Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Main stream

Ujësjellësi i Vlorës: Uji nga autobotet nuk është i pijshëm

29 December 2025 at 13:00

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se uji që po shpërndahet përmes autoboteve nuk është i përshtatshëm për përdorim emergjent dhe nuk duhet përdorur si ujë i pijshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, uji duhet të përdoret vetëm për nevoja emergjente, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet, për të shmangur rreziqet për shëndetin.

Shpërndarja e ujit me autobote po realizohet për të përballuar situatën e krijuar nga furnizimi me ujë të pijshëm në Vlorë, ndërsa institucionet po punojnë për normalizimin e plotë të shërbimit. /j.p/

 

The post Ujësjellësi i Vlorës: Uji nga autobotet nuk është i pijshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të Ballukut

29 December 2025 at 12:57

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Pesë anëtarë të Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkuan sërish mbledhjen e këshillit për ditën e martë, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

“Thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të gjysmës së anëtarëve është e detyrueshme sipas rregullores”, thuhet në kërkesën e PD-së drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Më tej, në kërkesë nënvizohet se kryetari i Kuvendit ka detyrim të njoftojë rendin e ditës.

“Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë”, thuhet në shkresën e anëtarëve demokratë të Këshillit të Mandateve drejtuar Kuvendit”.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.
/m.q/j.p/

The post PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Zgjedhjet në Kosovë, shprehje e pjekurisë demokratike

29 December 2025 at 12:57

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali uroi sot popullin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të cilat i vlerësoi si të zhvilluara me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare.

Spiropali e cilësoi zhvillimin e qetë të zgjedhjeve si “shprehje e pjekurisë demokratike që na bën krenarë”.

Spiropali uroi po ashtu Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e arritur dhe besimin e marrë nga qytetarët, si dhe të gjithë spektrit politik për fushatën e standardet e arritura.

“Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë europiane, sepse ajo që na bashkon është me e madhe se çdo kufi”, u shpreh ajo.

Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje fitoi me 49.3% të votave, duke siguruar 56 mandate.

/m.m/j.p/

The post Spiropali: Zgjedhjet në Kosovë, shprehje e pjekurisë demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen: BE e kënaqur me progresin e bërë në negociatat e paqes me Ukrainën

29 December 2025 at 12:44

BRUKSEL, 29 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidentja e Komisionit Evropian (BE), Ursula von der Leyen tha se janë të kënaqur me progresin e arritur në bisedimet e paqes në Ukrainë pas takimeve të mbajtura në SHBA.

Në lidhje me çështjen, Von der Leyen bëri deklaratë në llogarinë e saj në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X. Ajo tha se realizuan një telefonatë të gjatë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe disa liderë evropianë, duke shtuar se “Kemi mësuar se është bërë përparim dhe e mirëpresim këtë”.

Von der Leyen tha se BE-ja është gati të vazhdojë të punojë për të konsoliduar progresin e bërë me Ukrainën dhe SHBA-në, duke nënvizuar se një nga aspektet më të rëndësishme që nga dita e parë është sigurimi i garancive të forta të sigurisë.

Trump u takua me Zelenskyyn në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. Në fjalën e tij lidhur me takimin, Trump tha se është bërë përparim i rëndësishëm në procesin e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, ndërsa Zelenskyy njoftoi se është arritur marrëveshje për rreth 90 për qind të planit të paqes me 20 pika.

The post BRUKSEL – Von der Leyen: BE e kënaqur me progresin e bërë në negociatat e paqes me Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE: Shpërthimi në Shkodër nuk lidhet me boksin e matësve të energjisë

29 December 2025 at 12:43

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka reaguar lidhur me ngjarjen në Shkodër, ku një person humbi jetën pas një shpërthimi në një pallat.

Në reagimin zyrtar, OSHEE bën me dije se, “sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur si pasojë e boksit të matësve të energjisë elektrike”.

Strukturat teknike kanë kryer verifikimet e para në terren dhe se nga të dhënat fillestare nuk rezulton që shkaku i shpërthimit të jetë i lidhur me pajisjet e matjes së energjisë.

