Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Kumbaro: Nis plotësimi i formularit A1 për maturantët

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/- Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues dhe motivues, duke bërë me dije se nga kjo e hënë ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.

Ministrja theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke nënvizuar se zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme.

Ajo u bëri thirrje maturantëve të mos e marrin këtë vendim në mënyrë të nxituar.

“Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja”, u shpreh ministrja.

Ministrja informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10-11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.

“Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datat 2, 3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datat 5, 6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”, tha Kumbaro. /a.g/

The post Kumbaro: Nis plotësimi i formularit A1 për maturantët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Kristo Frashëri, historiani që la një prodhimtari të pasur shkencore nga antikiteti deri në ditët e sotme

TIRANË, 31 janar/ATSH/- Akademia e Shkencave përkujtoi sot me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, akademik Kristo Frashërin, personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar.

Ai lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920 në një familje atdhetare nga Frashëri i Dangëllisë.

U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë në vitin 1927. Në vitin 1940 kreu shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe në vitin 1943 kaloi në rreshtat partizane.

Në vitin 1945 -1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i  kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955).

Prej vitit 1953 ai ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave. Në vitin 1955 punoi në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe më 1957-n në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1966 u dënua nga politika e kohës dhe u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit. Në vitin më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990).

Në vitin 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Akademiku Frashëri është autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare në “Historinë e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965).

Në vitin 1954 ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe më 1958-n një vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; më 1964-ën botoi veprën “Historia e Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në vitin 1960” (botuar në disa gjuhë të huaja). Është autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë viteve ’70 -‘80, bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1984-n ka botuar monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë” vëll. II, 1984 dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar” vëll. II, (2002). Vepra të tjera të tij janë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 -1881” (1997); “Skënderbeu – jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun” (në origjinal dhe në përkthim shqip) (2005); “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj” (2005); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878–1941” (2006); “Identiteti kombëtar shqiptar” (2006); “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912)” (2008); “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008); “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009); “Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009); “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809- 2009); “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e enciklopedisë së Shkupit” (2010); “Historia e Dibrës” (2012); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012); “Ismail Qemali – Album” (2012); “Etnogjeneza e shqiptarëve Vështrim historik” (2013); “Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014); “Jeta e një historiani” (2014); “Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014); “Shqipëria në Konferencën e Paqes, Paris 1946” Vështrim Historik (2015); “Kongresi i Përmetit (24-28 Maj 1944)” Vështrim Historik dhe Burime Dokumentare (2015); “Historia e Çamërisë” (2015).

Si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj.

Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të klasit I (1961, 1984). Është dekoruar me urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Akademik Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016.

The post Kristo Frashëri, historiani që la një prodhimtari të pasur shkencore nga antikiteti deri në ditët e sotme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nderohen Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, Kurti: UÇK, përmbylli kapitullin lavdishëm të luftës për liri

PRISHTINË, 31 janar/ATSH/- Në një ceremoni solemne të mbajtur në Podujevë, krerët më të lartë shtetërorë, zyrtarë lokalë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të përkujtuar 29-vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Kjo ngjarje, e njohur tashmë si ‘Trinomi i Janarit’, shënon një moment kthese vendimtare në historinë moderne të Kosovës, duke simbolizuar kalimin nga rezistenca politike pasive në kryengritjen e armatosur që kulmoi me çlirimin e vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalimin e tij e vendosi veprën e ‘Trinomit’ në kontekstin e gjerë historik të përpjekjeve shqiptare për liri gjatë shekullit të 20-të.

Ai theksoi se Zahir Pajaziti me shokë nuk ishin thjesht luftëtarë të rastësishëm, por vizionarë që kuptuan se rruga drejt lirisë kërkonte një qasje të re dhe radikale përballë një agresori të pamëshirshëm.

Kurti nënvizoi se organizimi i tyre ushtarak dhe politik i dha legjitimitet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para faktorit ndërkombëtar, duke dëshmuar se populli i Kosovës ishte i gatshëm të paguante çmimin më të lartë për dinjitetin e tij.

