Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

NBA, dominon “molla e madhe”/ New York arrin fitoren e tetë radhazi në sezonin e rregullt

By: xhir jeta
5 February 2026 at 13:19

Mund ta ndjejë veten si një ekip me emër tepër të madh. Nuk është gjë e vogël të përfaqësosh Nju Jorkun, qytetin më të lavdishëm të historisë moderne të botës, dhe skuadra e basketbollit e di këtë shumë mirë.

Gjithsesi, të mbiquajturit “Niksat” nuk kanë qenë aspak në nivelin që kërkon qyteti i tyre, qendra e biznesit dhe e financave amerikane dhe botërore, ndonëse ky brez po përpiqet pa masë që t’ia dalë.

Nju Jork Niks arriti fitoren e 8-të radhazi këtë sezon në NBA, duke kaluar një rival shumë të fortë si Denverin me rezultatin 134-127.

U deshën dy kohë shtesë, pra 58 minuta vetëm lojë e kronometruar që të përcaktohej fituesi në “Medison Skuer Garden”, ndërsa në total rreth 20 000 spektatorët në Arenë mbetën në tribuna për rreth 3 orë.

Sfida ishte e shkëlqyer me lojë sulmuese dhe mbrojtje që shpesh nuk ekzistonin, siç është moda e viteve të fundit në NBA, ndërsa njujorkezët u udhëhoqën nga Xhejlën Braun, më I miri I tyre me 42 pikë, 8 topa në tabela e 9 asistë.

U dalluan edhe Karl-Entoni Tauns me 24 pikë e 12 topa në tabela, Anunobi me 20 pikë dhe Shamet me 16.

Denverit nuk i mjaftoi shkëlqimi i kapitenit, Nikola Jokiç, me 30 pikë, 14 topa në tabela e 10 asistë.

Ylli serb u ngjit në vendin e dytë në renditjen e të gjitha kohëve për tripëll dabëlla, me 181, po aq sa Oskar Robertson, dhe kjo ndodhi pasi shërbeu asist për Harduejn kur duheshin edhe 46 sekonda deri në përfundim të ndeshjes.

Niksat janë në vendin e dytë në Lindje me 33 fitore e 18 humbje, lënë pas vetëm nga kryesuesi Detroit që ka vetëm 12 humbje.

Gjithsesi, shanset janë të mira që të synohet titulli këtë sezon. Do të ishte titulli i tretë në histori dhe i pari pas plot 53 viteve.

Rekord tifozësh në Gjermani/ Plot 50 000 spektatorë në ndeshjen për të rinj në Champions

By: xhir jeta
5 February 2026 at 13:17

Duhej të ishte thjesht një ndeshje. Edhe pse luhejn në nivelin e Ligës së Kampionëve, sërish flasim për 19-vjeçarët, dhe nëse në stadium mund të jenë 2 apo 3 mijë njerëz kjo është mjaft.

Nuk ndodh kështu në Gjermani, dhe këtë herë u vendos një rekord.

Plot 50 000 spektatorë mbushën stadiumin e Këlnit, me emrin e sponsorit “Rain Energi”, ndërtuar mbi stadiumin e vjetër Myngersdorfer.

Luanin Këlni vendas dhe Interi milanez, e tifozët vendas dhanë një spektakël në tribuna, duke thyer rekordin e mëparshëm që ishte 40 368 spektatorë, kur Interi luajti ndaj Trabzonsporit në prill të vitit të kaluar.

Për skuadrën zikaltër, titullar ishte portieri i Shqipërisë U19, Alen Taho, i cili bëri disa pritje, ndërsa nuk mund të quhet fajtor për golin.

Ekipi i Shpresave të Interit ia doli vetëm në fund, pasi ndeshja e Championsit për të rinj ishte në barazim 1-1 deri minutën e shtatë shtesë.

Pikërisht në fund, italianët shënuan dy gola.

Duket se tifozët e Këlnit janë të pakënaqur me skuadrën e të rriturve që po kalon sezon të vështirë në Bundesligë, dhe kanë vendosur të ndjekin të rinjtë./abcnews.al

Cristiano Ronaldo bën 41/ Ylli portugez feston ditëlindjen, mbyll “grevën” me Al Nassr

By: xhir jeta
5 February 2026 at 13:11

Vitet kalojnë, por ata jabë vetëm një numër për Cristiano Ronaldo. Ylli portugez i futbollit feston këtë të enjte ditëlindjen e tij të 41, por nuk ka ndërmend të ndalet.

Këtë e konfirmon foto e postuar nga ai në rrjetet sociale, duke u stërvitur me Al Nassr, si shenjë edhe e mbylljes së rebelimit pas përplasjes me klubin saudit për shkak të merkatos.

Tani të gjithë presin që ai të jetë në fushë në ndeshjen e ardhshme kundër Al Ittihad, për të thelluar më shumë rekordet personale që e shoqërojnë në këtë ditë të shënuar.