Reagimi vjen pasi në raportimin e policisë për ngjarjen thuhet se në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësve të energjisë elektrike. /j.p/

The post OSHEE: Shpërthimi në Shkodër nuk lidhet me boksin e matësve të energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët në protestë, Mersini: Riparohet së shpejti defekti, ka nisur furnizimi me ujë në disa lagje të Vlorës

29 December 2025 at 12:30

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Qytetarët e Vlorës po protestojnë sërish sot përpara bashkisë së qytetit, pasi prej 4 ditësh qyteti nuk furnizohet me ujë për shkak të një defekti në linjën kryesore.

Ata kërkuan një takim me kryetaren e bashkisë, Brunilda Mersini për zgjidhjen e problemit, ndërsa deklaruan për mediet se “mungesa e ujit po u vështirëson jetën e përditshme”.

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini në një prononcim për mediet tha se ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë, por, sipas saj, “është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi”.

“Lajmi i mirë është se sot testimi ka rezultuar pozitiv dhe pjesa e Lungomares po furnizohet me ujë me një presion minimal. Ka filluar furnizimi edhe në një pjesë të lagjeve, pastaj ngadalë do të furnizohen edhe lagjet e tjera”, u shpreh Mersini.

Mersini u shpreh se në qytet operojnë prej 3 ditësh mbi 15 bote uji, por i është dhënë prioritet institucioneve.

Kryebashkiakja Mersini, po ashtu, njoftoi se pjesa që duhet për riparimin e defektit në linjën kryesore është gjendur dhe është duke mbërritur në aeroportin e Rinasit.

Sipas saj, protesta organizohet nga opozita dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës, por theksoi Mersini “nuk është momenti që të bëjnë opozitë”.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Flauers Shoshi, vuri në dukje se një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin.

“Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë”, u shpreh ai.

Shoshi tha se punonjësit e ujësjellësit dhe inxhinierët janë në krye të detyrës.

Duke shprehur mirënjohjen për punonjësit që kanë qëndruar 72 orë në ujë dhe në kushte brutale atmosferike për t’i sjellë ujë qytetit Shoshi i kërkoi ndjesë të gjithë qytetarëve që nuk po marrin furnizim.

“Jemi në detyrë ditë e natë, deri sa ta kthejmë furnizimin me ujë të Vlorës në normalitet”, tha Shoshi.

Defekti në ujësjellës ka ndodhur në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra, duke sjellë edhe mungesën e furnizimit me ujë. Kjo linjë është një investim i vitit 2009-2010.

Qytetarët nisën protestën që prej mbrëmjes së djeshme.

/k.s/j.p/

 

The post Qytetarët në protestë, Mersini: Riparohet së shpejti defekti, ka nisur furnizimi me ujë në disa lagje të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kinemaja feston 130-vjetorin e shfaqjes së parë publike të filmit

29 December 2025 at 12:22

ROME, 29 dhjetor /ATSH/- Një pamje unike e punonjësve që largohen nga një fabrikë. Ky ishte imazhi i parë i parë që publiku pa në bodrumin e “Grand Café” në Paris, në “14 Boulevard des Capucines”, më 28 dhjetor të vitit 1895, sipas “Skytg24”.

Një datë historike që shënon lindjen e kinemasë. 130 vjet më parë, Vëllezërit Lumière organizuan shfaqjen e parë publike të shpikjes së tyre të re të quajtur “kinematografi” në Paris.

Nga imazhet në dritën e projektuar, u krijua një formë e re arti: arti i kinemasë dhe krijimit të filmave.

Magjistari Georges Méliès, i cili më vonë u cilësua si themeluesi i vërtetë i formës së shtatë të artit, pati privilegjin të merrte pjesë në atë shfaqje të parë filmi.

Nëse Méliès konsiderohet themeluesi i tij, pararendësit e vërtetë ishin padyshim vëllezërit Louis Marie dhe Auguste Nicolas Lumière.

