TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, mori pjesë sot në ceremoninë e ngritjes së flamurit që u zhvillua në kryeqytet, me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e saj Ristani tha se “nuk ka asgjë më të çmuar se sa të ndash këtë moment me njerëzit, me qytetin që do, me familjen tonë të madhe, këtu në Tiranë”.
Ristani tha se kjo datë “është një kujtesë, mbi çfarë kemi qenë, kush jemi dhe kush duam të jemi. Shqiptarët në çdo brez kanë ditur të ngrihen për lirinë, për dinjitetin dhe për të ardhmen. Prandaj, sot ndërsa ndërtojmë Shqipërinë moderne, evropiane, të hapur, 28 nëntori nuk është një përkujtim por është një premtim se rrugëtimi vijon dhe do e çojmë përpara me të njëjtën kurajo që kemi ndriçuar historinë tonë”.
“28 nëntori 1912 në Vlorë ishte një ditë e veçantë por telegrami që Ismail Qemali u dërgoi fuqive të mëdha nuk ishte thjesht një mesazh diplomatik. Ishte fryma e një kombi që kërkonte të hynte në historinë e vet moderne, me dinjitet dhe me zërin e tij. Ai ishte njoftimi solemn se shqiptarët nuk donin as mëshirë, as përkujdesje por vetëm të drejtën e patjetërsueshme për të qenë zot të vendit të tyre, zot të fatit të tyre”, tha Ristani.
Ristani theksoi se Shqipëria e sotme punon për të forcuar shtetin e konsoliduar demokracinë.
“Pavarësia nuk është vetëm histori; është punë e përditshme. Evropa nuk është vetëm destinacion por është mënyrë e të menduarit, e të vepruarit, për të qëndruar të denjë”, tha Ristani.
Më tej, Ristani theksoi se “le të kujtojmë fjalën që Ismail Qemali u dërgoi Fuqive të Mëdha, jo si një akt protokollar të diplomacisë së epokës, por si një shpallje të identitetit tonë, që Shqipëria është këtu. Shqipëria kërkon vendin e saj mes kombeve”.
“Sot, 113 vjet më vonë, është radha jonë t’i japim zë, po të njëjtit mesazh. Me punën tonë, me integritetin tonë, me institucionet që ndërtojmë çdo ditë. Prandaj sot, teksa flamuri ynë valëvitet mbi Tiranën e rritur, të ndryshuar dhe të afruar me standardet evropiane, le ta kujtojmë këtë të vërtetë të thjeshtë e të fuqishme:
“Flamuri ynë nuk valëvitet vetëm nga era, por nga vullneti. Valëvitet mbi një Shqipëri që ecën me hap të sigurt. Mbi një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe të fortë. Mbi një Shqipëri që e vizaton të ardhmen, duke e ndërtuar sot shtetin, ligjin dhe besimin tek ai”, tha ajo.
Ceremonia e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Tiranë, Foto: Florian Abazaj
/m.q/a.f/
The post Ristani: Flamuri ynë mbi Tiranën e afruar me standardet evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.