Me 1,308 ndeshje të luajtura dhe një shifër të pabesueshme prej 961 golash zyrtarë, portugezi është ndër golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave, ndërsa mision ka arritjen e 1 mijë realizimeve në karrierë. CR7 mund të krenohet me pesë “Topa të Artë” dhe katër “Këpucë të Arta”, por është aftësia e tij për të rishkruar statistikat në çdo garë që e bën atë unik.

Megjithëse prej vitesh është larguar nga skena e madhe e futbollit europian, lidhja e Cristiano Ronaldo me Champions League kufizohet me përsosmërinë. Ai mban rekordin për më shumë paraqitje, gola dhe asiste në historinë e turneut. Portugezi ishte i pari që theu barrierën e 100 golave ​​në këtë garë, duke dominuar çdo fazë: nga grupet deri në finale, pa harruar një seri të pafundme tregolëshash dhe golash të njëpasnjëshëm.

I njëjti diskutim vlen edhe me kombëtaren e Portugalisë, si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e ekipit kombëtar, rekordi për gola dhe asiste në historinë e Kampionatit Evropian dhe më shumë gola në turnetë kualifikuese dhe finale evropiane.

Përveç rekordeve të tij me Real Madridin si realizuesi më i mirë i të gjitha kohërave, Ronaldo ishte lojtari i parë që përfundoi golashënuesi më i mirë në katër liga të ndryshme dhe shënoi mbi 50 gola në secilën prej tyre.

Nga Premier League me Manchester United, në La Liga me Real Madrid, nga Serie A me Juventus dhe tani në Ligën Profesionale Saudite me Al Nassr, “marka” e CR7 nuk ka njohur kufij, duke i dhuruar atij një vend nderi në “Olimpin” e futbollit botëror./abcnews.al

City, në finalen e Kupës/ Skuadra e Guardiola mundi 3-1 Newcastle në gjysmefinalen e dytë

By: xhir jeta
5 February 2026 at 13:10

Asnjë surprizë në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Ligës në Angli. Ashtu si titulli kampion në Premier edhe ky trofe do të diskutohet nga dy rivalët e mëdhenj të këtij sezoni, Arsenal dhe Manchester City.

Pas “Topçinjve”, biletën për në finalen e “Wembley” siguroi edhe Manchester City.

Skuadra e Guardiolës mundi 3-1 Neëcastle në sfidën e kthimit, ndërsa kishte fituar 2-0 edhe ndeshjen e parë në transfertë.

Gjithçka e lehtë për “Cityzens”, që në fushën e tyre e vranë garën që në pjesën e parë.

Pas vetëm shtatë minutash, Marmoush ndali topin në rrjetë për epërsinë e të zotëve të shtëpisë.

Nuk mund të flitet për reagimin e Neëcastle, që u dorëzua përpara pushimit.

Marmoush dyfishoi po vetë diferencën në rezultat në minutën e 29-të, ndërsa vetëm tre minuta më pas, Tijani Reijnders shënoi edhe golin e tretë për Manchester City.

Në pjesën e dytë, miqtë vetëm sa zbutën humbjen me golin e Elanga, por nuk arritën të prishinin festën e Guardiolës dhe skuadrës së tij.

Kështu, rivaltiteti mes Mancester City dhe Arsenal në këtë sezon të futbollit anglez pasurohet me një tjetër kapitull. Dy skuadrat do të diskutojnë trofeun e Kupës së Ligës më 22 mars në stadiumin “Wembley”.

Inter nuk fal as në Kupë/ Zikaltërit kualifikohen në gjysmëfinalen e kompeticionit

By: xhir jeta
5 February 2026 at 13:08

Habia e parë ishte se përse shkuan në një stadium tjetër.

Interi e kishte në shtëpi ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Torinos, por ajo nuk u luajt në “San Siro”, veçse në Monzë.

Çfarë ndodhi?

Arsyeja është e thjeshtë dhe e rëndësishme, në impiantin legjendar të Milanos do të mbahet këtë të premte ceremonia e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore, ndaj edhe nuk mund të luhej futboll.

Interi gjithsesi nuk e vuajti aq shumë këtë zhvendosje, duke fituar 2-1 e duke kaluar në gjysmëfinale.

Trajneri Kristian Kivu bëri ndryshime të rëndësishme në formacion, dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe për shkak të ngarkesës së madhe sezonale në Serinë A dhe në Champions, plus Superkupën e Italisë dhe Kupën e Botës për Klubet që në verë.

Vetëm të tillë si Mkitarian, Açerbi apo Turam ishin ndër titullarët e aktivizuar.

Golat u shënuan nga Boni në pjesën e parë dhe Diuf menjëherë pas pushimit, ndërsa për Torinon realizoi sulmuesi kroat I ardhur tani në janar, Sandro Kulenoviç.

Interi kërkon Kupën e 10-të të Italisë, ndërsa për herë të fundit fitoi në 2023, dhe pret rivalët në gjysmëfinale.

