Historia e 8 Marsit fillon në vitin 1908, kur punëtoret e fabrikave në Shtetet e Bashkuara u ngritën në protestë për orët e gjata të punës, kushtet e rënda dhe pagat e ulëta. Më pas, në vitin 1910, një Kongres Ndërkombëtar i Grave Socialiste, i mbajtur nga Clara Zetkin, propozoi që çdo vit të shënohej një ditë ndërkombëtare e grave, për të forcuar kërkesën për të drejta politike, sociale dhe ekonomike. Kështu, 8 Marsi u bë gradualisht një simbol i fuqisë dhe solidaritetit femëror, që përfshinte jo vetëm kërkimin e barazisë gjinore, por edhe drejtësinë sociale më gjerë.
Por si u prit 8 Marsi në Tiranë?
Edhe pse aktivistë të Kolektivit Feminist dhe grupime të ndryshme qytetare i dedikojnë shumë kohë dhe përkushtim marshimit të 8 Marsit, shumë media shpesh e portretizojnë këtë aktivitet si “zaptim dhe promovim të komunitetit LGBT”, duke lënë në hije gratë shqiptare dhe mesazhin kryesor të protestës. Për shembull, disa foto dhe video të shpërndara në masë, ku një pjesëmarrës mban pankartën “Jemi gra të egra”, u përdorën për të krijuar një perceptim të shtrembëruar. Në fakt, këto pamje i përkasin marshimit të vitit 2025, dhe qëllimi i pasueshëm ishte shpesh të shenjtërohen individë të komunitetit transgjinor për të gjeneruar zemërim dhe klikime.
Materialet që shtrembërojnë mesazhin e protestës janë një formë dezinformimi. Në të vërtetë, pjesëmarrja e komunitetit LGBT tregon se marshimi i 8 Marsit është një hapësirë për të bashkuar zërat e të gjitha grupimeve të margjinalizuara. Shënjimi dhe stigmatizimi i pjesëmarrësve, përkundrazi, sulmon qëllimin e vërtetë të kësaj date historike: kërkimin e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë.
Organizimi i 8 Marsit në Shqipëri ngriti probleme konkrete dhe të rëndësishme: nga gratë e Durrësit dhe Rrjollit që udhëheqin rezistencën kundër ndërtimeve të paligjshme, tek rritja e rasteve të femicidit dhe dhunës, puna e papaguar dhe sulmet e grupeve konservatore dhe fetare.
Të qenit politik nuk lidhet me pamjen, ngjyrën, seksualitetin apo mënyrën se si vishemi. Të qenit politik lidhet me guximin për të denoncuar padrejtësitë publikisht dhe për të folur për problemet shoqërore që shpesh injorohen, sidomos kur nuk prekin drejtpërdrejt jetën tonë. 8 Marsi, në këtë kontekst, nuk është thjesht një ditë festimi, por një thirrje për të njohur dhe respektuar të drejtat dhe zërat e grave dhe të të gjithë komuniteteve të margjinalizuara.
Ilaria është një nga 14 gratë që humbën jetën gjatë vitit që lamë pas si pasojë e femicidit. Për të përkujtuar viktimat, Kolektivi Feminist, një grupim vullnetar aktivist, ndërmori një ndërhyrje urbane në qytet duke vendosur në mënyrë simbolike emrat e tyre në disa rrugë.
Ky aksion , zëvendësimi simbolik i emrave të rrugëve me emrat e grave të vrara, ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale. Disa e konsiderojnë të paligjshëm, ndërsa për aktivistët ai është më shumë se një gjest simbolik: një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të ngritur një alarm për shoqërinë.
Patris Pustina, aktiviste e nismës “Counting Dead Women Albania”, tregon se puna për të dokumentuar këto raste është shpesh emocionalisht e rëndë. Shpesh ajo kërkon në rrjetet sociale të viktimave për të gjetur fotografi dhe për të kuptuar më shumë për jetën që ato kanë bërë.
“ Është shumë e rëndë. T’i memorializosh dhe t’i përkujtosh, siç bëmë dje me njerëz të tjerë në komunitet, është disi shëruese. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të mendosh që ato vazhdojnë të kujtohen, jo vetëm nga familjarët e tyre, por edhe nga njerëz që nuk i kanë njohur – gra si puna jonë, që e dinë se një fat i tillë mund t’i ndodhë secilës prej nesh.”
Ky aksion është një nga aktivitetet që i paraprin 8 Marsit. Përgatitjet për marshimin e kësaj dite nisin shumë më herët. Aktivistët mblidhen për të diskutuar moton, denoncimet dhe kërkesat e vitit, duke u bazuar në problematikat dhe nevojat që prekin vajzat dhe gratë në vend.
Gjatë viteve të fundit, grupimi është zgjeruar, duke përfshirë edhe aktivistë të nënshtetësive të tjera, të cilët kontribuojnë me ide dhe energji në organizim.
Një prej pjesëmarrëseve, Safira Boeder, e përshkruan përvojën në grup si shumë të fuqishme.
“Është shumë e fuqishme. Ndonjëherë është e vështirë të bësh këtë lloj angazhimi, sepse disa njerëz mund ta humbasin shpresën. Por në këtë grup ka aq shumë energji dhe forcë, sa të jep edhe ty shumë motivim.”
Edhe pankartat që përgatiten për marshimin bartin mesazhe të forta. Blini shpjegon simbolikën e pankartës së tij.
“Pankarta ime paraqet një grusht të mbledhur me çelësa mes gishtave. Është një simbol i frikës që shumë gra përjetojnë çdo natë kur duhet të kthehen në shtëpi. Ato duhet gjithmonë të vlerësojnë situatat dhe njerëzit përreth. Nuk mund thjesht të jetojnë të lira.”
Feminizmi i keqkuptuar
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organizime të ndryshme komunitare dhe politike bashkohen në qytete për të ngritur zërin kundër padrejtësive që gratë përballen në shtëpi, në punë, në rrugë dhe në çdo hapësirë të jetës së përditshme.
Sipas aktivistes Albina Ruko nga Lëvizja Bashkë, përparimi drejt barazisë gjinore në Shqipëri shpesh ka mbetur më shumë në nivel deklaratash sesa në realitet.
“Kemi bërë regres, disa hapa pas. Ende flasim për kuota dhe për një propagandë të rreme për emancipimin e grave dhe mundësitë e barabarta. Edhe në politikë, shpesh gratë përdoren si numra dhe statistika për qëllime të tjera.”
Aktivistët theksojnë se angazhimi i tyre buron nga dëshira për të kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Në marshimin e 8 Marsit u bashkuan edhe shumë djem dhe burra, duke treguar se kjo është një çështje që prek të gjithë.
Bledi, një nga pjesëmarrësit, shprehet se nuk ndjen frikë gjatë aktivizmit, por është i vetëdijshëm për privilegjin që i jep fakti se është burrë.
“Ndoshta nuk më gjykojnë njësoj si gratë, sepse jam djalë dhe vij nga i njëjti komunitet. Por në fund të fundit nuk jam thjesht djalë; jam pjesë e një shoqërie më të madhe.”
Edhe aktivisti Erion Gjatolli thekson se përfshirja e burrave në këtë debat kërkon reflektim dhe gatishmëri për ndryshim.
“Shpesh burrat ndihen të sulmuar. Mendojnë se mjafton të thonë ‘jam për të drejtat e grave’ dhe e kanë bërë detyrën e tyre. Në fakt është më e vështirë, sepse duhet të jenë gati të heqin dorë nga disa privilegje që u duket sikur u takojnë.”
Së fundmi, feminizmi shpesh është keqkuptuar si një lëvizje që kërkon dominimin e grave apo që ushqen urrejtje ndaj burrave. Në thelb, ai synon drejtësi shoqërore dhe sfidon strukturat që prodhojnë pabarazi dhe dhunë.
Aktivistët theksojnë se qëllimi nuk është përçarja mes grave dhe burrave, por ndërtimi i një shoqërie ku të gjithë gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.
Sidita Zaja thekson se dialogu mes dy gjinive është thelbësor.
“Shpesh krijohet përshtypja se feminizmi është urrejtje ndaj burrave. Por qëllimi është të bashkojmë dy botë – feminzimin që kërkon barazi dhe burrat që duhet të jenë pjesë e këtij dialogu. Sidomos të rinjtë duhet të përfshihen në këtë bashkëbisedim, për të kuptuar se të gjithë synojmë të njëjtën gjë: të drejta të barabarta për të gjithë.”
Shumica Socialiste e nisi mëngjesin e kësaj të hëne me një qëndrim përfundimtar kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Si anëtarë të mazhorancës në Këshillin e Mandateve arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, teksa prezantoi raportin mbi kërkesën e SPAK.
Sipas Manjës, është e vërtetë që në një shtet të së drejtës lufta kundër korrupsionit është një objektiv legjitim dhe i domosdoshëm, por këto objektiva duhet të realizohen në përputhje me Kushtetutën.
“Ne i rekomandojmë seancës plenare të rrëzojë kërkesën e SPAK për autorizimin e heqjes së lirisë së Ballukut,” tha Manja duke shtuar se nga shqyrtimi i materialeve shoqëruese “nuk rezulton domosdoshmëri për vendosjen e një mase të tillë.”
“Kjo nuk pengon SPAK të vazhdojë hetimet,” theksoi Manja.
Në fjalën e tij si kryetar i socialistëve, Kryeministri Edi Rama u mundua të relativizojë çështjen ndaj Ballukut. Ai argumentoi se ndaj ish-zëvendëskryeministres nuk janë ngritur akuza për vjedhje, korrupsion apo vepra të rënda penale të kryer në flagrancë.
“[…] por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se, në cilësinë e ish-ministres […] ka kryer veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, gjashtë vite më parë”, u shpreh në fillim të fjalimit të tij Rama, duke shtuar se hetimi bazohet në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori.
“Si u marrkësha mbrapa hekurave kaq kollaj një njeri? Se folën dy veta në telefon dhe kjo është një provë e re që s’është as e re,” u shpreh Kryeministri.
“Kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk në Kuvend për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur shtatë pashë jo nën dhe, por në llum!”, shtoi Rama.
Kryesocialisti e cilësoi gjithashtu diskursin publik ndaj Ballukut si një “gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik”, që sipas tij u krijua fillimisht me një “turravrap të pakuptueshëm” nga prokurori dhe gjykatësi i seancës paraprake.
Rama vlerësoi sërish figurën e Ballukut duke treguar se do ta mbajë me peshë të lartë politike. Ai renditi disa nga projektet infrastrukturore që sipas tij janë realizuar suksesshëm gjatë drejtimit të Ballukut, nga rrugët te projektet hekurudhore dhe ato ajrore, ndërsa theksoi se ajo do të drejtojë qarkun Fier në zgjedhjet vendore dhe nuk do të ketë më pushtet ekzekutiv.
Imuniteti i Ballukut dhe prova e shtetit të së drejtës
Vendimi i shumicës socialiste për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të – tashmë – deputetes Balluku nuk është vetëm një vendim në kuadrin e një procesi parlamentar.
Ai përbën edhe një provë politike dhe institucionale për mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës në Shqipëri dhe për raportin mes pushtetit politik dhe atij të drejtësisë.
SPAK ka ngritur akuza ndaj ish-zëvendëskryeministres, e cila mbante dhe postin e ministres së Infrastrukturës për shkelje në procedurat e prokurimit publik, lidhur me tenderët për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, me vlerë rreth 210 milionë euro.
Prokurorët pretendojnë se përmes komunikimeve dhe ndërhyrjeve në procesin e tenderimit janë krijuar avantazhe të padrejta për një konsorcium kompanish, akuzë që Balluku e ka mohuar.
Argumenti i paraqitur nga përfaqësuesit e mazhorancës ishte se Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
Megjithatë, përtej argumentit juridik, vendimi ka një dimension të fortë politik. Kryeministri Rama ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm publik, duke deklaruar se vendimi duhet të bazohet në raportin e Këshillit të Mandateve dhe se “mekanizmi i qeverisjes nuk mund të kurdiset dhe shkurdiset sa herë bëhet një akuzë”.
Në një sistem ku parlamenti kontrollohet nga shumica qeverisëse, çdo vendim për imunitetin e një figure të lartë politike rrezikon të shihet si një mbrojtje politike dhe jo si një vlerësim juridik.
“Ne nuk do të bëhemi pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia” dhe “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të” janë disa nga deklaratat e mëparshme të Ramës në fillimet e përballjeve të zyrtarëve të rrethit të tij me drejtësinë.
Megjithatë, sipas një analize të Institutit të Studimeve Politike (ISP), qasja e qeverisë ndaj imunitetit të zyrtarëve të akuzuar ka ndryshuar me kalimin e viteve.
Në vitet 2023 dhe 2024, Kuvendi refuzoi kërkesën e opozitës për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj Artan Gaçi (ish-deputet i PS-së) ishte shpallur nga qeveria “investitor strategjik”.
Në mbrojtje u mor edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në vitin 2017 u refuzua kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit, ndërsa në 2018 Tahiri dha dorëheqje nga mandati dhe më pas u dënua me burg.
Rastet kur Kuvendi ka miratuar heqjen e imunitetit kanë qenë kryesisht për figura më pak të fuqishme politikisht, si Tom Doshi dhe Mark Frroku në vitin 2015. Në të njëjtin vit, Kuvendi miratoi brenda dy ditësh edhe heqjen e imunitetit të Armando Prengës, figura që edhe pse nuk lidheshin direkt me Partinë Socialiste, ishin përkrahës të vazhdueshëm të saj në parlament.
Në vitin 2022, Alqi Bllako dha dorëheqje nga mandati pas akuzave të ngritura nga SPAK.
Ndërsa në vitin 2023, ndryshe nga rasti i Ballukut, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nuk mori të njëjtën mbrojtje politike. Brenda një jave nga kërkesa për heqjen e imunitetit, Kuvendi votoi në mbështetje të SPAK-ut.
Miratim të ngjashëm për heqjen e imunitetit pati edhe për kreun e opozitës Sali Berisha në dhjetor 2023. Ndërsa dorëheqje nga mandati pati në vitin 2024 nga Jurgis Çyrbja, për të cilin u deshën vetëm 8 ditë.
Në rastin e Belinda Ballukut, procesi ka nisur në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se dy muajsh mazhoranca vendosi të refuzojë SPAK-un për heqjen e imunitetit.
Në demokracitë funksionale, heqja e imunitetit nuk është një dënim, por një hap procedural për t’i hapur rrugë drejtësisë të veprojë pa pengesa. Refuzimi i këtij procesi krijon perceptimin se pushteti politik mund t’i vendosë kufij drejtësisë.
Motoristët që punojnë për shërbimin e shpërndarjes së porosive të kompanisë Wolt protestuan të dielën në Bulevardin e Ri, pranë ish-stacionit të Trenit, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.
Herën e fundit motoristët e kësaj kompanie protestuan më 30 shtator 2024, kur u duk se arritën një mirëkuptim me përfaqësuesit menaxherialë të degës së kompanisë në Shqipëri.
Megjithatë, pakënaqësitë u rikthyen dhe bashkë me to edhe rezistenca për të mos punuar, apo siç e përshkruajnë protestuesit me jelekë blu, “për të qëndrojnë offline”.
“Përderisa ne po punojmë për 300 lekë kilometri, nuk ia vlen të ndezësh motorin”, tha njëri prej motoristëve për Citizens.
Sot, më 9 mars, motoristët i dërguan një shkresë kompanisë dhe zyrave të saj nënkontraktuese, ku paraqitën një sërë kërkesash lidhur me kushtet e punës. Në njoftim, ata shprehin pakënaqësi për uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit dhe kërkojnë që asnjë prej motoristëve protestues të mos penalizohet apo të nxirret “offline” nga aplikacioni.
