Mbrojtësi Tomas Guidara që ka përfaqësuar Argjentinën në grupmosha, publikisht ka shprehur gatishmëri për të luajtur në fanellën e Shqipërisë.
Guidara për herë të parë ra në sy kur Sylvinho e përmendi se kishte gjetur një shqiptar në Argjentinë. Tani, për herë të parë futbollisti që mbron fanellën e Hurucan ka pranuar se dëshiron të luajë me “Kuq e Zinjtë”.
Ai për “Panorama Sport” deklaroi se dëshiron të mësojë më shumë për rrënjët shqiptare dhe që ndodhet në kontakte me FSHF-në.
“Të them të drejtën, më tërhoqi shumë vëmendjen dhe u entuziazmova kur mora vesh që një kombëtare tregoi interes për mua. Është gjithmonë diçka shumë e bukur dhe motivuese kur shikon që puna jote dhe përkushtimi vlerësohen në një nivel të tillë, dhe kjo të bën të ndihesh i njohur dhe pjesë e diçkaje më të madhe se vetja”.
“Sinqerisht, di shumë pak për prejardhjen time shqiptare. Është diçka që gjithmonë më ka ngjallur shumë kureshtje dhe dëshirë për të mësuar më shumë, por për momentin nuk kam kontakte direkt me persona nga Shqipëria apo komunitetin arbëresh, gjë që do të më pëlqente ta ndryshoja në të ardhmen”.
Ai shtoi se ndodhet në kontakte me FSHF-në, kurse është i hapur për ta përfaqësuar përfundimisht Shqipërinë.
“Po, ka pasur kontakt. Federata Shqiptare e Futbollit ka komunikuar drejtpërdrejt si me mua, ashtu edhe me përfaqësuesin tim, duke shprehur interesin e tyre për të më pasur në skuadër. Ishte një ndjesi shumë pozitive dhe një shenjë që puna ime vlerësohet jashtë vendit”, deklaroi ai.
Përndryshe, nuk dihet nëse Guidara është i pajisur me pasaportë shqiptare dhe nëse mund të ftohet nga Sylvinho për ndeshjet e muajit mars, në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Kupës së Botës./Telegrafi/
“Është beteja më e madhe e jetës time që po kaloj me këtë vajzë. Sepse pa fëmijë, pa burrë. Kam bërë 85 vjeç, pavarësisht se jeta është e dhimbshme, por, para kësaj, nuk më dhimbset jeta. Të kisha ikur”
Sfida e një nëne nuk njeh moshë. Ajo është gjithmonë aty për fëmijën e saj. E tillë është sakrifica e nënës 85-vjeçare, Durime Asllanit, të cilën fati e ka vënë përballë një sfide të vështirë në moshën më delikate të jetës, atë të pleqërisë.
Ajo duhet të kujdeset për vajzën e saj, 60-vjeçe, Rajmondën, e cila është diagnostikuar me sëmundjen e rëndë të kancerit.
“Kam ardhur në spital me vajzën, që e kanë shtruar. Ajo më përpara ka qenë shumë mirë, brenda dy muajve ankoi një këmbë dhe e sollëm në spital. Pas ekzaminimeve në kurriz, i doli që ka kapur kockën. Pastaj gjirin. Këtë të kurrizit në gradë të 4, atë të gjirit në gradë të dytë. Është me kancer.”, tha ajo.
85-vjeçarja është nënë e gjashtë fëmijëve. Prej dy muajsh ajo sfidon moshën duke shoqëruar vajzën e saj nëpër dyert e spitaleve në vend. Përballë kësaj beteje, Rajmonda ka edhe mbështetjen e motrave dhe të vëllezërve të saj.
“Është shumë e vështirë që nëna të shoh fëmijën shtrirë. Më mirë të kisha ikur vetë përpara. Vështirësi se lodhem duke ardhur, po vështirësi të tjera nuk kam. Qoftë nga ekonomia apo të tjera, sepse kam fëmijët jashtë vendit dhe sot do vijnë këtu. Mblidhemi të tërë.”, pohoi ajo.
Përballë rrugëtimit të vështirë, nënë Durimia është bërë më e fortë, forcë e cila buron nga misioni për t’i shërbyer vajzës së saj.
“Do bëhem e fortë sepse duhet të jem për atë. Që ti bëj hyzmet. Mos ta lë që të torturohet ajo. Do bëhem e fortë me se s’bën.”, u shpreh ajo.
Sëmundja u zbulua në një stad të avancuar. Nënë Durimia ka një mesazh për gratë dhe vajzat: “U bëj thirrje vajzave e grave të mos e nënvlerësojnë veten, të shkojnë te doktori. Nuk të bënë dot askush gjë sot, përveç Zotit dhe mjekut.”, tha 60-vjeçarja.
