Në pikën kufitare Vërmicë, zyrtarët e doganorë kanë parandaluar një rast të tentimit për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, duke ndaluar për kontrollë një automjet që hynte në vend.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas pyetjes standarde nga ana e zyrtarit doganor nëse posedonte mallra për deklarim, drejtuesi i automjetit është përgjigjur negativisht.
Tutje thuhet se megjithatë, bazuar në analizën e riskut, automjeti është selektuar për kontroll në vijën e dytë.
“Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar gjithsej 610 produkte të ndryshme kozmetike dhe të kujdesit personal, përfshirë produkte për kujdesin e lëkurës dhe flokëve, maska për fytyrë, si dhe parfume të markave të njohura”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur me këtë rast është konstatuar kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallrave, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
“Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që tejkalon kufijtë e lejuar duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, në mënyrë që të shmangen shkeljet ligjore dhe pasojat që rrjedhin nga to”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Republikën e Kosovës, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se autoriteti bën të ditur se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim.
“Përmes këtij monitorimi, Autoriteti synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg. Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike.
“Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të reflektojnë drejtimin dhe përmasën e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, duke u bazuar gjithmonë në parimet e transparencës, funksionimit të rregullt të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga çmime të padrejta apo praktika që cenojnë konkurrencën në tregun e karburanteve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se Autoriteti u bën thirrje bizneseve që: të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë, të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky proces monitorimi po zhvillohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me MINT-in, ATK-në, Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim të sigurimit të respektimit të plotë të legjislacionit në fuqi, si dhe të vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta mbështesë kandidaturën e Glauk Konjufca për president të Kosovës.
Ai ka thënë se qëndrimi i PDK-së është i qartë dhe se nuk do të marrin pjesë në seanca lidhur me këtë çështje.
“Ne e kemi vendosur që ne nuk e mbështesim kandidaturën e Glauk Konjufcës, asnjë kandidaturë tjetër partiake. Është qëndrim i qartë dhe nuk do të marrim pjesë në seanca. Por, ajo që po përgaditet është mos të mbahen seancat fare sa e kuptova UNË. Është përmbysje e rendit kushtetues, sepse, sot kuvendi është dashur të mblidhet me zgjedh ose mos me zgjedh një president. Kjo që as mos me zgjedh, as mos me konsomu procedurën është shkelje e Kushtetutës dhe po bëhet me qëllim me përmbys rendin kushtetues”, ka thënë Gruda.
I pyetur nëse kanë kandidat për president, ai tha se aktualisht nuk kanë një emër të propozuar, duke theksuar se nuk i kanë votat për ta zgjedhur një të tillë.
Ai ka thënë se veprimet e qeverisë aktuale janë tallje me Kosovën.
“Jo, sepse e vërteta është që nuk i kemi votat. Është tallje me gjithë Kosovën, sepse rezultati dihet, e vërteta është se ne kemi 22 deputetë, por është dhe një e vërtetë e madhe, populli i Kosovës e ka votuar 51 për qind VV-në, jo 100 për qind. Me 51 për qind ata kanë mundur të formojnë qeverinë, me formu kuvendin, me miratu ligjin për buxhetin e gjëra tjera, por jo edhe me bë presidentin. Prandaj, duhet sjellë në përputhje me rezultatin zgjedhor. Ky rezultat zgjedhor na ka imponuar që të gjithë ne të ulemi dhe të gjejmë një emër për president. Krejt partitë popullsitë në botë kur fitojnë 51 për qind e llogarisin sikur kanë fituar 100 për qind. Kjo është komplet tallje me Kosovën, Kushtetutën, interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Gruda. /Kp/
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka publikuar pamjet e momentit të pritjes së Rifat Jasharit në ambientet e Kuvendit para fillimit të seancës solemne të Epopesë së UÇK-së.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Haxhiu ka shkruar: “Me Bacën Rifat Jashari, para seancës solemne kushtuar Epopesë së UÇK-së”.
Në këto pamje shihen se si fillimisht Haxhiu takon Rifat Jasharin e më pas vijnë kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministri i MPJD-së, Glauk Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe simbolizon sakrificën e familjes Jashari për lirinë e vendit.
Në seancën solemne të Epopesë së UÇK-së, Hamza tha se janë mbledhur jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që, sipas tij, i dha drejtim historisë së Kosovës.
“Sot jemi mbledhur në këtë sallë jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që i dha historisë sonë Epopejën e UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz”, ka deklaruar Hamza.
Ai theksoi se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së saj përballë një ushtrie të tërë pushtuese.
