Jet Bank, banka e parë dixhitale në Shqipëri ngjall shqetësime për transparencën dhe stabilitetin financiar
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për licencimin e “JET Bank”, një institucion financiar që synon të operojë plotësisht në mënyrë digjitale dhe pa degë fizike — një hap që shënon mbylljen e viteve pa inovacione të mëdha në sistemin bankar të vendit dhe një prirje drejt shërbimeve financiare digjitale.
Sipas njoftimeve zyrtare, JET Bank është themeluar në shtator 2025 me një kapital fillestar relativisht të vogël (rreth 3.5 milionë lekë) me pronar dhe themelues Idan Avishai, shtetas me dy shtetësi, izraelite dhe britanike, transmeton Albeu.com.
Sipas ligjit, Jet Bank që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.
Administratore e bankës do të jetë Fatbardha Rino, një figurë e njohur në sektorin financiar në Shqipëri, duke mbajtur më parë poste drejtuese në banka të nivelit të dytë si dhe postin e drejtoreshës ekzekutive e Iute Pay, një institucion financiar i akuzuar shpesh për manipulime dhe mashtrime me mikrokreditë.
Anëtarë të tjerë të bordit të bankës janë Oliver Hemmer dhe Rami Solomon, gjithashtu me origjinë izraelite.
Idan Avishai ka mbajtur deri tani një profil të ulët dhe informacioni publik rreth tij është i pakët, ndërsa sipas profilit të tij në Linkedin, përvoja e tij është e lidhur kryesisht me aktivitetin e platformave të tregtimit online ose siç njihen në zhargonin financiar “platforma forex”, shkruan Albeu.com.
Ndërkohë, dy emrat e tjerë izraelit, anëtarë bordi, janë gati anonim me shumë pak të dhëna në internet, dhe ngrenë pikëyetje mbi qëllimet dhe sfondin e bankës, duke lënë hapësirë për pasiguri tek publiku dhe investitorët e mundshëm.
I veti informacion relevant për Oliver Hemmer, është një material i vitti 2019 ku thuhet se zyrtarët federalë po hetojnë një kompani të paregjistruar me seli në Berlin të Gjermanisë, të quajtur Gal Blocklntl Ltd (platforma “4XFX”), e cila vepronte pa autorizimin e duhur. Sipas materialit, drejtori menaxhues i kompanisë, Oliver Hemmer, po drejtonte një skemë mashtrimi të quajtur “4XFX” dhe se ai po hetohej gjithashtu si përfituesi kryesor. Në lidhje me këtë çështje janë paraqitur raporte për kompaninë në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Estoni, dhe Australi. (https://www.scribd.com/document/714449499/report-for-the-fraudulent-activities-4xfx-com)
Në lidhje me skemën e mashtrimit të platformës “4XFX”, institucione të rëndësishme kanë publikuar njoftime ku kane denoncuar skemën. (Denoncimi i FCA britanike dhe denoncimi nga autoritetet financiare të Australisë)
4XFX ishte një platformë mashtruese dhe e parregulluar e tregtimit të kriptomonedhave dhe forex-it që synonte investitorët në vende të shumta (Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Australi) rreth vitit 2019, duke pretenduar se ofronte tregtim bitcoin, ari dhe nafte, por në vend të kësaj mashtronte përdoruesit, me organe rregullatore si FCA dhe MSC që lëshonin paralajmërime, dhe faqja e internetit e platformës më vonë u mbyll. Është një shembull klasik i një skeme të palicencuar ku përdoruesit humbasin para, duke çuar shpesh në mashtrime pasuese të “dhomës së rikuperimit”.
Emrat të huaj “anonim” që hapin kompani në sektorë strategjik, është një skemë e njohur në botë, dhe shpesh e hasur në Shqipëri, ku të huaj përdoren për të kamufluar pronarët ose investitorët e vërtetë të një biznesi.
Ndërkohë, ekspert të ekonomisë e quajnë këtë projekt “minë me sahat për paratë e shqiptarëve”, duke nxjerrë në pah rreziqet e mundshme të stabilitetit financiar të sistemit nëse banka e re nuk ka infrastrukturë të fortë, monitorim të mjaftueshëm apo transparencë të plotë në operacione.
Jet Bank bëhet subjekti i dytë që hyn në tregun bankar shqiptar pas Ziraat Bank, duke shënuar një prirje të re zgjerimi, duke e çuar numrin e bankave tregtare në 13. /albeu.com/
The post Jet Bank, banka e parë dixhitale në Shqipëri ngjall shqetësime për transparencën dhe stabilitetin financiar appeared first on Albeu.com.
