Muzeu i Luvrit mbylli dyert për mijëra vizitorë të zhgënjyer të hënën, ndërsa stafi nisi një grevë për të protestuar ndaj kushteve të punës, dy muaj pas grabitjes tronditëse.
Punëtorët po kërkojnë staf shtesë dhe masa për të trajtuar mbipopullimin, duke shtuar problemet e muzeut më të vizituar në botë, pikërisht ndërsa Franca po përgatitet për festat e Krishtlindjeve.
Greva vjen gati dy muaj pasi muzeu ishte viktimë e një grabitjeje gjatë ditës, ku u vodhën xhevahire kurore me vlerë 102 milionë dollarë.
Rreth 400 punonjës votuan unanimisht për të vazhduar grevën e tyre në një mbledhje të përgjithshme, ndërsa turistët që kishin shkuar posaccërisht për të vizituar muzën, janë shprehur të zhgënjyer.
Të gjithë kanë ankesa të ndryshme, duke krijuar një pamje të pakënaqësisë së stafit brenda institucionit, pikërisht kur ai e gjen veten në një qendër të vëmendjes së ashpër publike.
Stafi i pritjes dhe sigurisë ankohen se kanë mungesë stafi dhe u kërkohet të menaxhojnë flukse të mëdha njerëzish, me shtëpinë e “Mona Lisës” të Leonardo da Vinçit që mirëpret disa milion njerëz përtej kapacitetit të saj të planifikuar çdo vit.
Dobësi të mëdha sigurie u vunë në dukje në disa studime gjatë dekadës së fundit, përfshirë një audit të vitit 2019 nga ekspertët në kompaninë e bizhuterive Van Cleef.
Gjetjet e tyre theksuan se ballkoni buzë lumit, i shënjestruar nga hajdutët, ishte një pikë e dobët dhe mund të arrihej lehtësisht me një shkallë e zgjatueshme, pikërisht ajo që ndodhi gjatë grabitjes.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, ka bërë të ditur se grabitja në Muzeun e Louvre në Paris u krye nga autorë vendas dhe jo nga anëtarë të rrjeteve të krimit të organizuar, teksa hetimet për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 88 milionë euro po vazhdojnë.
Dje, Beccuau për radion ‘Franceinfo’ tha se të dyshuarit aktualisht të akuzuar janë “njerëz vendas” nga Seine-Saint-Denis, një periferi e kryeqytetit francez.
“Kjo nuk është krejtësisht delikuencë e zakonshme, por është një lloj delikuencë që zakonisht nuk e lidhim me nivelet e larta të krimit të organizuar”, tha ajo.
Komentet vijnë dy javë pasi një grup hajdutësh parkuan një kamion të vjedhur jashtë Muzeut të Louvre, përdorën një ashensor orendish për të arritur në katin e parë dhe hynë me forcë në një nga dhomat më me shumë ornamente të muzeut.
Brenda pak minutash, ata ikën me skuterë me xhevahire mbretërore, përfshirë një gjerdan me smerald dhe diamant që Napoleoni I ia kishte dhuruar dikur gruar së tij, Marie Louise, si dhe me një diademë që i përkiste Perandoreshës Eugenie, gruas së Napoleonit III.
Beccuau konfirmoi se të paktën një individ mbetet i lirë, katër persona janë akuzuar deri më tani, përfshirë një burrë 37-vjeçar dhe një grua 38-vjeçare, ADN-ja e të cilëve thuhet se u gjet në ashensorin e përdorur në grabitje.
Burri është akuzuar për vjedhje të organizuar dhe konspiracion kriminal, ndërsa gruaja përballet me akuza për bashkëpunim në vjedhje të organizuar.
Prokurorja i përshkroi ata si një çift me fëmijë që “mohuan çdo përfshirje”. Gruaja u paraqit në gjykatë të shtunën dhe shprehu shqetësim për sigurinë e familjes së saj.
Dy burra të tjerë, përkatësisht të moshës 34 dhe 39 vjeç, u arrestuan më herët dhe u akuzuan për vjedhje dhe konspiracion kriminal. Të dy kishin dënime të mëparshme për vjedhje dhe prokurorja tha se ata e kishin “pranuar pjesërisht” përfshirjen e tyre.
Tre persona të tjerë të ndaluar me çiftin më 29 tetor, u liruan më vonë pa akuza.