Historia e nënës 85-vjeçare është dëshmi e forcës së pamposhtur të një nëne, e cila sfidon moshën, lodhjen, dhimbjen, për të qenë gjithmonë në vijën e parë të luftës për fëmijën e saj./abcnews.al
Mbrëmjen e djeshme, spektakli i “Big Brother VIP Albania 5”, u mbyll si çdo herë tjetër, vetëm me një prej shprehjeve të Ledionit.
Edhe pse emisioni zgjati deri në orët e para të mëngjesit, nuk pati asnjë urim nga ana e tij për vajzën e datëlindjes.
Ndryshe nga viti i shkuar, ku ai nuk e kurseu një postim plot fjalë të ëmbla ndaj së shoqes, këtë vit, të paktën deri tani nuk na kanë zënë sytë asnjë postim dedikuar Sarës.
Kjo, nuk është hera e parë që dyshja konfirmon zërat që qarkullojnë rreth tyre. Në eventin e përvjetorit të 10-të të fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, në sy ra menjëherë mungesa e Ledion Liços.
Sara Hoxha, u shfaq vetëm nën shoqërinë e së motrës, Lori Hoxha dhe partnerit të saj.
Në verën e këtij viti, filluan të qarkullojnë lajme se Sara Hoxha dhe Ledion Liço, po jetojnë të ndarë nga njëri-tjetri.
Në shtator, Ledioni postoi një foto bardh e zi të vetes, duke i shtyrë komentuesit të mendojnë se pasqyronte gjendjen e tij emocionale pas aludimeve për një ndarje nga Sara.
Puna krah njëri-tjetrit gjatë këtij edicioni të “Big Brother VIP Albania 5”, mbase nuk e ka përmirësuar marrëdhënien mes tyre.
Historia e dashurisë së Sarës e Ledionit daton që 11 vite më parë, me një martesë të kurorëzuar në vitin 2018 me një dasmë në Itali. Dyshja kanë tre fëmijë së bashku.
Policia e Shtetit ka njoftuar për një rast të mosdeklarimit të të hollave në pikën kufitare Kapshticë.
Në njoftim, Policia e Shtetit bën të ditur se i dyshuari kishte tentuar t’i fshehte në trup 38 mijë dollarë amerikanë.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Gj. F.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruara’, thuhet në njoftim.
Më tej, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe 35 000 euro. Shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/
Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten se kishte sekuestruar disa shoqëri tregtare, mbi 23 hektarë tokë në Dhërmi si dhe automjete dhe llogari bankare në pronësinë e shtetasit spanjoll Alvaro Castillos – i akuzuar për ngritjen e një skeme ndërkombëtare mashtrimi me vlerë 30 milionë euro nga Spanja deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. […]
Ky dimër pritet të jetë vendimtar për Atletico Madrid, që ka shumë punë përpara si në dalje ashtu edhe në afrime.
Nga ana tjetër, situata te Real Madrid është edhe më e tensionuar: Xabi Alonso u shkarkua pas humbjes në Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës, ndërsa pasuesi i tij, Alvaro Arbeloa, e nisi aventurën me një eliminim surprizë nga Albacete në Kupën e Mbretit.
Shitje të domosdoshme
Pas investimeve të rëndësishme gjatë verës, drejtuesit e Atleticos nuk kishin në plan të lëviznin shumë këtë janar, përveç rastit kur do të realizoheshin disa shitje.
Fillimisht u shfaq mundësia e largimit të Giacomo Raspadori drejt Romës, por negociatat u zvarritën.
Paralelisht, u hap edhe pista e largimit të Thiago Almada, i transferuar verën e kaluar për 21 milionë euro.
Benfica, Napoli, Gremio dhe së fundmi Palmeiras kanë shprehur interes për mesfushorin argjentinas.
Sipas disa burimeve, lojtari nuk është plotësisht i kënaqur dhe pritet të takohet me agjentët e tij për të analizuar situatën.
Megjithatë, qëndrimi i klubit madrilen ka ndryshuar.
Sipas Estadio Deportivo, Atletico nuk është më i detyruar të shesë, pasi ka realizuar disa operacione të rëndësishme financiare.
Siç analizon edhe gazetarja e FootMercato, Dahbia Hattabi, klubi ka përfituar mbi 60 milionë euro nga shitja e Conor Gallagher te Tottenham për 40 milionë dhe nga transferimi i Raspadorit te Atalanta për 22 milionë euro.
Kjo situatë i lejon Simeones të mos sakrifikojë Almadan, edhe pse e ardhmja e tij mbetet e hapur.
Përforcime në mesfushë
Atletico synon të afrojë një ose dy mesfushorë gjatë këtij muaji.
Ky është objektivi i drejtorit sportiv Mateu Alemany, me mbështetjen e plotë të Diego Simeones.
Aktualisht, në dispozicion janë Pablo Barrios, Koke dhe Johnny Cardoso, por “Cholo” kërkon më shumë energji dhe cilësi.
Sipas Estadio Deportivo dhe mediave angleze, objektiv kryesor është Joao Gomes i Wolverhampton.
