Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Konstituohet Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme

30 September 2025 at 11:03

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme është konstituuar sot.

Kryetar i Komisionit, Igli Hasani në mbledhjen e parë të konstituimit u shpreh se janë bërë disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

Sipas këtyre ndryshimeve, Hasani u shpreh se, “Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme do të përfshijë çështjet e integrimit evropian, përafrimin e legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, mbikëqyrjen e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, mbikëqyrja e asistencës financiare të BE-së për Shqipërisë, monitorimin e negociatave të anëtarësimit në BE, politikat e jashtme, marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Më pas ai lexoi përbërjen e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme:

Igli Hasani                          Kryetar – PS

Bora Muzhaqi                      Nënkryetare – PS

Albana Vokshi                     Nënkryetare – PD

Marjana Koçeku                   Sekretare – PS

Sara Mila                                     PS

Ervin Hoxha                                 PS

Romina Kuko                               PS

Taulant Balla                                PS

Klodiana Spahiu                           PS

Tritan Shehu                                PD

Tomorr Alizoti                               PD

Edmond Haxhinasto                      PL

Vangjel Dule                         Aleanca për Ndryshim

Agron Shehaj                jashtë grupeve parlamentare

Anëtarë zëvendësues janë:

Iris Luarasi                                       PS

Skënder Pashaj                                 PS

Vasil Llajo                                         PS

Mesila Doda             jashtë grupeve parlamentare

Igli Cara                                           PD

Erald Kapri              jashtë grupeve parlamentare

Hasani theksoi se, “integrimi në BE është projekti më madhor i politikës së jashtme të Shqipërisë në ditët e sotme. Është rruga që i tejkalon ndarjet politike dhe i shërben çdo qytetari. Pikërisht se ky proces është thelbi i politikës sonë të jashtme është e natyrshme që të trajtohet bashkë me të në një komision të përbashkët. Kështu fitojmë koherencë institucionale, shmangim fragmentimin dhe japim një mesazh të qartë brenda dhe jashtë vendit, Shqipëria flet me një zë të vetëm në integrimin evropian”.

“Në këtë fazë vendimtare të procesit dhe përgjatë këtij mandati përcaktues është më e rëndësishme se kurrë që puna jonë të jetë efikase, gjithëpërfshirëse dhe e bashkërenduar”, tha ai.

Hasani u shpreh se shpreson që mazhoranca dhe opozita punojnë së bashku me frymë konstruktive, me unitet, sepse theksoi ai, “ua kemi detyrim qytetarëve, familjarëve tanë që presin ta shohin ëndrrën evropiane të Shqipërisë të bëhet realitet”.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh se, “ky është komisioni më i rëndësishëm që ka parlamenti shqiptar. Komisioni i Jashtëm gjithmonë ka qenë i tillë, por tashmë me marrjen edhe të proceseve të bashkëpunimit evropian bëhet tejet i rëndësishëm”.

Ai u shpreh se “nuk kam qenë dakord që të eliminohej Komisioni i Integrimit, sepse në këtë moment që jemi ne ishte i domosdoshëm dhe për mua është një gabim trashanik që bëhet duke e shuar atë dhe duke e bashkuar me politikën e jashtme, sepse të dyja kanë objektivat e tyre, disa bashkohen, disa janë të veçanta”.

Megjithatë, shtoi ai, “ky tashmë është bërë një realitet dhe që e bën këtë komision tejet të rëndësishëm, shumë prestigjioz”.

Ai kërkoi nga kryetari Hasani që të ketë respekt të qartë për njëri-tjetrin, për komisionin, për korrektesën dhe elementët që lidhen me funksionimin e këtij komisioni.

Shehu gjithashtu kërkoi që komisioni të shprehet qartësisht solidar me iniciativën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për planin 20 pikësh të paqes në Gaza dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.

Konstituohet Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme - Foto Andrin Hoxha
1 nga 8

/gj.m/r.e/a.f/

The post Konstituohet Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Votimi i nënkryetarit serb/ Kuvendi mblidhet për përmbylljen e konstituimit

By: xhir jeta
28 August 2025 at 10:05

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Seanca konstituive e Kuvendit nuk ka arritur të përmbyllet as të martën, në përpjekjen e 58-të. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 73 vota pro. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.