“Qysh prej krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe gjatë tërë shekullit XX, sfida dhe synimi kryesor për shqiptarët ishte çlirimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimi politik me Shqipërinë. Në këtë periudhë të gjatë rreth tetë dekadëshe, të gjithë ata që janë angazhuar për këtë qëllim sipëror kombëtar e politik, kanë patur dy rrugë të ndryshme, ndonëse përplotësuese të njëra-tjetrës. Rrugën e angazhimit politik, qoftë ai brenda apo jashtë institucioneve të sistemit, si dhe rrugën e kryengritjes së armatosur e të luftës çlirimtare. Në të dyja këto rrugë, historia e ne shqiptarëve ka mbajtur shënim për ngjarje dhe personalitete që jo vetëm me veprën por edhe me jetën e tyre, i kanë shënjuar të gjitha udhëtimet nëpër to. Njerëz që me angazhimin e tyre total, me dedikimin e plotë të vetes së tyre, në kuptimin politik dhe njerëzor, janë përkushtuar për lirinë e atdheut tonë të përbashkët, si vendi ku secili njeri mëson ta dojë”, theksoi Kurti.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u ndal te rëndësia e kujtesës institucionale. Ai e cilësoi 31 janarin jo vetëm si datë kalendarike, por si një ditë reflektimi dhe përgjegjësie për gjeneratat e sotme.

Ai argumentoi se liria e Kosovës mban vulën e gjakut të dëshmorëve dhe se çdo hap në ndërtimin e shtetit duhet të jetë në përputhje me idealet për të cilat ata u flijuan.

“Gjaku i dëshmorëve nuk është vetëm historia. Është themeli mbi të cilin u ndërtua liria jonë. Në një kohë të errët për Kosovën, kur dhuna, represioni dhe mohimi i të drejtave elementare ishin realitet i përditshëm, këta tre burra u shndërruan në simbol të qëndresës dhe organizimit të armatosur. Ata ishin ndër të parët që e kuptuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, me vendosmëri dhe sakrificë. Rënia e tyre heroike ishte kushtrim e frymëzim për mijëra të rinj e të reja që më vonë do t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte dëshmi se ideali nuk vritet, se fryma e lirisë nuk shuhet dhe se populli që ka bij të tillë nuk mund të mposhtet. Në këtë ditë kujtese, të 29-vjetorit të rënies së tyre, ndjejmë dhimbje për humbjen e tyre, por mbi të gjitha ndjejmë krenari për guximin e për vendosmërinë që kishin për të luftuar deri në frymën e fundit. Ata e vënë atdheun mbi gjithçka dhe mbi jetën e tyre. Ata zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të drejtë, rrugën”, theksoi Bulliqi.

Në emër të familjeve, Bajram Pajaziti, vëllai i komandantit Zahir Pajaziti, përcolli mesazhin e vazhdimësisë dhe qëndresës, duke lidhur luftën e UÇK-së me traditën historike të rezistencës shqiptare, që nga koha e Skënderbeut.

“Vizioni i qartë, çlirimtar, guximi dhe vendosmëria, i bëri prijës të brezit të rezistencës së armatosur dhe grupeve të para guerile, që e hapën rrugën e luftës çlirimtare. Me gjakun e tyre vulosën rrugën e lirisë së Kosovës. Ata ishin dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shndërruan në simbol, u shndërruan në simbol të qëndresës aktive kundër pushtimit serbosllav. Njëherit u shndërruan edhe frymëzim të pashuar për mijëra luftëtarë që iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Dua të them që periudha e Ushtrisë Çlirimtare është një epokë e lavdishme në historinë e popullit tonë çlirimtar. Prandaj kemi shumë respekt dhe duhet gjithmonë të respektojmë, të shkruajmë dhe të mbajmë mend për këta njerëz që na erdhën nderin në këtë vend”, tha ai.

Akademia u përmbyll me një program artistik të pasur, ku përmes këngëve dhe recitimeve u evokua shpirti luftarak dhe dashuria për atdheun, duke lënë të kuptohet se ‘Trinomi i Janarit’ mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi për Kosovën.

