Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Inaugurohet “Kub Francë Shkodër” në Muzeun “Marubi”

13 January 2026 at 09:50

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u inaugurua “Kub Francë Shkodër”, një hapësirë e re kulturore digjitale që synon të lidhë artin, teknologjinë dhe edukimin në një format bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.

Kjo iniciativë, pjesë e projektit strategjik KitKubiK, shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor francez-shqiptar. Projekti realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri.

“Kub Francë Shkodër” do të ofrojë akses në trashëgiminë kulturore ndërkombëtare, do të nxisë krijimtarinë dhe angazhimin e të rinjve dhe publikut të gjerë, si dhe të forcojë edukimin kulturor përmes mjeteve digjitale dhe përvojave inovative.

“Kub Francë Shkodër” sjell për herë të parë në një muze në Shqipëri përvoja kulturore immersive përmes teknologjive të realitetit virtual dhe platformës Micro-Folie, duke ofruar qasje në mijëra vepra arti të digjitalizuara si dhe përmbajtje të kuruara të trashëgimisë dhe artit francez.

Kjo hapësirë synon të jetë një qendër dinamike për fëmijë dhe të rinj, studentë frankofonë, të apasionuar ndaj teknologjisë dhe komunitetin e gjerë të Shkodrës, duke nxitur edukimin kulturor, inovacionin dhe dialogun ndërkulturor. /j.p/

The post Inaugurohet “Kub Francë Shkodër” në Muzeun “Marubi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tafaj: Moti i ftohtë ndikon tek pacientët me sëmundje zemre, ja si të kujdesen

13 January 2026 at 09:46

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Temperaturat e ulta dhe i ftohti rrisin ngarkesën mbi zemër dhe mund të përkeqësojnë sëmundjet kardiake.

Mjekët kardiologë flasin për kujdes të shtuar në këto ditë të ftohta dimri për pacientët me sëmundje zemre, për mjekim rregullisht dhe shmangien e ekspozimit të zgjatur në të ftohtë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot një videomesazh të Dr.Ermir Tafajt, mjek kardiolog pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili jep disa këshilla për këta pacientë, por edhe për personat e shëndetshëm.

Tafaj shprehet se “moti i ftohtë dhe temperaturat e ulëta ndikojnë në gjendjen e arterieve koronorare”.

“Kemi dy kategori njerëzish, ata që mjekohen për sëmundje të zemrës dhe pacientët e shëndetshëm. Pacientët të cilët kanë probleme me enët e zemrës duhet patjetër të jenë më të kujdesshëm në temperaturat e ulëta. Duhet të marrin mjekimin e rregullt, duhet të kenë veshur disa shtresa në momentin që janë temperaturat e ulëta”, tha Tafaj.

Sipas Dr.Tafajt, në vendet me borë këto pacientë bëjnë një lloj sforcimi të shtuar duke marrë lopatat për të hequr borën në segmente të caktuara, çka mund të shfaqë edhe te pacientët që nuk kanë qenë në dijeni më përpara episode të dhimbjes së gjoksit.

“Edhe pacientët të cilët janë të shëndetshëm dhe nuk kanë qenë në dijeni që mund të kenë pasur ose jo ngushtim të enëve koronare kuptojnë që i ftohti dhe sforcimi në të ftohtë shfaq klinikën e dhimbjes së gjoksit. Duhet me patjetër të jenë të kujdesshëm të dy grupet e popullatave, si ato që kanë probleme me enët e zemrës dhe ato që janë të shëndetshëm”, tha mjeku.

“Një dhimbje shtrënguese e cila mund të përhapet majtas-djathtas gjoksit, që mund të marrë krahun e majtë ose të dy, ose mund të përhapet mbrapa shpatullave. Një dhimbje që mund të hapet dhe pushon kur ne futemi në ambient të ngrohta ose kur ndalojmë sforcimin. Këto dhimbje janë një alarm i kuq që duhet të shkohet drejt mjekut”, vijoi Tafaj.