Mes kërkesave kryesore janë rritja dhe transparenca e tarifës për kilometër, pajisja e të gjithë motoristëve me kontrata pune sipas Kodit të Punës, pagesë shtesë për ngjitjen e porosive në pallate me shumë kate dhe për porositë me prioritet, si dhe rikthimi në aplikacion i kategorisë “motorist” për ata që kryejnë shërbimin me motor.
Po ashtu, motoristët kërkojnë që kompania të sigurojë uniformat dhe pajisjet e punës pa pagesë nga ana e tyre.
“Nëse je punonjës i Wolt-it prej vitesh, do ta marrësh koshin me 25 mijë lekë. Nëse je i ri, duhet të paguash 50 mijë lekë, ndërkohë që ne realisht po mbështesim firmën dhe po i bëjmë reklamë”, shpjegoi Roveno Qatipi.
Motoristët theksojnë se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa shprehin gatishmëri për dialog me përfaqësuesit e kompanisë për gjetjen e një zgjidhjeje.
Reagimi i tyre i është dërguar gjithashtu Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Jam aksidentuar para një viti. Kam qenë në një kompani tjetër, kam thyer këmbën dhe askush nuk vuri ujin në zjarr”, tha për Citizens Klajdi Shemshiri.
Policia izolon protestën
Pas mbledhjes në Bulevardin e Ri dhe diskutimeve në grup për mënyrën se si do të vijojë rezistenca, motoristët tentuan të dilnin në qytet për ta bërë më të dukshme kundërshtinë e tyre.
Pa vonuar, forcat policore, por edhe punonjës të veshur civilë, bllokuan motorët me arsyetimin se po pengohej trafiku.
Motoristët kundërshtuan duke thënë se do ta vijojnë protestën në ditët në vijim në këmbë, duke mos i marrë motorët.
Gjatë protestës ata vunë re se çmimet e shërbimit që do të ofroheshin në ato momente do të ishin shumë më të larta se zakonisht, për shkak të bojkotit.
Ata u shprehën njëzëri se do të vijojnë të qëndrojnë “offline” për të shprehur rezistencën, por nuk janë dakord që vetë menaxherët t’i nxjerrin jashtë sistemit (offline) për shkak të kërcënimeve, si një taktikë që mund t’i largojë nga puna.
Filiali i “Wolt” në Shqipëri u hap më 27 nëntor 2023 nga kompania mëmë finlandeze “Wolt Enterprises Oy,” me kapital themeltar prej rreth 500 mijë eurosh. AJo operon në Shqipëri përmes nënkontraktorëve për sa i përket sigurimit të krahut të punës për korrierët, të cilët edhe pse realisht nuk kanë marrëdhënie direkte me kompaninë, mbajnë logon e “Wolt”.
Citizens kontaktoi përfaqësues të zyrës menaxheriale të Wolt në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati reagim.
“Revoltohu motër” ishte thirrja që mblodhi mesditën e “8 Marsit” vajza, gra dhe aktivistë në një protestë në sheshin “Nënë Tereza”.
Përmes një marshimi simbolik që përshkoi rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit kërkuan barazi, mbrojtje nga dhuna, akses në drejtësi dhe përfaqësim real në vendimmarrje.
Ata theksuan se të jesh grua në Shqipëri shpesh do të thotë të jetosh me frikë, pasi diçka më shumë se gjysma e grave në vend (53%) kanë përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre.
“Në vetëm tre vitet e fundit janë regjistruar mbi 15 mijë raste dhune në familje. Në këtë periudhë janë vrarë 32 gra dhe vajza”, u shpreh aktivistja Ermela Çelaku.
Marshimi u thirr nga Kolektivi Feminist në Shqipëri. Organizatorët theksuan se femicidi nuk është “krim pasioni,” por “rezultat i një shoqërie që ende nuk e vlerëson jetën e grave si të barabartë”.
Gjatë tubimit, vajzat dhe gratë ndanë edhe histori personale mbi presionin dhe kontrollin që përjetojnë në familje shoqëri dhe në hapësirën publike.
“Në moshën 18-vjeçare erdhi një valë emocionesh, zemërimi dhe nevoje për të eksploruar më shumë, për ta përmbysur botën e vogël në të cilën jetoja,” tregoi Entenela Ndrevataj, aktiviste feministe.
“Doja t’i shpëtoja emërtimit të ‘vajzës së mirë’, që më kufizonte edhe gjërat bazike: lëvizjen e lirë, oraret me kontroll, daljet natën, mënyrën se si vishem apo rolin tim në familje dhe mjedisin përreth,” vijoi ajo.
Për Ndrevatajn, rebelimi nisi me hapa të vegjël, pasi presioni dhe dhuna psikologjike ishin aq të forta “sa guxoja të ëndërroja për liri, por gjithmonë me hijen e frikës pas”.
Për aktivisten Deni Sanxhaku, në Shqipërinë e vitit 2026 të qenurit grua “nuk mjafton”.
“Duhet të jesh gruaja e dikujt, mamaja e dikujt, motra e dikujt. Duhet të jesh punëtore në fabrikë që të kujtojnë vetëm më 1 Maj. Duhet gjithmonë të jesh në raport me dikë tjetër që të njihen të drejtat e tua dhe të kesh mbrojtje apo solidaritet”, theksoi Sanxhaku.
Edhe puna e papaguar dhe barra e përditshme që mbajnë gratë në familje dhe në shoqëri ishte pjesë e mesazheve të marshimit, i cili përfshiu edhe përfaqësues grupimesh politike.
Aktivistja Albina Ruko, nga Lëvizja Bashkë, theksoi se gratë janë mësuar të luftojnë në heshtje.
“Të jemi të zonjat në punë, të jemi shtylla e familjes, të rrisim fëmijët me ëndrra dhe vlera. Unë besoj se vajzat tona duhet të jetojnë në një botë më të drejtë se ajo që kemi gjetur ne”, u shpreh ajo.
Në marshim pati edhe mesazhe solidariteti për gratë që përballen me forma të ndryshme diskriminimi, përfshirë gratë lesbike, biseksuale, transgjinore, rome, egjiptiane dhe gratë me aftësi të kufizuara.
Sipas aktivistes së komunitetit LGBT, Livia Zotrija, diskutimet publike të vitit të fundit rreth ligjit për barazinë gjinore kanë nxitur një klimë më armiqësore ndaj komunitetit.
“Përballë sulmeve fizike, dhunës verbale, linçimit publik dhe dehumanizimit që është ushqyer ndaj grave dhe vajzave lesbike, biseksuale dhe transgjinore. Jemi bërë shënjestër vetëm sepse ekzistojmë dhe sepse guxojmë të flasim”, u shpreh Zotrija.
Marshimi u mbyll përpara Kryeministrisë. Aktivistet nuk kursyen kritikat edhe ndaj gjuhës seksiste në politikë ndaj strukturave patriarkale në pushtet.
“Kur themi patriarkat kemi në mendje fytyrën dhe fjalorin e Taulant Ballës,shpërthimet e Edi Ramës; dhunën shtetërore në duart e oligarkëve nga Ulaj te Mane dhe gjithçka në mes,” u shpreh Diana Malaj, aktiviste e Grupit ATA nga Kamza.
“Aarrogancën e kryebashkiakëve të lirë apo në burg; dhe simbolikën e ‘Vilës 31’ si një art në shërbim të pushtetit”, vijoi ajo.
Përveç kërkesave për barazi dhe drejtësi për gratë në Shqipëri, protestuesit shprehën solidaritet edhe me gratë në vendet e luftës, si Palestina, Irani dhe Ukraina, të cilat sipas tyre përballen njëkohësisht me shtypje patriarkale dhe konflikte të armatosura.
Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të përpunuara në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, gjatë periudhës 2021-2024 janë vrarë 37 vajza dhe gra në Shqipëri, ndërsa 27 prej këtyre rasteve janë klasifikuar si femicid, pra vrasje për shkak të gjinisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Kolektivit Feminist në Shqipëri, të mbledhura përmes platformës “Counting Dead Women”, në tre vitet e fundit janë vrarë 32 vajza dhe gra nga bashkëshortët, partnerët, ish-partnerët apo familjarët. Në këto shifra përfshihen edhe gratë shqiptare të vrara jashtë vendit.
Banorë të fshatrave Koçaj, Dragu dhe Kodra e Danit, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, u mblodhën sot para bashkisë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali (HEC).
Ata hynë në sallën ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, ku pritej të diskutohej dhënia e një parcele toke për ndërtimin e HEC-it. Megjithatë, sipas bashkisë, çështja nuk ishte pjesë e rendit të ditës, pasi nuk ishte miratuar më parë.
“U nisën tre-katër herë, jo malin, jo drutë… Tani ka shkuar puna aty ku nuk mbahet më, duke tharë tre katunde. Është përrua, por do t’i mbledhë të gjithë ujërat në një vend dhe të bëhet i pasur ai i zoti që do ta marrë”, u shpreh për Citizens.al, Elez Dedja, banor i zonës.
Pasi pa që banorët hynë në sallë, kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri, u largua nga mbledhja dhe u fut në zyrën e saj, e ndjekur nga banorët. Më pas ajo pranoi të takonte një përfaqësi të tyre.
“Po na e bënë centralin atje për të na marrë ujin, për të na marrë shpirtin, për të na marrë gjithçka”, u shpreh Mirgjela Mera, një tjetër banore, teksa priste jashtë derës së kryebashkiakes së bashku me dhjetëra banorë të tjerë. Sipas saj, nëse uji u merret, ata nuk kanë më mundësi të jetojnë në fshat.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ahmet Bushi, gjithashtu banor, i cili theksoi se ata do të bëjnë çmos për të mos e lejuar ndërtimin e hidrocentralit.
“Pa ujë, pa drita, pa rrugë nuk ka jetë. Uji merret te fshati im, te shtëpia ime në katund. Shytaj quhet përroi dhe ujërat mblidhen më poshtë”, u shpreh Bushi.
Sipas Seit Hotit, nëse uji merret për hidrocentralin, banorët do të detyrohen të shpërngulen. Ai thekson se për projektin nuk është bërë konsultim me banorët.
“[Investitori]… do ta shtrojë këtu në këshillin bashkiak, të marrë vendimin e këshillit, por ne kemi marrë informacionet dhe nuk e pranojmë. Prandaj kemi ardhur sot këtu”, tha ai.
Nadire Dedaj, një banore në moshë, u shpreh se kundërshtimi ndaj projektit vijon prej vitesh. Ajo tregoi se një situatë të ngjashme zona e kishte kaluar me protesta edhe në vitin 2019 duke ia dalë ta mbrojë ujin.
“Atje nuk mund të futen fadroma e mjete të tjera. Edhe nëse firmat jepen nga Tirana apo nga këta këtu, ata nuk hyjnë dot atje. Ta kenë të prerë atë fjalë”, theksoi ajo për Citizens.al.
Pas përfundimit të takimit me kryebashkiaken, banorët thanë se ajo u shpreh se do të mbështeste qëndrimin e tyre nëse kërkesat rezultojnë të drejta.
“Kryebashkiakja ishte në dijeni dhe tha se e priste këtë reagim,” tregoi për Citizens.al Ismet Koka pasi doli nga takimi.
“Si përfundim na dha një ‘ok’ dhe tha se do të jetë me banorët nëse është me të drejtë. Nëse nuk është, atëherë do të merren masa të tjera.”
Më herët banorët kanë dorëzuar edhe një peticion me rreth 350 nënshkrime kundër ndërtimit të HEC-it “Shytaj”.
Ata kërkojnë që çdo vendim për ndërtimin e hidrocentralit të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe pas zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura, për ndikimin në burimet ujore dhe në masivin pyjor.
Projekti për ndërtimin e hidrocentralit “Shytaj” ka nisur që në vitin 2019, por nuk arriti të miratohej në këshillin bashkiak për shkak të kundërshtimeve të banorëve.
Asokohe, banorët deklaruan se nuk ishin zhvilluar konsultime publike me komunitetin.
Në vitin 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për HEC-in “Shytaj”, me detyrimin për plotësimin e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Sipas lejes së ndërtimit, shoqëria ndërtuese është “ERIM” sh.p.k., në pronësi të familjes Shyti, me aksionerë Adhurim Shyti, Ervin Shyti dhe Arbër Shyti.
Dhuna vijon të jetë përditshmëri për gratë në Shqipëri, duke marrë forma ekstreme deri në humbje jete. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të përpunuara në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, gjatë periudhës 2021-2024 janë vrarë 37 vajza dhe gra, ndërsa 27 prej këtyre rasteve janë klasifikuar si “femicid,” pra vrasje për shkak të gjinisë.
Gjetjet janë pjesë e analizës së “Observatorit për Femicidin,” një mekanizëm monitorimi i ngritur në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, i cili analizon rastet e dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave në vend.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së vëmendjes institucionale, termi “femicid” ende nuk është i përkufizuar në Kodin Penal shqiptar, duke e bërë më të vështirë njohjen formale të motiveve gjinore në procedurat gjyqësore.
18 raste dhune ekstreme vetëm në vitin 2024
Gjatë vitit 2024, Observatori analizoi 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Këto raste përfshijnë jo vetëm vrasjet, por edhe forma të tjera të dhunës që mund të çojnë në pasoja fatale.
Nga këto raste, 5 ishin vrasje të grave, ndërsa vetëm 3 prej tyre u klasifikuan si femicid. Dy nga viktimat u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa një rast përfshinte vrasjen e një gruaje nga fqinji i saj.
Sipas të dhënave të Observatorit për Femicidin, në 13 nga 18 rastet e marra në shqyrtim viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori.
“Duke konfirmuar se dhuna vdekjeprurëse shpesh është përshkallëzim i abuzimit të njohur më parë”, thuhet në të dhënat e përpunuara nga Observatori.
Nga këto 18 raste, në 5 raste viktimat kishin kërkuar ndihmë nga policia.
“Asnjë nga viktimat nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në momentin e krimit”, theksojnë të dhënat.
Për këto raste janë identifikuar 19 autorë, prej të cilëve 17 ishin djem ose burra, ndërsa 7 prej tyre kishin rekorde kriminale të mëparshme.
Sipas të dhënave të Observatorit, viktimat ishin nëna të 33 fëmijëve, përfshirë 9 të mitur.
“Më shumë se gjysma e ngjarjeve (56%) ndodhën në zona rurale, duke nxjerrë në pah pasoja më të gjera sociale të dhunës ekstreme ndaj grave”, thuhet në të dhënat e mbledhura nga Observatori.
Sipas UN Women, në një tryezë të mbajtur për Ditën Ndërkombëtare të Grave, këto gjetje nxjerrin në pah boshllëqe të rëndësishme në identifikimin e hershëm të rrezikut, në parandalimin dhe në reagimin institucional ndaj dhunës ndaj grave.
“Këto të dhëna tregojnë se vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Urdhrat e mbrojtjes duhet të zbatohen në mënyrë konsistente, rreziqet duhet të vlerësohen herët dhe institucionet duhet të punojnë së bashku për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës”, thekson UN Women në një deklaratë publike.
Mangësitë institucionale dhe mbrojtja ligjore
Raporti evidenton disa dobësi të vazhdueshme në reagimin institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
“Mungesa e njohjes së qartë ligjore të femicidit vazhdon të kufizojë njohjen formale të motiveve të lidhura me gjininë brenda procedurave gjyqësore. Në disa raste, dhuna paraprake ishte e njohur nga institucionet, megjithatë nuk ishin marrë masa aktive mbrojtjeje përpara ngjarjes”, thuhet në raport.
Sipas raportit, identifikimi i vonuar i rrezikut, zbatimi dhe monitorimi i dobët i masave mbrojtëse, si dhe koordinimi i pamjaftueshëm mes policisë, gjykatave, prokurorisë dhe shërbimeve sociale e shëndetësore janë disa nga faktorët kryesorë që çojnë në mosreagim institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
Në një tryezë të përbashkët të organizuar nga UN Women në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, u bë thirrje për të garantuar që gratë dhe vajzat të kenë akses të plotë në drejtësi.