Braziliani po spikat në një sezon zhgënjyes për klubin anglez, por çmimi prej 50 milionë eurosh e bën operacionin të vështirë.
Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2030 dhe për lojtarin interesohen edhe Napoli dhe Manchester United.
Alternativa të tjera në tryezë
Sipas AS, në listë janë edhe emra të tjerë:
Manu Kone (Roma), me vlerë rreth 50 milionë euro.
Kees Smit (AZ Alkmaar), talent 20-vjeçar për të cilin kërkohen 60 milionë.
Ruben Neves, në fund të kontratës me Al-Hilal, që mund të kushtojë rreth 20 milionë euro.
Lamine Camara, finalist i Kupës së Afrikës me Senegalin.
Edhe sulmi në vëzhgim
Përveç mesfushës, Marca raporton se Atletico nuk përjashton afrimin e një lojtari ofensiv, por vetëm nëse ai përmirëson ndjeshëm repartin sulmues.
Aktualisht, Simeone ka në dispozicion Julian Alvarez, Alexander Sorloth dhe Antoine Griezmann, ky i fundit i kërkuar nga klubet meksikane.
Me rreth 62 milionë euro në arkë dhe disa pista të hapura, Atletico Madrid synon të bëjë disa korrigjime të domosdoshme në skuadër gjatë afatit kalimtar të janarit 2026, me ambicien për të mbetur konkurrues në të gjitha frontet. /Telegrafi/
Si një prej fijeve kryesore të korrupsionit dhe grupeve kriminale rreth AKSHI-t, emri i tij nuk mund të mungonte kurrsesi në aferën Durana, gjithnjë jo drejtëpërdrejtë, por i kamufluara përmes kompanive të dyshimta dhe ortakëve. Bëhet fjalë për Armand Shara, anëtar i bandës së Ermal Beqirit, Geron Meçes, Gëzim Hoxhës etj., që kanë zhvatur përmes tenderave korruptivë/sekretë të AKSHI-t qindra […]
TIRANË, 16 janar /ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) publikoi në faqen e saj zyrtare versionet e përditësuara për vitin 2025 të Katalogut të Pasurive të Sekuestruara dhe Katalogut të Pasurive të Konfiskuara.
Këta katalogë janë publikuar fillimisht për herë të parë gjatë muajve shkurt dhe mars 2025 dhe tashmë janë përditësuar për të reflektuar të gjitha ndryshimet, zhvillimet dhe lëvizjet që kanë ndodhur gjatë vitit 2025 deri në fund të tij, në kuadër të administrimit të pasurive nga AAPSK. Përditësimi i tyre përfaqëson vijimësinë e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës inventarizimi të pasurive të vendosura nën administrimin e Agjencisë.
Publikimi dhe rifreskimi i katalogëve synon rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe garantimin e aksesit të hapur në informacion për qytetarët, institucionet dhe të gjitha palët e interesuara. Katalogët ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, statusin ligjor të tyre dhe mënyrën e administrimit nga AAPSK.
Në lidhje me këtë proces, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, u shpreh se “publikimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i katalogëve të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është një angazhim konkret i AAPSK për transparencë dhe administrim të përgjegjshëm. Për herë të parë, këto pasuri po dokumentohen dhe bëhen publike në mënyrë të strukturuar, duke krijuar një standard të ri në administrimin e tyre dhe duke forcuar besimin e publikut dhe institucioneve në këtë proces.”
AAPSK sqaron se vlerat e pasurive të pasqyruara në katalogë, të shoqëruara me pasaportat përkatëse, nuk përfaqësojnë vlerën e tyre të tregut. Këto vlera janë referuese dhe janë marrë në bazë të dokumentacionit zyrtar dhe dosjeve hetimore përkatëse. Publikimi i pasurive realizohet për qëllime transparence dhe informimi, dhe nuk ka si objektiv shitjen apo tjetërsimin e tyre.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara mbetet e angazhuar në zbatimin e parimeve të ligjshmërisë, eficiencës, transparencës dhe interesit publik, duke garantuar një administrim sa më të rregullt dhe profesional të pasurive që i janë besuar.
Katalogët e përditësuar për vitin 2025 janë tashmë të disponueshëm për konsultim në faqen zyrtare të AAPSK.
Një grua e moshuar, rreth moshën 73-vjeçe, Flutura Potka u gjet e asfiksuar në banesën e saj. Shtëpia i ishte përfshirë nga flakët, dyshohet për shkak të një dysheku elektrik.
Fqinjët tregojnë se ajo jetonte e vetme, ndërkohë që kishte kohë që vuante nga probleme shëndetësore, prej disa muajsh ishte paralizuar.
