Salla: Tregu i ri në Mallakastër lidh prodhimin vendas me konsumatorin
TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Tregu i ri i gjësë së gjallë dhe vajit të ullirit në Mallakastër është një mbështetje konkrete për fermerët e zonës për nxitjen e tregtimit të prodhimeve bujqësore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u shpreh se ky treg përfaqëson një hallkë të munguar deri dje dhe një hap të domosdoshëm sot për lidhjen e prodhimit vendas me konsumatorin, në kushte të përshtatshme tregtimi.
Sipas ministrit kjo qendër është një garanci për produktet “Made in Albania”, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, duke ofruar mbështetje konkrete për fermerët dhe prodhuesit vendas.
Ai theksoi se iniciativa përçon një sinjal të qartë se me më shumë organizim, mekanizim dhe mbështetje institucionale, prodhimi shqiptar mund të rritet dhe të konkurrojë denjësisht në tregjet europiane.
Fermeri Xhavai Avdia, i angazhuar në rritjen e gjelit të detit, u shpreh se tregu i gjësë së gjallë përbën një ndihmë të madhe për fermerët, pasi siguron kushte dhe standarde të përshtatshme tregtimi.
Nga ana e tij, Ilir Sula, prodhues i vajit të ullirit dhe bimëve mjekësore, vlerësoi rëndësinë e tregut si për tregtimin vendas, ashtu edhe për nxitjen e eksporteve.
Ai theksoi se produktet shqiptare janë të preferuara në tregjet e huaja.
“Para dy vitesh eksportonim në Itali, ndërsa sot eksportojmë në Maqedoninë e Veriut. Nëse mekanizohemi më tej, mund të konkurrojmë në tregjet ndërkombëtare”, tha Sula, duke vlerësuar impaktin pozitiv të tregut të ri për zhvillimin e sektorit bujqësor. e.xh/j.p/
The post Salla: Tregu i ri në Mallakastër lidh prodhimin vendas me konsumatorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.