Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Metoda daneze që ndihmon fëmijët të shkëputen nga telefonat celularë

8 February 2026 at 14:39

KOPENHAGE, 8 shkurt /ATSH/ – Fëmijët kalojnë orë të tëra të lidhur me telefonat e tyre celularë dhe rrezikojnë të bëhen të varur nga kjo teknologji, shkruan corriere.it.

Ka gjithnjë e më pak hapësirë ​​në jetët e tyre për lojëra në natyrë, dhe tastiera e telefonit inteligjent duket se është bërë forma e vetme e argëtimit.

Si mund ta përmbysim këtë trend?

Sipas Jessica Alexander, psikologe, eksperte arsimore, ku sipas saj “metoda daneze për rritjen e fëmijëve të lumtur mbetet metoda më e mirë për ti larguar ata nga kjo vatësi”.

Metoda daneze për t’i shkëputur fëmijët nga smartfoni quhet shpesh “kutia e telefonave” dhe bazohet te rregullat e përbashkëta + shembulli i prindërve.

Është shumë e thjeshtë dhe funksionon sepse bëhet normë familjare, jo ndëshkim.

Si funksionon metoda daneze

Në shtëpi vendoset një kuti ose vend i përbashkët. Në orare të caktuara të gjithë (edhe prindërit) i lënë telefonat aty zakonisht: gjatë vakteve, pas shkollës për 1–2 orë dhe në mbrëmje pas një ore të caktuar

Rregulli kryesor: Prindërit japin shembullin

Nëse telefoni ndalohet për fëmijën, ndalohet edhe për të rriturit.

Çfarë bëjnë fëmijët në vend të telefonit

  • lojëra tavoline
  • sport ose shëtitje
  • lexim
  • biseda familjare
  • aktivitete kreative (vizatim, ndërtim, muzikë)
  • Pse funksionon në Danimarkë
  • Nuk përdoret ndalim i ashpër
  • Fëmija ndihet pjesë e vendimit
  • Nuk krijon stres apo rebelim
  • Forcon lidhjen familjare    /os/

The post FOKUS – Metoda daneze që ndihmon fëmijët të shkëputen nga telefonat celularë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafik armësh nga Kosova, arrestohet 27-vjeçari

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Policia e Tiranës ka goditur ditën e sotme një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Barriera”, u sekuestruan 12 pistoleta “Glock” me municion luftarak dhe u arrestua në flagrancë një 27‑vjeçar nga Kosova.

Aksioni u zhvillua pas disa javë hetimesh me metoda proaktive, në bashkëpunim mes specialistëve të Komisariatit Nr. 4, Forcës Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, policia lokalizoi automjetin tip “Volkswagen” të drejtuar nga i riu dhe ndërhyri duke e ndaluar. Gjatë kontrollit, nën kofanon e mjetit u gjetën 10 pistoleta “Glock”, ndërsa në vijim u sekuestruan edhe 2 armë të tjera, duke e çuar totalin në 12.

Hetimet kanë zbuluar se armët do të shiteshin në zonën e “Freskut”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

The post Trafik armësh nga Kosova, arrestohet 27-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA paralajmëron për kërcënime ruse dhe kineze në hapësirë

8 February 2026 at 13:47

KALIFORNI, 8 shkurt /ATSH/ – Kur sateliti rus që mund të lëshojë satelitë të tjerë në orbitë manovroi në afërsi të një sateliti amerikan qershorin e vitit të kaluar, ishte lëvizja e fundit e një loje të rrezikshme sikur “e maces me miun” në hapësirë.

Cosmos 2558 është parë duke e ndjekur satelit USA 326 që kur sateliti rus u lansua në hapësirë më 2022. Por, tani ai doli me një befasi, duke lëshuar një modul më të vogël që nisi të lëvizte edhe më afër satelitit amerikan.

“Kjo është hera e dytë që kemi parë një veprim të tillë nga pala ruse”, tha DeAnna Burt, e cila në kohën e incidentit ishte drejtoreshë për operacione në Forcën Hapësinore të Shteteve të Bashkuara.

“Keni një satelit që ka brenda tij një satelit tjetër, për të cilin ne besojmë se është një mjet KK apo Kinetic Kill, i cili do të mund të lëvizë dhe të takohet me një satelit tjetër dhe potencialisht mund ta dëmtojë atë ose ta fotografojë apo të kryejë veprime të ndryshme”, shtoi ajo.

Burt doli në pension në tetor të vitit 2025 dhe foli për Radion Evropa e Lirë gjatë një vizite në Pragë, të organizuar nga Instituti Aspen. Në një intervistë më 30 janar, ajo diskutoi për kërcënimet ndaj satelitëve nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, si dhe për një konflikt ‘në hije’ që tashmë po zhvillohet që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, që Rusia nisi më 2022.

Takimet e rrezikshme në hapësirë

“Kemi parë atë që ne do ta quanim operacione afrimi dhe takimi, që do të thotë… fluturim rreth e rrotull dhe vëzhgim i satelitit tjetër”, tha Burt, kur u pyet për incidentin e qershorit të vitit të kaluar.