“Me gjithë përparimin e bërë si rezultat i reformës në drejtësi, gratë vazhdojnë të hasin barriera kur kërkojnë drejtësi në rastet që kanë të bëjnë me dhunën me bazë gjinore, zgjidhjen e martesës, mbështetjen për fëmijët, pasurinë dhe aspekte të tjera”, thuhet në reagimin e UN Women.
Sipas organizatës, kostot e larta ligjore dhe të transportit, si dhe përgjegjësitë e përkujdesit për familjen, kufizojnë aftësinë e tyre për të kërkuar dhe për të marrë zgjidhje ligjore.
“Gjykatat dhe qendrat e ndihmës ligjore shpesh janë të përqendruara në zonat urbane, duke ua bërë grave në zonat rurale më të vështirë aksesin në to”, thuhet në deklaratën e UN Women në Shqipëri.
Sipas një raporti monitorimi të vitit 2025 të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, janë analizuar 479 raste të dhunës në familje të gjykuara gjatë tre viteve të fundit në shtatë gjykata në vend.
Sipas raportit, 108 viktima (22%) ishin të përfaqësuara nga një avokat, ndërsa 371 gra morën pjesë në procedura ligjore pa përfaqësim ligjor.
“Vetëm shtatë gra përfituan ndihmë juridike të financuar nga shteti”, thekson raporti.
Në rastet kur gratë kishin përfaqësim ligjor, gjykatat miratuan urdhra mbrojtjeje në çdo rast.
Sipas UN Women, kjo tregon se qasja në ndihmë juridike rrit gjasat për mbrojtje dhe se procedurat aktuale për ndihmë juridike falas duhet t’i përgjigjen natyrës urgjente të rasteve të dhunës në familje.
Kompania “Gener 2” publikoi të martën një tekst me titull “10 fakte mbi statusin ligjor dhe administrativ të projektit në Velipojë”, ku pretendoi se projekti “Blue Borgo” është në përputhje me ligjin dhe se debati mbi pretendimet për pronat, bazohet në “keqinformime”.
Por dokumentet zyrtare të marra nga Citizens.al përmes institucioneve dhe raportimet në terren tregojnë se rreth projektit mbeten plot çështje pa përgjigje. Më poshtë janë dhjetë prej tyre.
Na takon të theksojmë se redaksia jonë iu drejtua në të paktën dy raste me kërkesa për koment, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati përgjigje.
1- A ishin të ligjshme punimet e një viti më parë?
Në mars 2025 banorët e Rrjollit u përplasën me grupin e punonjësve që nisën zhvillimin e projektit “Blue Borgo”. Situata përshkallëzoi pas ndërhyrjes së policisë teksa banorët denoncuan pretendimet e tyre se kompania “Gener 2” po përpiqej t’u merrte tokat.
Kompania reagoi me një njoftim prej gjashtë rreshtash. Ajo konfirmoi se projekti kishte nisur të zhvillohej, por hodhi poshtë pretendimet duke këmbëngulur se gjithçka ishte konformë ligjit.
“Gener 2” rezulton se fitoi licencë zbatimi për projektin (NZ.4586/34) më 16 shtator 2025. Ndërsa vendimi i lejes së ndërtimit u firmos më 8 gusht 2025 dhe leja u zbardh nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) vetëm më 15 janar 2026 (Leje ndërtimi Nr.360/1).
Kjo nënkupton se punimet paraprake të vitit 2025 ishin para përmbylljes së plotë të procedurave ligjore.
2- A është verifikuar plotësisht statusi i pronësisë?
“Gener 2” thotë se ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me “palën që figuron si mbajtëse e të drejtave të pronësisë” dhe se ajo nuk ka cenuar të drejtat e askujt.
“[…] projekti është mbështetur vetëm në vendime të formës së prerë, të certifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” thuhej në një nga reagimet.
Pamje e zonës që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.
Megjithatë, “Gener 2” nuk ka treguar përmbledhje të këtyre vendimeve, titullin bazë të pronësisë, zinxhirin e kalimeve të pronës, apo dokumentet që provojnë sigurinë juridike të transaksioneve.
Në planvendosjen e lejes së ndërtimit “Gener 2” shfaqet si projektues bashkë me studion arkitekturore të Stefano Boerit, ndërsa si zhvillues kompania tjetër e zotëruar nga familja Ulaj “ABA Blue Borgo,” çka lë të nënkuptohet se pala e tretë është po një sipërmarrje e Ulajve.
Në një projekt të kësaj përmase, transparenca mbi pronësinë është element kyç për besueshmërinë e investimit.
3- Për çfarë heton Prokuroria e Shkodrës?
Sipas “Gener 2” nuk rezulton të ekzistojë as edhe një akt pezullues ndaj vijimit të projektit.
“Prona dhe procesi përkatës kanë kaluar fazat e shqyrtimit të nevojshëm sipas kuadrit përkatës, dhe mbi këtë bazë nuk rezulton ndonjë pengesë ligjore për vijimin normal të punimeve,” thuhet nga kompania.
Por, Prokuroria e Shkodrës ka konfirmuar për Citizens.al se ekziston një procedim penal i hapur mbi këtë çështje, bazuar në materialet e referuara nga SPAK (Procedimi Nr.390/2025 referuar nga Prokuroria e Posaçme më 21 mars 2025) mbi bazën e kallëzimit të bërë nga banorët për pretendime falsifikimesh të titujve të pronësisë.
Edhe pse hetimet janë ende në zhvillim, fakti që ekziston një procedim penal tregon se disa aspekte të projektit janë ende nën verifikim nga organet e drejtësisë.
4- Pse nuk ka tabelë me lejen e zbardhur në kantier?
Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës Shëngjin-Velipojë u vu një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).
Tabela tregon se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro), se punimet pritet të zgjasin 5 vite (60 muaj) dhe se kur ka marrë licencën e zbatimit kompania “Gener 2”.
Tabela në kantier e “Blue Borgo”/Citizens.al
Tabela nuk ka informacion për pozicionet kadastrale, pamjet 3-D të projektit, vendosjes së strukturave që do të ndërtohen, hartën topografike, treguesit teknik për parcelat e pasurive kufitare, distancave të pronës, intensitetin e ndërtimit, koeficientin e shfrytëzimit të truallit, etj.
5- Sa i informuar ishte komuniteti lokal?
Kompania thotë se projekti është prezantuar në konsultime publike dhe se nuk ka pasur kundërshtime.
Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), për projektin qe zhvilluar konsultim në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).
Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik “me ndikim të menaxhueshëm në mjedis”.
Por banorët e zonës kanë deklaruar publikisht se u njohën me projektin vetëm kur filluan punimet në terren.
Kjo krijon një kontradiktë mes narrativës zyrtare dhe perceptimit të komunitetit lokal për sa kohë nuk ka pasur asnjë reagim tjetër sqarues nga institucionet publike.
6- Si u përjashtua projekti nga taksa e ndikimit në infrastrukturë?
Bashkia Shkodër ka konfirmuar për Citizens.al se projekti rezulton i përjashtuar nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik akti konkret administrativ që e vendos këtë përjashtim për projektin “Blue Borgo”, as baza e detajuar ligjore që e justifikon atë.
Sipas skemës së taksave vendore, për një investim turistik të kësaj përmase në Velipojë norma e taksës së ndikimit në infrastrukturë është rreth 3% e vlerës së investimit.
Projekti i resortit “Blue Borgo”.
Nëse merret si referencë vlera e projektit që është përmendur publikisht – rreth 280 milionë euro – atëherë taksa potenciale e ndikimit në infrastrukturë do të arrinte në rreth 8.4 milionë euro.
Derisa të publikohet dokumenti që justifikon përjashtimin, mbetet e paqartë si dhe mbi çfarë baze u fal një detyrim fiskal i kësaj përmase.
7- A e plotëson projekti kriterin “brand name” për përjashtim nga taksa?
Ligji për taksat vendore parashikon një përjashtim të veçantë nga taksa e infrastrukturës për strukturat akomoduese me 5 yje, status special, por vetëm nëse ato operohen nga një markë hotelerie ndërkombëtare “brand name”.
Deri tani, as në komunikimet publike të “Gener 2” dhe as në dokumentet e bëra publike nga institucionet nuk është përmendur ndonjë markë ndërkombëtare hotelerie që do të operojë resortin “Blue Borgo”.
Në mungesë të këtij elementi, pyetja që mbetet është nëse projekti i plotësonte vërtetë kushtet ligjore për përjashtim nga taksa e infrastrukturës apo jo.
8- Pse projekti nuk figuron si investim strategjik?
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) konfirmoi dy herë për Citizens.al se për projektin “Blue Borgo” nuk rezulton asnjë vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike.
Kjo do të thotë se projekti nuk ka statusin formal të investitorit strategjik, një status që shpesh përdoret për të justifikuar lehtësi fiskale apo procedura të përshpejtuara.
Në këtë kontekst, mbetet e paqartë mbi çfarë mekanizmi tjetër ligjor është mbështetur përjashtimi nga taksa e infrastrukturës.
9- A cenon projekti zonë të mbrojtur?
Zona ku po ndërtohet resorti “Blue Borgo” ka qenë pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë, konkretisht në nënzonën 1b, ku zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore. Kjo kategori synonte ruajtjen e biodiversitetit dhe peizazhit natyror, duke lejuar vetëm aktivitete ekonomike dhe turistike që nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.
Megjithatë, ndryshimet e miratuara në vitin 2024 (kur u konceptua dhe projekti) në Ligjin për Zonat e Mbrojtura përfshinë konceptin e “turizmit të ekselencës”, që lejon ndërtimin e strukturave akomoduese turistike me standarde të larta edhe brenda zonave të mbrojtura.
Zona 1b e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë/Citizens.al
Organizata si, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kanë paralajmëruar se kjo qasje mund të hapë rrugën për zhvillime intensive turistike në territore që më parë ishin të destinuara kryesisht për konservim.
Vetë “Gener 2” nuk ka folur për këtë pjesë dhe nuk ka garantuar qartësisht se çfarë masash ka parashikuar për të reduktuar impaktin në mjedisin e zonës.
Në këtë kuptim, konflikti në Rrjoll nuk lidhet vetëm me një resort të vetëm, por edhe me një debat më të gjerë: nëse zonat e mbrojtura duhet të mbeten hapësira prioritare për ruajtjen e natyrës apo të shndërrohen në zona zhvillimi turistik
10. Nëse dokumentet janë kaq të qarta, pse nuk publikohen të gjitha?
Në reagimin e saj publik, “Gener 2” deklaron se është e gatshme të vërë në dispozicion dokumentacionin përkatës.
Megjithatë, pavarësisht edhe kërkesave në rrugë elektronike të Citizens.al, deri më tani nga investitori nuk është mbajtur asnjë konferencë për shtyp dhe nuk është bërë publik asnjë dosje e plotë që të përfshijë: aktin e përjashtimit nga taksa e infrastrukturës, provën e ortakërisë “brand name” si hotelier ndërkombëtar, listën e kushteve të vendosura nga KKT, dhe dokumentet që provojnë përmbushjen e tyre.
Derisa këto dokumente të bëhen publike, projekti “Blue Borgo” do të vazhdojë të mbetet jo vetëm një investim i madh turistik, por edhe një histori me shumë pyetje të hapura.
Në Shqipërinë e vitit 2026 flitet shpesh për barazi gjinore dhe për krijimin e mekanizmave mbrojtës ndaj dhunës kundrejt vajzave dhe grave. Në praktikë, situata paraqitet ndryshe dhe më pak e diskutuar mbetet dhuna me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.
Ato mbeten në një hapësirë të padukshme mes dhunës dhe mungesës së aksesit në institucionet ku ajo duhet të denoncohet.
Në një vëzhgim të kryer nga Fondacioni “Së Bashku” në Tiranë, Dibër dhe Vlorë, vihet re se sistemet e ndërtuara për të mbrojtur vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara janë të pamjaftueshme, të paaksesueshme, të pakoordinuara dhe fizikisht të papërshtatshme.
Sipas Suela Lalës, drejtuese e fondacionit, përzgjedhja e tre qyteteve është bërë për të krijuar një panoramë të situatës nga veriu në jug të vendit.
Në Tiranë janë vëzhguar 48 institucione që janë pjesë e zinxhirit të reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore, si Policia e Shtetit, prokuroria, gjykatat, qendrat shëndetësore, strehëzat, qendrat e ndihmës juridike falas dhe bashkitë.
Sipas raportit të Fondacionit “Së Bashku”, asnjë prej këtyre institucioneve nuk është plotësisht i aksesueshëm: 35.4% qasen pjesërisht, ndërsa 64.6% janë të paaksesueshme.
“Në disa institucione u konstatuan elementë të izoluar të aksesueshmërisë, si rampa hyrëse, por mungonin komponentë të tjerë, si tualetet e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, parkimet e rezervuara dhe të sinjalizuara, elementët taktilë orientues, ashensorët dhe sportelet në lartësi të arritshme”, thuhet në raport.
Vëzhgimi përfshin edhe aksesin në komunikim dhe informacion, përfshirë komunikimin përmes platformave online. Sipas raportit, aksesueshmëria në informacion dhe komunikim në Bashkinë e Tiranës mbetet sporadike dhe jo e standardizuar.
“Vetëm 20.8% e institucioneve të monitoruara ofrojnë një minimum aksesi në komunikim dhe informacion, por shumë bazik, ndërsa 79.2% nuk ofrojnë asnjë formë informacioni apo komunikimi të aksesueshëm”, nënvizon raporti.
Këto mungesa lidhen me mangësinë në materialet Braille, versioneve audio, udhëzimeve vizuale, interpretimit në gjuhën e shenjave, si dhe me mungesën e kontrastit dhe madhësisë së përshtatshme të tekstit.
Sipas Suela Lalës, një nga pengesat kryesore është fakti se shpesh dhuna nuk arrin të identifikohet si e tillë, ndërsa një tjetër problem lidhet me varësinë e personave me aftësi të kufizuara nga njerëzit që kujdesen për ta.
“Çështja e ndihmësit personal mbetet problematike. Pagesat janë minimale dhe personat me aftësi të kufizuara shpesh mbijetojnë falë mbështetjes së familjarëve, ndërkohë që dhuna në shumë raste vjen pikërisht nga njerëzit më të afërt”, tregoi Lala për Citizens.al.
Sipas saj, edhe në strehëzat për gratë dhe vajzat e dhunuara mungon aksesi për gratë me aftësi të kufizuara.
“Në raportimin e dhunës ndaj grave me aftësi të kufizuara, ato janë të padukshme pikërisht për shkak të këtyre barrierave, të cilat gjenden në të gjithë zinxhirin e institucioneve dhe në mënyrën se si është organizuar shoqëria jonë,” shtoi Lala.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e kapaciteteve të stafit në këto institucione. Asnjë prej (48) institucioneve nuk kishte zhvilluar gjatë vitit të fundit trajnime mbi këtë kategori apo mbi dhunën me bazë gjinore ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Sipas tij, institucione si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) ofrojnë kryesisht informacione teknike, jo në gjuhë të thjeshtë apo në formate alternative, si video apo materiale audio.
“Policia, Prokuroria dhe Gjykatat mbështeten kryesisht në komunikim verbal, por pa ofruar akses real në informacion dhe komunikim për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në raport.
Sipas Lalës, në disa raste mungesa e aksesit në strehëzat për gratë e dhunuara ka bërë që gratë me aftësi të kufizuara të mos mundin të vendosen në qendrat emergjente 24 apo 48-orëshe.
Si shembuj pozitivë përmenden Qendra Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, qendra multidisiplinare “Të qëndrojmë së bashku” dhe Qendra për Personat me Aftësi të Kufizuara në Shkozë, të cilat kanë një nivel më të mirë aksesueshmërie në informacion dhe komunikim.
Sipas Lalës, në shumicën e institucioneve, në rastin më të mirë ekziston vetëm një rampë hyrëse.