Sonte do të luhen sfidat Atalanta-Juventus, Napoli-Komo dhe Bolonja-Lacio./abcnews.al

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Dënohet vrasësi i Gentian Bejtes/ 24 vite burg për Ilir Beqarajn, autor i vrasjes në Larushk në 2024

By: xhir jeta
4 February 2026 at 15:25

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar si autor i vrasjes se Gentian Bejtjes ne Larushk te Fushë Krujës. Beqaraj akuzohet për “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikim apo përdorim të dokumenteve të falsifikuara”.

I pandehur për këtë ngjarje është edhe Edison Haxhiu, i dënuar më parë me dy vite burg si dhe Florian Plaku, i arrestuar verën e kaluar në Vlorë dhe që po gjykohet i ndarë.

Sipas hetimeve Beqaraj dhe Plaku kanë kryer vrasjen në bashkëpunim, ndërsa Haxhiu ka siguruar kushtet për ekzekutimin e saj. Krimi dyshohet të ketë qenë i porositur nga subjekte kriminale jashtë vendit, në konflikt me Bejtjan.

Sipas dosjes hetimore ka rezultuar se persona të armatosur, pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Gentian Bejtjes kanë hyrë brenda oborrit dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Pak minuta pas ngjarjes në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë Krujë u gjet i djegur një automjet tip Land Rover, që është përdoruar nga autorët në vendngjarje. Nga provat e administruara rezulton se Ilir Beqaraj në kohë të ndryshme përpara kësaj ngjarje me mjetin e tij ka qenë në afërsi të vendit ku ndodhet banesa e Bejtjes, kjo gjë provohet nga këqyrja e GPS të automjetit të cilin e ka të marrë me qira.

Viktima i kishte shpëtuar disa atentateve më herët, ndërsa më 4 korrik 2023 iu vra kunati në atentat në banesën e Bejtjes./abcnews.al

Data base në Tiranë, nga izraelitët/ Investim rreth 100 milionë euro për ruajtjen e të dhënave

By: xhir jeta
4 February 2026 at 15:24

Izraeli dhe Shqipëria po thellojnë bashkëpunimin ekonomik, me një investim strategjik prej 100 milionë eurosh në sektorin e teknologjisë. Një kompani izraelite do të ndërtojë në Tiranë një qendër të madhe të të dhënave.

Qendra do të bazohet në procesorë grafikë të teknologjisë Nvidia dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë. Investimi po realizohet nga kompania izraelite ADC, në bashkëpronësi të Happy Technologies dhe kompanisë konsulente DIT.

Si projekt qeveritar në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian, investimi ka përfituar procedura të përshpejtuara. Leja e ndërtimit është dhënë brenda 60 ditësh, ndërsa objekti po ndërtohet në një sipërfaqe prej 4.5 hektarësh tokë shtetërore në zonën e lirë ekonomike TEDA, në perëndim të Tiranës.

Qendra do të furnizohet me energji të gjelbër, ndërsa infrastruktura energjetike dhe e komunikimit është ndërtuar paraprakisht. Në aspektin financiar, ADC ka siguruar një kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila mbulon 75 për qind të kostos totale të projektit.

Edhe pse ndërtimi nuk ka përfunduar ende, qendra ka siguruar tashmë tre klientë të mëdhenj, një kompani shqiptare të teknologjisë, një kompani gjermane të ruajtjes se të dhënave dhe një institucion qeveritar shqiptar, identiteti i të cilit mbetet konfidencial

Investimi vjen pas forcimit të ndjeshëm të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht pas sulmit kibernetik Iranian ndaj vendit tonë në 2022-shin, pas të cilit Shqipëria nisi të perdorë teknologji izraelite të sigurisë kibernetike per mbrojtjen e institucioneve shteterore dhe subjekteve private. Gjate luftes, raportet mes dy vendeve u ngrohen edhe më tej, ndërsa Shqipëria u dallua si një nga aleatet më të afërta të Izraelit në Europë. Kryeministri shqiptar Edi Rama vizitoi Izraelin në kulmin e luftimeve dhe, në fjalimin e tij në OKB, dënoi Hamasin dhe mbajti simbolin e verdhë në mbështetje të lirimit të pengjeve.

Rritja e sigurisë ushqimore/ Kusht për anëtarësimin në BE, qeveria ka gati paketën ligjore

By: xhir jeta
4 February 2026 at 15:17

Qeveria ka gati paketën ligjore për forcimin e kontrolleve dhe sigurisë ushqimore. Nisma është në përmbushje të rekomandimeve të Komisionit Europian për grupkapitullin e “Bujqësisë”, i cilësuar si më sfiduesi sa i përket negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.

“Ligji i ri për kontrollet zyrtare dhe puna për ligjin e ri të ushqimit, përbëjnë hapa moderne dhe të besueshme për sigurinë ushqimore. Shqipëria është në rrugën e duhur, thjesht duhet të ndryshojë marshin, një marsh më të shpejtë.  Është kapitull me ndikim të drejtpërdrejt në politikë. Ajo lidhet me shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorit, funksionimin e tregut të brendshëm në Shqipëri.  Një nga sfidat më të mëdha në procesin e sigurisë ushqimore, janë ushqimet e skaduara që hyjnë nga jashtë”, tha Balla.