Shqetësimi, shtoi ajo, ishte nëse “do të lëshonin një mjet shkatërrues” apo nëse bëhej fjalë “thjesht për mbikëqyrje dhe zbulim”. Rezultoi se ishte kjo e fundit. Megjithatë, situata mbeti alarmante, jo vetëm për shkak të rrezikut të përplasjes.

“Ajo që po shihni në këtë zhvillim, të gjitha këto janë teste që ndërtojnë gradualisht një kapacitet… hipotetikisht, nëse do të synoja të zhvilloja një aftësi në hapësirë, fillimisht do të doja që të sigurohesha se mund t’i identifikojë objektivat, përpara se të mund t’i godasë”.

Kjo nuk hera e parë që Burt paralajmëron për kërcënime të tilla ruse.

Incidenti i mëparshëm u përmend shkurtimisht nga shefi i atëhershëm i operacioneve hapësinore të Forcës Hapësinore të SHBA-së, gjenerali John Raymond, në një deklaratë për revistën Time në vitin 2020.

“Mënyra se si e imagjinoj unë këtë në mendjen time është si kukullat ruse matryoshka”, tha ai. “Sateliti i dytë doli nga sateliti i parë”.

Në vitin 2024, pasardhësi i Raymondit, gjenerali Chance Saltzman, paralajmëroi për një “Ditë Zero” nëse Rusia do të vendoste një armë bërthamore në hapësirë, e aftë të shkatërrojë kapacitetet e satelitëve.

Po atë vit, një pretendim i Pentagonit se Rusia “me gjasë” kishte vendosur një armë antisatelitore në hapësirë u hodh poshtë nga Kremlini.

Më 21 janar, ndërkaq, një raport i Këshillit të Atlantikut tha se SHBA-ja është “në mënyrë të papranueshme e cenueshme” ndaj kërcënimeve të tilla dhe bëri thirrje që vendi të kalojë drejt “arkitekturave satelitore më të qëndrueshme”.

Burt tha se ky është tashmë është një prioritet kryesor për SHBA-në: “Të kesh aftësinë të përballosh një goditje dhe të jesh në gjendje të rikuperohesh… me satelitë në depo që janë gati për t’u lëshuar”.

Një stërvitje e kryer më 2023, me emrin e koduar Victus Know, vendosi një rekord të ri për lëshimin e një sateliti “nga depoja në kapacitet operacional në orbitë brenda një jave”, sipas një njoftimi të Forcës Hapësinore. Por, për Burtin, kjo nuk mjafton.

“Si ta bëni këtë në një shkallë të gjerë? Ne e kemi bërë këtë në mënyrë të izoluar, vetëm një herë. Si të arrijmë ta bëjmë këtë në përmasa të mëdha, në mënyrë që të ndërtojmë qëndrueshmëri”, tha ajo.

Por, ky është skenari më i keq, që Burt e kishte përshkruar dikur në një ligjëratë si “një [v.j. sulmi i befasishëm që Japonia kreu ndaj SHBA-së në Havaji më 1941] Pearl Harbor në hapësirë”. Çdo sulm i tillë në shkallë të gjerë do të ishte gjithashtu një vetëdëmtim, pasi do të shkaktonte dëme pa dallim, duke shkatërruar ose duke i bërë të paaftë satelitët që u përkasin Rusisë, Kinës apo shteteve të tjera.

Bllokimi i sinjaleve, laserët dhe krahët robotikë

Ka edhe shumë mënyra të tjera, më të sofistikuara, për t’i nxjerrë satelitët jashtë funksionit sesa vetëm t’i shkatërrosh në stilin e Star Wars.

“Kemi parë në Ukrainë që një nga sulmet e para ishte një sulm kibernetik ndaj një rrjeti komunikimi satelitor… Dhe, kemi vazhduar të shohim bllokim të GPS‑së dhe ndërhyrje në komunikimet satelitore gjatë gjithë këtij konflikti”, theksoi Burt.

Këto janë sulme direkte ruse ndaj kapaciteteve satelitore të SHBA-së.

“Këto sulme kanë pasur efekt shumë të lokalizuar, jokinetik, që nënkupton se bëhet fjalë për ndërhyrje në sinjale, duke e nxjerrë një satelit jashtë funksionit për një periudhë kohore dhe më pas ai rikthehet në funksion sapo të dalë nga zona ku ka ndërhyrje në sinjale. Pra, është shumë e qartë se synimi është të ketë një efekt rajonal dhe të bëhet vetëm për shfaqje, jo efekt global. Kjo është diçka që e shohim mjaft shpesh”, tha Burt.

“Armiqtë tanë e kuptojnë rëndësinë e hapësirës, dominimin gjithmonë më të madh, siç e quajmë ne ‘semper supra’”, shtoi ajo.

Implikimet në Tokë

Siguria e satelitëve ka implikime për jetën në Tokë. Nga satelitët varen shumë gjëra duke nisur GPS-i civil dhe parashikimet e motit e deri te bankat dhe komunikimet.

