Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Si kanë ndryshuar rezultatet e partive të mëdha krahasuar me zgjedhjet e kaluara?

29 December 2025 at 22:36


Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të dhjetorit 2025 tregojnë ndryshime të dukshme në raportin e forcave politike, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të shkurtit 2025.

Sipas të dhënave të paraqitura në grafik, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet subjekti politik më i votuar në vend, me rreth 50.28 për qind, duke ruajtur epërsinë ndaj partive të tjera, ndonëse me luhatje të lehta krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Në zgjedhjet e fundit, LVV kishte 42.3 për qind, ndërkaq në zgjedhjet e 28 dhjetorit e ka rikthyer ndjeshëm rezultatin e vitit 2021.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shënon rritje në zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke arritur në rreth 21 për qind, krahasuar me 17.01 për qind në vitin 2021 dhe 20.95 për qind në zgjedhjet e shkurtit 2025, duke u konfirmuar si forca e dytë politike në vend.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shënon rënie të ndjeshme krahasuar me shkurtin 2025. Nga 18.27 për qind, ajo bie në rreth 13.57 për qind, megjithëse mbetet mbi rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 12.73 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vazhdon trendin rënës, duke zbritur në rreth 5.68 për qind në dhjetor 2025, nga 7.06 për qind në shkurt dhe 7.12 për qind në zgjedhjet e vitit 2021.

Ndërkohë, Lista Serbe shënon një rritje të lehtë, me rreth 4.78 për qind, krahasuar me 4.26 për qind në shkurt 2025, por mbetet nën rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 5.09 për qind.

Të dhënat pasqyrojnë një skenë politike ende të polarizuar, me Vetëvendosjen që ruan primatin, PDK-në që konsolidon rritjen dhe partitë tjera që përballen me sfida serioze për të rifituar mbështetjen e elektoratit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet përfundimtare pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave./Telegrafi.

Sh\u00ebnim: N\u00eb zgjedhjet parlamentare t\u00eb shkurtit t\u00eb k\u00ebtij viti, Aleanca p\u00ebr Ardhm\u00ebrin\u00eb e Kosov\u00ebs garoi n\u00eb nj\u00eb list\u00eb t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt me Nism\u00ebn Socialdemokrate. *T\u00eb dh\u00ebnat p\u00ebr zgjedhjet e dhjetorit t\u00eb k\u00ebtij viti reflektojn\u00eb rezultatet me 99.65 p\u00ebr qind t\u00eb vendvotimeve t\u00eb procesuara. Grafika: Doruntina Baftiu | Radio Evropa e Lir\u00ebBurimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Shënim: Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garoi në një listë të përbashkët me Nismën Socialdemokrate.*Të dhënat për zgjedhjet e dhjetorit të këtij viti reflektojnë rezultatet me 99.65 për qind të vendvotimeve të procesuara.Grafika: Doruntina Baftiu | Radio Evropa e LirëBurimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Kurti fton PDK-në, LDK-në e AAK-në për bashkëpunim në Kuvend, flet edhe për zgjedhjen e presidentit

28 December 2025 at 23:10


Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si fitore të popullit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti theksoi se fitorja e LVV-së tregon qartë nevojën për të ecur përpara me formimin e institucioneve dhe për certifikimin sa më të shpejtë të rezultateve.

“Me 9 shkurt sivjet fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tash na presin shumë punë përpara dhe rezultati i sotëm na ka bërë të qartë se duhet të ecim përpara pa vonesa. Sa më parë që certifikohen rezultatet, aq më shpejt duhet t’i krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën dhe projektet e nevojshme”, tha Kurti.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LVV-ja ka marrë 49.74% të votave, pa përfshirë votat me kusht, të personave me aftësi të kufizuara dhe ato nga diaspora.

Kurti ftoi partitë e ish-opozitës për bashkëpunim në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve që shërbejnë interesin publik.

“Ftoj që partitë opozitare të bashkëpunojnë në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira dhe interesin publik të qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kurti tha se fillimisht do të bisedojë me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, mandati i së cilës skadon në prill 2026, dhe më pas me partitë e tjera në Kuvend.

Ai nënvizoi se miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, që kërkon votën e 80 deputetëve, do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin mes LVV-së dhe partive të tjera, duke ndikuar edhe në zgjedhjen e presidentit.

Kurti foli edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë, duke theksuar se bashkëpunimi me shtetin shqiptar do të rritet.

“Ne bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë me cilëndo qeveri që është aty. I kemi 58 marrëveshje të reja me kryeministrin Rama, dhe niveli i zbatimit të tyre është më i madh se kurrë më parë. Jemi të interesuar që afrimi dhe bashkëpunimi të rritet edhe më shumë”, përfundoi ai./Telegrafi.

Kështu pritet të ndahen ulëset në legjislaturën e 10-të në Kuvendin e Kosovës

28 December 2025 at 22:49


Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në zgjedhjet e sotme parlamentare, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Bazuar në këto rezultate, LVV ka marrë 49.80 për qind të votave dhe, sipas projeksioneve fillestare të shpërndarjes së ulëseve në Kuvend, pritet t’i ketë 56 deputetë.

Këto projeksione janë bërë pa përfshirë votat e diasporës dhe janë të kushtëzuara deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 21.21 për qind të votave dhe pritet të sigurojë 23 ulëse në Kuvend.

