TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi operacionin policor të koduar “Siguria Ushqimore”, duke zbuluar në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë administratori i magazinës, shtetasi F. D., 38 vjeç, dhe magazinieri A. D., 58 vjeç. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasi S. T., 56 vjeç, ortak i subjektit, dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.
Nga hetimet rezultoi se subjekti ushtronte aktivitet në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të produkteve industriale dhe ushqimore. Ai grumbullonte mallra të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, falsifikonte datat e skadencës dhe i rihedhte në treg, në mungesë të dokumentacionit tatimor përkatës.
Gjatë operacionit u sekuestruan 716 koli dhe dhjetëra kilogramë me mallra ushqimore të përpunuara, të cilat kishin afat skadence të deklaruar për janar dhe shkurt 2025, por me etiketa të falsifikuara për t’u shitur si të vlefshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme në lidhje me disa vepra penale, përfshirë: “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm”, dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112 ose përmes aplikacionit Komisariati Dixhital.
/a.f/
The post Falsifikonin etiketat e produkteve ushqimore, 2 të arrestuar dhe 2 nën hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.