Gjetja e një pune jashtë vendit, qoftë edhe përkohësisht është bërë një tendencë e qëndrueshme gjatë viteve të fundit dhe kjo reflektohet dhe në të ardhurat që ata po gjenerojnë nga punësimi sezonal.
Afërsia me vendet si Italia e Greqia, por dhe mundësia për të punuar online kanë zgjeruar gjeografinë e shteteve nga të cilët shqiptarët gjenerojnë të ardhura.
Eurostat, në sistemin e vet të të dhënave, krahas prurjeve nga emigrantët, publikon dhe të ardhurat nga transferta nga puna sezonale për shtetasit shqiptarë për vitin 2024.
Nga rreth 2.1 miliardë euro, janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, transfertat personale përbënin 31.6% të totalit, ose 663 milionë euro.
Kjo është shuma e fituar nga ata që punojnë jashtë shtetit dhe e transferuar në Shqipëri, të paktën zyrtarisht. (Kompensimi i punonjësve përfshin paga dhe të ardhura që rezidentë të një vendi fitojnë duke punuar përkohësisht jashtë shtetit, p.sh. punë sezonale, përpara se të zbriten taksat dhe kontributet).
Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri në 2024-n
Të ardhurat nga puna jashtë vendit janë rritur vazhdimisht vitet e fundit, duke reflektuar rritje e emigrimit, qoftë edhe të përkohshëm.
Në vitin 2022, po sipas Eurostat, transfertat personale ishin 455 milionë euro, në 2023-n arritën në 629 milionë euro, me një rritje prej 38%. Në 2024-n rritja u ngadalësua në 5.1%, duke arritur në 663 milionë euro.
Vendin e parë e mban Greqia. Shteti fqinjë bëhet pritës sidomos në verë e vjeshtë i qindra shqiptarëve që shkojnë të punojnë në bujqësi.
Transfertat personale nga puna sezonale nga Greqia ishin 156 milionë euro në 2024-n.
Në vend të dytë është Italia, gjithashtu një vend i preferuar për emigrantët për shkak të afërsisë gjeografike dhe mundësive që ka për punësim.
Tranfertat nga Italia ishin 126 milionë euro në 2024-n, sipas Eurostat.
Në vend të tretë është Gjermania, që vitet e fundit është bërë një vend i preferuar nga shumë profesionistë. Transfertat nga Gjermania ishin 69 milionë euro në 2024-n.
Mbretëria e Bashkuar është destinacioni tjetër i preferuar i të punësuarve sezonalë, që kanë gjeneruar rreth 65 mln euro në 2024-n.
Pas tij renditen Zvicra me 27 milionë euro, Turqia me 20 milionë euro.
Edhe Irlanda është një vend i preferuar, me 19.7 milionë euro transferta.
Franca, ndonëse është shteti kryesor për kërkesat e azilantëve është i teti për transfertat e të punësuarve sezonalë.
Destinacione të tjera nga ku sigurohen të ardhura nga puna e përkohshme janë Austria (16.9 milionë euro), Shtetet e Bashkuara (14.2 milionë euro), Polonia (13.5 mln euro), Holanda (11.5 mln euro).
Gjeografia e shqiptarëve që punojnë përkohësisht jashtë ka arritur deri në vendet arabe të Gjirit Persik, ku transfertat arritën në 2.3 milionë euro në 2024.
Në punët sezonale dhe të përkohshme jashtë vendit, shtetasit shqiptarë angazhohen tradicionalisht në sektorë që kërkojnë fuqi punëtore intensive dhe fleksibile.
Pjesa më e madhe punon në bujqësi, veçanërisht në mbledhjen e frutave, perimeve dhe ullinjve, në serra dhe në përpunimin fillestar të produkteve bujqësore.
Ky profil mbetet dominues, sidomos në vendet fqinje dhe në disa tregje të Europës Perëndimore.
Një tjetër sektor i rëndësishëm është turizmi dhe shërbimet, ku shqiptarët punësohen sezonalisht në hotele, restorante dhe struktura akomoduese gjatë muajve të verës.
Punët tipike përfshijnë shërbimin në restorante, kuzhinë ndihmëse, pastrim, mirëmbajtje dhe shërbime mbështetëse.
Ndërtimi vijon të jetë një fushë e rëndësishme e punësimit sezonal dhe të përkohshëm, me angazhime në punime fizike, përfundime ndërtimi, rikonstruksione dhe projekte infrastrukturore.
Në disa vende, shqiptarët angazhohen edhe në industri përpunuese dhe logjistikë, kryesisht në linja paketimi, magazina dhe përpunim ushqimor.
Së fundmi, po vihet re edhe një rritje graduale e përfshirjes së shqiptarëve në shërbime të lidhura me teknologjinë e informacionit, kryesisht në forma fleksibile ose kontrata afatshkurtra.
Këto përfshijnë zhvillim softuerësh, testim aplikacionesh, mbështetje teknike, shërbime digjitale dhe punë të tjera IT të ofruara nga distanca për kompani të huaja.
Edhe pse ky segment është ende më i vogël krahasuar me punët tradicionale sezonale, ai po zgjerohet me shpejtësi, i nxitur nga aftësitë e të rinjve shqiptarë, puna në distancë dhe kërkesa në rritje për shërbime digjitale./Monitor
The post Nga Greqia në Irlandë, e vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan 663 mln euro në 2024 appeared first on Albeu.com.