“Sidoqoftë, ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë. Ato janë një mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë, sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike, por nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, pikërisht në ato tri ditë të marsit historia mori një formë tjetër.
“Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë një altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës së një populli të tërë”, theksoi ai.
Hamza shtoi se ngjarjet e marsit 1998 duhet të kujtohen në tërësinë e tyre, duke rikujtuar se forcat serbe kishin ndërmarrë disa herë sulme ndaj familjes Jashari para se të ndodhte rrethimi i fundit.
“Brenda pak viteve forcat serbe kishin sulmuar tri herë këtë familje. Dy herët e para u zmbrapsën, sepse në atë kullë nuk qëndronte thjesht një familje, por një vullnet i pathyeshëm për çlirim. Herën e tretë, në mars të vitit 1998, regjimi serb vendosi të përdorte gjithë makinerinë ushtarake”, tha ai.
Sipas Hamzës, rrethimi i Prekazit zgjati tri ditë dhe u shndërrua në simbol të rezistencës.
“Tri ditë rezistencë dhe heroizëm. Tri ditë kur burra, gra dhe fëmijë luftuan për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Hamza.
Hamza po ashtu tha se : “Adem Jashari kishte thënë ‘Vetëm nje vdekje e kemi në këtë jetë dhe një fjalë të mirë në grykë të pushkës’. Në këto pak fjalë përmblidhet e tërë filozofia e asaj që ndodhi në ato tri ditë", tha ndër të tjera Hamza. /Telegrafi/
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe rëndësinë historike të ngjarjeve të marsit të vitit 1998 në Prekaz, duke theksuar se qëndresa e tyre shënoi një kthesë të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe për luftën për liri.
Haxhiu gjatë fjalës së saj në një seancë solemne për shënimin e Epopesë së UÇK-së tha se në marsin e vitit 1998 shtëpia e familjes Adem Jashari ishte një shtëpi e zakonshme, ashtu si shumë të tjera në Kosovë, me një oborr të thjeshtë dhe mure të ndërtuara me mund.
“Në marsin e vitit 1998 shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë. Një oborr i zakonshëm e mure të ngritura me mund. Në agimin e 5 marsit forcat ushtarake dhe policore rrethuan fshatin. Një aparat i tërë shtetëror dhune u përqendrua para familjes së Jasharëve. Shtëpia që deri dje ishte e zakonshme u shndërrua në një shtëpi historike”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo theksoi se familja Jashari mori mbi vete barrën më të rëndë të kohës dhe qëndroi e bashkuar përballë rrezikut.
“Në atë shtëpi ishin të gjithë bashkë, krah për krah, të vetëdijshëm për atë që po u vinte. Asnjëri nuk u largua. Sakrifica e tyre mbeti jo vetëm dhimbje, por themel i kujtesës dhe qëndresës sonë”, u shpreh ajo.
Haxhiu përmendi edhe rolin e Besarta Jasharit, e cila si fëmijë ishte dëshmitare e ngjarjes në Prekaz.
“Një vajzë e vogël pa gjithçka. Besarta Jashari pa gjithçka dhe u bë dëshmitarja e parë e asaj që ndodhi”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se: “Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një ngjarje, por një moment që shënoi kthesë historike. Prekazi u bë simbol i një populli që nuk pranon të dorëzohet”.
Tutje ajo shtoi se sot Kosova flet nga një pozicion tjetër, si shtet i ndërtuar mbi sakrificën e atyre që ranë për liri.
“Sot flasim nga një pozicion tjetër, nga një shtet i formuar. Ata që ranë nuk kërkuan premtime, ata morën një vendim. Me atë vendim na lanë përgjegjësinë për ta mbrojtur shtetin. Toka e Prekazit është e rëndë, sepse kërkon maturi... Kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, nuk kujtojmë vetëm rënien, por zgjedhjen për të mos u dorëzuar”, ka deklaruar ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/
Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas mbledhjes solemne të Qeverisë për shënimin e Epopesë së UÇK-së, para gazetarëve ka thënë se pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ai tha se uron që do të kenë edhe një kandidatë tjetër për president në mënyrë siç tha “ta përmbushi, kërkesën kushtetuese”.
"Tash e kemi dhe një seancë solemne pastaj e kemi dhe parakalimin e FSK dhe pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin. Urojmë, besojmë dhe shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën Kushtetuese”, ka thënë Kurti, përcjell Telegrafi.