Kjo akademi dëshmoi se edhe pas gati tri dekadash, figura e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës mbetet e paprekur në panteonin e lirisë, duke shërbyer si busull morale për udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt forcimit të shtetit ligjor dhe integrimit euro-atlantik.

Tre heronjtë ranë në pritë nga forcat serbe më 31 janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.

/Kosovapress/

The post Nderohen Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, Kurti: UÇK, përmbylli kapitullin lavdishëm të luftës për liri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Premiera e filmit “Melania” bashkon Kosovën me ekranet e botës

PRISHTINË, 31 janar/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar premierën botërore të filmit “Melania” si një ngjarje të veçantë kulturore, e cila lidhi ekranin e kinemasë në Kosovë me audiencën ndërkombëtare.

Osmani thekson se filmi sjell një perspektivë unike mbi familjen presidenciale amerikane, duke pasqyruar punën dhe angazhimin e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Premiera u organizua nga Presidenca e Republikës së Kosovës dhe u shndërrua në një mbrëmje të veçantë janari, e mbushur me art, kulturë dhe praninë e shumë miqve të kinemasë.

“Së bashku me artistë dhe dashamirë të filmit, patëm kënaqësinë të shijonim një natë të bukur kinematografike” u shpreh Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e ngjarjeve të tilla për promovimin e kulturës dhe artit në Kosovë.

The post Premiera e filmit “Melania” bashkon Kosovën me ekranet e botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjimnazi “Kolë Idromeno” në Shkodër, me infrastrukturë moderne dhe laboratorë inteligjentë

TIRANË, 29 janar/ATSH/- Në gjimnazin “Kolë Idromeno” në Shkodër ka përfunduar investimi me mbështetjen e buxhetit të shtetit.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje se si ishte dhe si është transformuar godina e shkollës së mesme që përfshiu rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme për të ofruar kushte bashkëkohore në shërbim të rreth 400 nxënësve, mësuesve dhe gjithë komunitetit.

Rama thekson se gjimnazi “Kolë Idromeno” ka tashmë hapësira të rinovuara dhe infrastrukturë moderne, nga laboratorët inteligjentë te terrenet për aktivitete sportive, arte dhe zeje.

Ai nënvizon se ky investim ruan elementet lokale të qytetit dhe rikthen dinjitetin e emrit të piktorit dhe arkitektit të shquar që mban.

Investimi përfshiu rinovimin e instalimeve elektrike, hidraulike, sistemit të kondicionimit, aksesueshmërisë për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe mobilim të ri, të përshtatur me imazhin modern të shkollës.

The post Gjimnazi “Kolë Idromeno” në Shkodër, me infrastrukturë moderne dhe laboratorë inteligjentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha në Këshillin e Europës: Zgjedhjet në Shqipëri në klimën e një partie-shtet

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg se zgjedhjet në Shqipëri po shkatërrohen nga dy fenomene madhore: partia-shtet dhe narkoshteti.

Në fjalën e mbajtur, Berisha u shpreh se ndryshe nga zgjedhjet e lira që i shërbejnë shtetit të së drejtës, farsa zgjedhore prodhon efektin e kundërt.

“Mendoj se çështja e zgjedhjeve në krizë, por edhe jashtë krizës, ka si pyetje më themelore këtë: a kemi zgjedhje apo një farsë zgjedhore. Zgjedhjet i shërbejnë shtetit të së drejtës; farsa zgjedhore ka efektin e kundërt. Unë dënoj fuqishëm ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera, por jam këtu gjithashtu për të denoncuar dy faktorë të tjerë madhorë që mund t’i shkatërrojnë zgjedhjet. Njëri prej tyre është shteti-parti ose partia-shtet, ashtu siç u tha këtu nga vëzhguesit, se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në klimën e një partie-shtet”, tha ai.

Sipas tij, krimi i organizuar ka shndërruar drogën në vota dhe votat në mbrojtje politike. “28 deputetë kanë hyrë në parlament të mbështetur nga kartelët më të fuqishëm të drogës. Pas kësaj, atyre iu dhanë 450 leje për hotele, motele, ndërtime dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre u përdorën për të bllokuar tërësisht Prokurorinë”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së ka folur edhe për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres duke u shprehur se Kryeministri Rama bllokoi dhe nuk lejon iniciativën e Prokurorisë.

