Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë

21 January 2026 at 12:54

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të protestës së 21 janarit të vitit 2011 është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për përkujtimin e katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.

Në një prononcim për gazetarët, jashtë godinës së SPAK, Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë.

“Kërkojmë që hetimi për “21 Janarin” të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë”, u shpreh ai.

“Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë”, tha Mark Nika.

Sipas tij, drejtësinë e pret nga SPAK dhe jo nga qeveria. “Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Prokurori i çështjes më tha që janë kryer veprime që të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha”, tha Nika.

Nika tha se fajtore “në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha”.

“Ai (Sali Berisha – shën. i red.) ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë “e kemi bërë ne”. Ata e fshehin. Pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ikën dhe fshihesh? Pse bën manipulimin e provave?”, tha Nika.

Sot, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të katër viktimave që u vranë në protestën e 21 Janarit 2011. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, mbajti fjalën e rastit kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt.

Më pas, ceremonia përkujtimore vazhdoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u vendosën karafila në kujtim të katër viktimave të kësaj ngjarjeje.

/e.i/a.f/

The post Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Një stuhi gjeomagnetike arrin nivelin G4

21 January 2026 at 12:44

ROMË, 21 janar /ATSH-ANSA/ – Stuhia gjeomagnetike, që filloi më 19 janar, po vazhdon për të tretën ditë radhazi dhe intensiteti i saj mbetet i fortë.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor e Administratës Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës (NOAA), ajo tani është në nivelin G3, ndërsa dje arriti përsëri në nivelin G4.

Stuhitë G3 mund të shkaktojnë probleme me linjat e transmetimit të energjisë dhe komunikimet satelitore, ndërprerje të shkurtra në sistemet e navigimit GPS dhe komunikimet radio, dhe, sigurisht, aurorat në gjerësi gjeografike më të ulëta se zakonisht.

Stuhia filloi në orën 20:38 më 19 janar, duke u lejuar entuziastëve të aurorave në pjesën më të madhe të Evropës, të admironin spektaklin.

Në orët e para të 20 janarit, fenomeni dukej se tashmë po zbehej, por në vend të kësaj u intensifikua përsëri.

Shkaku ishte mbërritja e një nxjerrjeje të shpejtë të masës koronale, ose CME, një nxjerrje e materies në formën e plazmës që udhëtoi me afërsisht 1 000-1 400 kilometra në sekondë duke ngushtuar distancën midis Diellit dhe Tokës në vetëm rreth 25 orë.

Stuhia gjeomagnetike u parapri dhe u shoqërua nga një stuhi rrezatimi diellor, një fenomen që ndodh kur një shpërthim i fuqishëm diellor përshpejton një re të madhe grimcash energjike drejt planetit tonë.

Ky lloj fenomeni mund të paraqesë problem për çdo gjë jashtë mbrojtjes së ofruar nga atmosfera dhe fusha magnetike e Tokës, duke përfshirë astronautët, anijet kozmike, satelitët dhe avionët që arrijnë lartësi shumë të mëdha./ a.jor.

The post HAPËSIRË – Një stuhi gjeomagnetike arrin nivelin G4 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj përkujton Ibrahim Rugovën: Vizionari i Kosovës së lirë dhe evropiane

21 January 2026 at 12:42

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar sot Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke e cilësuar atë si një figurë vizionare që projektoi Kosovën e pavarur dhe të lirë mbi parimet e urtësisë, durimit dhe mençurisë politike.

Në një postim në rrjetin social X, Kreu i Shtetit thekson se Presidenti Rugova e konceptoi të ardhmen e Kosovës të lidhur ngushtë me vlerat evropiane, si demokracia, të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe shteti i së drejtës.

Presidenti Begaj nënvizon se vizioni i Rugovës është sot një realitet, ndërsa trashëgimia e tij politike mbetet një dëshmi e qartë se paqja, dialogu dhe orientimi drejt Evropës janë gurthemeli i shtetndërtimit dhe i një të ardhmeje të qëndrueshme për Kosovën.