Implikimet ushtarake në rast të pengesave në aktivitetin e satelitëve mund të jenë nga pamundësia e ushtarëve për të komunikuar, mungesa e imazheve satelitore dhe informacioneve të tjera të inteligjencës, e deri te sistemet e mbrojtjes antiraketore që mbeten krejtësisht të paaftë për të reaguar ndaj sulmeve.

“Të gjithë janë të cenueshëm” nga kjo, paralajmëroi Burt.

“Nuk them domosdoshmërish se është Thembra jonë e Akilit. Por, mendoj se të gjithë varen nga kjo. Dhe po, do ta bënte luftimin më të vështirë. Por, gjithashtu do të thosha se luftëtarët tanë do të vazhdonin të luftonin, dhe pjesa tjetër e forcave do të vazhdonte gjithashtu luftën… Por, padyshim do ta bënte më të vështirë, dhe mendoj se do të humbnim më shumë jetë njerëzish nëse hapësira nuk do të ishte e qasshme për luftën e përbashkët”, theksoi aI shkruan REL.   /os/

The post FOKUS – SHBA paralajmëron për kërcënime ruse dhe kineze në hapësirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shitja e mishit në rrugë e rrezikshme për shëndetin, aksion në tregun e automjeteve

PRISHTINË, 8 shkurt /ATSh/ Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka ndërmarrë një aksion të gjerë që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike në tregun e automjeteve që mbahet çdo të diel, duke gjobitur 15 shitës ilegalë, që shesin shpezë.

AUVK së bashku me drejtorinë e Inspektoratit të komunës së Prishtinës, e kanë cilësuar një veprim të tillë rrezik serioz për shëndetin publik, ku shitësit ilegalë në mënyrë brutale therin shpezët dhe i shesin në atë mënyrë.

Nga ana e AVUK-ut, shefi i zyrës për informim, Muharrem Shahini shtoi se blerja e shpezëve nga qytetarët në atë mënyrë janë të dëmshme për shëndetin, të pakontrolluara dhe antihigjienike.

Shahini theksoi se ky aksion nuk do të kufizohet vetëm për Komunën e Prishtinës por do të shtrihet në të gjitha komunat e vendit.

“Në mënyrën më brutale mund të them, theren, shiten, keqtrajtohen në këtë pjesë të qytetit të Prishtinës. Me këtë rast ne e kemi marrë edhe këtë, këtë vendim. Si agjencion dhe si institucion i cili kujdeset për shëndetin e qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të ushqimeve, mishrave dhe gjitha ushqimeve të tjera, atëherë ne edhe e kemi konstatuar që është e dëmshme për shëndetin. Njëkohësisht janë të pakontrolluara, mënyra se si theren, mënyra se si trajtohen është jo vetëm brutale po është anti-higjienike. Me shitjen në një ambient të hapur mish apo ushqime të tjera është e palejueshme. Kjo nuk vlen vetëm për komunën e Prishtinës, ky aksion do të zgjerohet edhe në komuna të tjera dhe nuk do të lejohet në mënyrë absolute qytetarët të konsumojnë ushqimin nëpër tregje të tilla”, shtoi Shahini.

Shitësit ilegalë që kishin ardhur nga komuna të ndryshme të Kosovës, nuk ishin dakord që t’u ndalohej të shisnin produktet e tyre.

Ata në shenjë proteste qëndruan në rrugë, para Policisë së Kosovës. /KosovaPress/

The post Shitja e mishit në rrugë e rrezikshme për shëndetin, aksion në tregun e automjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bizneset paguanin energjinë si familjarë, FSHU: Do të përballen me penalitete

8 February 2026 at 13:39

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Dhjetëra biznese në kryeqytet vazhdonin të paguanin energjinë elektrike si familjarë, për të përfituar tarifa më të ulëta, pavarësisht se ushtronin aktivitet ekonomik.

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE-së, ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e kontratave të energjisë elektrike dhe për përditësimin e tarifimit sipas sistemit të ri.

Administratori i FSHU, Algert Luzi, gjatë një interviste në medie, deklaroi se më së shumti janë konstatuar shkelje në godinat e reja të banimit, ku apartamentet e përdorura për banim janë shndërruar në zyra dhe biznese.

“Janë konstatuar zyra noterie, kontabiliteti, klinika dentare dhe biznese estetike”, tha Luzi.

Sipas FSHU, ky fenomen lidhet me regjistrime të vjetra dhe mungesën e përditësimit të kontratave, ndërkohë që objektet përdoren realisht për qëllime ekonomike.

Për këtë arsye, kompania ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe u bën thirrje bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar, të kontrollojnë kategorinë e kontratës dhe të kryejnë përditësimin e nevojshëm.

Luzi shtoi se bizneset që do të gjenden përsëri në shkelje do të përballen me penalitete.

“Abonentët familjar që konsumojnë mbi 700 kWh tarifohen me 9.5 lekë/kWh, ndërsa subjektet tarifohen me 14 lekë/kWh. Pas verifikimit, tarifimi ndryshon direkt dhe nëse konstatohet përsëri shkelje, do të ndërmerren masa penale”, theksoi ai.