“Ishte një zonjë që punonte për veten e saj. Ndihma nuk kishte. Fëmijët i thoshin hajde me ne, por nuk shkonte. Jetonte vetëm kishte vite. Ishte e sëmurë, nuk hidhte këmbët, pastaj ishte një që i bënte hyzmet”, tha fqinja.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), pas hetimeve intensive dhe veprimeve operative në terren, ka realizuar dy operacione të ndara, në të cilat janë arrestuar gjithsej katër persona dhe janë konfiskuar sasi të ndryshme të substancave narkotike, armë dhe dëshmi të tjera materiale.
Rasti i parë – Operacioni “Pinku”
Sipas Policisë së Kosovës, më 14 janar 2026, rreth orës 15:20, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, hetuesit e DHTN-së kanë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar me inicialet M.K., të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në shitblerje të substancave narkotike.
Gjatë kontrollit, te njëri nga të dyshuarit janë gjetur dy qese të vogla me marihuanë, me peshë rreth 2 gramë. Ndërkaq, te i dyshuari tjetër dhe në veturën e tij janë gjetur nëntë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 4.9 gramë, tetë qese me marihuanë, me peshë 12.7 gramë, para të gatshme në vlerë prej 475 eurosh, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve, si dhe dy telefona mobilë.
Me autorizim të Prokurorit Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është realizuar bastisje edhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e shkurtër, 15.8 gramë kokainë, 79 tableta të dyshuara ekstazi me peshë 37.7 gramë, 2.6 gramë kokainë ngjyrë e kuqe, 322.9 gramë marihuanë, dy peshore digjitale dhe qese najloni për paketimin e narkotikëve.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të prokurorit.
Rasti i dytë – Operacioni “Dora e Kapur”
Në një rast tjetër, po më 14 janar 2026, DHTN – Sektori Qendror për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar operacionin e koduar “Dora e Kapur” në Prishtinë.
Gjatë këtij operacioni, në rrugën “Imzot Nikprelaj”, është arrestuar në flagrancë një person i dyshuar me inicialet M.K., te i cili janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë doza heroinë, me peshë totale rreth 4 gramë. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe rreth 9 gramë hashash dhe 18 gramë marihuanë.
Po ashtu, gjatë bastisjes në një banesë tjetër të lidhur me rastin, policia ka konfiskuar 52 paketime me substancë të dyshuar heroinë, me peshë totale 14 gramë, një pushkë gjuetie me nëntë fishekë, para të gatshme në vlerë rreth 25 mijë euro, një veturë, një peshore, dy telefona mobilë dhe prova të tjera materiale.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve do të vazhdojë me përkushtim luftimin e trafikimit me narkotikë dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në këto veprimtari të kundërligjshme. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e cilësuar atë si një mikpritje të paharrueshme. Përmes një fotoalbumi, Rama thekson se gjatë kësaj vizite u vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë mes dy vendeve, një partneritet që sipas tij po forcohet dita-ditës.
“Dhe me FotoALBUMIN e një mikpritjeje të paharrueshme në Emiratet e Bashkuara, ku vendosëm piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Një gjykatë italiane ka rrëzuar akuzat për mashtrim ndaj Chiara Ferragni-t, duke i dhënë fund një çështjeje shumë të komentuar që lidhej me praktikat e marketingut nga influencerët dhe promovimin e produkteve me qëllime bamirësie. Rasti kishte në qendër pretendimet se konsumatorët ishin keqinformuar për natyrën bamirëse të shitjeve të lidhura me një pandoro për Krishtlindje dhe vezë Pashke të promovuara nga Ferragni.
Vendimi mbyll një kapitull të ashtuquajtur nga mediat italiane “Pandoro Gate”, një çështje që tregoi se si marketingu me influencerë, pretendimet për bamirësi dhe ligji për mbrojtjen e konsumatorit mund të përplasen kur tregimet promocionale tejkalojnë detyrimet ligjore për transparencë. Në thelb, prokuroria pretendonte se Ferragni dhe partnerët e saj tregtarë i kishin çuar konsumatorët të besonin se blerja e një pandoroje me edicion të limituar dhe e vezëve të markuara të Pashkëve do të mbështeste drejtpërdrejt trajtime mjekësore për fëmijë, ndërkohë që në realitet ishte bërë vetëm një donacion i fiksuar, ndërsa kompanitë e lidhura me influenceren kishin përfituar ndjeshëm financiarisht.
Çështja lidhet me një bashkëpunim të vitit 2022 mes Ferragni-t dhe kompanisë italiane të ëmbëlsirave Balocco, e cila prodhoi një pandoro rozë me çmim rreth 9 euro, afërsisht trefishi i çmimit të një versioni standard. Materialet e marketingut sugjeronin se të ardhurat do të ndihmonin fëmijët që trajtoheshin në një spital në Torino. Në realitet, sipas prokurorisë, spitali kishte marrë vetëm një donacion të vetëm prej 50 mijë eurosh nga Balocco, ndërsa kompanitë e lidhura me Ferragni-n kishin gjeneruar rreth 1 milion euro nga fushata promocionale.