Si forca e tretë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.76 për qind të votave, çka sipas projeksioneve i siguron 15 deputetë.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.73 për qind të votave pritet t’i ketë 6 deputetë.

Shpërndarja e ulëseve bëhet sipas metodës D’Hondt, e cila është metodologjia standarde e përdorur në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse, prej të cilave 100 janë ulëse të përgjithshme që ndahen mes subjekteve politike, ndërsa 20 janë ulëse të rezervuara për komunitetet jo-shumicë.

Rezultatet përfundimtare dhe përbërja e saktë e Kuvendit priten të konfirmohen pas numërimit të plotë të votave, përfshirë ato nga diaspora.

Numërohen mbi 55 për qind të votave, këto janë rezultatet e KQZ-së

28 December 2025 at 19:57


E plotësuar: Sipas rezultateve të publikuara deri më 28.12.2025, ora 20:39, Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson zgjedhjet me 49.67% të votave, duke grumbulluar 226,354 vota në nivel vendi.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.02% ose 91,217 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 14.12% të votave, përkatësisht 64,359 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.85% (31,206 vota).

Lista Serbe ka marrë 3.33% ose 15,186 vota.

Nisma Socialdemokrate renditet e fundit me 1.49% të votave, që përkthehen në 6,795 vota.

Sipas të dhënave, janë numëruar 469,898 vota, që përbëjnë rreth 23.50% të totalit të pritshëm apo mbi 55 për qind, ndërsa procesi i numërimit vazhdon.

E përditësuar: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin e radhës të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku deri më tani janë numëruar 327,567 vota, apo mbi 41 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara më 28.12.2025 në ora 20:29, Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të kryesojë bindshëm me 48.79 për qind të votave, që përkthehen në 154,826 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.91 për qind apo 63,180 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 13.85 për qind ose 43,952 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar deri më tani 7.37 për qind të votave (23,390 vota), ndërsa Lista Serbe figuron me 3.70 për qind apo 11,740 vota. NISMA Socialdemokrate mbetet nën prag me 1.65 për qind të votave (5,233 vota).

Sipas KQZ-së, janë përpunuar 1,049 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbëjnë 41.02 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Harta zgjedhore tregon dominim të Vetëvendosjes në shumicën e komunave të Kosovës.

Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa nga KQZ theksojnë se rezultatet janë paraprake dhe mund të pësojnë ndryshime deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar të tyre.

Me 21 për qind të votave të numëruara, LVV thellon epërsinë: Këto janë rezultatet e KQZ-së

E plotësuar: Rezultatet e përditësuara preliminare nga numërimi i votave tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm në zgjedhje.

Sipas të dhënave të fundit, VV ka marrë 47,12 për qind të votave, përkatësisht 72.737 vota, duke konfirmuar epërsinë ndaj subjekteve të tjera politike.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19,33 për qind apo 29.842 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13,68 për qind të votave, që përkthehen në 21.122 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 7,70 për qind të votave ose 11.884 vota, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 4,59 për qind me 7.079 vota. Nisma Socialdemokrate renditet e fundit ndër subjektet kryesore me 1,82 për qind të votave, përkatësisht 2.806 vota.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë numëruar mbi 159 mijë vota, ndërsa procesi i numërimit vazhdon edhe në qendrat e tjera. Rezultatet mbeten preliminare dhe mund të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të procesit dhe certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ ka bërë thirrje për qetësi dhe ka theksuar se transparenca dhe integriteti i procesit zgjedhor do të garantohet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

KQZ nis numërimin e votave, këto janë rezultatet e para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare, të cilat u mbajtën të dielën në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje po prin bindshëm në rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të dhënave të përditësuara më 28 dhjetor 2025, në orën 19:54. Me 45,81 për qind të votave të numëruara, Vetëvendosje ka siguruar deri tani 13.325 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 18,59 për qind apo 5.407 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12,94 për qind, që përkthehet në 3.765 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 8,31 për qind të votave ose 2.417 vota.

Lista Serbe renditet pas saj me 3,93 për qind, përkatësisht 1.143 vota, ndërsa Koalicioni Vakat ka siguruar 2,61 për qind apo 760 vota.

Sipas të njëjtave të dhëna, deri në këtë fazë janë numëruar 30.367 vota nga gjithsej 1.999.204 votues të regjistruar, që përfaqëson një pjesëmarrje prej rreth 1,52 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vazhdojë përditësimin e rezultateve gjatë orëve në vijim, ndërsa këto shifra konsiderohen ende paraprake./Telegrafi.

Krahasimi i Exit Polleve: LVV kryeson bindshëm, PDK dhe LDK me diferenca të vogla mes matjeve

28 December 2025 at 19:54


Exit pollet e publikuara nga UBO Consulting, T7 dhe Klan Kosova tregojnë një tablo të ngjashme të rezultateve zgjedhore, me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) që prin qartë në të gjitha matjet, ndërsa PDK dhe LDK ruajnë pozicione të qëndrueshme me dallime minimale.

Sipas UBO Consulting, LVV ka marrë 45.7%, e ndjekur nga PDK me 22.0% dhe LDK me 15.6%. Ndërkohë, AAK vlerësohet me 5.3%, ndërsa Nisma Socialdemokrate me 1.7%.