FSHU bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë me grupet e kontrollit, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe garantimin e një sistemi tarifimi të drejtë për të gjithë konsumatorët. /a.gj/ /a.g/

The post Bizneset paguanin energjinë si familjarë, FSHU: Do të përballen me penalitete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të marrim në dorë fatet e Shqipërisë më 10 shkurt

8 February 2026 at 13:38

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sot thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës më datë 10 shkurt, në Tiranë.

Në një videomesazh përmes rrjeteve sociale, Berisha tha se qytetarët duhet “të marrim fatet në dorë të Shqipërisë, t’i qëndrojmë ligjeve dhe kushtetutës së vendit, si rruga e vetme e integrimit në BE si dhe për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit dhe Kushtetutës në Shqipëri”.

“Ditën e martë, secili prej jush proteston, shpreh revoltën në kryengritjen paqësore të opozitës, jo vetëm për vete, por për fëmijët e tij, për Shqipërinë, dhe si asnjëherë tjetër, për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së reagoi edhe ndaj deklaratë së kryeministrit Rama lidhur me vendimin e Kushtetueses për zëvendëskryeministren Balluku.

Sipas tij, Rama po injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon shtetin ligjor dhe se “në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra”.

“Ky vendim, do të jetë mesa duket vendimi më i paprecedentë që është marrë ndonjëherë në BE, sepse është absolutisht i paprecedentë qëndrimi dhe vendimi i Edi Ramës, për të asgjësuar shtetin ligjor me një grusht shteti, brenda shtetit”, u shpreh Berisha.

/r.e/

The post Berisha: Të marrim në dorë fatet e Shqipërisë më 10 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Çdo vonesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për Ballukun, pengim i drejtësisë

8 February 2026 at 13:38

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot se drejtësia duhet të funksionojë e pavarur dhe sipas parimeve të shtetit ligjor, pa ndikime politike.

Bardhi reagoi pas deklaratës së sotme të kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi si mosvendimmarrje qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e pezullimit të një anëtari të qeverisë, duke e vlerësuar situatën si problem serioz për balancën mes pushteteve, teksa theksoi se qeveria do të vijojë përpjekjet për ta kundërshtuar këtë praktikë në rrugë institucionale.

Bardhi vuri në dukje se çdo ndërhyrje politike në vendimet e drejtësisë rrezikon parimet e ndarjes së pushteteve dhe barazisë para ligjit.

“Sa herë që drejtësia i afrohet pushtetit të tij të kriminalizuar dhe të korruptuar, Edi Rama zgjedh sulmin kundër drejtësisë”, tha Bardhi.

Ai theksoi se drejtësia nuk është pronë e askujt dhe nuk ka nevojë për mbikëqyrje politike, por për respektimin e ligjit nga të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

“Kur një Kryeministër del publikisht për të delegjitimuar një vendim gjykate, ai nuk po mbron vetëm një ministre. Po mbron pushtetin e vet për ta vendosur atë mbi ligjin. Dhe çdo fjali e Ramës tregon një gjë: ai nuk e pranon kufirin e ligjit, duke shpallur veten “garant të vetëm” të drejtësisë. Por në një shtet ligjor drejtësinë nuk e garanton as një njeri, as një parti. E garanton Kushtetuta. E garanton ndarja e pushteteve. E garanton barazia para ligjit”, deklaroi Bardhi.

Ai bëri thirrje që Këshilli i Mandateve të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut, duke nënvizuar se çdo vonesë e mëtejshme mund të perceptohet si pengim ndaj drejtësisë.

“Ligji nuk negociohet, ai zbatohet”, theksoi Bardhi.

/r.e/

The post Bardhi: Çdo vonesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për Ballukun, pengim i drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pesë qytete shqiptare mes destinacioneve të rekomanduara për t’u vizituar nga platforma të huaja

8 February 2026 at 13:36

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e platformave ndërkombëtare të udhëtimeve, me qytetet e saj që kombinojnë trashëgiminë historike, natyrën dhe jetën moderne.

Sipas Europexplores dhe Dreaming Travel, pesë qytete shqiptare renditen ndër destinacionet më të rekomanduara për t’u vizituar.

Në krye të listës është Tirana, kryeqyteti i vendit, e përshkruar si një qytet me atmosferë të gjallë dhe një përzierje të harmonizuar të historisë, kulturës dhe zhvillimit modern. Monumente si sheshi “Skënderbej” dhe Muzeu Historik Kombëtar cilësohen si pika kyçe që pasqyrojnë identitetin e qytetit.

Shkodra vlerësohet për rëndësinë e saj historike dhe pozicionin pranë liqenit të Shkodrës, ndërsa kalaja e Rozafës përmendet si një nga atraksionet kryesore, që ofron pamje panoramike mbi qytetin dhe zonën përreth.

Në jug, Vlora renditet si një destinacion i rëndësishëm bregdetar, e njohur për plazhet përgjatë Jonit dhe për vlerën historike si qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Manastiri i Zvërnecit dhe atraksionet natyrore përreth përmenden si elementë që e pasurojnë ofertën turistike.

Saranda përshkruhet si një destinacion ideal për pushime bregdetare, me akses të afërt në Parkun Kombëtar të Butrintit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, duke ofruar mundësi për turizëm natyror dhe kulturor.