Beccuau tha se hetuesit ende po punojnë për të gjetur bizhuteritë e humbura.
“Ne po shqyrtojmë të gjitha mundësitë në tregun paralel për shitjen e këtyre bizhuterive. Ato mund të përdoret për pastrim parash ose tregti. Të gjitha pistat po shqyrtohen”, tha ajo.
Muzeu etnografik i Elbasanit vijon të jetë objekti më tërheqëse për tu vizituar nga turistët apo vizitorët nga mbarë bota.
Këtë herë një grup pedagogësh dhe studiuesish të huaj vizituan muzeun e qytetit.
Vinin nga vende të ndryshme si Azerbajxhani, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe disa universitete evropiane, dhe u njohën me trashëgiminë kulturore të Elbasanit dhe me mënyrën se si janë ruajtur elementet e jetesës tradicionale shqiptare ndër vite.
Vizita shërbeu si një mundësi e mirë për të forcuar lidhjet kulturore dhe akademike mes institucioneve pjesëmarrëse.
Për studiuesit e historisë dhe kulturës Elbasani është një “minierë e vogël” historie.
Vizita përfundoi me një mesazh bashkëpunimi dhe miqësie mes kulturave, që ndanë të njëjtën vlerë për historinë dhe trashëgiminë./abcnews.al
Një javë pas grabitjes së bizhuterive me vlerë rreth 100 milionë dollarë nga Muzeu i Luvrit në Paris, janë arrestuar dy persona, raporton “Le Parisien”. Njëri prej tyre u kap në aeroportin “Charles de Gaulle”, në momentin që po përgatitej të hipte në një avion me destinacion Algjerinë. Sipas mediave franceze, të dy të arrestuarit […]
TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë vijon të mbetet një nga destinacionet kulturore më të vizituara në vend. Gjatë këtij viti, mbi 27 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar muzeun, duke e kthyer 2025-ën në një nga vitet me frekuentimin më të lartë.
Drejtoresha e muzeut, Fjoralba Prifti bëri të ditur sot se pjesa më e madhe e vizitorëve janë të huaj, ndër të cilët kryesojnë shtetasit francezë.
“Nga janari, në shtator kemi pasur 27 mijë vizitorë, një ndër vitet më të mira për nga vizitueshmëria”, u shpreh ajo.
Gjatë vitit janë hapur disa ekspozita të reja, prej të cilave dy vijojnë të jenë ende të hapura. Ndër to spikat ekspozita “Koleksioni i botimeve religjioze”, ku për herë të parë prezantohen botime të rralla që kanë qenë pjesë e kishave dhe katedraleve të vjetra.
Muzeu ka pasuruar fondin e tij me ikona dhe vepra të reja të artit mesjetar, duke ofruar një përvojë edhe më të pasur për vizitorët dhe duke forcuar rolin e Korçës si qendër e rëndësishme e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar u hap në qytetin e Korçës në 24 prill 1980. Ky muze konservon trashëgiminë më me vlerë, të krijuar nga piktorët shqiptarë nder shekuj.
Pikturat e periudhës pasbizantine janë ekspozuar në pavijonin e artit ikonografik. Ato janë piktura të shekujve XII dhe XIV. Në muze ndodhen rreth 7500 objekte artistike prej guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera. Ndër to janë 1200 objekte, ndërsa ikona janë rreth 6000, shumica me përkatësi kohore nga epoka e Bronzit dhe epoka e Hekurit. Gjithashtu përbëhet edhe nga kostumet folklorike, nga objekte të tjera që tregojnë antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare.
Hajdutët thuhet se vodhën nëntë bizhuteri nga koleksioni i bizhuterive në Muzeun e Luvër, Paris - duke përdorur një ashensor për të arritur në muze.
Vjedhja e guximshme në muzeun më të vizituar në botë ndodhi ndërsa turistët ishin brenda Galerisë Apollo, ku ekspozohen një pjesë e Xhevahireve të Kurorës Franceze.
Vjedhja gjatë ditës rreth 30 minuta pas hapjes, me vizitorët brenda, ishte ndër vjedhjet më të profilit të lartë të muzeut në kujtesën e gjallë.
Dhe ajo vjen ndërsa stafi u ankua se mbipopullimi dhe stafi i pakët po e “tendosin” sigurinë.