Drejtoria Rajonale e Policisë nё Pejë, Stacioni Policor në Klinë - me datën 04.03.2026, rreth orës 10:00, patrulla policore që ishte e angazhuar në implementim të një Plani Operativë, në afërsi të SH.M. “Fehmi Agani” në Klinë, kanë vërejtur dy persona të dyshimtë ku pas një kontrolli të përkohshëm për siguri tek të dyshuarit janë gjetur një pistoletë dhe një brisk të cilat janë sekuestruar.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se të dyshuarit janë shoqëruar për në stacionin policor dhe njëri nga ta është ndaluar për 48 orës.
“Të dyshuarit janë shoqëruar për në Stacionin Policor në Klinë ku janë intervistuar ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari A. H. (viti i lindjes 2004) është ndaluar për 48 orë ndërsa i dyshuari i dytë po ashtu me inicialet A.H. (viti i lindjes 2006) është liruar në procedurë të rregullte”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq , armët e konfiskuara janë: njё Revole Zoraki M 906T, një karikator, dy fishek cal. 9mm, një Brisk 7cm.
Ndwrsa, rasti wshtw cilwsuar si “Mbajtja nё pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”. /Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë me rastin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje për rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Kurti u shpreh se kjo ngjarje përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve dhe në përpjekjet për çlirim. Ai rikujtoi se marsi i vitit 1998, veçanërisht ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, shënuan një përballje të pabarabartë, por me domethënie të jashtëzakonshme historike.
“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme bashkëkohore, Epopenë e UÇK-së. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare drejt lirisë dhe pavarësisë. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars ndodhi një ngjarje aq e pabarabartë, por me domethënie të madhe”, ka thënë Kurti.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas tij, për tri ditë e tri net rresht familja liridashëse Jashari bëri rezistencë përballë forcave shumëfish më të mëdha.
Ai theksoi se familja e komandantit legjendar të Adem Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të armatosura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake, por megjithatë qëndroi deri në fund, duke sakrifikuar jetën për lirinë e vendit.
Kurti nënvizoi se për familjen Jashari vlerë kishte vetëm liria.
Ai kujtoi se burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga komandanti Adem Jashari, ndërsa gjatë luftimeve të rinjtë dhe fëmijët morën pozicionet e tyre, ndërsa gratë dhe vajzat ndihmonin duke furnizuar me armatim.
Kryeministri theksoi se pas këtyre tri ditëve lufta në Kosovë mori një drejtim tjetër dhe u shndërrua në një pikë kthese për rezistencën çlirimtare.
Foto: Ridvan Slivova
Duke përmendur edhe fjalët e Rifat Jashari, ai rikujtoi se sakrifica e familjes Jashari ishte e madhe.
"Siç kishte thënë Rifat Jashari, humba 56 anëtarë të famijles por fitova zemrat e shqiptarëve. Liria që e gëzojmë sot është ndërtuar në qendrën e tyre që nuk u dorëzuan", tha Kurti.
Kurti po ashtu theksoi se liria që gëzohet sot është ndërtuar mbi sakrificën e atyre që nuk u dorëzuan.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë që kjo histori të ruhet dhe të përcillet tek brezat e rinj të shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë. /Telegrafi/
Sot shënohet 28-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nga sakrifica sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat.
“Nga sakrifica sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat. #EpopejaeUÇK”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/
Gazetari Lavdrim Lita e cilësoi zgjedhjen e Vilës së Enver Hoxhës për t’u goditur nga protestuesit si një akt me mesazh të qartë politik ndërsa ngriti shqetësimin për mënyrën se si po përdoret aktualisht ky ambient.
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, Lita tha se në ambientet e vilës janë zhvilluar aktivitete me elementë që ai i cilësoi si rite satanike, ku shfaqen persona të maskuar me simbole të errëta, me skenografi dhe muzikë të rëndë, që sipas tij krijojnë një atmosferë të ngjashme me ritualet okulte.
Ai theksoi se përdorimi i një godine me peshë të tillë historike për aktivitete të kësaj natyre ngre pikëpyetje mbi respektin ndaj kujtesës së periudhës së diktaturës dhe mënyrën se si duhet të administrohen objekte të tilla simbolike.