Lista plotësohet nga Gjirokastra, e njohur për arkitekturën osmane dhe shtëpitë karakteristike prej guri. Kalaja e Gjirokastrës vlerësohet për pamjen panoramike që ofron mbi qytetin dhe rrethinat, duke e bërë qytetin një ndalesë të rëndësishme për vizitorët e interesuar në histori dhe trashëgimi kulturore.

Sipas vlerësimeve të platformave ndërkombëtare, këto qytete përfaqësojnë potencialin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithnjë e më i preferuar në rajon.

/r.e/

The post Pesë qytete shqiptare mes destinacioneve të rekomanduara për t’u vizituar nga platforma të huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, rënë në krye të detyrës

8 February 2026 at 12:50

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Në Rrëshen dhe Lezhë u zhvilluan sot ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, të rënë në krye të detyrës, duke lënë një shembull sakrifice dhe përkushtimi për jetën e qytetarëve.

Në 20-vjetorin e rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, Fran Kaçorri, i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, u zhvillua një ceremoni në Rrëshen, ku morën pjesë familjarët e dëshmorit, drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Mirditë, kolegë dhe punonjës policie, si dhe të afërm të Kaçorrit.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën e tij, u vendosën kurora me lule. Fran Kaçorri ra në krye të detyrës më 8 shkurt 2006, duke dhënë jetën në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.

Po gjatë ditës së sotme, në Lezhë, u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, Bardhok Marku, gjithashtu i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë morën pjesë familjarët, kolegë dhe punonjës policie të Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Bardhok Marku ra në krye të detyrës më 8 shkurt 1998, duke dhënë jetën në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.

1 nga 5

/r.e/

The post Ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, rënë në krye të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U kapën duke transportuar pesë emigrantë të paligjshëm, dy të rinj në pranga

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Strukturat e Policisë së Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Relay 6”, duke arrestuar dy shtetas të dyshuar për transport të emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Siç njoftoi sot Policia e Shtetit, në kuadër të veprimeve për goditjen e kontrabandës së emigrantëve, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë kapën A. M., 24 vjeç, dhe I. V., 22 vjeç, banues në Kukës, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Kasharit”. Ata dyshohet se po transportonin me automjet 5 emigrantë, të cilëve u kishin kërkuar 2700 euro secili, me premtimin për t’i dërguar në Francë.

Si provë materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Sipas Policisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

The post U kapën duke transportuar pesë emigrantë të paligjshëm, dy të rinj në pranga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja, muzetë dhe gastronomia, atraksionet që e bëjnë Gjirokastrën qytet turistik

8 February 2026 at 12:29

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Gjirokastra njihet si perla e jugut të Shqipërisë, ku tradita dhe bukuria natyrore bashkohen nën hijen e kalasë madhështore.

Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra tërheq vizitorë nga e gjithë bota për arkitekturën e saj të veçantë, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë tipike me çati guri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot foto të qytetit të “pushtuar” nga turistët edhe këto ditë shkurti.

Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Gjirokastrës, e ndërtuar në shekullin e 12-të, që dominon qytetin dhe ofron pamje panoramike mbi luginën e Drinos. Brenda kalasë ndodhet Muzeu i Armëve, ku ruhen eksponate historike që pasqyrojnë ngjarjet dhe luftërat që kanë shënjuar historinë e rajonit.

Gjirokastra njihet gjithashtu për kulturën dhe traditat e saj folklorike. Festimet dhe aktivitetet kulturore, tërheqin artistë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe bota, duke promovuar muzikën dhe vallëzimin tradicional.

Qyteti është vendlindja e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe ruan atmosferën e vjetër osmane, duke e bërë një destinacion të veçantë për ata që kërkojnë jo vetëm bukuri natyrore, por edhe histori dhe kulturë.

Vizitorët mund të eksplorojnë edhe shtëpitë muze të qytetit, si Shtëpia e Kadaresë, që ofron një pasqyrë të jetës dhe veprës së shkrimtarit.

Gastronomia lokale, e bazuar në produkte vendase dhe receta tradicionale, plotëson përvojën e vizitorëve, duke e bërë Gjirokastrën një destinacion të plotë turistik dhe kulturor.

/r.e/

The post Kalaja, muzetë dhe gastronomia, atraksionet që e bëjnë Gjirokastrën qytet turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përzgjidhet formacioni dhe trajneri i Javës së 23-të të Superiores

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Pas përfundimit të ndeshjeve të Javës së 23-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës.

Formacioni i javës është ndërtuar sipas skemës 1-4-3-2-1.

Në portë është përzgjedhur Mario Dajsinani (Egnatia), i cili ishte vendimtar në fitoren e skuadrës së tij, duke e mbajtur portën të paprekur.

Mbrojtja përbëhet nga Paulo Buxhelaj (Partizani), Elmando Gjini (Vllaznia), Bruno Lulaj (AF Elbasani) dhe Usni Ismaili (Dinamo City).

Në mesfushë janë përzgjedhur Sherif Kallaku (Vllaznia), Albano Aleksi (Egnatia) dhe Serxho Vogli (Tirana).

