deri në Vlorë të respektojnë kufizimet e lëvizjes, të shmangin qarkullimin me mjete dhe të qëndrojnë pranë banesave, me qëllim shmangien e aksidenteve.

Sa i përket shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ministri u shpreh se, pavarësisht mënyrës se si klasifikohet ajo, në nivel bashkiak, rajonal apo kombëtar, Forcat e Armatosura do të vijojnë të kryejnë detyrën e tyre me gatishmëri maksimale në terren, si dhe në procesin e konstatimit të dëmeve.

Ai shtoi se strukturat bashkiake do të angazhohen në vlerësimin e dëmeve, ndërsa, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po përgatitet një paketë e konsiderueshme dëmshpërblimesh, si për sektorin bujqësor, ashtu edhe për banesat e dëmtuara.

Ministri bëri me dije se nesër, në orët e para të mëngjesit, do të zhvillohet një mbledhje e Emergjencave Civile Kombëtare, nën drejtimin e Kryeministrit, ku do të vlerësohen parametrat në mbarë vendin dhe përqendrimi i forcave për ditët në vijim, për shkak të situatës dinamike.

Ai theksoi se të shtunën priten reshje në të gjithë basenin e Vjosës, ndërsa menaxhimi i Kaskadës së Drinit do të vijojë të kryhet sipas protokolleve të përcaktuara. /j.p/

The post Vengu: 500 efektivë të FA të angazhuar në përballimin e problemeve nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në magazinat e tregut te “5 Maji” drejt shuarjes

8 January 2026 at 22:55

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Zjarri masiv që përfshiu mbrëmjen e sotme magazinat e tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë është drejt shuarjes.

Shërbimi zjarrfikës aktualisht po vijon punën intensive për eliminimin e të gjitha vatrave më të vogla.

Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, për shuarjen e tyre u angazhuan edhe zjarrfikëset e qyteteve të Vorës dhe Elbasanit, si dhe forcat e ushtrisë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani konfirmoi nga vendngjarja se zjarri u përhap në dy kapanone por nuk pati rrezik për zonat e banuara përreth.

Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, bëri të ditur se ndërhyrja ishte vështirë për shkak të sipërfaqes së gjerë dhe materialeve të djegshme që ndodheshin në magazina, ndërsa në operacion u angazhuan rreth 60 forca zjarrfikëse.

Në vendngjarje ishin të pranishme edhe forca të shumta policie, të cilat vendosën një perimetër sigurie, ndërsa situata u monitorua në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e emergjencave civile.

Edhe Ministria e Mbrojtjes dislokoi dy automjete zjarrfikëse dhe forca shtesë nga reparti i Zall-Herrit, për të mbështetur përpjekjet e forcave civile në terren.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

Paraprakisht u raportua se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dyshohet se ka dëme të mëdha materiale.

Ende nuk është i qartë shkaku i zjarrit. /j.p/

The post Zjarri në magazinat e tregut te “5 Maji” drejt shuarjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 January 2026Main stream

MM: Dy zjarrfikëse dhe 12 efektivë për fikjen e zjarrit te “5 Maji”

8 January 2026 at 22:30

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi se dy automjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë nga Komanda e Forcës Tokësore kanë mbërritur për të ndërhyrë në zjarrin që ka përfshirë magazinat e tregut në zonën “5 Maji” në Tiranë.

Zjarri masiv që shpërtheu pasditen e sotme, është përhapur edhe në kapanonin e dytë, por situata mbetet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara përreth.

Në operacionin e shuarjes janë angazhuar rreth 60 forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për neutralizimin e të gjitha vatrave aktive.

Ndërhyrja po vijon në kushte të vështira për shkak të sipërfaqes së gjerë të zonës dhe materialeve të djegshme në magazina.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse të emergjencave civile, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar lëvizjen dhe ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

 

The post MM: Dy zjarrfikëse dhe 12 efektivë për fikjen e zjarrit te “5 Maji” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri masiv në tregun te “5 Maji”, Ristani: Flakët nën kontroll, nuk rrezikohen banesat

8 January 2026 at 22:26

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Nënkryetarja e  Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani informoi mbrëmjen e sotme se zjarri që ka përfshirë pasditen e sotme magazinat e tregut në Tiranë tek zona “5 Maji” është përhapur edhe në kapanonin e dytë.