Një skemë e ngjashme, sipas prokurorisë, u shfaq edhe në lidhje me shitjen e vezëve të markuara të Pashkëve në vitet 2021 dhe 2022, të cilat gjithashtu përfshinin kauza bamirësie në komunikimin e tyre. Prokurorët argumentuan se struktura dhe mënyra e promovimit krijuan përshtypjen e rreme se blerjet e konsumatorëve po financonin drejtpërdrejt përfitues bamirës, dhe jo një marrëveshje të zakonshme tregtare licencimi dhe promovimi.
Ferragni mohoi çdo shkelje, duke deklaruar se kishte vepruar në mirëbesim dhe ishte mbështetur në marrëveshjet kontraktuale me partnerët e saj. Megjithatë, prokurorët e Milanos vijuan me akuzat për mashtrim të rënduar, duke kërkuar një dënim me burg prej një viti e tetë muajsh për Ferragni-n dhe bashkëpunëtorin e saj Fabio Damato. Sipas ligjit italian, mashtrimi i rënduar parashikon dënime nga një deri në pesë vjet burg, megjithëse Ferragni zgjodhi procedurën e gjykimit të përshpejtuar, e cila zakonisht ul dënimin në këmbim të një procesi të shkurtuar.
Edhe përpara se çështja penale të merrte një vendim, autoritetet rregullatore kishin reaguar. Në dhjetor 2023, Autoriteti Italian i Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (AGCM) vendosi gjoba administrative që në total arrinin rreth 1 milion euro ndaj dy kompanive të kontrolluara nga Ferragni, për praktika të padrejta tregtare të lidhura me “Pandoro Gate”.
Nga qelia e paraburgimit ku ndodhej prej dy muajsh, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i shkroi më 23 prill 2025 një letër emocionale senatorit të Shteteve të Bashkuara, Dick Durbin, një demokrat i zgjedhur në Ilinois, në të cilën e përshkruante veten si viktimë të një persekutimi të ngjashëm me atë që mijëra shqiptarë pësuan […]
Një kapelë mjafton për ta prishur frizurën, por zgjidhja është më afër se sa mendoni. Ja çfarë funksionon realisht kundër flokëve të elektrizuar
Dimri dhe veshjet me shumë shtresa që e karakterizojnë këtë stinë shpesh janë të pamëshirshme ndaj flokëve tanë. Me uljen e temperaturave, është koha të nxjerrim nga gardëroba kapelat prej leshi, beretat dhe shallet gjithnjë e më të preferuara. Megjithatë, këta aksesorë trendi sjellin me vete edhe një problem irritues.
Fërkimi që krijohet mes leshit ose materialeve sintetike dhe fibrave të flokëve, i kombinuar me ajrin e ftohtë dhe të thatë të dimrit, çon në dehidratim të menjëhershëm. Rezultati është i njohur për të gjithë: flokët elektrizohen, bëhen të pabindur dhe “fluturojnë” në të gjitha drejtimet.
Për fat të mirë, ekziston një truk jashtëzakonisht i thjeshtë që ju lejon t’i përballoni temperaturat e ulëta pa sakrifikuar stilin.
Nuk keni nevojë për produkte të shtrenjta, as për një rutinë të ndërlikuar me shumë hapa. Zgjidhja ka shumë gjasa të ndodhet tashmë në çantën tuaj.
Kur hyni në një ambient të mbyllur, hiqni kapelën dhe vini re se flokët janë bërë të pabindur, mjafton të merrni një sasi shumë të vogël kremi për duar, sa një kokërr bizele. Sekreti qëndron te aplikimi: fërkojeni kremin mes pëllëmbëve për ta ngrohur dhe shpërndarë njëtrajtshëm, pastaj kaloni lehtë duart mbi gjatësinë e flokëve dhe majat, pa i rënduar ato, transmeton Telegrafi.
Pse funksionon ky truk?
Kremi vepron në dy drejtime: siguron hidratimin e nevojshëm që zbut kutikulën e flokut dhe njëkohësisht redukton elektricitetin statik. Edhe pse kremi për duar është një zgjidhje e shkëlqyer SOS, ky truk funksionon po aq mirë, në mos edhe më mirë, me një pikë vaj për flokë, serum ose kujdes pa shpëlarje.
Thelbi është krijimi i një shtrese shumë të hollë mbrojtëse që “mbyll” lagështinë, zvogëlon fërkimin dhe parandalon që flokët të elektrizohen sërish. Në këtë mënyrë, modeli i flokëve mbetet i rregullt, i butë dhe i kuruar, pavarësisht kapelave, shallit apo kushteve të motit. /Telegrafi/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se është e gatshme të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.
Megjithatë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada theksoi se realizimi i këtij synimi do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës, të cilat “çojnë përpara agjendën e përbashkët për paqe dhe stabilitet rajonal”, si dhe “prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”.