Filmi i parë i shkurtër që ata xhiruan, i shfaqur për publikun më 28 dhjetor 1895, titullohej “La sortie des usines Lumière” (“Dalja nga Fabrikat Lumière”): një imazh i punonjësve gjatë ndërrimit të turneve tyre në fabrikat.

Ata ishin krijuesit e vërtetë të kinematografit, një shpikje e prezantuar tashmë në qarqet shkencore më 22 mars të të njëjtit vit.

Një shpikje që i bëri shumë njerëz të habiteshin: çfarë mund të kishte më shumë sesa fenerët magjikë që ishin të njohur në atë kohë?

E megjithatë, pas prezantimit të parë publik në “Grand Café”, tani “Hôtel Scribe” në lagjen e “Operas Parisiane”, pati një sukses të menjëhershëm.

Që atëherë, njerëzit filluan të prisnin në radhë për të parë shfaqjet, të cilat zgjasnin rreth 20 minuta dhe përmbanin skeçe të ndryshme: nga “Dalja” te “Mësim akrobacie mbi kalë” deri te “Peshkimi i Peshqve të Artë”.

Bileta e hyrjes kushtonte 1 frang, dhe qiraja e teatrit ishte 30 franga në ditë.

Megjithatë, me publikimin e filmave të rinj të shkurtër siç ishte i famshmi, “Mbërritja e trenit në stacionin La Ciotat” – një qytet në jug të Francës ku familja e industrialistit kishte një shtëpi pushimi – i shfaqur në janar të vitit 1986, ata arritën të shisnin deri në 2,500 bileta çdo ditë. //a.i/

 

 

The post Kinemaja feston 130-vjetorin e shfaqjes së parë publike të filmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpërthen paneli i matësve elektrikë, humb jetën 55-vjeçari në Shkodër

29 December 2025 at 12:20

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Një 55-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një shpërthimi të panelit të matësve të energjisë elektrike.

Policia e Shkodrës njoftoi se “rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësve të energjisë elektrike. Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër”.

Sipas policisë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e rrethanave, identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për përcaktimin e shkakut të shpërthimit të matësve elektrikë.

/m.q/j.p/

The post Shpërthen paneli i matësve elektrikë, humb jetën 55-vjeçari në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

28 mijë raste të përpunuara legalizimesh përgjatë 2025-ës

29 December 2025 at 12:19

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Rreth 300 mijë objekte informale janë trajtuar në total ndër vite në të gjithë vendin, ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë përpunuar 28 mijë raste, në kuadër të procesit të legalizimeve që vijon pa ndërprerje për përmbylljen e çdo procedure.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, bën me dije se puna po vijon pa ndërprerje, me qëllim finalizimin e çdo dosjeje të mbetur dhe përmbylljen e plotë të procesit të legalizimeve, një ndër proceset më të rëndësishme për garantimin e sigurisë juridike të pronësisë për qytetarët.

Legalizimi i objekteve informale jo vetëm që u jep fund pasigurive pronësore për mijëra familje, por krijon edhe mundësi të reja për zhvillim urban, investime dhe rritje të vlerës së pronës.

Gjatë këtij viti, fokusi ka qenë në përshpejtimin e procedurave administrative, verifikimin në terren dhe trajtimin e rasteve të mbartura, duke synuar që çdo qytetar që plotëson kriteret ligjore të pajiset me dokumentacionin përkatës.

ASHK, thekson se procesi i legalizimeve do të vijojë edhe në muajt në vijim, me angazhimin për të përmbyllur çdo procedurë të mbetur dhe për të garantuar një proces transparent, të shpejtë dhe në shërbim të qytetarëve. e.xh/j.p/

 

 

 

The post 28 mijë raste të përpunuara legalizimesh përgjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“La Repubblica”: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk heq dorë nga asgjë

29 December 2025 at 11:47

ROMË, 29 dhjetor /ATSH/- Historiani ruso-britanik Sergej Radchenko, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” dhe ekspert i Luftës së Ftohtë, vlerëson se pavarësisht përpjekjeve për ta përafruar planin prej 28-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump me qëndrimin e Kievit, realisht situata nuk ka ndryshuar, sipas “La Repubblica”.

