KAJRO, 1 nëntor /ATSH/ – Egjipti inauguroi sot “Muzeun e Madh Egjiptian”, një projekt gjigant që ka zgjatur mbi dy dekada, me synimin për të tërhequr më shumë turistë dhe për të ringjallur industrinë e turizmit në vend, sipas AP:
I vendosur pranë Kajros, në pllajën e Gizës ku ndodhen edhe tre piramidat dhe Sfinksi, muzeu do të jetë më i madhi në botë i kushtuar një qytetërimi të vetëm. Ai do të ekspozojë mbi 50 mijë artefakte që tregojnë jetën e Egjiptit të lashtë.
Muzeu është një nga megaprojektet më ambicioze të presidentit Abdel-Fattah el-Sissi, i cili që prej ardhjes në pushtet në vitin 2014 ka nisur investime masive në infrastrukturë për të rigjallëruar ekonominë e dobësuar nga dekada stanjacioni dhe trazirat pas Pranverës Arabe të vitit 2011.
Përgatitjet për hapjen kanë qenë të mbuluara nga sekreti. Muzeu, i cili ka qenë i hapur vetëm për vizita të kufizuara vitet e fundit, ka qëndruar i mbyllur për dy javët e fundit në pritje të inaugurimit zyrtar.
Qeveria ka rinovuar zonat përreth muzeut dhe Piramidave të Gizës, ka shtruar rrugët dhe po ndërton një stacion metroje jashtë portave të muzeut për të lehtësuar qasjen. Një aeroport i ri, “Sphinx International Airport”, është hapur në perëndim të Kajros, rreth 40 minuta larg muzeut.
Ndërtimi i këtij kompleksi prej 1 miliard dollarësh ka hasur në vonesa të shumta, pasi punimet nisën në vitin 2005, por u ndërprenë për shkak të paqëndrueshmërisë politike.
Muzeu, i njohur me shkurtimin “GEM”, ka një fasadë gjigante trekëndëshe prej xhami që imiton formën e piramidave dhe përfshin 24 mijë metra katrorë hapësirë ekspozuese.
Në hyrje, një shkallë madhështore gjashtëkatëshe e zbukuruar me statuja të lashta çon drejt galerisë kryesore, nga ku vizitorët mund të shohin piramidat. Një urë lidh muzeun me pllajën e piramidave, duke u lejuar turistëve të lëvizin midis tyre në këmbë ose me automjete elektrike.
Në 12 galeritë kryesore janë ekspozuar objekte që shtrihen nga periudha prehistorike deri në atë romake, të organizuara sipas epokave dhe temave. Dy salla janë kushtuar ekskluzivisht mbretit Tutankhamun, me 5 000 artefakte të ekspozuara për herë të parë në tërësi që nga zbulimi i varrit të tij në vitin 1922 nga arkeologu britanik Howard Carter.
Sipas arkeologut të njohur egjiptian Zahi Hawass, koleksioni i Tutankhamunit është “kryevepra e muzeut”. Ai përfshin shtratin e artë, gjashtë karrocat, fronin mbretëror, sarkofagun e mbuluar me ar dhe maskën funerare të bërë nga ar, lazurit, kuarcit dhe qelq me ngjyra.
Qeveria shpreson që muzeu të sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve dhe të ardhurave në valutë, duke ndihmuar ekonominë e goditur nga krizat politike dhe nga pandemia. Sektori i turizmit, i cili dikur ishte një nga shtyllat kryesore të ekonomisë egjiptiane, po përpiqet të rikuperohet edhe nga pasojat e luftës në Ukrainë dhe krizës globale të energjisë. /Ad.Ab./
The post Egjipti hap muzeun më të madh në botë kushtuar një qytetërimi të vetëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.