/gj.m/a.f/

The post Begaj përkujton Ibrahim Rugovën: Vizionari i Kosovës së lirë dhe evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kombëtarja U-21 sfidon Japoninë më 27 mars në Antalia

21 January 2026 at 12:27

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndërkombëtare më 27 mars 2026 ndaj Japonisë U-21.

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Japoneze të Futbollit që kjo përballje të luhet në Antalia, Turqi, ndërsa orari dhe stadiumi ku do të zhvillohet takimi do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

FSHF vijon gjithashtu bisedimet për të siguruar edhe një tjetër ndeshje miqësore për Kombëtaren U-21 gjatë muajit mars.

Deri në Kampionatin Europian U-21 2027, Kombëtarja U-21 do të angazhohet vetëm në ndeshje miqësore, pasi Shqipëria është kualifikuar automatikisht në këtë turne si një nga vendet organizatore.

Këto teste miqësore kanë rëndësi të veçantë për trajnerin Alban Bushi dhe stafin teknik, duke ofruar mundësinë për të vlerësuar nga afër gjendjen e lojtarëve, për të konsoliduar grupin dhe për të testuar elementë të rinj në funksion të Europianit U-21 2027.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Kombëtarja U-21 sfidon Japoninë më 27 mars në Antalia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba rrugore

21 January 2026 at 12:22

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) njofton qytetarët për një valë mesazhesh që synojnë të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mesazhet përmbajnë linke (adresa ueb) të dyshimta dhe nuk janë komunikime zyrtare nga institucionet shtetërore.

AKSK apelon që qytetarët të mos klikojnë në linket e mesazheve, të mos japin të dhëna personale dhe të mos kryejnë pagesa online përmes faqeve jozyrtare. Autoriteti ka ndërmarrë masat e nevojshme për bllokimin e faqes mashtruese dhe këshillon raportimin e çdo mesazhi të dyshimtë pranë AKSK ose institucioneve përkatëse.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë gjithmonë informacionet e marra nëpërmjet burimeve zyrtare për të shmangur dëmet financiare dhe mashtrimet online.

/a.f/

The post AKSK: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjoba rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bankat shtrënguan kreditimin për banesa në fund të 2025

21 January 2026 at 12:17

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Bankat tregtare shtrënguan standardet e kreditimit për blerjen e banesave gjatë tremujorit të fundit të vitit 2025.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë, kjo ka ndodhur përmes kërkesave më të larta për kolateral, ndërsa kushtet e tjera, si normat e interesit dhe komisionet, kanë mbetur të pandryshuara.

Ndërkohë, në kreditë konsumatore standardet e kreditimit nuk kanë pësuar ndryshime.

Referuar vrojtimit të BSH-së, kërkesa e individëve për kredi ka shënuar një rënie në tremujorin e fundit të vitit 2025, si për blerjen e banesave, ashtu edhe për kreditë konsumatore, duke u ndikuar nga zhvillimet e tregut dhe nga masat kufizuese rregullatore të vendosura në korrik 2025.

Megjithatë, perspektivat për tremujorin e parë të vitit 2026 janë pozitive, pasi bankat presin një rritje të kërkesës për kredi, duke përfshirë kreditë për blerjen e banesave dhe ato konsumatore.

Të dhënat e 11-mujorit 2025 tregojnë se vlera e kredive për banesa arriti në rreth 59 miliardë lekë, një rritje prej 24,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Bankat shtrënguan kreditimin për banesa në fund të 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri

21 January 2026 at 12:12

TIRANË, 21 janar/ATSh/ Në kuadër të operacionit “Anëtarët”, policia e Tiranës njoftoi sot se pas tre muajve hetime, goditi një grup kriminal i cili shiste armë zjarri.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit: I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje; A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim; A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë operacionit, sipas policisë u kapën në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur dy armë zjarri kallashnikov.

Policia bëri të ditur se nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk. Në kuadër të operacionit u sekuestruan pesë armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në zonat e Tufinës dhe të “Freskut”.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/a.f/

The post Tiranë, goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha: Rugova, ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare

21 January 2026 at 12:09

PRISHTINË, 21 janar /ATSh/ Ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas homazheve pranë varrit të Rugovës në rasti e 20-vjetorit të vdekjes së tij.