Sipas tij, sot bisedimet janë në të njëjtën pikë si një muaj më parë, kur Trump përpiqej të ndërmjetësonte armëpushimin duke ushtruar presion mbi të dyja palët.

Tonet mund të jenë më të buta, por realiteti mbetet i njëjtë…

Radchenko tha se ekzistojnë dy skenare: nëse Ukraina tërhiqet nga Donbasi, kjo do të ishte një fitore e madhe për Putinin. Nëse kjo nuk ndodh, nuk pritet asnjë progres i shpejtë.

Sipas tij, Trump po e tepron me optimizmin, pasi nuk ka shenja që Rusia është gati të pranojë një plan të ri paqeje.

Pse armëpushimi nuk shihet si zgjidhje?

Sipas Radchenko, Putini e ka dhënë përgjigjen e tij me bombardimet e fundit në Kiev.

Mesazhi është i qartë: Rusia ka kapacitet të vazhdojë luftën. Qëllimi është të ushtrohet presion mbi Ukrainën që të pranojë kushtet ruse. Putini nuk pranon ndërmjetësime dhe nuk ka hequr dorë nga kërkesat maksimale, ndërsa Ukraina është detyruar të bëjë lëshime.

A mund ta ndalojë SHBA-ja Putinin?

Gjithçka varet nga reagimi i Trump nëse Putini refuzon planin dhe vazhdon luftën.

Radchenko ngre dyshime se nëse Trump vazhdon mbështetjen për Ukrainën apo tërhiqet, duke ia lënë barrën Evropës dhe Kievit, ekziston edhe rreziku që presioni të shtohet mbi Zelensky për lëshime të tjera.

A do të përfundojë shpejt lufta?

Sipas Radchenko, lufta nuk do të përfundojë. Edhe nëse SHBA-të dhe Ukraina bien dakord, Rusia do të paraqesë kërkesa të reja. Putini nuk është i gatshëm të bëjë as lëshime minimale.

Çfarë kërkon në të vërtetë Trump?

Ai kërkon fundin e luftës që të paraqitet si njeriu që solli paqen, pa u shqetësuar shumë për kushtet. Kjo e vendos Zelensky në një pozitë shumë të vështirë: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk lëshon pe për asgjë.

Garancitë e sigurisë

Zelensky ka nevojë për garanci sigurie për t’ia justifikuar popullit lëshimet territoriale.

Por, Radchenko paralajmëron se këto garanci pritet të jenë të paqarta dhe jo detyruese për SHBA-në. Trump nuk dëshiron të rrezikojë një përballje me një fuqi bërthamore si Rusia.

Roli i Evropës

Sipas Radchenkos, evropianët janë anashkaluar dhe kjo është shumë problematike.

Ata duhet të ishin pjesë aktive e negociatave, pasi kanë një rol kyç në sanksione dhe garancitë e sigurisë. Megjithatë, deri tani, Evropa nuk ka ditur t’i përdorë siç duhet mjetet që ka në dorë. //a.i/

The post “La Repubblica”: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk heq dorë nga asgjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dea Mishel reagon pas krahasimit me Selin: S’jeni mirë

By: D Marku
29 December 2025 at 12:38

Krahasimet në rrjetet sociale mes personazheve publike duket se nuk kanë fund, e së fundmi në qendër të vëmendjes ka qenë Dea Mishel, e cila është vënë përballë Selin, banores së Big Brother VIP.

Pas postimeve dhe komenteve të shumta nga ndjekësit, ku dy vajzat u krahasuan për pamjen fizike dhe stilin, Dea Mishel ka reaguar publikisht përmes një story në Instagram. Ajo ka publikuar një mesazh që i ishte dërguar nga një ndjekës, i cili e pyeste nëse kishte qenë shtatzënë në të njëjtën kohë me Selin gjatë “Big Brother VIP 2”, duke e shoqëruar reagimin e saj me ironi.

“S’jeni mirë hahahahahaha. Ç’a futen biondet në Big, më ngjisni mua çdo vit”, ka shkruar Dea, duke treguar se kjo nuk është hera e parë që ajo përballet me krahasime të tilla.

