Asani shënon në Champions/ Ylli shqiptar realizon golin e dytë të sezonit në turneun aziatik
Nuk është në nivelin maksimal, por do të jetë aty vitin e ardhshëm. Jasir Asani po bën maksimumin që skuadra e tij, Esteglal, të realizojë objektivat e sezonit, dhe një dorë e dha në Championsin e dytë të Azisë.
Futbollisti kuqezi, që vjet ishte ndër më të mirët në Championsin e parë, me 9 gola në 10 ndeshje, realizoi në fitoren 3-0 që iranianët arritën në fushën e rivalit direkt, Al Muharrak.
Dueli në Bahrein nuk pati histori, dhe ky sukses siguroi kualifikimin e Esteglalit për në raundin e dytë, ndërsa ishte një hakmarrje për humbjen 0-1 të pësuar në Teheran në sfidën e grupit më herët.
Shqiptari shënoi sipas mënyrës së tij, dhe tani ka dy gola e një asist në këtë Ligë të Kampionëve në gjashtë ndeshje, ndërsa ka qenë gjithmonë titullar si dhe ka luajtur 90 për qind të minutave të mundshme.
Përtej rrjetave dhe asisteve për shokët, Asani ka dhënë edhe më shumë kontribut sidomos në lojën sulmuese, në ndërtimin e aksioneve, që në fund kanë përfunduar me top në rrjetë.
Edhe sezoni në total ka qenë shumë i mirë për yllin kuqezi. Shqiptari nga Shkupi ka 10 gola gjithsej, nga të cilët gjashtë në kampionatin e Iranit, dy në Champions dhe dy në Kupën e Iranit, ndërsa ka shërbyer dy asiste.
E gjitha kjo në 19 ndeshje, duke qenë shënuesi më i mirë i Ligës Profesioniste bashkë me dy të tjerë, ndonëse Esteglal duhet të rikthehet tek fitoret për të pretenduar titullin, duke qenë 5 pikë prapa kryesuesit Sepahan./abcnews.al