Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë

27 December 2025 at 10:14

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, inspektorit Marsel Bicja, pasi ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov gjatë protestës së opozitës të hënën e kësaj jave.

Ndërsa protestuesit hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, një prej bombave shpvrtheu duke përfshirë në flakë një protestues, i cili u shpëtua nga djegiet prej inspektorit Bicja.

Certifikata e dhënë ndaj inspektorit mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.

Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.

Nga ana tjetër, inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

/m.q/j.p/

The post Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë konfirmon takimin Trump-Zelensky

27 December 2025 at 10:00

UASHINGTON, 27 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi dje se do të zhvillojë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump në të ardhmen e afërt, në kuadër të përpjekjeve për të mbajtur gjallë iniciativën amerikane për përfundimin e luftës me Rusinë, sipas BBC.

“Takimi pritet të ndodhë brenda pak ditësh, me shumë gjasa gjatë fundjavës, në Florida”, tha Zelensky.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi sot se Zelensky dhe Trump do të takohen sot në rezidencën e presidentit amerikan në Mar-a-Lago, në Florida, në orën 15:00 sipas kohës amerikane, që korrespondon me orën 21:00 në Evropë.

Megjithatë nuk thuhet nëse në takim do të marrin pjesë dhe përfaqësues nga Moska.

Në një intervistë për “Politico”, Trump deklaroi se gjithashtu do të priste kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“Pritet të vijnë Zelensky dhe Bibi”, tha Trump, duke shprehur bindjen se ekzistonte një “mundësi e mirë” për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.

Megjithatë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk ka ende nje konfirmi për takim me presidentin izraelit, Netanyahu.

Zelensky tha se fokusi i bisedimeve do të ishte një plan paqeje i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, si dhe propozime të veçanta për garanci sigurie për Ukrainën.

Ai theksoi se plani prej 20 pikësh ishte 90% i përfunduar.

“Qëllimi ynë është që gjithçka të jetë 100% gati. Nuk po humbasim asnjë ditë”, shkroi ai në X, duke shtuar se shumë vendime mund të merren para Vitit të Ri.

Nga ana tjetër, reagimet nga Moska kanë qenë të rezervuara. Një zyrtar i lartë rus ka deklaruar se plani amerikan ndryshonte ndjeshëm nga ai që Rusia po diskutonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kremlini ende nuk ka komentuar mbi propozimin e Zelensky për tërheqjen e trupave ukrainase nga disa zona të Donbasit, nëse Rusia bën të njëjtën gjë.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Gjatë natës, disa sulme ajrore ruse goditën Kievin, duke plagosur të paktën pesë persona, ndërsa autoritetet ukrainase njoftuan se mbrojtja ajrore po përpiqej të zmbrapste sulmet me dronë dhe raketa në të gjithë vendin.

Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, u raportuan gjithashtu, të vrarë dhe të plagosur pas një tjetër sulmi rus.

Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura së bashku si Donbas.

Ukraina po kërkon garanci të forta sigurie nga SHBA-ja si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe ka hedhur idenë e krijimit të një “zone të lirë ekonomike të demilitarizuar” në disa pjesë të rajonit.

Trump, tha për mediet amerikane, se pret të bisedojë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se bisedimet me të dy liderët do të “shkonin mirë”. //a.i/

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë konfirmon takimin Trump-Zelensky appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”

27 December 2025 at 09:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Gjatë vitit 2025, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë 3 767 foshnje, ndërsa institucioni ka shënuar edhe zhvillime të rëndësishme strukturore dhe organizative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndau një videokartolinë të veçantë urimi për festat e fundvitit nga stafi i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, ku pjesë e saj është edhe Soreja, tashmë njëvjeçare, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në strukturat spitalore publike në Shqipëri.

Mjeku Petrit Cami teksa shprehu urimin për festën e Vitit të Ri, vuri theksin në punën e stafit shëndetësor dhe kontributin e spitalit në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Ndërsa kryeinfermierja Nineta Nasyfaga vlerësoi rolin e spitalit si simbol i shpresës, jetës së re dhe përkushtimit të stafit mjekësor ndaj nënave dhe fëmijëve.

Gjatë vitit 2025, në këtë spital është krijuar Qendra Mjekësore për Riprodhim të Asistuar, duke zgjeruar shërbimet publike në fushën e fertilitetit, si dhe spitali ka marrë statusin e Autonomisë Menaxheriale Spitalore. /j.p/

The post Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat

27 December 2025 at 09:51

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike: Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.

Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se “procesi zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve, me synimin e ruajtjes së autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimin e konservimit të tyre afatgjatë”.

Restaurimi i fundit i realizuar nga laboratori i DRTK Berat ishte ai i ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, me autorë vëllezërit Çetiri.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.

/m.q/j.p/

The post Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veshjet sintetike mund të ndikojnë në shëndetin riprodhues si tek burrat ashtu edhe tek gratë

27 December 2025 at 09:49

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/- Ndërsa provat e drejtpërdrejta dhe përfundimtare që lidhin vetëm veshjet prej poliesteri me infertilitetin njerëzor janë të kufizuara, hulumtimet sugjerojnë se pëlhurat sintetike si poliesteri (i zakonshëm në veshjet sportive) mund të përmbajnë kimikate që prishin sistemin endokrin (EDC) që ndikon në shëndetin riprodhues, sipas “National Institutes of Health” – agjencia kombëtare e kërkimit mjekësor në SHBA.

Kimikatet nga plastika dhe pëlhurat mund të thithen përmes lëkurës, veçanërisht me djersën, duke hyrë potencialisht në qarkullimin e gjakut.

Ato ndërhyjnë në prodhimin dhe funksionin e hormoneve, të lidhura me një kohë më të gjatë deri në shtatzëni dhe rezultate të dobëta riprodhuese.