Në repartin ofensiv, Rowan Human (Partizani) dhe Insa Boye (AF Elbasani) mbështesin në majën e sulmit Rrok Toma (Partizani). Të tre lojtarët ishin vendimtarë për skuadrat e tyre dhe gjetën rrugën e rrjetës.

Trajner i Javës është përzgjedhur Oltijon Kërnaja (Partizani). Të kuqtë u rikthyen te fitorja në kampionat në një ndeshje të fituar me përmbysje, duke reflektuar qartë punën dhe idetë e stafit teknik.

The post Përzgjidhet formacioni dhe trajneri i Javës së 23-të të Superiores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Jep dorëheqjen kreu i ”Washington Post”

8 February 2026 at 12:14

UASHINGTON, 8 shkurt /ATSH-ANSA/ – Drejtori ekzekutiv i Washington Post, Will Lewis, ka dhënë dorëheqjen pas polemikave rreth shkurtimeve të rreth 300 vendeve të punës në gazetën prestigjioze të Jeff Bezos.

Lewis tha se e mori këtë vendim të vështirë “për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për The Washington Post”.

Ai u punësua nga Bezos në fillim të vitit 2024 me qëllim transformimin e gazetës dhe përfundimin e viteve të humbjeve financiare dhe rënies së lexueshmërisë.

Ai dha dorëheqjen vetëm disa ditë pasi kompania uli stafin e saj me 30%, duke shkaktuar kritika nga punonjësit aktualë dhe ish-punonjësit e Post.

Marty Baron, ish-redaktori i njohur i Post, e quajti atë një nga “ditët më të errëta në historinë e një prej gazetave më të mëdha në botë”.

Lewis do të zëvendësohet nga Jeff D’Onofrio, ish-drejtori financiar i gazetës. /os/

The post SHBA – Jep dorëheqjen kreu i ”Washington Post” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Normalizohet qarkullimi në rrugën Qukës-Qafë Plloçë pas rrëshqitjes së dherave

8 February 2026 at 12:05

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Rruga Qukës-Qafë Plloçë është e hapur dhe aktualisht nuk ka bllokim të qarkullimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se qarkullimi i automjeteve kryhet normalisht në të dyja drejtimet.

Ky aks rrugor ishte bllokuar më parë si pasojë e reshjeve të dendura që përfshinë zonën ditët e fundit, duke shkaktuar rrëshqitje dhe rënie të masave të gurëve në trupin e rrugës.

Segmenti Qukës-Qafë Plloçë mundëson një akses më të lehtë drejt Korçës duke shmangur kthesat dhe trafikun.

/r.e/

The post Normalizohet qarkullimi në rrugën Qukës-Qafë Plloçë pas rrëshqitjes së dherave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ernest Muçi tjetër gol për Trabzonspor

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Futbollisti kuqezi Ernest Muçi vazhdon formën e mirë sportive me paraqitje shumë të mira e vendimtare për ekipin e tij Trabzonspor në kampionatin turk.

Në javën e 21-të të Superligës së Turqisë, Trabzonspor arriti mbrëmjen e së shtunës një fitore 3-0 në transfertë kundër rivalit të tyre të përbetuar Samsunspor.

Trabzonspor po udhëhiqte 2-0 deri në minutën e 90-të falë dy golave ​​të Paul Onuachu, kur iu dha një penallti, të cilën Muçi e goditi me mjeshtëri duke dërguar portierin dhe topin në kënde të kundërta, duke fiksuar fitoren 3-0.

Këtë sezon, Ernest Muçi ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 4 asiste në 22 paraqitje për Trabzonsporin në të gjitha garat. Për më tepër, futbollistit shqiptar i duhet vetëm një gol për të tejkaluar sezonin e tij me më shumë gola të shënuar në karrierën e tij. Ai më parë kishte shënuar 12 gola në 27 ndeshje për Tiranën në sezonin 2019-20.

The post Ernest Muçi tjetër gol për Trabzonspor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kledis Rexho, Besart Papa dhe Erisa Kuçuku prezantohen në podkastin “Flasim”

8 February 2026 at 11:44

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, prezantoi tre shqiptarë të suksesshëm në fushat e tyre, të cilët kanë ndjekur rrugë të ndryshme jetësore dhe profesionale.

Ndër të ftuarit ishte Erisa Kuçuku, psikologe dhe psikoterapeute, e cila ofron shërbime psikoterapie për të ndihmuar njerëzit të përballen me sfidat e jetës në mënyra më të shëndetshme dhe produktive. Ajo ka vendosur dijen e saj në dispozicion të disa nismave solidariteti shoqëror për ata që kanë nevojë për mbështetje, sidomos në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rama theksoi se “njerëzit më të fortë nuk janë ata që tregojnë forcë para botës, por ata që luftojnë dhe fitojnë beteja për të cilat të tjerët nuk dinë asgjë”.

Një tjetër i ftuar ishte Besart Papa, skulptor, i cili ngriti një muze arti në Tiranë kushtuar veprave të të atit, artistit Thanas Papa. Muzeu është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe ruan rreth 250 punë të artistit, duke e kthyer hapësirën e dikurshme të atelierit të vitit 1958 në një institucion muzeal.