Megjithatë, Luvri ka një histori të gjatë vjedhjesh dhe tentativash grabitjeje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në fakt, një nga grabitjet më të famshme të muzeut në histori ndodhi atje në vitin 1911, kur Mona Lisa, tani legjendare, u zhduk nga korniza e saj.
Ndërkohë, ua sjellim disa nga grabitjet e arti “të profilit të lartë” që kanë ndodhur gjatë gjithë historisë.
'Mona Lisa' nga Leonardo Da Vinci, Muzeu i Luvrit, 1911
"Mona Lisa" e Leonardo Da Vinçit është padyshim një nga veprat e artit më të famshme në botë dhe atraksioni më i njohur në Muzeun e Luvrit sot.
Por para vjedhjes së saj, ajo nuk ishte e njohur gjerësisht jashtë botës së artit.
Në vitin 1911, Vincenzo Peruggia, një ish-punonjës, u fsheh brenda muzeut dhe doli me pikturën nën pallto.
Pasi Luvri njoftoi vjedhjen, gazetat në të gjithë botën shkruan në titujt kryesorë rreth kryeveprës së humbur.
Ajo u gjet dy vjet më vonë në Firence pasi Peruggia u përpoq ta shiste pikturën - një episod që ndihmoi që portreti i Leonardo da Vinçit të bëhej vepra e artit më e njohur në botë.
Vjedhja e Muzeut Van Gogh, Amsterdam
Dy piktura u vodhën nga muzeu Van Gogh i Amsterdamit në vitin 2002.
Pasi kishin qenë të zhdukura për 14 vjet, ato u gjetën dhe u kthyen në muze në vitin 2016.
Hajdutët përdorën një shkallë dhe çekiçë për të hyrë me forcë në muze.
Pikturat u gjetën nga policia italiane dhe u rikuperuan nga mafia e Napolit.
Muzeu Van Gogh ishte grabitur gjithashtu vetëm disa vjet më parë në vitin 1991, kur u vodhën 20 piktura që vlerësoheshin të kishin një vlerë mbi 400 milionë euro.
Ato u gjetën pak më vonë në një makinë të braktisur jo shumë larg.
Bizhuteri të shekullit të 18-të, “Kasaforta e Gjelbër” e Dresdenit
Në vitin 2019, hajdutët thyen vitrinat në “Kasafortën e Gjelbër” të Dresdenit, një nga muzetë më të vjetër në botë.
Aty, thuhet se ata dhe vodhën bizhuteri mbretërore të mbushura me diamante me vlerë qindra miliona euro.
Zyrtarët thanë se ata ia mbathën me tre sete "të paçmuara" bizhuterish të shekullit të 18-të që do të ishin të pamundura për t'u shitur në tregun e hapur.
Një pjesë e sekuestrimit u gjet më vonë ndërsa pesë burra u dënuan dhe një i gjashtë u lirua nga akuzat.
Në një nga rastet më të çuditshme
Në një nga rastet më të çuditshme të vjedhjes së artit, "Jacob de Gheyn III" i Rembrandtit është bërë një nga pikturat kryesore më të vjedhura në historinë moderne, sipas Librit të Rekordeve Guinness.
Ajo u vodh për herë të parë nga Galeria e Pikturave Dulwich në Londër në vitin 1966 së bashku me dy vepra të tjera, pastaj përsëri në vitet 1973, 1981 dhe 1983.
Portreti u gjet pas çdo vjedhjeje dhe mbetet i ekspozuar në muze sot.
Vepra e artit më e vjedhur e të gjitha kohërave, megjithatë, është Altari i Ghentit, i njohur edhe si "Adhurimi i Qengjit Mistik" nga Jan van Eyk.
Ajo u raportua se u vodh shtatë herë, u plaçkit nga trupat e Napoleonit në vitin 1794, si dhe nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. /Telegrafi/
Ky është momenti kur dy aktivistë të klimës hedhin bojë të kuqe mbi një pikturë 133-vjeçare të Kristofor Kolombit në një muze të Madridit.
Dy aktivistet femra, nga lëvizja Futuro Vegetal, thuhet se u panë duke hedhur bojë të kuqe biodegraduese mbi veprën e José Garnelo-s, "Homazhi i Parë për Kristofor Kolombin" në muzeun detar të Madridit të dielën.
