Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, ka marrë pronësinë e ngastrës në fshatin Sojevë të Ferizajt, ku do të vendosen bateritë me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, duke i hapur rrugë avancimit të punimeve në kuadër të programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC.
Bateritë e planifikuara do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë në periudhat kur ka tepricë prodhimi dhe për rikthimin e saj në rrjet në momentet e rritjes së kërkesës, me synim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm dhe me kosto më të përballueshme për konsumatorët.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se ky projekt përfaqëson një tjetër rezultat konkret të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kontribuar në ndërtimin e infrastrukturës që forcon sigurinë energjetike të vendit dhe përmirëson shërbimin për qytetarët. /Telegrafi/
Komuna e Vitisë ka njoftuar fermerët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të blegtorisë në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025.
Sipas njoftimit, përkrahja financiare do të realizohet përmes pagesave direkte për qumësht, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri të tipit brojler, si dhe për akuakulturë.
Nga Komuna e Vitisë bëhet e ditur se thirrja për aplikim hapet më 19 janar 2026 dhe do të jetë e vlefshme deri më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.
Fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afatit të paraparë, ndërsa kriteret dhe kushtet e aplikimit janë të publikuara në uebfaqet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/
Komuna e Shtimes ka njoftuar qytetarët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, duke vazhduar mbështetjen për sektorin e blegtorisë.
Sipas njoftimit, përkrahja financiare përfshin pagesa direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri (brojlerët), si dhe për akuakulturë, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga programi përkatës.
Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00, ndërsa fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara për të përfituar nga këto skema mbështetëse.
Autoritetet komunale u bëjnë thirrje bujqve dhe blegtorëve që për informacione shtesë dhe procedurat e aplikimit të ndjekin njoftimet zyrtare të Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Kosovar Center for Security Studies (KCSS), me qëllim të forcimit të sigurisë në shkolla dhe parandalimit të dhunës tek të rinjtë.
Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të projektit “A Generation at Risk: Addressing Youth Violence and Strengthening School Safety through Research and Informed Reform” dhe synon përmirësimin e mjedisit shkollor përmes hulumtimit të bazuar në dëshmi, koordinimit institucional dhe zhvillimit të politikave të informuara.
Nga Drejtoria e Arsimit bëhet e ditur se memorandumi paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të shkollave më të sigurta, më mbështetëse dhe më rezistente për nxënësit, duke adresuar në mënyrë sistematike çështjet e sigurisë dhe dhunës në ambientet arsimore.
Ky angazhim udhëhiqet nga Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, me fokus në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e mekanizmave parandalues në sistemin arsimor. /Telegrafi/
Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Malishevës ka njoftuar se është hapur thirrja për aplikim për gjashtëmujorin e dytë të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025, e cila zbatohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Sipas njoftimit, përmes këtij programi do të vazhdojë mbështetja për sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës, përmes pagesave direkte për qumësht, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat dhe zogjtë për majmëri, si dhe për akuakulturë, në përputhje me programin e miratuar për vitin 2025.
Përkrahja financiare përfshin këto kategori:
Pagesa Direkte për qumësht;
Pagesa Direkte për therjet e raportuara të gjedhit;
Pagesa Direkte për viçat për majmëri;
Pagesa Direkte për zogjtë për majmëri (brojlerët);
Pagesa Direkte për akuakulturë.
Afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.
Nga Drejtoria për Bujqësi në Malishevë ftohen të gjithë fermerët që i plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të paraparë, me qëllim të përfitimit nga mbështetja financiare e Programit të Pagesave Direkte. /Telegrafi/
Komuna e Rahovecit njofton fermerët për hapjen e thirrjes për aplikim në kuadër të Pagesave Direkte për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
Përkrahja financiare mbulon kategoritë e mëposhtme:
Pagesa Direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë;
Pagesa Direkte për therjet e raportuara të gjedhit;
Pagesa Direkte për viçat për majmëri;
Pagesa Direkte për zogjtë për majmëri (brojlerë);
Pagesa Direkte për akuakulturë.