“Protesta e fundit e opozitës ishte pa kokë dhe pa podium. U bllokuan rrugë, u hodhën molotovë dhe fishekzjarre edhe tek ish-vila e Enver Hoxhës. Zgjedhja e asaj vile ishte simbolike dhe e mirëmenduar. Është narrativa e diktatorit të vjetër me atë që ata e quajnë diktatori i ri. Mesazhi ishte: sot tek vila e Enverit, nesër në Surrel. Ky ishte nënkuptimi politik. Por fatkeqësisht aty kanë qenë edhe disa shtetas të huaj, francezë, që organizojnë festa edhe të çuditshme brenda godinës. Janë publikuar video me festa karnavaleske, me elementë satanikë, me muzikë ekstreme. Ka pamje ku shfaqen persona të veshur me figura që i ngjajnë djallit apo miteve të lashta. Nuk më duket se aty bëhet art bashkëkohor. Nëse këto godina do të ishin kthyer në hapësira për kujtesën e diktaturës, nuk do të përdoreshin për të rehabilituar të keqen apo për të bërë lutje për djallin. Ne nuk jemi aty çdo ditë me kamera për të parë çfarë ndodh brenda, por pamjet që kanë dalë ngrenë pikëpyetje serioze”, tha ai. /Euronews.al/
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se situata e krijuar për zgjedhjen e presidentit është një krizë serioze që mund të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Tahiri ka kritikuar ashpër partitë që janë në pushtet për mungesën e një procesi të mirëfilltë politik për zgjedhjen e një kandidati konsensual për presidencën e Kosovës.
“Partia në pushtet nuk i ka 80 vota me bo presidentin, e në mungesë të 80 votave nuk ka ndodh një proces politik për të zgjedhur një kandidat konsensual. Pse s’ka ndodh? E kemi ditë kur është afati i fundit dhe nuk ka ndodh asnjë tryezë politike për profilin e një kandidati potencial për president konsensual...kjo nuk ka ndodh. Kanë ndodh disa takime siç e kemi parë një me një, pa llogaridhënie...Sot jemi në një krizë serioze të shtetit të Kosovës, ku me vetëdije apo pa vetëdije don ta dërgojë vendin në zgjedhje", ka thënë Tahiri.
Ai po ashtu tha se mungesa e një procesi politik i faturohet vetëm partisë në pushtet, duke shtuar se “Është një puç që po i instalohet Kosovës”.
“Ajo është partia që i ka fituar zgjedhjet dhe nuk ka vendosur një emër të kandidatit por ka krijuar një amulli. Është një puç që po i instalohet Kosovës përmes një shumice parlamentare e cila e ka synimin e vetëm që ta synoj edhe presidencën e Kosovës dhe të mos ketë llogaridhënie. AAK nuk ka qenë e përfshirë në këto konsultime edhe pse kemi qenë të hapur”, ka thënë ndër të tjera Tahiri. /Telegrafi/
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se sot ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.
Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor.
“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor. Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes”, ka shkruar ajo.
Tutje Kusari-Lila ka thënë se marzha tregtare maksimale e lejuar është: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër, Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër.
Tutje ministrja tha se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2, të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Duke u bazuar në analizën e situatës në treg dhe në kompetencat ligjore të Ministrisë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”.
Po ashtu Kusari-Lila theksoi se ky vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Ky vendim synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Kusari-Lila. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka theksuar se nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për kandidaturën për presidentin e Kosovës.
Ai këtë deklaratë e dha ndërsa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku do t’i bashkohej mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.
Hamza sqaroi se partia e tij nuk ka propozuar ende një kandidat konkret për postin e presidentit dhe se asnjë diskutim për emra nuk ka arritur në fazën e propozimeve.
Ai theksoi se për momentin janë diskutuar vetëm parimet, duke shtuar se PDK-ja dëshiron që të ketë një president që do të jetë një figurë dinjitoze dhe e respektuar.
“Jo, s’ka marrëveshje. Se kemi propozuar se s’kemi mbërritur fare te propozimi. Kemi folur për parim. Kemi kërkuar që kandidati për president të jetë nga radhët e PDK-së, një emër i dinjitetshëm që nuk do të thotë se duhet të jetë domosdoshmërisht brenda strukturave të PDK-së, por mund të jetë edhe jashtë tyre, kushdo që i ka atributet dhe cilësitë që duhet t’i ketë një president”, tha Hamza.
Ai shtoi se, për momentin, gjithçka që ka qarkulluar në media për mundësitë e kandidatëve është thjesht spekulim dhe se PDK nuk ka bërë asnjë lëvizje formale për të propozuar ndonjë emër pa një marrëveshje paraprake brenda partisë. /Telegrafi/
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj deklaratave të ish drejtorit të BIA-së serbe, Aleksandar Vulin.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Faceboook ka shkruar se “deklaratat e Vulinit e bërë në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai e përmend modelin e Mossad-it dhe shtron pyetjen ‘kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne’, është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese”.
Tutje Sveçla tha se këto lloj analogjish nënkuptojnë normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan.
