Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Davos 2026: Kush çfarë tha në samitin më të lartë politik dhe të biznesit në botë

23 January 2026 at 23:55


Forumi Ekonomik Botëror i këtij viti në Davos është dominuar kryesisht nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili prezantoi iniciativën e tij të Bordit të Paqes të enjten, pas një fjalimi të veçantë për Grenlandën një ditë më parë.

Bisedat në qytetin turistik të Alpeve Zvicerane u përqendruan në përshkallëzimin e tensioneve për shkak të kërcënimeve të SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj aleatëve evropianë për shkak të Grenlandës, me udhëheqësit që paralajmëruan për thyerje të aleancave dhe prishje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Së fundmi u bë publike edhe një letër e Trumpit drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store, në të cilën presidenti amerikan lidhte kërkesat e tij për Grenlandën me faktin se nuk kishte arritur të fitonte Çmimin Nobel për Paqen.

Trump, i cili mbërriti në mesjavë me delegacionin më të madh ndonjëherë, pavarësisht problemeve me Air Force One gjatë rrugës, përjashtoi mundësinë e një marrjeje armiqësore të ishullit Arktik, i cili është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, megjithëse këmbënguli ende për një blerje.

Këto janë deklaratat më të përfolura nga mbledhja vjetore e elitave më të larta politike dhe të biznesit në botë deri më tani:

Grenlanda dhe Evropa

Trump mbajti fjalimin e tij të shumëpritur të mërkurën, duke deklaruar se SHBA-të po kërkojnë negociata të menjëhershme për Grenlandën, ndërsa përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për të përvetësuar territorin danez.

"Ndoshta nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe forcë të tepërt aty ku do të ishim, sinqerisht, të pandalshëm. Por nuk do ta bëj këtë", tha Trump.

"Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë", shtoi ai.

Por, ai i paralajmëroi anëtarët e NATO-s se përballeshin me një zgjedhje për Grenlandën: “Mund të thoni po dhe ne do t’ju jemi shumë mirënjohës. Ose mund të thoni jo dhe ne do ta kujtojmë.”

Ndër tjera, Trump kritikoi Evropën duke deklaruar se pjesë të kontinentit “nuk njihen më” dhe duke pohuar se “nuk po shkonte në drejtimin e duhur”.

Trump gjithashtu u tall me syzet e diellit që presidenti francez Emmanuel Macron mbante gjatë fjalimit të tij të së martës.

"E pashë Emmanuel Macron dje me ato syze dielli të bukura", tha Trump, duke shkaktuar të qeshura nga publiku.

Disa e përshëndetën mesazhin e Trumpit për Grenlandën me një ndjenjë lehtësimi pasi ai tha shprehimisht se çdo përdorim force ishte jashtë diskutimit.

“Ne dëgjuam nga afër gjithçka. Ky ishte një mesazh i mirë”, tha kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.

Sipas Plenkoviqit, zgjidhja për këtë ngërç është “të flasin me njëri-tjetrin”.

"Nuk ka rrugë tjetër," tha ai.

"Mendoj se partneriteti transatlantik është i rëndësishëm, ka qenë historikisht i rëndësishëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ai të mbetet i rëndësishëm", përfundoi kroati.

Ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Al Gore, e quajti fjalimin një "performancë klasike të Trumpit".

“Është domethënëse që ai duket se u tërhoq nga kërcënimi i tij për të përdorur forcë ushtarake në Grenlandë”, tha Gore, shkruan euronews.

Në një tjetër fjalim të shumëpritur special, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dha një kritikë të ashpër ndaj mosveprimit evropian të enjten, duke deklaruar se kontinenti "duket i humbur" dhe mbetet i bllokuar në përsëritjen e pafundme të dështimit për të mbrojtur veten ose për të mbështetur vendosmërisht Ukrainën.

"Të gjithë e kujtojnë filmin e madh amerikan Groundhog Day, por askush nuk do të donte të jetonte kështu", tha Zelensky.

"Duke përsëritur të njëjtën gjë për javë të tëra, muaj dhe sigurisht, vite. E megjithatë, kjo është pikërisht mënyra se si jetojmë tani", shtoi ai.

Gjithashtu, Zelensky shprehu zhgënjim me reagimin e Evropës ndaj krizës së Genlandës, duke vënë në pikëpyetje vendosjen e një grushti trupash në ishullin Arktik.

"Nëse dërgoni 14 ose 40 ushtarë në Grenlandë, për çfarë shërben kjo? Çfarë mesazhi dërgon? Cili është mesazhi për Putinin, për Kinën? Dhe akoma më e rëndësishmja, çfarë mesazhi i dërgon Danimarkës, aleatit tuaj të ngushtë? 40 ushtarë nuk do të mbrojnë asgjë", sipas liderit ukrainas.

Zelensky vazhdoi qortimin e tij të ashpër ndaj kontinentit, duke thënë se "ende ndihet më shumë si gjeografi, histori, traditë, jo si një fuqi e madhe politike".

“Evropa duket e humbur teksa përpiqet të bindë presidentin e SHBA-së të ndryshojë. Por ai nuk do të ndryshojë”, tha Zelensky.

“Presidenti Trump e do veten. Dhe thotë se e do Evropën, por nuk do ta dëgjojë këtë Evropë.”

Ai vuri në pikëpyetje pse Trump mund të konfiskonte anije cisternash dhe naftë në hije, ndërsa Evropa nuk mundej, pasi shitjet e naftës nga Rusia vazhdojnë të financojnë luftën e Moskës kundër Ukrainës.

"Nëse Putini nuk ka para, nuk ka luftë për Evropën", tha Zelensky.

Rendi global në ndryshim

Macron dha paralajmërim në lidhje me largimin nga multilateralizmi në fjalimin e tij një ditë më parë.

“Është një zhvendosje drejt një bote pa rregulla, ku e drejta ndërkombëtare shkelet dhe ku i vetmi ligj që duket se ka rëndësi është ai i më të fortit”, tha Macron, duke përmbledhur shqetësimet evropiane rreth rritjes së unilateralizmit.

Udhëheqësi francez, i cili ka qenë në ballë të thirrjeve që Evropa të aktivizojë mekanizmat e mbrojtjes tregtare, e paraqiti zgjedhjen me të cilën përballen demokracitë në terma të ashpër.

“Ne preferojmë respektin ndaj ngacmuesve… dhe preferojmë sundimin e ligjit ndaj brutalitetit”, tha Macron.

Në një fjalim të shumëpërmendur të martën pasdite, kryeministri kanadez Mark Carney foli gjithashtu për ndryshime të pakthyeshme.

“Bota është në mes të një përçarjeje, jo të një tranzicioni dhe rendi i vjetër botëror nuk do të kthehet", tha Carney.

