FOKUS – Të menduarit pozitivisht motivon zgjedhjet tona
MILANO, 15 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Të imagjinosh një përvojë pozitive mund të ndryshojë mënyrën se si truri ruan informacionin, duke na bërë më të motivuar dhe duke kushtëzuar zgjedhjet tona.
”Rezultatet tregojnë se ne mund të mësojmë nga përvojat e imagjinuara, dhe në tru, kjo ndodh në të njëjtën mënyrë siç mësojmë nga përvojat reale”, pohon koordinatori i studimit Roland Benoit, profesor në Universitetin e Kolorados.
“Kjo nënkupton se imagjinata nuk është pasive por përkundrazi, ajo mund të formësojë në mënyrë aktive atë që presim dhe atë që zgjedhim”, shton ai.
Neuroshkencëtarët e zbuluan këtë në një eksperiment që përfshinte 50 vullnetarë, të cilëve iu kërkua të listonin 30 persona dhe t’i ndanin në tre grupe sipas faktit nëse i konsideronin të këndshëm, neutralë ose të pakëndshëm.
Pjesëmarrësit më pas iu nënshtruan imazherisë funksionale të rezonancës magnetike për të monitoruar aktivitetin e trurit të tyre ndërsa ata imagjinonin intensivisht të kishin një përvojë pozitive ose negative me secilin prej personave neutralë.
Në fund të testit, pjesëmarrësit zhvilluan një preferencë për njerëzit me të cilët ishin argëtuar më shumë në imagjinatën e tyre, dhe në një test pasues, ata treguan se i vlerësonin më shumë ata.
Kjo i atribuohet aktivizimit të rajonit të trurit të quajtur striatum ventral, i cili rregullon gabimin në parashikimin e shpërblimit dhe punon në bashkëpunim me korteksin prefrontal dorso-medial, i përfshirë në ruajtjen e kujtimeve të individëve.
Rezultatet e këtij kërkimi mund të ofrojnë mënyra të reja për të adresuar problemet e shëndetit mendor, për të përmirësuar marrëdhëniet dhe madje për të rritur performancën e atletëve dhe muzikantëve./ a.jor.
The post FOKUS – Të menduarit pozitivisht motivon zgjedhjet tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