Reagimi i saj është interpretuar si një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe plot humor ndaj zhurmës së krijuar në rrjete, ndërsa Dea ka lënë të kuptohet se këto krahasime i konsideron të pavenda dhe të përsëritura.

Ndërkohë, postimi ka nxitur edhe më shumë diskutime mes ndjekësve, ku një pjesë e tyre shprehen se vajzat nuk kanë ngjashmëri, ndërsa të tjerë vijojnë të krahasojnë tiparet e tyre. Megjithatë, Dea Mishel duket e vendosur të mos i marrë seriozisht këto komente, duke zgjedhur t’u përgjigjet me ironi dhe qetësi.

The post Dea Mishel reagon pas krahasimit me Selin: S’jeni mirë appeared first on Albeu.com.

Shkurta Haxhiu hedh sërish akuza ndaj opinionisteve: Dhunuesen e mbajtën brenda

By: D Marku
29 December 2025 at 12:12

Pas eliminimit nga “Big Brother VIP Kosova 4”, Shkurta Haxhiu ka reaguar publikisht në rrjetet sociale, duke adresuar drejtpërdrejt opinionistet Leonora Jakupi dhe Olta Gixhari. Në një postim në Instagram, Shkurta ka shprehur pakënaqësinë e saj për mënyrën se si janë trajtuar disa situata brenda shtëpisë, veçanërisht ato që lidhen me përplasjet dhe akuzat për dhunë.

“Dy nominime brenda një nate u bënë për mua. Unë, si Shkurta Haxhiu, i shpëtova eliminimit nga publiku, sepse më votuan dhe më mbështetën. Por nuk i shpëtova ‘zarf-it të zi’ nga produksioni. Dhunuesen e mbajtën brenda, ndersa njé njeri qe nuk ka lënduar asnjeher askënd e nxorën jashtë. Kjo ishte një padrejtësi e madhe për mua.”

Ajo ka theksuar se, sipas saj, opinionistet kanë dhënë komente pa bërë një analizë të plotë dhe të drejtpërdrejtë të rrethanave. Shkurta thekson se ato kanë marrë rolin e “avokates”, duke përdorur fjalë të forta dhe duke e cilësuar sjelljen e saj si dhunë, pa marrë parasysh provokimet që kanë sjellë këto situata.

Për më tepër, ajo e ka kritikuar standardin e dyfishtë të gjykimit, duke shtuar se sikur të kishte qenë ajo në anën e opinionisteve, reagimet dhe komentet do të ishin krejtësisht të ndryshme. Shkurta ka theksuar se dhuna do të ishte trajtuar ndryshe dhe se reagimi publik do të kishte pasur një tjetër drejtim.

Ky reagim i Shkurtës ka sjellë një diskutim të ri mbi mënyrën si trajtohen situatat kontroverse dhe akuzat në emisionet e këtij formati.

The post Shkurta Haxhiu hedh sërish akuza ndaj opinionisteve: Dhunuesen e mbajtën brenda appeared first on Albeu.com.

Shenjat e para të Zhegrovës, transferimi i minutës së fundit i Juventusit rigjallërohet nga Spaleti

By: V K
29 December 2025 at 12:09

Edon Zhegrova, bëri një paraqitje të shkëlqyer kundër Pizës, duke ndihmuar në sigurimin e tre pikëve për objektivin e klubit.

Nënshkrimi i verës pati një ndikim të rëndësishëm në ndeshje me lojën dhe paparashikueshmërinë e tij, duke ia shpërblyer besimin Luçiano Spaletit, i cili po e përdor atë më vazhdimisht, duke rigjallëruar një lojtar që deri pak javë më parë dukej si i huaj. Tani i takon atij të provojë vlerën dhe rritjen e tij.

Anësori ishte një nga nënshkrimet e fundit të Juventusit në tregun e transferimeve. I nënshkruar më 1 shtator, ai u ble nga Lilë në mënyrë të përhershme dhe nënshkroi kontratë pesëvjeçare me klubin.