Në një tryezën e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ministri I bujqësisë, Andis Salla, tha se prioritet mbetet rritja e kontrolleve për produktet e imporit, eksportit, dhe prodhimit vendor. Ndërsa njoftoi se janë intesifikuar negociatat për rihapjen e fondeve për bujqësinë në kuadër të IPARD 3.

Ky vit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë, e cila duhet të përafrojë legjislacionin shqiptare me atë të Bashkimit Europian. Qeveria synon që këtë vit të mbyllë 16 kapituj, në mënyrë që brenda 2027 të përfundoi I gjithë procesi teknik. Por të vijuar me tej me votën politike, aty ku anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e 27 vendeve anëtare./abcnews.al

Kandili sa një autobus/ Argjentinë, eksplorimi zbulon specien e rrallë gjigante

By: xhir jeta
4 February 2026 at 13:48

Një eksplorim i kohëve të fundit në det të thellë pranë Argjentinës zbuloi një kandil deti gjigant që mund të rritet aq sa një autobus shkolle. Videoja nga Instituti i Oqeanit Schmidt tregoi krijesën madhështore ndërsa notonte 820 metra nën sipërfaqen e oqeanit.

Instituti tha se kandili është një specie e rrallë e quajtur i ashtuquajtur kandili i detit fantazmë gjigant për shkak të pamjes së tij.

Gjatë ekspeditës shkencore të udhëhequr nga argjentinasit, ekipet shkencore eksploruan të gjithë gjatësinë e bregdetit argjentinas nga Buenos Aires deri në një zonë në brigjet e Tokës së Zjarrit.

Ekipi dokumentoi 28 specie të reja oqeanike, si dhe shkëmbinjtë koralorë më të mëdhenj në oqeanin global, dhe disa komplekse të tjera të pasura shkëmbinjsh.

Videoja e kandilit tregon peshq të vegjël që notojnë pranë tentakulave të saj, të cilat duken si shirita të gjatë rozë që lëvizin nëpër det.

Instituti i Oqeanit Schmidt tha se këto kandil deti të rrallë nuk kanë tentakula djegëse, por përdorin krahët për të kapur prenë e tyre./abcnews.al

Forbes “zbulon” Shëngjinin: Përtej rivierës, perla e veriut të Shqipërisë

By: xhir jeta
4 February 2026 at 13:45

Jo vetëm bregdeti i jugut por edhe ai i veriut ka tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj e vendas.Prestigjozja Forbes i ka kushtuar një artikull të gjatë mundësive turistike që ofron bregdeti i Shëngjinit  por edhe zhvillimi i tij.

Sipas Forbes bregdeti i Shqipërisë Veriore mbetet një mister për shumicën jashtë rajonit. Deri në fillim të viteve 1990, as shqiptarëve nuk u lejohej të afroheshin pranë detit thuhet në shkrim. Këto ditë, qyteti bregdetar i Shëngjinit – i famshëm për perëndimet e diellit – është një vend i njohur kryesisht  për shqiptarët nga kryeqyteti, të cilat e kanë pak më shumë se një orë larg me makinë, dhe familjet që vijnë për udhëtime ditore nga Kosova fqinje pa dalje në det.

Veçohet edhe aventura në të panjohurën, ndërsa gjarpëron pak më në veri përgjatë rrugës drejt Ranës së Hedhun—një dunë e madhe e mbuluar   me pyje me pisha, prej nga rrjedh edhe emri i saj që përkthehet si rërë e ‘derdhur’ ose e ‘hedhur’.

Tashmë një sërë projektesh  si resorte e rezidenca  kanë nisur të realizohen në bregdetin verior të Shqipërisë dhe interesi për to mbetet shumë i lartë.Forbes shkruan se  përtej vendasve shumë të huaj  kryesisht evropianë lindorë, si nga Polonia dhe Republika Çeke kanë shfaqur interes për të blerë  apartamente deri në 200 mijë euro . Ndërkohë për vilat që kanë çmime mbi 1 milion euro kërkesë ka pasur sidomos nga Mbretëria e Bashkuar ose SHBA-ja.

Ky vend mund të jetë aktualisht një vend i panjohur, por edhe kjo do të ketë ndryshuar në dy vitet e ardhshme, me një rrugë të re anësore që e çon Tiranën brenda 45 minutash nga Shëngjini. Një tjetër zgjatim i autostradës do të sigurojë një rrugë të re të shpejtë midis këtij cepi të Shqipërisë dhe Malit të Zi, një pikë e nxehtë në zhvillim për kripto-milionerët që zotërojnë jahte .

Ndërsa kryeqyteti shqiptar po tërheq vëmendje me kullat e tij inovative, është pikërisht arkitektura moderne që po del nga kodrat me pisha dhe shkëmbinj në një zonë që ishte e ndaluar vetëm 35 vite më parë, ajo që po vendos një destinacion krejtësisht të ri në hartën e banimit luksoz.

