Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në Bruksel u mirëprit nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa.
"Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian", ka shkruar Osmani. /Telegrafi/
Pas vizitës që ia bëri sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani ish bashkpartiakut të saj Faton Peci i cili tashmë udhëheq më Komunën e Mitrovicës, ka reaguar ish-deputeti Avdullah Hoti.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake “Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike”.
Ai tha se shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues.
“Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar ndër të tjera Hoti. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në këtë takim kanë biseduar për bashkëpunimin të pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.
“Në një takim të ngrohtë fundvitit, sot pata kënaqësinë ta pres Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduam për bashkëpunimin tonë të pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës. Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/
Në Kosovë s’ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane, tha presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Sipas saj, në Kosovë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë qeveri më proamerikane që mund të gjejë dikush.
Megjithatë, ajo tha se secila qeveri i ka metodat, strategjitë dhe mënyrën sesi punon me partnerët.
E para e vendit, tha se ajo ka një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pasi e sheh si partner ekzistencial në zhvillimin dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Këtë koment ajo e dha pasi u pyet nga mediat të hënën për deklaratën e ish diplomatit amerikan, Philip Reeker, i cili ditë më parë tha se Kosova ka nevojë për një qeveri e cila mund të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani të hënën priti në takim edhe dy kongresistë amerikan, Mike Turner dhe Donald Norcross.
“Në Kosovë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane. Në Kosovë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë edhe në të ardhmen qeveri më proamerikane që mund të gjejë dikush. Ne e kemi popullin më pro amerikan në botë dhe secila qeveri e Kosovës që vjen është nga ky popull. Ne nuk mund të kemi dallime mes popullit që krijon qeveri apo votuesit që krijon qeveri dhe qeverisë, përderisa secila qeveri i ka metodat, strategjitë dhe mënyrën sesi punon me partnerët. Për atë sesi kanë punuar dhe si do të punojnë në të ardhmen unë iu sugjeroj të adresoni pyetjet në qeveri. Sa i përket punës sime si presidente mund t’iu siguroj se kam pasur dhe vazhdoj të kem një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në pasi i shoh si partner ekzistencial në zhvillimin e Kosovës dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë sonë si dhe tejkalimin e sfidave të sigurisë që ballafaqohemi”, theksoi ajo. /KP/
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se rrëmbimi i shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq, nga autoritetet serbe, ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
Ajo e cilësoi këtë si krim dhe provokim të rëndë nga Serbia.
Sipas të parës së vendit, edhe po të kishte ndodhur rrëmbimi brenda territorit të Serbisë, përsëri ky do të ishte provokim i rëndë dhe cenim i stabilitetit të Kosovës.
Më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.
“Sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë të shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final. Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme të institucioneve të sigurisë, ju keni parë deklarimet e Policisë së Kosovës, por edhe të institucioneve të tjera të sigurisë, se e kanë të njëjtin konkluzion se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Mirëpo përtej kësaj, pavarësisht se ku ka ndodhur, kjo është krim, provokim i rëndë dhe tentim vrasje nga institucionet shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Kosovës. Kjo, sikur të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë gjë që nuk është e vërtetë përsëri do të ishte provokim i rëndë dhe në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë të cilën Serbia e rrezikon vazhdimisht”, tha ajo.
E para e vendit tha se që nga momenti i incidentit, ajo ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e QUINT-it dhe me institucionet vendore për ta ndjekur rastin nga afër, përcjell Kosovapress.
“Si presidente jam në komunikim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, por edhe me përfaqësues të tjerë në lidhje me këtë që ka ndodhur – me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë. Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë të plagosurin, por nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që i kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Përveç kësaj, institucionet tona shtetërore janë në komunikim edhe me familjen e të plagosurit, qytetarit tonë, si dhe me të gjithë dëshmitarët,” përfundoi ajo.
Këto komente ajo i bëri pas pjesëmarrjes në forumin e EULEX-it në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës, me temën “Nga rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës”. /Telegrafi/
Në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, bën homazhe për t'i nderuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR).
Në njoftimin e presidnces thuhet se "Katërmbëdhjetë ushtarët britanikë që sakrifikuan jetën gjatë misionit në Kosovë, u vlerësuan si urë e fortë lidhjeje dhe dëshmi e miqësisë së përhershme ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar".
Tutje, thuhet se presidentja Osmani theksoi se ata do të nderohen në çdo përvjetor, si kujtesë e rrugës së vështirë drejt lirisë dhe gjithashtu në shenjë falënderimi për rolin vendimtar të Mbretërisë së Bashkuar, në rrugën tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, ka kryer sot obligimin e saj qytetar duke votuar në Fakultetin Teknik në Prishtinë.
Pas votimit, presidentja u prononcua para mediave, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite zgjedhore dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin demokratik.
“Dita e sotme është po aq e rëndësishme sa raundi i parë. Qytetarët jo vetëm vendosin se kush do t’i udhëheqë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për komunat ku ata jetojnë. Rrjedhimisht, shpresoj që secili nga qytetarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë sot në votime”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se Kosova gëzon një demokraci të fortë elektorale, duke vlerësuar lart përkushtimin e qytetarëve dhe integritetin e proceseve zgjedhore.
“Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon, dhe kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime, për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe sepse gjithnjë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike. Jam besimplotë se edhe dita e sotme do të jetë e tillë”, u shpreh Presidentja.
Osmani përfundoi duke ftuar të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të vendosur për komunën ku jetojnë. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, mbajti një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike.
Ajo bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar disa çështje, transmeton Telegrafi.
“Diskutuam në qoftë së dikush nga partitë politike që ishin të ulura rreth asaj tavoline, e kanë shumicën për të krijuar Qeveri apo jo. Besoj i keni dëgjuar liderët politikë rreth qëndrimit të tyre, disa kishin qëndrime se nuk mund të krijohet shumica, disa kishin qëndrime se mund të takohemi sërish. Ne kemi 10 ditë nëse mandatohet mandatari i dytë, ky afat skadon me pesë nëntor. Deri në atë datë do të komunikojë më kryetarët e partive politike”, theksoi ajo.
Presidentja po ashtu tha se kanë biseduar edhe për buxhetin e vitit 2026, por që nuk ka pasur pajtueshmëri nga shumica e përfaqësuesve politike.
Ajo tha se kanë shikuar për mundësitë tjera për buxhetin, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa buxhet./Telegrafi/
Pas dështimit të Qeverisë Kurti për të marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës të dielën, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka ftuar partitë politike parlamentare në një takim konsultativ sot në orën 12:00.
Ftesën për takim e ka konfirmuar për Telegrafin këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se qëllimi i takimit është zhvillimi i konsultimeve me përfaqësuesit e partive parlamentare pas situatës së krijuar politike.
Pjesëmarrjen në takim tashmë e kanë konfirmuar tri nga partitë kryesore opozitare: PDK, LDK, AAK.
Ky takim pritet të jetë vendimtar për hapat e ardhshëm politikë, pasi pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti, pritet që presidentja të konsultohet me partitë për mundësinë e krijimit të një shumice të re parlamentare apo për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në Riad homologun e saj nga shteti i Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani.
Osmani ka njoftuar se në takim kanë diskutuar për marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, transmeton Telegrafi.
"Një takim shumë i mirë në Riad me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani. Biseduam për forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Mauritanisë, gatishmërinë për të punuar së bashku në nivel ndërkombëtar, si dhe për angazhimin tonë të ndërsjellë në thellimin e bashkëpunimit bilateral", ka shkruar ajo në Facebook. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe stafi i saj i kanë shprehur ngushëllime familjes Hoti, miqve dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes Presidenca e Republikës së Kosovës, thuhet se: “Me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit, i cili ka shërbyer si zyrtar në kabinetin e Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani”.
Tutje bëhet e ditur se Petrit Hoti u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas dhimbje të madhe tek familja, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur si njeri me virtyte të jashtëzakonshme, të ndershëm dhe të përkushtuar në punën e tij.
“Në këto momente të rënda, Presidentja Osmani dhe stafi i Presidencës u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoti, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kujtimi për Petritin do të mbetet i paharruar në institucionin tonë dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, thuhet në postim. /Telegrafi/
Mbrëmjen e së hënën u mbajt Darka e Lamës e organizuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani ku të pranishëm ishin ambasadorë të huaj të akredituar në vend, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, familjarë të policit të rënë në detyrë në Banjskë, Afrim Bunjaku, e përfaqësues tjerë institucionalë.
Këshilltarja e presidentes, Vjosa Osmani, Egnesa Vitia ka publikuar një moment të bukur vallëzimi mes Osmanit dhe djaloshit me Sindromë Down, Dionis Ferataj.
Ndryshe, Osmani tha se Darka e Lamës, e cila është nismë e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, është kujtesë e lidhjes me rrënjët, me tokën që na mban e ushqen, me traditën që na mëson të jemi mirënjohës. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kërkesës së Listës Serbe drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punës së Kuvendit, duke e cilësuar atë si një veprim të panevojshëm që vetëm sa shkakton vonesa të mëtejshme në formimin e institucioneve.
Në një deklaratë për media Osmani tha se këto vonesa po i shkaktojnë dëm jo vetëm shtetit të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve pa dallim, përfshirë edhe komunitetin serb.
“... ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat, siç e dini, e kanë vonuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cila do të kishte mandat të plotë kushtetues", tha Osmani.
Ajo theksoi se pas konstituimit të Kuvendit në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është jetike që të formohet sa më parë një qeveri funksionale.
“Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet mes partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, tha presidentja, Osmani. /Telegrafi/
U raportua se eskorta shoqëruese e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është nisur drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në protestën “Liri për Çlirimtarët”.
Mirëpo siç merr vesh Telegrafi Osmani është nisur drejt Tiranës për arsye personale e familjare, e jo që të marrë pjesë në këtë protestë.
Ndryshe në Tiranë sot do të mbahet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, ndërkohë disa media e kanë lidhur vizitën e Osmanit me protestën.