“Në një botë rivaliteti midis fuqive të mëdha, vendet midis tyre kanë një zgjedhje: të konkurrojnë me njëra-tjetrën për favore ose të bashkohen për të krijuar një rrugë të tretë me ndikim”, shtoi ai.

"Ne argumentojmë se fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk jemi në tryezë, jemi në menu”, përfundoi kanadezi.

Presidenti argjentinas Javier Milei mbajti fjalimin e tij të tretë radhazi në Davos të mërkurën, duke lavdëruar transformimin ekonomik të qeverisë së tij dhe duke deklaruar se Perëndimi duhet të kthehet te vlerat e tij themelore.

“Që nga marrja e detyrës në vitin 2023, ne kemi kryer 13,500 reforma strukturore”, tha Milei, duke e përshkruar procesin si “Ta bëjmë Argjentinën përsëri të madhe”.

"Amerika do të jetë fener drite që do të ringjallë të gjithë Perëndimin", shtoi ai.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, mbajti disa nga retorikat më luftarake të forumit të martën, duke u bërë thirrje udhëheqësve evropianë të “ndalojnë së qeni bashkëfajtor”.

"Nuk mund ta duroj këtë bashkëfajësi. Njerëzit që rrëzohen", tha Newsom.

Newsom shihet gjerësisht si një person që po e pozicionon veten si një zë alternativ demokrat ndaj administratës Trump përpara një kandidimi të mundshëm presidencial të vitit 2028.

Siguria transatlantike dhe rreziqet tregtare

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin, ndërsa paralajmëroi për rreziqet për kohezionin perëndimor.

“Kjo do t’i ndihmonte vetëm kundërshtarët”, tha von der Leyen, duke përsëritur shqetësimet se nga konflikti tregtar SHBA-Evropë përfitojnë vende si Rusia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se trazirat aktuale e kanë larguar vëmendjen e botës nga lufta e vazhdueshme e Rusisë në Ukrainë.

"Çështja kryesore nuk është Grenlanda tani, çështja kryesore është Ukraina", tha Rutte, duke shtuar se ishte "pak i shqetësuar se mund të humbasin topin duke u përqendruar kaq shumë në këto çështje të tjera".

"Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë tani, nesër dhe pasnesër", shtoi ai.

"Kam nevojë që aleatët evropianë të përqendrohen në këtë çështje", përfundoi Rutte.

Presidenti i WEF, Borge Brende, artikuloi “ankthin ekonomik” që mbizotëronte në forum.

"Ne jemi më të shqetësuar për përshkallëzimet e mëdha të luftërave. Kjo mund të shkatërrojë rritjen globale", tha Brende.

Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, mbrojti qasjen e administratës Trump në një konferencë për shtyp të martën, duke i cilësuar tarifat si një instrument legjitim gjeopolitik.

“Pikëpamja e presidentit ka qenë gjithmonë se ai do të preferonte shumë më tepër t’i zgjidhte gjërat me njerëzit, dhe për këtë arsye një tarifë është një masë më pak e rëndësishme”, tha Greer, duke i pozicionuar taksat tregtare së bashku me sanksionet dhe kontrollet e eksportit në mjetet e sigurisë kombëtare.

Greer i paralajmëroi aleatët evropianë kundër hakmarrjes, duke deklaruar se kjo do të ishte "e pamatur".

"Kur vendet e huaja ndjekin këshillën time, ato kanë tendencë të sillen mirë", tha ai.

Ai sinjalizoi gjithashtu një ndryshim themelor në politikën e SHBA-së mbi aksesin në treg.

"Tregu i SHBA-së nuk do të jetë kurrë përgjithmonë i disponueshëm për të gjithë, gjatë gjithë kohës, siç ka qenë për 25 vitet e fundit. Ne zbuluam se ky ishte një gabim", deklaroi Greer.

Inteligjenca Artificiale, kërcënimet ndaj fuqisë punëtore dhe të ardhmes së saj

Drejtori ekzekutiv i BlackRock, Larry Fink, i cili mori detyrën e bashkëkryetarit të Forumit Ekonomik Botëror, e hapi takimin me një ton autokritik.

“Për shumë njerëz, ky takim duket i paaftë për momentin: elitat në një epokë populizmi, një institucion i konsoliduar në një epokë mosbesimi të thellë institucional”, tha Fink.

“Dhe ka të vërtetë në këtë kritikë”, shtoi ai.

Drejtori ekzekutiv i Palantir, Alex Karp, duke folur me Fink, dha një parashikim të zymtë në lidhje me ndikimin e Al në punësim.

"Do të shkatërrojë vendet e punës në shkencat humane", tha Karp.

"Ke shkuar në një shkollë elitare dhe ke studiuar filozofi - do ta marr veten si shembull - shpresojmë që të kesh ndonjë aftësi tjetër, të cilën do të jetë e vështirë ta tregtosh", shtoi ai.

Sipas tij, “do të ketë vende pune më se të mjaftueshme për qytetarët e kombit tuaj, veçanërisht ata me trajnim profesional”, ndërsa paralajmëroi se Evropa po mbetet prapa SHBA-së dhe Kinës në përvetësimin e Al.

Vlen të përmendet se njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, bëri paraqitjen e tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror të enjten, duke parashikuar se robotët përfundimisht do t’i tejkalojnë njerëzit në numër dhe se Al do ta tejkalojë inteligjencën kolektive njerëzore brenda pesë vjetësh.

"Parashikimi im është se do të ketë më shumë robotë sesa njerëz", tha Musk në bisedë me Fink, duke shtuar se robotët humanoidë mund të ndihmojnë në ofrimin e kujdesit për të moshuarit në një botë ku nuk ka mjaftueshëm të rinj për t'u kujdesur për qytetarët e moshuar.

Musk tha se Al do të bëhet "më e zgjuar se çdo njeri individual" deri në fund të vitit 2026 dhe ka të ngjarë të tejkalojë "të gjithë njerëzimin së bashku" brenda 5 viteve.

Ai njoftoi se Tesla do të fillojë shitjen e robotëve humanoidë për publikun deri në vitin 2027.

"Deri në fund të këtij viti, mendoj se ata do të kryejnë detyra më komplekse dhe ndoshta deri në fund të vitit të ardhshëm, mendoj se do t'i shesim publikut robotë humanoidë", tha Musk.

"Atëherë jemi të sigurt se do të ketë besueshmëri shumë të lartë - në thelb mund t'i kërkoni të bëjë çfarë të dëshironi", përfundoi miliarderi. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Bota nuk është më 'një vend komod', tha kancelari Merz në Davos

22 January 2026 at 21:31


Kancelari gjerman Friedrich Merz të enjten lëshoi një thirrje zgjimi për aleatët e tij evropianë, duke i nxitur ata të përshtaten shpejt me faktin se rendi i vjetër botëror po "shpërbëhet me një ritëm marramendës".