Kledis Rexho, violinist që jeton dhe punon në Francë, është i treti nga të ftuarit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas ka vijuar studimet në Francë, ku sot punon në Orchestre Philharmonique de Monte Carlo. Rexho ka shoqëruar solistë ndërkombëtarë si Frank Peter Zimmerman, Nathalie Dessay dhe Renaud Capuçon dhe ka performuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Paavo Jarvi dhe Neeme Jarvi.

Ai ka publikuar projektin muzikor me soprano franko-amerikane Emilie Rose Bry, ku interpretuan së bashku “Margjelonë” e kompozitorit shqiptar Prenk Jakova, pranë Kullës Eiffel në Paris.

/r.e/

The post Kledis Rexho, Besart Papa dhe Erisa Kuçuku prezantohen në podkastin “Flasim” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Finalja e 60-të e Super Bowl në NFL

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Në mesnatën mes 8 dhe 9 shkurtit me orën evropiane, do të zhvillohet edicioni i 60 i finales së Super Bowl në NFL, ngjarja më e madhe dhe më e ndjekur sportive në SHBA.

Ndeshja e shumëpritur e Super Bowl LX për të përcaktuar skuadrën më të mirë të sezonit fillon sot në orën 6:30 pasdite (ora lokale) në Kaliforni (ShBA), me Seattle Seahawks që përballen me New England Patriots.

New England po kërkon të bëjë histori duke u bërë skuadra e parë e NFL-së me shtatë fitore në Super Bowl. Herën e fundit që Seahawks luajtën në ndeshjen e madhe ishte kundër Patriots në vitin 2015 për Super Bowl XLIX, ku Seattle humbi një ndeshje shkatërruese 28-24. New England hyri në playoff si vendi i dytë i AFC-së, ndërsa Seattle hyri si vendi i parë i NFC-së.

Çfarë është Super Bowl?

Super Bowl përbën kulmin e sezonit në futbollin amerikan, një sfidë unike që në muajin shkurt të çdo viti dorëzon titullin e NFL mes 2 skuadrave më të mira të Konferencës së Lindjes dhe Perëndimit. Është sfida që përmbyll një rrugëtim të gjatë që nis me sezonin e rregullt dhe që me kalimin e viteve është shndërruar në një festë të vërtetë kombëtare jo zyrtare në ShBA. Në këtë ditë e gjithë Amerika ndalet totalisht teksa të gjithë mblidhen në shtëpi dhe lokale pët të ndjekur një ndeshje që është një sinonim i atletizmit të jashtëzakonshëm dhe patriotizmit të madh.

Gjithsesi të thuash që Super Bowl është thjesht një ndeshje është e gabuar, sepse ky event është cilësuar shtyllë e kulturës pop globale.

Transmetimi i ndeshjes

Rrjeti televiziv “NBC” do të transmetojë këtë të diel një pjesë të programit të pragndeshjes Super Bowl në NFL nga Alkatrazi, ishulli ikonik në Gjirin e San Franciskos (Kaliforni), i njohur ndryshe si “Shkëmbi” (The Rock).

Mbulimi televiziv i ndeshjes, eventi më i ndjekur i vitit në Shtetet e Bashkuara, do të nisë rreth pesë orë para fishkëllimës së parë, me lidhje direkte edhe nga ky ishull historik, i cili deri në vitin 1963 shërbeu si burg për kriminelë të rrezikshëm , ndërsa sot është muze dhe atraksion turistik. Në transmetim do të marrin pjesë edhe ish-yjet e NFL-së, si Rodney Harrison, dy herë fitues i “Super Bowl”-it me Patriots, si dhe Tony Dungy, po ashtu dy herë kampion: një herë si lojtar me Pittsburgh Steelers dhe një herë si trajner i Indianapolis Colts.

Fakte dhe kuriozitete mbi stadiumin dhe shtetin

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Levi’s” në Santa Clara, Kaliforni, shtëpia e San Francisco 49ers.

Kjo është hera e dytë që “Levi’s Stadiums” pret një Super Bowl. Hera e parë ishte 10 vite më parë, Super Bowl 50, kur Denver Broncos mposhtën Carolina Panthers 24-10.

Ky është Super Bowl i 14-të i mbajtur në shtetin e Kalifornisë. Vetëm Florida (17) ka pritur më shpesh.

Fakte dhe kuriozitete mbi Patriots vs Seahawks

Patriots marrin pjesë në Super Bowl për herë të 12-të, më shumë se çdo ekip tjetër. Në fakt, asnjë ekip tjetër nuk ka më shumë se tetë paraqitje. New England është në kërkim të fitores së shtatë në Super Bowl, e cila do t’i lejonte që të kalonin Pittsburgh Steelers.

Dhjetë nga 12 paraqitjet e New England në Super Bowl kanë ardhur që nga viti 2000. Asnjë ekip tjetër nuk është paraqitur në më shumë se pesë Super Bowl gjatë kësaj periudhe.

New England është skuadra e parë që arrin në Super Bowl pasi ka humbur 13 ose më shumë ndeshje sezonin e kaluar.