Para dy ditësh Osmani ka deklaruar se e mbështet protestën në Tiranë, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"E mbështes këtë protestë dhe e kam mbështetur secilën protestë e cila thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej, asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësi. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes se të drejtave të njeriut. Kosova dhe më konkretisht krerët të cilët tani përballen në Hagë pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, tashmë po bëhen pesë vite, pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë qe parimet më te larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive të njeriut të respektohen dhe unë u jap plotësisht të drejtë qytetarëve tanë dhe i mbështes ata sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve”, kishte thënë ajo. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka pritur në takim Gjeneralmajorin Ozkan Ulutaş, me rastin e rimarrjes së detyrës së Komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se Osmani e ka uruar Ulutaş për rifillimin e mandatit në krye të KFOR-it, duke vlerësuar rolin kyç të këtij misioni për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
“Dje mirëprita gjeneralmajorin Özkan Ulutaş dhe e urova për rimarrjen e detyrës së komandantit të KFOR. Shpreha besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani.
Osmani po ashtu tha se kanë diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve.
"Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Presidenca e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë , Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Në reagimin e presidencës thuhet se thirrjet e pamatura të Vuçiqit për luftë janë një jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së afërt, transmeton Telegrafi.
"Pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur amerikan dhe evropian për të shtruar rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme, Vuçiq po i tregon botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend që të kthejë faqen, Vuçiq dhe regjimi i tij po flirtojnë sërish me të njëjtat fantazi shkatërrimtare që dikur shkatërruan mijëra jetë të pafajshme", thuhet në reagimin e presidencës.
Më tej, thuhet se ky skenar është parë më herët, në kohën e Millosheviqit.
"Në vitet 1990, Sllobodan Millosheviq zgjodhi luftën gjenocidale si mjetin e tij të fundit të dëshpëruar për të mbajtur pushtetin. Ai ushtroi dhunë çnjerëzore në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë, dhe në fund në Kosovë — të gjitha të dokumentuara me kujdes për ta parë bota. Përmes makinerisë së tij propagandistike, me Vuçiqin si shef të propagandës, ai ndezi urrejtjen që çoi në vrasje sistematike, varreza masive, shkatërrim dhe izolimin më të thellë të Serbisë. Pushteti i tij përfundoi me turp: u rrëzua nga populli i vet, u gjykua si kriminel lufte dhe mbahet mend si njeriu që e çoi kombin e tij drejt rrënimit dhe si kasapi i Ballkanit", vijon reagimi.
Presidenca thekson se tani "Vuçiq duket se beson se mund ta ringjallë të njëjtën formulë helmuese: të nxisë konflikte, të rrezikojë jetë, dhe të besojë se gjakderdhja do ta mbajë në pushtet".
"Por historia është e qartë dhe e pamëshirshme. Millosheviqi dështoi — dhe po ashtu do të dështojë edhe Vuçiqi", bëhet e ditur në njoftim.
Më tutje, presidenca e Kosovës shton se lufta nuk është një mjet udhëheqjeje.
"Ajo është strehimi i fundit i liderëve që kanë humbur legjitimitetin, që nuk mund të frymëzojnë me vizion, dhe që nuk shohin asnjë rrugë përpara veçse përmes shkatërrimit. Kosova, nga ana tjetër, ka zgjedhur paqen. Paqen, të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht"./Telegrafi/
Vucic’s reckless calls for war are a dangerous echo of the darkest chapters of recent history.
Despite years of tireless American and European engagement to pave the road toward lasting peace, Vucic is showing the world that he has not chosen the path of reconciliation. Instead… pic.twitter.com/fxNb4McHpd — The Presidency of the Republic of Kosovo (@Presidenca_RKS) October 4, 2025
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes së saj në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, në tryezën e diskutimit me liderë evropianë të fokusuar në temën e sigurisë, foli për sigurinë e Evropës, e cila, siç tha, “është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Osmani këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Tutje ajo ka shkruar se Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë.
“Në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, në tryezën me liderë evropianë të fokusuar në temën e sigurisë, theksova se siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani një ditë më parë para nisjes së Samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Danimarkë ka folur për sigurinë në rajon dhe më gjerë, gjersa theksoi se Serbia historikisht i ka trajtuar fqinjët e saj si shtete joekzistente, si shtete të përkohshme, duke vepruar ndaj tyre me agresion.
Osmani theksoi tutje se aktualisht ka dy kërcënime kryesore të sigurisë ndaj vendeve të kontinentit, njëri nga Rusia dhe tjetri Serbia. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge, në New York.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Osmani ka shkruar se në New York pata kënaqësinë të takohem me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.
"Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ambasada gjermane në Kosovë ka bërë të ditur takimin lamtumirës që pati ambasadori Jorn Rohde me presidenten, Vjosa Osmani.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se ambasadori ka shprehur mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me Osmanin gjatë mandatit si ambasador në Kosovë.
“Me rastin e lamtumirës së Ambasadores Rohde, ajo u prit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ambasadori shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij. Si një gjest personal, ai i dhuroi Presidentit Osmani reçel shtëpie”, thuhet në postim. /Telegrafi/