Vetë poliesteri mund të mos jetë fajtori i vetëm, por kimikatet e përdorura në prodhimin dhe trajtimin e tij, veçanërisht në veshjet sportive, janë një shqetësim i rëndësishëm për çrregullimet endokrine dhe pjellorinë tek burrat dhe gratë.

Poliesteri, një nga materialet më të zakonshme të veshjeve në botë, mund të mbartë rreziqe të fshehura shëndetësore përtej ndikimit të tij mjedisor.

I prodhuar nga plastika me bazë nafte, poliesteri shpesh përmban kimikate si ftalate – komponime të lidhura me çrregullime të sistemit endokrin.

Kur vishet direkt në lëkurë, këto kimikate mund të depërtojnë në trup, duke ngritur shqetësime në lidhje me ekspozimin afatgjatë.

Përveç kësaj, është edhe çështja e derdhjes së mikroplastikës: çdo larje lëshon fibra të vogla plastike në sistemin e ujit, duke kontribuar në ndotjen e përhapur në oqeane dhe zinxhirët ushqimorë.

Përtej shqetësimeve rreth kimikateve, hulumtimet e hershme sugjerojnë se poliesteri mund të ndikojë në pjellorinë njerëzore përmes efekteve elektrostatike dhe biologjike.

Studimet e kryera te kafshët, veçanërisht te qentë, kanë treguar ulje të pjellorisë së lidhur me kontaktin e zgjatur me veshjet e poliestrës.

Pëlhura sintetike mund të gjenerojë fusha elektrostatike të vazhdueshme, dhe megjithëse ndikimi i plotë biologjik i kësaj është ende duke u studiuar, gjetjet paraprake ngrenë pyetje të rëndësishme.

Ndërsa poliesteri vazhdon të dominojë gardërobën globale, nevojiten urgjentisht kërkime më të thella për të kuptuar shkallën e plotë të ndikimit të tij në shëndetin e njeriut. //a.i/

The post Veshjet sintetike mund të ndikojnë në shëndetin riprodhues si tek burrat ashtu edhe tek gratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT

27 December 2025 at 09:42

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Prokuroria e Sarandës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve dhe kryeinspektorin dhe inspektorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Sarandë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e nisura në vitin 2023, rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre (MN) sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare”.

“Nga ana e punonjësve të IVMT Bashkia nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative “dënim me gjobë”, njoftoi prokuroria.

Në lidhje me kvt fakte, u dërguan në gjyq shtetasit: R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”; Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”; Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

/m.q/j.p/

The post Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Lasgush Poradeci, 126 vjet nga lindja e poetit

27 December 2025 at 09:39

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ 126 vjet më parë lindte poeti ynë i madh, Llazar Gusho, i njohur me emrin e penës, Lasgush Poradeci.

Lasgush Poradeci lindi në familjen Gusho, më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. U quajt Llazar, ndonëse do të arrinte përjetësinë në sajë të emrit të tij të penës. Në moshën 10-vjeçare ndoqi mësimet në Manastir dhe më pas u zhvendos në Athinë, ku mbaroi liceun. Në vitin 1921 iu drejtua Rumanisë për të vijuar me studimet e larta. Në Bukuresht, u përfshi në radhët e lëvizjes atdhetare të kolonisë shqiptare dhe iu besua detyra e sekretarit të përgjithshëm.

Në vitin 1933 u botua vëllimi i parë i poetit “Vallja e yjeve” dhe më 1937-n, u publikua vëllimi pasues “Ylli i zemrës”. Ndër të tjera, Poradeci shkroi poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta” dhe “Kamadeva”.

Vepra e Poradecit, e cila është një triptik që i këndon dashurisë, lirisë dhe liqenit të Ohrit, zë një vend të privilegjuar në letërsinë shqiptare. Tiparet e përveçme të penës së Lasgushit ishin vargëzimi dhe melodia e hollë, ndërsa tema e dashurisë ishte tema më e rrahur në mesin e mbi 100 poezive të tij që dallojnë për dikotomi mes fjalëve arkaike dhe eksperimenteve leksikore.

Lasgush Poradeci përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, sikurse: “Eugjen Onjegini” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat dhe lirikat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit etj.

/m.q/j.p/

The post Përkujtohet Lasgush Poradeci, 126 vjet nga lindja e poetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

27 December 2025 at 09:20

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

Vetëm 19.187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 26 nëntor-6 dhjetor.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. /KosovaPress/

The post Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati

27 December 2025 at 09:00

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Historia e saj është dëshmi se edhe në përvojën më të errët, njeriu mund të gjejë dritë për të vazhduar përpara. Është historia e një gruaje që, megjithëse e goditur fort nga jeta, zgjodhi të jetojë, të krijojë dhe të mos e humbasë shpresën.

Blerina Kalthi është vetëm 37 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, që jeton në fshatin Sanxhak të Laçit. Një prej sprovave më të mëdha me të cilat i është dashur të përballet në jetë është ajo e betejës me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje i hodhi “rrënjët” e para tek i vëllai, i cili ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, i diagnostikuar me tumor në kokë.

“Në vitin 2012, vëllai im u diagnostikua me tumor në kokë. Ne ishim vetëm dy fëmijë. Ai nuk kishte asnjë shenjë, thjesht një dhimbje të lehtë koke. Kishte bërë kontrolle të shumta, pasi asokohe jetonte në Francë atë kohë, e dërguam për kontroll edhe në Belgjikë, por ai kishte një tumor agresiv në qendër të trurit. Vëllait nuk i bëhej, as ndërhyrje, as kimioterapi dhe ne e humbëm për vetëm 45 ditë në moshën 28-vjeçare”, tha Kalthi, për ATSH.

Blerina tha se menjëherë pas kësaj përvoje të hidhur, kaloi një periudhë të errët depresioni, ndërsa kishte edhe të birin vetëm katër muajsh.

Ajo thotë se jeta vazhdoi mes dhimbjes pafund, kur në vitin 2021, u bë shkak një dhimbje e lehtë në gjoks që Blerina të konfirmonte diagnozën e kancerit në gji.