Basha i shoqëruar me disa prej anëtarëve të kabinetiti qeveritar në detyrë dhe zyrtarë të LVV-së, tha se Rugova mbetët ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare.

“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se në atë kohë shumë pak dinin se ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej, por ai arriti të depërtoj në qendrat kryesore botërore, duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një popullit të pafajshëm shqiptarë”, tha Basha.

“Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshme, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”, përfundoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

/KosovaPress//r.e/

The post Basha: Rugova, ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STRASBURG – Von der Leyen: Marrëdhëniet BE–SHBA në udhëkryq

21 January 2026 at 12:05

STRASBURG, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerëson se marrëdhëniet transatlantike ndodhen në një moment kritik, pas përplasjes së fundit lidhur me Groenlandën.

“Ne jemi në një udhëkryq”, u tha ajo sot deputetëve të Bashkimit Evropian duke theksuar se Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por është “plotësisht e përgatitur të veprojë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të mblidhen nesër në Bruksel, pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se tetë vende evropiane do të përballen me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të sigurojnë, sipas tij, “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.

”Kërcënimi ndaj BE-së me tarifa shtesë për arsye sigurie është thjesht i gabuar”, tha Von der Leyen.

Ajo nënvizoi se Groenlanda nuk është vetëm e pasur me lëndë të para dhe një pikë strategjike në rrugë detare gjithnjë e më të rëndësishme globale, por edhe shtëpia e një populli të lirë dhe sovran.

“Është një komb me sovranitet dhe me të drejtën e integritetit territorial. E ardhmja e Groenlandës i takon vetëm groenlandezëve”, theksoi ajo.

Von der Leyen paralajmëroi gjithashtu për pasojat më të gjera të një përçarjeje në marrëdhëniet BE–SHBA.

“Ky moment ndryshimi global është i mbushur me rreziqe dhe Evropa duhet të jetë gati të ndryshojë edhe më shpejt për t’u bërë më e pavarur për të ardhmen e saj. Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë vendime të vështira”, tha ajo./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post STRASBURG – Von der Leyen: Marrëdhëniet BE–SHBA në udhëkryq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO dënon Agron Shehajn për fyerje ndaj Adriatik Lapajt

21 January 2026 at 11:58

TIRANË, 21 janar/ATSh/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot fajtor deputetin Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia, për veprën penale “Fyerja” ndaj Adriatik Lapajt, kryetar i Partisë Shqipëria Bëhet.

Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Çela dhe në bazë të ligjit Shehaj dënohet me 300 000 (treqind mijë) lekë gjobë.

Afati i pagimit të gjobës do të jetë gjashtë muaj nga dita e marrjes së formës së prerë të vendimit. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim të akuzuarit Agron Shehaj.

Ndërkohë gjykata shpalli ta pafajshëm Shehajn për veprën penale “Shpifja”, pasi fakti i pretenduar nuk përbën vepër penale.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO dënon Agron Shehajn për fyerje ndaj Adriatik Lapajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EBA presin “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë

21 January 2026 at 10:57

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Emiratet e Bashkuara Arabe po përgatiten të presin “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha shumë-sportëshe ndërkombëtare në botë, e cila do të zhvillohet nga 6 deri më 15 shkurt 2026, duke mbledhur sportistë 30 vjeç e lart nga mbarë globi nën moton “United by Sports, Active for Life”.

Sipas programit zyrtar, ceremonia hapëse do të mbahet më 6 shkurt në Zayed Sports City, ndërsa garat do të zhvillohen në Abu Dhabi, Al Ain dhe Al Dhafra, në një rrjet prej 22 impiantesh sportive të standardeve botërore. Mes tyre përfshihen Hazza Bin Zayed Stadium, Abu Dhabi Cricket and Sports Hub, Hudayriyat Island, ADNEC, Khalifa International Bowling Centre, Marina Al Mirfa, Al Wathba Race Track, Abu Dhabi Marine Sports Club, Al Ain Equestrian, Shooting & Golf Club, Abu Dhabi Golf Club, Yas Acres Golf Club, Yas Links Golf Club, Mubadala Arena, Al Ain Adventure, Abu Dhabi Padel Kingdom, Abu Dhabi Aquatics Club dhe Fatima Bint Mubarak Ladies Academy, duke reflektuar përmasat dhe shtrirjen gjeografike të eventit.