Por, për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe ka insistuar vetëm në kandidatin Sllavko Simiq, por që nuk ka marrë votat e nevojshme. Pas refuzimit të Listës Serbe për të dhënë propozim tjetër është bërë hedhja në votim e kandidatëve përmes shortit, e ku dy kandidatë tjerë nga Lista Serbe, Verica Çeraniq dhe Stefan Kovaçeviq nuk morën votat e nevojshme të deputetëve. Kandidatja e tretë i tërhequr në short, Liljana Stefanoviq refuzoi të hidhej në votim. Më pas në short u tërhoq emri i deputetit Nenad Rashiq, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme. Vetëm 55 deputetë votuan pro kandidaturës së tij.

Pas krejt këtyre zhvillimeve në Kuvend, kryeparlamentari Dimal Basha theksoi se në frymën e bashkëpunimit e ndërpret seancën për ta vazhduar të enjten, në ora 11:00.

Në ditën e 10-të, pasi ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për bërjen e Kuvendit, deputeti nga radhët e pakicës serbe, Nenad Rashiq, tha se pret të marrë më shumë se 61 vota për ta përfaqësuar komunitetin serb nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

Kosovë, përpjekja e radhës për ta konstituuar Kuvendin

24 August 2025 at 09:20

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e seancës konstituive, nga ora 11:00, e katërta kjo pas vendimit të Kushtetueses, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të nominohet vetëm tri herë dhe procesi i votimit të bëhet në mënyrë të hapur.

Dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati, dështuan të marrin 61 votat e nevojshme, pasi nuk morën më shumë se 57 vota, raporton KosovaPress.

Vetëvendosja pas seancës ka akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, se me mos votimin e kryetarit të ri, dëshmuan pasi emrat nuk janë problemi kryesor për konsitutimin e Kuvendit, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha se Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Ndërsa, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të jep votë ‘pro’, pa u arritur një marrëveshje politike.

Kujtojmë zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt. Deri më tash janë mbajtur 55 seanca për konstituimin e Kuvendit të ri dhe kjo e sotmja është numër pesëdhjetegjashtë.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e legjislativit të nëntë brenda 30 ditësh, i cili afat skadon më 18 shtator. /Kosovapress/

The post Kosovë, përpjekja e radhës për ta konstituuar Kuvendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryetare të Kuvendit

22 August 2025 at 11:11

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se nuk do të jetë kandidatë për kryetare të Kuvendit.

Ajo tha se pas pak kur pritet të nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, do të dihet emri i kandidatit për kryekuvendar.

Albulena Haxhiu për disa herë me radhë ishte kandidate e propozuar e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, por që asnjëherë nuk I siguroi 61 vota për këtë pozitë.

Pas 3 javësh, të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e 20 gushtit,  ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryekuvendarin u bë me votim të hapur, dhe Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Pas këtyre dy dështimeve kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën e cila do të vazhdojë sot nga ora 11:00.

Gjykata Kushtetuese të hënën e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi, një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryetare të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë/ Zyra e BE-së inkurajon partitë politike ta konstituojnë shpejt Kuvendin

By: Ardit
20 August 2025 at 19:14

Bashkimi Evropian i ka inkurajuar të mërkurën partitë politike në Kosovë ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të konstituojnë shpejt Kuvendit, pak orë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin. Zyra e BE-së në Kosovë tha për Radion Evropa e Lirë se blloku “po i ndjek me kujdes zhvillimet që […]

The post Kosovë/ Zyra e BE-së inkurajon partitë politike ta konstituojnë shpejt Kuvendin appeared first on BoldNews.al.

Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, rrëzohet edhe kandidatura e Gërvallës

PRISHTINË, 20 gusht/ATSH/- Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish sot për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut.

Deputetët e partive të tjera nuk dhanë mbështetje për kandidaturën e saj ku Haxhiu Haxhiu mori 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 deputetë abstenuan.

Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla.

Edhe kandidatura e Gërvallës nuk gjeti mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.

Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si urgjencë shtetërore edhe nga presidenca e cila përmes një përgjigjje për KosovaPress tha se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet në periudhën sfiduese globale dhe rajonale.

Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca për KosovaPress.

Kujtojmë që deri para aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës dështoi konstituimin në 54 tentativa.

Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me 8 gusht, ndërsa si të plotë e publikoi të hënën e 18 gushtit. /KosovaPress/

The post Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, rrëzohet edhe kandidatura e Gërvallës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

20 August 2025 at 09:10

PRISHTINË, 20 gusht/ATSH/ Deputetët e legjislaturës së nëntë sot do të mblidhen sërish në tentativën e radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili u publikua të hënën i plotë, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur sot, në ora 11:00.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar, që mund të votohet vetëm deri në tre herë.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si urgjencë shtetërore edhe nga presidenca e cila përmes një përgjigjje për KosovaPress tha se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet në periudhën sfiduese globale dhe rajonale.

“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca për KosovaPress.

Kujtojmë që deri para aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës dështoi konstituimin në 54 tentativa.

Seanca e fundit konstituive ishte e datës 26 korrik datë kjo që shënoi edhe fundin e rrjedhjes së afatit të konstituimit nga Kushtetuesja. Pas kësaj Gjykata Kushtetuese caktoi masë të përkohshme me të cilën nga datat 27 korrik deri 8 gusht deputetëve iu pamundësua thirrja e një seance tjetër në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me 8 gusht, ndërsa si të plotë e publikoi të hënën e 18 gushtit.

Ndryshe, partitë politike deri tani nuk kanë shfaqur shenja të përafrimit të konsensusit për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
/KosovaPress/ 

The post Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë/ LVV s’heq dorë nga Haxhiu, konstituimi i Kuvendit i pasigurt

By: Ardit
19 August 2025 at 19:25

Pas më shumë se tri javësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë sërish konstituimin e institucionit më 20 gusht, nga ora 11:00. Ky hap vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se kandidati mund të votohet […]

The post Kosovë/ LVV s’heq dorë nga Haxhiu, konstituimi i Kuvendit i pasigurt appeared first on BoldNews.al.

Ngërçi politik/ Kosova në “gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur”

29 July 2025 at 16:33

Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur,  kështu e përshkruan situatën institucionale në Kosovë, politologu Dritëro Arifi, profesor në Kolegjin UBT në Prishtinë.

Sipas tij, kjo gjendje është pasojë e dështimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të përmbyllur konstituimin e këtij institucioni deri më 26 korrik.

Kjo datë shënonte skadimin e afatit prej 30 ditësh të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për deputetët e Kuvendit, të cilëve, sipas një vendimi të po kësaj gjykate të publikuar më 24 korrik, u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik e deri më 8 gusht.

Politologu Arifi rikujton se Kosova është shtet parlamentar dhe, përderisa Kuvendi i Kosovës është institucion që ratifikon çdo ligj vendor dhe marrëveshje ndërkombëtare si dhe mbikëqyr institucionet tjera të shtetit, mosfunksionimi i tij e çon vendin në një situatë problematike.

“Shumica e të gjitha institucioneve relevante, me të cilat funksionon një shtet – sidomos një Republikë parlamentare – varen kryesisht nga Kuvendi. Pra, pa votat e Kuvendit nuk funksionon asgjë… Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme, veçse se nuk është e shpallur. Është faktike”, thekson Arifi në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpallë presidenti i vendit, në rast se: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së presidentes së Kosovës, nëse presidentja Vjosa Osmani konsideron se vendi po hyn në një fazë të mosfunksionimit institucional dhe rreziqet e situatës aktuale. Deri në publikimin e artikullit, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës sqarojnë se Kuvendi i Kosovës është gjeneratori kryesor që vë në lëvizje aktivitetin shtetëror, duke mbikëqyrur llogaridhënien e ekzekutivit, agjencive të pavarura dhe mekanizmave të tjerë, si dhe duke miratuar ligje dhe duke ratifikuar marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare.

Vullnet Bugaqku nga ky institut, thekson se përderisa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, shteti i Kosovës është praktikisht në një bllokadë institucionale dhe aktualisht pa shtegdalje.

“Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, shumë çështje mbesin pezull. Pa pasur një konstituim të Kuvendit, normalisht që edhe shteti nuk mund të veprojë dhe funksionojë në mënyrë normale dhe në mënyrë të plotë, në kuptimin e ushtrimit të përgjegjësive dhe funksioneve të secilit funksionar, por edhe të secilit institucion”, thekson Bugaqku.

Bllokada institucionale aktuale, sipas vëzhguesve të situatës politike në vend, tashmë po e përballë vendin me një varg pasojash.

Përplasjet politike, vlerësojnë ata, tashmë po dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, duke e paraqitur si një vend që nuk ka stabilitet politik.

