ITALI – Qeveria përgatit paketën e re të sigurisë, pas përleshjeve të dhunshme në Torino
ROMË, 2 shkurt /ATSH/- Qeveria italiane po përshpejton një dekret sigurie pas përleshjeve të dhunshme në Torino, ku më shumë se 100 oficerë u plagosën dhe një polic u rrah me çekiç nga protestuesit e maskuar, një sulm që kryeministrja Giorgia Meloni e quajti një “tentativë vrasjeje”, sipas “Skytg24”.
Sipas mediave të huaja, polici, 29-vjeçari Alessandro Calista, i Njësisë Mobile të Policisë së Padovës, u rrethua nga demonstrues të maskuar dhe u godit vazhdimisht, përfshirë edhe me çekiç, përpara se një oficer tjetër të ndërhynte me një mburojë për ta nxjerrë nga turma.
Ai pësoi plagë të shumta dhe një dëmtim nga çekiçi, por doli nga spitali dje në mbrëmje, së bashku me një oficer tjetër, të shtruar në “Spitalin Molinette” të Torinos.
Autoritetet arrestuan tre burra të moshës 22, 31 dhe 35 vjeç pas dhunës të së shtunës gjatë një demonstrate kundër mbylljes së qendrës kulturore Askatasuna, e cila ka qenë një vend takimi për krahun e majtë të Torinos për disa dekada. Objekti u mbyll pak para Krishtlindjeve.
Po ashtu, më shumë se 20 individë po hetohen nga policia për akuza të ndryshme, duke përfshirë mbajtjen e armëve të papërshtatshme, rezistencën ndaj autoriteteve dhe maskimin e vetes, si dhe mbajtjen e objekteve të tilla si gurë, çelësa dhe thika, të cilat u janë sekuestruar disave prej tyre.
Qeveria propozon masa gjithëpërfshirëse
Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi dhunën, duke e quajtur sulmin ndaj oficerit një “tentativë vrasjeje” – pasi vizitoi dje oficerët e plagosur në spitalin Molinette.
Ajo njoftoi se qeveria do të përshpejtonte një paketë sigurie që është tashmë në zhvillim e sipër, dhe zhvilloi sot një takim për të finalizuar masat që pritet t’i kalohen për miratim Këshillit te Ministrave, gjatë javës.
Masat që po shqyrtohen përfshijnë ndalimin parandalues policor prej të paktën 12 orësh për shkelësit e përsëritur të dhunës, kufizime në shitjen e thikave për të miturit dhe mbrojtje të zgjeruar që shtrihet përtej policisë, edhe tek qytetarët e tjerë.
“Kur e godet dikë me çekiç, e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë serioze. Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje”, tha dje Meloni.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi do të informojë nesër parlamentin mbi dhunën, të cilën zyrtarët qeveritarë e quajtën “terrorizëm urban” dhe “tentativë vrasjeje”.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini bëri thirrje për miratim të menjëhershëm të paketës së sigurisë, duke e përshkruar atë si antidotin më të mirë për të bllokuar menjëherë përpjekjen e së majtës ekstreme për të sjellë dhunë sërish në rrugët e qyteteve italiane. //a.i/
The post ITALI – Qeveria përgatit paketën e re të sigurisë, pas përleshjeve të dhunshme në Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