“Kisha një tumor që në gjuhën e mjekëve quhet me qeliza kulluese. Tumori u përhap shumë shpejt në mitër, mëlçi dhe në gjak. Kam bërë 28 seanca kimioterapie, dy ndërhyrje dhe transplant të palcës kurrizore në Turqi. E gjithë kjo periudhë e vështirë ka zgjatur tre vite, ndërkohë që unë mbyllesha në vetvete, urreja botën, nuk doja njerëzit dhe askënd afër. Për shumë muaj nuk kam mundur as të eci”, tha Kalthi.

37-vjeçarja u shpreh se nuk mund ta quajë veten plotësisht të shëruar, pasi është ende me terapi, suplemente dhe ndjekje të vazhdueshme nga mjekët e spitalit Onkologjik për ecurinë e sëmundjes.

Por, goditjen e tretë me diagnozën e kancerit, do ta merrte nga nëna e saj, e cila në janar të vitit të kaluar, në moshën 68-vjeçare, u diagnostikua me kancer malinj në gjoks.

Ajo thotë se e ëma iu nënshtrua disa analizave specifike që e çuan në heqjen e gjirit deri në pjesën e limfomave nën sqetull.

Por, mes kësaj stuhie emocionesh, ajo zgjodhi të mos dorëzohet. Gjeti forcë tek duart e saj, tek krijimtaria dhe arti. Punimet artizanale u bënë streha e saj shpirtërore, një mënyrë për të shprehur dhimbjen, por edhe shpresën. Çdo punim mban brenda një histori, një luftë të fituar, një kujtim të dashur dhe një dëshirë të fortë për jetën.

“Me punimet e pikturës dhe ato në allçi jam njohur dy vitet e fundit nga një mikesha ime. Ajo më ofroi në kurs për t’u rikuperuar pak nga situatat e vështira që kalova. Nuk mendova që do e përvetësoja aq shpejt, por kuptova që ky kishte qenë një pasion i fshehur i imi. Lindi si një dëshirë e momentit, që më pas u kthye në burim të ardhurash për veten, familjen e që më ndihmoi në rritjen e fëmijëve”, pohoi Kalthi.

Faqja e saj online “Art me dashuri” është një pikë takimi me të pasionuarit pas artizanatit, që zgjedhin të blejnë kundrejt çmimeve simbolike suvenire në allçi apo tablo pikture.

Kalthi tha se ka shumë njerëz që e kanë “përqafuar” artin e saj, edhe në shenjë sensibilizimi dhe mbështetje për një grua të re, nënë e dy fëmijëve që ka kaluar një kalvar vuajtjesh dhe dhimbjesh, por që nuk u dorëzua kurrë.

Krijimtaria i jep kuptim ditëve të saj mes përditshmërisë së punëve në shtëpi në fshatin Sanxhak të Laçit, por njëherësh e ndihmon të përballojë humbjen e vëllait dhe frikën për shëndetin e nënës, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe frymëzim për shumëkënd.

Nga intervista me Blerina Kalthin në Laç; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 9

/e.i/r.e/

The post Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulohet një rrjet i ri i trurit që lidh mendjen dhe trupin

27 December 2025 at 09:00

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/- Hulumtimet e fundit të publikuara në fund të vitit 2025 kanë identifikuar një rrjet të trurit të panjohur më parë, të cilin studiuesit e kanë quajtur rrjeti i veprimit somato-kognitiv, ose SCAN.

Zbulime të tjera të kohëve të fundit kanë identifikuar një rrjet të fshehur të nanotubave që lidhin neuronet dhe një lloj të ri qelize neuroni.

Në një studim të botuar në “Nature”, studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Saint Louis identifikuan një rrjet të trurit të pazbuluar më parë që mund të jetë përgjegjës për lidhjen mendje-trup.

Rrjeti duket se integron qëllimet, fiziologjinë dhe lëvizjen e trupit të një individi, duke shpjeguar potencialisht pse gjendjet mendore si ankthi mund të shkaktojnë përgjigje fizike (p.sh., pëllëmbë të djersitura ose një zemër që rreh fort).

Rrjeti përfshin zona të korteksit motorik që më parë mendohej se ishin të përfshira vetëm në prodhimin e lëvizjes, duke sfiduar një pikëpamje të gjatë në neuroshkencë.

Studiuesit përdorën fMRI precize për të skanuar pjesëmarrësit në mënyrë të përsëritur, si në qetësi ashtu edhe gjatë kryerjes së lëvizjeve, dhe vunë re zona të qëndrueshme dhe të ndërlidhura në korteksin motorik që lidheshin me rajonet e trurit – të lidhura me planifikimin dhe qëllimet e nivelit të lartë (rrjeti cingulo-operkular).

Nanotubat midis neuroneve: Një studim i botuar në “Science” në tetor 2025 identifikoi një rrjet të ri tubash të vegjël dhe të hollë që lidhnin neuronet me njëri-tjetrin.

Këto “nanotuba dendritike” u zbulua se transportonin molekula të implikuara në sëmundje si Alzheimeri, duke sugjeruar se ato mund të luanin një rol në përhapjen e sëmundjeve neurodegjenerative.

Në shkurt të vitit 2025, shkencëtarët në Universitetin British Columbia zbuluan një lloj të ri neuroni, të quajtur “qeliza vezake”, të vendosura në hipokampus.

Këto qeliza janë thelbësore për kujtesën e njohjes së objekteve dhe mund të ofrojnë njohuri të reja në trajtimin e sëmundjeve si, sëmundja e Alzheimerit dhe epilepsia. //a.i/

 

 

 

 

 

 

The post Zbulohet një rrjet i ri i trurit që lidh mendjen dhe trupin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media britanike “Which?”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të mira për pushime

27 December 2025 at 08:45

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/- Një udhëtim me anije prej 600 miljesh në Nil, një vizitë në Shqipëri apo një turne rreth pamjeve romake të Britanisë së Madhe ishin ndër destinacionet më të mira për pushime sipas ekspertëve të turizmit, shkruan Kate Pasola në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Which?”.