Exit poll-i i T7 e vendos LVV-në në 43.5%, PDK-në në 23.6% dhe LDK-në në 15.9%. Në këtë matje, AAK arrin 7.2%, ndërsa kategoritë “Të tjerë” shënojnë 9.8%.

Ndërsa sipas Klan Kosova, LVV rezulton me 44.1%, PDK me 23.9% dhe LDK me 16.1%. AAK në këtë exit poll vlerësohet me 5.8%, ndërsa Nisma me 1.1%.

Përfundim:

Të tri exit pollet konfirmojnë dominimin e LVV-së, me një epërsi të konsiderueshme ndaj partive të tjera.

Diferencat mes PDK-së dhe LDK-së janë relativisht të vogla, ndërsa AAK luhatet nga 5 deri në 7 për qind, varësisht nga matja. Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Telegrafi.

Lideri i partisë arsyeja kryesore pse qytetarët kanë votuar në zgjedhje, por jo për LDK-në

28 December 2025 at 19:39


Një sondazh i fundit i UBO Consulting tregon arsyet kryesore pse qytetarët e Kosovës zgjedhin partitë politike në zgjedhjet e fundit.

Sipas rezultateve, motivi kryesor për votuesit ndryshon në varësi të partisë që kanë votuar.

Pyetja: Arsyeja pse keni votuar, sipas sondazhit.

Vetëvendosje, Albin Kurti: Për liderin e partisë: 53.7 për qind.

PDK, Bedri Hamza: Për linderin e partisë: 52.4 për qind.

LDK, Lumir Abdixhiku: Për liderin e partisë: 11 për qind.

(Arsyeja kryesore pse qytetarët e kanë votuar LDK-në është historiku i partisë)

AAK, Ramush Haradinaj: Për liderin e partisë: 4O.2 për qind.

Nisma, Fatmir Limaj: Për liderin e partisë: 23.6 për qind.

(Arsyeja kryesore pse qytetarët e kanë votuar Nismën është historiku i partisë)

Rezultatet e sondazhit tregojnë se faktorët kryesorë të vendimmarrjes së votuesve ndryshojnë dukshëm nga një parti te tjetra, duke reflektuar diversitetin e preferencave politike në Kosovë./Telegrafi/

Exit Poll në T7: VV 43.5%, PDK 23.6%, LDK 15.9%, AAK 7.2%

28 December 2025 at 19:02


Në emisionin “Pressing”, janë prezantuar rezultatet e sondazhit të realizuar nga Albanian Post në bashkëpunim me T7.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 43.5% të votave, PDK ka marrë 23.6%, LDK ka marrë 15.9, AAK ka marrë 7.2.

Exit Poll u prezantua nga Baton Haxhiu i Albanian Post.

Rezultati që morën partitë politike në zgjedhjet e shkurtit 2025: Vetëvendosje 42.3%, PDK 20.9%, LDK 18.2, AAK 7%.

Afatet për shmangien e paralizës potenciale të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

18 December 2025 at 23:44


Këtë vit, 28 dhjetori përbën të dielën e katërt të zgjedhjeve në Kosovë.

Për shkak të mungesës së konsensusit politik për të krijuar institucione pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova i organizon zgjedhjet e parakohshme këtë fundvit, që sipas planifikimeve buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kapin shumën e rreth 11.5 milionë eurove.

Duket që KQZ-ja duhet të tregojë efikasitet si asnjëherë më parë, që të mund të arrihen afatet e nevojshme për formimin e një qeverie të re, e që shteti të mos hyjë në një territor të pashkelur më parë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, KQZ-së i duhen diku një muaj e gjysmë kohë për t’i kryer të gjitha procedurat.

“Besoj që fundi i muajit janar është periudha më ideale kur mund të kemi certifikim të rezultateve zgjedhore, ndonëse rreziku është që një të tillë të mos e kemi deri në mesin e muajit shkurt”.

Pas certifikimit, ligji parasheh një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por, këtë herë, Kuvendi duket se afat të fundit për konstituim e ka, në fakt, fundin e shkurtit.

Arsyeja? Pozita e presidentit të shtetit.

“Data 5 mars është afati i fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, dhe dështimi eventual mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, edhe pa arritur fare te zgjedhja e qeverisë, apo te formimi i institucioneve të reja”, thotë Cakolli.

Pra, partitë politike, përveçse se të dakordohen për institucionet e reja, duhet të dialogojnë edhe për çështjen e kreut të shtetit, pozitë të cilën aktualisht e mban Vjosa Osmani.

Ky post është përmendur shpesh si pjesë e kalkulimeve të subjekteve politike në arritjen e koalicioneve eventuale për bashkëqeverisje.

Rreziqet përpara

Një tjetër problem i madh do të ishte mbetja e shtetit pa buxhet. Në pamundësi të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, Kosova do të funksionojë me 1/12 e buxhetit të vitit aktual gjatë dy muajve të parë të 2026-tës.

Në një situatë të atillë, pa një emër të ri të presidentit dhe pa një qeveri të re e buxhet, as KQZ-ja nuk do të mund t’i organizonte zgjedhjet e parakohshme të radhës, në mungesë fondesh, që s’do të kishte kush t’ia ndante.

Megjithatë, Cakolli beson se, nëse partitë do ta ndanin mendjen për bashkëpunim, ky skenar do të shmangej – në rast të kundërt, rreziqet do të ishin të jashtëzakonshme.