Gjithashtu, pa Kuvend të konstituuar, që do të ratifikonte marrëveshjet ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të marrë para-financimin nga fondi prej rreth 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë euro nga Banka Botërore.

Aktualisht shteti i Kosovës “është në pauzë” dhe nuk ka ndonjë sinjal se situata mund të dalë nga bllokada, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në mungesë të një Kuvendi të konstituuar, Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila ka kompetenca të kufizuara, aktualisht nuk ka kujt t’i përgjigjet apo t’i raportojë.

“Kur nuk ka Kuvend, nuk mund të formohet një qeveri e re dhe legjitime. Rrjedhimisht, shtohen mundësitë që kjo që është tani [Qeveria në detyrë] të prodhojë vendime të kundërligjshme dhe jokushtetuese, si dhe të krijojë një lloj situate kaotike për sa i përket zbatimit të kushtetutshmërisë, por edhe ligjshmërisë në vend”, thekson Bugaqku.

Të paparashikueshme e sheh situatën politologu Arifi. Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit për shkak të përplasjeve politike, e ka futur vendin në situatë të pakuptueshme juridike, në të cilën, siç thotë ai, institucionet janë pa mbikëqyrje legjitime.

“Përveç presidentes që ka një legjitimitet, madje shumë të cunguar, sepse presidentja zgjidhet prej Kuvendit…Pra, absurditet në vete. I vetmi institucion ku jepet llogaridhënia është Parlamenti, ndërkaq ne nuk kemi Parlament”, thotë Arifi.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike në Kosovë, tashmë janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të sqarojë rrugën drejt konstituimit të Kuvendit pas 8 gushtit.

Lidhur me moskonstituimin e Kuvendit ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Ajo u ka thënë mediave vendore se ngërçi politik po vonon progresin e aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë që të punojnë për të arritur një marrëveshje për konstituimin e organit ligjvënës./REL/

GJK e Kosovës pezullon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit! Çfarë pritet të ndodhë?

By: Ardit
27 July 2025 at 08:45

Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ua ndalon deputetëve çdo veprim lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit. Mbrëmë ishte edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj […]

The post GJK e Kosovës pezullon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit! Çfarë pritet të ndodhë? appeared first on BoldNews.al.

Dështon tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në vazhdimin e seancës pak para mesnatës.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar sërish të formojë komisionin e fshehtë për votimin e kryeparlamentarit, por kjo nuk është mbështetur nga partitë e tjera parlamentare.

Vazhdimi i kësaj seance u bë pak para mesnatës, pas një tjetre që u mbajt mesditën e së shtunës.

Kjo ishte tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit pak para se të mbyllet afati 30-ditor, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e trupave të Kuvendit.

Sipas vendimit të Kushtetueses, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim lidhur me konstituimin e legjislaturës së nëntë nga 27 korriku e deri më 8 gusht. /KosovaPress/

The post Dështon tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Ka dështuar sot edhe përpjekja e 53-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Propozimi për komisionin për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 56 vota.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se në kuadër të përpjekje të vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit, vazhdon sonte në orën 22:00 tentativa e fundit para skadimit të afatit të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit. /Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Ka dështuar për të pesëdhjetën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, të hënën më 21 korrik. Komisioni për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit – kërkesë kjo e Lëvizjes Vetëvendosje – nuk ka marrë sërish votat e nevojshme.

Vetëm 53 deputetë kanë votuar për formimin e këtij komisioni.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së sërish nuk i ka lejuar deputetët që të mbajnë fjalime në foltoren e Kuvendit.

Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën, më 23 korrik, në orën 11:00.

Ndërkohë kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri në përfundimin e afatit që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë për konstituimin e Kuvendit – që është 26 korriku.

Të shtunën, më 19 korrik, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një takim – në përpjekje për dalje nga kriza. Megjithatë, nga ai takim nuk dolën me ndonjë marrëveshje që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja.

Këto zhvillime vijnë kur po afrohet 26 korriku – afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituim të legjislaturës së nëntë.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt por ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun.

Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo, dhe kandidatura e Haxhiut, po kundërshtohen nga partitë e tjera parlamentare.

Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime bashkë, dhe të ndara, me përfaqësues të partive politike – në përpjekje të zgjidhjes së krizës. Por, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.