Secila nga këto vende u vlerësua si më e mira në ofrimin e çdo lloj pushimi, nga turnetë me shoqërues deri te pushimet në plazh. Mund të jeni të sigurt se ato ofrojnë pushime të shkëlqyera!

Ekspertët rekomanduan destinacione – ku turistët mund të eksplorojnë jetën e egër, vijën bregdetare, vendet historike dhe kulturore – si dhe alternativa që ishin më shumë një frymëzim për udhëtime autentike në vitin 2026.

Shqipëria

E konsideruar nga ekspertët e turizmit si destinacioni më mahnitës për pushime në plazh me çmime të përballueshme, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa thjesht një udhëtim në Mesdhe.

Ju mund të eksploroni gjithçka, nga fshatrat e listuara në UNESCO me arkitekturën magjepsëse të epokës osmane deri te vendet piktoreske përgjatë Rivierës Shqiptare.

Turistët do të kenë mundësinë të bëjnë një xhiro me anije rreth gadishullit, të vizitojnë kështjella dhe zonat ku prodhohet vera vendase.

Shqipëria ka disa nga vreshtat më të vjetra në botë.

“One Traveller”, operatori turistik britanik, e ka përshkruar Shqipërinë si një zgjedhje të shkëlqyer për pushime solo në zemër të Evropës.

Udhëtimi për shtatë netë në Shqipëri kushton 2,510 euro për person.

Çmimi përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, pijeve dhe turet.

Nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë, “One Traveller” rekomandon muajt maj, qershor, shtator dhe tetor.

Media britanike “Which?”, duke ndjekur sugjerimet e ekspertëve të turizmit, ka renditur destinacionet më të mira për udhëtime autentike në vitin 2026:

Shqipëria
Austria
Japonia
Anglia Veriore
Vietnami&Kamboxhia
Egjipti
India
Kosta Rika   //a.i/

https://www.which.co.uk/news/article/most-popular-tours-best-holidays-2026-aIFT48J18Nr4

 

 

 

 

The post Media britanike “Which?”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të mira për pushime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Musabelliu: Mbështetje biznesit për përmbushjen e standardeve për të operuar në tregun unik të BE-së

27 December 2025 at 08:43

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është një proces që prek vetëm institucionet, por mbi të gjitha kërkon përgatitjen reale të biznesit shqiptar për të operuar në tregun e vetëm europian.

Zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu në një intervistë për ATSH-në, u shpreh se anëtarësimi në BE duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me një transformim strukturor të vetë biznesit, si kusht për konkurrencë dhe funksionim të qëndrueshëm në një treg me rregulla të unifikuara.

Sipas Musabelliut, elementi i parë thelbësor lidhet me kapacitetet e biznesit.

“Integrimi në BE do të thotë që biznesi duhet të ketë burimet e nevojshme për të konkurruar dhe për të vepruar në tregun e vetëm europian”, thekson ai.

Kjo përfshin jo vetëm madhësinë apo kapitalin, por edhe mënyrën e organizimit, menaxhimit dhe qasjes ndaj tregut.

Po aq e rëndësishme, sipas zv.ministrit, është përmbushja e standardeve të prodhimit dhe operimit.

Bizneset shqiptare, veçanërisht ato që aktualisht nuk eksportojnë në BE, do të duhet të rrisin standardet e tyre në mënyrë që të jenë funksionale në tregun e përbashkët europian.

“Nuk do të ketë dy realitete të ndryshme, një për Shqipërinë dhe një për BE-në. Rregullat e BE-së do të zbatohen edhe këtu”, shpjegon Musabelliu, duke nënvizuar se anëtarësimi nënkupton një treg të vetëm, me të njëjtat kërkesa.

Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka nisur punën për hartimin e një programi kombëtar për përgatitjen e biznesit shqiptar për tregun e vetëm europian. Aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar e gatishmërisë, për të vlerësuar se ku ndodhen sektorë të caktuar të ekonomisë shqiptare në raport me kërkesat e anëtarësimit dhe funksionimit në tregun e përbashkët.

Bazuar në këtë analizë, programi do të ndërtohet mbi tre shtylla kryesore.

Shtylla e parë është informimi.

Zv.ministri thekson se është thelbësore që biznesi të kuptojë qartë se çfarë do të thotë të operosh në një treg me rreth 450 milionë konsumatorë, me rregulla më të forta dhe praktika të ndryshme nga ato të tregut vendas.

Shtylla e dytë lidhet me ndërtimin e kapaciteteve.

Programi parashikon trajnimin e një numri të caktuar konsulentësh dhe biznesesh, të cilët do të punojnë drejtpërdrejt me sipërmarrjet për të rritur aftësitë e tyre operuese dhe konkurruese në tregun europian.

Shtylla e tretë është mbështetja financiare, e cila mund të realizohet përmes kredive sovrane, garancive sovrane, granteve të drejtpërdrejta apo skemave të tjera financimi.

Sipas Musabelliut, qëllimi është që të bashkohen të gjithë aktorët për të mbështetur biznesin në forma të ndryshme, në mënyrë që ai të jetë gati që ditën e anëtarësimit të mund të operojë normalisht në tregun e BE-së.

Zv.ministri thekson se Shqipëria nuk po e nis sot këtë proces.

Prej rreth tre dekadash, vendi ka punuar për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së. Në disa sektorë, ky përafrim arrin në 80% apo më shumë, ndërsa në të tjerë është më i ulët.

“Në një vlerësim të përgjithshëm, sot mund të jemi rreth 60–65% të përafruar me legjislacionin e BE-së. Synimi është që ditën e anëtarësimit të shkojmë në rreth 90%, pasi disa elementë plotësohen vetëm pas anëtarësimit”, shpjegon ai.

