Banorët e Kurdarisë së bashkisë Klos patën sot seancën e parë gjyqësore pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, për ndalimin e hidrocentralit “Doma”, që kërcënon burimet e tyre të ujit.
Prej muajit gusht ata kanë ngritur padi kundër Këshillit bashkiak Klos, Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit (AZHT) që varet nga qeveria dhe shoqërisë “Global Interprise Group”, e cila është përpjekur prej vitesh të ndërtojë hidrocentralin.
Sipas avokates së banorëve, Dorina Prethi, seanca e sotme u shty pasi mungonte pala tjetër.
“AZHT ka marrë fletë-thirrjen, por ajo nuk është kthyer dhe gjykata nuk ka informacion nëse ata kanë marrë dijeni. Kur njëra palë nuk është prezent gjykata detyrohet ta shtyjë procesin, sepse nesër mund të ketë pretendime për procedura të gabuara”, u shpreh Prethi për Citizens.al.
Sipas saj në padi është kërkuar pavleshmëria e vendimeve 84 dhe 104 të Këshillit bashkiak Klos që dha fondin pyjor për nisjen e punimeve për shtrirjen e tubacioneve për hidrocentralin.
“Sipas ligjit të qeverisjes vendore, Këshilli bashkiak është i detyruar të thërrasë në konsultim banorët në rastet kur jep në përdorim apo në pronësi pronën publike të tyre, por në këtë rast nuk është bërë asnjë procedurë e tillë,” tha avokatja duke shtuar se mungesa e konsultimit është konfirmuar me shkresë zyrtare nga Bashkia Klos.
Hidrocentrali Doma parashikohet të ndërtohet në lumin e Lusës, që kalon mes tre prej fshatrave: Kurdari, Skënderaj dhe Kurqelaj. Për ndërtimin e tij pritet të hapet 4.4 kilometra trase rruge dhe rrjedha e lumit të futet në tuba.
Beteja e komunitetit të Matit kundër HEC-eve
Pesë fshatrat e njësisë administrative Suç: Suç, Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj dhe e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u konkretizua.
Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.
Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.
Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë. Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e tyre”.
Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mosrealizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u kthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim të ri. Ata refuzuan ta zhvillojnë takimin duke treguar kundërshti.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.
“Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja për Citizens.al.
Paralelisht, në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.
Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit. Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.
“Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.
Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.
Pesë vite më pas, kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende, për të cilët banorët shprehen se nuk janë pyetur. Banorët janë organizuar sërish në protesta, duke mos lejuar asnjë mjet të rëndë pune të shkojë në terren. Ndërsa së fundi kanë nisur edhe procesin gjyqësor.
Avokatja Dorina Prethi shprehet me besim se procesi do të mbyllet shpejt.
“E parashikoj dy-tre seanca jo më shumë”, tha ajo ndërsa seanca e dytë, do të mbahet më 16 tetor.
Lexoni gjithashtu:
The post Banorët e Kurdarisë nisin gjyqin kundër hidrocentralit “Doma” appeared first on Citizens.al.