FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit
BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – FIFA ka marrë mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit të vitit të ardhshëm, në gjysmën e fazës së fundit të shitjes së tyre.
Organizata më e lartë e futbollit bëri të ditur sot se aplikimet kanë ardhur nga mbi 200 vende dhe territore.
FIFA njoftoi se turneu në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada është mbi kapacitet me 30 herë më shumë kërkesa sesa vendet e disponueshme dhe se numri i aplikimeve është 3,4 herë më i madh se pjesëmarrja totale në të gjitha botëroret e mëparshme që nga edicioni i parë në 1930-n.
“Kjo përgjigje e jashtëzakonshme nga tifozët pasionantë është një tregues i vërtetë i dashurisë globale për futbollin tonë”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Faza e fundit e shitjes filloi më 11 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 13 janar, pas së cilës biletat do të vendosen me short.
Kjo është hera e parë që shumica e ndeshjeve të grupeve janë të njohura që nga shorti i 5 dhjetorit.
Ka më shumë bileta në dispozicion se në edicionet e mëparshme, pasi Botërori është zgjeruar nga 32 në 48 ekipe dhe nga 64 në 104 ndeshje.
Procesi i shitjes nuk ka kaluar pa polemika, pasi grupet e tifozëve kritikuan çmimet e larta të biletave.
FIFA më pas prezantoi disa bileta me çmim 60 dollarë për tifozët që aplikojnë për biletat nga kontingjenti i ekipeve pjesëmarrëse./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