Në këtë proces, një rol të rëndësishëm luan edhe CEFTA, të cilën Musabelliu e konsideron si një ushtrim parapërgatitor drejt tregut të përbashkët europian.

Aktet që zbatohen në kuadër të CEFTA-s janë në përputhje me ato të BE-së dhe në sektorë të caktuar, si tregtia e fruta-perimeve, Shqipëria operon lirshëm brenda rajonit me të njëjtat rregulla që zbatohen edhe në BE.

“Një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të avancojë në kuadër të integrimit është njohja e konformitetit të produkteve. Kjo nënkupton që një produkt i certifikuar në Shqipëri të mos ketë nevojë për ricertifikim në tregun europian, proces që lidhet drejtpërdrejt me akreditimin, certifikimin dhe standardizimin”, deklaroi Musabelliu.

Sa i përket mbështetjes nga Bashkimi Europian, Musabelliu sqaron se BE ofron një sërë skemash financiare për biznesin, veçanërisht në sektorë që lidhen me digjitalizimin, inovacionin dhe eficiencën energjetike.

Megjithatë, këto fonde nuk jepen përmes shtetit, por aplikohen drejtpërdrejt nga vetë bizneset pranë institucioneve të BE-së. Për këtë arsye, Musabelliu vlerëson se rritja e kapaciteteve të biznesit shqiptar për të aplikuar dhe përthithur këto fonde mbetet një prioritet kyç i qeverisë në procesin e integrimit europian. /j.p/

The post Musabelliu: Mbështetje biznesit për përmbushjen e standardeve për të operuar në tregun unik të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit në Elbasan, fluks prenotimesh në Gjinar dhe Funar

27 December 2025 at 08:32

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Atmosfera e festave të fundvitit ka gjallëruar rrugët dhe sheshet e qytetit të Elbasanit.

Në zemër të qytetit, mes mureve shekullore të kalasë dhe portës së saj simbolike, sheshi “Hans Ditrih Gensher” është kthyer në epiqendrën e festimeve.

Në këtë shesh janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekoreve festive, ku banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha për ATSH-në se atmosfera festive ka nisur që në fillim të dhjetorit, me një kalendar të pasur aktivitetesh për të gjitha moshat, duke e bërë qytetin gjithnjë e më të gjallë, veçanërisht në orët e mbrëmjes.

Artistë vendas dhe të huaj, grupe vallëzimi, DJ dhe këngëtarë të njohur ngjiten në skenën e improvizuar në shesh, duke krijuar një atmosferë që e kthen qytetin në një festë të hapur për të gjithë.

Këto festa janë kthyer në një mundësi mjaft të mirë për gjallërimin e Elbasanit dhe nxitjen e turizmit. Qytetarë të shumtë elbasanas kanë vendosur ta festojnë ndërrimin e viteve në pika turistike, por edhe në lokalet e njohura të qytetit.

Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në bashkinë Elbasan, Artur Guni, pohon se Gjinarin këtë fundvit e karakterizon një fluks i shtuar prenotimesh, falë kushteve komode që ofron për pushuesit.

Sipas tij, bujtinat e hapura së fundmi, lokalet e shumta dhe investimet në shërbime kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit për të kaluar ndërrimin e viteve në këtë zonë turistike piktoreske.

Kërkesa të larta janë regjistruar gjithashtu edhe për zonat e tjera turistike të bashkisë, si Funari, por edhe brenda qytetit të Elbasanit, ku turistë vendas dhe të huaj kanë kryer prenotime për të shijuar natyrën, qetësinë dhe ofertën festive të fundvitit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat hoteliere, agjencitë turistike dhe operatorët e turizmit në bashkinë Elbasan, numri i turistëve nga gushti deri tani arrin rreth 11 mijë vizitorë.

Në këto ditë festash, Elbasani ndryshon ritëm. Çdo ditë që kalon, qyteti gjallërohet më shumë, duke treguar se Elbasani di të festojë, të ruajë traditat dhe të krijojë një atmosferë të ngrohtë mikpritëse.

/k.s/j.p/r.e/

The post Festat e fundvitit në Elbasan, fluks prenotimesh në Gjinar dhe Funar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strukturat akomoduese në Shkodër të rezervuara për fundvit, kalendar i pasur artistik deri në janar

27 December 2025 at 08:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH-Ermira Isufaj/ Me traditën kulturore, mikpritjen dhe ofertën e pasur festive, Shkodra edhe këtë fundvit është një nga destinacionet për turistët vendas e të huaj. Sheshi para bashkisë është kthyer në epiqendër të festimeve me interpretimin e këngëtarëve më të njohur.

Drejtoresha e Kulturës në bashkinë e Shkodrës, Sara Smaja tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se ky vit erdhi tërësisht ndryshe jo vetëm për qytetarët shkodranë, por edhe për turistët e shumtë.

Smaja pohoi se kalendari i aktiviteteve për festat e fundvitit do të vazhdojë deri në natën e ndërrimit të viteve, ku do të performojnë disa artistë të njohur si Arilena Ara, Noizy, Elvana Gjata, Sidrit Bejleri, si dhe do të plotësohet nga spektakli i fishekzjarreve.

Ajo shprehet se risia e këtij viti është shtrirja e sheshit festiv në disa pika kryesore të qytetit. “Për fëmijët ka një hapësirë pranë lulishtes së bashkisë Shkodër me lojëra të ndryshme, ndërkohë që rinia këtë vit ka shtëpizën e saj pranë pedonales “Kolë Idromeno”. Ato e kanë menaxhuar dhe servirin për të gjithë produkte të prodhuara nga vetë ato, fitimet e të cilave do të shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë. Të rinjtë me “Act4Shkodra” janë fryma e këtij viti e rinisë shkodrane jo vetëm në shtëpizën e tyre, por në të gjithë sheshin, me animacione, por edhe vullnetarizëm në shërbim të fëmijëve dhe të gjithëve që kanë nevojë pranë shesheve festive”.