Merz iu drejtua Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, vetëm disa orë pas një kthese të madhe në lidhje me Grenlandën nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili tërhoqi kërcënimet e tij për përdorimin e forcës për të marrë kontrollin mbi ishullin Arktik që është pjesë e aleatit të NATO-s, Danimarkës.

Trump tha gjithashtu se do të përmbahej nga vendosja e tarifave shtesë për një grup aleatësh evropianë të NATO-s që kanë kundërshtuar përpjekjen e tij për ta marrë ishullin, e cila do të kishte përfshirë edhe Gjermaninë.

Ndërsa kthesa erdhi si një lehtësim i madh për udhëheqësit evropianë, Merz e përdori fjalimin e tij në mbledhjen e politikëbërësve dhe elitave të biznesit për të përcjellë mesazhin se bota ka hyrë në "një kohë të politikës së fuqive të mëdha".

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia shënoi fillimin e "një epoke të re, por ndryshimi është shumë më i thellë", tha udhëheqësi gjerman.

"Kina, me largpamësi strategjike, është futur në radhët e fuqive të mëdha", tha Merz.

"Pozicioni kryesor global i Shteteve të Bashkuara po sfidohet dhe Uashingtoni po reagon duke riformësuar rrënjësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë".

Rendi i ri botëror, tha Merz, është "ndërtuar mbi pushtet, mbi forcë dhe kur bëhet fjalë për të, me forcë. Nuk është një vend komod".

Por Merz, i cili udhëheq ekonominë më të madhe të Evropës, theksoi gjithashtu se bota nuk ishte "në mëshirë" të rendit të ri, duke u bërë thirrje partnerëve evropianë të ngushtojnë radhët dhe të rrisin bashkëpunimin për të rritur aftësitë mbrojtëse dhe konkurrencën ekonomike në mënyrë që të mbizotërojnë.

"Ne kemi një zgjedhje. Ne mund ta formësojmë të ardhmen. Për të pasur sukses, duhet të përballemi me realitete të ashpra dhe të hartojmë kauzën tonë me realizëm të qartë".

"...Le të mbajmë mend, forca jonë më e madhe mbetet aftësia për të ndërtuar partneritete dhe aleanca midis të barabartëve bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë."

Ndërsa duke iu referuar “trazirave të fundit gjeopolitike”, Merz përshëndeti kthesën e Trump për Grenlandën, duke thënë "kjo është rruga e duhur për të ecur".

Gjermania mbështet bisedimet midis Danimarkës, Grenlandës dhe SHBA-së, theksoi Merz, pasi Trump la të kuptohej për një marrëveshje të mundshme mbi Groenlandën pas bisedimeve me Sekretarin e NATO-s Mark Rutte të mërkurën në mbrëmje.

Por Merz nuk u tërhoq nga mbështetja e tij për integritetin territorial të Grenlandës.

"Çdo kërcënim për të përvetësuar territorin evropian me forcë do të ishte i papranueshëm. Dhe zonja dhe zotërinj, tarifat e reja do të minonin gjithashtu themelet e marrëdhënieve transatlantike", tha ai.

Megjithatë, ai pranoi se aleatët evropianë "duhet të bëjnë më shumë për të siguruar veriun e lartë si NATO" dhe u zotua se Gjermania do të rriste përfshirjen e saj në mbrojtjen e rajonit të Arktikut.

"Ne do ta mbrojmë Danimarkën, Grenlandën, veriun, nga kërcënimi që paraqet Rusia. Ne do t'i përmbahemi parimeve mbi të cilat është themeluar partneriteti transatlantik, përkatësisht sovranitetit dhe integritetit territorial". /Telegrafi/

Zelensky thotë se 'garancitë e sigurisë' të SHBA-së për Ukrainën janë gati - pas takimit me Trump

22 January 2026 at 19:24


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se ai dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishin rënë dakord për garancitë e sigurisë së SHBA-së pas luftës për Ukrainën, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten kritikoi mungesën e "vullnetit politik" të BE-së në kundërshtimin e udhëheqësit rus Vladimir Putin, gjatë një fjalimi të zjarrtë ku kritikoi disa nga aleatët kryesorë të Kievit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Fjalimi për elitën e Davosit erdhi disa minuta pasi Zelensky ishte takuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, një bisedë që ai tha se solli marrëveshje rreth asaj se si do të dukeshin garancitë e sigurisë së SHBA-së pas luftës për Ukrainën.

Zelensky nuk tha se çfarë përfshinin garancitë e sigurisë, vetëm se ato ishin "të përfunduara" dhe ishin gati për t'u nënshkruar nga udhëheqësit dhe për t'u ratifikuar nga parlamenti ukrainas dhe Kongresi i SHBA-së.

Por, në një largim të dukshëm nga retorika e tij e zakonshme e ngrohtë ndaj BE-së, mbështetësve kryesorë politikë dhe financiarë të Kievit, Zelensky kritikoi ashpër atë që e quajti mosveprim, duke bërë paralele me filmin "Groundhog Day" për të përshkruar progresin e ngadaltë në fushat kryesore të mbështetjes për Kievin.

Ai tha gjithashtu se Evropa, pa përmendur asnjë vend të vetëm, nuk po arrinte të binte dakord se si t'i adresonte problemet globale.

"Ka debate të pafundme të brendshme dhe gjëra të pathëna që e pengojnë Evropën të bashkohet dhe të flasë mjaftueshëm sinqerisht për të gjetur zgjidhje të vërteta", ka thënë Zelensky në forum.

"Në vend që të bëhet një fuqi vërtet globale, Evropa mbetet një kaleidoskop i bukur, por i fragmentuar i fuqive të vogla dhe të mesme", shtoi ai.

Ai shtoi se Evropa dukej "e humbur" se si të përballonte sfidën e paraqitur nga Trump.

"Evropa duket e humbur duke u përpjekur të bindë presidentin e SHBA-së të ndryshojë. Por ai nuk do të ndryshojë. Presidenti Trump e do atë që është dhe thotë se e do Evropën, por nuk do ta dëgjojë këtë lloj Evrope".

Trump kishte përshëndetur një takim "të mirë" me Zelenskyn në resortin zviceran të skive, disa orë para se i dërguari i tij Steve Witkoff dhe dhëndri Jared Kushner të shkonin në Moskë për bisedime me Putinin.

"Kjo luftë duhet të mbarojë", u tha Trump gazetarëve kur u pyet se çfarë mesazhi po i dërgonte udhëheqësit rus.