Mjeku kardiolog u ndal edhe te simptomat e një tjetër goditjeje në zemër, siç është infarkti akut i miokardit.

“Një emergjencë e cila nuk pret. Sa më shpejt të shkojmë në urgjencë, aq më i madh do të jetë përfitimi që do të ketë muskuli i zemrës”, përfundoi Tafaj.

/e.i/j.p/

The post Tafaj: Moti i ftohtë ndikon tek pacientët me sëmundje zemre, ja si të kujdesen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Gazprom ka furnizuar më shumë gaz natyror në Kinë sesa në Evropë në vitin 2025

13 January 2026 at 09:44

MOSKË, 13 janar /ATSH-AA/ – Kompania ruse e energjisë Gazprom njoftoi se vitin e kaluar, për herë të parë, furnizoi më shumë gaz natyror në Kinë sesa në Evropë.

Gazprom tha se kompania vazhdoi të shesë gaz natyror në vendet fqinje në vitin 2025.

Thuhet se kompania rriti dërgesat e saj të gazit natyror në Kazakistan, Uzbekistan dhe Kirgistan me 22,2 për qind vitin e kaluar dhe në Gjeorgji me 40,4 për qind.

Rreth 38,8 miliardë metra kub gaz natyror iu furnizuan Kinës nëpërmjet tubacionit Power of Siberia gjatë kësaj periudhe.

Gazprom, pjesa e tregut e të cilit në Evropë është zvogëluar ndjeshëm për shkak të sanksioneve perëndimore, po ndërmerr hapa për të zhvilluar bashkëpunimin me vendet aziatike për të kompensuar humbjet e saj në sektorin e energjisë.

Përveç tubacionit Power of Siberia, Gazprom po punon edhe në Projektin Power of Siberia 2, i cili është planifikuar të furnizojë gazin rus në Kinë nëpërmjet Mongolisë me një kapacitet vjetor prej 50 miliardë metrash kub.   /os/

The post RUSI – Gazprom ka furnizuar më shumë gaz natyror në Kinë sesa në Evropë në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga reshjet në Shkodër, 800 ha tokë ende nën ujë

13 January 2026 at 09:37

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut dhe motit të keq të ditëve të fundit, njoftoi se nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë të pranishme edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Bashkia Shkodër njofton se gjatë ditës së djeshme është realizuar furnizimi i banorëve me 1 kamion.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç rreth 80 hektarë, Velipojë rreth 120 hektarë, Ana e Malit rreth 550 hektarë, Bërdicë rreth 50 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 800 hektarë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse. /e.i/j.p/

The post Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga reshjet në Shkodër, 800 ha tokë ende nën ujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat nga Tatimet, 4,7 miliardë euro në 2025-ën

13 January 2026 at 09:27

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga Administrata Tatimore, në vitin 2025 arritën 4,7 miliardë euro.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, këto të ardhura rezultuan 12% më të larta krahasuar me vitin 2024.

“Këto të ardhura janë tregues i qartë i miradministrimit tatimor, në funksion të financimit të investimeve publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët”, bëri të ditur DPT. /j.p/

The post Të ardhurat nga Tatimet, 4,7 miliardë euro në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë

TIRANË, 13 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe ku po merr pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu DhabiSustainability Week 2026” (ADSË).

Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga sisja e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që organizohet nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i Ekzekutivit është i pranishëm në këtë event me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilin e cilëson “një mik të madh të Shqipërisë”.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

The post Rama: Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

1 miliard lekë shtesë për Mbrojtjen Civile, investime dhe kompensime nga zjarret e përmbytjet

13 January 2026 at 09:23

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ka rritur ndjeshëm mbështetjen financiare për Sistemin e Mbrojtjes Civile dhe menaxhimin e emergjencave, duke parashikuar fonde të posaçme për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore në buxhetin e vitit 2026.

Në zbatim të ligjit nr. 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh në formën e transfertës së kushtëzuar, i cili ndahet në 500 milionë lekë për investime dhe 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve të prekur nga zjarret apo përmbytjet.