“Nuk ka elementë të tjerë aksesueshmërie brenda ndërtesave apo në shërbime të tjera. Nëse Tirana paraqet një situatë disi më të mirë në aksesueshmërinë fizike, në Vlorë dhe Dibër problemi është edhe më i theksuar”, argumenton ajo.
Aksesi në Dibër, minimal
Në 15 institucionet e monitoruara në Dibër, asnjë nuk rezultoi plotësisht i aksesueshëm. 26.7% janë pjesërisht të aksesueshme, ndërsa 73.3% janë të paaksesueshme.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër rezulton plotësisht e paaksesueshme, me shkallë të larta dhe pa rampë hyrëse. Policia e Shtetit, DRSSH, spitali rajonal dhe qendra shëndetësore disponojnë rampa hyrëse, por pa elementë të tjerë mbështetës të aksesueshmërisë”, thuhet në raport.
Sa i përket aksesit në informacion dhe komunikim, ai është thuajse inekzistent.
“Institucionet nuk ofrojnë materiale Braille, materiale audio, formate vizuale, interpretim në gjuhën e shenjave apo gjuhë të thjeshtë, ndërsa mungon sinjalistika orientuese e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara”, citon raporti.
Po ashtu, kapacitetet e stafit mbeten të kufizuara dhe pa trajnime specifike.
“Nuk kanë kapacitetet për ta trajtuar një grua me aftësi të kufizuara siç duhet. Këtë e tregon edhe fakti që nuk mbajnë të dhëna për sa raste të tilla adresohen dhe arrijnë të dalin nga situata e dhunës”, tha Lala për Citizens.al.
Sipas saj, dhuna ndaj grave me aftësi të kufizuara është tre deri në katër herë më e lartë sesa ndaj grave të tjera.
Aksesi në Vlorë, i kufizuar
Në 31 institucionet e monitoruara në Vlorë, 19.4% rezultojnë pjesërisht të aksesueshme, ndërsa 80.6% janë të paaksesueshme. Asnjë prej tyre nuk ishte plotësisht i aksesueshëm.
“Edhe në rastet kur ekzistojnë elementë të pjesshëm të aksesueshmërisë, mungojnë komponentët thelbësorë, përfshirë tualetet e përshtatura, ashensorët për katet e sipërme dhe elementët taktilë për orientimin e personave me dëmtim të shikimit”, vë në dukje raporti.
Sipas tij, në asnjë nga institucionet e monitoruara nuk u identifikuan materiale të aksesueshme në komunikim dhe informacion.
“Stafi nuk ka marrë trajnime në komunikim gjithëpërfshirës dhe nuk zotëron njohuri për ofrimin e informacionit të përshtatur”, thekson raporti.
Fondacioni “Së Bashku” rekomandon marrjen e masave për përmirësimin e infrastrukturës fizike, përshtatjen e materialeve informuese në formate të aksesueshme dhe rritjen e kapaciteteve të stafit në institucionet që janë pjesë e zinxhirit të raportimit të dhunës me bazë gjinore.
Kur nisi fillimisht zjarri në dy kapanonet kryesore të tregut të ish-Uzinës Dinamo në Tiranë, më 8 janar, Alma Subashi nuk mendoi se flakët do të arrinin biznesin e saj.
“Nuk e kap magazinën tënde” i kishin thënë, por njërës zjarrfikëse që erdhi e para në vendngjarje iu bllokua uji ndërsa tjetra nuk kishte karburant. Si pasojë e vonesave në ndërhyrje, Subashi thotë se pati dëmtim dhe humbje malli në rreth 800 mijë euro nga magazina, sipërmarrje në pronësi të prindërve të saj.
“Kishim rreth tetë kontejnerë mall! Ironia e fatit që kisha marrë furnizim me datë 6 dhe zjarri ndodhi dy ditë më pas,” tregon ajo për Citizens.
Kur e pyeta nëse ka aktualisht në treg ndonjë tregtar që ka pasur humbje në vlerë aq të lartë, ajo më tregoi për një të njohur, i cili për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, si pasojë e humbjes kolosale, “nuk del më nga shtëpia dhe nuk flet me njeri”.
Në pritje të kompensimit
Subashi shpjegon se në mungesë të dëmshpërblimit të plotë, ajo pret nga shteti që të paktën t’u sigurohet kthimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) që kanë paguar në doganë gjatë kalimit të kontejnerëve, duke qenë se ai mall u dogj dhe praktikisht nuk është shitur.
“Ne atë TVSH që kemi paguar duhet t’ua merrnim konsumatorit kur ta shisnim,” shpjegon ajo.
Për të takuar bizneset e dëmtuara duhet të ecësh përgjatë fundit të tregut, pasi rreth 76 sipërmarrje të dëmtuara janë strehuar në disa seksione provizore të tregut.
“Na sollën këtu në gropë,” shprehet Ramadan Dollomani, një tjetër tregtar i dëmtuar.
Pamje nga seksionet ku janë zhvendosur tregtarët e dëmtuar
Edhe ai njëjtë si Subashi, shprehet se ka dorëzuar bilancet e produkteve që iu dogjën nëpërmjet ekonomistes te tatimet dhe shpreson minimalisht për kthimin pas të TVSH-së.
Tregtarët janë përpjekur edhe të kenë një komunikim me Kryeministrinë, duke dorëzuar në zyrat e këtij institucioni një peticion, por deri më tani asnjë prej tyre nuk ka ndonjë informacion se kur dhe se si do të dëmshpërblehen.
Në hapësirën brenda tregut janë të vendosura zyrat e kompanisë “Dinamo”, shoqëri aksionere prej vitit 1995, që administron të gjithë subjektet tregtare. Tregu u themelua në atë vit, pas privatizimit të ish-uzinës kryesisht nga familjet që iu kthyen trojet.
“Dinamo sh.a” menaxhohet si shoqëri nga rreth 120 ortakë, ku kotat kryesore drejtohen nga familjet Hysa, Gjnali, Fortuzi, Çela etj. Ndërkohë shteti mban 13% të kuotave përmes Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë.
Jashtë godinës ku punojnë aksionerët, njëri prej tyre na komunikon se dëshirojnë të dinë se cilin qëndrim politik ka media që po i interviston, që të dinë nëse duhet të përgjigjen apo jo.
“Jemi ende në pritje të prokurorisë nëse arsyeja e zjarrit ishte faktor njerëzor i qëllimshëm apo incident rastësor,” komentoi njëri prej tyre, duke mos dashur të identifikohej me emër.
Ai përmbylli se shteti i detyrohet t’i “kthejë pesë lekë tregtarëve”, pasi “ata kanë paguar para gjithë jetën,” por përballë pyetjeve nëse ai dhe aksionerët e tjerë ndjejnë përgjegjësi për strukturën dhe mjediset e tregut, nuk pranoi të përgjigjej.
“Kur rreziku është i pakontrollueshëm, nuk merret në sigurim”
Sipas ekspertëve të sigurimit, zjarri në ish-Uzinën Dinamo është një shembull se pse jo çdo biznes mund të sigurohet menjëherë. Mungesa e ndarjeve kundër zjarrit, e sistemeve mbrojtëse dhe e instalimeve të sigurta, së bashku me infrastrukturën e dobët, janë disa prej arsyeve pse kompanitë e sigurimeve nuk i marrin përsipër struktura të tilla.
Dy muaj pas zjarrit, pamje nga tregu i Ish – Uzinës Dinamo
“Kompanitë e sigurimit nuk refuzojnë njerëzit apo bizneset. Nëse masat nuk janë marrë, rreziku është i pakontrollueshëm dhe e thënë në gjuhën e sigurimeve, është dhe i pamarrshëm në sigurim,” analizon për Citizens Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.
Hajdarmataj si një shembull suksesi i cili ka plotësuar standardet dhe gjithashtu është marrë përsipër nga kompanitë e sigurimeve është tregu bujqësor në autostradën Tiranë-Durrës.
Ajo thekson se është i nevojshëm një reflektim i përbashkët i strukturave për të vendosur rregulla të qarta sigurie.
“Tregu i sigurimeve është i gatshëm të bashkëpunojë me bashkitë dhe autoritetet e tjera përkatëse për të bërë që këto struktura të jenë të sigurueshme,” përmbyll Hajdarmataj.
Ministria e Mjedisit planifikon t’i kalojë Kuvendit propozimin për shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të ligjit “Për zonat e mbrojtura” vetëm në fund të 2027-ës, periudhë e cila shënon, njëkohësisht, mbylljen e negociatave; pra, në fund të periudhës. Shfuqizimi i dispozitave, së bashku me tetë çështje të tjera që lidhen me standardet dhe specifikat e politikave mjedisore, u kërkuan nga Komisioni Evropian në shtator të 2025. Të njohura si piketat mbyllëse (Closing Benchmarks), ato duhet të përmbushen përpara anëtarësimit të vendit në BE. Dhjetori i 2027-ës është afati i fundit, kur “Paketa e Gjelbër” do t’i bashkëngjitet Traktatit të Aderimit.
Ministria paraqiti planin për përmbushjen e piketave në 17 shkurt, duke i njehsuar me projektaktet mjedisore që do të shqyrtohen në Kuvend përgjatë 2026-ës. Gjatë paraqitjes përpara ekspertëve dhe grupeve të interesit, në të ashtuquajturën “Tryeza 27”, u vu re se shfuqizimi i dispozitave në fjalë ishte planifikuar në tremujorin e katërt të 2027-ës. Gjatë takimit nuk u dha asnjë mundësi për rishikimin e programit, radhës dhe afateve të përmbushjes, ndonëse ndryshimi i kuadrit ligjor i zonave të mbrojtura ka nxitur reagimin e organizatave dhe grupeve për mbrojtjen e natyrës, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo do të thotë se përgjatë dy viteve (2026-2027) lejet për ndërtimin e resorteve turistike dhe të parqeve energjitike do të vijojnë presionin ndaj zonave të mbrojtura.
Ligji “Për zonat e mbrojtura” u ndryshua nga qeveria në fillim të 2024 për të dobësuar mbrojtjen nga agresioni i papërballueshëm i projekteve zhvillimore. Ndryshimet mundësojnë ndërtimin e hoteleve dhe ngritjen e paneleve të energjisë së rinovueshme brenda territoreve me ndjeshmëri të lartë natyrore. Organizatat e shoqërisë civile alarmuan opinionin publik për rreziqet e ndryshimeve. Një grup iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin, por nuk ia doli. Një tjetër kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët, këta të fundit, iu drejtuan zyrtarëve në drejtorinë e zgjerimit dhe atë të mjedisit në Komisionin Evropian me qëllim prapësimin e ndryshimeve.
Çështjet mjedisore mbërritën në tryezën e diskutimit të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike dhe u shqyrtuan intensivisht gjatë përgatitjes së pozicionit negociues, mes Komisionit dhe Shqipërisë. Pozicioni, i cili synon përafrimin me “acquis” të Bashkimit Evropian, u rishikua disa herë deri në shtator të 2025-ës, kur u përgatit drafti i parë me nëntë piketa mbyllëse, ku Shqipëria merrte përsipër t’i realizonte deri në datën e anëtarësimit. Mes tyre spikati një rezultat: dy prej piketave ishin prapësuese. E para kërkonte shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme (më “acquis”) të ligjit “Për zonat e mbrojtura”, ndërsa e dyta, dhënien fund të ligjit “Për investimet strategjike”. Qeveria ishte tërhequr!
“Piketat nuk mund të diskutohen, por vetëm periudha e përmbushjes së tyre”, – konfirmoi ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë takimi të Tryezës 27. Por ndërkohë që barrën për investimet strategjike ia kaloi Ministrisë së Ekonomisë, shfuqizimit të dispozitave të papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura ia mbylli derën e diskutimit lidhur me kohën e trajtimit të tyre. Vendimmarrja mbi planifikimin e trajtimit të piketave mbeti jashtë Tryezës 27, duke u akaparuar nga burokratët e ministrisë, për t’u lënë siç ishte parashikuar: në fund të 2027-ës. Nuk pati asnjë shpjegim për këtë vonesë.
Mendësia përjashtuese shtrihet përtej tryezës së integrimit. Në Ministrinë e Mjedisit, Drejtoresha e Biodiversitetit dhe Zonave të Mbrojtura, znj. Klodiana Marika, ndan të njëjtën mendësi, ndonëse çështjet e biodiversiteti, njëanshmërisht të provokuara, kanë reflektuar historikisht ndjeshmëri shoqërore.
“Po i shohim njëherë vetë”, – justifikohet Marika. “Po marrim në konsideratë të njëjtat kritika që kanë paraqitur organizatat mjedisore. Më duhet të lexoj, rreth 500 faqe dokumentacion, përpara se të prezantoj draftin final të ndryshimeve”, – argumenton ajo.
Qasja e autoritetit vijon të ushqejë një model. Pasi nxituan për ndryshimet pa dëgjuar askënd, tani vonojnë prapësimin, duke i përjashtuar të gjithë. Të njëjtët që nuk u përfillën atëherë, nuk përfillen as tani. A nuk ushqejnë rrethanat dhe përvoja një mentalitet krejt të ri? A nuk duhej të ishte përfshirja e ekspertëve të pavarur një mekanizëm shpëtimi përballë volumit të madh të punëve të hapura prej Integrimit? Përse vijojnë e biem pre e teknokracisë pa rrugëdalje? Në fund të fundit, a nuk janë ndryshimet ligjore të zonave të mbrojtura simbol i dështimit të autoriteti shtetëror për mbrojtjen e natyrës?
Edhe këtë radhë palët e kanë të pamundur ndërtimin e një ure të sinqertë komunikimi. Le të imagjinojmë për një moment të kundërtën: bashkëpunimin! Ç’përfitim mund të arrihej…
Vitrina 27
Së fundi diçka po lëviz. Ose për të mos qenë përkrahës naivë – po ngjan e tillë. Në janar u nxor një njoftim i përsëritur nga Ministria e Mjedisit e cila kërkonte rekrutime të reja për pjesëmarrje në “Tryezën 27”. Fjala është për tryezat e integrimit dhe të këshillimit, të ngritura për tridhjetetre kapituj, çdonjëri nga të cilët përfaqëson fushat e legjislacionit evropian. 27-a ka të bëjë më politikat dhe legjislacionin mjedisor. Tryeza është një mekanizëm për të demokratizuar vendimmarrjen e gjelbër: një togfjalësh në modë. Për herë të fundit tryeza ishte mbledhur fillim të 2025-ës, por ndonëse një vit i ngarkuar me negociatat për integrimin, nuk u mblodh deri në fund të vitit.
Pothuajse në të njëjtën kohë me tryezat e integrimit (2019), Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e tryezave ndërinstitucionale të punës, sipas së njëjtës ndarje: nga një për secilin kapitull; kryesisht, me pjesëmarrjen të nëpunësve të administratës. Të tilla struktura burokratike kanë realizuar një portofol të pasur takimesh gjatë dy viteve të fundit: rreth një takim për çdo muaj.
Vihet re se tryezat e integrimit nuk kanë të njëjtën ngarkesë, pasi shumëçka është përgatitur nga grupet ndërinstitucionale, të mbështetura edhe nga një rreth i ngushtë jofitimprurësesh. Por ky nuk është tipari i vetëm i strukturës integruese të Kapitullit 27. Koha e pamjaftueshme dhe volumi i lartë i punës rrezikon shtimin e tensionit gjatë miratimit të paketave të shumta ligjore, çka mund t’i reduktojë diskutimet dhe konsultimet në seanca formale.
“Koha është e shkurtër, por jo e pamundur”, – konstatoi Jaupaj në takimin e 17 shkurtit në tryezën e integrimit. “Përfshirja e Komisionit Evropian dhe e ekspertëve vendas nuk do të krijojë diskutime mbi legjitimitetin e akteve të planifikuara për t’u miratuar, – konkludoi ai.