Ajo gjithsesi theksoi se, situata është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara përreth.

“Zjarri është përhapur për shkak të materialeve të shumta që ndodheshin brenda magazinave. Flakët kanë kaluar edhe në kapanonin e dytë, por nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e tij drejt qendrave të banuara. Jemi duke punuar për ta eliminuar plotësisht zjarrin”, u shpreh Ristani për mediat.

Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar rreth 60 forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për neutralizimin e të gjitha vatrave aktive.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani, foto: Andrin Hoxha
1 nga 14

/gj.m/j.p/

The post Zjarri masiv në tregun te “5 Maji”, Ristani: Flakët nën kontroll, nuk rrezikohen banesat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Durrës: Rreth 800 banorë të evakuuar nga përmbytjet, 300 në struktura pritëse

8 January 2026 at 22:45

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Rreth 800 banorë nga zonat e prekura nga përmbytjet në Durrës, Sukth dhe Katund të Ri janë evakuuar si masë sigurie, ndërsa 300 prej tyre po akomodohen përkohësisht në struktura pritëse shtetërore dhe private, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se qytetarët e evakuuar janë sistemuar në strukturat e Konveleshencës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe në kapacitete akomoduese private.

Ndërkohë, pjesa tjetër e banorëve të evakuuar është strehuar pranë familjarëve të tyre.

“Strukturat janë në terren prej më shumë se 72 orësh, duke punuar pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga përmbytjet”, u shpreh Koçiu.

Ministrja shprehu mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara, si dhe për vullnetarët që kanë kontribuar maksimalisht në ndihmë të banorëve të prekur, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit në përballimin e emergjencave natyrore.

/gj.m/j.p/

The post Koçiu në Durrës: Rreth 800 banorë të evakuuar nga përmbytjet, 300 në struktura pritëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet intensive, Sako: 1314 banesa janë verifikuar për dëmet në Durrës

8 January 2026 at 20:15

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, theksoi sot se, situata në territorin e Bashkisë Durrës vijon të jetë e vështirë si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Sako nënvizon se, të gjitha strukturat e bashkisë janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për përballimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Kryebashkiakja u shpreh se, grupet e specialistëve të bashkisë Durrës po vijojnë paralelisht verifikimin dhe evidentimin e dëmeve në të gjitha zonat ku kushtet e terrenit e lejojnë.

Sako nënvizoi se, deri më tani janë verifikuar 1,314 banesa në të gjithë territorin, ndërsa për 527 prej tyre janë mbajtur aktet përkatëse të konstatimit të dëmeve.

Kryebashkiakja e Durrësit thekson se, procesi i evidentimit të dëmeve vazhdon dhe se bashkia mbetet në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur.

/gj.m/j.p/

The post Reshjet intensive, Sako: 1314 banesa janë verifikuar për dëmet në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësira e braktisur buzë Parkut të Artit në Kinostudio do të kthehet në kinema verore

8 January 2026 at 20:09

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) po ndërmerr një nismë të re kulturore që synon rigjallërimin e një hapësire të lënë pas dore prej më shumë se 25 vitesh, duke e shndërruar atë në Kinema Verore “Drita”.

Hapësira, e mbuluar prej vitesh nga ferra dhe e shoqëruar me problematika të shumta infrastrukturore, do të marrë jetë si një qendër e hapur kulturore me shfaqje filmash dhe vepra arti, duke ofruar një qasje të re shprese, bashkëpunimi dhe dashamirësie për komunitetin.

Kinema Verore “Drita” do të pozicionohet buzë Parkut të Artit në Kinostudio, pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke synuar të kthehet në një pikë referimi për artin, kujtesën filmike dhe jetën kulturore gjatë muajve të verës.

Nisma është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AQSHF-së për të hapur arkivin drejt publikut dhe për të krijuar hapësira të reja dialogu mes trashëgimisë filmike dhe qytetarëve.

/gj.m/

The post Hapësira e braktisur buzë Parkut të Artit në Kinostudio do të kthehet në kinema verore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato takon Papajorgjin: Gjykata Kushtetuese, rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve

8 January 2026 at 20:07

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka takuar sot kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.

Në takim Gonzato rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për sundimin e ligjit në Shqipëri duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Gonzato vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese ka arritur një nivel të qëndrueshmërisë dhe funksionimi, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, duke ruajtur cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.