Paralelisht, 1.5 miliard lekë do të përdoren për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa 300 milionë lekë janë dedikuar për projekte në digat dhe rezervuarët.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, fondet e parashikuara synojnë rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës, garantimin e kompensimit për familjet e prekura, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen.

Ministria thekson se mbetet e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të Sistemit të Mbrojtjes Civile dhe në koordinimin ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një reagimi më të shpejtë dhe më efikas ndaj emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.

/gj.m/j.p/

The post 1 miliard lekë shtesë për Mbrojtjen Civile, investime dhe kompensime nga zjarret e përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

113-vjetori i Policisë së Shtetit, mijëra aksione e sakrifica në shërbim të vendit dhe qytetarëve

TIRANË, 13 janar/ATSH/- Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit, një ditë për të kujtuar dhe vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave të tërë të punonjësve të policisë në shërbim të ligjit, rendit dhe sigurisë për qytetarët shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e efektivëve të Policisë së Shtetit në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu nënvizon se në këtë 113-vjetor, me mijëra burra e gra në uniformë, mijëra aksione, mijëra sakrifica me një mision të vetëm, në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Më 13 janar të vitit 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit duke ngarkuar për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin. Halim Gostivari do të ishte drejtori i parë i Policisë së Shteti. Ndërsa më 3 qershor 1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare”.

The post 113-vjetori i Policisë së Shtetit, mijëra aksione e sakrifica në shërbim të vendit dhe qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INDI – Merz: Udhëheqja e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive

13 January 2026 at 09:20

BENGALURU, 13 janar /ATSH-DPA/- Udhëheqja aktuale e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive në të gjithë vendin, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz.

“Nëse një regjim mund të qëndrojë në pushtet vetëm përmes përdorimit të dhunës, atëherë ai në fakt ka mbaruar”, tha sot Merz gjatë një vizite në Bengaluru, Indi.

“Unë supozoj se tani mund të jemi dëshmitarë të ditëve dhe javëve të fundit të këtij regjimi”, shtoi ai.

Merz dënoi veprimet e forcave iraniane të sigurisë kundër protestuesve paqësorë, duke i përshkruar ato si “joproporcionale” dhe “brutale”.

Irani është përfshirë që nga 28 dhjetori nga vala më e madhe e protestave ndër vite.

Ajo që filloi si protesta e bizneseve për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe vështirësive ekonomike në rritje, shpejt u shndërrua në demonstrata mbarëkombëtare kundër sundimtarëve islamikë të vijës së ashpër të vendit.

Aktivistët thonë se forcat e sigurisë janë përgjigjur duke përdorur taktika brutale, duke përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave.

Grupi i të drejtave të njeriut “Iran Human Rights” (IHRNGO) me qendër në Oslo tha se të paktën 648 persona ishin vrarë që nga shpërthimi i protestave. //a.i/

The post INDI – Merz: Udhëheqja e Iranit po i afrohet fundit mes protestave masive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifë prej 25%

13 January 2026 at 09:20

UASHINGTON, 13 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa prej 25% për të gjitha vendet që bëjnë biznes me Iranin, tha dje në mbrëmje presidenti Donald Trump, duke intensifikuar presionin mbi Teheranin mes protestave mbarëkombëtare.

“Duke hyrë menjëherë në fuqi, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% për çdo biznes që bëhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”, pa sqaruar se cilat aktivitete do të bien nën “të bërit biznes”.

Ndër partnerët kryesorë tregtarë të Iranit janë India, Kina dhe Turqia.

Nuk është hera e parë që Trump ka kërcënuar me të ashtuquajturat tarifa indirekte.

Gjatë luftës në Ukrainë, ai vendosi tarifa deri në 50% për mallrat indiane për blerjet e naftës bruto ruse nga vendi.

Çdo tarifë shtesë për Kinën mund të rifillojë gjithashtu tensionet tregtare midis Pekinit dhe Uashingtonit pas një periudhe qetësie relative.