Një turmë e vogël e mbledhur u bërtiti atyre ndërsa ata hodhën bojën mbi veprën artistike, e cila përshkruan zbarkimin e Kolombit në Botën e Re në vitin 1492.
🔥 ACTUAMOS 🔥
🔴 Lanzamos pintura biodegradable al cuadro "Primer Homenaje a Cristóbal Colón", en el Museo Naval.
👉La celebración del 12 de octubre es la celebración de siglos de opresión, explotación y genocidio de la población originaria de Abya Yala. pic.twitter.com/aXIWlMq7OB — FuturoVegetal🍒 (@FuturoVegetal) October 12, 2025
Ndërsa ata hodhën bojën, një roje vrapoi brenda dhe rrëshqiti ndërsa u përpoq t'i ndalonte. Dy aktivistët u kapën më pas nga roje të tjera dhe u nxorën jashtë pa ceremoni nga muzeu, transmeton Telegrafi.
Dyshja thuhet se u arrestua për krime kundër trashëgimisë. Futuro Vegetal pretendoi sot se policia po i "dënonte" dy aktivistët me uri pasi nuk po ofronin ushqim vegan.
Muzeu tha se punonjësit e tij u detyruan të ndërmerrnin një restaurim të menjëhershëm të pikturës.
Vizitorëve iu kërkua të largoheshin nga muzeu për t'i lejuar stafit të restauronte pikturën, gjë që u arrit të bëhej brenda vetëm pak orësh. /Telegrafi/
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në maj të vitit 2023, Benet Beci kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, spikati për fushatën e tij teknike, duke i paraqitur elektoratit program të detajuar për qytetin veriperëndimor.
Pjesë e këtij programi, ishte dhe ndërtimi i muzeut të lundrimit në hyrje të qytetit, bashkë me disa projekte të tjera të grupuara si ‘Poli i hyrjes së qytetit’.
Pas një vit e gjysmë në krye të drejtimit të Shkodrës, kryebashkiaku Beci lajmëroi nisjen e punimeve për muzeun e lundrimit në hyrje të qytetit.
“Edhe një lajm tjetër i mirë: merr rrugën e tij tashmë ndërtimi i Muzeut të Lundrimit në hyrje të Shkodrës”,pohonte Beci nëntorin e kaluar.
Projekti me vlerë 2,4 milionë euro është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Përmes këtij investimi, bashkia e Shkodrës synon t’i japë hov turizmit kulturor.
“Puna po vijon me ritme të shpejta për t’i dhënë qytetit një hapësirë unike kushtuar trashëgimisë dhe historisë së tij, e lidhur ngushtë me lundrimin në liqen dhe lumenjtë që e rrethojnë”,shkruante Beci në maj të këtij viti.
Ecuria e punimeve
Përmes një kërkese për informacion, Faktoje pyeti Bashkinë e Shkodrës mbi ecurinë e punimeve në “Muzeun e Lundrimit”. Bashkia na delegoi tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese e këtij projekti.
Sipas FSHZH-së, projekti për rikualifikimin e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.
“Pas përfundimit të punimeve, Bashkia Shkodër do të marrë në dorëzim objektin e ri dhe do të ndjekë funksionalitetin dhe mirëmbajtjen e tij”, pohon Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Më 12 shtator, një ekip i Faktoje udhëtoi drejt qytetit veriperëndimor për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Atë të premte, në kantierin pranë Urës së Bunës punohej me mjete të tonazhit të rëndë. Dhjetëra punonjës po i jepnin formën e parë ‘Muzeut të Lundrimit’.
Çfarë parashikon projekti?
Muzeu i lundrimit në Shkodër, sipas pamjeve 3D të publikuara nga kryebashkiaku Beci, formohet nga dy pjesë të vendosura njëra mbi tjetrën; një formë kodre në pjesën e poshtme dhe “varka pluskuese” në pjesën e sipërme.
Identiteti pamor i muzeut bazohet në siluetën e ndërtesës që në të njëjtën kohë mund të interpretohet si një varkë tradicionale që po lundron në ujërat rreth Shkodrës.
Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative.
Ekspozitat bazohen në paraqitjen e artifakteve, fotografive, modeleve, replikave dhe dokumenteve që mund të komunikojnë me vizitorin pa pasur nevojë për shumë shpjegime.
Mënyra klasike e komunikimit plotësohet me teknologjinë moderne për të krijuar një lidhje me sistemet e komunikimit të shek. XXI si interneti, mediat sociale dhe realiteti virtual.
