BM – Protesta të dhunshme para ambasadës iraniane në Londër
LONDËR, 17 janar /ATSH-DPA/- Një numër personash janë arrestuar gjatë një proteste dje në mbrëmje, jashtë ambasadës iraniane në Londër.
Policia Metropolitane e Londrës (Met) konfirmoi se, ne terren ishin dislokuar oficerë shtesë dhe ishte vendosur një urdhër i Seksionit 35 për të ndihmuar në shpërndarjen e turmave.
Pamjet e shpërndara në media sociale duket se tregojnë protestues të arrestuar dhe persona të tjerë të plagosur.
Një nga të arrestuarit ishte ngjitur në ndërtesën në Kensington dhe kishte hequr flamurin iranian.
“Gjatë protestës së vazhdueshme në ambasadën iraniane këtë mbrëmje, një protestues hyri ilegalisht në pronën private diplomatike dhe u ngjit nëpër ballkone të shumta në çatinë e ambasadës dhe hoqi një flamur”, tha Policia Metropolitane tha në një postim në X.
“Personi u arrestua nga oficerët me dyshimin për dëmtim kriminal, shkelje të pronës diplomatike dhe sulm ndaj policisë. Një urdhër i seksionit 35 është vendosur si rezultat i çrregullimeve të vazhdueshme, duke përfshirë hedhjen e raketave ndaj oficerëve. Disa oficerë janë plagosur”, tha “Met”.
Në një përditësim të mëvonshëm, “Met” shtoi se një numër personash ishin arrestuar me dyshimin për protesta të dhunshme.
“Një prani e konsiderueshme policore mbetet në vend, përfshirë oficerët shtesë që kanë qënë në terren gjatë mbrëmjes për të parandaluar trazira të mëtejshme”, shtoi policia.
Protesta u nxit nga represioni i regjimit iranian, që ka shkaktuar vdekjen e disa mijëra personave, duke shtypur demonstratat në Iran, të cilat filluan më 28 dhjetor për shkak të ekonomisë së dobët të vendit.
Protestat në mbarë vendin, u shndërruan në kryengritje që sfidojnë drejtpërdrejt teokracinë e Iranit.
Nuk ka pasur shenja protestash ditët e fundit në Teheran, ku blerjet dhe jeta në rrugë janë rikthyer në normalitet, megjithëse ndërprerja e internetit prej një jave vazhdoi.
Autoritetet nuk kanë raportuar ndonjë trazirë diku tjetër në vend. //a.i/
The post BM – Protesta të dhunshme para ambasadës iraniane në Londër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