Njoftimi vjen ndërsa protestat në Iran shtrihen në javën e tretë. Demonstratat, që fillimisht shpërthyen për shkak të një krize ekonomike në thellim, janë përhapur në të gjithë vendin dhe janë shndërruar në një sfidë më të gjerë ndaj sundimtarëve islamikë të vijës së ashpër të vendit.

Përplasje dhe trazira janë raportuar në disa qytete, me trupat e sigurisë që kanë reaguar me forcë të madhe.

Aktivistët thonë se qindra protestues janë vrarë, në ato që duket të jenë protestat më masive në Iran ndër vite.

Trump ka shprehur mbështetje publike për demonstruesit dhe ka paralajmëruar udhëheqjen e Iranit kundër shtypjes. Gjatë fundjavës, ai u tha gazetarëve se qeveria në Teheran kishte shprehur dëshirën për të negociuar. //a.i/

The post SHBA – Trump: Vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifë prej 25% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTRET – Rubina, studentja 23-vjeçare, viktima e parë e represionit iranian

13 January 2026 at 07:35

ROMË, 13 janar /ATSH-ANSA/ – Vetëm 23 vjeçe, kurde, Rubina ëndërronte të punonte në fushën e modës dhe të jetonte një jetë normale.

Gjithçka përfundoi në një çast.

Represioni brutal i regjimit iranian i mori jetën, e qëlluar pas shpine.

Rubina Aminian, me origjinë nga Marivan, u vra ndërsa ishte në rrugë me shumë të rinj si ajo, duke demonstruar kundër një qeverie liberticidiste që për më shumë se dy javë ka bërë gjithçka që mundet për të heshtur një brez të lodhur, duke kërkuar të drejta edhe me koston e sigurisë së tyre.

Një brez që dëshiron liri.

E njëjta gjë që dëshironte edhe Rubina, një studente e tekstilit dhe dizajnit të modës në Kolegjin Shariati të Teheranit.

Sipas të Drejtave të Njeriut të Iranit, ajo u vra pasi la universitetin për t’u bashkuar me protestat.

Ajo u qëllua në kokë, nga pas, nga afër.

Sikur të ishte një ekzekutim.

Pasi mësuan për vdekjen e saj, anëtarët e familjes udhëtuan nga Kermanshah, ku jetojnë, në kryeqytetin, Teheran, për ta identifikuar atë.

Sipas burimeve pranë familjes të mbledhura nga OJQ-ja, në të njëjtin vend ku ishte hedhur trupi i Rubinës, në mënyrë cinike dhe tallëse pranë universitetit, ndodheshin trupat e qindra të rinjve të vrarë gjatë protestave.

Shumica ishin midis moshës 18 dhe 22 vjeç, të qëlluar nga afër në kokë dhe qafë nga forcat qeveritare.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve të verifikuara nga Agjencia e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut është aktualisht 466, por disa burime vlerësojnë se numri mund të jetë mbi 2 000.

Midis tyre është Rubina, një kurde dhe pothuajse në të njëjtën moshë me Mahsa “Jina” Aminin, vrasja brutale e së cilës shkaktoi protesta të shumta në vitin 2022, duke i dhënë jetë lëvizjes “Gratë, Jeta, Liria”.

Familjes së një viktime tjetër të ajatollahëve fillimisht iu mohua e drejta për të identifikuar trupin e Rubinës, dhe më pas refuzuan t’i linin ta merrnin atë. Kur më në fund e bënë këtë, pasi u kthyen në Kermanshah, zbuluan se forcat e inteligjencës kishin rrethuar shtëpinë e tyre.

23-vjeçarja u varros përfundimisht përgjatë rrugës midis Kermanshah dhe Kamyaran, por asnjë nga xhamitë që familja e saj iu drejtua nuk pranoi të kryente ritet e varrimit, duke shpjeguar se nuk ishin të autorizuara ta bënin këtë. Sapo u bë e ditur vdekja e saj, emri i Rubinës u bë një hashtag në mediat sociale, një thirrje për t’u bashkuar.