Përfundim
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për ndërtimin e një muzeu lundrues në Shkodër, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, mbetet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Kalaja e Gjirokastrës çdo vit pret dhjetëra mijëra vizitorë, ndërsa Muzeu Kombëtar i Armëve, që ndodhet brenda saj, mbetet thuajse bosh. Shkaku, sipas ekspertëve, është ndarja e biletave.
Për të hyrë në kala duhet të paguash 400 lekë, ndërsa për muzeun edhe 200 të tjera. Ky sistem ka bërë që turistët të kufizohen vetëm te vizita në kala. Nga janari deri më 15 gusht, monumenti është vizituar nga rreth 180 mijë turistë, ndërsa muzeu vetëm nga pesë mijë.
Muzeu Kombëtar i Armëve është i vetmi i këtij lloji në vend, por për fat të keq mbetet i pavizituar. Për vite me radhë, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës kanë kërkuar një zgjidhje për menaxhimin e përbashkët, por ende pa rezultat.
Sipas specialistëve, një biletë e përbashkët do të rriste të ardhurat për bashkinë dhe njëkohësisht do t’i jepte turistëve mundësinë të njihnin më shumë historinë e qytetit të gurtë, duke e bërë vizitën në kala më të plotë.
Një debat ka shpërthyer rreth një paneli informues në Galeritë e Holokaustit në Muzeun Perandorak të Luftës në Londër, ku një fjalë e vetme “praktikues” është cilësuar si historikisht e pasaktë dhe dezinformuese nga dy prej historianëve më të njohur të Holokaustit.
Paneli në fjalë përshkruan Ligjet famëkeqe të Nurembergut të vitit 1935, duke thënë se: “Sipas dispozitës së ligjit, një person përcaktohej si hebre bazuar në numrin e gjyshërve hebrenj praktikues që kishte, edhe nëse ata vetë nuk ishin personalisht hebrenj.”
Ky formulim u kritikua fillimisht nga një akademike në pension nga New York-u, e cila, pas vizitës në muze, ngriti shqetësimin se fjala “praktikues” jep një përshtypje të rreme, duke nënkuptuar se përkatësia fetare ndikonte në përndjekjen naziste.
Pas kontaktit të saj, dy historianë të shquar të Holokaustit dhanë mendimin e tyre.
“Çështja nuk ishte nëse gjyshi/gjyshja ishte besimtar, por nëse lindja e tij ose e saj ishte regjistruar në komunitetin hebre.”
“Nuk kishte rëndësi nëse gjyshërit ishin praktikues… Askush nuk u shpëtua nga persekutimi, siç nënkupton gabimisht formulimi, duke pasur gjyshër që nuk ishin praktikues”- janë shprehur historianët.
Në një deklaratë për mediat, një zëdhënës i Muzeut tha se komenti është marrë seriozisht dhe se po shqyrtohet mundësia për të shtuar një sqarim të mëtejshëm.
Sipas muzeut, fjala “praktikues” i referohet atyre që ishin zyrtarisht të regjistruar si hebrenj në dokumentet publike –si certifikatat e lindjes, martesës apo regjistrat civilë pasi nazistët shpesh mbështeteshin në këto të dhëna për të përcaktuar përkatësinë racore.
Megjithatë, muzeu thekson se nuk ka pasur kurrë synim të sugjerojë se persekutimi nazist ishte i kufizuar vetëm për ata që praktikonin fenë hebraike.
Një gjurmë e rrallë dore njeriu, e datuar mbi 4000 vjet më parë, është zbuluar pranë një varri të lashtë në Egjipt nga studiues britanikë. Gjurma ndodhej mbi një copë qeramike të kuqe dhe do të transportohet në Kembrixh, ku do të bëhet pjesë e një ekspozite kushtuar mjeshtërive të vjetra egjiptiane.
Sipas ekspertëve nga Universiteti i Kembrixhit, kjo gjurmë e plotë dore është lënë nga një individ para se balta të thahej plotësisht, një zbulim mjaft i rrallë për arkeologjinë egjiptiane, përcjellë KultPlus.