Zelensky thekson se çështja e territorit ishte e vetmja çështje e pazgjidhur në bisedimet për t'i dhënë fund luftës.

"Gjithçka ka të bëjë me pjesën lindore të vendit tonë. Gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është çështja që ne (nuk e kemi) zgjidhur ende".

Rusia, e cila pushtoi rreth 20 përqind të Ukrainës, po shtyn për kontroll të plotë të rajonit lindor të Donbasit të vendit si pjesë e një marrëveshjeje - por Kievi ka paralajmëruar se lëshimi i tokës do ta inkurajojë Moskën. /Telegrafi/

Trump thotë se Evropa do të 'fliste gjermanisht ose japonisht' - pa fitoren e udhëhequr nga SHBA-të në Luftën e Dytë Botërore

21 January 2026 at 19:42


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se Evropa do të fliste gjermanisht dhe japonisht sot nëse Uashingtoni nuk do t'i kishte udhëhequr forcat aleate drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Ai përdori argumentin historik për të justifikuar përpjekjen e tij për të marrë kontrollin mbi Grenlandën.

"Pas luftës - të cilën e fituam, e fituam me forcë - pa ne, tani për tani, të gjithë do të flisnit gjermanisht dhe ndoshta pak japonisht", tha Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, përcjell Telegrafi.

Presidenti i SHBA-së mbrojti kërkesat e tij për Grenlandën duke vënë në dukje humbjen e shpejtë të Danimarkës gjatë luftës, duke pretenduar se Kopenhageni ra në duart e Gjermanisë "pas vetëm gjashtë orësh luftimesh dhe ishte plotësisht e paaftë të mbronte veten ose Grenlandën".

Trump tha se Uashingtoni ishte "i detyruar" të dërgonte forca për të mbajtur Grenlandën "me kosto dhe shpenzime të mëdha", duke krijuar baza për të mbrojtur territorin për Danimarkën.

"Ne vendosëm baza në Grenlandë për Danimarkën. Ne luftuam për Danimarkën", tha ai, duke shtuar se SHBA-të vepruan gjithashtu për të parandaluar "armiqtë" të fitonin një pikëmbështetje në Hemisferën Perëndimore.

Kujtojmë se Grenlanda ka tërhequr interesin e Trump për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të mëdha minerale dhe shqetësimeve të supozuara për rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.

Danimarka dhe Grenlanda – si dhe disa shtete të tjera - kanë hedhur poshtë propozimet për transferimin e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez. /Telegrafi/

Hamasi do të “shkatërrohet tërësisht” nëse nuk çarmatoset – paralajmëron Trump

21 January 2026 at 17:09


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi të mërkurën se grupi palestinez Hamas do të “shkatërrohet tërësisht” nëse nuk heq dorë nga armët e tij.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do ta dinë së shpejti nëse Hamasi ka ndërmend të çarmatoset.

“Nëse nuk e bëjnë këtë, do të shkatërrohen shumë shpejt”, tha ai.

Trump gjithashtu vlerësoi sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit të kryera në qershor, duke thënë se ato ishin të nevojshme për të siguruar paqen në Lindjen e Mesme.

Ai e përshkroi Iranin si “ngacmuesin e Lindjes së Mesme”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Gjatë të njëjtës paraqitje, Trump tha se do të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën, duke shtuar se besonte se si Zelensky ashtu edhe presidenti rus Vladimir Putin donin t’i jepnin fund luftës gati katërvjeçare në Ukrainë.

Duke iu drejtuar Evropës, Trump tha se pjesë të kontinentit “nuk njiheshin”, duke shtuar se ndërsa e donte Evropën, ajo “nuk po shkonte në drejtimin e duhur”.

Ai gjithashtu sulmoi Kanadanë, duke thënë se "duhet të jetë mirënjohëse" ndaj Shteteve të Bashkuara, një ditë pasi kryeministri kanadez Mark Carney paralajmëroi për një përçarje në sistemin global të udhëhequr nga SHBA-të.

"E pashë kryeministrin tuaj dje. Ai nuk ishte aq mirënjohës", tha Trump, duke iu referuar fjalimit të Carney në Davos, i cili shkaktoi një duartrokitje të rrallë.

"Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara. Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që bën deklaratat e tua".

Trump i përshkroi Shtetet e Bashkuara si "motorin ekonomik" të botës, duke thënë se rritja globale varet nga prosperiteti amerikan, ndërsa kritikoi Evropën mes kundërshtimit nga aleatët e SHBA-së për përpjekjen e Uashingtonit për të pushtuar Greenlandën.

"SHBA-të janë motori ekonomik në planet. Dhe kur Amerika lulëzon, e gjithë bota lulëzon. Kjo ka ndodhur gjatë historisë", tha ai. /Telegrafi/

Trump bën deklaratën më të qartë deri më tani - përjashton përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën

21 January 2026 at 16:42


Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se nuk do të përdorte forcën për të marrë Grenlandën.

Dhe kjo deklaratë, vlerëson CNN, përcjell Telegrafi, është deklarata e tij më e qartë deri më tani përjashton përdorimin e fuqisë ushtarake për të aneksuar ishullin Arktik.

"Ndoshta nuk do të marrim asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe forcë të tepruar, ku do të ishim, sinqerisht, të pandalshëm", ka thënë Trump.

"Por nuk do ta bëj këtë. Në rregull. Tani të gjithë thonë, oh, mirë".

"Kjo është ndoshta deklarata më e madhe që bëra, sepse njerëzit menduan se do të përdorja forcë. Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë", citohet të ketë thënë më tej presidenti amerikan.

"E tëra që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë është një vend i quajtur Grenlandë", ka shtuar ai.

Pak më vonë, Trump përsëriti se parashikon pronësi të plotë të SHBA-së mbi Grenlandën në vend të “një marrëveshjeje të përforcuar”.

"E tëra që po kërkojmë është të marrim Grenlandën, duke përfshirë titullin e drejtë dhe pronësinë, sepse ju nevojitet pronësia për ta mbrojtur atë", tha ai. "Nuk mund ta mbroni atë me një kontratë qiraje".

Presidenti Donald Trump bëri thirrje sot për "negociata të menjëhershme" me aleatët evropianë për të negociuar një blerje të mundshme të Grenlandës nga SHBA-të.

Duke folur para udhëheqësve botërorë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Trump shpjegoi arsyetimin e tij pse ai beson se aneksimi i Grenlandës nga SHBA-të - një territor autonom i Danimarkës, një vend i NATO-s - është në interesin më të mirë të Amerikës dhe Evropës.

"Janë vetëm Shtetet e Bashkuara që mund ta mbrojnë këtë masë gjigante toke, këtë copë gjigante akulli, ta zhvillojnë dhe ta përmirësojnë atë dhe ta bëjnë atë në mënyrë që të jetë e mirë për Evropën dhe e sigurt për Evropën dhe e mirë për ne", tha Trump.