Ajo shton më tej se ky është viti i tretë që bashkia Shkodër sjell atmosferën e fundvitit në një tjetër dimension. “Rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme duke dyfishuar numrin e turistëve. Sot në strukturat akomoduese të Shkodrës është vështirë të gjesh vende të lira për të rezervuar për ditët e fundvitit. Aktivitetet kanë qenë çdo natë të gërshetuara me sheshin festiv, por edhe në teatrin “Migjeni” me premierat që ka sjellë dhe varietetin e humorit dhe këngës “Kartolinën ta dërgova”, si edhe koncerti i Orkestrës Simfonike me të ftuar sopranon e njohur ndërkombëtare Marigona Qerkezi”.

Institucionet e tjera kulturore, si Muzeu Historik i Shkodrës dhe Galeria e Arteve, kanë përgatitur programe të veçanta për këtë periudhë, duke ofruar shfaqje teatrore, koncerte, ekspozita dhe veprimtari artistike që pasqyrojnë trashëgiminë dhe krijimtarinë bashkëkohore të qytetit.

Krahas kalendarit festiv dhe fluksit të shtuar të turistëve, Smaja tha për ATSH-në, se bashkia njëherësh ka ndërmarrë një seri masash për mbarëvajtjen e aktiviteteve, si edhe rendin e sigurisë në qytet.

“Që me nisjen e muajit festiv, Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit kanë marrë masa në mbarëvajtjen e aktiviteteve jo vetëm në sheshin festiv, por edhe orientimin e trafikut në qytet. Është periudhë feste dhe Shkodra këtë vit ka treguar se është kryeqyteti i festimeve në organizim, por edhe atë çfarë i ofron atyre që e vizitojnë Shkodrën, qytet i cili çdo herë të mirëpret me ftesën “Ardhshi të bardhë””.

Turistët vendas, por edhe ata të huaj, përtej kalendarit artistik për fundvitin, kanë interes të shtuar edhe për atraksionet historike dhe natyrore të zonës së qarkut Shkodër si kalaja e Rozafës, liqeni i Shkodrës, lumi Buna, Thethi, Valbona, mali i Thatë, mali i Veleçikut, që mbeten pjesë e listës së atraksioneve edhe gjatë dimrit.

Festat në Shkodër; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 27

/e.i/r.e/

The post Strukturat akomoduese në Shkodër të rezervuara për fundvit, kalendar i pasur artistik deri në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Foshnja e parë në botë lind me ADN-në e tre personave

27 December 2025 at 08:25

LONDËR, 27 dhjetor /ATSH/- Shkencëtarët britanikë kanë kombinuar me sukses ADN-në e tre personave të ndryshëm – një baba, një nënë dhe një donator – për të krijuar foshnje krejtësisht të shëndetshme, të paprekura nga sëmundjet gjenetikisht të trashëguara, sipas BBC.

Kjo teknikë inovative, e njohur si “Transferimi Pronuklear”, nuk është vetëm një progres në mjekësinë riprodhuese, por një hap revolucionar në gjenetikë, duke ofruar shpresë të re për prindërit që mbartin sëmundje vdekjeprurëse mitokondriale.

Në këtë metodë, bërthama e një veze të fekonduar nga prindërit transferohet në vezën e një donatori – një vezë që i është hequr bërthama e vet, por ruan mitokondritë e shëndetshme.

Rezultati është një embrion që mbart identitetin gjenetik të prindërve, por funksionon me “bateritë qelizore” (mitokondritë) e shëndetshme të një personi të tretë.

Është si të zëvendësosh të gjithë rrjetin elektrik të një qyteti pa ndryshuar arkitekturën e tij, duke siguruar që nuk do të ketë kurrë ndërprerje të energjisë – në këtë rast, fillimin e një sëmundjeje gjenetike.

Rezultati? Tetë foshnje të lindura pa asnjë gjurmë të çrregullimeve mitokondriale në testet dhe ekzaminimet mjekësore.

Kjo është një arritje revolucionare jo vetëm shkencërisht, por edhe etikisht dhe shoqërisht, pasi shënon herën e parë që njerëzimi mund ta ndalojë në mënyrë efektive dhe të përhershme transmetimin e disa sëmundjeve vdekjeprurëse.

Kjo teknologji nuk shpëton vetëm një brez – ajo mbron shëndetin e brezave që do të vijnë, duke e bërë atë një nga momentet e rralla kur shkenca vërtet ia kalon vetë kohës! //a.i/

The post Foshnja e parë në botë lind me ADN-në e tre personave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viktimat e trafikimit, shteti merr përgjegjësinë e mbrojtjes edhe pa dëshmuar në gjykatë

27 December 2025 at 07:50

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e rregullave të reja për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit, duke vendosur shtetin përpara përgjegjësisë direkte financiare dhe operacionale.

Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, për “Procedurat standarde të veprimit”, thuhet se një nga pikat më të rëndësishme të udhëzimit të ri është shkëputja e ndihmës humanitare nga procesi gjyqësor.

Sipas vendimit të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se “mbrojtja dhe riintegrimi ofrohen pavarësisht gatishmërisë apo aftësisë së viktimës për të dëshmuar në gjykatë”.

Në këtë vendim, sanksionohet fakti që një grua apo vajzë që është viktimë e trafikimit, do të marrë ushqim, strehim dhe rehabilitim nga shteti, pavarësisht faktit nëse çështja do të trajtohet në gjykatë. Shteti e njeh rehabilitimin jo thjesht si detyrim ligjor, por si masë parandaluese që viktima të mos bjerë sërish pre e rrjetit.