“Ne kemi vërejtur gjurmë gishtash të lëna në llak të lagësht ose në një arkivol në dekorim, por është e rrallë dhe emocionuese të gjesh një gjurmë të plotë dore poshtë kësaj shtëpie shpirtërore. Kjo u la nga krijuesi i cili e preku atë para se balta të thahej. Nuk kam parë kurrë më parë një gjurmë dore kaq të plotë në një objekt egjiptian”, – tha Helen Strudwick, kuratore në Muzeun Britanik.
Objekti mendohet të jetë prodhuar midis viteve 2055 dhe 1650 para Krishtit, gjë që e shton rëndësinë dhe vlerën e këtij zbulimi unik.
Qeramika do të jetë pjesë e ekspozitës “Made in Ancient Egypt”, që do të hapet më 3 tetor në Muzeun Fitzwilliam të Universitetit të Kembrixhit. Ekspozita fokusohet në traditat artizanale të Egjiptit të lashtë, ku qeramika e kuqe konsiderohet si një nga materialet më të përhapura.
Këto struktura të njohura si “shtëpi shpirtrash”, zakonisht me dy kate, ishin ndërtuar me korniza druri dhe të mbuluara me argjilë. Ato shërbenin si vendvarrime për të ndjerët dhe kishin një hapësirë të posaçme jashtë, ku vendoseshin ushqime si bukë, barishte apo edhe pjesë të kafshëve.
Ndërsa figurat e njohura historike si Tutankhamuni kanë dominuar vëmendjen e studiuesve dhe publikut, kjo ekspozitë synon të sjellë në pah historinë dhe kontributin e zanatçinjve të panjohur që krijuan këto objekte të mrekullueshme./KultPlus.com
TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin Arshi Pipa.
Arshi Pipa lindi më 28 korrik 1920, në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u diplomua më 1942 me dizertacionin: “Morali dhe feja tek filozofi Henri Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe deri më 1946 filloi të jepte mësim në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës.
Gjatë periudhës kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Iu kërkua të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, shkrim që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në 27 prill 1946 e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet heqje lirie. U ridënua më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i grupit socialdemokrat. Vuajti në burgjet dhe kampet e internimit (Durrës, Gjirokastër, Korçë, Burrel etj.) U lirua më 26 prill 1956 dhe në 1957 u arratis bashkë me të motrën. Fillimisht u vendos në Sarajevë deri në vitin 1959 dhe më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1959-n.
Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në vitin 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959.
Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69) dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane.
Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Gjatë kohës që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”. Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në poezi, estetikë e filozofi si dhe kritikë letrare.
Përsa u përket studimeve dhe kritikës, disa prej tyre janë: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.
Arshi Pipa u nda nga jeta më 20 korrik 1997, në Uashington D.C.
Muzeu i Mitrovicës do të bëjë hapjen e ekspozitës së re arkeologjike të titulluar “Mitrovica Neolitike”.
Kjo ekspozitë është një rikonceptim i koleksionit arkeologjik dhe sjell në vëmendje fillesat e jetës së qëndrueshme në territorin e Mitrovicës, mbi 8 mijë vjet më parë. Objektet e ekspozuara flasin për zhvillimet e hershme të bujqësisë, jetesës, besimeve dhe artit të komuniteteve neolitike që u vendosën përgjatë lumenjve Ibër dhe Sitnicë.
Ekspozita është realizuar nga Muzeu i Mitrovicës në bashkëpunim me arkeologët Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala, me përkrahje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Mitrovicë.
Ekspozita do të hapet më 31 korrik 2025,në ora 19:00, në ambientet e Muzeut të Mitrovicës./ KultPlus.com
Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon të pasurojë koleksionin e tij me publikime të reja nga fondi i pasur i objekteve, duke prezantuar këtë herë ikonën me titull “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.
Kjo ikonë daton në mes të shekullit të XVII-të dhe ka origjinë nga Kisha e Shën Marisë në Vllahernë të Beratit.
Ikona përshkruan momentin e hyrjes së Shën Marisë në tempull, një ngjarje me rëndësi të madhe në traditën ortodokse. Në skenën qendrore, Shën Maria paraqitet në moshën 3-vjeçare duke ngjitur shkallët e tempullit të Solomonit. Ajo shoqërohet nga prindërit e saj, Joakimi dhe Ana, ndërsa pas tyre qëndrojnë dhjetë virgjëresha, simbol i pastërtisë dhe përkushtimit shpirtëror.