"Dhe kjo është arsyeja pse unë po kërkoj negociata të menjëhershme për të diskutuar përsëri blerjen e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kemi fituar shumë territore të tjera gjatë historisë sonë, siç kanë bërë shumë nga vendet evropiane".

Trump gjithashtu argumentoi se kontrolli amerikan i Grenlandës do të forconte aleancën e NATO-s.

"Kjo nuk do të ishte një kërcënim për NATO-n. Kjo do të rriste shumë sigurinë e të gjithë aleancës, aleancës së NATO-s", tha ai, duke shtuar se ai beson se SHBA-të janë "trajtuar shumë padrejtësisht nga NATO". /Telegrafi/

Forumi Ekonomik në Davos/ Vuçiç: Von der Leyen po vulos ‘divorcin’ politik mes SHBA dhe BE

20 January 2026 at 13:47

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Ursula von der Layen po vulos divorcin politik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Kështu deklaron nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili nuk i ka të parat sulmet ndaj Brukselit.

“Ursula von der Leyen në fjalën e saj këtu në Davos theksoi ‘divorcin politik’ midis Amerikës dhe Brukselit. Ajo përdori tre fjalë kur foli për sanksionet, të cilat i quajti një gabim të madh. Ajo tha se përgjigja do të ishte proporcionale, e palëkundur dhe e bashkuar. Nesër do të dëgjojmë përgjigjen e Donald Trump”, tha Vuçiç.

Ai thotë se pret një fjalim shumë të fortë nga Trump, në drejtim të kundërt me atë që u dëgjua sot nga udhëheqësit evropianë.

“Kjo lojë e tarifave dhe vendimmarrjes në baza ditore nuk është e mirë, siç e përmendi edhe zëvendëskryeministri kinez. Ne po hyjmë ngadalë por me siguri në vendimmarrjen e përditshme dhe nuk mund të planifikosh asgjë. Bota po shkon në një drejtim të çmendur”, shtoi ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian është i përkushtuar ndaj sigurisë së rajonit të Arktikut.

Ajo përmendi si shembull faktin se Finlanda, e cila është anëtare si e BE-së ashtu edhe e NATO-s, po i shet SHBA-së anijet e saj të para akullthyese, gjë që na tregon se Evropa ka kapacitetin për tu mbrojtur, duke kundërshtuar kështu qëndrimin e presidentit amerikan se Groenlandën e do për ta ruajtur nga kërcënimi kinez dhe rus.

Komentet e Vuçiç vijnë në kohën kur Brukseli e ka quajtur ritmin e saj të integrimit në BE të ngadaltë dhe pa reforma serioze si në sistemin e drejtësisë, në lirinë e medias, të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha mosfunifikimin e saj me politikat e jashtme të bllokut.

/abcnews.al/

Senegali rrezikon titullin dhe Botërorin/ Maroku, ankesë në FIFA e CAF për finalen e Kupës së Afrikës

By: xhir jeta
20 January 2026 at 12:53

Tifozët vazhdojnë festën, por nuk dihet si do të jetë fundi. E vërtetë që kombëtarja e futbollit e Senegalit lumturoi popullin e saj, veçse një kërcënim I madh ka lindur për trofeun e Kupës së Kombeve të Afrikës të ngritur në stadiumin e Rabatit nga kapiteni Kulibali dhe shokët e tij.

Maroku, skuadra vendase që humbi finalen, ka bërë ankesë zyrtare në FIFA dhe në Konfederatën e Futbollit të Afrikës, duke kërkuar ose ndeshjen në tavolinë, ose përsëritjen e saj.

Argumenti më I fortë I Federatës Marokene është që Senegali braktisi finalen në sekondat e fundit të pjesës së dytë pasi arbitri Zhan Zhak Ndala dha penallti kundër miqve.

Nxitja erdhi nga trajneri Pape Çau, I cili më pas kërkoi falje për veprimin. Ndërprerja zgjati 17 minuta, dhe I vetmi që kërkoi rifillimin e lojës ishte Sadio Mane, që bindi ekipin të kthehej në terren.

Brahim Diaz e humbi penalltinë e tij në formë “Panenke”, por ankesa e marokenëve thekson se ylli i Realit u ndikua shumë nga kjo ndërprerje.

Jo vetëm ai, por të gjithë lojtarët u ndikuan negativisht. Pritet të shihet se cili do të jetë qendrimi I FIFA-s dhe Konfederatës Afrikane, ndërsa në të kaluarën kemi dy raste të tilla që kanë përfunduar keq për braktisësit.

Në Kupën e Botës në Spanjë në 1982, Kuvajti provoi të linte ndeshjen ndaj Francës i pakënaqur nga arbitri, i urdhëruar nga sheiku Fahd Al Ahmed Al Sabah, ndonëse “gjelat” fituan në fund 4-1 dhe ndeshja u mbyll.

FIFA e gjobiti Kuvajtin me mbi 14 000 USD ose mbi 1.3 milionë peseta spanjolle. Rasti i dytë ishte ai i braktisjes së ndeshjes nga Milani, në fushën e Olimpikut të Marsejës në çerekfinale të Kupës së Kampionëve në 1991.

Francezët po fitonin 1-0 pas barazimit 1-1 në “San Siro”, dhe administratori i deleguar, Adriano Galiani, nxiti italianët të largoheshin pasi ikën dritat në stadiumin “Velodrom”. UEFA ia dha kualifikimin Marsejës, ndërsa Milani u përjashtua një vit nga kupat e Europës./abcnews.al

Kosova optimiste për play-offin e Botërorit 2026, vlerësohet trajneri Foda

10 January 2026 at 11:48

PRISHTINË, 10 janar/ATSH/ Kombëtarja e Kosovës në futboll po vlerësohet pozitivisht për performancën e deritanishme drejt play-offit për Botërorin 2026, me theks të veçantë te puna e trajnerit Franco Foda dhe rritja e dukshme e cilësisë së ekipit. Pas daljes së dytë në një grup të fortë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, Kosova do të përballet me Sllovakinë në mars.

Profesori dhe analisti Malsor Gjonbalaj vlerëson se drejtimi i Fodës ka qenë i suksesshëm jo vetëm sportivisht, por edhe organizativisht.

“Mendoj që trajneri Foda ka vendosur disiplinë dhe një vizion të qartë për ekipin. Futbollistët tanë po luajnë në klube të njohura evropiane, duke u bërë bartës të lojës. Kjo rritje e cilësisë i jep ekipit një perspektivë të ndritur,” tha Gjonbalaj për KosovaPress.