Thirrje për formim të institucioneve të reja kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. /Kosovapress/

The post Dështon edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Dështoi sërish tentimi i 49-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Dështimi ndodhi, pasi që ashtu si herët e kaluara, me mosarritjen e formimit të Komisionit për votim të fshehtë. Vetëm 50 deputetë votuan pro këtij Komisioni.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari theksoi se vazhdimi i seancës së radhës mbahet të hënën në orën 11:00.

“50 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenim nuk ka. Për sot ndërpritet seanca., vazhdon më 21 korrik në orën 11:00”, tha ai.

Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit, raporton KosovaPress.

The post Dështon edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës, dështon seanca e 49-të

By: Elva
19 July 2025 at 11:48

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Seanca e së shtunës u mbajt mes paralajmërimeve se më vonë gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohet me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për […]

The post Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës, dështon seanca e 49-të appeared first on BoldNews.al.

Osmani: Do t’i drejtohem Kushtetueses nëse Kuvendi nuk konstituohet në fundjavë

By: Ardit
17 July 2025 at 20:06

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë. Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të mbajtur me gazetarë, pas kthimit nga vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni, dhe në ditën kur […]

The post Osmani: Do t’i drejtohem Kushtetueses nëse Kuvendi nuk konstituohet në fundjavë appeared first on BoldNews.al.

Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët


PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më njëzetegjashtë korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.

Osmani, në konferencë për media të enjten, renditi një varg pyetjesh që sipas saj kërkojnë sqarime kushtetuese nga Kushtetuesja për atë që ndodh pas datës njëzetegjashtë korrik.

Kuvendi i Kosovës edhe pas më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, nuk po arrin të zgjedhë trupat e legjislativit, çka pastaj do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit qershor, ka dalë me një aktgjykim ku i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin deri më njëzetegjashtë korrik. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ndërsa kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga ky afat, nuk po arrihet pajtim për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe trupave të tjerë të legjislativit.

Osmani tha se janë duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, dhe paralajmëroi se nëse edhe gjatë këtij vikendit nuk ka formim të institucioneve, në fillim të javës ajo do ta dërgojë çështjen për interpretim.

Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë poste ekzekutive, Osmani u shpreh më e rezervuar. Ajo tha se palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

/Kosovapress/

The post Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet përsëri, “Nisma” paralajmëron marrëveshje të mundshme

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Midis kësaj ngecjeje të vazhdueshme, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, tha Izmaku për gazetarë.

Ajo tha se çështje e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Edhe në këtë mbledhje, partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 17 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Seanca dështoi dhe vazhdimi i radhës do të mbahet më 19 korrik.

Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.

Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor – të vendosur nga Kushtetuesja – nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.

Ngërçi vjen pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9. /rel/

The post Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet përsëri, “Nisma” paralajmëron marrëveshje të mundshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, opozita akuzon Kurtin


PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Shkak për dështimin e 46-të në radhë ishte mos arritja e 61 votave të nevojshme nga mazhoranca për t’i hapur rrugën votimit të fshehtë, si edhe votimit të Albuela Haxhiut si kryetare të Kuvendit, propozim i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj në mazhorancë.

Seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në orën 11:00.

Pas dështimit të seancës së 46-të të konstituimit të Kuvendit, edhe kësaj radhe partitë e tjera, PDK, LDK e AAK-ja kanë shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për t’i dhënë qëndrimet e tyre lidhur me krizën politike në vend.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku tha se që nga pavarësia e Kosovës, Kosova asnjëherë nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, e krejt kjo sipas tij, si pasojë e egos së pa kontrolluar për pushtet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj shtoi se fakti që fjalimet e deputetëve po mbahen pa mikrofon, regji e rekordim zyrtarë nga Kuvendi, tregon se institucioni që duhet të jetë tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit.

Zemaj tha se kjo është një sabotim i qëllimshëm i shtetit nga LVV-ja.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se më 26 korrik bëhen një muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit, ndërsa LVV-ja sipas saj, nuk ka angazhim as ditorë, javorë e mujorë për të konstatuar Kuvendin e Kosovës.

Kadrjaj theksoi se kjo po bëhet qëllimshëm për bojkot të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

/Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, opozita akuzon Kurtin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Deputetët do të mblidhen sot për të 46 herë më radhë në tentativën e 46-të për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar si kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave ata kanë propozuar që votimi nga i hapur të kalojë në të fshehtë.

Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.

Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i dërgohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

/kosovapress/

The post Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