Në hyrje të tempullit, Profeti Zaharia pret me fjalët e tij të bekuara: “Ti je e përzgjedhura ndër të gjithë brezat”. Sipas traditës, Shën Maria qëndroi në tempull deri në moshën 14-vjeçare, pas së cilës ndodh ngjarja e “Ungjillëzimit”, e ilustruar në skenën e sipërme të ikonës, përcjellë KultPlus.
Kisha, nga e cila rrjedh kjo ikonë, ndodhet brenda mureve rrethuese të Kalasë së Beratit dhe përbën një nga ndërtimet më të vjetra mesjetare të kultit në qytet. Brenda saj, një dysheme e zbukuruar me një rozetë dekorative dhe piktura murale të realizuara nga Nikolla, biri i Onufrit, në vitin 1578, dëshmojnë për rëndësinë historike dhe artistike të vendit. Në dritaren e absidës dhe murin verior të kishës janë të ripërdorura elemente arkitektonike paleokristiane, që shtojnë vlerën e saj kulturore.
Ky objekt i vyer është një dëshmi e gjallë e traditës ikonografike shqiptare dhe pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore, që Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon ta ruajë dhe promovojë me përkushtim./atsh/KultPlus.com
TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ndau me publikun imazhe nga “vernissage” i ekspozitës “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.
Vernissage janë vizitat private në një galeri përpara hapjes së një ekspozite ndaj publikut të gjerë.
Kuratorja Kim Knoppers shoqëroi përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore në ekspozitë: Néprajzi Múzeum, Ambasada e Hungarisë në Tiranë, Ambasada e Holandës në Shqipëri, Bashkia Shkodër etj.
Mbas fjalëve përshëndetësë të drejtorit të Muzeut të Etnografisë së Budapestit, dr. Lajos Kemecsi, Ambasadores së Hungarisë në Tiranë, Martina Kasnyik, Ambasadorit të Holandës në Tiranë, Reinout Vos, dizajnerit të tekstileve, Jozef Martini, kuratorja Kim Knoppers i shoqëroi të pranishmit në një shëtitje vizuale në Pazarin e Vjetër të Shkodrës.
Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.
Në ambientet e bibliotekës “Sotir Kolea” në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot një aktivitet me vlerë historike dhe kulturore, në kuadër të ciklit të bisedave me ekspertë të albanologjisë.
I ftuar në këtë veprimtari ishte studiuesi Mark Palnikaj, i cili ndau me publikun të dhëna të rëndësishme nga relacionet e Fra Giacinto da Sospello, një dorëshkrim i vitit 1652, që ruhet në Bibliotekën e Bashkisë së Fermos në Itali. Dokumenti përshkruan 16 misione fetare të zhvilluara ndër vite në trojet shqiptare dhe përmban fakte të vyera historike e sociale për Shqipërinë e shekullit XVII.
Me këtë aktivitet, Muzeu Historik Kombëtar vijon misionin për promovimin e historisë kombëtare, duke sjellë në vëmendje dokumente, figura dhe ngjarje që dëshmojnë për identitetin dhe trashëgiminë shqiptare./ atsh/ KultPlus.com
Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pozicionuar në zemër të Kalasë së Beratit dhe mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, 6-mujorin e parë të vitit u vizitua nga 40 mijë persona.
Sipas drejtorit Pasku, shumicën e vizitorëve, edhe në këto ditë të nxehta vere, e përbëjnë turistët e huaj. Nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, vizitorët nga SHBA dhe nga Azia.
Muzeu “Onufri” është një destinacion i dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Ky muze u çel më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët bënë të mundur që thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, të ekspozoheshin për publikun në këndvështrimin artistik e historik.
Ky muze, i cili aktualisht gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. /atsh/ KultPlus.com
Muzeu i Pavarësisë në Vlorë ka regjistruar një numër më të lartë vizitorësh përgjatë këtij viti, ku vetëm në muajin maj kanë qenë mbi 3500. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë të huaj të apasionuar pas historisë së Shqipërisë.
Muzeu i Pavarësisë në Vlorë është një ndër pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, ku vit pas viti numri i personave që duan të njohin historinë e vendit tonë vjen duke u rritur. Sa i përket 2025-ës shifrat janë pozitive, sidomos përgjatë muajit maj.