Ai theksoi se Kosova nuk është inferiore ndaj Sllovakisë, edhe pse do të luajë si mysafir në një ambient me presion të madh:

“Ndeshja është e vështirë, sepse eliminimi nga gara e bën vendimtar çdo moment. Por Kosova duhet të shkojë e qetë dhe e përgatitur psikologjikisht, duke menaxhuar lojën dhe rezultatin pa nguti,” shtoi ai.

Trajneri Genc Sermaxhaj e konsideron përballjen me Sllovakinë si të barabartë dhe një sfidë të vështirë për Kosovën. “Sllovakia ka përvojë në botërorë dhe evropianë. Megjithatë, mundësitë janë 50-50 dhe Kosova ka futbollistë cilësorë në liga të mëdha, si Muriqi dhe Zhegrovë. Kualifikimi është i mundshëm,” tha Sermaxhaj.

Edhe trajneri Robert Gjeraj shpreh optimizëm për fitore ndaj Sllovakisë dhe për kualifikim historik drejt play-offit.

Kombëtarja e Kosovës ka bërë hapa të dukshëm nën drejtimin e Fodës, me futbollistë që performojnë në nivele të larta evropiane. Analistët dhe trajnerët vlerësojnë cilësinë, disiplinën dhe perspektivën e ekipit për të përballuar sfidën ndaj Sllovakisë në mars dhe për të synuar një kualifikim historik për Botërorin 2026.

/KosovaPress/

The post Kosova optimiste për play-offin e Botërorit 2026, vlerësohet trajneri Foda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jo vetëm Botërori, Kombëtarja kuqezi pret edhe dy yje

By: M C
30 December 2025 at 16:18

Shqipërinë e presin sfida të mëdha në vitin 2026, ku fillimisht do të jetë “Play Off” për një vend në Kupën e Botës, e më pas do të jetë Botërori nëse Shqipëria arrin të sigurojë një biletë. Por, jo vetëm kaq.

Në vitin 2026, Shqipëria do të nisë nga puna për eliminatoret e radhës që do të jenë për Europianin, aty ku kuqezinjtë natyrisht synojnë kualifikimin e dytë radhazi, natyrisht me pak fat në short. Krahas rezultateve, kuqezinjtë shpresojnë që të bindin edhe 2 lojtarë për të luajtur me Shqipërinë.

Nelson Vaiper dhe Brajan Gruda luajtën kundër Shqipërisë U21 në miqësore dhe natyrisht janë dy lojtarë që po bëjnë shumë mirë në Bundesligë e Premier Ligë. Duke qenë se ende nuk kanë debutuar për Gjermaninë, Vaiper dhe Gruda kanë të drejtë që të zgjedhin Shqipërinë dhe në kampin kuqezi, shpresojnë që diçka e tillë të realizohet pasi do të ishin vlerë e madhe e shtuar në sulm.

Të dy lojtarët duket se janë në pritje të ftesës së Gjermanisë, por gjithçka mund të ndodhë dhe nuk është çudi që Shqipëria t’i ketë shumë shpejt pjesë të kontingjentit të saj për të ardhmen.

The post Jo vetëm Botërori, Kombëtarja kuqezi pret edhe dy yje appeared first on Albeu.com.

FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit

29 December 2025 at 18:38

BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – FIFA ka marrë mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit të vitit të ardhshëm, në gjysmën e fazës së fundit të shitjes së tyre.

Organizata më e lartë e futbollit bëri të ditur sot se aplikimet kanë ardhur nga mbi 200 vende dhe territore.

FIFA njoftoi se turneu në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada është mbi kapacitet me 30 herë më shumë kërkesa sesa vendet e disponueshme dhe se numri i aplikimeve është 3,4 herë më i madh se pjesëmarrja totale në të gjitha botëroret e mëparshme që nga edicioni i parë në 1930-n.

“Kjo përgjigje e jashtëzakonshme nga tifozët pasionantë është një tregues i vërtetë i dashurisë globale për futbollin tonë”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Faza e fundit e shitjes filloi më 11 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 13 janar, pas së cilës biletat do të vendosen me short.

Kjo është hera e parë që shumica e ndeshjeve të grupeve janë të njohura që nga shorti i 5 dhjetorit.

Ka më shumë bileta në dispozicion se në edicionet e mëparshme, pasi Botërori është zgjeruar nga 32 në 48 ekipe dhe nga 64 në 104 ndeshje.

Procesi i shitjes nuk ka kaluar pa polemika, pasi grupet e tifozëve kritikuan çmimet e larta të biletave.

FIFA më pas prezantoi disa bileta me çmim 60 dollarë për tifozët që aplikojnë për biletat nga kontingjenti i ekipeve pjesëmarrëse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FIFA “ndryshon” Botërorin/ Të tjera risi përpara finaleve të “Kupës së Botës 2026”

By: xhir jeta
9 December 2025 at 12:54

Që nuk do të jetë një Botëror si gjithë të tjetër, kjo ishte kuptuar me kohë. Por FIFA vijon të aprovojë të tjera risi për “Kupën e Botës 2026”. Qeveria botërore e futbollit njoftoi se në turneun që do të zhvillohet verën e ardhshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, ndeshjet do të ndërpriten në çdo pjesë nga tre minuta, përveç pushimit të zakonshëm mes pjesëve.

Kjo do t’i japë mundësi futbollistëve të hidratohen, në mënyrë që të përballojnë më mirë temperaturat e larta që priten gjatë finaleve të Botërorit, sidomos në sfidat që do luhen në SHBA dhe Meksikë. FIFA e mori këtë vendim pas vështirësive që u hasën gjatë “Botërorit për Klube”, që u zhvillua po në tokën amerikane.

Në njoftimin e qeverisë botërore të futbollit thuhet se “kjo procedure e thjeshtuar I lejon arbitrat të ndërpresin lojën pas 22 minutave të çdo pjese për t’u lejuar lojtarëve të pine ujë. Këto ndërprerje nuk varen nga moti apo temperatura, por do të urdhërohen nga arbitrat në të gjitha ndeshjet, duke garantuar kushte të barabarta për të gjithë ekipet. Minutazhi I ndërprerjes do të rikuperohet kohën shtesë”.

Po ashtu, FIFA po planifikon gjithashtu tre ceremoni hapjeje: një para ndeshjes së parë, më 11 qershor, në Mexico City midis vendit Meksikës dhe Afrikës së Jugut; dhe dy të tjera para ndeshjeve të para të dy vendeve të tjera pritëse, më 12 qershor, në Toronto në ndeshjen e Kanadasë dhe në Los Angeles me ndeshjen Shtetet e Bashkuara-Paraguai.