Tryeza e 17 shkurtit ishte e para në 2026, ndërkohë që për vendin ka filluar numërimi mbrapsht drejt Bashkimit Evropian. Tryeza ishte masive në pjesëmarrje, por e varfër në ekspertizë. Më shumë sesa ekspertë, të pranishmit ishin menaxherë fondesh, kryesisht mjedisore. Media nuk ishte e pranishme, por ministria ishte kujdesur të kontraktonte operatorë dhe fotografë, editimet e të cilëve i kontrollon. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të medias në tryezë ishte e parëndësishme, çka nënkupton se raportimet e pavarura nuk mund të përcillen lehtë.
Prodhimtaria e tryezës duket e zymtë. 27-a nuk është vetëm kapitulli më i vështirë e më i kushtueshëm për Shqipërinë, por dhe një model i qëndrueshëm e demokratik për menaxhimin e burimeve natyrore. Në fund të fundit, rendja drejt Evropës nuk është vetëm aksion politik, por, në thelbin e saj, aspiratë.
Më shumë takime, më pak përfaqësues
Javën e shkuar, siç ministri Jaupaj kishte premtuar, u zhvillua tryeza për prezantimin e strategjisë kombëtare të ajrit, së bashku me planin e veprimit. Takimi ishte i hapur për përfaqësuesit e biznesit, por prania e tyre regjistroi jo më shumë se dy-tre persona, përfaqësues kompanish nafte. Askush nuk u shqetësua. “Checkbox”-et u plotësuan, së bashku me listë-prezencën prej dyzetekatër pjesëmarrësish, pothuajse të gjithë punonjës në administratën publike.
Cilësia e ajrit, krahas kuadrit ligjor, përbën një prej periudhave kalimtare (transition period) të negociuara për t’u përafruar me “acquis” edhe më vonë se pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe natyrisht, nga më të kushtueshmet. Një pjesë e kostos bie mbi kompanitë e naftës, pikave të furnizimit me karburant, të përpunimit të metaleve etj. Përveç ajrit, Shqipëria ka kërkuar periudha kalimtare edhe për cilësinë e ujërave, menaxhimin e mbetjeve dhe shkarkimet industriale. Fusha e mjedisi ka numrin më të lartë të periudhave kalimtare të kërkuara pranë Komisionit Evropian..
“Janë trembëdhjetë të tilla”, – informon Artenida Duraku, Drejtore e Integrimit dhe Projekteve të Huaja në Ministrinë e Mjedisit. “Dhe kemi planifikuar realizimin e tyre, në përputhje me kërkesat e BE”, – siguron ajo.
Të krijohet përshtypja se Integrimi po ecën dhe se mbizotëron optimizmi. Zbatimi i direktivave ështëçështje kohe; periudhat kalimtare njësoj, si vetë fjala. Por megjithëse në fushën e biodversitetit nuk kemi asnjë periudhë të tillë, pra, asnjë pengesë, sërish shfuqizimi i dispozitave ligjore për zonat e mbrojtura u la për në fund. Ç’tregon kjo?! Nëse nuk kemi ende një përgjigje të qartë, të paktën kemi ngritur një pyetje të drejtë.
Kryeministri Edi Rama po negocion Sazanin, një pasuri të Shqipërisë, përmes një qasjeje arbitrare të mbështetur kryesisht në marrëdhënie personale për hir të pushtetit, duke anashkaluar standardet ligjore dhe institucionale.
Që prej vitit 2024, kur Jared Kushner – dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump – shpalli interesin për ta kthyer ishullin në një resort luksoz privat, narrativa publike për Sazanin është mbushur me premtime për zhvillim ekonomik, investime elitare dhe rritje të imazhit të vendit.
Por pas dy vitesh, bilanci është ky: Kushner ka fituar marketing falas për portofolin e tij ndërkombëtar imobiliar. Rama ka fituar simpati dhe afërsi me familjen Trump, duke forcuar pozitat politike në planin e brendshëm. Ndërsa shqiptarët dhe vetë shteti shqiptar nuk kanë fituar asgjë konkrete.
Përkundrazi. Është shënuar një tjetër precedent i rrezikshëm ku një njësi territoriale e vendit po ofrohet për zhvillim në mungesë gare, transparence dhe pa garanci të qarta ligjore dhe ekonomike.
Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se negociatat po zhvillohen formalisht në institucione dhe janë shtyrë pa afat që prej 13 nëntorit 2025. Zyrtarisht, nuk ka plan për Zvërnecin, ndërsa planet tregojnë se i gjithë ishulli i Sazanit do të privatizohet – në kontrast me narrativën fillestare se do të prekej “vetëm 8% e sipërfaqes”.
Në fakt, 45.6 hektarë (8%) nga 570 hektarë tokë janë sipërfaqja që do zihet nga ndërtimi, ndërsa projekti tregon se Sazani kthehet në ishull privat.
Përmasat reale të projektit të propozuar
Deri më tani, publiku është njohur me vetëm tre imazhe të publikuara nga Jared Kushner më 15 mars 2024 në platformën “X”: vila të shpërndara në shpatet e Sazanit dhe një vizion ndërtimesh masive mbi zonën ligatinore të Zvërnecit. Ato kanë qarkulluar thuajse në të gjitha raportimet që flasin për projekt-propozimin.
Por harta e përmbledhjes fazore të projektit, të cilën Citizens.al e disponon, tregon një realitet të ndryshëm për fatin e ishullit.
Fazat e ndërtimeve sipas fazave në ishullin e Sazanit/Citizens.al
Sipas dokumentacionit të analizuar, Sazani është propozuar të ndahet në tre rajone të përgjithshme, të organizuara sipas fazave të zhvillimit me rreth 448,000 m² ndërtime për afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie. Ishulli konceptohet si një tërësi e integruar, ku i gjithë rrjeti i rrugëve dhe i qarkullimit do të jetë në funksion të ndërtimeve.
Me fazën e parë privatizohet zemra e ishullit: Porti dhe zona qendrore – pikërisht nyja funksionale të Sazanit ku aktualisht janë dhe godinat e vjetra të ish-reparteve ushtarake, dhe është e vetmja pikë hyrëse për në ishull.
Në zonën “Marina Area” parashikohen 1,000 m² ambiente shërbimi (amenities) dhe 18,000 m² hapësira shërbimesh. Rreth saj, në “North Valley” parashikohen 39,000 m² ndërtim me 56 vila dhe 11 apartamente (condo).
“South Valley” shton 22,000 m² me 144 vila hoteliere. Ndërsa në “Central Ridge” parashikohen 63,000 m² me 56 vila dhe 26 “condo”. “West Valley” përfshin 8,000 m² me 25 vila hoteliere dhe “West Estates” 5,000 m² me 8 rezidenca private.
Kjo fazë e parë nuk duket si fazë pilotimi, pasi vendos themelet e një infrastrukture të plotë rezidenciale dhe hoteliere që e shndërron qendrën e ishullit në një kompleks të mbyllur funksionalisht.
Faza e dytë përhapet te shpatet dhe skajet bregdetare. Zhvillimi zgjerohet në skajet veri-jug dhe në kodrat e ishullit me hapësira më të mëdha imobiliare që duket se ofrohen si rezidenca.
“North Point” përfshin 30,000 m² me 35 vila. “North Ridge Estate” shton 35,000 m² me 35 “estates”. “West Estates” parashikon 23,000 m² me 20 “estates”. “South Ridge Estates” 14,000 m² me 13 “estates”. “South Point” 18,000 m² me 16 vila.
Kjo fazë prek pikërisht zonat panoramike dhe shpatet me vlerën më të lartë të peizazhit. Nga një perspektivë zhvillimi, këto duket se janë segmentet “Premium” të projektit. Nga një perspektivë publike, ato janë pjesët që deri më sot kanë qenë hapësirë e lirë natyrore dhe të paprekura.
Projekti vijon me një fazë të tretë të lënë si mundësi zgjerimi në vijim. Ky është dhe aspekti më domethënës, pasi është zona e etiketuar si “Potential Future Phase” dhe përqendrohet me një zhvillim më masiv në në perëndim të zonës portuale.
Ajo parashikon 172,000 m² zhvillim me 525 njësi (që nënkupton apartamente).
Kjo shifër e vetme ndryshon përmasën e diskutimit. Nëse realizohet, faza e tretë do ta çojë ishullin drejt një densiteti ndërtimi që praktikisht e përmbyll të gjithë hapësirën e disponueshme për projekte të tjera.
Në terma planifikimi territorial, kjo nënkupton se Sazani propozohet si një zhvillim ekskluziv dhe i vetëm, pa hapësirë për iniciativa të tjera publike apo private jashtë këtij projekti.
Kështu, narrativa fillestare e “8% të sipërfaqes” që kishte krijuar perceptimin e një ndërhyrjeje të kufizuar është tjetër gjë kur qaset kjo hartë e propozuar. Projekti nuk është i izoluar në një cep të ishullit, por shtrihet në qendër, në kreshta dhe në skajet bregdetare.
Edhe nëse raporti i ndërtimit mbi sipërfaqen totale mbetet formal, dinamika e zhvillimit tregon se ishulli do të funksionojë si një kompleks i vetëm privat.
Kontrasti i ndërtimeve të propozuara dhe relievit që ka Sazani/Citizens.al
Me këtë plan, Sazani nuk është thjesht një resort. Ai është një territor i projektuar për një përdorim ekskluziv, të integruar dhe të centralizuar nën një operator të vetëm.
Dhe kjo presupozohet ta zhvendosë debatin nga “sa përqind ndërtohet” te pyetja se “çfarë mbetet realisht publike”?
Grupi negociator ekziston vetëm si “formalitet”
Citizens.al ka mësuar se grupi negociator që ka diskutuar dhe firmosur dokumente për Sazanin nga 13 janari deri më 27 tetor 2025 është mbledhur gjithsej 10 herë.
Grupi prej nëntë anëtarësh përbëhej nga:
Elira Kokona, drejtuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH);
Ermal Nufi (sot ministër i Mbrojtjes), atëherë përfaqësues i Kabinetit të Zëvendëskryeministrisë;
Sofjan Jaupaj (sot ministër i Mjedisit), atëherë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
Ami Kozeli (sot drejtor i ARRSH), atëherë zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
Eldi Çondi, drejtor kabineti në Ministrinë e Financave;
Aleks Marku, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes;
Alban Binaj, administrator i Albanian Seasports Development (ASD);
Fiona Beqiri, drejtuese projektesh nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Ky grup u ngrit si strukturë teknike pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2024, i cili i dha statusin e investitorit strategjik propozimit të Kushnerit.
Në teori, ky është mekanizmi standard: Shteti krijon një trup negociues dhe përmes tij diskuton kushtet me investitorin. Por në praktikë, dokumentet tregojnë tjetër gjë.
Lista e mbledhjeve përfshin prezantime, plane veprimi, diskutime mbi një memorandum mirëkuptimi dhe – në fund – diskutime për shtyrjen e afatit të negociatave.
Nuk ka të dhëna të qarta të botuara për takime të përbashkëta intensive me investitorin. Nuk ka procesverbale që dokumentojnë negociata konkrete mbi territorin, të drejtat e përdorimit apo detyrimet ekonomike.
Sipas AIDA-s, investitori është përfaqësuar “në rrugë zyrtare” nga Asher Abehsera si administrator. Por nuk sqarohet se cilin subjekt juridik ka përfaqësuar ai konkretisht, teksa nuk janë publikuar dokumentet e autorizimeve.
Kryeministri Rama dhe Ivanka Trump gjatë takimit në Vlorë, janar 2026/Citizens.al
Kjo lë të hapur mundësinë që negociatat të jenë zhvilluar kryesisht përmes shkresave apo ndërmjetësimeve të tjera informale, me gjasë edhe të një përfaqësuesi, apo bashkëpunëtori lokal, që mund të ketë parakontrata për t’u angazhuar si nënkontraktor në zhvillimin e projektit.
Ndërkohë, jashtë institucioneve, raportimet mediatike tregojnë një angazhim shumë më intensiv: vizita, dreka, darka dhe pritje të nivelit të lartë, ku projekti është diskutuar me praninë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama.
Në këtë dualitet, grupi teknik duket më shumë si një artificë procedurale sa për të përmbushur një detyrim ligjor, teksa vendimmarrja e vërtetë duket se është në varësi të qejfit dhe ecurisë së marrëdhënieve personale të Kryeministrit me familjarët e Trumpit.
Negociata pa afat dhe pa shpjegim
Negociatat për zhvillimin e Sazanit duhet të përfundonin më 13 nëntor 2025, por kjo datë nuk u respektua dhe u shty pa afat. AIDA pranoi për Citizens.alse shtyrja është bërë “me dakordësi të palëve”, por nuk dha arsye konkrete dhe asnjë datë përfundimtare të re, pavarësisht këmbënguljes së Citizens.
Në negociatat për investime strategjike, shtyrjet zakonisht lidhen me pengesa reale si statusi juridik i tokës, konfliktet e pronësisë, kushtet gjeologjike, mosdakordësitë financiare etj. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është përmendur.
Ndërkohë, dihet se ishulli nuk ka infrastrukturë bazë – mungojnë uji dhe energjia elektrike – elemente thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.
AIDA deklaron se detajet do të bëhen publike vetëm kur marrëveshja të përfundojë. Me fjalë të tjera, qytetarët do të informohen pasi Rama të ketë shërbyer darkën e radhës dhe vendimi të jetë praktikisht i pakthyeshëm.
Zyrtarisht, AIDA deklaron se projekti përfshin vetëm Sazanin dhe nuk ka asnjë aplikim për Zvërnecin. Megjithatë, gjatë janarit, delegacioni i lidhur me Ivanka Trump vizitoi edhe atë zonë dhe zhvilloi një takim me arkitektë dhe zyrtarë të lartë.
Pse një zonë që “nuk është pjesë e projektit” përfshihet në itinerarin e pritjeve atëherë? Ose Zvërneci përdoret për të zgjeruar narrativën e zhvillimit dhe për të forcuar jehonën e portofolit të Jared Kushner – pra si marketing, – ose ekziston një plan paralel që nuk është formalizuar ende.
Në të dy rastet, komunikimi publik nuk përputhet me dokumentet zyrtare dhe ata që humbin janë po qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sundimi i ligjit.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pranoi për Citizens.al se përfaqësuesit e saj kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së Ivanka Trump në Vlorë. Por kjo agjenci theksoi se roli i saj ka qenë “orientues institucional” se “nuk ka qenë organizatore” dhe as “nuk di kush e ka organizuar aktivitetin”.
Pamje nga ishulli i Sazanit/Citizens.al
Kjo krijon një situatë paradoksale. Një institucion shtetëror merr pjesë në një aktivitet që lidhet me një investim strategjik në territor, por nuk ka informacion bazë për organizatorin apo strukturën e tij.
Në praktikë, kjo sugjeron një model abuziv dhe tejet arbitrar vendimmarrjeje ku takimet private kanë praninë e shtetit, por jo përgjegjësinë administrative të tij.
Diplomacia e investimeve dhe “Shtëpia Trump”
Historia e Sazanit shkon përtej një projekti turistik. Ajo prek mënyrën se si Shqipëria – një vend kandidat për Bashkimin Evropian – administron pasuritë publike dhe ndërton marrëdhënie me aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë.
Një nga standardet themelore të BE-së është konkurrenca e hapur dhe transparenca në menaxhimin e pronës publike. Projekti i Sazanit nuk është rezultat i një gare ndërkombëtare, por i një negocimi të drejtpërdrejtë.
Në raste të tjera me oferta të pakërkuara, është hapur të paktën një garë formale. Me Sazanin, pas dy vitesh, ende negociohet pa përfundim.
Në një rajon ku mbështetja ndërkombëtare shihet si garanci sigurie politike, investimet mund të marrin edhe dimension diplomatik. Por kjo ngre një pyetje thelbësore: A po përdoret zhvillimi ekonomik si instrument për afërsi politike? Nëse po, me çfarë çmimi?