Afati i aplikimit është nga 19 janar 2026 deri më 18 shkurt 2026, ora 16:00.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka vizituar sot Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Luma”, pas rikthimit të procesit të rregullt mësimor, pas përmbytjeve që preken shkollën si pasojë e reshjeve të shumta.
Gjatë vizitës, kryetari Ahmeti u informua nga afër për gjendjen e shkollës dhe masat e ndërmarra për rifillimin e mësimit.
Ai falënderoi drejtorin e shkollës, Driton Sadikun, dhe drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Rasim Hasnin, për reagimin e shpejtë dhe efikas, falë të cilit objekti shkollor u pastrua në kohë rekord dhe mësimi u rikthye menjëherë.
Ahmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në situata emergjente dhe ritheksoi përkushtimin e Komunës së Lipjanit për të garantuar kushte të sigurta për të gjithë nxënësit dhe stafin arsimor. /Telegrafi/
Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), do të vazhdojë të mbështesë sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë përmes pagesave direkte për vitin 2025.
Si pjesë e këtij programi, mbështetja jepet për këto aktivitete dhe kultura bujqësore: pagesa direkte për qumësht, therjet e raportuara të gjedhit, viçat për majmëri, zogjtë për majmëri (brojlerët) dhe akuakulturë.
Afati i aplikimit fillon më 19 janar 2026 dhe mbaron më 18 shkurt 2026, ora 16:00.
Ky program synon përkrahjen e fermerëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në komunën e Drenasit, duke përmirësuar rendimentin dhe sigurinë e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. /Telegrafi/
Demokracia në Veprim ka vlerësuar se shmangia nga vendimi për rinumërim të plotë të votave në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor, një javë pas publikimit të gjetjeve të para dhe konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave preferenciale për kandidatë në disa komuna.
Në reagimin e saj, DnV thekson se devijime të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në një pjesë të komunave që janë përfshirë në mostrën prej 10 për qind të vendvotimeve, duke nënvizuar se fenomeni nuk është i izoluar.
“Devijime të konsiderueshme janë evidentuar edhe në komunat që janë pjesë e mostrës prej 10 për qind, çka tregon se fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive”, thuhet në reagimin e DnV-së.
Sipas organizatës, rinumërimi i pjesshëm, pavarësisht zgjerimit të tij, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.
“Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit”, vlerëson DnV, duke shtuar se kjo mbetet mënyra e vetme për rikthimin e besimit publik dhe mbylljen përfundimtare të dilemave mbi legjitimitetin e rezultateve.
Paralelisht, DnV konsideron se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe përmes një hetimi gjithëpërfshirës në nivel vendi.
“Hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit”, thekson DnV, duke vlerësuar se modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar krijojnë dyshime të arsyeshme se këto nuk janë pasojë e gabimeve njerëzore apo rastësisë, por e veprimeve të qëllimshme.
Sipas DnV-së, për këtë arsye, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës. /Telegrafi/
Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale.
Sipas tyre manipulimi i votave e ka cenuar integritetin zgjedhor, prandaj kërkojnë edhe rinumërim të plotë.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, i ka cilësuar manipulimet me vota si një nga skandalet më të mëdha që ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.
Ai thekson se falsifikimi i rezultateve zgjedhore është vepër penale e sanksionuar qartë me ligj, ku dënimi parashihet deri në tre vjet burg, ndërsa në rastet e rënda apo të kualifikuara mund të arrijë deri në pesë vjet burg.
“Në raport me falsifikimin e rezultatit zgjedhor, përcakton dënueshmërinë prej tre vite dhe forma e kualifikuar e saj është pesë vite. Definitivisht se kjo çfarë ka ndodhur është një prej skandaleve më të mëdha në kuptim të procesit të integritetit të zgjedhjeve që pas zgjedhjeve të vitit 2000 e 2010. Dhe në rastin konkret definitivisht se duhet të ketë veprim të prokurorit. Do të thotë nuk mund të lidhemi në numra të caktuar. Modus operandi apo mënyra e veprimit është e njëjta tek të gjitha partitë politike ku gjinden këto, këto gabime”, deklaroi ai.