Pritjet ishin të larta, duke pasur parasysh sezonet e tij të fundit në Francë.

Për shkak të mungesës së formës fizike, Zhegrova debutoi në Seria A më 20 shtator, duke luajtur shtatë minuta në barazimin ndaj Veronës.

Më pas luajti edhe 26 minuta të tjera kundër Atalantës dhe ishte në stol kundër Milanit. Më pas luajti 25 minuta në barazimin 0-0 në derbin kundër Torinos, tetë minuta kundër Napolit, gjysmë ore kundër Romës dhe një tjetër kundër Pizës.

The post Shenjat e para të Zhegrovës, transferimi i minutës së fundit i Juventusit rigjallërohet nga Spaleti appeared first on Albeu.com.

Zgjedhjet në Kosovë/ Presidenti Begaj mesazh urimi për Kurtin: Uroj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale

By: V K
29 December 2025 at 12:02

Këtë të hënë, me anë të një reagimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka uruar Albin Kurtin për rezultatet fituese, në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë.

Begaj nënvizon se qytetarët e Kosovës, shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucionet e reja që do qeverisin vendin.

REAGIMI:

Urime Kosovë! Urime Albin Kurti!

Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin.

Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane.

 

The post Zgjedhjet në Kosovë/ Presidenti Begaj mesazh urimi për Kurtin: Uroj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale appeared first on Albeu.com.

Epike/ Kandidati i LDK-së e pranon humbjen me këngën e Medës: Ma mirë mos t’isha gjallë…

By: D Marku
29 December 2025 at 11:56

Ermal Sadiku, kandidat i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për deputet, ka reaguar me ironi pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën, duke zgjedhur rrjetet sociale si formë shprehjeje ndaj zhvillimeve politike.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas numërimit të mbi 94 për qind të votave, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë me rreth 49.92 për qind të votave. Në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.15 për qind, ndërsa LDK-ja pozicionohet në vendin e tretë me 13.81 për qind.

Në reagimin e tij, Sadiku ka publikuar në Facebook një video të shkurtër, e shoqëruar me një këngë të këngëtarit Meda. Në sfond dëgjohet fraza “Ma mirë mos t’isha gjallë të dielën mbrëma”, e cila është interpretuar nga ndjekësit si një reagim ironik dhe simbolik ndaj rezultatit të dobët të partisë së tij në këtë proces zgjedhor.

Postimi ka nxitur komente dhe reagime të shumta në rrjet, ku disa e kanë parë si një mënyrë të lehtë dhe humoristike për të reflektuar zhgënjimin pas zgjedhjeve, ndërsa të tjerë e kanë konsideruar si kritikë indirekte ndaj performancës së LDK-së.

Ndërkohë, me avancimin e numërimit të votave, rezultatet nuk kanë shënuar ndryshime të mëdha. Deri tani, kur janë numëruar mbi 96 për qind e votave, LDK vijon të mbetet në vendin e tretë me rreth 13.77 për qind, duke konfirmuar rënien e saj krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe duke hapur diskutime për reflektim dhe riorganizim brenda partisë.

The post Epike/ Kandidati i LDK-së e pranon humbjen me këngën e Medës: Ma mirë mos t’isha gjallë… appeared first on Albeu.com.

Parlamenti i ri i Irakut mban seancën e parë pas zgjedhjeve

29 December 2025 at 12:44

Parlamenti i sapozgjedhur i Irakut u mblodh të hënën për seancën e tij të parë që nga zgjedhjet kombëtare të mbajtura në nëntor, duke hapur zyrtarisht rrugën për nisjen e procesit të formimit të një qeverie të re.

Gjatë kësaj seance të parë, deputetët pritet të zgjedhin kryetarin e parlamentit dhe dy nënkryetarët. Më pas, brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës konstituive, ligjvënësit duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Presidenti i zgjedhur do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë bllokut më të madh parlamentar, një proces që në Irak zakonisht zgjat me muaj për shkak të negociatave mes forcave politike.  / abcnews.al /

Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë së shpejti një tjetër bisedë telefonike

29 December 2025 at 12:19

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë “shumë shpejt” një tjetër bisedë telefonike, ka njoftuar Kremlini, pas takimit që Trump pati mbrëmë në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dy liderët tashmë kanë zhvilluar një telefonatë, të cilën Trump e ka cilësuar si “produktive”, dhe se një bisedë e re pritet pas diskutimeve të presidentit amerikan me palën ukrainase.