The post Berisha në Këshillin e Europës: Zgjedhjet në Shqipëri në klimën e një partie-shtet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn takon deputetët e rinj të PS dhe PD: Forcojmë bashkëpunimin SHBA-Shqipëri

TIRANË, 28 janar/ATSH/- E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua këtë javë me deputetë e rinj nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për t’i përgëzuar ata teksa nisin Programin Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës, IVLP.

Ambasada amerikane bën me dije përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale se ata do të udhëtojnë së bashku në Washington, DC; Phoenix, Arizona; dhe Pensacola, Florida, për të forcuar bashkëpunimin SHBA-Shqipëri mbi prioritete të përbashkëta, si nxitja e lidhjeve tregtare, çuarja përpara e zhvillimit ekonomik transparent dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike përmes përpjekjeve ndërpartiake.

The post VanHorn takon deputetët e rinj të PS dhe PD: Forcojmë bashkëpunimin SHBA-Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvendosja e Kadastrës Vlorë, ASHK: Qytetarët nuk penalizohen, model i nisur në 2021 edhe me drejtori të tjera

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar sot lidhur me situatën e krijuar në Kadastrën e Vlorës.

Në njoftimin zyrtar, ASHK thekson se prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Sipas ASHK-së, procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë dhe Vlorë.

“Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës”, sqarohet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, në njoftim nënvizohet se “falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron banorët e Vlorës se “jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës”.

Në njoftimin për shtyp, Kadastra sjell në vëmendje se  “të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar”

Agjencia Shtetërore e Kadastrës përfundon reagimin zyrtar se mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore.

The post Zhvendosja e Kadastrës Vlorë, ASHK: Qytetarët nuk penalizohen, model i nisur në 2021 edhe me drejtori të tjera appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria zyrtarisht anëtare themeluese e Bordit të Paqes e iniciuar nga Trump

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Shqipëria është bërë zyrtarisht anëtare e Bordit të Paqes, një organizatë ndërkombëtare e iniciuar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të kësaj organizate ndërkombëtare publikuar në rrjetet sociale.

Bordi i Paqes thekson se mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama ka ripostuar në “X” deklaratën e Bordit të Paqes.

Vendimi për tu bërë pjesë e Kartës së Bordit të Paqes u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në datë 22 janar me 110 vota nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.

Shqipëria është e angazhuar në mbrojtjen e vlerave themelore të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së integritetit territorial, duke dhënë një kontribut domethënës në promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një akt vullneti të mirë dhe një përgjegjësi të natyrshme të Shqipërisë për të kontribuar për paqen, sa herë që i jepet mundësia.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se ftesa personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë si vend themelues në Bordin e Paqes përbën një nder të veçantë dhe një dëshmi të vlerësimit ndërkombëtar për rolin e vendit tonë. /a.g/

The post Shqipëria zyrtarisht anëtare themeluese e Bordit të Paqes e iniciuar nga Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi miraton me 85 vota ndryshimet në Kodin Penal dhe ligjet e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Kuvendi ka miratuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, rreth orës 04:00, me 85 vota pro, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’”, i ndryshuar.

Në një seancë maratonë prej rreth 18 orë, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi 13 projektligje dhe Aktin Normativ “Për buxhetin e vitit 2025” i cili u miratua me 85 vota pro dhe 10 kundër.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”, u miratua me 85 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024”, u miratua me 85 vota pro, asnjë kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale”, u miratua me 84 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë””, u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit”, u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (nismë e Këshillit të Ministrave), u miratua me 85 vota pro, 9 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, u miratua me 85 vota pro, 10 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, u miratua me 85 vota pro, 10 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Per parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna ne familje”, u miratua me 85 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, u miratua me 83 vota pro dhe 10 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, u miratua me 84 vota pro, 10 kundër..

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, u miratua me 83 vota pro, 10 kundër.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, u miratua me 82 vota pro dhe 1 kundër, 0 Abstenim.