Përveç kësaj, për finalen e madhe, më 19 korrik, në stadiumin Neë Jersey, po planifikohet një shfaqje në pushimin e pjesës së pare e stilit amerikan, ashtu siç është traditë në finalet e “Super Bowl”.

Shqipëria përballë “Tulipanëve”, “Samurajëve Blu” dhe “Shqiponjave të Kartagjenës” në Botëror  

6 December 2025 at 08:01

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të jetë pjesë e Grupit F në Kupën e Botës 2026, nëse arrin të kualifikohet përmes play-off-it të marsit, ku kuqezinjtë do të ndeshen fillimisht me Poloninë dhe më pas me fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi.

Shorti i hedhur sonte në Uashington D.C për finalet e turneut ka rreshtuar përballë Shqipërisë tre kundërshtarë të fortë e me profile të ndryshme: Holandën, e 7-ta në renditjen e FIFA-s, Japoninë e 18-a dhe Tunizinë e 40-ta.

Kombëtarja shqiptare është ndeshur gjithsej katër herë me Holandën, të gjitha në ndeshje zyrtare, duke krijuar një histori të gjatë përballjesh me njërën prej skuadrave më të forta të Europës.

Përballjet e para mes dy ekipeve datojnë në vitin 1964, gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës 1966.

Në sfidën e zhvilluar në Roterdam, kuqezinjtë u mposhtën 2-0, me golat e shënuar nga Daan Schrijvers dhe Bennie Muller. Në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në Tiranë, Holanda fitoi sërish 2-0, falë realizimeve të Hennie van Nee dhe Frans Geurtsen.

Dy përballjet e tjera kanë ardhur gjatë eliminatoreve të Euro 2008. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Amsterdam, Shqipëria u mposht 2-1. Për Holandën shënuan Robin van Persie dhe një autogol i Arian Beqajt, ndërsa për kuqezinjtë realizoi Debatik Curri.

Takimi i dytë, i zhvilluar në Tiranë, përfundoi 1-0 për “Tulipanët”, me golin e vetëm të sfidës të shënuar në minutën e 91-të nga Ruud van Nistelrooy.

Sa i përket Japonisë, përfaqësuesja aziatike është një territor i panjohur për kombëtaren tonë. Shqipëria dhe Japonia nuk kanë luajtur asnjëherë mes tyre në nivel kombëtaresh. “Samurajët blu” njihen për ritmin e lartë të lojës dhe disiplinën taktike, duke qenë një nga ekipet më të rregullta të turneve të fundit.

As kundër Tunizisë, Shqipëria nuk ka zhvilluar kurrë një ndeshje zyrtare apo miqësore. Afrikanoveriorët, të quajtur edhe “Shqiponjat e Kartagjenës”, janë të njohur për lojën fizike dhe me intensitet, duke iu shtuar surprizave që ky grup mund të sjellë.

/r.e/a.f/

The post Shqipëria përballë “Tulipanëve”, “Samurajëve Blu” dhe “Shqiponjave të Kartagjenës” në Botëror   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Presidenti Duka pas shortit: Uroj shumë të shkojmë në Botëror, jo vetëm për lojtarët dhe Federatën

By: M C
5 December 2025 at 23:33

Pas përfundimit të ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria, në rast kualifikimi nga play-off-i, do të jetë pjesë e Grupit F me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dha një prononcim për fshf.org, ku vlerësoi eventin dhe foli për kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se rrugëtimi i Kombëtares për të arritur në Botëror është i vështirë, por theksoi se Shqipëria do të luftojë deri në fund për të qenë pjesë e finaleve.

“Organizimi i shortit ishte fantastik. Vetëm futbolli mund të bëjë që të bashkojë kaq shumë njerëz bashkë, njerëz të rëndësishëm të politikës, njerëz shumë të rëndësishëm të botës së futbollit, por edhe të sporteve të tjera.

Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij eventi të rëndësishëm. Sot ishte dita e parë, pra organizimi i shortit dhe për këtë unë dua të falënderoj futbollistët e ekipit Kombëtar dhe stafin, që na e kanë bërë të mundur të ëndërrojmë për të qenë pjesë e këtij Botërori. Padyshim që rruga jonë është e vështirë. Ne kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse e kalojmë atë pastaj do të luajmë një ndeshje finale kundër skuadrës fituese Suedisë apo Ukrainës me ëndrrën për të qenë pjesë e Botërorit.

Padyshim të vazhdojmë të luftojmë deri në minutën e fundit dhe unë kam shumë besim te skuadra jonë, te motivimi i tyre dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e Botërorit. Uroj shumë që vërtet ta realizojmë këtë ëndërr, jo vetëm të ekipit të futbollit, jo vetëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, por të gjithë shqiptarëve që e duan shumë futbollin”, – tha Presidenti Duka.

The post Presidenti Duka pas shortit: Uroj shumë të shkojmë në Botëror, jo vetëm për lojtarët dhe Federatën appeared first on Albeu.com.

FIFA “fal” Cristiano Ronaldo/ CR7 do jetë në sfidën e parë të Portugalisë në “Botërorin 2026”

By: xhir jeta
26 November 2025 at 12:47

Cristiano Ronaldo nuk mund të jetojë pa futbollin, por edhe futbolli duket se nuk mund të bëjë pas yllin portugez.

Kjo konfirmohet nga vendimi i fundit i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FIFA, që ka lënë në fuqi pezullimin me një ndeshje të lojtarit pas kartonit të kuq të marrë në sfidën e parafundit në grupet kualifikues të “Botërorit 2026”.

Një dënim i zbutur, pasi rregullorja parashikon pezullimin me dy iose më shumë ndeshje, në rast të kartoni të kuq direkt dhe për gjeste anti sportive, si në rastin e Cristiano Ronaldo. Ai u ndëshkua në ndeshjen e 143 nëntorit në Dublin, kur I nervozuar goditi qëllimisht mbrojtësin e Irlandës, Dara O’Shea.

CR7 e shlye pezullimin në sfidën pasardhëse, atë të fundit në grup kundër Armenisë.

Si pasojë, pas vendimit të fundit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FIFA, ylli i futbollit do të mund të luajë në ndeshjen e parë me Portugalinë në “Botërorin 2026”.

Sipas mediave portugeze, një detaj që ka ndikuar në këtë vendim lidhet me karrierën e futbollistit.

Ky ishte kartoni I parë ui kuq direk për sulmuesin në 226 ndeshje të luajtura me përfaqësuesen portugeze.

Një fitore për Cristiano Ronaldo, kombëtaren e Portugalisë, por edhe për FIFA, që nuk mund t’I lejojë vetes të humbasë markën “CR7” në turneun më të rëndësishëm të saj.