Imazhet e publikuara, pavarësisht ndërprerjes së internetit që zgjati mbi 60 orë, e tregojnë atë të lumtur duke aplikuar grim para kamerës dhe duke veshur disa nga krijimet e saj, duke filluar nga tonet e zbehta deri te modelet e ndritshme.

Pamje që e përjetësojnë atë ndonjëherë pa vello, por ndonjëherë të veshur me hixhab.

Sepse edhe kjo do të thotë liri./  a.jor.

The post PORTRET – Rubina, studentja 23-vjeçare, viktima e parë e represionit iranian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 13/01/2026

13 January 2026 at 07:33

SEUL (Koreja e Jugut) – Argumentet përfundimtare në gjyqin e ish-presidentit Yoon për përpjekjen për të vendosur ligjin e luftës.

NARA (Japoni) – Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi pret presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung.

PEKIN (Kinë) – Vizitë e kryeministrit kanadez Mark Carney.

PARIS (Francë) – Gjykimi i apelit i Marine Le Pen dhe 11 të tjerëve në rastin e asistentëve parlamentarë evropianë të Frontit Kombëtar.

ANKARA (Turqi) – Seancë dëgjimore penale në një rast të dyshuar për korrupsion gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2023 për partinë opozitare CHP.

PRAGË (Republika Çeke) – Votëbesim për qeverinë e kryeministrit Andrej Babis.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Seanca dëgjimore në Gjykatën Supreme mbi pjesëmarrjen e atletëve transgjinorë në sportet e grave.

FLACHAU (Austri) – Ski alpin – Kupa e Botës për femra./  a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 13/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët, ngrica të forta në rrugë

13 January 2026 at 07:30

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime si dhe alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.

Në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes përgjatë zonave luginore prezencë e mjegullës së dendur, si dhe ngrica të forta përgjatë akseve rrugore si rezultat temperaturave në vlera negative.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era me shpejtësi deri në 8 m/sek, shoqëruar me dallgëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 0/10 Diell re
Kukës -4/4 Diell re
Lezhë 1/11 Diell re
Dibër -6/2 Diell re
Durrës 4/12 Diell re
Tiranë 1/13 Diell re
Elbasan -1/12 Diell re
Berat -1/13 Diell pak re
Vlorë 2/12 Diell pak re
Korçë -6/3 Diell pak re
Gjirokastër -2/11 Diell pak re
Sarandë 4/13 Diell pak re

/r.e/

The post Mot i kthjellët, ngrica të forta në rrugë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Veliajn: Nuk u analizua shkaku i mungesës në detyrë

12 January 2026 at 23:38

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Gjykata Kushtetuese zbardhi sot të plotë vendimin për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të Republikës për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi u mor pas seancës publike të zhvilluar më 31 tetor 2025.

Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj. Si subjekte të interesuara në proces ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.

Pas seancës publike, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka pranuar me shumicë votash kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke shfuqizuar vendimin nr. 539, datë 25 shtator 2025 të Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”, të cilin e cilësoi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dekretin nr. 350, datë 1 tetor 2025 të Presidentit të Republikës, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore”, për pjesën që lidhet me Bashkinë e Tiranës, duke konstatuar shkelje të nenit 115, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës. Vendimi parashikon gjithashtu vazhdimin e masës së pezullimit të efekteve juridike të dekretit presidencial për zgjedhjet vendore në Tiranë deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Vendimi i marrë më 3 nëntor 2025 është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Në vendimin e zbardhur, Gjykata Kushtetuese thekson se nuk është marrë në shqyrtim arsyeja e mungesës për të paktën tre muaj në detyrë e kryebashkiakut Veliaj.

Në vendim thuhet: “Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka marrë për bazë vetëm faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkakun, rrethanat dhe as ndikimin e mungesës në ushtrimin e detyrës, duke mos vlerësuar nëse kjo situatë rridhte nga veprimet ose mosveprimet e vet kryetarit dhe nëse ajo mund të konsiderohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve.