The post Kuvendi miraton me 85 vota ndryshimet në Kodin Penal dhe ligjet e Reformës në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Sfida e madhe përpara, projekti për një Kod të ri Penal

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari deklaroi sot se paketa e ndryshimeve në Kodin Penal miratuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kuvend përmbushim detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit për në BE, përmes përafrimit të 7 akteve kyçe të Acquis communautaire.

Lamallari thekson në reagimin e tij në rrjetet sociale se “ndryshimet e miratuara me 85 vota shënojnë një avancim tjetër në përpjekjen tonë të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës, adresimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, kontrollin e territorit, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmit etj”.

Ministri i Drejtësisë vë në dukje se “sfida e madhe që kemi tani përpara është projekti për një Kod të ri Penal, për të cilin është bërë një punë e shkëlqyer me transparencë e gjithëpërfshirje dhe procesi vijon për të mbledhur kontributet më të mira e për të bërë reflektimet e duhura”.

Paketat e miratuara sot nga Kuvendii përfshijnë një sërë ndryshimesh të rëndësishme në Kodin Penal, mes tyre dekriminalizimin e shpifjes, ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet, si edhe masa më të rrepta për parkimin e dyfishtë, që parashikon gjobë ose deri në një vit burg.

The post Lamallari: Sfida e madhe përpara, projekti për një Kod të ri Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë

TIRANË, 27 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Jeruzalem, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, një ngjarje ndërkombëtare për adresimin e sfidave globale në luftën kundër antisemitizmit.

Rama ka ndarë në rrjetet sociale foto nga takimet e zhvilluara duke shkruar se: “Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë”.

Kryeministri, i cili në këtë vizitë shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe një delegacion zyrtar, u prit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të cilët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediet.

Në konferencën e përbashkët për mediet, Rama deklaroi sot Shqipëria vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet, përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajë rolin e saj brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.

Kryeministri Rama iu adresua Knessetit, Parlamentit të Izraelit në sesionin special si i ftuar nderi, me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në nisje të seancës së posaçme përshëndetën Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, Kryetari i Knessetit Amir Ohana dhe Lideri i Opozitës Yair Lapid.

Rama nënvizoi se Shqipëria duhet të përdoret si busull orientimi dhe shembull bashkëjetese fetare dhe bëri me dije se në Vlorës, do të hapet një muze për të kujtuar veprat që populli shqiptar ka bërë për të shpëtuar hebrenjtë nga torturat e nazistëve.

Gjithashtu, kryeministri Rama u drejtoi një mesazh të gjithë qytetarëve të Shtetit të Izraelit si edhe banorëve palestinezë që “t’i japin vënies së paqes një shans, t’i japin një shans dhënies fund të akteve të armiqësisë, t’i japin një jete tjetër një shans, një jete të re”.

“I bekuar qoftë kujtimi i atyre që u flijuan! Le të mbetet si busull, guximi i atyre që refuzuan të binden. Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht. Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre. Dhe le të mbeten dy kombet tona të vogla, por të mëdha në shpirt, të lidhura përjetë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përkushtimi i përbashkët për ta mbajtur njerëzimin njerëzor”, përfundoi Rama fjalën në Parlamentin izraelit.

Në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Jeruzalem, kryeministri Rama do të mbajë një fjalë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

The post Rama për vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi: Belgjika mbështet anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE

TIRANË, 27 janar/ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vijim të vizitës zyrtare në Bruksel u takua me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Peter De Roover si dhe me Presidentin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel.

Gjatë takimit me Presidentin Peter De Roover, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Belgjikës, të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe angazhimin për stabilitetin rajonal dhe integrimin europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e ndërveprimit parlamentar si një mekanizëm thelbësor për forcimin e bashkëpunimit politik dhe të gjithanshëm mes dy vendeve.

Peleshi falënderoi homologun belg Peter De Roover për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë lidershipit të suksesshëm të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Europian. Ai riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një objektiv strategjik kombëtar për Shqipërinë dhe se ambicia drejt familjes europiane bazohet në parimin e meritës, në reformat transformuese dhe në rezultate konkrete.