Sepse debati nuk është më vetëm për një resort. Është për mënyrën se si një shtet i vogël negocion me aktorë të mëdhenj: Përmes ndjekjes së ligjit, procedurave të hapura dhe konkurruese, apo përmes marrëdhënieve të privilegjuara që premtojnë jo vetëm kapital, por edhe afërsi me fuqinë e “Shtëpisë Trump”.
Në fund kush do ta gëzojë këtë afërsi politike dhe sa do të zgjasë ajo, do ta gëzojë shteti shqiptar apo kryeministri aktual.
Sistemi i burgjeve përballet me mbi 300 vende vakante për policë dhe oficerë teksa mosha mesatare e punonjësve aktual është 48 vjeç. Të rinjtë e refuzojnë këtë punë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të vështira. Ndërkohë, ashpërsimi i Kodit Penal ka rritur mundësinë e ndëshkimeve me burg edhe për shkelje me rrezikshmëri të ulët duke shtuar numrin e të dënuarve.
Vakumi në punonjës
Çdo ditë, në orën 05:00 të mëngjesit, dhjetëra policë nga Elbasani nisen me furgonë drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin për të marrë turnin e parë. Të ulur në sediljet e tyre, ata hezitojnë të flasin për situatën në prani të kolegëve, por në anonimitet pranojnë se problematikat janë të shumta.
Ylberi* prej më shumë se dy dekadash punon si polic në këtë institucion të shlyerjes së dënimit dhe e përshkruan përditshmërinë me probleme kryesisht prej mbipopullimit dhe mungesës personelit.
“Në sektorët e sigurisë së lartë ndodhen deri dy persona në dhomë, ose dhe katër kur dhoma është më e madhe. Por 30-40 të dënuar në një sektor vëzhgohen vetëm nga një polic,” thotë ai, duke shtuar se gardianët punojnë mbi 22 ditë në muaj për të mbuluar shërbimin.
“Problematike është gjendja në paraburgim. Janë të tejmbushura. Në një dhomë me kapacitet për katër persona qëndrojnë tetë,” përfundon ai.
Të dhënat zyrtare konfirmojnë mungesën e personelit në të gjithë sistemin e shlyerjes së dënimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha për Citizens.al, nevojiten 307 punonjës: 236 policë të rolit bazë dhe 71 oficerë.
Aktualisht në burgje punojnë 288 oficerë dhe 3,146 policë, ndërsa numri i të paraburgosurve dhe të dënuarve arrin në 4,560 që e bën raportin mesatar në rreth një polic për dy të burgosur.
Sipas Valentin Macajt, kryetar i Sindikatës së Shërbimeve Policore, problemi kryesor nuk është vetëm mbipopullimi, por demotivimi i punonjësve dhe mungesa e investimeve për kushte më të mira pune.
“Polici shërben 8-12 orë, është 24 orë në gatishmëri dhe asnjë vakt ushqimi nuk mbulohet nga shteti,” thotë si shembull ai për të treguar edhe neglizhencën nga ana e qeverisë për këtë sektor.
Punë e papreferuar nga të rinjtë
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, mosha mesatare e policëve është 48 vjeç. Ndërkohë, Macaj thotë se të rinjtë refuzojnë t’i bashkohen sistemit si policë burgjesh për shkak të presionit dhe kushteve të rënda.
“Aspirantët e rinj paguhen sa 80% e gradës së inspektorit, rreth 46 mijë lekë në muaj, pra më pak se paga minimale,” shpjegon ai.
Kreu i sindikatës shton se mungesa e të drejtave në punë dhe të ardhurat e ulëta e bëjnë këtë profesion të mos jetë tërheqës dhe i sigurt për të rinjtë.
Ndërkohë, punonjësit aktual janë të ekspozuar përballë presioneve që vijnë nga të dënuarit, por edhe ndikimet apo stereotipet që përhapen ndaj uniformës për shkak të rasteve me të implikuar në korrupsion.
“Janë të frustruar nën presionin e eksponentëve të fuqishëm të krimit që gjenden pas hekurave, dhe nuk kanë as besim te kolegët, që fatkeqësisht disa kanë rezultuar të implikuar dhe në korrupsion,” shprehet Macaj.
Sipas tij, edhe ligji i vitit 2023 për Policinë e Burgjeve nuk e përmirësoi situatën sepse u miratua pa konsultim me grupet e interesit.
“Asnjë ligj nuk ka përcaktuar qartë procedurën e rekrutimit: si trajtohet kandidati në trajnim dhe sa paguhet gjatë kursit tre-mujor?” shton ai.
Kola*, një tjetër polic, thotë se deri në vitin 2024 paguanin vetë transportin dhe uniformat.
“Uniformën, stemat, gjithçka e blinim me paratë tona. Ndryshe nga Policia e Shtetit, ne ende nuk përfitojmë trajtim ushqimor,” theksoi ai.
Kodi Penal dhe rritja e të burgosurve
Më 28 janar Parlamenti miratoi me 85 vota ndryshime në Kodin Penal. Paketa përfshinte ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje, zjarrvëniet dhe edhe parkimin e dysh, i cili tashmë mund të dënohet me gjobë ose deri në 1 vit burg.
Qeveria e paraqiti si përafrim me legjislacionin e BE-së. Por juristi Jordan Daci nuk pajtohet me këtë qëndrim. Ai thotë se ndryshimet ashpërsojnë ligje në një qasje që nuk përshtaten me standardet e Evropës dhe rrjedhimisht rrisin numrin e të burgosurve.
“Janë ligje ‘të egra’. Kodi i ri ka trefish më shumë vepra penale. Nëse dje rrezikoje burg për 3 shkelje, sot rrezikon për 9,” thotë ai.
Sipas tij, shumë kundërvajtje administrative janë kriminalizuar dhe ndërhyrja prek edhe sferën e të drejtës private.
“Shkelje civile pa rrezikshmëri po trajtohen si vepra penale,” ngre me shqetësim Daci, i cili paralajmëron se disa vepra mund të dënohen më rëndë se vrasja me dashje, e cila mbetet 5-10 vjet burg.
Sipas tij, kjo qasje do të rrisë ndjeshëm numrin e të burgosurve dhe do të krijojë probleme organizative për sistemin penitenciar, i cili tashmë operon në kufijtë e kapaciteteve.
Në javët e para të këtij viti, të cilat ishin me reshje të vazhdueshme, në Rrapishtë, pjesë e lagjes “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, rrugët u mbushën me gropa uji dhe baltë.
Banorët u përpoqën të kalojnë pellgjet me çizme, me fëmijët në krahë ose me biçikleta që mezi lëviznin, të zhgënjyer edhe këtë vit nga premtimet e pambajtura ata theksojnë se kjo situatë përsëritet shpesh.
“Kështu është prej vitesh”, thotë Paqizja, një banore e vjetër e lagjes, duke treguar me dorë rrugën e pashtruar.
“Kemi kërkuar shumë herë, kam folur kudo. Na thonë do ta bëjmë, do ta bëjmë… dhe pastaj heshtje. Vetëm zona jonë është kështu. Pse? Se jemi romë.”
Në këtë zonë të “Rajonit 6,” që prej vitit 2005 banorët dëgjojnë se “rruga do të bëhet”. Kanë bërë kërkesa me shkrim, janë mbledhur gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje (një proces që përfshin qytetarët në përcaktimin e buxhetit) dhe kanë marrë pjesë në takime publike.
“E kemi bërë me qindra herë kërkesën. Duam që këtë rrugën tonë ta bëjnë. Lagjja jonë është katastrofë”, thotë një tjetër banore.
“Kemi 20 vjet që presim të na rregullohen rrugët, të pastrohet Manasderja dhe të kemi më shumë kosha. Që nga 2005 kjo situatë është këtu dhe rrugët shtrohen kudo, vetëm te ne jo”, thotë Kimete Ademi, e cila ka qenë e pranishme në shumë takime me bashkinë për të kërkuar ndërhyrje në sistemimin e rrugëve dhe pastrimit të lagjes.
Në tetor 2025, në shkollën “Qemal Haxhihasani” u zhvillua takimi për buxhetimin me pjesëmarrje për “Rajonin 6.”
Sipas procesverbalit zyrtar, ndër prioritetet e votuara nga banorët e lagjes “5 Maji, Rrapishtë” ishin asfaltimi i rrugëve “Hysen Alikopili” dhe “Kamber Xherija”. Emrat e rrugëve u hodhën në letër dhe kërkesat u renditën si prioritare.
Ndërkohë, Doris Madhi, këshilltare e opozitës në Këshillin Bashkiak, prezantoi peticionin e banorëve me firmat e tyre, i cili iu dërgua me e-mail të gjithë këshilltarëve, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar financimin e rrugëve të kërkuara nga komuniteti rom.
Lagjja Rrapishtë Elbasan/Citizens.al
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, gjatë mbledhjes për miratimin e buxhetit prezantoi listën e investimeve në rrugë dhe infrastrukturë. Ai përmendi edhe rrugët “Xhaferr Belgu” dhe “Hysen Alikopili” si investime të ardhshme.
Megjithatë, sipas një përgjigjeje zyrtare që banorët kanë marrë nga bashkia, disa prej këtyre rrugëve nuk rezultojnë në planin aktual të investimeve.
“Procesi i konsultimit, nëse nuk merren parasysh prioritetet e banorëve, nuk ka vlerë”, thotë Ervis Çota, drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome, i cili ka ndjekur të gjitha hapat institucionalë me banorët për të bërë realitet këto investime.
“Kërkesat tona pasqyrohen në listë, por kur vjen puna te fondet, na thuhet se nuk ka plan për investime ose se do të ketë financime nga fonde të tjera dhe jo nga buxheti i bashkisë.”
Ai ka shoqëruar banorët në disa procese vendimmarrjeje, por tashmë bashkë me ta shprehet i zhgënjyer për mungesën e finalizimit të investimit.
Në Rrapishtë, infrastruktura nuk është luks, por nevojë bazike: rrugë të shtruara që të mos përmbyten sa herë bie shi.
“Edhe ne njerëz jemi”, thotë Nazmi Kallku, një burrë i moshuar, duke parë fëmijët që luajnë pranë një pellgu balte. “Nuk duhet të vuajmë kështu.”
Ndërsa kërkojnë rrugë të shtruara dhe kanalizime funksionale, banorët e komunitetit rom në lagjen Rrapishtë ngrenë shqetësime edhe për shkollën e zonës.
Godina arsimore ndodhet në gjendje të degraduar, me infrastrukturë të amortizuar dhe kushte që, sipas tyre, nuk garantojnë një mjedis dinjitoz për fëmijët. Deri më tani nuk ka pasur investim konkret për rikonstruksionin.
Nga ana tjetër, bashkia deklaron se investimet për lagjen Rrapishtë pritet të mbulohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe se së shpejti do të ketë një përgjigje konkrete për ndërhyrjet e planifikuara. Banorët mbeten në pritje, me shpresën se premtimet do të përkthehen në investime reale që do të përmirësojnë jetesën dhe kushtet e arsimimit.
Dhe sa herë bie shi, Rrapishta rikujton se premtimet, pa asfalt dhe pa kanalizime, nuk thahen kurrë.
Ditëve të javës, kodrat e Petrelës vijojnë një përgjumje të gjatë e të heshtur, kryesisht për shkak të mungesës së vizitorëve. Kjo heshtje nis nga ullishtat, vazhdon mbi muret e kalasë dhe humbet në kthesat e rrugicave që lidhin qendrën e fshatit me rrugën kryesore drejt Tiranës.
Në një ditë të kthjellët, kryeqyteti duket pranë. Zhurmat e makinave në rrugën për në Elbasan dëgjohen deri lart. Një horizont vilash, pallatesh dhe kullash gri të kujton se metropoli është vetëm 15 minuta larg. Por në shtigjet e këtyre kodrave, ndjesia e afërsisë humbet shpejt.
Petrela mbetet një vend që duket sikur është gjithmonë pranë diçkaje, një zhvillimi të madh që mbetet në pritje prej kohësh, por që nuk ka ardhur kurrë.
Në hyrje të fshatit, pak pasi kalon restorantet e para, një tabelë e gjelbër e rrëzuar përtokë bën me shenjë për te “Faith Park” (Parku i Besimit). Sipër saj, një tabelë tjetër drejton për te “Kengo Art Park”. Më tutje, dy tabela të tjera të bëjnë konfuz (foto; foto).
Tabelat e rrugës për në Petrelë/Citizens.al
Ato duket se ngatërrojnë edhe vetë banorët, të cilët nuk dinë të thonë me siguri se cila është e saktë, ku është “Parku i Besimit” dhe ku “Kengo Art Park”.
Në fakt, “Parku i Besimit” nuk ekziston, së paku për momentin. Ndërsa “Kengo Art Park” është duke u ndërtuar. Por ka qenë një ditë kur të dy këto emra parqesh ishin i njëjti vend.
Ngjan si lojë fjalësh, por kjo është zanafilla e këtij reportazhi, dy projekte parqesh që ekzistojnë njëkohësisht si ide arkitekturore dhe si paqartësi lokale. Projekte që në prezantime shfaqen futuristike, ndërsa në terren ndeshin rrugë me gropa, mbetje urbane, ndërtime të braktisura dhe një komunitet që nuk ka informacion.
Konkursi ndërkombëtar në një ish-repart ushtarak
Më 11 tetor 2025, një varg makinash me zyrtarë dhe arkitektë të huaj u ngjit në anën perëndimore të Petrelës. Destinacioni nuk ishte kalaja, as restorantet e njohura buzë kodrës.
Ishin kapanonet e një ish-reparti ushtarak, poshtë rrugës “Sheh Mehmet Kuqi”, të cilat prej gushtit 2024 ishin kthyer në kantier ndërtimi për atë që zyrtarisht njihet si “Parku Tematik Kulturor Tirana Art Garden”.
Aty u prezantuan projektet finaliste për thirrjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare për “Parkun e Besimit” (Faith Park), një koncept-ide që synon të materializohet në kodrat verilindore mes Petrelës dhe zonës së Përsqopit, një sit arkeologjik ilir.
Pamje nga kodrat e Petrelës/Citizens.al
Sipas konceptit fitues – nga studioja daneze e Bjarke Ingels – “Parku i Besimit” nuk është thjesht park rekreativ. Ai është menduar si hapësirë ndërfetare, një kompleks që përfaqëson bashkëjetesën mes besimeve, një ide që politika shqiptare e përdor shpesh për prezantim ndërkombëtar.
Ingels është një arkitekt i diskutueshëm për impaktin që projektet e tij kanë pasur mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, përfshirë debatin mbi Teatrin Kombëtar dhe kullën “Pixel”.
Ai propozoi zhvillimin e kodrave me një sistem shtigjesh të gjarpëruara bimësie në formën e një “peme të jetës”, që përfshin besimet me vlerat, simbolet dhe konceptet e tyre. Zona, sipas tij, zhvillohet njëkohësisht si park, muze, vend pelegrinazhi, meditimi dhe rekreacioni.
“Një hartë e evolucionit të rrugëtimit shpirtëror të njerëzimit mbi topografinë e këtij shpati mali që përshkohet deri në qiell,” u shpreh Ingels gjatë prezantimit në tetor.
“Kremtojmë harmoninë e besimeve fetare,” vijoi ai teksa në renderë shfaqeshin pemë dhe shkurre tropikale si palma apo frangipani.
Krahas kësaj ideje disi utopike, parashikohen edhe një fshat ekologjik, hotel, bare dhe restorante për akomodim, pra zhvillim imobiliar me një total investimi që kërkon rreth 23.5 milionë euro.
“Kengo Art Park” në fazë ndërtimi, shkurt 2026/Citizens.al
Në renderët e prezantimit, Petrela dukej si një peizazh mesdhetar i kuruar: ndërtesa shumëngjyrëshe të shkrira në relievin e gjelbëruar kodrinor.