“Numri i vizitorëve këtu në Muzeun Kombëtar Pavarësia Vlorë është rritur ndjeshëm e duket jashtë mase duke filluar që nga janari, shkurti, marsi dhe maji. Tani që ne kemi mbyllur statistikat në maj – 3501 vizitorë. Duket një shifër kolosale kjo dhe falë promocionit që ne i kemi bërë muzeut nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që zhvillojmë”, thotw Kozeta Halili, drejtoreshë e muzeut.
Shifrat kanë një përmirësim të ndjeshëm nga viti në vit.
Historinë e shtetit shqiptar dëshirojnë ta mësojnë edhe të huajt, të cilët përbëjnë numrin më të lartë të vizitorëve.
“Është një shifër e kënaqshme, nga janari deri në maj numri i vizitorëve është 6450 vizitorë, ku 70% e tyre janë të huaj. Këtu kemi ata që vijnë nga vendet nordike, kemi nga Italia, Gjermania, Spanja, por dhe shqiptarët që jetojnë në trevat e Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, të cilët studentët vijnë dhe nxënësit e shkollave të mesme se kanë dhe ata orët mësimore, edukimin nëpërmjet kulturës – për të parë traditat, vendin, kulturën”, shprehet Halili.
Përgjatë verës, muzeu do të qëndrojë i hapur me orar të shtuar në mënyrë që të jetë sa më i aksesueshëm nga vizitorët.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” vijon të tërheqë kuriozitetin e turistëve të huaj.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e një turisti anglez nga vizita e tij në këtë muze.
“Izolimi i vendit gjatë diktaturës bëri që Shqipëria të mbetej e ndarë nga pjesa tjetër e botës. Jack nga Anglia ishullore, del me mbresat më të mira nga ballafaqimi në muze me të shkuarën totalitare, jetën e përditshme, dhe pse Shqipëria ishte dikur për të dhe për shumë të tjerë, një vend pothuajse i panjohur”, shkruan Gonxhja.
Jack tha se “absolutisht interesant aspekti i jetës në Shqipëri për të cilin në Angli dimë fare pak. Por është gjithashtu shokuese njohja se si funksiononte aparati shtetëror”.
“Më vjen shumë mirë që këto janë ruajtur dhe do t’ia tregoni brezave në të ardhmen”, tha Jack.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj 2017. Ai është nga më të veçantët në vendin tonë, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, nga viti 1944 – 1991.
E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me Gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura në koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com
Përgjatë këtij vitit Muzeu Etnografik në Gjirokastër është vizituar nga 10 mijë turistë kryesisht të huaj.
Në mjediset e muzeu nëpërmjet relikeve, eksponanteve, materialeve filmike etj., prezantohen vlerat e traditës dhe trashëgimisë etno-kulturore të zonës së Gjirokastrës dhe më gjerë. Pjesa me e madhe e turistëve e vizitojnë muzeun Etnografik në mënyrë të organizuar por nuk mungojnë turistët individualë si dhe vizitorët vendas.
“Përgjithësisht janë vizitorë që vijnë me grupe të organizuara, me agjenci turistike, janë turistët familjarë, individual dhe nga gjithë bota specifikisht nga Europa, Hollanda, Franca, Gjermania, gjatë muajit gusht presim më shumë turistët italianë dhe turistët spanjollë, por kryesisht nga gjithë bota”, thotë Besjan Dida, ciceron.
Përgjatë këtij sezoni turistik konstatohet një interes në rritje i turistëve për tu njohur me vlerat e traditës, folklorit, veshjet popullore etj.
“Mendoj se është shumë tërheqës, është diçka e bukur të mësosh për historinë dhe kulturën e Shqipërisë dhe Gjirokastrës, ishte një përvojë e veçantë”, shprehet një turist.
Vlerat e traditës popullore, etnografisë dhe folklorit po kthehen në pika të forta për tërheqjen e turistëve kryesisht të huaj në Gjirokastër.
“Mendojmë se shfaq dhe përfaqëson traditat e qytetit të Gjirokastrës dhe ma materialet video, eksponatet me kostume tradicionale apo përshkrime në gjuhën angleze dhe shqiptare, stafi që mundohemi ti shoqërojmë grupet turistike të ndryshme”, thotë Dida.
Sezoni turistik i verës po regjistron një numër të lartë të vizitorëve vendas dhe të huaj ndërsa përgjatë këtij viti qyteti i gurtë është vizituar nga rreth 80 mijë turistë.