Megjithatë, duhet vënë në dukje se është e mundur që mosparaqitja në detyrë për një periudhë të pandërprerë tremujore të përbëjë shkelje të rëndë në ushtrimin e detyrës nga kryetari i bashkisë, por vetëm në rastet kur ai mund dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo dallon nga rasti konkret, ku kërkuesit nuk i atribuohet asnjë lloj përgjegjësie juridike. Në këtë kuptim, shkelja e rëndë lidhet me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e tij, duke pasur parasysh se kryetari i bashkisë është organ ekzekutiv monokratik.”

Gjykata Kushtetuese konstatoi gjithashtu se Erion Veliajt nuk i ishte garantuar e drejta për një proces të rregullt ligjor. “E drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet edhe në procesin administrativ përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij. Kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe përmes parashtrimit të argumenteve prej tij ose avokatit të zgjedhur”, thuhet në vendim.

Në vendimin e pakicës, lexohet dy gjyqtaret Holta Zaçaj dhe Sonila Bejtja vlerësuan se kërkuesi nuk legjitimohet “ratione personae” për pretendimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor për shkak të mënyrës së votimit në këshillin bashkiak, me argumentin se kërkuesi nuk është mbartës i kësaj të drejte, e cila u përket anëtarëve të këshillit. Po ashtu, sipas tyre, kërkuesi nuk legjitimohet as për pretendimin se mbledhja e Këshillit të Ministrave është zhvilluar me urgjencë dhe në mungesë të pranisë fizike të anëtarëve të tij, pasi nuk ka provuar interes të drejtpërdrejtë, në kushtet kur kjo e drejtë u takon anëtarëve të këtij organi.

Po ashtu, në vendimin e pakicës theksohet se: “Qëllimi i ligjvënësit në përcaktimin e një periudhe kohore, kalimi i së cilës nuk justifikon më mosushtrimin e detyrës nga organi i zgjedhur vendor, nuk ka të bëjë me elementet subjektive të sjelljes, as me verifikimin e pasojave, e cila në këtë rast është e verifikueshme njëkohësisht me kohën e mungesës në detyrë. Për sa i përket rëndësisë së këtyre pasojave, pavarësisht shkakut që i ka sjellë, ato janë të nivelit kushtetues, për sa kohë lidhen me krijimin e pamundësisë objektive në ushtrimin e detyrave vetëqeverisëse nga organi i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli”.

Vendimi përfundimtar, që riktheu në detyrë Erion Veliajn, u mor me shumicë votash. Pro shfuqizimit të vendimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt votuan: Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.

Kundër votuan: Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.

Vendimi i plote.pdf

/a.f/

The post Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Veliajn: Nuk u analizua shkaku i mungesës në detyrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Groenlanda burim tensioni Kinë-SHBA

12 January 2026 at 22:57

NUUK (Groenlandë) 12 janar /ATSH/ – Kina deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të përdorin vende të tjera si pretekst për të ndjekur interesat e tyre në Groenlandë, duke theksuar se aktivitetet kineze në Arktik janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtar, sipas AP.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje për të marrë Groenlandën, territor gjysmëautonom i Danimarkës, aleate e NATO-s.

Ai argumenton se kjo është e nevojshme për të parandaluar ndikimin e Rusisë ose Kinës në rajon, duke rritur ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit, Kopenhagës dhe autoriteteve lokale në Groenlandë.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar se marrja kontrollit të  e Groenlandës nga SHBA-ja  do të shënonte fundin e NATO-s.

Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës dhe liderët e katër partive të tjera parlamentare kanë theksuar në një deklaratë të përbashkët se e ardhmja e territorit duhet të vendoset nga populli i tij.

Presidenti Trump i përsëriti komentet e tij gjatë fundjavës, duke thënë se SHBA-ja “duhet ta marrë Groenlandën”, përndryshe këtë do ta bënin Rusia ose Kina. Ai shtoi se preferon një marrëveshje, por theksoi se “në një mënyrë apo tjetër, Groenlanda do të jetë e SHBA-së”.