Toga të zeza apo blu? Sindikata e Gjykatësve burgosi gjithë politikanët e majtë

By: xhir jeta
4 February 2026 at 12:58

Sindikata e Gjyqtarëve drejtohet nga një grup gjykatësish që në karrierën e tyre të shkurtër, kanë dënuar vetëm drejtues të qeverisë qendrore dhe lokale. Në vetëm 5 vitet e fundit, ata kanë dënuar me burg nga Erion Veliaj, te Arben Ahmetaj, Lefter Koka e Vangjush Dako. Ndërsa kanë të pandehur shumë deputetë, ish ministra e ministra e kryetarë të bashkie të majte, i vetmi person të cilit ata i kanë lehtësuar masën, është dhëndri i Sali Berishes, Jamarbër Malltezi.

Cilët janë gjykatësit e Sindikatës së Gjyqtarëve?

Drejtuesit e shoqatës së gjyqtarëve, janë kryetar Engert Pëllumbi, gjykatës pranë Apelit të GJKKO, nënkryetar Ardit Kuka, sekretare Valjona Haxhiraj, ndërsa anëtarë të Këshillit Drejtues të Shoqatës ku përfshihet edhe kryetari edhe nën kryetari, pjesë e tyre janë gjyqtarët Engert Pëllumbi, Ardit Kuka, Ina Hoxhaj, Manjola Xhaxho, Ervin Sulaj, Fatri Islamaj, Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Albert Kera.

Engert Pëllumbi, gjyqtar pranë Apelit të GJKKO ka trajtuar disa nga cështjet më të rëndësishme por edhe masat që janë kundërshtuar nga zyrtarë të lartë, përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ish kryeministrin Sali Berisha, cështjen ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri por ka shqytuar ankimimet e bëra për sekuestrimin e pasurive dhe për bashkëshorten e ish kryebashkiakut Ajola Xoxa. Ka gjobitur po ashtu në 2011 për shpifje ish deputeten e PS, Ermonela Felaj.

Sa i përket Erion Banit, i cili është gjithashtu pjesë e kësaj shoqate, ai mban postin e kreut të GJKKO, ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ka udhëruar hetime të thelluara lidhur me ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, gjithashtu ka dhënë masa sigurie për ish kryebashkikuan e Durrësit Vangjush Dako dhe ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Bani është pjesë e trupit gjykues edhe në dosjen 5D,  por lidhur me cështje që ka trajtuar bëhet fjalë për atë të ish Presidentit Ilir Meta, kohë më parë Bani shpalli moskompetencë lidhur me zëvendësimin e masës për të. Ka dërguar për gjykim tre zyrtarë të bashkisë Kurbin, por ka dënuar edhe kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla.

Elsa Ulliri, gjyqtare pranë GJKKO është gjyqtarja që është në procesin ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për dosjen Partizani. Gjatë këtij procesi, ka patur disa polemika por ka bërë edhe kërkesa për terheqje nga kjo dosje. Është gjithashtu pjesë e trupit gjykues në procesin ndaj Vangjush Dakos. Më 31 janar pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish ministrin Lefter Koka, lidhur me inceneratorin e Tiranës. Në 30 korrik të 2024, me vendim të saj la në qeli Evis Berberin, ndërkohë ka qenë pjesë e gjykimit në fazën paraprake për dosjen ndaj ish ministrit Beqja.

Një tjetër anëtare është edhe Ina Hoxhaj, e cila ka kaluar me sukses procesin e vettingut. Deklarimet e saj të pasurisë, tregojnë rritje të pasurisë nga 42 mijë lekë në 2014 në rreth 811 mijë lekë në fund të 2018.

Fatri Islamaj, ish drejtues i gjykatës së Tiranës, i larguar nga vettingu dhe i rikthyer nga Apeli. Është gjyqtari që coi në SPAK për hetime të mëtejshme shembjet në rrugën 5 Maji, në Tiranë. Ka lënë edhe në fuqi në 2024, masën e arrestit me burg për një ish punonjëse të Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendit./abcnews.al

Lidership tregu: 2025, viti i Albsig Jetë

By: xhir jeta
4 February 2026 at 12:24

Viti 2025 shënoi një rikonfigurim të rëndësishëm të tregut të sigurimeve të Jetës në Shqipëri, ku Albsig Jetë, e licencuar në shtator 2019, arriti të pozicionohet lider i tregut, vetëm në vitin e saj të gjashtë të operimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania ka përfituar nga një rritje e fortë dhe e qëndrueshme, e udhëhequr kryesisht nga zgjerimi i ndjeshëm i portofolit të Sigurimit të Jetës së Debitorit.

Tregu i sigurimeve të jetës në rritje, por me ndryshime të forta strukturore

Në total, primet e shkruara bruto në sigurimet e Jetës u rritën me 17.6% në vitin 2025, duke arritur në rreth 2.44 miliardë lekë, nga 2.07 miliardë lekë një vit më parë. Megjithatë, kjo rritje nuk ishte lineare për të gjitha shoqëritë, pasi tregu u karakterizua nga zhvendosje të dukshme të peshave të tregut dhe nga rritje të diferencuara sipas produkteve.