Programi kryesor i Lojërave do të zhvillohet nga 7 deri më 14 shkurt, me gara në më shumë se 30 sporte, përfshirë atletikë, basketboll, futboll, not, tenis, çiklizëm, triathlon, golf, xhudo, karate, jiu-jitsu, volejboll, peshëngritje, kriket, shah, sporte ujore, sporte luftarake dhe disiplina të tjera, duke krijuar një ritëm të pandërprerë aktivitetesh sportive gjatë gjithë eventit.

Një element dallues i “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” do të jenë sportet tradicionale të Emirateve, të cilat përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të programit. Garat Al Tabaa do të zhvillohen më 13–14 shkurt në Al Ain, garat me deve më 14 shkurt në Al Wathba, lundrimi tradicional me dhoë dhe zhytja tradicionale më 7–8 shkurt në Marina Al Mirfa, garat e qëndrueshmërisë në hipizëm nga 7 deri më 14 shkurt, si dhe garat e skifterisë (falconry) më 13–14 shkurt në Al Falah Falconry Club, duke i dhënë eventit një dimension autentik kulturor.

Lojërat do të përfshijnë gjithashtu kategori vetëm për gra në sporte si atletikë, volejboll në sallë, basketboll, paddle dhe futboll 7-a-side, të cilat do të zhvillohen në Fatima Bint Mubarak Ladies Academy, duke reflektuar angazhimin për zgjerimin e pjesëmarrjes femërore dhe krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës konkurrues.

Komiteti Organizues ka konfirmuar se regjistrimet do të qëndrojnë të hapura deri më 15 janar 2026, duke u mundësuar sportistëve dhe skuadrave të planifikojnë pjesëmarrjen dhe udhëtimin e tyre në kohë.

Me mbi 25,000 pjesëmarrës të pritur nga e gjithë bota, përfshirë gjashtë sporte tradicionale emirate dhe 18 disiplina të hapura për Personat me Aftësi të Kufizuara, “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” pritet të shndërrojnë Abu Dhabin, Al Ain dhe Al Dhafran në qendra dinamike të sportit, kulturës dhe komunitetit, duke forcuar më tej pozitën e Emirateve të Bashkuara Arabe si një destinacion kryesor për evente sportive ndërkombëtare dhe stile jetese aktive.

/gj.m/a.f/

The post EBA presin “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pjesë e Bordit të Paqes, Rama: Gjest domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës

21 January 2026 at 10:51

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka uruar sot Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes nga presidenti i Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Rama shprehet në një postim në rrjetin social X se, ky është një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, shkruan Rama.

Rama u shpreh se beson se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkruan kryeministri Rama.

/gj.m/a.f/

The post Osmani pjesë e Bordit të Paqes, Rama: Gjest domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 400 mijë euro në Vlorë

21 January 2026 at 10:48

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, më kërkesë të prokurorisë, sekuestroi pasuritë e A.Rr dhe familjarëve të tij, nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Në kuadër të hetimeve të nisura në vitin 2020, rezultoi se shtetasi A.Rr., i dënuar më parë për “Trafik të lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, nuk justifikonte pasuritë e krijuara.

Konkretisht prokuroria kërkoi sekuestrimin e 3 apartamenteve, 3 makinave si dhe një dyqan.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë e mësipërme të paluajtshme në vlerë totale 400.000 euro.

/m.q/a.f/

The post Sekuestrohen pasuri me vlerë 400 mijë euro në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Vrasësi i ish-kryeministrit Abe dënohet me burgim të përjetshëm

21 January 2026 at 10:48

TOKIO, 21 janar /ATSH-DPA/ – Një gjykatë japoneze dënoi sot me burgim të përjetshëm autorin e vrasjes së ish-kryeministrit, Shinzo Abe.