“Nëse do të ketë vullnet politik për të gjetur zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme, atëherë mund të arrijmë në momentin kur Kuvendi miraton një buxhet, apo formohet qeveri kujdestare në atë periudhë. Por, nëse do të ketë mungesë të vullnetit politik, vendimmarrje politike në funksion të vazhdimit të bllokadës, atëherë vendi do të shkojë drejt krizës, unë besoj më të rëndën institucionale ose socio-politike që kemi parë ndonjëherë”.

Në këtë drejtim, Cakolli vlerëson se fjalori i partive politike në nisje të fushatës duket më i moderuar, duke përmendur në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje.

Kush i monitoron zgjedhjet?

Kur zgjedhjet u caktuan për 28 dhjetor, disa parti e organizata në Kosovë alarmuan se zgjedhjet nuk do të mund të monitorohen nga faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e mirë e botës është në periudhë festash ato ditë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për REL-in se në grupin e parë të vëzhguesve të akredituar më 16 dhjetor ka përfaqësues të mediave vendëse e ndërkombëtare, përfaqësues të ambasadave britanike e japoneze, dhe të organizatave joqeveritare vendëse.

Cakolli pohon të ketë mësuar se misioni i Bashkimit Evropian do të jetë shumë më i kufizuar në numër këtë herë, ndërsa rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim pritet të jetë më i madhi – me rreth 600 vëzhgues dhe vullnetarë të angazhuar – për monitorimin e procesit.

“Normalisht, vëzhgimi ndërkombëtar është vlerë e shtuar e procesit, por nuk besoj se është përcaktues në integritetin e vetë procesit zgjedhor”, shprehet ai.

Procesi zgjedhor

Në këto zgjedhje, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Sikur edhe më 9 shkurt, diasporës i është ofruar mundësia që të votojë me postë – në periudhën 12-27 dhjetor – apo në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete të ndryshme, më 27 dhjetor.

Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë nga një subjekt politik.

Rastet kur fletëvotimi shpallet i pavlefshëm është kur votuesi voton më shumë se një subjekt politik apo kur voton vetëm për kandidatët për deputetë, dhe jo edhe për subjektin politik.

Deri në atë ditë, premtimet e kandidatëve për t’u ngjitur në pushtet do të jenë të pranishme në çdo platformë të mundshme.

Orët e vona të 28 dhjetorit do të japin më shumë qartësi nëse Kosova do ta shmangë një paralizë të mundshme...

Zgjedhjet e 28 dhjetorit - këta janë top 10 kandidatët e partive në listat zgjedhore

8 December 2025 at 08:20


Të dielën në mesnatë ka përfunduar afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë nga radhët e subjekteve politike.

Menjëherë pas përfundimit të këtij afati, subjektet politike publikuan listat e plota me 110 kandidatë.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate tashmë tashmë kanë publikuar listat e tyre zyrtare.

Sikurse edhe më parë, bartës të listave tek të pesë subjektet politike janë krerët e tyre.

Më poshtë Telegrafi ua sjellë 10 e kandidatëve të këtyre subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje – Top 10

1.Albin Kurti

2.Glauk Konjufca

3.Donika Gërvalla-Schwarz

4.Avni Dehari

5.Albulena Haxhiu

6.Hekuran Murati

7.Xhelal Sveçla

8.Mimoza Kusari Lila

9.Hajrulla Çeku

10.Shqipe Mehmetaj Selimi

Partia Demokratike e Kosovës – Top 10

1. Bedri Hamza

2. Uran Ismaili

3. Vlora Çitaku

4. Enver Hoxhaj

5. Arben Mustafa

6. Besa Kabashi Ramaj

7. Rrahman Rama

8. Eman Rrahmani

9. Sala Jashari

10. Kujtim Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës – Top 10

1. Lumir Abdixhiku

2. Kujtim Shala

3. Hykmete Bajrami

4. Doarsa Kica Xhelili

5. Lutfi Haziri

6. Avdullah Hoti

7. Anton Quni

8. Jehona Lushaku Sadriu

9. Ferid Agani

10. Ukë Rugova

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Top 10

1. Ramush Haradinaj

2. Besnik Tahiri

3. Time Kadrijaj

4. Bekë Berisha

5. Arber Tolaj

6. Albana Bytyqi

7. Pal Lekaj

8. Gani Dreshaj

9. Diellza Kukaj

10. Agim Çeku

Nisma Socialdemokrate – Top 10

1. Fatmir Limaj

2. Xhevahire Izmaku

3. Arbëreshë Krasniqi

4. Mevludin Krasniqi

5. Endrit Shala

6. Albulena Balaj Halimaj

7. Artan Nimani

8. Çerkin Dukolli

9. Jehona Rrafshi Lumi

10. Nehat Mustafa

Kujtojmë se në total, për legjislaturën e re janë dorëzuar 1,181 kandidatë nga të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e pavarur. /Telegrafi/

"Ndihem rehat në logon e tyre", Limaj i gatshëm për bashkim pa kushte me PDK-në

4 December 2025 at 22:26


Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe mundësinë e një bashkimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se koha nuk është pengesë, por se gjithçka varet nga vullneti politik.

Limaj tha se ka kërkesa nga elektorati që Nisma të bashkohet me PDK-në.