Shala ka kritikuar ashpër mungesën e reagimit proaktiv të Prokurorisë së Shtetit, duke theksuar se ajo zakonisht vepron vetëm pasi rasti bëhet publik dhe merr vëmendjen e gjerë të opinionit.
“Prokuroria duhet të veprojë. Fatkeqësia në Kosovë është se prokuroria nuk reagon në mënyrë proaktive, mirëpo vetëm kur të merr vesh, do të thotë krejt Kosova se ka ndodhur diçka, atëherë aktivizohet edhe prokuroria. Dhe definitivisht se prokuroria duhet të aktivizohet në këtë drejtim për të, ëh, për të hetuar, do të thotë si komisionerët, si vëzhguesit, si kandidatët nëse kanë pasur gisht në këtë drejtim e të gjitha çështjet e tjera për t'i hetuar në kuptim të ekzistimit apo mos ekzistimit të përgjegjësisë penale. Laura Pula, do të thotë prokurore, është koordinatore kombëtare lidhur me procesin e zgjedhjeve dhe që definitivisht ajo duhet të ketë guxim profesional që nuk e kemi parë deri më tani dhe të dalë në konferencë për media dhe të tregojë se cilat janë gjetjet, cilat janë situatat dhe çfarë do të bëjë prokurori i shtetit me këtë situate”, tha ai.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës deklaron se manipulimi i votave është dukuri e papranueshme dhe cenon rëndë integritetin zgjedhor.
Sipas Bugaqkut, veprime të tilla janë të ndëshkueshme me ligj dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
“Absolutisht është një dukuri e kundërligjshme, e papranueshme. Kjo për faktin se mund ta lëndojë dhe mund ta cenojë rëndë integritetin zgjedhor në vend, ose më mirë të themi integritetin e zgjedhjeve në vend, për shkak se Kosova siç e dini shquhet si një vend që organizon procese zgjedhore mjaft të qeta, kredibile, ku rezultatet pranohen nga ana e subjekteve politike. Megjithatë, ka një kohë të gjatë që pasi të përfundojë dita e votimit fillojnë disa probleme sa i përket numërimit të votave, qoftë të partive apo qoftë edhe të kandidatëve për deputetë”, u shpreh ai.
Bugaqku ka kërkuar rinumërim të plotë të votave, duke u bazuar në parregullsitë e evidentuara gjatë procesit aktual të verifikimit.
“Kemi kërkuar që të ketë rinumërim të plotë për faktin se nga 40% që po numërohen tani të vendvotimeve të tërësishme të Kosovës, po vërehet që ka mospërputhje dhe diskrepancë të madhe mes votave të numëruara në KQZ dhe atyre që po verifikohen tani në QNR. Prandaj, mendojmë që është e udhës që të paktën të ketë një transparencë, një qartësi dhe vullneti i qytetarëve të shkojë në vendin e duhur, aty ku ata kanë shprehur në ditën e zgjedhjeve dhe assesi që kjo të mbetet në dorën dhe vullnetin e komisionerëve të KQZ-së”, u shpreh Bugaqku.
Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.
Gjatë ditës së djeshme, Prokurori Themelore e Prizrenit ka reaguar duke theksuar se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore në këtë komunë.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, kanë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Pas rinumërimit të votave në 10 komuna, Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha të votave. Manipulimi i votës ka ndodhur kryesisht brenda listës zgjedhore të një partie. Rinumërim të 100% të votave pati edhe Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug, ndërsa 10% e votave u rinumëruan edhe në 28 komuna të tjera si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Deri në orën 11:00 të ditës së hënë janë rinumëruar 559 vendvotime nga gjithsej914 vendvotime që janë në rinumërim.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas gjetjeve nga rinumërimi i pjesshëm i votave, duke i cilësuar si tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të evidentuara gjatë këtij procesi.
Në një reagim publik, Hamza ka vlerësuar se në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Ai ka theksuar se institucionet përgjegjëse kanë obligim kushtetues të veprojnë pa vonesë për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çdo hezitim apo vonesë në veprim cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Sipas Hamzës, transparenca dhe veprimi i menjëhershëm institucional janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik dhe funksionimin demokratik të vendit. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka njoftuar se vetëm gjatë ditëve të vikendit, në Repartin e Pediatrisë kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsej 224 fëmijë.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, nga ky numër, 6 fëmijë kanë qenë të detyruar të spitalizohen për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ndërsa të tjerët kanë marrë shërbimet e nevojshme ambulatore.