Tetsuya Yamagami, 45 vjeç, kishte pranuar se e kishte qëlluar me armë të improvizuar ish-kryeministrin japonez, më jetëgjatin në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë një fjalimi elektoral në korrik 2022.

Vdekja e dhunshme e Abe tronditi opinionin publik në mbarë botën.

Yamagami u neutralizua dhe u arrestua menjëherë në vendngjarje, përpara kamerave.

Sipas hetuesve, ai deklaroi se veproi nga urrejtja ndaj “Unification Church”, (Kisha e Unfikuar) një organizatë fetare e themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 nga Sun Myung Moon, e cila gëzonte mbështetje në Japoni nga gjyshi i Abe, ish-kryeministri Nobusuke Kishi.

Atentati ndaj Abe nxori në pah lidhjet mes Kishës së Unifikimit dhe anëtarëve të  Partisë Liberal-demokrate, partia në pushtet e Japonisë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post JAPONI – Vrasësi i ish-kryeministrit Abe dënohet me burgim të përjetshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

21 January 2026 at 10:46

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Sot shënohen 15 vite nga 21 anari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministra të kabinetit qeveritar së bashku me familjarë të katër protestuesve dhe deputetë të PS-së, kryen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë vendit ku më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestues.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e përkujtimit të 4 viktimave të 21 Janarit se, pas 15 vitesh ende nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin.

Duke folur përpara familjarëve të 4 viktimave të “21 Janarit”: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Rama u shpreh se, “vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit”.

“15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar”, u shpreh Rama.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “21 Janari”, gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re

21 January 2026 at 10:44

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë ceremonisë së përkujtimit të katër viktimave të 21 Janarit se kjo çështje është një “gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re”.

Në ceremoninë e mbajtur në godinën e Kryeministrisë, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të katër viktimave që u vranë në 21 janar të vitit 2011, Rama ndau të vërtetën sipas tij, lidhur me përgjegjësinë ndaj jetëve të sakrifikuara të katër dëshmorëve, si edhe dhe zotimin për të bërë drejtësi për “21 Janarin”.

“Ne e kemi mbajtur me dinjitet të lartë atë përgjegjësi dhe nuk e kemi tradhtuar aspak zotimin solemn, përderisa duke pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik dhe duke ngritur SPAK-un dhe Gjykatën Speciale kemi krijuar për herë të parë kushtet për fundin e pandëshkueshmërisë me ligj, jo me zakon”, tha Rama, ndërsa theksoi se kjo është bërë përmes organeve të drejtësisë, jo përmes partisë dhe qeverisë.

“Kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin. të “shohë” te stacioni i trenit, jo te kjo godinë. Sepse nga kjo godinë ka dalë bërthama e Reformës në Drejtësi dhe në godinën përballë është çelur ajo bërthamë dhe në godinën e Parlamentit është bekuar ajo farë e drejtësisë së pavarur nga pushteti politik”, tha ai.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “nuk është pushteti politik as i qeverisë, as i shumicës së parlamentit, as i partisë apo i gjitha partive që duhet të bëjë punën në kanalet e hetimeve dhe në sallat e gjyqeve. Është një pushtet tjetër që duhet t’i bëjë këto”.

Ai shtoi se deri kur drejtësia e re nuk do ketë bërë gjyqin e vërtetë të 21 Janarit ajo do të jetë një drejtësi gjithmonë e më e vjetër.

“Por, drejtësinë për vet 21 Janarin, asnjë vjetërsirë e vjetër apo e re nuk do mund ta mohojë dot pafundësisht vendosjen e këtij guri themeli, sepse 21 Janari si çështje e hapur, është gropë e hapur në themelet e drejtësisë së re, është një gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re”, pohoi Rama.

Në fund të fjalës, Rama pohoi se “drejtësia për 21 Janarin është themel moral për drejtësinë e re dhe për shtetin shqiptar të së drejtës”.

“Të tjerat, përpara 21 Janarit, janë si hetimet dhe gjyqi i kafeve të Nexhmijes”, përfundoi Rama.

