Rama kritikon kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash: “Farsë e shëmtuar që cenon piramidën shtetërore të pagave”
TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me seancën që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese mbi kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama e cilësoi procesin si një “farsë të shëmtuar”, duke theksuar se kjo çështje, sipas tij, rrezikon të thyejë piramidën shtetërore të pagave dhe të cenojë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit në politikën e pagave.
“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartëpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!”, shkroi Rama.
Kryeministri theksoi se, gjyqtarët duan që Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave.
“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrsesi të kthehet në një turp kombëtar”, theksoi Rama.
Kryeministri vlerësoi Prokurorinë e Posaçme që nuk i është bashkuar kësaj nisme.
“Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, përfundoi Rama.
/gj.m/j.p/
The post Rama kritikon kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash: “Farsë e shëmtuar që cenon piramidën shtetërore të pagave” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