I ngarkuar gjatë vikendit ka qenë edhe Shërbimi Emergjent, ku janë trajtuar gjithsej 225 raste, përfshirë raste të aksidenteve, problemeve ortopedike, internistike dhe kirurgjike.
Po ashtu, një numri të konsiderueshëm pacientësh u janë kryer edhe ekzaminime laboratorike. Sipas spitalit, 140 pacientëve u janë marrë dhe analizuar parametrat laboratorikë.
Ngarkesë është shënuar edhe në Shërbimin e Radiologjisë, ku gjatë vikendit janë realizuar 64 radiografi (rëntgen), 22 tomografi të kompjuterizuara (CT) si dhe 40 ekzaminime eko dhe ultrazë.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë theksohet se stafi mjekësor ka qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve dhe për të ofruar shërbime të vazhdueshme shëndetësore për qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në këtë qytet, Shaqir Totaj, ka reaguar pas evidentimit të parregullsive gjatë procesit të rinumërimit të votave, duke e cilësuar situatën si cenim të drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve dhe të demokracisë zgjedhore.
Totaj ka deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer me atë që ka dalë nga rinumërimi i votave në Prizren.
“Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se, në cilësinë e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren, do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të konstatuar.
“Çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka theksuar Totaj.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Totaj ka siguruar se Partia Demokratike e Kosovës do të mbrojë vullnetin e votuesit dhe procesin demokratik.
“PDK di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij”, ka deklaruar ai.
Në fund, Totaj ka shtuar se parregullsitë e shfaqura në procesin zgjedhor, sipas tij të pranishme në parti të ndryshme, kërkojnë një rivlerësim tërësor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet përkatëse.
“Kërkohet një menaxhim i kujdesshëm i procesit të numërimit në mënyrë që të ruhet deri në fund mbarëvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, ka përfunduar Totaj. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka publikuar statistikat e shërbimeve shëndetësore të realizuara gjatë javës së kaluar, duke bërë të ditur se në këtë periudhë kanë lindur gjithsej 21 foshnje, prej tyre 14 vajza dhe 7 djem.
Sipas njoftimit, gjatë javës janë kryer 2.637 vizita specialistike, ndërsa janë regjistruar 300 pranime të pacientëve. Mesatarisht, në baza ditore, kanë qenë të shtrirë 203 pacientë.
Në laboratorët e spitalit, 1.774 pacientë kanë realizuar gjithsej 22.886 analiza, ndërkohë që janë kryer edhe 71 operacione të suksesshme. Po ashtu, janë ofruar 200 trajtime të dializës për pacientët që kanë pasur nevojë për këtë shërbim.
Në kuadër të diagnostikimit dhe ekzaminimeve, janë realizuar 542 rëntgenë, 276 eho, 62 rezonanca magnetike, si dhe 6 mamografi. Gjithashtu, janë kryer 17 ergometri dhe 58 ehokardiografi.
Në repartet përkatëse janë realizuar edhe 5 kolonoskopi, 33 gastroskopi, si dhe 179 shërbime fiziatrike.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë theksohet se këto shifra dëshmojnë për angazhimin dhe përkushtimin e stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e rajonit. /Telegrafi/
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka furnizuar Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë me shtretër të rinj, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet dhe komoditetin për pacientët që marrin shërbime shëndetësore në këtë institucion.
Sipas njoftimit, furnizimi është realizuar në dy faza, me nga 25 shtretër secilën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 50 shtretër të rinj.
Prej tyre, 20 shtretër janë të dedikuar për Shërbimin e Hemodializës, të cilët ofrojnë rehati më të madhe për pacientët gjatë trajtimit, duke pasur parasysh se shtretërit e mëparshëm ishin të stërvjetruar.
Po ashtu, spitali është pajisur edhe me një shtrat të veçantë për vendosjen e katetrave venoze për nevojat e Shërbimit të Hemodializës, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e procedurave mjekësore.