Këto qëndrime u shprehën në përgjigje të pyetjes se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, që pritet të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi mbi 51 për qind të votave.
Partia deklaroi se synon formimin e shpejtë të institucioneve të reja.
Numërimi i votave përfundoi më 9 janar, por procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht, për shkak të afateve ligjore për ankesa dhe certifikimin e rezultateve.
Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe gjatë periudhës 2021-2025.
Viti i kaluar ka shkuar kryesisht me Qeveri në detyrë, pasi Kurti – ndonëse i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 – nuk ka arritur të formojë Qeverinë e re, çfarë ka çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.
Gjatë mandatit të mëparshëm, Qeveria e tij është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkak të veprimeve që janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Nga mbyllja e shumicës së institucioneve serbe në Kosovë deri te heqja e dinarit serb nga përdorimi, këto veprime janë parë si të dëmshme për komunitetin serb dhe si faktor që ka rritur tensionet në veri të vendit.
Kritikat kanë shkuar deri në atë pikë sa është folur edhe për lëkundje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, Kurti ka insistuar vazhdimisht se SHBA-ja mbetet partneri kryesor i Kosovës, ndonëse ka pranuar se ekzistojnë dallime në qasje për disa çështje.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një nga masat më të ashpra ndaj Kosovës, duke pezulluar Dialogun Strategjik mes dy vendeve – një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Uashingtoni e ka lidhur këtë vendim me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës, derisa vendi është përballur me bllokadë institucionale, dhe me rritjen e tensioneve në vend, por Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë kritikat./REL/
Me fitoren ndaj Real Madridit në Superkupën e Spanjës, Barcelona tani ka fituar 10 fitore radhazi, duke barazuar një seri rekord që ishte nën drejtimin e Luis Enriques në vitin 2016.
Fitorja në Superkupën e Spanjës kundër Real Madridit me rezultat 3-2 i lejoi Barçës të fitonte trofeun e parë të sezonit dhe të barazonte rekordin e vjetër prej një dekade.
Skuadra e Hansi Flick ka regjistruar serinë më të gjatë të fitoreve në muajt e fundit që nga koha kur Luis Enrique ishte trajner i Blaugranave.
Blaugranët janë në formën e tyre më të mirë të sezonit. Pas disa muajve në fillim të sezonit me ulje-ngritje, Barça është rikthyer në formë pas humbjes kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve.
Që nga ajo ditë në Stamford Bridge, skuadra ka arritur një seri prej 10 fitoresh radhazi, duke përfshirë fitoret në shtëpi ndaj Atletico Madrid (3-1) dhe jashtë fushe ndaj Real Betis (5-3) dhe Villarreal (2-0).
Një fitore në derbin katalanas 2-0 jashtë fushe ndaj Espanyol dhe një fitore 3-2 në finalen e Superkupës së El Clasico në Arabinë Saudite janë momente të tjera kulmore të kësaj serie të shkëlqyer në të cilën ndodhet skuadra e Hansi Flick aktualisht.
Katalunasit gjithashtu fituan edhe ndaj Athletic Bilbao, Guadalajara, Osasuna, Eintracht Frankfurt dhe Alaves.
Statistikat e Luis Enriques
Skuadra e Barcelonës që arriti shifra dyshifrore për sa i përket fitoreve të njëpasnjëshme ishte skuadra e trajnuar nga Luis Enrique midis prillit 2016 dhe gushtit të të njëjtit vit.
Nëse Barça mund ta mposhtë Racing Santander në Copa del Rey në ndeshjen e tyre të radhës, atëherë ata do të barazojnë një tjetër seri nën drejtimin e trajnerit të PSG-së, kur ai e udhëhoqi Barcën drejt 11 fitoreve radhazi në janar dhe shkurt të vitit 2015. /Telegrafi/
Nga Gazeta ‘SI’ -Banka e Shqipërisë ka publikuar strategjinë e saj për katër vitet e ardhshme, me fokus tek shëndeti i të gjithë sistemit bankar.
Një ndër masat kryesore që parashikon BSH është monitorimi i kujdesshëm i rrezikut të kredisë dhe cilësisë së tij, veçanërisht në rastet e ekspozimeve të ndjeshme apo në sektorët më vulnerabël.
Banka gjithashtu synon të vendosë kërkesa të diferencuara të kapitalit, në varësi të bankës dhe nivelit të rrezikut që ajo mbart. Strategjia parashikon edhe shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e ekzaminimeve të përbashkëta me autoritete të ndryshme brenda vendit, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, si dhe me autoritete të huaja.
Një objektiv tjetër është edhe integrimi i faktorëve ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në procesin mbikëqyrës. Kjo përfshin edhe vlerësimin e ndikimit të rreziqeve financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin në bilancet e bankave.
Përmirësimi i cilësisë së drejtimit, rritja e rolit dhe e pavarësisë së strukturave që menaxhojnë rreziqet dhe funksionet e kontrollit të brendshëm, mbetet një tjetër objektiv kryesor i Bankës.