Kina, e cila në vitin 2018 u vetëshpall “shtet pranë Arktikut”, synon të zgjerojë ndikimin e saj në rajon dhe ka shpallur planet për ndërtimin e një “Rruge Polare të Mëndafshit” si pjesë e nismës globale “Brezi dhe Rruga”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze deklaroi se aktivitetet e Pekinit në Arktik synojnë paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke shtuar se të drejtat e të gjitha vendeve duhet të respektohen sipas ligjit ndërkombëtar.

Ndërkohë, pritet që përfaqësues danezë dhe gorenlandezë të zhvillojnë bisedime në Uashington këtë javë, ndërsa po përgatiten edhe vizita të senatorëve amerikanë në Danimarkë. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Groenlanda burim tensioni Kinë-SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër

12 January 2026 at 22:53

TIRANË, 12 janar /ATSh/ Të gjitha strukturat përkatëse qendrore dhe vendore janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive të shiut të ditëve të fundit.

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me institucionet qendrore, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, po vijon ndërhyrjet në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e familjeve të prekura. Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau pamje nga operacionet e ndihmës, ku shfaqen ndërhyrje të ndryshme në zonat e përmbytura.

Sipas Becit, strukturat bashkiake në bashkëpunim me Forcat e Armatosura janë të angazhuara në shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet, banesat e të cilave janë përmbytur nga uji, si dhe në sigurimin e bazës ushqimore për bagëtinë, me qëllim lehtësimin e situatës për banorët dhe fermerët e zonave të prekura.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar shpërndarja e ndihmave nga Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit, konkretisht për zonën e Obotit, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet.

Në kuadër të këtij operacioni janë shpërndarë koncentrat për bagëtitë dhe ujë i pijshëm, për të minimizuar vështirësitë e shkaktuara nga prania e ujit dhe për të garantuar furnizimin bazë për familjet e prekura.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se ndihma po shpërndahet për çdo familje të prekur nga përmbytjet dhe se angazhimi do të vijojë deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërkohë që strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo zhvillim të mëtejshëm të situatës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Padi kundër ”Charlie Hebdo” pas karikaturës për tragjedinë e Crans-Montanas

12 January 2026 at 22:22

GJENEVË, 12 janar /ATSH-AFP/ – Një avokat dhe gruaja e tij, një shkrimtare, kanë ngritur një padi në Zvicër kundër revistës satirike franceze ”Charlie Hebdo”, pas botimit më 9 janar të një karikature në lidhje me zjarrin vdekjeprurës në një bar në resortin e skive Crans-Montana, raportuan sot mediet zvicerane.

Padia, e paraqitur nga Stéphane dhe Béatrice Riand në zyrën e prokurorit publik në kantonin Valais (Zvicra jugperëndimore), synon gjithashtu karikaturistin, Eric Salch.

Karikatura përshkruan dy skiatorë me lëkurë të nxirë dhe fasha që zbresin me shpejtësi një shpati të shënuar nga një tabelë që shkruan “Crans-Montana”, e shoqëruar nga mbishkrimet “Viktimat e djegies shkojnë për ski” dhe “Komedia e vitit”, një referencë për filmin komedi të vitit 1979 “Les Bronzés font du ski”.

Karikatura u botua më 9 janar, e shpallur ditë zie kombëtare në Zvicër në nderim të viktimave të tragjedisë që la 40 të vdekur – kryesisht adoleshentë dhe të rinj – dhe 116 të plagosur në natën e Vitit të Ri.

Disa të huaj ishin midis viktimave, përfshirë francezë dhe italianë.

I kontaktuar nga AFP, ”Charlie Hebdo” nuk pranoi të komentojë.

”Kjo karikaturë përshkruan grafikisht vetë viktimat, të përdorura si element qendror i një mesazhi satirik që kufizohet me poshtërimin”, shkruan çifti Riand në ankesën e tij, e cila u botua nga faqja e lajmeve 1dex.ch me seli në Valais.