Në disa reparte janë vendosur edhe shtretër modernë me mekanizëm ngritje dhe ulje, të pajisur me dyshekë bashkëkohorë, të cilët u ofrojnë pacientëve kushte më të mira dhe njëkohësisht e lehtësojnë punën e stafit mjekësor.
Nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” bëhet e ditur se ky furnizim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së shërbimeve spitalore dhe përmirësimit të komoditetit të pacientëve.
Furnizimi me shtretër të rinj pritet të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2026, me qëllim që të gjitha repartet të kompletohen me pajisje të reja. /Telegrafi/
Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, që organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka vazhduar aktivitetet e tij me ecjen tradicionale në nderim të të rënëve për liri.
Ecja u organizua nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Gjilani” nga Komuna e Gjilanit dhe Klubi Alpin “Dardanët” nga Komuna e Kamenicës, me mbështetjen e klubeve të tjera bjeshkatare dhe alpine nga trojet shqiptare. Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të shoqërive bjeshkatare, të cilët përmes ecjes nderuese dhe përkujtuese synuan ruajtjen e kujtesës dhe vlerësimin e sakrificës së heronjve të kombit.
Sipas organizatorëve, kjo ecje ka për qëllim t’u japë brezave të rinj mundësinë të kuptojnë rëndësinë e trashëgimisë, historisë dhe kulturës kombëtare, duke e cilësuar atë si një ecje përkujtimore “prej nga buron liria”.
Aktiviteti nisi me një fotografim të përbashkët te shtatorja e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në Gjilan, për të vazhduar drejt Kamenicës, ku pjesëmarrësit u bashkuan me grupe të tjera. Më pas, ecja vazhdoi drejt Kapisë në Sfircë, prej nga nisi marshimi deri te Kulla e Nuhi Berishës. Pas kthimit në Kapi, shtegu u vijua drejt Kullës së Rexhep Malës në Hogosht dhe më pas deri te Kulla e Kadri Zekës në Poliçkë, ku edhe u përmbyll ecja tradicionale.
Ky aktivitet u vlerësua si një nderim ndaj sakrificës së Heronjve të Kombit Kadri Zeka, vëllezërve Gërvalla, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.
Organizatorët kanë bërë të ditur se aktivitetet e “Flakës e Janarit” do të vazhdojnë më 24 janar, me organizimin e Tryezës Letrare “Pena e Flakës” nga ora 12:00, ndërsa në mbrëmje do të nis Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, i cili do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. /Telegrafi/
Komuna e Rahovecit ka njoftuar qytetarët se më 19 janar 2026 do të realizohet transporti i komponentëve të turbinave të erës nëpër rrugët përkatëse të qytetit të Rahovecit dhe fshatit Zatriq, në kuadër të projektit të kompanisë investuese “EV Wind Park”.
Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të përmasave të mëdha të mjeteve dhe makinerisë transportuese, qarkullimi mund të jetë më i ngadalshëm se zakonisht dhe mund të ketë vonesa të përkohshme për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
“Për të shmangur ngarkesën dhe për të rritur sigurinë, lusim qytetarët që, aty ku është e mundur, të përdorin rrugë alternative dhe të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre gjatë kësaj dite”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, nga Komuna e Rahovecit dhe investitori u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e Policisë dhe të personelit përcjellës gjatë procesit të transportit.
“Ju lutemi të mbani distancë të sigurt nga kolona e transportit dhe të shmangni ndalimin apo parkimin në segmentet e ngushta të rrugës, ku transporti ka nevojë për hapësirë shtesë”, theksohet më tej në njoftim.
Komuna e Rahovecit ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ky projekt është në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe investimeve në energjinë e rinovueshme. /Telegrafi/
Fillimviti 2026 ka goditur Kosovën me vërshime, ndërkaq komunat më të prekura janë Malisheva, Drenasi, Mitrovica, Gjakova dhe Rahoveci.
Në vazhdën e raportimeve për gjendjen e rëndë që ka goditur këto rajone, Telegrafi ka shkuar në Rahovec, për të shikuar nga afër se si kanë arritur t'ia dalin qytetarët në këtë fatkeqësi natyrore.
