Vendimtar për Romën, Gasperini e ngrit në qiell Malenin: Do të shënojë shumë gola
Donyell Malen ishte protagonist absolut në fitoren e Romës 2-0 ndaj Cagliarit, duke realizuar të dy golat që i siguruan tri pikët ekipit të tij.
Holandezi tashmë ka shënuar tre gola në katër ndeshjet e para me fanellën e Giallorosëve, duke treguar se adaptimi te skuadra e re po shkon shumë shpejt.
Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, e lavdëroi sulmuesin dhe është i bindur se Malen do të ketë një sezon të jashtëzakonshëm:
“Pa dyshim që ishte një performancë shumë e mirë, veçanërisht pjesa e parë u luajt me një ritëm të fortë. Pas humbjes ndaj Udineses, skuadra tregoi karakter të madh dhe luajti futboll të bukur. Është për të ardhur keq që nuk shënuam më shumë gola, por gjithçka ishte pozitive,” tha Gasperini për Sky Sport Italia.
Gasperini shtoi se Malen ishte pikërisht sulmuesi që kishte kërkuar, duke e krahasuar me lëvizjet e ish-lojtarëve Artem Dovbyk dhe Evan Ferguson, dhe theksoi se holandezi ka një repertor të gjerë sulmues:
“Jam i bindur se ai do të shënojë shumë gola këtë sezon, ndaj duhet të mësojmë të shfrytëzojmë sa më mirë karakteristikat e tij. Në sulm kemi cilësi të madhe, dhe tani ai është një faktor i vështirë për t’u ndaluar,” përfundoi trajneri. /Telegrafi/