“Transformimi simbolik i viktimave të vërteta në aktorë të qeshur në një tragjedi – për të cilën ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi – përbën një dehumanizim grafik, të papajtueshëm me respektin minimal që i takon dinjitetit njerëzor”, argumentuan ata, duke pohuar se “në këtë rast të veçantë, respekti për dinjitetin njerëzor ka përparësi mbi lirinë e shprehjes”.

Ata po kërkojnë që zyra e prokurorit publik të Valais të hapë një hetim penal kundër stafit menaxhues të ”Charlie Hebdo” dhe karikaturistit të saj, dhe që të ngrejë një kërkesë për kompensim që do t’u ndahet nga kantoni i Valais të gjitha viktimave./  a.jor.

The post FOKUS – Padi kundër ”Charlie Hebdo” pas karikaturës për tragjedinë e Crans-Montanas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën

12 January 2026 at 22:14

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Teuta e Durrësit në Superligën e futbollit ka zyrtarizuar këtë të hënë firmën me sulmuesin e majtë, Manssour Fofana. 23-vjeçari nga Bregu i Fildishtë e ka nisur karrierën në Itali me Cannara në ligat e ulëta, për të vijuar më pas në Greqi me Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo.

“Sulmuesi i majtë nga Bregu i Fildishtë, Manssour Fofana, i bashkohet Teutës pas disa viteve eksperiencë në kampionatin grek, ku ka veshur fanelat e Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo. 23-vjeçari pritet të forcojë repartin ofensiv të skuadrës sonë, duke sjellë më shumë intensitet, shpejtësi dhe rrezikshmëri në sulm”, njofton klubi durrsak.

Gjatë këtij sezoni në Ligën e dytë greke, Manssour Fofana është aktivizuar në 16 takime dhe ka shënuar një gol. Trajneri i durrsakëve, Enkeleid Dobi, shpreson që klubi të ketë afruar një element me cilësi në repartin sulmues.

KF Teuta me 25 pikë pas 18 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Superligë mban vendin e pestë në klasifikim.

/m.q/a.f/r.e/

The post Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar

12 January 2026 at 22:13

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Projektligji i ri “Për Prefektin e Qarkut” është në fazën e konsultimit publik.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se me këtë projektligj “forcojmë rolin e prefektit në sigurinë publike, mbrojtjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile, duke garantuar që çdo qytetar, në të gjithë territorin e vendit, të përfitojë shërbime me standarde të larta, mbështetje dhe siguri”.

Gjithashtu, sipas Koçiut, prezantohet për herë të parë nocioni i Prefektit Detar, për monitorimin dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.

Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.

Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.

/m.q/a.f/r.e/

The post Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kurti në takim me Wikoff: Siguria e Kosovës nis nga kufijtë

12 January 2026 at 21:51

PRISHTINË, 12 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin amerikan George M. Wikoff.

Sipas një komunikate të qeverisë së Kosovës, në takimin e parë mes tyre, Kurti e uroi për marrjen e detyrës së re, duke i ofruar bashkëpunim të plotë. Ai theksoi komunikimin dhe ndërveprimin e mirë të qeverisë me misionin e NATO-s në Kosovë në garantimin e sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët.

Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe pavarësisë, që është kthyer në motor të zhvillimit ekonomik, themel të shtetndërtimit demokratik dhe mundësi për mirëqenie sociale. Për këtë, kryeministri shprehu falënderimin e popullit të Kosovës për aleancën veri-atlantike.

Duke folur për situatën e sigurisë, kryeministri nënvizoi synimin dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, si përgjigjja më e mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Kryeministri shtoi se siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj.

Kryeministri gjithashtu e njoftoi admiralin Wikoff me veprimet dhe rezultatet e institucioneve në luftimin e krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit, si dhe me investimet në mbrojtje. Ai e falënderoi admiralin Wikoff për takimin dhe bisedën dhe për kontributin e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë.

/KosovaPress/r.e/

The post Kurti në takim me Wikoff: Siguria e Kosovës nis nga kufijtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