Presidenti De Roover vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe nënvizoi se kjo mbështetje do të vijojë, duke theksuar se procesi i anëtarësimit do të mbetet në fokus të bashkëpunimit parlamentar.

Në takimin me Presidentin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit parlamentar, forcimin e sundimit të ligjit dhe shkëmbimin e përvojave në proceset reformuese. Kryetari Peleshi vlerësoi kontributin e ekspertizës belge në fushat e drejtësisë, administratës publike dhe rendit, si si dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese të dy vendeve.

Bisedimet përfshinë gjithashtu çështje që lidhen me migracionin, bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme, si dhe perspektivat për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryetari Peleshi nënvizoi rolin e diasporës shqiptare në Belgjikë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh.

Presidenti i Senatit, Vincent Blondel, vuri në dukje vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe parlamentare, duke konfirmuar mbështetjen e Belgjikës për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Takimet në Bruksel konfirmuan mbështetjen e qartë të Belgjikës për integrimin europian të Shqipërisë, vullnetin e përbashkët për avancimin e partneritetit dypalësh dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar në funksion të integrimit europian, stabilitetit rajonal dhe paqes. Në këto takime, Kryetari i Kuvendit u shoqërua nga një delegacion parlamentar i përbërë nga deputetët Igli Hasani, Ulsi Manja, Evis Kushi, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë, Albana Dautllari.

The post Peleshi: Belgjika mbështet anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama viziton Nova Site në Izrael: Një vend që kumbon pa fjalë

TIRANÊ, 25 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama ka nisur vizitën zyrtare në Izrael.
Rama bën të ditur në rrjetet sociale se ndalesa e parë është Nova Site, një vend simbolik i kthyer në hapësirë reflektimi pas ngjarjeve tragjike nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.
Ai thekson se humbjet e rënda janë shndërruar në një simbol të kujtesës,  domethënies së jetës, urrejtjes dhe çmimit të paqes.
“Stacioni i parë në Izrael – një vend që kumbon pa fjalë. Mes humbjeve rrëqethëse, një pyll festash i kthyer në një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes“, shkruan Kreu i Ekzekutivit.

The post Rama viziton Nova Site në Izrael: Një vend që kumbon pa fjalë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Nuk ka efektivë të plagosur gjatë protestës

TIRANË, 24 janar/ATSH/-Partia Demokratike ka reaguar pas njoftimi të Policisë së Shtetit se gjatë protestës janë plagosur 11 efektivë.

Duke i konsideruar mashtrime dhe të pabaza reagimin e policisë, PD thekson se “sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë”.

“Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit’.
Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë”, thuhet në deklaratën për mediet të PD.

PD shton se “çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota”.

“Partia Demokratike falenderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje. Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë. Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj”, përfundon PD njoftimin për shtyp.

The post PD: Nuk ka efektivë të plagosur gjatë protestës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për “21 janarin”: Katër të vrarë nuk prehen ende në paqe, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë

TIRANË, 21 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ngjarjen e “21 janarin” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se “15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare”.

Kreu i qeverisë thekson se “katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”.

Rama shpreh bindjen se “sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë”.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës së PS-së, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

Gjykata e Lartë ka vendosur në mars të 2024-ës që dosja e “21 janarit” të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave.

The post Rama për “21 janarin”: Katër të vrarë nuk prehen ende në paqe, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Tjetër aksident hekurudhor, një i vdekur dhe 37 të plagosur

BARCELONË, 21 janar/ATSH-EFE/- Një tjetër aksident hekurudhor ka ndodhur mbrëmjen e së martës ku humbi jetën shoferi i trenit dhe u plagosën 37 pasagjerë, katër prej të cilëve u plagosën rëndë.

Aksidenti ndodhi në një tren udhëtarësh midis qyteteve Sant Sadurní d’Anoia dhe Gelida, rreth 40 kilometra nga Barcelona ku e gjithë Katalonja është përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm.

Aksidenti ndodhi dy ditë pas përplasjes mes dy trenave në Kordoba, në jug të Spanjës, për arsye ende të panjohura, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 40 personave.