Nga dhjetëra fshatra të vërshuara, më mirë nuk ka kaluar as fshati Krushë e Madhe, ku blegtori Bedri Duraku ka treguar për situatën që përballën pothuajse çdo vit.
“Këtu jam me fermë të lopëve. Kohët e fundit, vërshimet që kanë ndodhur, ne nuk i kemi këto prej natyrës, por këto janë prej dorës së njeriut”, tha ai.
“Krejt ujëmbledhësi i asfaltit të fshatit Celinë, po derdhet në parcelën time dhe në bazë të kërkesave të vazhdueshme që kanë shkuar në komunë, deri tash asnjë hap nuk e kanë marrë, niveli komunal është shumë neglizhues”.
Duraku shtoi më tej se ai nuk do të aplikoj për dëme, pasi që sipas tij më mirë është që të rregullohet ujëmbledhësi, se sa të kompensohen nga komuna.
Irfan Berisha, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit ka thënë për Telegrafin se kanë filluar aplikimet për kompensimin e dëmeve si në pronar familjare ashtu edhe në ato afariste.
“Komisionet janë në terren që nga dita kur është formua, ndërsa kemi pranuar deri tani rreth 350 kërkesa për dëmshpërblim”, tha ai.
“Janë trajtuar një pjesë e tyre, derisa komisioni është duke punuar në përmbyllje të këtij procesi, që t’i dërgojmë këto kërkesa në nivel qendror dhe të kompensohen dëmet”.
Berisha u pyet edhe për dëmet e viteve të kaluara, duke thënë se shpresojnë që do t’i kompensojnë edhe ato.
“Shpresojmë që do t’i kompensojmë edhe dëmet për vitet e kaluara dhe është mirë që të ndodhë pasi ka shumë dëme”, përfundoi ai. /Telegrafi/
Me vendim të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, Mujë Igrishta është emëruar në pozitën e Drejtorit të Inspekcionit Komunal.
Në një postim në Facebook, Igrishta ka theksuar përkushtimin e tij ndaj detyrës.
“Angazhohem që këtë detyrë ta ushtroj me përgjegjësi të plotë para Zotit, me integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe në shërbim të interesit publik të qytetarëve, duke garantuar paanshmëri dhe transparencë në çdo veprim”, thuhet në postimin e tij.
Ai gjithashtu shprehu falënderimin për Kryetarin e Komunës për besimin e dhënë: “Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë. Me përkushtim ndaj detyrës dhe bashkëpunim institucional, besoj se do të arrijmë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve".
Igrishta përfundoi mesazhin me një premtim simbolik për qytetarët: “Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë”. /Telegrafi/
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka njoftuar sot se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka filluar, duke theksuar se këto ligje sjellin qartësi juridike dhe jo penalizim për shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë.
Mustafi shpjegoi se periudha e tanishme është një fazë informuese që zgjat deri më 15 mars 2026.
"Këto ligje nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një zonë gri administrative", ka shkruar ai në Facebook.
Ai theksoi se periudha afirmative ka për qëllim rregullimin e statusit ligjor të qytetarëve dhe eliminimin e pasigurisë administrative: "Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje".
Mustafi përmendi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar procedurat për qytetarët e Luginës së Preshevës: "Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në funksion formularin për situata të jashtëzakonshme, i cili ua mundëson qytetarëve apatridë/të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil".
Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të pronës dhe të drejtave administrative.
"Qytetarët e Luginës së Preshevës tani mund t’i bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre si titullarë, duke garantuar siguri juridike mbi pronën dhe duke hequr pengesat administrative që deri më tani i kanë përjashtuar nga e drejta elementare e pronësisë", thuhet më tej.
Mustafi përfundoi me një mesazh për qytetarët dhe institucioneve: "Pas datës 15 mars, zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të prodhojë pasoja administrative të panevojshme. Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron, i rregullon dhe i trajton me dinjitet e të barabartë".
Ky hap është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar drejtësi, qartësi ligjore dhe mundësi të barabarta për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. /Telegrafi/