/e.i/r.e/

The post Rama: “21 Janari”, gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: E paimagjinueshme që SPAK ende nuk ka ngritur akuza për 21 Janarin

21 January 2026 at 10:39

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot ngjarjen e “21 Janarit” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.

Gjatë fjalimit të tij, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e katër viktimave: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt, Kryeministri Edi Rama bëri thirrje për drejtësi. Sipas Ramës prej 15 vitesh ende drejtësia për 21 Janarin nuk është vendosur në vend, pavarësisht reformës së bërë në drejtësi.

Kryeministri u shpreh se prokurorët e SPAK ende nuk e kanë çuar në Gjykatës Speciale çështjen e “21 Janarit”, megjithëse ka një vendim më shumë se dy vite më parë nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Nuk ka mjaftuar as vendimi rrënqethës i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg më shumë sesa 2 vjet më parë që prokurorët specialë të kësaj Republike t’i kishin kërkuar deri tani Gjykatës Speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërore të “21 Janarit”, ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit përpara ligjit prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë Presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikimin me durim dhe me heshtje nga ana jonë të gabimeve të tyre nganjëherë tejet shqetësuese, si gabime të rritjes të një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”, tha Rama.

“Halli është se sa herë vjen kjo ditë tragjike për ju, familjarët e katër dëshmorëve të 21 Janarit dhe për ne miqtë dhe dashamirët tuaj, vijnë mbi kurrizin tonë dhe gurët e mllefit dhe të mërzisë së shumë kujt në këtë vend, që me plot të drejtë ndjehet i tradhtuar në pritjen e vet të pafundme për drejtësi, ndjehet i përdorur në besimin e vet tek drejtësia e re dhe ndjehet i përbuzur që drejtësia për 21 Janarin të vihet në vend. Unë i mirëkuptoj plotësisht dhe nuk e pretendoj mirëkuptimin reciprok prej atyre se ç’nuk komentojnë dhe akuzojnë me gishtin e ngritur në drejtim tonë dhe drejtimin tim posaçërisht, kur vjen fjala për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 Janarin. Por u them se ndihem po njësoj i zbrazët në shpirt dhe i dobët në pozitë, kur shoh sesi kaloi dhe një vit tjetër dhe 21 Janari rierdhi përsëri me hijen përqeshëse të padrejtësisë së madhe mbi shpinën e vet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “sot burgjet e Shqipërisë mbajnë me taksat e shqiptarëve më shumë të paraburgosur, pra njerëz të dënuar me vendim gjykate, pa gjyq, sesa njerëz të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë dhe një pjesë e madhe e të paraburgosurve janë viktima të karshillëkut të hatashëm të lirive dhe të drejtave të njeriut nga ana e prokurorëve të çdo niveli dhe gjykatësve që shpesh i venë nga mbrapa prokurorit si delja dashit”.

Sipas tij, kjo është “një panoramë e trashtë e një drejtësie të dhunuar, ku 21 Janari është ana tjetër e medaljes, ajo e drejtësisë së vonuar me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë gjatë muajve të fundit, pas thuajse 15 vitesh”.

Rama theksoi se “e kam thënë që në krye të herës se 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn tek ajo kategori krimesh për të cilët historia na mëson, që drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë. Është interesante historia e krimeve shtetërore, sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar”.

Kreu i qeverisë theksoi se edhe SPAK, si një institucion i krijuar krejtësisht i pavarur, fatkeqësisht nuk ka ngritur ende akuza për 21 Janarin.

“Nga ana tjetër është shumë evidente nga kanalet e asaj historie se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror. Por, ama, edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim tek historia e botës demokratike ndaj krimeve shtetërore, nuk e kam menduar, të them të vërtetën, se Reforma në Drejtësi për të cilën 21 Janari si nevojë prioritare e jona për drejtësi, ka qenë një prej burimeve të energjisë dhe vendosmërisë sonë për ta çuar para atë reformë dhe pastaj strukturat e reja speciale, krejtësisht të pavarura, që u krijuan në kuadrin e reformës në drejtësi, nuk do të ngrinin, e paimagjinueshme për mua, asnjë akuzë të vërtetë për 21 Janarin as pas 15 vitesh nga vrasjet mizore në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Fatkeqësisht, për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimin e pushtetit politik në Shqipëri, për të cilat SPAK merret drejtpërdrejt, ndërkohë që kur i është dashur ka hetuar dhe ka ngritur akuza pa humbur asnjë vit, për çështje të hapura dhe me një letër anonime, apo ka konsumuar kohë dhe energji me vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti me çështje të cilat janë aq të sforcuara, sa mund të shkruhen romane satirike, jo vendime gjyqësore të formës së prerë fajësie”, tha Rama.