Claudi Gallardo, kreu i ndërhyrjes së Departamentit të Zjarrfikësve të Generalitat, tha për mediat se muri mbajtës u shemb rreth orës 21:00 ndoshta për shkak të reshjeve të fundit.

Muri ra mbi vagonin e parë të trenit të udhëtarëve, duke e deformuar atë dhe bllokuar brenda shumicën e pasagjerëve.

Shoferi i trenit vdiq në aksident dhe 37 pasagjerë u trajtuan nga ekipet e urgjencës mjekësore.

Sistemi i Emergjencave Mjekësore (SEM) dërgoi 20 ambulanca në zonë për të evakuuar të plagosurit në spitalet Moisès Broggi, Bellvitge dhe Vilafranca./a.g/

The post SPANJË – Tjetër aksident hekurudhor, një i vdekur dhe 37 të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – 39 të vdekur dhe 73 të plagosur pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë

MADRID, 19 janar /ATSH-EFE/ – Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.

Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 73 të plagosur ku  24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin  njerëzit e bllokuar nga rrënojat.

Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.

Ai tha të hënën se aksidenti hekurudhor në Adamuz (Córdoba) është “i çuditshëm dhe i vështirë për t’u shpjeguar” pasi treni që shkaktoi aksidentin është relativisht i ri dhe infrastruktura është rinovuar kohët e fundit.

Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës.

The post SPANJË – 39 të vdekur dhe 73 të plagosur pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”.

Në rrjetet sociale, Rama publikoi foto nga kjo vizitë e cila nisi me pritjen në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me medaljen “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara.

Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

Rama e cilësoi këtë vizitë si “një mikpritje e paharrueshme në Emiratet e Bashkuara” duke theksuar se vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës.

Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë 2026, Kreu i Ekzekutivit ishte pjesë e panelit “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.

Gjatë diskutimit, Rama vuri theksin tek investimet e mëdha të dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me synimin që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar këtë partneritet si një model vizionar që synon, jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse. A

i vlerësoi rolin dhe vizionin e lidershipit të Emirateve, si dhe kontributin e Dr. Sultan Al Jaber në nxitjen e projekteve ambicioze të tranzicionit energjetik. “Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Doktor Sulltani, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër”  u shpreh Kryeministri Rama.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë foli edhe për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online.

Kryeministri konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për tranzicionin e gjelbër, inovacionin teknologjik dhe forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian. /a.g/

The post Rama: Piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada amerikane sqaron se cilët qytetarë shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë drejt SHBA-ve

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka sqaruar se cilët qytetarë shqiptarë mund të vijojnë të udhëtojnë në drejtim të SHBA-ve dhe cilat kategori janë të ndaluara.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, shqiptarët që disponojnë vizë amerikane lejohet të udhëtojnë drejt SHBA-ve vetëm nëse kanë për qëllim  turizmin, pushimet, blerjet, takime biznesi apo vizite te miqtë e të afërmit.

Ambasada thekson se nuk lejohet udhëtimi drejt SHBA-ve me qëllim lindjen e fëmijës, studimi për një diplomë apo me qëllim pune.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim për pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, ku mes tyre përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova.

“Është përgjegjësia juaj ta përdorni vizën tuaj në mënyrë korrekte”, deklaron ambasada e SHBA-ve në reagimin e saj në rrjetet sociale.

Disa aktivitete që LEJOHEN me vizë vizitori B1/B2:

✅ Turizëm

✅ Pushime

✅ Blerje

✅ Vizitë me miq ose të afërm

✅ Takime me bashkëpunëtorë biznesi

✅ Pjesëmarrje në një konventë ose konferencë

Aktivitete që NUK LEJOHEN me një vizë vizitori B1/B2:

❌ Turizëm lindjeje (udhëtim me qëllim kryesor lindjen në Shtetet e Bashkuara për të marrë shtetësinë amerikane për fëmijën)

❌ Punë që rezulton në pagesë nga një punëdhënës ose biznes amerikan

❌ Studimi për një diplomë ose kredite akademike

❌ Performanca të paguara

The post Ambasada amerikane sqaron se cilët qytetarë shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë drejt SHBA-ve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