“Mërgimtarë, por edhe zyrtarë të PDK-së kanë kërkuar që të ndodhë bashkimi. Nga deputetë me përvojë dhe drejtues të luftës është kërkuar nga unë që të bashkohem me PDK-në. Unë nuk kam dashur të injoroj kërkesën e tyre dhe kam shprehur gatishmërinë time”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, ndryshe nga raporti me LDK-në, te PDK-ja nuk ka pasur as hezitim e as kushte.

“Te LDK-ja kam hezituar për çështjen e siglës, ndërsa te PDK-ja nuk kam pasur asnjë hezitim. Kemi shprehur gatishmërinë e plotë për të qenë në një listë të përbashkët, sepse unë ndihem rehat nën siglën e PDK-së dhe kemi qenë të gatshëm të bashkohemi pa kushte.”

Limaj theksoi se ka qenë dhe mbetet i gatshëm për një bashkim me PDK-në.

“Për Koalicion LDK-Nisma duhet kohë. Mendoj se për të ndërtuar diçka të përbashkët mes meje dhe PDK-së mjafton një minutë. Kur ka vullnet, duhet vetëm një minutë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se për një bashkim me Nismën e Fatmir Limajt nevojitet një kohë më e gjatë dhe një proces zgjedhor i ndryshëm./Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Nisma certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit

3 December 2025 at 14:10


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka votuar sot për certifikimin e subjektit politik Nisma, e cila ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 nëntorit.

Sipas Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike dhe Certifikim, Nisma ka dorëzuar listën e nënshkrimeve të mbështetësve, ka paguar taksën e certifikimit dhe nuk ka asnjë gjobë të papaguar nga PZAP apo KQZ.

“Lidhur me këtë, Zyra rekomandon që të certifikohet ky subjekt për pjesëmarrje në zgjedhje,” u tha në mbledhjen e KQZ-së.

Rekomandimi u miratua nga anëtarët e KQZ-së me 10 vota për, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së Nismës në procesin zgjedhor. /Telegrafi/

​“Tendencë për rritje të votës, rrezik për moskalim të pragut”, si po shihen lëvizjet e fundit të partive politike

1 December 2025 at 16:43


Tendencë për të rritur votën po shihet koalicioni zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët e saj të kahershëm Guxo dhe Alternativa, si dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

Sipas analistëve politikë, koalicioni i LVV-së, është më shumë simbolik dhe formal, pasi emrat kyç të Guxo dhe Alternativa, veçse kanë krijuar identitet brenda partisë së Kurtit.

Në anën tjetër, vendimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për të garuar të vetme në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit po konsiderohet i pritshëm. Megjithatë, vendimi i Nismës për të mos lidhur koalicion parazgjedhor me asnjë parti po shihet me rrezik të madh, pasi sipas analistëve e njëjta rrezikon të mos kalojë pragun zgjedhor.

Politologu Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress, se mungesa e koalicioneve të mëdha parazgjedhore mes partive politike ka qenë e pritshme, pasi hendeku mes tyre është i madh. Ai shprehet i habitur me Partinë Shqiptare Demokristiane, e cila ia ka bashkuar LVV-së, në koalicion parazgjedhor.

“Në përgjithësi këto zhvillime kanë qenë të pritshme. Hendeku është shumë i madh mes partive politike, prandaj ka qenë iluzore të pritej ndonjë koalicion më i madh ose bllok i koncentruar i partive politike... Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë këtë koalicion me partitë e vogla. Mendoj se ky është një koalicion simbolik dhe vetëm formal. Në esencë këto parti janë ekstremisht të vogla dhe nuk çojnë peshë jashtë Lëvizjes Vetëvendosje. Asnjëra prej tyre nuk mund të siguronte pragun zgjedhor... Arsyeja pse Lista Guxo dhe Alternativa janë në koalicion me LVV-në, janë për shkak të individëve: Zonjës Mimoza-Kusari-Lila, Zonjës Gërvalla dhe përfaqësuesve të tjerë. Përfaqësuesit e Guxo dhe Alternativës janë fuqizuar shumë në këtë mandat, prandaj edhe shihen si përfaqësues të LVV-së dhe kanë krijuar një identitet brenda LVV-së... Partia Demokristiane ka qenë gjithmonë aleate e LDK-së dhe është e çuditshme që e ka bërë këtë hap. Besoj se nuk ka pasur një ofertë bindëse nga LDK-ja, përndryshe nuk do të ndryshonin aleatin. Ajo që është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar të maksimalizojë votën qoftë edhe me një parti të vogël si demokristianët”, thekson ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë qenë në negociata për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Megjithatë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se pranojnë të bashkëpunojnë me Nismën vetëm nëse kjo parti përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë dhe jo përmes koalicionit formal.

Përkundër pritjeve, Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

E analisti politik, Blerim Canaj, thotë për KosovaPress, se lideri i Nismës, Fatmir Limaj, më shumë është i ndërtuar për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike të Kosovës sesa me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, megjithëse LVV-ja lidhi koalicion zyrtar me Guxo dhe Alternativa, ai deklaron se këto dy parti veçse janë shkrirë në LVV. Sipas tij, më ekstrem Vetëvendosje janë bërë zyrtarët e Guxo dhe Alternativës, sesa vet ata që e kanë themeluar LVV-në.