 

Merr formë shorti i Botërorit/ FIFA zbulon proçedurat, Shqipëria dhe ekipet e play off, në vazon 4

By: xhir jeta
26 November 2025 at 12:42

Në fillim duhet të kalojë ndeshjet e play off, por deri atëherë, Shqipëria ka mësuar një pjesë të rrugës që do të ndjekë nëse kualifikohet në finalet e “Botërorit 2026”.

FIFA zbuloi ndarjen e vazove për shortin që do të hidhet më 5 dhjetor në Ëashington, nga i cili do të ndahen grupet e turneut.

Kështu skuadra kuqezi do të vendoset në vazon e katërt, ku bëjnë pjesë edhe ekipet që do të dalin nga faza e play-off. Në të njëjtën vazo bëjnë pjesë Jordania, Kepi I Gjelbërt, Curacao, Gana, Haiti dhe Zelanda e Re.

Në vazon e parë, siç pritej, përveç organizatorëve janë pozicionuar skuadrat më të mëdha të futbollit Botëror të renditura më mirë në klaisifikimin e përgjithshëm të FIFA.

Po ashtu, qeveria botërore e futbollit zbuloi edhe proçedurat e shortit të “Botërorit 2026”, turneu i parë në histori me 48 skuadra.

Tre vendet organizatore SHBA, Meksikë dhe Kanada do të jenë koka grupi, ashtu si ekipet e tjerë të vazos së parë.

Por katër skuadrat e para të renditjes së FIFA, Spanja, Argjentina, Franca dhe Anglia do të përcaktohen në rrugë të ndryshme, çka do të thotë se ato mund të përballen mes tyre vetëm në finale.

Përveç skuadrave të Europës, që mund të vendosen edhe dy në të njëjtin grup, skuadrat e konferederatave të tjera mund të përballen mes tyre vetëm pas fazës së grupeve.

Një ditë pas hedhjes së shortit, FIFA do të zbulojë më 6 dhjetor edhe kalendarin e sfidave në finalet e “Botërorit 2026” që do të nisë më 11 qershor dhe do të mbyllet me 19 korrik./abcnews.al

“FIFA 2026″/ Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët në fazën ‘play-off’

By: Brisi
20 November 2025 at 13:45

Shqipëria dhe Kosova kanë mësuar kundërshtarët e tyre në fazën “play off” këtë të enjte pas shortit të hedhur në Zyrih. Sipas shortit, Shqipëria do të përballet me Poloninë për fazën e playoff të Botërorit, ndërsa Kosova do të luajë me Sllovakinë. Shqipëria dhe Kosova i mbyllën ndeshjet kualifikuese në vendet e dyta në grupet […]

The post “FIFA 2026″/ Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët në fazën ‘play-off’ appeared first on BoldNews.al.

Rruga drejt Botërorit/ Formula e fazës së play off për Shqipërinë dhe Kosovën

By: xhir jeta
20 November 2025 at 12:48

Katër skuadrat e vazos së parë, Italia, Turqia, Danimarka dhe Ukraina janë koka në katër minigrupet, ose “shtigjet” drejt finaleve, ndërsa do të luajnë në gjysmëfinale me skuadrat e vazos së katërt që vijnë nga Liga e Kombeve.

Ndërkohë, skuadrat e vazos së tretë ku bëjnë pjesë Shqipëria dhe Kosova do të përballen në gjysmëfinale me ekipet e vazos së dytë, që janë për momentin Uellsi, Sllovakia, Polonia dhe Çekia.

Për këtë arsye, sipas kësaj skeme nuk do të ketë “derbi shqiptar” as në finalet e play off. E sigurtë është që si Shëqipëria ashtu edhe Kosova do të luajnë në transfertë ndeshjen gjysmëfinale.

Në rast kualifikimi, stadiumi ku do të luhet sfida finale do të vendoset gjithashtu në shortin që do hidhet po të enjten në Zyrih, i cili do të përcaktojë edhe “shtegun” e fundit.

Kjo do të thotë, gjithmonë në rast kualifikimi, që kuqezinjtë dhe “Dardanët” mund të luajnë në shtëpi ose sërish në transfertë sfidën finale të play off.  Kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës e bënë punën e tyre në fushë, tani të gjithë të shpresojmë që edhe fati të jetë në goglat e shqortit të së enjtes.

Kanë mbetur edhe gjashtë vende për Kupën e Botës, këto janë të gjitha përfaqësueset që luajnë në fazën eliminatore

19 November 2025 at 16:00


Pas ndeshjeve të mbrëmshme, dihen 42 pjesëmarrësit e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, dhe gjashtë vendet tjera do të sigurohen përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it.

Gjashtë vendet e mbetura do të sigurohen përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it - katër nga Evropa dhe dy përmes ‘play-off’-it ndërkontinental.

Sa i përket ‘play-off’-it evropian, 16 ekipe do të ndahen në katër vazo në të cilat do të luhen gjysmëfinalet dhe finalja. Do të luhet nga një ndeshje, dhe fituesit pastaj do të luajnë mes vete.

Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina janë në vazon e parë, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia dhe Uellsi në të dytën, Bosnje dhe Hercegovina, Irlanda, Kosova dhe Shqipëria në të treten dhe Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut në të katërtën.

Në barazhin ndërkontinental, gjashtë ekipe do të luftojnë për dy vende, dhe sistemi i garave do të jetë i ndryshëm nga ai në Evropë.

Bolivia, Xhamajka, Kaledonia e Re dhe Surinamet do të kualifikohen në gjysmëfinale, ndërsa fituesit do të kalojnë në finale ku do të luajnë kundër Irakut dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Shorti për të dyja eliminatoret do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa ndeshjet do të luhen në mars të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/

Kosova barazon me Zvicrën, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon

18 November 2025 at 22:46

PRISHTINË, 18 nëntor/ATSH/ Ndeshja e fundit të Grupit B për kualifikimet e Botërorit 2026 zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, përfundoi me rezultat 1–1. Ruben Vargas kaloi Zvicrën në epërsi në minutën e 47-të, ndërsa Florent Muslija barazoi për Kosovën në minutën e 74-të, duke vendosur shifrat përfundimtare.

Me këtë rezultat, Zvicra mbyll grupin në vendin e parë me 14 pikë dhe siguron kualifikimin direkt për në Botëror. Kosova përfundon e dyta me 11 pikë, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e play-off-it, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Ky rezultat shënon një sukses historik për Dardanët, që për herë të parë arrijnë të përfundojnë si të dytët në grup në kualifikimet për një Kupë Botërore dhe të sigurojnë mundësinë për të luftuar për një vend në Botëror përmes play-off-it. Atmosfera në Prishtinë, tifozët dhe futbollistët janë bërë pjesë e një momenti historik për futbollin kosovar.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova barazon me Zvicrën, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