Në këtë kontekst, Albsig Jetë rezulton performuesja më e spikatur e vitit, duke regjistruar një rritje vjetore të primeve të shkruara bruto prej 87.8%, nga 500 milionë lekë në 2024 në rreth 939 milionë lekë në 2025. Si rezultat, pjesa e saj në treg u zgjerua ndjeshëm, duke arritur në 38.6%, nga 24.1% një vit më parë.

Dyfishimi i Jetës së Debitorit, motori kryesor i rritjes

Performanca e Albsig Jetë është e lidhur ngushtë me ecurinë e Sigurimit të Jetës së Debitorit, segmenti dominues i tregut. Në vitin 2025, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rrit me 15.3% në nivel tregu, duke arritur në 1.89 miliardë lekë.

Brenda këtij segmenti, Albsig Jetë shënoi një rritje mbi dyfish, me prime që u rritën nga 437 milionë lekë në 2024 në rreth 881 milionë lekë në 2025, ose 101.5% më shumë. Si pasojë, kompania rriti ndjeshëm peshën e saj në këtë treg, duke zotëruar 46.7% të totalit të primeve të Jetës së Debitorit, nga 26.7% një vit më parë.

Ky zgjerim reflekton jo vetëm rritjen e kreditimit dhe bashkëpunimin me sektorin bankar, por edhe kapacitetin e kompanisë për të menaxhuar volum të lartë kontratash, pasi numri i përgjithshëm i kontratave të sigurimit të Jetës në treg u rrit me 21.7%, ndërsa Jeta e Debitorit vijon të mbajë mbi 72% të totalit të kontratave aktive.

Menaxhim i kontrolluar i dëmeve dhe stabilitet financiar

Paralelisht me rritjen e shpejtë të primeve, Albsig Jetë ka ruajtur një profil të kontrolluar dëmesh. Në totalin e tregut, dëmet e paguara bruto në sigurimet e Jetës ranë me 4.2%, në rreth 320 milionë lekë.

Për Albsig Jetë, dëmet e paguara bruto u rritën në 41 milionë lekë, por pjesa e saj në total mbetet e përballueshme dhe në përputhje me zgjerimin e portofolit.

Spahiu: Rritje e ndërtuar mbi besimin e klientëve dhe mbështetjen e Grupit Kastrati

Drejtori i Përgjithshëm i Albsig Jetë, Ervin Spahiu, vlerëson se performanca e vitit 2025 është rezultat i një strategjie të ndërtuar mbi baza afatgjata:

“Viti 2025 konfirmoi pjekurinë e modelit tonë të biznesit. Rritja e fortë e Albsig Jetë është ndërtuar mbi partneritete të qëndrueshme, fokus te nevojat reale të klientëve, si edhe mbështetjen e madhe të Grupit Kastrati. Objektivi ynë për vitin 2026 është konsolidimi i mëtejshëm në tregun e Jetës dhe zgjerimi me produkte inovative.”

Me një ritëm rritjeje që e ka çuar nga një kompani e re në lider tregu brenda gjashtë vitesh, Albsig Jetë hyn në vitin 2026 me ambicien për të thelluar pozicionin dominues, duke u shndërruar në një nga aktorët kyç të zhvillimit të sigurimeve të Jetës në Shqipëri.

17 vjeçe, shqiptare e olimpike / Lisa Brunga, historia e krenarisë që vjen nga Kanadaja

By: xhir jeta
4 February 2026 at 11:46

Nga 6 deri më 22 shkurt, Shqipëria do të jetë pjesë e Olimpiadës Dimërore, e përfaqësuar nga ekipi kuqezi i përbërë nga skiatorët Lara Kolturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Samire Dauti.
Mes tyre spikat Lisa Brunga, vetëm 17 vjeçe, një emër që po shkruan histori për sportin shqiptar.

Lisa Brunga, me origjinë nga Lezha, është e para shqiptare nga Kanadaja që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Ajo është formuar në një nga sistemet më të mira të skive alpine në Amerikën e Veriut, ku që në fëmijëri ka treguar disiplinë të lartë stërvitore dhe rezultate të qëndrueshme në garat FIS.

“Gjithmonë kam folur për një potencial real olimpik dhe kjo nuk është rastësi,” shprehet Lisa, duke theksuar se zgjedhja për të përfaqësuar Shqipërinë nuk ka qenë aspak për marketing.
Motoja e saj në pistë është po aq e thjeshtë sa frymëzuese: “Skijo shpejt dhe shijo shumë.”

“Përgjegjësinë morale për vendin ma ka dhënë familja,” thotë ajo.