“Ata vetëm e shesin si të tillë sikur janë disa parti, por që janë të shkrira, ajo s’do koment. E kemi parë që më ekstrem Vetëvendosje janë bërë kandidatët e Listës Guxo dhe Alternativës sesa vet ata që e kanë themeluar Lëvizjen Vetëvendosje. Te LVV-ja jemi në një situatë tjetër, ndërkaq te PDK dhe LDK është më ndryshe, sidomos kur flitet për zotëri Limaj. Limaj është i ndërtuar për PDK-në dhe jo për LDK-në”, thekson ai.

Mungesën e koalicionit dhe bashkëpunimit mes LDK-së dhe Nismës e sheh problematike për bllokun e ish-opozitës, politologu Artan Muhaxhiri.

Ai thotë për KosovaPress, se pjesëmarrja e Nismës si parti e vetme në zgjedhje është rrezik, pasi e njëjta s’ka asnjë gjasë të kalojë pragun zgjedhor.

Muhaxhiri përmend një mori shkaqesh pse asnjë parti nuk arriti koalicion parazgjedhor me Nismën, derisa thekson përvojën e hidhur që kjo parti e pati në zgjedhjet e kaluara me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ajo çka ka ndodhur me Nismën është pasojë e asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Zotëri Limaj u bë aleat i Aleancës por pastaj u nda. Në përgjithësi, tradicionalisht partitë e vogla kanë përfituar shumë kur janë bërë pjesë e listave të partive të mëdha. Përveç që e kanë pasur të siguruar kalimin e pragut, edhe numri i kandidatëve për deputetë në këto lista ka qenë shumë më i madh sesa realisht që kanë pasur. Gjithsesi pas zgjedhjeve kanë pasur mundësinë që të shkëputen dhe të shndërrohen në një subjekt autonom qoftë në parlament dhe pastaj të kërkojnë edhe pushtet. Gjithsesi, kësaj radhe nuk ka ndodhur pasi LDK-ja e ka parë që më shumë do të humbte sesa do të përfitonte me zotëri Limaj. Edhe akti i zgjedhjeve të kaluara kur hyri në zgjedhje me Haradinaj dhe pastaj u përçan ka bërë që partitë të jenë më të kujdesshme kësaj radhe. Gjithsesi kjo e dëmton zotërin Limaj pasi pothuajse s’ka asnjë gjasë të kalojë pragun zgjedhor me këtë kontekst politik”, thekson ai.

Koalicione parazgjedhore përveç koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partisë Shqiptare Demokristiane, janë zyrtarizuar edhe dy koalicione të tjera. Sipas KQZ-së, koalicion kanë arritur “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB); dhe koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV).

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor.

Bisedimet nuk dhanë rezultat për koalicion, Limaj i hyn garës i vetëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit

1 December 2025 at 08:24


Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i hedhur poshtë të gjitha spekulimet për një bashkëpunim parazgjedhor me subjektet tjera politike.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat u mbajtën më 9 shkurt, NISMA kishte hyrë në garë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilin siguruan tri ulëse në Kuvend.

Në këto zgjedhje kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj kishte marrë 25 mijë e 718 vota. Mirëpo pavarësisht bashkimit të forcave në këto zgjedhje, pas shpalljes së rezultateve pati mosmarrëveshje mes Limajt dhe Haradinajt, për shkak që Limaj ishte shprehur i hapur për bashkëpunim me kreun e LVV-së, Albin Kurti.

Madje së fundmi nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj u shpreh se koalicioni me NISMA-n u shkaktoi dëm.

“Limaj ishte pjesë e koalicionit, njerëzit ndoshta e keqkuptojnë, nuk kemi ne personale as me zotin Kurti, as me Limajn, as me kërkon, por nuk funksionoi ai koalicion. Mendoj që kemi pasur një dëm edhe jemi shumë të interesuam me shku kështu qysh jemi”, tha Haradinaj.

Ndërsa ditëve të fundit ishte përfolur edhe një mundësi e afërt që NISMA të hynte në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj i tha Telegrafit ditë më parë se janë në diskutime me LDK-në për koalicion.

“Jemi në bisedime me LDK-në, sa i përket PDK-së nuk kemi pas ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka ndodh asnjë takim”, tha Limaj.

Por një marrëveshje e tillë duket se nuk u konkretizua. Kjo madje u vërtetua nga KQZ, e cila bëri të ditur se Nisma Socialdemokrate ka aplikuar si subjekt i vetëm politik për tu certifikuar për zgjedhjet e dhjetorit.

Nisma pritet të bëjë publike ditëve në vijim listën e plotë të kandidatëve dhe platformën me të cilën synon votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundvitit. /Telegrafi/

Vetëvendosje garon në zgjedhje si koalicion me Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në

30 November 2025 at 21:15


Kur kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në përfundim të afatit, deri në orën 20:30 të ditës së diele, 17 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Tri nga këto subjekte politike janë koalicione që janë deklaruar në KQZ.

Në mesin e këtyre koalicioneve të deklaruara është edhe koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Këto të dhëna janë bërë të ditura për nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka njoftuar se “deri më tani (e diel, 30 nëntor, ora 20:30) 17 subjekte politike kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, i cili, sipas tij, “është i ngjhëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore”.