“Çdo personi të identifikuar si viktimë apo viktimë të mundshme të trafikimit do t’i ofrohet ndihmë dhe mbrojtje falas, dhe do t’i garantohet në kohë ndihma dhe mbrojtja e zgjedhur prej tij/saj. Të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme të trafikimit do të kryhen në çdo moment, duke marrë masa serioze të ruajtjes së sigurisë”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se procedurat standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave të trafikimit kanë për qëllim të ofrojnë një kuadër të qartë, të harmonizuar dhe funksional për të gjitha hallkat institucionale shtetërore dhe joshtetërore të përfshira në trajtimin e këtij fenomeni kompleks dhe të ndjeshëm.

“Këto procedura janë ndërtuar mbi parimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe vendosin në qendër të veprimit viktimën, duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse, të ndjeshme ndaj gjinisë, aftësisë së kufizuar dhe moshës, si dhe të përshtatur me nevojat individuale të çdo rasti. Ato synojnë jo vetëm parandalimin e trafikimit, por edhe një përgjigje efektive dhe të koordinuar për identifikimin, mbrojtjen, asistencën, kthimin vullnetar të asistuar dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme, pavarësisht nëse janë shtetas shqiptarë apo të huaj, dhe pavarësisht nëse janë të identifikuar brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, cilësohet në njoftim.

Vendimi shfuqizon aktin e mëparshëm të vitit 2018 dhe vendos theks të veçantë te mbrojtja e fëmijëve, duke parashikuar që në çdo rast vendimmarrja të bazohet në parimin e “interesit më të lartë të fëmijës”.

Po ashtu, parashikohet trajtim i specializuar për kategori specifike si gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara apo ata që kanë pësuar trauma të rënda psikologjike.

Për viktimat e huaja në Shqipëri ose shqiptarët jashtë, kthimi në shtëpi do të bëhet vetëm nëse është “vullnetar dhe i asistuar”, dhe pasi të jetë vlerësuar se jeta e tyre nuk është në rrezik në vendin e origjinës.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

/e.i/a.f/r.e/

The post Viktimat e trafikimit, shteti merr përgjegjësinë e mbrojtjes edhe pa dëshmuar në gjykatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të fjeturit në temperatura të ftohta ndihmon në djegien e yndyrave dhe ngadalësimin e plakjes

27 December 2025 at 07:40

TIRANE, 27 dhjetor /ATSH/- Gjumi është çelësi i shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Studimet e fundit sugjerojnë se të fjeturit në temperatura të ftohta ndihmon në djegien e yndyrave dhe ngadalësimin e plakjes, sipas “VeryWell Health”.

Gjithashtu, mund të ndihmojë për një gjumë cilësor dhe përmirësimin e humorit

1. Cilësia e gjumit tuaj mund të përmirësohet
Meqenëse hulumtimet sugjerojnë se shumë njerëz flenë më pak ndërsa temperaturat rriten, të fjeturit në një dhomë të ftohtë mund t’ju ndihmojë të flini më shumë dhe me cilësi më të mirë.

Temperatura e ftohtë stimulon prodhimin e melatoninës – një hormon që sinjalizon se është koha për të fjetur – kështu që mund të bini duke përmirësuar potencialisht cilësinë e përgjithshme të gjumit.

2. Mund të bini në gjumë më shpejt
Temperatura e trupit tuaj bie natyrshëm ndërsa përgatiteni të shkoni në shtrat – kështu që të qenit në temperatura të ftohta mund ta mbështesë këtë proces duke i sinjalizuar më shpejt trupit tuaj se është koha për të fjetur.

Kjo mund të mbështesë një fillim më të shpejtë të gjumit, pasi hulumtimet tregojnë se temperaturat e ngrohta mund të vonojnë kohën për të rënë në gjumë.

3. Mund t’ju ndihmojë të përballoni djersitjet e natës
Djersitjet e natës mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit. Sigurohuni që temperatura e dhomës suaj të jetë e ftohtë për t’ju ndihmuar të pushoni më mirë.

4. Rreziku i diabetit mund të zvogëlohet
Mbajtja e termostatit tuaj të ulët gjatë natës mund të ndihmojë në parandalimin e gjendjeve metabolike, si diabeti.

Hulumtimet tregojnë se temperaturat e ftohta nxisin aktivitetin metabolik – konkretisht, duke shkaktuar djegie më të mirë të kalorive dhe duke rritur masën e indit dhjamor  (të mirë).

Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në ndjeshmëri më efektive ndaj insulinës në trup.

Ndjeshmëria ndaj insulinës i referohet faktit se sa mirë trupi juaj i përgjigjet insulinës, duke tërhequr glukozën e gjakut në qeliza për të prodhuar energji.

Njerëzit me prediabet dhe diabet të tipit 2 kanë ndjeshmëri të reduktuar ndaj insulinës, duke çuar në glukozë të lartë në gjak.

5. Ngadalëson procesin e plakjes
Përveçse është një hormon gjumi, melatonina është gjithashtu një antioksidant që mbështet ngadalësimin e procesit të plakjes.

Meqenëse të fjeturit në një temperaturë të ftohtë mund të nxisë prodhimin e melatoninës, është e mundur që përpjekjet e përgjithshme kundër plakjes në trup të përmirësohen. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fjeturit në një dhomë më të ftohtë nuk përmirëson vetëm rehatinë por mund ta ndihmojë trupin të djegë dhjamin dhe të ngadalësojë disa procese të plakjes, sipas “VeryWell Health”.

Temperaturat e ftohta mund të aktivizojnë dhjamin, i cili djeg kalori për të gjeneruar nxehtësi, dhe gjithashtu per te mbështetur nje cikel te gjumit më të thelle dhe më efikas.

Temperaturat e ftohta mund të aktivizojnë yndyrën, e cila djeg kalori për të gjeneruar nxehtësi, dhe gjithashtu mbështet një cikël gjumi më të thellë dhe më efikas.

Hulumtuesit i lidhin këto efekte me përmirësimin e ekuilibrit metabolik dhe hormonal gjatë natës.