Sipas Kremlinit, Moska ende nuk është në dijeni të rezultateve konkrete të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, ndërsa nuk ka asnjë plan për një telefonatë mes Zelenskyyt dhe Putinit.

I pyetur nëse Kremlini pajtohet me vlerësimin e Trump se paqja është më afër dhe bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare, Peskov u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”

Megjithatë, Kremlini ka përsëritur kërkesat e tij që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni i Donbasit, si kusht për ndalimin e luftimeve.  / abcnews.al /

Turqi, përplasje me ISIS/ Operacion në Stamboll, vriten 3 policë dhe 6 terroristë

29 December 2025 at 12:13

Tre oficerë policie dhe gjashtë anëtarë të Shtetit Islamik u vranë në përplasje me armë gjatë një operacioni në Turqinë veriperëndimore.

Tetë oficerë të tjerë dhe një roje nate u plagosën, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. (Ali Jerlikaja)

Ngjarja ndodhi në provincën Yalova (Jalova), në jug të Stambollit, ndërsa policia bastisi një shtëpi ku fshiheshin militantët.

5 gra dhe 6 fëmijë që ndodheshin në banesën e terroristëve u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa forcat speciale nga provinca fqinje e Bursës u dërguan për të përforcuar operacionin.

Ndërsa konfrontimi u përhap në rrugë, pesë shkolla në zonë u mbyllën. Autoritetet gjithashtu ndërprenë furnizimin me gaz natyror dhe energji elektrike si masë paraprake, ndërsa civilëve dhe automjeteve iu ndalua hyrja në lagje.

Siç raportojnë mediat turke, policia kreu operacione edhe në 108 vendndodhje të tjera në gjithsej 15 rajone.

Javën e kaluar, policia turke nisi dhjetëra bastisje, duke ndaluar 115 militantë të grupit ekstremist të cilët dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Zyrtarët thanë se grupi kishte bërë thirrje për veprime, veçanërisht kundër komuniteteve jo muslimane, gjatë festave.

ISIS ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi vitet e fundit, duke përfshirë të shtënat në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona.  / abcnews.al /

Gazetari Aristir Lumezi, “Qytetar Nderi” i Elbasanit pas vdekjes

29 December 2025 at 10:58

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka nderuar pas vdekjes gazetarin dhe kryeredaktorin Aristir Lumezi me titullin “Qytetar Nderi”.

Mirënjohja iu dorëzua djalit të tij nga kryetari i bashkisë, Gledian Llatja. Ky titull simbolizon trashëgiminë e rëndësishme që Lumezi la pas në fushën e gazetarisë dhe edukimin e brezave të rinj.

Aristir Lumezi, me një karrierë prej dy dekadash dha një kontribut të vyer në median e shkruar dhe atë vizive shqiptare.

Ai shërbeu si gazetar i politikës dhe mbajti postin e kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë.

Në motivacionin e titullit theksohet: “Për kontributin e çmuar në gazetarinë shqiptare si gazetar, pedagog dhe kryeredaktor, duke formuar breza të rinj profesionistësh dhe duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë, për avancimin e gazetarisë dhe informimin e saktë të publikut”.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se figura të tilla janë shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe përkushtim ndaj profesionit dhe komunitetit.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Gazetari Aristir Lumezi, “Qytetar Nderi” i Elbasanit pas vdekjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?

29 December 2025 at 10:37

SHKUP, 29 dhjetor /ATSH/ – Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul.

Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq.

Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.

“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.

Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.

Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.

Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase

Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase.

Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.

“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.

Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë

Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.

Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.

“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.

Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk

Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132.

Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.

“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s, shkruan REL.   /os/.

The post KOMENT – Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