Familja Brunga, veçanërisht babai i saj, ka qenë mbështetja kryesore në këtë rrugëtim. “Babai është shok dhe mburojë për mua, njohës dhe menaxhues i emocioneve të mia,” rrëfen Lisa.
Në studio ishte edhe Anton Brunga, avokat dhe themelues i studios ligjore “Brunga Law” në Toronto, Kanada, një zyrë ligjore që, siç thuhet shpesh nga komuniteti, “flet shqip”. Studio “Brunga Law” numëron 4 avokatë dhe 9 punonjës mbështetës, ku 3 prej avokatëve janë me origjinë shqiptare, duke ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për shqiptarët në Ontario./abcnews.al

“Zhduken” mijëra faqe për Epstein/ U zbulua identiteti i viktimave, Departamenti i Drejtësisë i heq nga faqja

By: xhir jeta
4 February 2026 at 10:49

Departamenti amerikan i Drejtësëisë ka hequr nga faqja e tij e internetit mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, pasi viktimat thanë se ishte cenuar identiteti i tyre. Avokatët e viktimave të Epstein thanë se redaktimet me të meta në dosjet e publikuara së fundmi kishin ndikuar jetën e gati 100 të mbijetuarve.

Adresat e email-it dhe fotot nudo në të cilat mund të identifikoheshin emrat dhe fytyrat e viktimave të mundshme u përfshinë faqet e publikuara. Të mbijetuarit lëshuan një deklaratë duke e quajtur rastin skandaloz dhe thanë se ata nuk duhet të emërtohen, shqyrtohen dhe ritraumatizohen.

Departamenti i Drejtësisë tha se i kishte hequr të gjitha dosjet në fjalë dhe se gabimet ishin teknike ose njerëzore. Ndërkohë disa nga të mbijetuarat thanë se departamenti i drejtësisë ka shkaktuar dëm të madh me një ekspozim të tillë, ndërsa janë shprehur të pakënaqura me rezultatet e publikimit.

Nderkohe presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër një gazetare të CNN për pyetjet e saj në lidhje me dosjet Epstein, duke i thënë se se eshte reporterja me e keqe dhe duke kërkuar që vendi “të merrej me diçka tjetër”.

Miliona dosje që lidhen me Epstein janë publikuar nga Departamenti i Drejtësisë që kur një ligj urdhëroi publikimin e tyre vitin e kaluar, duke përfshirë tre milionë faqe, 180,000 imazhe dhe 2,000 video të premten e kaluar.

Në to përmenden emra të njohur si Elon Musk, Bill Gates, apo ish princi Andreë, i cili ka humbur tashmë çdo titull dhe privilegj mbretëror. Së fundmi Andrew është zhvendosur nga prona mbretërore,  shtëpia e tij në Ëindsor në Sandringham Estate në Norfolk.

Buckingham Palace kishte thënë se zhvendosja do të ndodhte në fillim të vitit 2026, por pasojat nga publikimi i fundit i dosjeve të Jeffrey Epstein duket se e kanë përshpejtuar largimin e tij. Në dokumente përmendet edhe ish bashkëshortja e Andrew, Sarah Ferguson, e cila në një shkëmbim emailesh lë të kuptohet se Epstein mund të ketë qenë baba i një fëmije sekret./abcnews.al

Paqe mes Trump dhe Petro/ Pas akuzave për drogë, dy liderët takohen në Shtëpine e Bardhë

By: xhir jeta
4 February 2026 at 10:47

Pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh diplomatike, Donald Trump dhe Gustavo Petro shtrënguan duart. Presidenti i Kolumbisë udhëtoi drejt Uashingtonit ku pati një takim gati dy orësh me homologun e tij amerikan.

Të dy liderët e quajtën takimin miqësor, një kthesë e madhe nga javët e mëparshme, kur Trump e kishte akuzuar Petro për futjen e drogës në Shtetet e Bashkuara dhe kërcënoi vendin e tij më veprime ushtarake.

Por presidenti amerikan u tha gazetarëve më pas se ai dhe Petro kishin shkuar shumë mirë. “Patëm një takim shumë të mirë. Mendoj se ishte fantastik”, tha Trump.

Kreu i shtëpisë së bardhë shtoi se po punn për heqjen e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj Petro vitin e kaluar në lidhje me akuzat për trafikun e drogës, të cilat kolumbiani i ka cilësuar shpifje.

Ndërkohë Petro postoi një shënim të shkruar me dorë, me sa duket të shkruar nga Trump, me fjalët “një nder i madh – e dua Kolumbinë”, së bashku me një fotografi të tyre së bashku. Petro e përshkroi takimin si optimist dhe konstruktiv, veçanërisht në lidhje me luftën ndaj trafikut të drogës.

“Ajo që na bashkon është liria. Dhe kështu filloi takimi”, u tha Petro gazetarëve.

Edhe pse Petro e ka kritikuar Trump dhe operacionin për të kapur ish liderin e Venezuelës Nicolas Maduro, presidenti amerikan tha së fundmi se udhëheqësi i Kolumbisë është bërë më i gatshëm të punojë me administratën e tij për të ndaluar fluksin e drogës së paligjshme.

Lidhur me Venezuelën, Petro tha se shpresonte që vendi të mund të bashkëpunonte me Kolumbinë dhe Shtetet e Bashkuara për të eksportuar naftë dhe gaz, duke shtuar se të tre vendet kishin humbur si rezultat i konkurrencës dhe sanksioneve kundër Venezuelës.