“Deklarata e ish-drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, e bërë në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai përmend modelin e Mossad-it dhe shtron pyetjen ‘kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne’, është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese. Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”, ka shkruar Sveçla.
Ministri po ashtu tha se është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic.
“Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës. Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm. Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cënim të sovranitetit të vendeve të tjera”.
Në këtë kontekst siç ka shkruar Sveçla në javën e dytë të muajit shkurt, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar.
“Ata u ndaluan dhe u arrestuan nga institucionet tona të sigurisë dhe rasti është në trajtim. Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”.
Ai po ashtu theksoi se kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, Albin Kurti.
“Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic”.
Po ashtu Sveçla potencoi se institucionet e Kosovës janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka shkruar ndër të tjera Sveçla.
Ndryshe, ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe çdo individi që, sipas tij, ndjek politika antiserbe.
Vulin, në një emision në mediat serbe, ka thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç, sipas pretendimit të tij, vepron Izraeli përmes Mossad-it kundër atyre që i konsideron armiq.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste në Serbi, Aleksandar Vulin, ish-shef i BIA-s, ka kërcënuar Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/
Në episodin e 64-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, kirurgu kardiovaskular Raif Çavolli diskutoi për sëmundjet e zemrës, shenjat paralajmëruese të infarktit dhe zhvillimet moderne në kirurgjinë kardiovaskulare.
Gjatë bisedës u theksua se sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë, jo vetëm në rajon, por në mbarë botën.
Sipas Çavollit, sensibilizimi dhe diagnostikimi i hershëm janë faktorë kyç për parandalimin e pasojave fatale.
Një pjesë e rëndësishme e episodit iu kushtua simptomave të infarktit.
Çavolli shpjegoi se dhimbja tipike e zemrës shpesh manifestohet si ndjesi shtypëse në gjoks, që mund të përhapet në krahun e majtë, qafë apo nofull, e shoqëruar me djersitje të ftohtë, marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje.
Ai theksoi se çdo dhimbje e dyshimtë në gjoks nuk duhet injoruar dhe se reagimi i shpejtë mund të shpëtojë jetë.
Sipas specialistit, faktorë si stresi kronik, duhani, dieta e pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe diabeti po ndikojnë që sëmundjet e zemrës të mos jenë më problem vetëm i moshave të shtyra.
Ai nënvizoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe menaxhimit të faktorëve të rrezikut si tensioni i lartë dhe kolesteroli.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot, në ambientet e jashtme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.
"Menjëherë pas identifikimit të këtij akti, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve", thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare. /Telegrafi/
Lajmet e publikuara së fundmi nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë cilësuar nga Muxhahedinët si propagandë e orkestruar nga regjimi iranian.
Sipas reagimit të tyre nëpërmjet zëdhënësit Shahriar Kia, thuhet se kjo po bëhet për qëllime të qarta që krijojnë një lufte psikologjike, me qëllim krijimin e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri, për të ndjekur interesat e regjimit iranian.
Muxhahedinët theksojnë se këto pretendime nuk kanë bazë dhe nuk bazohet në asnjë fakt. Ata shtojnë se kjo luftë propagande po kryhet në koordinim të ngushtë midis regjimit iranian dhe agjentëve të tij lokalë në Shqipëri, me qëllim rritjen e rezonancës dhe përhapjes së lajmit sa më shumë të jetë e mundur.
Gjithashtu, Muxhahedinët bëjnë të qartë se raketat e regjimit iranian nuk kanë kapacitetin teknik për të arritur në Shqipëri. /Euronews.al/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq është ftuar nga Gjyakata Themelore në Mitrovicë për kundërvajtje në cilësinë e të pandehurit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
Sipas saj, seanca është caktuar të mbahet më datë 04.03.2026, në ora 10:30, ku ai do të dëgjohet lidhur me kundërvajtjen “Mospërfillja e urdhrave të ligjshëm
“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se personi M.R. është ftuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm/Divizioni për Kundërvajtje, në cilësinë e të pandehurit, për të marrë pjesë në seancën gjyqësore. Seanca është caktuar të mbahet më datë 04.03.2026, në ora 10:30, ku ai do të dëgjohet lidhur me kundërvajtjen ‘Mospërfillja e urdhrave të ligjshëm’, nga neni 16, paragrafi 3, i Ligjit Nr. 03/L-142 për Rendin dhe Qetësinë Publike", ka thënë Haxhaj.
Siç merr vesh Telegrafi, Radojeviq ka lejuar vendosjen e baneri me mbishkrime serbe në qendër të Mitrovicës Veriore në muajin janar të këtij viti. /Telegrafi/