Sipas Elezit, këto subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin:

Koalicionet:

1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;

2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe

3. Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Partitë politike:

4. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;

5. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:

6. Kosovaki Nevi Romani Partia;

7. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;

8. Za Slobodu Pravdu i Opstanak;

9. KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;

10. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;

11. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;

12. SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;

13. SRPSKA LISTA;

14. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;

15. FJALA;

16. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;

17. LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK).

Subjeketet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë afat që deri më 7 dhjetor të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë.

Haxhiu: Pasi dëgjuam deklaratat e LDK-së e Nismës nuk bëmë përpjekje me Konjufcën

20 November 2025 at 22:26


Më 19 nëntor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë përbërjen e Qeverisë së re të propozuar nga Vetëvendosje dhe e udhëhequr nga Glauk Konjufca.

Nga 113 deputetë të pranishëm, vetëm 56 votuan për, 53 kundër dhe 4 abstenuan. Para kësaj, më 26 tetor kishte dështuar edhe përpjekja e parë e mandatarit Albin Kurti për të formuar Qeverinë.

Kjo situatë çoi në lëvizjen e Presidentes Vjosa Osmani, e cila më 20 nëntor shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme për datën 28 dhjetor, duke konstatuar se Kuvendi nuk kishte arritur të krijonte shumicë qeverisëse pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në këtë kontekst, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosja nuk ka pasur asnjë mundësi reale për të krijuar koalicion, pasi disa prej partive politike e kishin bërë të qartë publikisht se nuk do të bashkëpunonin.

“S’kemi pas përpjekje për koalicion, po. Sepse ne i kemi dëgjuar deklaratat publike edhe të LDK-së edhe të Nismës. Edhe pas mandatimit të tij, menjëherë kanë dal në deklarata. Madje disa prej tyre kanë thënë se është shkelje kushtetuese, se kanë thënë duhen 61 nënshkrime, kanë thënë që vendi duhet të shkoj të zgjedhje menjëherë”, ka thënë Haxhiu.

- YouTube youtu.be

Limaj: Nuk e votojmë këtë qeveri, nuk bëhet shteti kështu bre djem

4 November 2025 at 22:19


Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se ata nuk do ta votojnë këtë qeveri të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Limaj tha se VV-ja krejt këto i ka kalkulime elektorale edhe për të dielën (ditën e balotazhit), edhe pas të dielës.

“Duke hequr në njërën anë emrin e z. Konjufca, ju e patë qëndrimin e z. Kurti. Edhe tha kështu: ‘Po e bëj një mandatar me qëllim me i evituar dy palë zgjedhje’, a ishte kështu?”, tha Limaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai tha se me këto deklarata po tregohet joseriozitet.

“Këta tre muaj po e çojmë Glaukun që mos me i pasë dy palë zgjedhje? A ishte kështu? Që këtu fillon joserioziteti. Që këtu përfundon çdo gjë. Na ka treguar sot qartë. Ne nuk i votojmë, këto agjenda partiake, elektorale, s’kanë absolutisht asgjë në interes shtetëror, që dikush me pauzu, me shku me u kthy. Nuk bohet shteti kshtu, bre djem”, u shpreh Limaj.

Ndarja e mandateve në Prizren, PDK merr 13 asambleistë, LVV-9

3 November 2025 at 20:18


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare për Kuvendin e Komunës së Prizrenit për zgjedhjet e vitit 2025.

Me gjithsej 41 vende në Kuvendin Komunal, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është fituese kryesore, duke siguruar 13 mandate dhe 19,582 vota (32.34% të totalit).

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 9 mandate me 12,916 vota (21.33%)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 6 mandate dhe 8,310 vota (13.73%)
Bashkimi Demokratik i Prizrenit ka marrë 3 mandate me 4,081 vota (6.74%)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 2 mandate me 3,140 vota (5.19%)
Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) ka fituar 2 mandate me 2,718 vota (4.49%)

Kandidatët fitues:

PDK:

  1. Kujtim Gashi (19,582 vota)
  2. Islam Ukaj (1,593 vota)
  3. Arianit Berisha (1,178 vota)
  4. Adem Morina (1,043 vota)
  5. Driton Sallauka (919 vota)
  6. Nehat Elshani (829 vota)
  7. Luljeta Veselaj Gutaj (795 vota)
  8. Çelë Lamaj (787 vota)
  9. Endrit Zogaj (680 vota)
  10. Simir Krasniqi (667 vota)
  11. Ymran Fusha (496 vota)
  12. Drita Qenaj (374 vota)
  13. Dea Gavazaj (331 vota)

LVV:

  1. Dafina Alishani (12,916 vota)
  2. Ilir Gashi (1,098 vota)
  3. Karanfil Haxhillari (808 vota)
  4. Adem Shabaj (621 vota)
  5. Selman Sokolaj (533 vota)
  6. Zgjim Kryeziu (481 vota)
  7. Mergiton Gavazaj (476 vota)
  8. Nerimane Pllana Gashi (426 vota)
  9. Shqipe Shatri Çoçaj (385 vota)

LDK:

  1. Driton Selmanaj (8,310 vota)
  2. Florent Ukaj (937 vota)
  3. Qemal Krasniqi (735 vota)
  4. Haziz Hodaj (498 vota)
  5. Mimoza Memaj (378 vota)
  6. Agnesa Sinanaj Gavazaj (279 vota)

Bashkimi Demokratik i Prizrenit:

  1. Shukri Quni (4,081 vota)
  2. Sefidin Islamaj (479 vota)
  3. Liridona Veçgishti (307 vota)

AAK:

  1. Besnik Krasniqi (3,140 vota)
  2. Nazife Kokollari (243 vota)

Kandidatët e tjerë të zgjedhur për Kuvendin Komunal të Prizrenit përfshijnë përfaqësues të subjekteve të tjera si NISMA Socialdemokrate, Guxo, SDU, Yenilikçi Türk Hareket Partisi dhe NOVA Demokratik Stranka.