Rama theksoi se se ishte Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, “që e çoi kryeçështjen e 21 Janarit në Strasburg dhe e riktheu gurin mbi varrin ku drejtësia e kishte kyçur 21 Janarin, pas një farse të shëmtuar kriminale si gjyqi që medemek u bë lidhur me vrasjet.

Vetëm ashtu dhe falë këmbënguljes së familjeve të viktimave përmes Markut, dosja e krimit më të egër të historisë së demokracisë shqiptare u rivendos me detyrim-përcaktim në tryezën e SPAK, ku Marku dorëzoi dhe një material autentik zërash të regjistruar në vendngjarje nga kanalet e komunikimit të forcave të sigurisë, të cilin prej vitesh e mbante fshehur nga mosbesimi total ndaj institucioneve të drejtësisë, dhe nga droja se ai material “humbte” siç janë humbur plot gjurmë. Ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve”.

Rama shtoi se “Gjykata e Strasburgut i konsideroi si shkelje të Konventës Evropiane qoftë përdorimin e pajustifikuar të forcës vdekjeprurëse, qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e Kryeministrit me forcë vdekjeprurëse, duke kërkuar nga autoritetet të zbardhin ngjarjen. Në rrjedhën e vendimit të Strasburgut, Gjykata e Lartë ka formuluar një nga dokumentet më të plotë dhe më të pakontestueshëm profesionalisht dhe moralisht dhe ka vënë faktikisht në lëvizje hetimet, që kanë rinisur. Ndërkohë që shpresa vdes e fundit, ndërsa nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë dhe kur vdes shpresa”.

Rama shtoi se “nuk e di sa vite do të kërkojë fundi i padrejtësisë mbi këdo që do drejtësia për katër të vrarët për 21 Janarin”, por theksoi se “ulërima e kësaj padrejtësia nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi të madhe do të triumfojë me patjetër”.

/a.f/r.e/

The post Rama: E paimagjinueshme që SPAK ende nuk ka ngritur akuza për 21 Janarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pavarësimi i gjyqësorit nuk zhduku hijen e padrejtësisë mbi “21 janarin”

21 January 2026 at 10:32

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e përkujtimit të 4 viktimave të 21 janarit se, pas 15 vitesh ende nuk është bërë drejtësi për ngjarjen e 21 Janarit.

Duke folur përpara familajrëve të 4 viktimave të “21 Janarit” Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Rama u shpreh se, “vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së “21 Janarit””.

“Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sëkëlldije të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të 4 Dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj  për mosardhjen e drejtësisë”, tha Rama.

“15 vjet pa drejtësi për “21 Janarin” janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar”, u shpreh Rama.

“Ndërsa, për ju familjarët e Dëshmorëve të “21 Janarit”, 15 vjetët e këtij boshllëku të pangushëllueshëm janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim”, iu drejtua Rama familjarëve të viktimave.

“Atyre ndër ju që ishin gjyshër iu ka ardhur koha për t’u bërë stërgjyshër. Atyre që ishin fëmijë iu ka ardhur koha për t’u bërë prindër, ndërsa atyre 4 pjesëve të shpirtit tuaj të cilave u janë tretur trupat në dhe’, nuk u ka ardhur koha ende të prehen të qetë sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar deri më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi “21 Janarin””, tha Rama.

Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

/gj.m/a.f/

 

The post Rama: Pavarësimi i gjyqësorit nuk zhduku hijen e padrejtësisë mbi “21 janarin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon pastrimi i akseve rrugore në qarkun e Korçës, qarkullimi me goma dimërore dhe zinxhirë

21 January 2026 at 10:15

 

TIRANË, 21 janar/ATSh/ Gjatë 24 orëve të fundit qarku i Korçës është përfshirë nga reshje dëbore.