Por në terren, në të njëjtën ditë, pranë kapanonit ku zhvillohej konkursi, punëtorët e kompanisë “Salillari” vazhdonin punën për parkun artistik “Tirana Art Garden”, i cili pak javë më vonë kur atë e vizitoi sërish Kryeministri Rama, u prezantua zyrtarisht “Kengo Art Park”, pjesë e një investimi rreth 3.5 milionë euro për transformimin e ish-bazës ushtarake në destinacion kulturor.
Kështu, projekti i së ardhmes “Faith Park” u prezantua mbi një projekt të së tashmes “Kengo Art Park,” që ende nuk ishte realizuar dhe madje ndryshoi emrin pa u hapur – u quajt në nder të arkitektit japonez Kengo Kuma.
“Kengo Art Park” duhej të kishte përfunduar në shkurt, por punimet pritet të zgjasin deri në shtator 2026.
Një projekt që Petrela e mësoi nga televizioni
Në sheshin e vogël pranë kalasë, dy lokalet e vetme kanë punë kryesisht pasditeve, prej muajit të Ramazanit.
Teksa binte muzg, dy burra rreth të pesëdhjetave prisnin që e zonja e një prej lokaleve t’u sillte kafenë. Pasi u prezantuam, i pyeta nëse dinin gjë për “Parkun e Besimit” dhe nëse po, se ku do të zhvillohej.
“E morëm vesh vetëm nga televizori, që erdhi Rama andej poshtë,” tha njëri prej tyre. “Por se ku do bëhet dhe çfarë është fiks, nuk dimë.”
Pak më poshtë, një banor i zonës po krasiste pemët buzë rrugës. Edhe ai nuk e kishte të qartë për çfarë bëhej fjalë për “Parkun e Besimit”.
“Më kanë thënë [se do të bëhet] nga ana tjetër, poshtë, nga ullishtat, afër zip-line,” tregoi ai. “Por s’na ka pyetur njeri, s’dimë gjë.”
Sheshi “Mamica,” Petrelë/Citizens.al
Prej tetorit 2025, askush në qendrën e fshatit nuk kishte informacione të tjera për projektin veç faktit se zonën e kishte vizituar dy herë Rama dhe se vizitat e tij i kishin parë në televizor.
Ky është dhe paradoksi i zakonshëm i zhvillimeve të mëdha në vendin tonë ku komuniteti që preket nga projektet është shpesh i fundit që merr informacion.
Në dokumente, informimi nis pas studimeve të fizibilitetit dhe vijon me konsultimet publike. Në praktikë, ai nis vetëm pasi projekti bëhet lajm në media.
Turizmi që erdhi vetë
Ndryshe nga burrat e fshatit, Xhulio, një i ri në të tridhjetat, e sheh ndryshimin si mundësi. Ai është ndër të kthyerit nga emigracioni dhe prej një viti drejton një biznes turizmi aventuror me ture quadbike në kodrat përreth Petrelës.
“Zona është ideale, me terren të përshtatshëm dhe peizazh fantastik,” thotë ai. “Afër Tiranës, por duket si larg.”
Sipas Xhulios, vizitorët kërkojnë më shumë se një destinacion dhe Petrela mundet t’ua ofrojë atë, pra kalanë, shtigjet, restorantet, natyrën dhe ndjesinë e një përvoje të përzier në një vend të vetëm.
“Sa më shumë aktivitete të ketë, aq më mirë për të gjithë sepse rrit ofertën turistike dhe kohën e qëndrimit të vizitorëve,” thotë ai.
Edhe Xhulio tha se nuk kishte informacion të zgjeruar për projektin, por u shpreh optimist se nëse ndërhyrjet e zotuara bëhen pa dëmtuar mozaikun historik e kulturor të zonës, do të sjellin zhvillim ekonomik.
Sipërmarrja e Xhulios, e cila ndërthur edhe risitë e tekonologjisë me rezervimet online, është në kontrast me hotelet dhe restorantet e kodrave përtej, që kanë mbyllur aktivitetin prej vitesh dhe shfaqen si relike të një turizmi që nuk u konsolidua kurrë.
Rruga ku fillon projekti
Për të parë zonën ku parashikohet ndërtimi i “Parkut të Besimit” duhet të ndjekësh rrugën e Durishtit në verilindje të Petrelës.
Asfalt nuk ka. Segmenti është me çakull dhe në disa pjesë i dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut (foto; foto; foto). Anash shfaqen ndërtesa gjysmë të braktisura: dy hotele dhe një tjetër i papërfunduar në majë të kodrës (foto).
Një nga shtigjet e devijuara prej rrëshqitjet e tokës/Citizens.al
Më tej shihen pirgje mbeturinash dhe inerte, ndërsa në thellësi një pjesë e kodrës është zhveshur nga bimësia. Kjo të sjell ndërmend zotimin që Ingels bëri gjatë prezantimit:
“Të gjitha ndërtimet do të bëhen në zona ku ka pasur gërmime. Nuk do të gërmojmë thuajse fare dhe nuk do të heqim asnjë pemë.”
Por të gjitha janë gjurmët e një optimizmi të vjetër, të asaj vale investimesh të viteve 2000-2010 kur Petrela shihej si periferia turistike e ardhshme e Tiranës, por që u tradhtua nga infrastruktura që nuk erdhi kurrë deri këtu.
Sot ato ndërtesa janë monumente të një zhvillimi që nuk u mbështet dhe nuk u materializua.
Dhe pikërisht mbi këtë terren planifikohet një projekt që entuziazmon edhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar si Bjarke Ingels, i cili e quan gjendjen aktuale si “një plagë” që duhet shëruar.
Por projekti i parkut përfshin edhe të paktën tetë parcela pronash private, dhe këtu nisin pyetjet kryesore.
Zona e Përsqopit njihet edhe për gjurmë arkeologjike ilire dhe mbetet e paqartë nëse preket zona e mbrojtur apo dhe ajo buferike. Pyetjet për këto shqetësime drejtuar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Korporatës së Investimeve nuk morën përgjigje.
Heshtja institucionale shpesh është forma më konkrete e informimit në projekte të tilla.
“Parku i Besimit” është ende një ide. Por në Petrelë ideja duket se ka nisur të ndikojë realitetin përpara se të ekzistojë fizikisht: në biseda, pritshmëri, çmime toke dhe vilash që reklamohen për shitje, si dhe në mënyrën sesi banorët e imagjinojnë të ardhmen.
Mes këtyre dy kohësh, kohës së projektit dhe kohës fizike, do të vendoset nëse vërtetë “Parku i Besimit” do të bëhet zhvillim, apo thjesht një tjetër premtim në rrethinat e Tiranës.
Deri atëherë, tabela e rrugës në Petrelë do të vazhdojë të tregojë njëkohësisht edhe “Faith Park” edhe “Kengo Art Park”, por askush nuk do ta dijë se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.
Projekti TID i Durrësit duket se ka hyrë në një fazë “stand by”, pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ai do të vijojë. Aktualisht po rishikohen jo vetëm vlerat historike të disa objekteve, por edhe çmimet e kompensimit të propozuara për banorët, sipas vlerave të referencës.
Mirëkuptimin për kërkesat e banorëve e ka shprehur edhe drejtuesi i Albanian-American Development Foundation (AADF), Martin Mata, i cili për Citizens.al ka pranuar se fillimisht duhet të adresohen problemet e ngritura, për të siguruar më pas një vijueshmëri të suksesshme të projektit.
Megjithatë, ai ka theksar qartë se përgjegjësia për zgjidhjen e këtyre çështjeve u takon qeverisë dhe Bashkisë Durrës.
Një “Velierë” e dytë mbi Amfiteatër
Në një tur ecjeje me arkitekten Entela Spahivogli dhe urbanistin Artan Kacani, identifikuam disa objekte të cilat, sipas projektit TID (Transformational Integrated Development; Zhvillim Transformues i Integruar), do të shemben, duke u zhdukur përgjithmonë nga historia kulturore e qytetit, ndërsa disa të tjera do të shemben dhe do të rindërtohen – proces, i cili sipas tyre, nuk e kthen dot kurrë sitin në gjendjen fillestare.
Kështu, një objekt që është në listën e shembjeve është “Muri i Periudhës Turke”, i cili, sipas ekspertëve, që në tabelën hyrëse është përcaktuar gabim, pasi në vitin 1502 Turqia nuk ekzistonte si shtet modern.
“Është rasti tipik kur projekti vë gishtin mbi objekte pa studiuar gjendjen faktike”, thekson arkitektja Spahivogli.
Sipas saj, pasi vlera e murit u soll në debat, është përfolur se do të prishet objekti dhe jo muri, dhe ende sot pronarët dhe grupet e oponencës nuk e dinë se çfarë ka ndërmend projekti të bëjë me këtë aset kulturor.
Urbanisti Kacani sjell ndërmend një nga godinat ku jetonteEsat Pashë Toptani, saraje të vendosura në një formë U-je, ku ka shpëtuar vetëm një pjesë e tyre, kurse pjesa tjetër është bombarduar në 1914 nga një oficer i PrincVidi. Edhe kjo godinë historike është planifikuar për shembje.
“Plani i rindërtimit mbi zonën e Amfiteatrit parashikon një llamarinë të madhe hekuri, pak a shumë si Veliera, në të njëjtat dimensione, duke ngulur kunjat mbi zemrën e kishës së vogël, të shek. V, dhe duke krijuar një pasazh për njerëz që kalojnë mbi arenë,” tregon Kacani.
Pamje nga Muri Otoman/Citizens.al
Kacani vijon se ky projekt krijon një “tabula rasa,” (rrafshim/nisje nga e para), pasi nuk dihet se kush do të jenë njerëzit që do të ndërtojnë, se kush do të jenë ata që do të marrin kafenë apo hotelet që do të ndërtohen në lagjen e Amfiteatrit.
“Banorët humbasin banesën e tyre dhe mundësinë që të tregojnë një vijueshmëri urbane, popullore brenda lagjes së Kalasë,” përmbledh ai.
Si erdhëm deri këtu?
Në janar të 2021, postimi i parë në faqen online të AADF-së pasqyron një vizitë në Durrës të Elva Margariti dhe Ervin Matës, të cilët prezantojnë planet e transformimit dhe rivitalizimit.
Leja e zhvillimit e “Rikualifikimit Urban të Parkut Arkeologjik Durrës”, faza e parë, është miratuar me vendim të KKT-së, me firmën e Margaritit dhe të kryeministrit, më 24 nëntor 2021.
Urbanisti Kacani e paralelizon ndërhyrjen në zonën e Amfiteatrit me lagjen 5 Maji në Tiranë, pasi ky rindërtim i fazës së parë është përcaktuar nëpërmjet Planit të Detyruar Vendor dhe i vendosur menjëherë pas tërmetit.
Artana Kacani/Citizens.al
Në mbledhjen e muajit prill 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi vendimin nr. 07 për “Miratimin e Lejes së Zhvillimit për objektin: Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID, e vendosur në Parkun Arkeologjik të Durrësit”, me zhvillues Bashkia Durrësdhe porositës AADF.
AADF ka dhuruar 6.7 milionë dollarë për projektin, projekt i cili në total mendohet se është rreth 24 milionë dollarë dhe pjesa tjetër do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Sipas arkitektes Spahivogli, në fazën e parë të TID janë shpronësuar 12 familje, fazë e cila është përmbyllur në vitin 2023.
Në fazën e dytë bëhet fjalë për 74 familje, ku 34 janë banesa dhe diferenca janë troje. Ndërsa në fazën e tretë dhe finale përfshihen rreth 100 familje.
Altin Xhogu, një prej banorëve që kundërshtojnë projektin, i tha Citizens se të treja alternativat e ofruara nga kryeministri Rama në takimin e 14 shkurtit, pra edhe përshtatja e vlerës së kompensimit me çmimet e referencës, ndërtimi i një pallati apo banesat sociale, në thelb janë opsione të imponuara.
Edhe pse banorëve u është kërkuar të lirojnë shtëpitë e tyre në datat 15-16 shkurt, ata shprehen të bindur për të mos i liruar banesat, ndërkohë që situata edhe nga vetë institucionet dhe financuesit duket të ketë mbetur përkohësisht pezull.
Shpresë apo pengesë për UNESCO
“Objektivi për hyrjen e kësaj zone në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar, e bën një detyrim ndërkombëtar,” u shpreh kryeministri Rama në podkastin e tij “Flasim”.
Nga ana tjetër, urbanisti Artan Kacani shprehet për Citizens se projekti TID nuk do ta ndihmojë përfshirjen e Durrësit në UNESCO, përkundrazi.
Sipas tij, lagjja e Amfiteatrit nuk mund të përfshihet në listën e UNESCO-s për kapriço politike, por vetëm mbi bazën e metodologjive shkencore të sakta, të cilat duhet të kërkojnë dhe të dokumentojnë vijimësinë historike të zonës: nga Amfiteatri antik, te banesat mesjetare, më pas periudha e Revolucionit Industrial dhe deri te lufta për pavarësi e popullit shqiptar.
“Shembja e banesave, shembja e vijimësisë së themeleve të këtyre banesave me nëntokën dhe njëkohësisht ndryshimi i morfologjisë urbane do të bëjnë që qyteti nesër jo vetëm të mos njihet, por njëkohësisht të mos ketë asnjë lloj mundësie për t’u futur në dosjet e UNESCO-s,” përmbyll ai.
Në këtë pikë, projekti TID i Durrësit qëndron mes premtimit për “rivitalizim” dhe frikës reale për humbje të pakthyeshme të trashëgimisë urbane dhe sociale të qytetit.
Çdo ndërhyrje rrezikon të kthehet nga projekt zhvillimi në një akt fshirjeje historike, që jo vetëm cenon identitetin e lagjeve të Durrësit, por e largon edhe më shumë qytetin nga çdo pretendim serioz për përfshirje në listën e UNESCO.
Pasi i ofroi për rreth katër muaj mbrojtje politike ndaj kërkesave të SPAK-ut për ta arrestuar, Kryeministri Edi Rama vendosi të enjten të shkarkojë Belinda Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ajo ishte e pezulluar me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili mbeti në fuqi pavarësisht ankimit që qeveria i bëri në Gjykatën Kushtetuese.
A u tërhoq vërtetë Rama nga Balluku?
Largimi i Ballukut nga qeveria nuk erdhi si një lëvizje e zakonshme riorganizimi të kabinetit.
Njoftimi u bë pas një mbledhjeje të gjatë me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të dominuar nga kritikat ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe sistemit të drejtësisë, çka e zhvendosi menjëherë këtë zhvillim nga një vendim administrativ në një zhvillim institucional.
Në të njëjtën mbrëmje, portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu besua një figure të re politike apo teknike nga jashtë, por një vartësi të drejtpërdrejtë të Ballukut: Enea Karakaçi, i cili drejtonte Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE).
Ky detaj është ndoshta më domethënësi. Rama ndryshoi ministren (dhe ministri të tjera), por jo strukturën që drejton sektorin më të madh financiar të qeverisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përqendron projektet më të mëdha publike: rrugët kombëtare, koncesionet, energjetikën, aeroportet dhe portet. Në praktikë, aty kalon pjesa më e madhe e investimeve kapitale të qeverisë, po ashtu edhe kostot politike.
Për këtë arsye, çdo ndryshim në drejtimin e saj zakonisht shoqërohet me ndryshim kursi, qasje të politikave, investimeve, ose rishikim kontratash. Por në rastin konkret, asnjë nga këto nuk ka ndodhur.
Përkundrazi, Balluku lavdërohet edhe në ikje si ministrja më e suksesshme e qeverisë.
Ndaj, vendimi duket më shumë si distancim nga një figurë sesa si rishikim i politikave që drejtonte Balluku, pavarësisht se Rama nuk e shprehu qartësisht këtë gjë të enjten.
Qeveria ruajti aparatin administrativ dhe vazhdimësinë e projekteve, duke lënë të kuptohet se nuk kemi të bëjmë me një përgjegjësi politike për mënyrën e qeverisjes së sektorit, por me një menaxhim të kostos së saj publike.