Limaj: Dy partitë e mëdha mund të bashkohen për një alternativë ndryshe, Nisma është e gatshme të bëhet pjesë e saj

3 November 2025 at 18:04


Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se dy partitë më të mëdha opozitare në vend kanë mundësinë të bashkohen për të ndërtuar një alternativë të re qeverisëse.

Ai tha se Nisma është e gatshme të japë kontributin e saj nëse ekziston një projekt serioz politik.

“Qytetari nuk mjaftohet me thanë ‘po vij me një alternativë ndryshe’. Ai don me pa veprime ndryshe. A po e bashkon këtë zë opozitar që duan një qeveri ndryshe? Çka po bën ti me veprime konkrete me afru këtë bosht ose këtë ekip?”, u shpreh Limaj në emisionin “Frontal”.

Sipas tij, përgjegjësinë për krijimin e një blloku të ri opozitar e mbajnë kryesisht dy partitë e mëdha.

“Dy partitë e mëdha e kanë këtë mundësi. Atyre po ju flas, atyre që duan një qeveri ndryshe. Për me vazhdu njëjtë e kanë LVV-në. Nisma është e gatshme me dhanë kontributin e vet për bashkimin e kësaj vote për një alternativë ndryshe, ama unë duhet me i pa a ka hap serioz e konkret drejt krijimit të një alternative ndryshe,” tha Limaj.

Ai shtoi se Nisma do të mbështesë çdo projekt serioz që synon ndryshim real dhe që qytetarët mund ta shohin si mundësi të besueshme.

“Aty ku është Nisma është kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, përfundoi Limaj.

KQZ publikon rezultatet përfundimtare për Prishtinën, LDK me 15 asambleistë - PDK e LVV nga 12

3 November 2025 at 16:49


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet përfundimtare për Asambletë Komunale në vend, përfshirë edhe kryeqytetin.

Sipas këtyre rezultateve, në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë partia me më së shumti asambleistë, duke siguruar 15 ulëse në Kuvendin Komunal.

Pas LDK-së, renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilat kanë marrë nga 12 asambleistë secila.

Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka fituar 5 mandate në Asamblenë e Prishtinës.

Ndërkohë, subjekti Lidhja e Prishtinës, e drejtuar nga Fehmi Kupina, ka arritur të sigurojë 4 asambleistë, pas një rezultati të konsiderueshëm në vota.

Po ashtu, PSD, Nisma Socialdemokrate dhe Guxo do të kenë secila nga një përfaqësues në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Asambleja e Prishtinës ka 51 asambleistë dhe për të formuar shumicën e thjeshtë duhen 26 vota.

Këto rezultate përmbyllin procesin e numërimit për zgjedhjet lokale, duke i hapur rrugë konstituimit të Asamblesë së re komunale në kryeqytet.

Më poshtë lista e kandidatëve që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Prishtinës.


Izmaku: Tri votat tona nuk do të krijonin shumicën, pritëm më shumë përpjekje nga opozita

31 October 2025 at 23:17


Deputetja e NISMA Socialdemokrate, Xhevahire Izamku, ka bërë të ditur se nuk është ndjerë mirë që takimi i krerëve të partive politike me Presidenten e vendit nuk dha ndonjë rezultat.

Izmaku, në Debat Plus në TV Dukagjini, u shpreh se tri votat e NISMA-s nuk do të krijonin mazhorancën teksa deklaroi se tri vota do i jepnin edhe opozitës në rast se do të përpiqej që të krijonte një shumicë parlamentare.

“Dua të them që sot përveç si deputet por edhe si qytetare nuk jam ndjerë mirë që përkundër përpjekjeve të presidentes nuk pati ndonjë rezultat. Por ndjehem mirë që Limaj dha maksimumin e tij edhe me tre deputetë që të dalim nga ky ngërç politikë. Duke e ditë që Limaj që nga fillimi ka bërë përpjekjet përkundër linçimeve për të dalë nga ky ngërç politikë – zgjedhjet që po duket se nuk mund t'i ikim do të prodhojnë një proces teknik të votimit sesa një zgjidhje. Kam pritë më shumë përpjekje nga dy partitë opozitare”.

“Ne kemi bërë përpjekje deri në fund por votat tona nuk do të siguronin mazhorancën edhe në ditën e votimit e pamë që mungojnë dy deputetët e shumicës joserbe, meqë nuk kanë ekzistuar numrat s’kemi pas qysh me hy në votim. Por, përpjekjet tona ishin që të krijohej mazhoranca, tri votat tona po ashtu do të ishin edhe për opozitën në rast se do të krijonte një shumicë”, deklaroi Izmaku.

- YouTube youtu.be

❌
❌