Në këtë takim, ambasadori konfirmoi gjithashtu planet për të përfshirë gjykatën në projektet e ardhshme të BE-së dhe për të mbështetur përpjekjet e saj për harmonizimin e praktikës gjyqësore shqiptare me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor është thelbësor për integrimin evropian, ku Gjykata Kushtetuese mbetet një partner kyç.

/gj.m/j.p/

The post Gonzato takon Papajorgjin: Gjykata Kushtetuese, rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr masiv në magazinat e tregut të rrobave tek “5 maji”

8 January 2026 at 19:47

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Flakë masive kanë përfshirë mbrëmjen e sotme tregun e rrobave të përdorura që ndodhet pranë rrugës 5 Maji në Tiranë.

Forca të shumta zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes, për të shuar flakët.

Paraprakisht mësohet se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dyshohet se ka dëme të mëdha materiale.

Ende nuk është i qartë shkaku i zjarrit.

/gj.m/j.p/

The post Zjarr masiv në magazinat e tregut të rrobave tek “5 maji” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia Rrugore: Gomat dimërore dhe zinxhirët të detyrueshme në zonat malore

8 January 2026 at 18:18

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Policia Rrugore apeloi sot të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përdorin goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse ndërsa në mjaft zona temperaturat kanë rënë nën zero dhe ka reshje dëbore.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, gjatë pasdites së sotme inspektoi shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbrit, për të parë nga afër situatën dhe për të komunikuar me punonjësit e Policisë që janë të angazhuar në këtë aks rrugor dhe, nëpërmjet tyre, për t’iu përcjellë një mesazh të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zona malore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës.

“Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore, pasi Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla”, tha Vatoci.

Vatoci apeloi për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe që, për çdo rast nevoje, të telefonojnë në 112 dhe të kontaktojnë me shërbimet e Policisë në terren.

Ndërkohë, ai nënvizoi po bashkëpunohet me firmat kontraktore për mirëmbajtjen e akseve rrugore, me qëllim pastrimin në kohë dhe hedhjen e kripës.

Si pasojë e motit të keq, shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë, krahas shërbimeve të tjera të Patrullave të Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat vijojnë punën për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve në zona që kanë problematika për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

/gj.m/j.p/

The post Policia Rrugore: Gomat dimërore dhe zinxhirët të detyrueshme në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Punohet me të gjitha kapacitetet njerëzore për të rikthyer normalitetin në Gjirokastër

8 January 2026 at 18:14

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Në çdo cep të qarkut të Gjirokastrës, ekipet e bashkisë dhe emergjencave civile po punojnë me të gjitha mjetet dhe kapacitetet njerëzore për të rikthyer normalitetin në këto orë të vështira për qytetin pas reshjeve të dendura që sollën daljen e përroit nga shtrati.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që po kryhet në qytet për minimizimin e pasojave ndërsa në terren ishin edhe ministrja e Arsimit, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste në këtë qark, Mirela Kumbaro si dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Qarku i Gjirokastrës u përball ditët e fundit me problematika të shumta si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut. Gjatë mbrëmjes të së martës përroi i Ficos në qytetin e Gjirokastrës doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe sjellje të sasive të mëdha të inerteve në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit

/gj.m/j.p/

The post Rama: Punohet me të gjitha kapacitetet njerëzore për të rikthyer normalitetin në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Van Horn takon Brahon dhe Ketën: Mbështetje SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve

8 January 2026 at 18:08

TIRANË, 8 janar /ATSH/ E Ngarkuara me Punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn zhvilloi sot një takim me kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Klodjan Braho dhe kreun e BKH, Joni Keta.

Ambasada e SHBA bëri të ditur se Van Horn përgëzoi kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK Klodjan Braho, dhe kreun e BKH, Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Ambasada amerikane në Tiranë citoi Sekretarin Rubio sipas të cilit “ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë”.

Ambasada nënvizon se SHBA dhe Shqipëria së bashku qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

/gj.m/j.p/

The post Van Horn takon Brahon dhe Ketën: Mbështetje SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE, i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar për përballimin e kushteve ekstreme atmosferike

8 January 2026 at 17:57

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur sot se po ndjek me shqetësim situatën e përmbytjeve në disa zona të Shqipërisë.