Prefekti Nertil Jole tha se nëpër akse të ndryshme vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.

Në akset Korçë–Ersekë (kilometri 3) dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras (km 6) rekomandohet qarkullimi me goma dimërore. Në Lotin 7, në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, gjatë natës ka pasur reshje dëbore deri në 8 cm, të shoqëruara me erë të fortë. Akset janë pastruar dhe kriposur dhe qarkullimi vijon normalisht.

Në segmentin e Dardhës, vende-vende trashësia e borës arrin mbi 50 cm. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugës. Për shkak të temperaturave të ulëta, edhe në këtë segment këshillohet qarkullimi me goma dimërore dhe zinxhirë.

Në segmentet Maliq–Kufi Gramsh dhe Ersekë–Leskovik–Tre Urat, gjatë natës ka pasur reshje dëbore. Aktualisht punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugës.

Ndërkohë, në territorin e bashkisë Korçë, punonjësit e NSHP-së gjenden në terren që prej mbrëmjes së djeshme dhe vijojnë punën për normalizimin e situatës. Ndërhyrjet po kryhen në të gjitha akset kryesore dhe njësitë administrative, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt për banorët.

Situata paraqitet e qetë dhe pa problematika të evidentuara deri në këto momente.

Ndërsa OSHEE informon se në disa nënstacione të qarkut ka problematika. Numri më i madh i abonentëve të mbetur pa furnizimim me energji elektrike është në Potgozhan-Guri i Kuq, me rreth 500 abonentë ruralë, në zonat Trebinjë dhe Bishnicë. Gjithashtu në Rehovë janë 40 abonentë pa energji elektrike, 50 të tjerë në Mesmal, 140 në Dardhë etj. Ekipet e OSHEE-së janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e situatës.

1 nga 3

/r.e/

The post Vijon pastrimi i akseve rrugore në qarkun e Korçës, qarkullimi me goma dimërore dhe zinxhirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj

21 January 2026 at 10:12

UASHINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kritikoi sërish Organizatën e  Kombeve të Bashkuara (OKB), duke deklaruar se ajo nuk ka arritur të përmbushë potencialin e saj.

“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë jam një mbështetës i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur atë”, theksoi ai.

I pyetur nëse synon ta zëvendësojë OKB-në me Bordin e Paqes, i krijuar si pjesë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas, Trump u shpreh se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë për shkak të potencialit të madh që ka.

“Besoj se duhet ta lini OKB-në të vazhdojë, sepse potenciali është shumë i madh”, tha ai.

Trump pretendoi gjithashtu se OKB-ja “duhej t’i kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë kam zgjidhur”.

“Unë nuk iu drejtova kurrë atyre. As nuk mendova të shkoja. Ata duhet të jenë në gjendje t’i zgjidhin këto luftëra. Nuk e bëjnë”, shtoi ai.

Presidenti republikan ka deklaruar vazhdimisht se administrata e tij ka përfunduar tetë luftëra në vitin e parë të mandatit të dytë presidencial dhe se për këtë meritonte çmimin Nobel për Paqen.

Bordi i Paqes u krijua fillimisht si pjesë e planit amerikan për Gazën, me synimin për të mbikëqyrur një qeveri tranzitore.

Diplomatë që kanë parë statutin e këtij organi i kanë thënë dpa-së se ai përbën një sfidë të hapur ndaj OKB-së, të cilën Trump e ka cilësuar vazhdimisht si jofunksionale.

Sipas këtyre burimeve, SHBA-ja po shqyrton zgjerimin e ndjeshëm të mandatit të bordit, nga Gaza drejt promovimit të stabilitetit dhe zgjidhjes së konflikteve në mbarë botën.

Draftstatuti parashikon që Trump të kryesojë këshillin e bordit dhe që vetëm krerët e shteteve dhe kryeministrat e ftuar prej tij të mund të jenë anëtarë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