Ai tha gjithashtu se Trump kishte rënë dakord të ndërmjetësonte në luftën tregtare të Kolumbisë me Ekuadorin. Petro i kërkoi gjithashtu homologut amerikan të bashkëpunonte me autoritetet kolumbiane për të gjetur dhe kapur trafikantë të lartë droge që jetojnë jashtë vendit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

SHBA dhe India i japin fund kohës së raporteve të ftohta

By: xhir jeta
4 February 2026 at 10:27

Lajmet e fundit nga Uashingtoni mund të shihen anë e mbanë në Indi: SHBA-ja dhe India kanë arritur një marrëveshje historike tregtare. Vetëm pak kohë pas marrëveshjes me BE-në, çuditërisht shpejt, e ndoshta jo edhe rastësisht, arrihet marrëveshja mes tyre.

Marrëveshja u njoftua në mënyrën tipike nga Trumpi, në Truth Social, platformën e Presidentit amerikan. Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do të ulë ndjeshëm tarifat doganore për mallrat e Indisë: nga 50 përqind në 18 përqind. Një tarifë ndëshkuese e vendosur më parë prej 25 përqind do të eliminohet plotësisht, sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë.

SHBA-ja e kishte vendosur këtë tarifë, sepse India vazhdoi të blinte naftë dhe gaz rus të lirë pavarësisht sanksioneve perëndimore. Një tarifë shtesë, e përgjithshme, do të ulet gjithashtu nga 25 përqind në 18 përqind.

Marrëdhëniet e ftohura mes SHBA-së dhe Indisë
Marrëdhënia midis Kryeministrit të Indisë Narendra Modi dhe Trumpit konsiderohej se ishte ftohur ndjeshëm kohët e fundit. Tarifat drastike të SHBA-së kishin tensionuar marrëdhëniet dhe një marrëveshje dukej më pak e mundur. Por tani më nuk flitet për një atmosferë të ftohtë në kampin amerikan.

Në vend të kësaj, ambasadori amerikan Sergio Gor theksoi afërsinë personale midis dy udhëheqësve në kanalin e lajmeve NDTV në Indi. “Gjithmonë kam thënë se Kryeministri dhe Presidenti ndajnë një miqësi të ngushtë. Disa nuk e besuan, por kjo miqësi është rritur gjatë shumë viteve, ka vazhduar dhe në fund të fundit është arsyeja pse u arrit kjo marrëveshje”, tha Gor.

Ndalimi i importit si levë kundër Rusisë?
Vetëm miqësia me sa duket nuk e shpjegon marrëveshjen. Siç deklaroi Trump, Modi kishte rënë dakord më parë të mos importonte më naftë nga Rusia. Ambasadori amerikan Gor nuk deshi të komentojë detajet e marrëveshjes. Mjafton të thuhet se të dyja palët kanë rënë dakord prej kohësh për dëshirën për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Kryeministri gjithashtu dëshiron të shohë paqe atje, ashtu si edhe Presidenti”, theksoi Gor. Prandaj, marrëveshja e arritur tani është një shkak për festim. Gor shtoi: “Për ta kuptuar më mirë, dua t’ju kujtoj se Bashkimit Evropian dhe Indisë iu deshën 19 vjet për të negociuar marrëveshjen e tyre.”

Megjithatë ekspertët e konsiderojnë të pamundur që India të ndërpresë menjëherë të gjitha blerjet e naftës bruto nga Rusia.

Në një reagim në platformën X, Kryeministri Modi shprehu kënaqësinë e tij për uljet e tarifave. Ai ende nuk ka komentuar të dhënat për blerjen e naftës ruse. Ministri i Tregtisë iIndisë, Piyush Goyal, deklaroi se marrëveshja do të krijojë lidhje më të ngushta midis dy ekonomive dhe do të krijojë mundësi të papara për kompanitë indiane.

Sipas Presidentit të SHBA-së Trump, India po angazhohet të ulë tarifat e importit për mallrat amerikane në zero dhe të importojë produkte me vlerë 500 miliardë dollarë.

India është hapur
Për ekspertin e tregut financiar Arvind Sanger, pakti tregtar ka implikime afatgjata: “Në vitet e fundit, India ka hezituar të marrë riskun e hyrjes në marrëveshje të tregtisë së lirë. Vetëm pak muaj më parë, vendi mezi ishte i pranishëm në shumë marrëveshje ndërkombëtare tregtare”, shpjegon ai. Tani India është hapur dukshëm më shumë – “me BE-në, me Britaninë e Madhe dhe tani përsëri edhe me SHBA-në. Nga një perspektivë afatgjatë, kjo është me rëndësi të madhe.”

Pak më shumë se një javë më parë, BE dhe India arritën një marrëveshje të gjerë që eliminon tarifat për pothuajse të gjitha mallrat. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e quajti atë “nënën e të gjitha marrëveshjeve”./DW

❌
❌