Sipas delegacionit të BE, Drejtoria e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe po ndan informacionin dhe pamjet përkatëse nga sateliti Copernicus.

Delegacioni shton se, së bashku me shtetet anëtare, Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar për përballimin e kushteve ekstreme atmosferike, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

/gj.m/j.p/

The post BE, i gatshëm të mbështesë popullin shqiptar për përballimin e kushteve ekstreme atmosferike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Evakuime parandaluese në Vadardhë, Sukth dhe Katundi i Ri

8 January 2026 at 16:59

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Durrësit, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se, situata në qark është agravuar gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e reshjeve të dendura, ndërsa të gjitha strukturat shtetërore ndodhen në terren dhe në gatishmëri të plotë.

Sipas ministres, zonat më problematike aktualisht janë njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe Katundi i Ri, ku është aktivizuar plani i evakuimit parandalues.

Operacioni po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet vendore.

“Të gjitha strukturat janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës nga reshjet e dendura. Në disa zona ka nisur evakuimi parandalues i banorëve. Situata po monitorohet vazhdimisht dhe po mbahet nën kontroll, ndërsa prioritet absolut mbetet jeta dhe siguria e qytetarëve. Institucionet do të vijojnë të jenë pranë tyre”, tha Koçiu.

Ministrja theksoi se, si rezultat i reshjeve të dendura të ditëve të fundit, në qarkun e Durrësit, në përgjithësi ka një situatë, e cila është agravuar 24-orëshin e fundit.

“Dy nga zonat më të nxehta janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri. Janë dy zona ku është instaluar plani i evakuimit dhe po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e të gjitha struktura që janë në gatishmëri e po koordinojnë evakuimin e banorëve”, u shpreh ministrja.

Koçiu bëri një thirrje për të gjithë qytetarët e këtyre zonave të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës, të institucioneve që të mos ketë rrezik të jetës së vetë njerëzve, por patjetër dhe të gjësë së gjallë në shtëpitë e tyre.

Ministrja nënvizoi se, do të vijohet më pas me një evidentim të dëmeve, ashtu sikundër bashkia e Durrësit e ka filluar një evidentim e vlerësim të dëmeve të shkaktuara si rezultat i reshjeve.

Por, shtoi ajo, “në këtë moment, ajo që është më e rëndësishmja, e këtu do të kërkoja bashkëpunimin jo vetëm të qytetarëve por edhe të mediave, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë gjithë kohën në terren duke raportuar, që të sensibilizojmë sa më shumë, sepse tashmë në këto momente, e rëndësishme është jeta e njerëzve”.

“Duhet të shpëtojmë e të mos kemi asnjë incident të tillë e më pas do të shkohet me një plan vlerësimi e një plan zhdëmtimi”, tha Koçiu.

Sa i përket personave të evakuuar ministrja Koçiu u shpreh se janë rreth 20 familje të cilat janë evakuuar në Katund të Ri dhe Vadardhë, ndërkohë që situata është dinamike.

“Aktualisht strukturat e Forcave të Armatosura janë aty e po evakuojnë çdo banesë që shihet si rrezik edhe paraqet rrezik për banorët”, tha ajo.

Patjetër, shtoi Koçiu, “e rëndësishme është që duhet t’u besojnë autoriteteve shtetërore dhe të mos ndërmarrin masa vetë për të dalë, për të lënë banesën apo për të gjetur një mënyrë tjetër apo zgjidhje tjetër, pasi vetë strukturat dhe autoritetet përgjegjëse janë kompetente dhe e dinë zhvendosjen nga shtëpia e banimit për t’u akomoduar në një vend të sigurt”.

Koçiu theksoi se, aktualisht ka struktura hoteliere, por ndërkohë janë edhe dy struktura të Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, që janë vënë në dispozicion dhe po suportohen nga Rezervat Materiale të Shtetit për të plotësuar të gjithë instrumentin, apo mekanizmin e emergjencave civile që ngrihet në këto raste.

Ministrja u shpreh se, strukturat shtetërore janë të gjitha të angazhuara, janë në këmbë për të përballuar dhe për të ndihmuar çdo qytet dhe çdo familje që ka nevojë.

/gj.m/j.p/

The post Koçiu: Evakuime parandaluese në Vadardhë, Sukth dhe Katundi i Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