Po ashtu, parashikohen kontrolle periodike për vlerësimin e ekspozimit ndaj rrezikut kibernetik dhe për adaptimin e teknologjive të reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale, në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj klientëve.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtjes, është mbyllur për publikun seanca fillestare në rastin e “Rezervave shtetërore” ku po akuzohen ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla aprovoi propozimin e mbrojtjes, dhe konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, mbylli seancën për publikun, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore për mbylljen e kësaj seance, pasi kemi të bëjmë me ruajtje të konfidencialitetit dhe informacionit, që do të rrrezikohet nga publiku, si dhe për mbrojtje të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla tha se meqenëse kanë pranuar aktakuzën dhe shkresat e lëndës, ku disa prej tyre janë të redaktuara nga prokurori special, pasi ka vlerësuar se përbëjnë sekret shtetëror.
Po ashtu, ai tha se në aktakuzë kanë propozuar edhe dëshmitarë anonimë, andaj mori mendimin e palëve në procedure nëse shqyrtimi gjyqësor të jetë i hapur apo i mbyllur për publikun.
Prokuror special Valdet Gashi tha se shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të situatave kur diskutohet gjatë seancave për pjesët që janë konsideruar sekret nga ana e Prokurorisë, e të cilat janë paraqitur në aktakuzë.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Gashi tha se mund të koordinohen që të ndajnë ato pjesë kur të mbyllet seanca për publikun e kur të mbetet e hapur.
Mbrojtësi i Hajdarit me autorizim, avokati Florent Latifaj, nuk u pajtua me deklarimin e prokurorit Gashi, pasi sipas tij kemi të bëjmë në shumë raste me sekret shtetëror, e në të cilat dokumente sipas tij, asnjë nga avokatët, bashkëpunëtorët e prokurorit e as policët hetues, nuk kanë pasur të drejtë të kenë qasje.
“Besoj që edhe ty, duke të përfshirë edhe ty si kryetar i trupit gjykues dhe prokurorin special, për çka kolegu Feim Alaj ka marrë përgjigje nga institucioni relevant për këtë çështje AMIK, të cilët kanë theksuar se ne si mbrojtës por edhe personat e tjerë të cilët nuk kanë certifikatë të sigurisë për të pasur qasje në informacione të klasifikuara si sekret, nuk kemi asnjë të drejtë as t’i shohim dhe as të prekim në ato dokumente, dhe të njëjtën mund ta bëjmë nëse ato dokumente janë të deklasifikuara”, tha Latifaj.
Sipas tij, këto dokumente kanë kaluar në duart e të paktën 20 personave, të cilët nuk kanë pasur certifikatën e sigurisë, për këtë, ai pretendon se prokurori kërkon që seanca të jetë e hapur për publikun.
Andaj, Latifaj propozoi që seanca të mbyllet për publikun.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Mbrojtësi i Lipovicës, avokati Feim Alaj, tha se përmes një parashtrese kanë informuar Prokurorinë lidhur me propozimin për mbajtjen e kësaj seance. Tha se e tërë dosja është e klasifikuar.
“Prokuroria nga data 31.07.2025 dhe data 21.08.2025 është njoftuar lidhur me procedurat të cilat ligji i parasheh para se të ketë ose të kemi qasje në dokumente të klasifikuara”, u shpreh avokati Alaj.
Alaj i propozoi Gjykatës që ta obligojë PSRK-në që të iniciojë deklasifikimin e dosjes së rezervave shtetërore, e më pas të vendos se a të mbahen seancat e hapura apo të mbyllura.
Kurse, mbrojtësi i Garës, avokati Nazim Mehmeti, tha se i mbrojturi i tij edhe një muaj kalon në pension dhe se tërë karrierën ia ka kushtuar institucioneve publike të shtetit. Tha se Gjykata duhet të marrë një mendim nëse kjo çështje është sekret.
Mehmeti propozoi që të mbahet seanca e hapur, me arsyetimin se është në interes të palëve dhe të qytetarëve.
Mbrojtësi i Muharremit, avokati Mahmut Halimi tha se i mbështet të gjitha pretendimet e mbrojtësve të tjerë.
“Kjo procedurë e zhvilluar tani e më tepër se dy vjet, të cilën e kanë përcjellë ngjarje të shumta dhe komente të zakonshme, por pse jo edhe propaganda.. duke u nisur fillimisht nga paraqitja e denoncimit tri ditë para arrestimit të klientit tim, nga një portal i cili ka paralajmëruar se vendi do të tronditet nga njv skandal dhe menjëherë pas tij ka rezultu po ashtu denoncimi i njërit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili ka paralajmëru një incizim të ndodhur në Ministrinë për të cilën jemi sot këtu. Pra, është përjashtuar besimi në organin e ndjekjes në Prokurori dhe Polici”, tha Halimi.