Shkencëtarët vërejnë se temperaturat e ulëta gjatë gjumit mund të ndikojnë gjithashtu në prodhimin e melatoninës, një hormon i lidhur si me cilësinë e gjumit ashtu edhe me riparimin qelizor.

Rregullimi më i mirë i melatoninës është shoqëruar me uljen e inflamacionit dhe ngadalësim të procesit të plakjes.

Përfitimet duken më të qëndrueshme kur mjediset e ftohta shoqërohen me orare të rregullta gjumi.

Sipas studimit, ndryshimet e vogla mjedisore ndikojnë në shëndetin afatgjatë.

 

The post Të fjeturit në temperatura të ftohta ndihmon në djegien e yndyrave dhe ngadalësimin e plakjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 27/12/2025

27 December 2025 at 07:33

BREGU I FILDISHTË – Zgjedhje legjislative.

ITALI – Ski Alpin – Kupa Botërore për meshkuj

SEMERING (Austri) – Ski Alpin – Kupa Botërore për femra.

ANGLI – Ndeshjet e Premier League./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 27/12/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump

26 December 2025 at 23:00

BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Përpara takimit të planifikuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky diskutoi hapat e ardhshëm të planit të paqes me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të jenë në të njëjtën linjë për të mbrojtur mënyrën tonë evropiane të jetesës, pavarësisë së shteteve tona dhe paqes në Evropë”, tha sot Zelensky në platformën X. “Duhet të ketë paqe”, shtoi ai.

“Ne qëndrojmë të palëkundur në anën tuaj. Një qasje e fortë dhe e koordinuar evropiane mbetet thelbësore për paqen, lirinë dhe sigurinë. Grupi i Berlinit është gati të ndihmojë – i koordinuar ngushtë me partnerët tanë amerikanë”, u përgjigj Merz në X.

Zelensky tha se dëshiron të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump këtë fundjavë për të finalizuar një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën.

Takimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Uashingtoni.

Për më tepër, Moska ka treguar se ky plan, i cili është rishikuar nga SHBA-ja, Kievi dhe Evropa, nuk i përmbush pritshmëritë e Kremlinit.

“Kam informuar kancelarin gjerman, Merz – për punën tonë me të dërguarit e SHBA-së – të gjithë e kujtojmë formatin e takimit të Berlinit dhe produktivitetin që u arrit atje”, tha Zelensky.

“Kjo është pikërisht mënyra se si vazhdojmë të punojmë. Ne ramë dakord të vazhdojmë të veprojmë së bashku me evropianët”, shtoi ai.

Samiti i mbajtur në Berlin, në mesin e dhjetorit, ishte takimi i parë i madh i Ukrainës që përfshinte SHBA-në, Ukrainën dhe evropianët kryesorë në një vend të BE-së që nga përpjekja e re e Trump për një zgjidhje paqeje në nëntor.

“Jam mirënjohës ndaj Gjermanisë për mbështetjen e saj të palëkundur dhe të prekshme për Ukrainën dhe mbrojtjen tonë”, shtoi Zelensky në X.

“Falë bashkëpunimit tonë me Gjermaninë, mijëra jetë në Ukrainë tashmë janë shpëtuar nga sulmet ruse dhe ne po ruajmë pozicionet tona mbrojtëse për të siguruar forcën e pozicioneve tona diplomatike. Friedrich, shumë faleminderit!” shkroi presidenti ukrainas duke iu drejtuar kancelarit gjerman, Merz. //a.i/

The post FOKUS – Zelensky dhe Merz rikonfirmojnë unitetin përpara bisedimeve me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Perry Bamonte, kitaristi i grupit britanik “The Cure”

26 December 2025 at 22:35

LONDËR, 26 dhjetor /ATSH/-  Perry Bamonte, kitaristi i “The Cure”, ka vdekur në moshën 65-vjeçare, sipas “Billboard”.

Grupi njoftoi vdekjen e tij në një deklaratë të ndarë nëpërmjet faqes së tyre zyrtare të internetit, duke zbuluar se ai “vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër në shtëpi gjatë Krishtlindjeve”.

“The Cure”, grupi anglez i Rock-ut i formuar në Crawley në vitin 1976 – njoftoi vdekjen e Bamonte në një deklaratë në faqen zyrtare, duke zbuluar se ai kishte vdekur nga një sëmundje në shtëpinë e tij gjatë Krishtlindjeve.

“Me trishtim të madh konfirmojmë vdekjen e mikut dhe shokut tonë të ngushtë të grupit Perry Bamonte”, shkroi grupi.

Perry Archangelo Bamonte lindi në Londër më 3 shtator 1960. Karrierën si muzikant e filloi si anëtar i grupit “The Cure” në vitin 1984, pasi vëllai i tij Daryl u punësua si menaxher i turneut të grupit.

Më pas ai vazhdoi të bëhej teknik kitare dhe asistent personal i vokalistit, Robert Smith.

Bamote u bë anëtar me kohë të plotë i “The Cure” në vitin 1990 kur tastieristi Roger O’Donnell u largua nga grupi.

Ai luante kitarë dhe tastierë, si dhe bas me gjashtë tela dhe perkusion herë pas here.

Siç përshkruhet në deklaratën e grupit, Bamonte luajti në albumet, “The Wish”, “Wild Mood Swings”, “Bloodflowers”, “Acoustic Hits” dhe “The Cure”.

Ai gjithashtu performoi në më shumë se 400 shfaqje gjatë 14 viteve.

“Bamote u ribashkua me “The Cure” në vitin 2022, duke performuar edhe në 90 shfaqje të tjera, disa nga më të mirat në historinë e grupit, duke kulmuar me koncertin “The Show of a Lost World” në Londër më 1 nëntor 2024. //a.i/

 

The post Vdes Perry Bamonte, kitaristi i grupit britanik “The Cure” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