Seahawks janë në Super Bowl-in e tyre të katërt, të tri finalet e tyre kanë ardhur pas vitit 2006. Bilanci i tyre në këto finale është negativ pasi mundur të fitojnë vetëm një herë.

Protagonistët e Super Bowl LX janë të njëjtët e Super Bowl XLIX. Atë ndeshje Patriots fituan 28-24, edhe pse ishin në disavantazh të dhjetë pikëve.

Kjo është finalja e 10-të e Super Bowl në historinë e NFL-së e cila luhet mes këtyre dy ekipeve, të cilat janë ndeshur më parë me njëra-tjetrën në aktin e fundit. Fituesit e takimeve të para kanë mundur që të fitojnë plot gjashtë herë edhe në takimet e dyta.

The post Finalja e 60-të e Super Bowl në NFL appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

8 February 2026 at 11:29

LONDËR, 8 shkurt /ATSH/ – Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e medaljeve olimpike dimërore e Shqipërisë, sipas BBC.

“Është një jetë e vështirë, por e dua,” thotë adoleshentja, e cila ka punuar jashtëzakonisht shumë që kur ishte fëmijë.

“Shkoja në shkollë, pastaj shkoja për patinazh në akull për dy orë dhe pastaj ski pasdite dhe pastaj në shtëpi, pastaj detyrat e shtëpisë dhe pastaj haja dhe pastaj përsëri!” thotë ajo.

“Dhe dua të them, isha vetëm 10 vjeçe”, shton Colturi.

Por, skijimi ka qenë gjithmonë diçka që ajo e do, para së gjithash.

“Për mua ishte shumë qesharake ta bëja, sepse nëse nuk bëja diçka, mërzitesha”, thotë ajo.

Që në moshë të vogël, Lara thotë se është përqendruar në të pasurit një mentalitet fitues duke praktikuar ushtrime frymëmarrjeje për të qëndruar e pranishme – dhe tani ajo është një nga skiatoret më të mira të sllallomit në botë.

Duke u nisur drejt Lojërave Olimpike Dimërore në Milano Cortina të Italisë, ajo ka mundësinë të bëjë histori për Shqipërinë, e cila fitoi medaljet e para olimpike verore vetëm në Paris 2024.

“Udhëtimi i Larës ka qenë fenomenal për vendin me tre milionë banorë, thotë Alesia Burnazi e RTSH-së.

“Ajo jo vetëm që po i bën vajzat e reja të ëndërrojnë, por edhe po e bën të gjithë popullsinë të mbështesë atë dhe të dijë më shumë rreth sporteve të skijimit”, shton ajo.
Alesia thotë se arritja e Larës është e madhe për një vend të vogël që as nuk ka vendpushime skijimi.

Sa i përket Larës, ajo është e kënaqur që e ka vënë skijimin në hartë për Shqipërinë – dhe është pak e hutuar…

“Shqipëria nuk e dinte se çfarë ishte skijimi alpin deri më tani. Dhe tani unë jam si një personazh i famshëm atje, dhe është e mrekullueshme. Unë jam thjesht një skiatore alpine”, thotë Lara.

Falë suksesit të Larës, skijimi në Shqipëri po fillon të marrë hov.

“Nuk po bëj gjëra të mëdha, por për ta është thjesht mahnitëse. Dhe ata kanë disa kodra të vogla… po argëtohen shumë tani që shkojnë të bëjnë pak ski. Pra, po, është thjesht mahnitëse”, thotë Lara.

Laura po e bën Shqipërinë krenare./ /os/

The post MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale

8 February 2026 at 10:53

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Platforma shqiptare “Diella” u vlerësua me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të çmimeve të Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ky vlerësim është një arsye për krenari për arritjet e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbim të interesit publik.

“Vlerësimi i Diellës me çmimin Future Fit Seal është një inkurajim shumë i madh dhe shumë domethënës, duke pasur parasysh faktin se Shqipëria vendoset në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz”, tha Rama.

Ai shtoi se Samiti Botëror i Qeverisjes është një nga platformat globale për të ardhmen e qeverisjes, ku diskutohet sesi teknologjia po riformëson marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve.

“Shqipëria vendoset edhe një herë në fokus, këtë herë për një produkt për të cilin ne po vazhdojmë punën dhe mbi të cilin, jo vetëm shqiptarët, por edhe bota do të dëgjojë të reja më shpejt sesa vonë”, theksoi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda

8 February 2026 at 10:42

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë projektligjin për amnistinë penale, që parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave dhe ulje dënimesh për qindra të tjerë.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ligji ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit të drejtësisë penale dhe në frymën e saj.

“Ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta”, tha Rama.

Ai shtoi se ligji është një zgjedhje politike e qartë dhe synon orientimin e drejtësisë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë.

“Kjo natyrisht do të sjellë efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare”, shtoi ai.

Rama sqaroi se ligji nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale.

“Krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të adresuar problemin e paraburgimit.

“Paraburgimi është një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera, për të cilat po punojmë me një sërë partnerësh europianë”, tha Kryeministri.

/r.e/

The post Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