Kjo përforcohet nga ngritja në postin e ministrit të Mbrojtjes (në vend të Pirro Vengut) të Ermal Nufit, i cili më herët ka qenë drejtor kabineti për zëvendëskryeministren Balluku.
Konteksti i bën këto zhvillime edhe më të rëndësishme. Largimi i Ballukut bëhet në një moment tensioni të hapur mes ekzekutivit dhe SPAK-ut. Për herë të parë, kritikat ndaj drejtësisë nuk kanë qenë thjesht deklarata të izoluara politike, por pjesë e një komunikimi institucional qeveritar.
Në këtë kuptim, lëvizja duket më pak si një reagim ndaj performancës si ministre – vënë seriozisht në diskutim pas dëmtimeve serioze në disa rrugë kombëtare të vendit – dhe më shumë si një reagim ndaj rrezikut juridik që prodhon hetimi penal ndaj saj në nivele të larta.
Pak ditë më parë, qeveria propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që synojnë të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve të lartë nga detyra gjatë hetimeve – një prej mjeteve kryesore që SPAK përdori për të parandaluar mundësinë e prishjes së provave nga Balluku.
Me rastin “Balluku”, reforma në drejtësi ka krijuar për herë të parë një rrezik real penal për qeveritarët, dhe politika duket se po përshtatet me këtë realitet të ri.
Ky “lëshim” i Ballukut nga qeveria nuk e zhvesh atë nga imuniteti si deputete. Pra SPAK nuk mund ta arrestojë gjithsesi.
Me këtë zhvillim, qeveria nënkupton se pezullimi apo largimi i saj nga postet e larta janë të mjaftueshme për të mos-penguar hetimet, megjithëse SPAK ka raportuar në Këshillin e Mandateve se dëshmitarë në çështje janë kërcënuar.
Rreth 39,000 persona me aftësi të kufizuar në dëgjim nuk kanë akses të plotë në informacion, edhe pse ligji ua garanton. Sipas raportit të Institutit për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare, problematikë mbetet zbatimi.
“Është një target grup më i vogël, rreth 5 mijë vetë që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në mënyrë totale dhe kanë nevojë urgjente për interpretë të gjuhës së shenjave jo vetëm në media, por edhe në shërbimet e tjera publike”, u shpreh Danjela Burnazi, drejtuese e Institutit për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare.
Sipas Burnazit, mungesa e aksesueshmërisë shkon përtej medias, në institucione publike, sistemin shëndetësor, atë gjyqësor dhe në jetën e përditshme.
Raporti është bazuar në të dhëna të gjeneruara nga fokus grupet dhe pyetësorët me personat me aftësi të kufizuar në dëgjim, si dhe të dhënat zyrtare nga institucionet. Aktualisht në Shqipëri janë vetëm tre interpretë të licencuar, duke e bërë të vështirë dhënien e këtij shërbimi në të gjitha shërbimet.
Sipas Ardita Kerajt, ekspertja që është marrë me raportin, sipas ligjit nr. 97/2013 për Mediat Audiovizive, ka një detyrim ligjor për transmetuesit audiovizivë për të rritur aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në dëgjim, duke përfshirë interpretët, titrat apo forma të tjera.
“Që nga vitit 2013 deri sot ka përmirësime, por ka nevojë për më shumë akses në informacion, edhe përtej edicioneve të lajmeve”, u shpreh Ardita Keraj.
Sipas Kerajt, janë katër televizione sikurse RTSH, TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus që japin edicionin e lajmeve me interpretë në ditë të caktuara, dhe këto mbulohen nga vetëm tre interpretë.
Sipas të dhënave të raportit, burimet kryesore të informacionit për personat me aftësi të kufizuar në dëgjim janë televizioni, YouTube dhe rrjetet sociale.
“Megjithatë një numër i madh pjesëmarrësish deklarojnë se informohen përmes familjarëve ose personave të tjerë të afërt”, u shpreh Ardita Keraj.
Ajo çfarë shihet me shqetësim nga pjesëmarrësit në fokus grupe është fakti se nuk ka një orar të qëndrueshëm të transmetimit të lajmeve me interpretë, gjë e cila redukton ndjekjen e rregullt të lajmeve.
Disa nga pjesëmarrësit në fokus grup dhe pyetësorë u shprehën se edhe në ato raste kur ndjekin lajmet me interpretë, madhësia e interpretit në ekran është shumë e vogël për tu parë, ndriçimi është i dobët dhe ritmi i informacionit është i shpejtë.
Në përditshmëri, ata janë shprehur se informohen nga familjarët, duke ndikuar kësisoj në marrjen e informacionit në mënyrë të pavarur dhe kohë reale, ashtu sikurse edhe shpesh të ndikuar nga interpretimi subjektiv për çështje të caktuara.
Televizionet e kanë nisur transmetimin në gjuhën e shenjave në dhjetor të vitit 2023, 10 vite pasi ishte miratuar ligji. Sipas AMA-s në atë kohë, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së interpretëve të gjuhës së shenjave.
Sipas nenit 67, pika 2/dh të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” përfshirja e interpretit të gjuhës së shenjave në edicionet informative është një detyrim ligjor.
Mungesë informacioni në kohë emergjencash
Sipas të dhënave nga raporti vihet re se në media ka mungesë të të dhënave apo informacioneve sa i takon shëndetësisë, programeve edukative, emisioneve sociale si dhe mungesën e interpretëve edhe në seancat plenare dhe institucionet qeveritare.
“Ata deklaruan se mungesa e informacionit të aksesueshëm bën që të ndihen në rrezik, të pasigurt ose të papërgatitur gjatë situatave urgjente” theksoi Keraj.
Për këtë arsye, një ndër sugjerimet kryesore ishte që autoritetet publike dhe mediat të garantojnë komunikim të aksesueshëm në kohë reale gjatë emergjencave, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
Personat me aftësi të kufizuar në dëgjim u shprehën në fokus grupe se duan një rritje të pranisë së interpretëve në gjuhën e shenjave, sidomos për edicionet infomative ditore, për njoftimet publike dhe programet me interes të gjerë shoqëror.
Ata theksuan nevojën për titra të sinkronizuara dhe të lexueshme, pasi titrat ekzistuese janë të pjesshme, lëvizin shpejt dhe vështirë të ndiqen.
Po ashtu, ata kërkuan përfshirje më të madhe të personave me aftësi të kufizuar në dëgjim në programe televizive, jo vetëm si audiencë përfituese, por edhe si pjesëmarrës aktivë në debate, programe edukative dhe emisione sociale.
Sipas Ardita Kerajt, tanimë hap pozitiv është se një grup studentësh me aftësi të kufizuar në dëgjim po studiojnë gjuhën shqipe të shenjave në Universitetin e Tiranës.
Mirëpo, ka ende një diferencë mes studimit dhe licensimit, pasi duhet shumë punë që të shkosh deri të licensimi.
Citizens.al, ka realizuar një dokumentar dedikuar sfidave të komunitetit të personave që nuk dëgjojnë.
Organizatat “Together for Life”, e cila advokon për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i bëri sot thirrje ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale për të reaguar menjëherë dhe me plan konkret për garantimin e shërbimit për pacientët që jetojnë në juglindje, të cilët kanë mbetur të bllokuar për shkak të shembjes së rrugës.
“Bllokimi i këtij aksi ka ndërprerë aksesin e qindra pacientëve drejt shërbimeve të specializuara shëndetësore në Tiranë, duke vënë në rrezik serioz shëndetin dhe jetën e tyre”, thuhet në reagimin e organizatës.
Sipas “Together for Life” më të rrezikuarit nga kjo situatë janë ata që kërkojnë hospitalizim dhe ndjekje të vazhdueshme si për shembull ata që vuajnë nga sëmundje kronike, ata me sëmundje të rënda onkologjikë, dhe ata që kanë nevojë apo kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale.
“Çdo vonesë në trajtim për këto kategori pacientësh përkthehet në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, rritje të riskut për ndërlikime serioze dhe, në ndonjë rast, rrezik për jetën”, thuhet në reagimin e “Together for Life”.
Në këtë situatë, organizata i kërkon ministrisë hartimin dhe publikimin urgjent të planit të masave për menaxhimin e situatës.
Në këtë pikë ata kërkojnë mirë-organizim për transport të dedikuar mjekësor për pacientët me trajtime të planifikuar jetike sikurse hemodializa, kimioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Po kështu organizata kërkon angazhimin e strukturave të urgjencës kombëtare dhe vendore për garantimin e aksesit të shpejtë në shërbime dhe informim transparent dhe të përditësuar.
Sipas “Together for Life” shëndeti ëshë një e drejtë themelore dhe është detyra e shteitt të garantojë veçanërisht në raste emergjence, askes të plotë në shërbime shëndetësore.
“Në kushtet kur një zonë e tërë e vendit mbetet e izoluar, reagimi institucional nuk mund të jetë i vonuar. Çdo orë dhe ditë që kalon rrit rrezikun real për jetën e pacientëve”, përfundon në reagimin e saj publik “Together for Life”.
Prej fundjavës, rrëshqitja e dherave dhe dëtmimi i një ure në zonën e Dragostunjës ka sjellë bllokimin e rrugës Librazhd-Përrenjas duke ua vështirësuar lëvizjet fshatrave përreth, por dhe qyteteve që përdorin këtë rrugë për të lëvizur drejt Tiranës.
Korça, Pogradeci, Përrenjasi dhe vetë Librazhdi janë vënë përballë zgjidhjeve alternative për të përshkuar rrugë më të gjata dhe të pasigurta, teksa autoritetet nuk kanë mundur të japin ende një bilanc dhe afat konkret se kur mundet që kjo situatë të zgjidhet.
Në segmentin Librazhd-Përrenjas, shtrati i Shkumbinit nuk ngjan më me një ekosistem natyror: makineritë hyjnë vazhdimisht në rrjedhën e tij duke marrë inerte teksa brigjet e lumit janë gërryer.
Mes lejeve, gjobave dhe versioneve kontradiktore të institucioneve, vijon të mbetet e diskutueshme nëse pasojat janë vetëm mjedisore apo mund të ndikojnë edhe në infrastrukturë dhe projekte madhore siç është projekti i zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
Deklaratat kontradiktore të institucioneve
Zyrtarisht, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) i ka thënë Citizens.al se në basenin e Shkumbinit janë të pajisura me leje vetëm tre kompani, Alb-Building, ANK dhe 4A-M, me afat deri në tre vjet dhe se për këto subjekte nuk janë konstatuar shkelje.
Megjithatë raportime nga banorë dhe organizata lokale të mjedisit kanë ngritur disa herë shqetësimin për ndërhyrje abuzive në shtratin e lumit dhe pasojat e mundshme që ky aktivitet mund të shkaktojë.
Por, në një deklaratë për mediat, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, nxitoi të theksonte se dëmet në urën e Dragostunjës nuk lidheshin me këto pretendime.
Ai tha se pas verifikimeve të bëra nga autoriteti i tij, ka rezultuar se kompanitë që kanë marrë përsipër punimet në atë zonë kanë pasur leje shfrytëzimi me dokumentacion të plotë dhe se “ndërhyrjet kanë qenë të rregullta sipas koordinatave të caktuara”.
Kuzeli deklaroi se analizat paraprake të kryera tregonin si shkaqe kryesore të rrëshqitjes reshjet intensive, erozionin dhe saturimin e masivit të tokës.
Megjithatë, në një përgjigje për Citizens.al, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka pranuar se për projektin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë janë konstatuar edhe shfrytëzime inertesh pa leje.
“Nga inspektimi i kryer rezultoi se subjekti Geci sh.p.k. shfrytëzonte inerte nga shtrati i lumit Shkumbin pa lejen përkatëse nga organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore”, tha AKM për Citizens.al, por pa specifikuar datë dhe vendndodhje.
Për këtë shkelje ndaj kompanisë është vendosur gjobë prej 1 milion lekësh dhe pezullim urgjent i veprimtarisë së marrjes së inerteve lumore.
Citizens.al kërkoi të dhëna shtesë. Në pritje të një përgjigje zyrtare, rasti tregon gjithsesi se institucionet kanë qenë në dijeni të ndërhyrjeve abuzive në lum.
“Problemi nis te përzgjedhja e pikës së shfrytëzimit të inerteve”
Për ekspertin e mjedisit dhe drejtuesin e ECO Albania, Olsi Nika, problemi është më i thellë sesa një rast i izoluar shfrytëzimi pa leje.
“E para është mënyra se si përcaktohen pikat [koordinatat] ku merren inertet. Që këtu fillon problemi”, thotë ai, duke theksuar se leja mjedisore jepet nga AKM, ndërsa leja për marrjen e inerteve nga AMBU përmes Këshillave të Basenit Lumor.
Foto nga marrja e inerteve në lumin Shkumbin/Citizens.al
“Të dyja këto institucione nuk janë të specializuara si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore [AKBN] se kemi të bëjmë me shfrytëzim burimesh dhe normalisht do të duhej të ketë ekipe [ekspertize] të përbëra më së shumti nga gjeologë”, analizoi Nika për Citizens.al.
Sipas tij, në praktikë kompanitë kanë aplikuar për shfrytëzim inertesh pranë kantierit të rrugës ku po punojnë për të minimizuar kostot e transportit nga një vend më i largët.
“Pra, për shembull: do të ndërtojmë rrugën në Pishkash dhe inertet do t’i marrim në Pishkash. Kjo bëhet gjithmonë për të ulur kostot. Që këtu nis problemi i parë”, argumentoi më tej Nika.
Material i gabuar për qëllim të gabuar
Një tjetër kritikë lidhet me përdorimin e zhavorrit të lumit për ndërtimin e trasesë së rrugëve automobilistike.
“Nuk përdoret zalli i lumit për shtresën bazë të rrugëve, sepse nuk krijon stabilitet dhe rruga rrëshqet. Edhe qëllimi përse merren është i gabuar. Edhe po të copëtohet, materiali i lëmuar nuk krijon stabilitet”, shpjegon drejtuesi i ECO Albania.
Sipas Nikës, përzgjedhja e pikave është problematike, pasi marrja e inerteve është bërë në zona delikate të lumit.
“Shpesh nuk zgjidhen zonat ku lumi depoziton më shumë inerte, por në zona të [rrezikuara] të gërryerjes”, tha ai.
Nika shton se sasia e inerteve është po aq e rëndësishme dhe kërkon përfshirjen jo vetëm të gjeologëve, por edhe të hidrologëve.
“Nëse merret më shumë material sesa lumi është në gjendje të rikuperojë, prishet balanca natyrore mes sedimentit që lumi sjell dhe atij që hiqet”, theksoi eksperti i mjedisit.
Sipas tij, në zonat e Librazhdit dhe Përrenjasit lumi i Shkumbinit e ka të vështirë rikuperimin, ndryshe nga Elbasani ku ka më shumë energji transportuese të sedimenteve.
Biodiversitet i dëmtuar
Ndërhyrjet në shtratin e lumit të Shkumbinit kanë shkatërruar habitatet dhe kanë prishur vazhdimësinë ekologjike të lumit.
“Nga Librazhdi në Përrenjas është një korridor natyror migrimi për specie si trofta dhe ngjala, të cilat lëvizin sipas rrjedhës dhe kundër-rrjedhës për ciklin jetësor. Ky korridor është ndërprerë”, shpjegon me shqetësim Nika.
Përveç ndërhyrjes për të marrë inerte, gërryerja e sedimenteve ka sjellë edhe thellimin e shtratit të lumit.
“Lumi thellohet duke humbur lidhjen gjatësore dhe tërthore, që ndikojnë drejtpërdrejt në biodiversitet: te peshqit, bimët, gjitarët dhe fauna që jeton në zall”, përfundoi ai.
Zyrtarisht, 26 organizata i kanë kërkuar qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e lumit Shkumbin.
Sipas tyre, ndërhyrjet kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur shpejtësinë e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth.
Më herët, Citizens.al dokumentoi me pamje ndërhyrjet në shtratin e lumit dhe paralajmëroi për pasoja të pakthyeshme në biodiversitet.