Sipas tij, bazuar në ato që kanë ndodhur, nuk mund të flitet më për dokumente të klasifikuara. Tha se ata si mbrojtje nuk kanë pranuar t’i marrin shkresat e lëndës nga Prokuroria dhe thekson se shqetësimi është i njëjtë me atë që e paraqitën kolegët e tij- për shkak të rrezikut se mund të përfundojnë si të dyshuar.
Avokati Halimi tha se ia lë gjykatës në diskrecion çështjen e mbylljes së seancës.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Më pas, gjykatësi Syla aprovoi propozimin e avokatëve Latifaj dhe Alaj, duke e mbyllur seancën, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore ngase kemi të bëjmë me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që do të rrezikohet nga publiku dhe mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë çështje penale.
Për këtë çështje, gjykatësi tha se do të marrë aktvendim të veçantë. Më pas, mediat dhe personat tjerë që nuk janë palë në procedurë, u urdhëruan të lirojnë sallën.
Ndryshe, seanca e paraparë për 10 dhjetor 2025, dështoi në mungesë të Hajdarit dhe avokatit të Lipovicës- Feim Alaj.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar për aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.
Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.
Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Detajet nga Dosja mund t’i gjeni: KËTU.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” raportoi edhe për atë se cili ishte roli i Hajdarit, Lipovicës, Garës e Muharremit, sipas aktakuzës së PSRK-së në procesin e blerjes së “Rezervave shtetërore”.
Gjithashtu, për të gjitha detajet e atakuzës së këtij rasti, publiku kishte rastin të mësojë në emisionin “Betimi për Drejtësi” me titull “Akuzat speciale për rezervat shtetërore“, i transmetuar më 15 nëntor 2025.
Eliminim i bujshëm në Kupën e Francës. PSG i jep lamtumirën kompeticionit në fazën e 1/16-ve, pas humbjes në shtëpi në derbin me Paris FC, që bën historinë falë një goli të Ikoné. I futur në fushë në minutën e 40-të, në vend të të dëmtuarit Gory, lojtari me një të kaluar në Serie A, gjeti golin fitues në minutën e 74-t.
Dembélé, Doué dhe Mendes, të aktivizuar në pjesën e dytë nga trajneri Luis Enrique, nuk arritën ta ndryshonin fatin e ndeshjes. Kupa e Francës humb kështu mbajtësen e trofeut dhe favoriten kryesore për të shkuar në finale.
Në “Parc des Princes” shkoi çdo gjë keq për PSG. Vetëm 8 ditë pas fitores 2-1 të kampionëve absolutë në Francë, vjen hakmarrja e Paris FC. Jonathan Ikoné nuk duhej të luante, por dëmtimi i Gory i dha mundësinë të zbriste në fushë dhe ai vendosi ndeshjen.
Luis Enrique kishte bërë rotacion, duke lënë jashtë big-ët Marquinhos, Joao Neves, Nuno Mendes, Dembélé dhe Doué. Aktivizoi disa prej tyre në fund dhe PSG ushtroi presion, por pa rezultat. Paris FC merr kështu një fitore historike në derbin e kryeqytetit francez, duke nxjerrë PSG nga gara për njërin nga trofetë sezonalë.
TIRANË, 12 janar /ATSH/ Etapa e radhës e Kupës së Botës në Ski Alpine për femra, gara e 20-të e sezonit 2025–2026, do të zhvillohet në Flachau të Austrisë.
Në qendër të vëmendjes do të jetë skiatorja shqiptare Lara Colturi, e cila do të garojë në disiplinën e slalomit më 13 janar. Lëshimi i parë është planifikuar të nisë në orën 17:45, ndërsa i dyti në 20:45, bën të ditur Federata Shqiptare e Skive.
Colturi vjen në këtë garë pas paraqitjeve të saj në Kranjska Gora të Sllovenisë, ku në dy garat e Kupës së Botës për femra u rendit në vendin e 6-të në slalomin gjigant, ndërsa në slalom nuk arriti ta përfundojë provën.
Pas përfundimit të 17 etapave nga 37 gjithsej të sezonit, skiatorja 19-vjeçare mban vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës me 402 pikë të grumbulluara. Performanca e saj më e fortë mbetet slalomi, ku ka siguruar 280 pikë dhe renditet në vendin e tretë, ndërsa në slalomin gjigant ka 122 pikë.
Një tjetër tregues i progresit të saj të vazhdueshëm është kryesimi i renditjes së kategorisë “Yjet e së ardhmes”, ku Colturi është shkëputur ndjeshëm nga rivalet, duke konfirmuar statusin e saj si një nga talentet më premtuese të skive alpine në arenën botërore.
Gara e Flachaut pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për shqiptaren, e cila synon të konsolidojë pozicionet e saj në renditjet e përgjithshme dhe të disiplinës, si dhe të vijojë trendin pozitiv të këtij sezoni.